Nga libri: “Një tregim
për mikun tim”
Reshat Kripa
Ato
ishin dhjetë. Tetë prej tyre kishin të njejtin mbiemër ‘’Ndreu‘’, mbiemër i
njohur në gjithë Shqipërinë. Diktatura i shpërnguli nga veriu në jug. i vrau, i
burgosi, i internoi me qëllim që t’i çfarroste. Shifrat janë rrënqethëse. Vetëm
pjestarët e familjeve që banojnë në Vlorë (familje të tjera jetojnë në vise të
ndryshme të vendit ) kanë bërë 156 vjet burg, 650 vjet internim dhe tre të
pushkatuar Ganiun, Avdiun dhe Sabriun.
Ato
ishin bijat dhe nuset e djemve të
tyre që u futën në grevë urije për të
protestuar kundër shkaktarëve të gjëmës së madhe që mbuloi gjithë atdheun.
Kush
ishin ato?
Vali
nuk e prishi traditën familjare. i biri Eduardi pjesmarrës i grevës së urisë të
studentëve. i vellaj Qazimi në grevën e urisë të të përndjekurve politikë të
Tiranës. Vazhdimësi vetmohimi. Emineja 53 vjecare protestonte për të shoqin
Avniun e gjymtuar që rregjimi nuk e la të plotësonte dëshirën e tij për t’u
bërë shkrimtar dhe për të cilën kishte aq shumë prirje. Hyrija, Afërdita,
Qerimeja dhe Pjereta që fatin e tyre e lidhën me atë të këtij fisi të dënuar.
Ato nuk donin që fëmijtë e tyre të kishin fatin e baballarëve Pullumbit,
Azizit, Lutfiut dhe Memduit . .Monda me Mozën që me vetmohimin e tyre kërkonin
të drejtën e barazisë për veten dhe baballarët e tyre te shumëvuajtur Rexhepit dhe Baftjarit. .Me
to ishte bashkuar natyrshëm edhe Shpresa që sapo ishte kthyer nga Berati ku
kishte shkuar për të kërkuar eshtrat e të atit, Ramadan Zdravës, vdekur në
qelitë e errëta të sigurimit. E fundit ishte Etleva e vogël 18 vjecare, bija e
Etem Brahimit të drobitur nga vitet e burgut
I kam njohur këta njerëz 35 vjet më parë. Më
bashkoi me ta idea e përbashket, vuajtjet e përbashkëta. Ishin ato vite kur
njerëzit na shihnin me frikë, bile disa
me mosperfillje. Oh ironi! Sa të varfër shpirtrat e tyre!
Nuk dua të shkoj larg në pemën gjenealogjike
të ketij fisi. Po e filloj nga shekulli ynë. Gjyshi i tyre Elez Isuf Ndreu,
luftëtar i shquar kundër turqve, armik i betuar i serbëve, besnik i parimeve
republikane bie në dhjetor 1924 në mbrojtje të lëvizjes fanoliste.
Viti 1946. Atë që nuk e bënë dot serbët, e
bëri rregjimi i Enver Hoxhës. i burgosën, i vranë, kullat u a dogjën, tokat dhe
bagëtitë ua morrën, i shpërngulën forcërisht me gra dhe fëmijë në zonat e jugut
të Shqipërisë. I gjatë dhe interesant itinerari që përshkuan. Filloi në Sllovë,
vendlindja e tyre për të vazhduar në Strugë, Ohër, Qaf-Thanë, Elbasan, Berat,
Kucovë, Lushnje, Fier, Tepelenë, Vlorë për të përfunduar në Lubonjë. Them
interesant se duket e çuditëshme që për të ardhur nga Dibra në Vlorë duhej
kaluar nëpër Jugosllavi. Me këtë veprim diktatori donte t’u tregonte padronëve
të tij jugosllavë se ai po realizonte atë që ata nuk kishin mundur ta bënin,
zhdukjen e këtij fisi të madh. Ai po u
jepte atyre shpërblimin për ndihmën e dhënë kur e vendosën në krye të
pushtetit. Viti
1949. në bangon e të akuzuarve 13 pjestarë të këtij fisi, 11 prej të cilëve
vëllezër, bijtë e Cen Elezit. Dëshmitar i akuzës në gjyq, presidenti i ardhshëm
i Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi. Thonë se edhe sot kur bie për të fjetur i
dalin para syve seancat e këtij gjyqi. Atëhere ai dëshmonte:
- Këta janë të gjithë reaksionarë, që nga më
i vogli dhe deri te më i madhi. Kështu kanë qenë edhe baballarët edhe
gjyshllarët e tyre. Ndërsa Xhelali,
zotërues i anglishtes, italishtes, gjermanishtes, turqishtes dhe rusishtes, që më vonë do të shkruante
dy drama në vargje, tre romane, dy monografi për jetën e dibranëve, si dhe
mjaft poezi, të cilat nuk mundën asnjëherë të shohin dritën e botimit, u
përgjigj me krenarinë e dibranit:
- Nëqoftëse kapemi prej
baballarësh, ju jeni i biri i Halit Lleshit, personit me gjak të zi serbi, qi
për nandë vjet rrjesht ka luftue kundër Dibrës, përkrah forcave serbe që
kërkonin me vendosë kufinin në krahun e djathtë të lumit Drin.
Dëshmitari i rremë nuk gjente dot fjalë për
t’u përgjigjur.
Sa
vuajtje rënduan mbi
shpatullat e këtyre
njerëzve!
Kudo
që shkonin ndjenin pas vehtes diskriminimin e tmerrshëm. I diskriminonte shteti
me anën e agjentëve të sigurimit, i diskriminonin edhe servilët hipokritë të
rregjimit. Po t’i pyesësh ata të flasin me neveri për mësues Enverin që u thoshte
vazhdimisht fëmijve të tyre se do t’u
shtypte kokën. Por si
krye shembull të terrorit ata të tregojnë kampin e
tmerrshëm të Turanit në Tepelenë.
- Mathauzeni dhe kampet e tjera naziste nuk
ishin gjë para tij.- tregon Azizi i menduar.- Ende i kam parasysh lotët e
nënave të pafuqishme përpara fëmijve që u vdisnin para syve për një kafshatë
buke. Kujtoj Kec Grimcin që i ngrirë plotësisht në momentin e fundit përmblodhi
ato pak fuqi që i kishin mbetur dhe u tha familjarëve te tij
- Mos harroni racionin tim të bukës!
Azizi
hesht. Më lutet që këto të mos i botoj, pasi ndoshta ndonjë ditë do të ulet t’i
shkruajë më me hollësi. Por unë po i shkruaj. Ato janë gjëra që nuk duhen
harruar.
Dëgjoj
fjalët e tij dhe para syve më dalin Haliti, Fuati, Islami, Irfani dhe të tjerë
burra të këtij fisi që sot nuk jetojnë më. Më del Bexheti të cilit do i shkonte shumë për shtat malsori që Migjeni do
ta quante:
‘’ Një copë mali e vendosun
mbi dy kambë të forta.’’
E pra
sot kjo’’copë
mali’’ mezi qëndron në
këmbë. Pesha e rëndë e këtyre viteve i ka dhënë frutet e saj. Megjithatë një
gjë nuk ka mundur të mposhtë, forcën shpirtërore dhe besimin e tij.
- Kam një deshirë të madhe - thotë ai - dua
që vajza e ime Brunilda të studiojë jashtë shtetit.
Brunilda është nxënëse e vitit të fundit të
shkollës së mesme. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Njeh mirë italishten dhe
vazhdon të studiojë frëngjishten.
A do të plotësohet dëshira e Bexhetit? Apo do
të vazhdojnë të mbajnë ende mbi supe peshën e rëndë të diktaturës? Kush do të vërë dorë për ta?
Presidenti,
Parlamenti, Qeveria heshtin. Ata vetëm premtojnë. Sa do të vazhdojë kështu? Kjo
pyetje kërkon pergjigje.
Vlorë,
më 28 tetor 1991