e hënë, prill 25, 2016

Ngasja e historisë

Ngasja e historisë

            Historia e kombit tonë, e vërteta dhe retushimet e kohës deri shtrembërimet e paragjykuara në rrjedhën e njëqind vjetëve të fundit, kanë ngacmuar studiuesin, filozofin dhe antropologun Përparim Kabo t’i kthehet së shkuarës me një këndvështrim tjetër lloj, sa interesant, aq befasues dhe shterues në vëllimin voluminoz “Epistolate, Antropologjia e frymës.”
Ashtu siç e thotë në fillesën e librit, qëllimi i tij nuk është rreshtimi i thatë i fakteve, ngjarjeve dhe datave historike. Këtë e kanë bërë historianët e mirëfilltë të vjetër e pastaj ata më të rinj. Në dallim prej tyre, autori ka marrë mbi vete barrën fisnike të interpretimit të lëvizjeve kulmore historike përgjatë shekullit të shkuar. Për të realizuar këtë mision cilitdo studiues duhet të mprehë mirë dy armë, dashurinë për mëmëdheun, për burrat e gratë e sakrifikuara dhe erudicionin, njohjen e thelluar të historiografisë amtare e asaj të huaj.
Duket sheshit se zoti Përparim Kabo i ka me tepri të dyja.
Në këtë iniciativë rigoroze, të mëvetshme në letrat e shkruara, ka derdhur shpirtin me dashuri të pa cunguar nga koha dhe erudicion të shkëlqyer. U drejtohet dëshmorëve emblematikë të atdheut me përkushtim e dhembshuri si rrallë tjetër. Bisedon me ta, arsyeton, hyn në detajet e pa eksploruara të jetës së tyre, ravijëzon bëmat, sakrificat, mundin e derdhur nëpër tallazet e një shekulli të trazuar:
Shekullit kur u bë Shqipëria.
Përpara lexuesit parakalojnë heronjtë e mëdhenj të historisë kombëtare, Ismail Qemal Bej Vlora, Imzot Fan Stilian Noli, i përndritshmi Abdyl bej Frashëri, At Gjergj Fishta, misionarja shenjtore Nënë Tereza, bilbili i gjuhës shqipe, Naim Frashëri e deri ata më të vonë në kapërcyell të shekullit njëzet. Nuk mungojnë edhe personalitete të vendeve të tjera që i kushtuan jetën dhe veprën e tyre atdheut tonë siç është gjuhëtari dhe studiuesi elegant nga Hungaria, Federik Nopçe.
Janë letra të një dashnori të historisë për viganët e saj të mëdhenj. Flet me ta si t’i kishte përpara syve dhe ta dëgjonin, ravgon ëndrrën ende të pa përmbushur në dimensionet që ata aspiruan gjatë mungesës së tyre të gjatë. Është mallëngjyes adhurimi për viganët e papërsëritshëm të racës shqiptare. Përmes dialogut exelent dhe fjalës së zgjedhur kuvendon  si biri i përkushtuar me atin që ka ikur në botën tjetër. Shpesh skenat  surreale duket sikur ndodhin atë çast dhe nuk e di nëse ata kanë vdekur vërtet apo janë ende gjallë, madhështorë e të merakosur si dikur.  
Kuvendon i gjalli me të vdekurit si në baladën e Kostandinit, bisedon fryma me frymën, e cila ekziston përjetësisht edhe kur shkëputet nga trupi. Ngjyresa transcendentale i jep atudimit poliedrik të Kabos thellësi të pashoqe.
Duke sjellë në spikamë veprën e tyre, autori shkon përtej analizave të veta brilante dhe rreshtimit të fakteve, tashmë të njohura. Përfytyron konsultat, monologët e gjatë me veten, atë çfarë mendonin heronjtë e tij në çastet sublime, kur kanë ndërmarrë veprime me përgjegjësi të madhe për fatet e vendit, si kanë folur me miqtë në darkë, pastaj me gratë në shtrat natën kur do të gdhinte dita e madhe, madje edhe nëse kanë bërë dashuri atë natë.
  Me kulturë sipërore ka gërmuar në arkivat dhe veprat shkencore të historianëve shqiptarë e të huaj, për të sjellë fakte dhe hollësi të panjohura.
Që i japin studimit të tij  gravitet të lartë.
Pjesa përmbyllëse e librit,“Një brengë e vjetër për Princ Vidin”, më tepër se epilog, siç e quan autori, mendoj se është studim i mirëfilltë, ndoshta më i ploti për atë periudhë disi të errët të historisë kombëtare. Duke iu referuar memoarit “Gjashtë muaj mbretëri” të kryesekretarit të mbretit gjerman, holandezit Armstrong, ka rindërtuar ngjarjen me hollësi, hap pas hapi dhe orë pas ore, duke e bërë të prekshme për lexuesin. Shpesh fiksionet e rindërtuara i ngjajnë një skenari filmi, apo pasazheve të një romani me ngarkesë të lartë emocionale.
Ndonëse e kisha lexuar monografinë e Armstrongut, një kronologji e ftohtë e ngjarjeve përkrye gjashtë muajve të mbretërisë, monografia e z. Kabo  më la përshtypje tejet elegante. Është historia e veshur me mish e gjak, me ndjenja e karaktere që nuk ka mundur t’i japë Armstrongu nga këndvështrimi i vet prej politikani.
Autori evokon lojën e fuqive agresive në tryezën e ngjarjeve shqiptare në prag të luftës botërore, manovrat e misionarëve italianë dhe atyre fqinjë, përplasja me autoritetet austrohungareze  dhe përfaqësuesit holandezë të fuqive të mëdha
Po aq e errët në histori është lëvizja e përfolur qamiliste që historiografia e gjysmës së dytë të shekulli të shkuar e trajton si lëvizje progresive e patriotike. Tendencën e turmave të rekrutuara me para dhe propagandë të mbrapshtë për të rikthyer kohën e vdekur të osmanëve, Kabo e vë në vendin e vet si faqe e zezë e historisë kombëtare. Boshti i lëvizjes së Haxhi Qamilit është tradhtia e Esad Toptanit, intrigat e tij të pashembullta në pikat kyçe të historisë së kombit tonë në qindvjetshin e shkuar. Vrasja pas shpine e kolonelit holandez, Tomson, është një leksion me vlera të mëdha për të sotmen e të ardhmen. Siç tregoi përvoja edhe më vonë Esadët e vjetër e të rinj gjithnjë i kanë ngulur thikën në shpinë mëmëdheut.
Autori nuk ndalet thjesht në zhbirimin e historisë dhe figurave të përndritura të kombit, plotësimin e boshllëqeve dhe të çarave të qëllimshme, apo të paqëllimshme. Analiza e tij krahasuese shkon më tej, në të sotmen e atdheut, brengat e tij dhe gjithë shqiptarëve për ardhmërinë evropiane të Shqipërisë. Duke kuvenduar me të mëdhenjtë e larguar në Had, autori i kthehet së sotmes, mjerimit të politikës së ditës, e cila nuk arrin të orientohet me të njëjtën zhdërvjelltësi si dikur, duke penguar mbrothësinë e shqiptarëve.
Nuk ka asnjë pikë të zhvillimeve të sotme kombëtare ku aparati rëntgen “Kabo” të mos ngulë sondën e vet. Sa vlerë do të kishte të lexohej ky libër nga politikanët e sotëm, sa shumë mundësi do t’u jepte atyre të ndreqin gabimet eventuale, ashtu si bënë dikur burrat e shquar të kombit tonë.
Shprehjen “Historia, ç ’ngasje!” të  Xhojsit e kisha marrë si paradigmë letrare me të cilat është e ngopur vepra e irlandezit të madh dhe nuk më shkonte mendja se një shqiptar i ditur si Përparim Kabo do ta vërtetonte atë katërçipërisht.

Istref  Haxhillari
Pogradec, 20 prill, 2016