e hënë, prill 25, 2016

METATEZË

METATEZË
Tregim
QAZIM  D.SHEHU
Ne ishim nisur drejt asaj veprimtarie  ku do diskutohej një libër i rëndësishëm.Kështu na thanë.S`kishim asnjë motiv, madje filluam të diskutonim se çfarë mund të  bëje në veprimtari të tilla ku shumica e diskutantëve diskutojnë pa e lexuar librin,madje e thonë këtë me një çiltërsi fëminore ose nuk i njohin teknikat e analizës së teksit. Zakonisht,sot shkruhen  libra për trimëritë e shqiptarëve, për fise dhe histori të zakonshme provinciale sa   Kadare  ka pasur të drejtë kur është shprehur:”kjo tokë më shumë heroizma se sa grurë ka prodhuar…”;po sikur të kishte prodhuar më shumë grurë se heroizma a nuk do ishte më mirë? Qëllon që protagonisti mund të jetë gjallë, ndodh të jetë  dëshmor.Për protagonistin e gjallë thuren tirada të pafundme, epitete buçitëse dhe flitet për të sikur të jetë njeriu më i rëndësishëm i ditës.Ndërsa për dëshmorin epitetet e ulin një vizë të vlerësimit, ai nuk është aty, po është aty mllefi i lavdisë ose interesa të tjera.
Dhe ja ku jemi në godinën e Akademisë së Shkencave  që supozohet, dhe është e vërtetë, të jetë tempulli më i lartë i shkencës  me emrin  e Budës dhe Çabejt , pikërisht në këtë godinë të shenjtë, ku hija e etërve të shkencës dhe fjalës së thellë më duket se është arratisur në askund.Më ngjan se është arratisur përkohësisht, ajo do vijë prapë.
Një sallë e mbushur dingas me njerëz që heshtnin gjithë solemnitet sikur pas këtij tubimi do merrnin një vendim krucial.Diskutohej një libër për një hero.Flisnin me radhë, recitoheshin bejte dhe balada.U ngrit njëri, pasi iu përmendën disa tituj me : ish, për shkak të daljes së natyrshme në pension; ai filloi:
-Dëgjoni ,more shokë, tha,-në jetën time tre katër libra kam lexuar, por unë ju garantoj ju se ky libër është libri më i bukur….Sepse filani, autori i librit, është miku im,eh,sa kohë kemi kaluar bashkë ne , në zbore dhe aksione, kuptohet, atëhere ishim të rinj…Dhe të jetosh kaq kohë me Fadilin e të mos e kuptoje atëhere se çfarë talenti ke në krah…Hajde, Fadil, hajde….Thëngjill i mbuluar paske qenë.Tani të khehemi nga libri.E thashë edhe më lart ,më pëlqeu libri, kopertina ishte e bukur, nga ajo kopertinë më sheh fytyra rinore e një dëshmori që dha jetën në lule të moshës.Eh, more shokë, mos i harrojmë kurrë heroizmat e të parëve tanë….
Duartrokitje…
Lektori që, më vonë, siç e dëgjova, kishte qenë drejtuesi i kulturës në një rreth verior,priti derisa mbaruan duartrokitjet,mori një pozë të rëndësishme dhe vijoi:
-Që atëhere, unë e njihja shokun tim për shpirtin e sakrificës,për gjendshmërinë, siç i themi ne në gjuhën popullore, sepse duhet ta kuptoni ,more shokë ,se lidhjet me popullin asnjëherë nuk duhen humbur…
Duartrokitje.
 -Nejse, të mos dal nga tema.Fadili shkroi këtë libër për një hero.Dhe të shkruash sot për heronjtë unë e quaj detyrë patriotike, në kohën e sotme kur janë thyer lapidarët dhe në varrezat e dëshmorëve nuk investon njeri.Ndaj, kontributi i Fadilit  është me vlera të jashtëzakonshme.Unë mendoj që nga ky tubim i rëndësishëm të dilet me një propozim konkret:T`i propozohet Presidentit që heroi të shpallet Nderi i Kombit…
Duartrokitjet nuk kishin të ndalur, sepse në radhët e para ndodheshin dy djemtë e tij, dy gratë e tyre, dy vajzat dhe ca kushërinj të parë.Duartrokitjet tek ne janë sëmundje ,siç janë like në faccebook.
Moderatori ia dha fjalën një tjetri. E njoh mirë.Ky është nga ata borgjezët e rinj, ka para  sa të krip kokën me to .Hiqet si publicist, analist, e vë kanditaturën për deputet dhe ka dëshirë të merret me politikë.Rreth tij thuren fjalë të pakursyera, epitete mbresëlënëse që e ngrenë pallë në ajër, po fundja ç`të keqe ka?Ne të gjithë jemi shoqëri e pallës dhe e rrumpallës, dhe zoti Servet nuk na ka faj . Vetë duam ta bëjmë atë të lavdishëm, ai kujton se është i tillë, ashtu siç duam të nxijmë atë që nuk duam.Kam vënë re se sot njerëzit i pëlqejnë furçat, epitetet mbivlerësuese;nëse u thua të vërtetën ,bëhesh armik, ashtu siç ndodhi me Alcestin dhe poetin Oront tek komedia “Mizantropi” e Molierit.Jetojmë në një kohë shpejtësish dhe mosthellimi për mungesë kohe…
Zoti Servet mori një pozë të panatyrshme, tundi lehtë kokën, i hodhi një vështrim  përfshirës sallës, sikur donte të sigurohej nëse  të tjerët do ta ndiqnin me vëmendje, pastaj, pasi u sigurua për këtë, filloi të lexonte rrjedhshëm e here herë me ndalesa:
-Kjo ngjarje e sotme ka rëndësi; autori Fadil.. ashtu si SIFIZI e ngre lart gurin e kulturës dhe e vendos në shkëmb.Ai me dritëpamësinë e vet , me një kualitet shkrimor të hatashëm ,na modelon ne një pamje tjetër nga jeta e heronjve, të cilët përbëjnë krenarinë tonë.Miti i SIFIZIT këtu merr një vlerë të pallogaritshme  dhe bëhet një postulat shumëkuptimësor në renditjen e atyre vlerave që duhet t`i shpëtojnë botës së sotme apokaliptike.Parimësimi brilant i autorit konsiston në dhënien perfekte  të portretit transhendent në një aureolë demistifikimi human…
Diskutanti ynë i nderuar jo vetëm që po i bënte një metatezë emrit të Sizifit, po ai po përdorte një radhua fjalësh bombastike.Kur ai bëri metatezën ,dikush andej nga salla ia dha një kukurizme të lehtë, zoti Servet , ose në metatezë zoti Sevret ose që s`e nxjerr qimen nga qulli në këso ligjëratash,ose nuk arrin të godasë minimumin e shprehjes së përshtatshme, ndali dhe tha;
-Ju lutem, më tepër respekt për dëshmorët….
U vendos qetësia dhe folësi vazhdoi të godiste daullen e lavdisë me shkopij fjalësh të mëdha:
….-Ashtu si SIFIZI e ngriti gurin në lartësi të epërme duke e lënë të shpëtojë për vullnet të dënimit makabër, ashtu edhe autori e ngre lart këtë figurë, po ndryshe nga SIFIZI , ai nuk e lë t`i bjerë nga dora asnjë tipar apo vlerë e dëshmorit të nderuar….
Fjalë, imzot fjalë, thotë diku Shekspiri…Fjalë dhe fjalë të cilat e endnin pëlhurën e pluhurtë të një tymnaje dehëse në atë sallë të Akademisë, sa ndonjëherë të vjen zor nga vetja sesi e vret kohën të dëgjosh mbrapshtina të tilla nga njerëz që kujtojnë se letërsia është caku  më i mundshëm i lavdisë…
Pastaj ,serioz, gjithnjë, pasi mori duartrokitjet e nevojshme u ul me një hap të rëndësishëm në vendin e caktuar….Nuk i mbaj mend diskutantët e tjerë, veç di se çdo diskutim  i nisur nga parimi se në dasmë nusja nuk shahet,  superhiperbolizonte vlera të paqena, sa me siguri po të na dëgjonte heroi, do të nxirrte koburen e do shtinte në ajër  për të na sjellë pak në mendje….Pas diskutimeve na priste një kokteil i mirë.
Aty ,vetëm aty, diskutimet janë më të lira…më të mira…I pashë ishfunksionarin e kulturës dhe Servetin që po rrinin bashkë.Më pas aty u afrua edhe autori i librit.
-Një libër brilant, tha Serveti- kështu shkruaj librin tjetër,… me kismet ,ta sponsorizoj unë…
-E kam gati,-tha Fadili- madje ,aty, një kapitull i veçantë i kushtohet gjyshit tend.
Zotin Servet e kishin rrethuar ca njerëz të rëndësishëm dhe po e miklonin.Diskutim i hatashëm tha njëri, me vlera të larta shkencore.Kjo thënie nuk u kuptua ,sepse zoti Servet nuk e kishte mendjen aty.U shkëput nga vorbulla e freskut hipokrit dhe duke u treguar i vëmendshëm iu ridrejtua Fadilit:
-Gjyshit tim?-zgjeroi kuriozitetin zoti Servet-bash për këtë më detyron të sponzorizoj me një dëshirë të dyfishuar…
-Po unë mund të shkruaj edhe për aktivitetin tënd-mori guxim zoti Fadil—unë të njoh në distancë…
 -Shkruaj, shkruaj një herë për gjyshin tim, për mua ka plot që shkruajnë, pa këtu jemi edhe bisedojmë …mërmëriste nga një kënaqësi e një ambienti të grimcuar me intelektualizëm  zoti Servet.
E dëgjova këtë dialog rastësisht.Dola jashtë dhe ika….
Të nesërmen takoj një mikun tim gazetar.Ishte i mërzitur,.
-Çke?...- e pyeta…
-Asgjë,-tha---Bëra fjalë me zotin Servet, tani,… jo se bëra fjalë, po nuk është faji im…Unë ia shkruaj Miti i Sizifit ai e lexon Miti i Sifizit….