Vullnet Mato
GRUA, MOS PROVO TË VDESËSH!...
Grua, për pak desh më ike, nga gripi i rëndë...
Vdekja zgjati kthetrat, skërmiti dhëmbët,
të më linte vetmitar, me fëmijët pa nënë,
dhe u drodha i tëri, nga koka te këmbët…
Ne u kurorëzuam pa saze e fustan nusërie,
duke fjetur në çarçafë të bardhë ëndërrimi.
U mbuluam me jorgan puthjesh, në vite rinie,
dhe krijuam tre yje, me ndriçim vezullimi.
Përjetuam një jetë binjakësh të adhuruar,
aq sa më dukej, se linda i martuar me ty...
Tani, kaq keq, fatin kush ma kish zemëruar,
të më sillte për trupin tënd, arkivolin e zi?...
Kush ma mbylli papritur rrugën me ferra,
dhe të ardhmen me xhama të copëtuar?
Kush ma hapi, nga horizonti, deri te dera,
këtë humnerë të thellë për t’u dërrmuar?...
Ndjeva, më sulmuan ujqër, lukuni egërsire,
arinj nga thellësitë e pyjeve të qoftëlargut,
gjarpërinj helmatisës, kobra shkretëtire,
për të më helmuar familjarisht gjakun...
E mira grua, kryezonja e familjes sime,
lartësuar kohëve perëndesha e shtëpisë,
ty të kam librin e jetës, me disa vëllime,
s’prisja të bëheshe loti im i dhembshurisë.
Kështjella ime do shembej, bashkë me mua,
nga katastrofa e apokalipsit tënd të tmerrshëm.
Grua, të kam dashur, tani më fort do të dua,
po para meje, më kurrë, mos provo të vdesësh!