Vullnet Mato
DILEMA E OLTËS
Tregim
Ka dhe vajza të reja që s’kanë aspak frikë e
druajtje nga afërsia me meshkuj të panjohur. Ato sillen edhe me persona të
huaj, siç mund të lozin e gazmojnë me një qengj të butë. E tillë ishte dhe Olta
njëzetvjeçare.
Ajo punonte në bibliotekën e rrethit. Nuk dihet si
e kishte zënë atë fole pëllumbash, të lakmuar nga vajzat e moshës së saj, sapo
kish mbaruar shkollën e mesme. Ndoshta e kishte fituar me atë shansin e njohur
botërisht, se bukuria bëhet për vajzat edhe një çelës sekret që u hap më lehtë
dyert e pamundura të jetës.
Unë
në atë kohë punoja në muzeun e rrethit, kisha botuar disa libra dhe isha bërë
dikush nga emri në moshën dyzet e ca vjeçare. Olta më buzëqeshte me një
ngazëllim paksa të veçantë, sa herë takoheshim rastësisht, ndonëse kisha dy
fëmijë dhe një grua të re, të ndjekur nga sytë lakmitarë.
Ishte
shpallur prej kohësh një ekskursion masiv me të rinjtë, në zonën me tradita
patriotike të Çermenikës, ku mua më kishin caktuar t’u shpjegoja ngjarjet në
vendet historike të asaj krahine.
Nisja
e mbi njëqind marshuesve të rinj, u bë paraditen e një të shtune me vranësira,
e cila nuk mund të shmangej për shkak të fundjavës së paracaktuar për këtë
qëllim. Dy autobusët e mbushur plot, na zbritën në Fushëstudan, afër Steblevës.
Aty sapo filloi të breronte një shi i imët mbi barin përherë blerosh të kësaj
fushe fantastike të rrethuar me pyje të dendur. Kolonat e çrregullta të rinjve
morëm rrugën automobilistike më çakëll, përgjatë faqes lindore të malit të
Prevallit.
Ende
pa arritur te vendi i quajtur “Shpella e Ariut”, Olta, la çadrën saj të shoqet
e kolonës dhe erdhi papritmas tek unë,
që kisha hedhur mbi krye një mushama ushtarak me kapuç, të cilin ia mora një
oficeri të njohur, te reparti i Fushëstudanit.
-
A mund të më bësh vend edhe mua tek ai mushamai yt? - pyeti ajo në dukje fare
pa ndrojtje dhe në buzët e saj lindi një diell të vogël, që mu duk tepër
shkëlqimtar në atë ditë me re të ngarkuara.
-
Eja ! - i thashë dhe pasi ngrita krahun përpjetë, e mbulova të gjithë trupin e
saj vogëlan me cepin e mushamasë.
Ajo
kaloi dorën rreth belit tim për t’u mbajtur dhe unë mbështeta krahun te supi i
saj, për të rregulluar ekuilibrin gjatë ecjes.
-
Uh, moj nënë, këtu tek ti, qenkam tamam si pranë oxhakut! - ia bëri ajo pas pak
dhe mbështeti kryet te ijet e mia.
Olta
i tha këto fjalë fare thjeshtë, me atë gjuhën e saj prej lozonjareje, pa
menduar se tani i vuri dru të thata oxhakut të trupit tim, që kishte filluar të
avullohej, jo vetëm nga ecja, por edhe nga aroma trazimtare e një vajze, të
ngjitur aq pranë vatrës së gjoksit.
Prej kohësh kisha formuar bindjen, se femrat në
raste të volitshme mund të tregoheshin guximtare në mënyrë të pabesueshme.
Ndoshta për shkak se si krijesa, ato ndjejnë nevojën e domosdoshme të preferohen
përherë nga dikush, për të cilin kanë simpati. Pavarësisht deri në çfarë mase
kanë mundësi t’i afrohen fizikisht.
Shiu binte vrundullues mbi kapuçin e mbi supet e
mia dhe rruga përpara mjegullohej deri larg, nga kamxhikët e ujshëm që rrihnin
tokën pa pushim. Nuk isha gjendur asnjëherë, në dyzet e ca vjetët e jetës sime,
në një pozicion çiftor me ngacmim aq të tmerrshëm, si të asaj dite. Por dhe me
një dilemë po aq të pazakonshme, për të zbuluar se ç’e shtyu atë vajzë, të më
bënte një provokacion femëror aq torturues. Por a kisha mundësi t’i shpëtoja
atij rasti, që e solli nën mushamanë tim, duke e refuzuar Oltën, aq të lakmuar
edhe nga djemtë e rinj? Natyrisht, kjo nuk mund të ndodhte, për shkak se unë
isha nga ata njerëz, që dinë mirë, se nuk ka asgjë që mund ta vrasë një femër
shpirtërisht, më rëndë se mospërfillja. Pasi kam pasur gjithmonë parasysh, se
janë pasionet dhe emocionet intime, ato që e drejtojnë jetën tonë. Sidomos në
raportet me seksin e kundërt. Në këto rrethana, tani më ishte krijuar mjedisi
intim më fantastik, për të shijuar hiret e sipërfaqshme të saj, krejt pa merak.
Sepse gjendeshim përballë marshuesve të tjerë, në atë pozicion të maskuar, kur
ata, veç katër palë këpucëve, që lejonte mushamaja e gjatë, asgjë tjetër nuk
mund të shihnin me sy.
Por ndërkohë unë ndodhesha në një hall të madh.
Sepse në raste të tilla kaq të rralla, edhe një puthje e pa arsyetuar mirë nga
ana ime, do t’i ngjante, vendimit të një artiljeri të sprovuar, për të vënë
dorën te mekanizmi shkrepjes, për hedhjen e predhës së topit, pa përcaktuar
saktë objektivin dhe pa llogaritur mirë trajektoren, ku mund të arrinte ajo
qitje. Por edhe në anën tjetër, nuk ishte e mundur kurrsesi, që ai organizëm i
njomë femëror, me të gjithë receptorët e ndjesive trazimtare, të mos kishte
fare ngacmime, nga afërsia aq intime e një trupi mashkullor dhe të mos ngrinte
dilema për mua. Pra isha mes dy zjarresh dhe mes dy ekuacionesh me shumë
të panjohura, ku më duhej njëkohësisht
të eksploroja edhe xhunglën e trurit të saj. Sipas mendjes sime, Olta, nuk mund
të mos kishte marrë parasysh se unë, për vetë natyrën artistike, nuk mund të
isha engjëll në atë moshë të papërmbajtur. Gjithashtu, ajo nuk mund t’i kishte
instinktet e vetëmbrojtjes femërore, aq me defekt, sa të futej verbërisht mes
zjarrit, pa menduar pasojat, që po provokonte një mashkull në një afërsi
trupore aq të rrezikshme për të dy...
Kaluam
territorin e “Shpellës së Ariut” dhe unë si një ari i tërbuar, brenda shpellës
sime prej mushamaje, po haja veten me dhëmbë, duke pasur kapistrën e dinjitetit
të moshës, që më shtrëngonte fort te buzët. Teksa kjo arushë e vogël, ma kishte
bërë gjakun të më shkrepte xixa dhe kokën sikur kisha brenda një tufë me
grerëza. Vërtetë, në atë kohë unë nuk mund të gjuaja femra, por kur gjahu hynte
me këmbët e veta në strofkën time, më krijohej një problem i madh. Pasi edhe
indiferenca, apo mungesa e oreksit, më shkaktonte shqetësimin tjetër, sepse ajo
mund të mendonte gjithçka të dyshimtë për mua.
-Me
dashuri e ke marrë gruan? - më pyeti Olta krejt befas, duke ngritur kokën si
ndonjë kotele brenda mushamasë, teksa
sytë e saj tërë shkëlqim vezulluan sy dy yje në muzg.
-Po.
Me një dashuri të llahtarshme, kur nuk më linin ta shihja as me sy. Po të vinte
atëherë nën mushamanë tim, siç ke ardhur ti tani, asaj i prisnin të dy këmbët...
Olta
ngriti sërish kokën me habi për të kapur sytë e mi dhe tha:
-Ata në atë kohë, paskan qenë prapa botës!
-Prapa botës, pikërisht në këtë pozicion ku
ndodhemi ne tani, gjendet Amerika e lirisë së plotë, por ata ishin poshtë
botës, diku andej nga Afrika.
Olta
mori frymë thellë dhe avullin e ngrohtë ma lëshoi enkas mbi fytyrë. Ky gjest
trazimtar i qëllimshëm më habiti. Atë çast fryma e saj aromatike m’u duk tejet
e këndshme dhe tepër e nevojshme. Njësoj sikur të më kishte munguar ajri, desha
që ajo të shfrynte sërish, ta thithja të tërë atë frymë vajzërore, për të
freskuar mushkëritë e mia, deri në skajet e kapilarëve, ku po më vlonte gjaku i
ndezur.
Por në këto dallgëzime ndjenjash e sipër, u
gjendëm te kanioni rrethor sipër Kostenjës, ku fshati dukej si në pëllëmbë të
dorës. Atë çast Olta, duke konstatuar se shiu kishte pushuar, i dha fund
dilemës sime dhe të saj njëkohësisht. Ajo afroi lehtësisht buzët, takoi me afsh
buzët e mia dhe pas kësaj doli krejtësisht nga mushamaja. Më vështroi në sy,
buzëqeshi ëmbël dhe u shkund me një lehtësim të çuditshëm, sikur të më kishte
paguar qiranë e strehimit.
Heshta
me hapa të mjegulluar. Të lumtë, thashë me vete, nuk paske qenë aq budallaqe,
sa mund të mendoja, të më lije në dilemën e errët, të plagosur në ndjenja dhe
të ikje tutje. Përkundrazi, dole e zgjuar, mjaft guximtare dhe krejt pa
paragjykime moshore.
Të
rinjtë marshues filluan zbritjen drejt fshatit, nëpër një rrugë këmbësore
gjithë dredha. Dhe nën rrezet e diellit që zbardhi Kostenjën e mjegulluar pas
shiut, u ulën për të hapur çantat e ushqimit të drekës që kishin marrë me vete.
Unë u bashkova me organizatorët e ekskursionit, për të siguruar bazat e
strehimit të mbrëmjes dhe sakaq Olta më kishte humbur nga sytë. Por gjatë
gjithë kohës ndjehesha i përflakur përbrenda dhe përfytyroja skena fantastike,
të eksituara nga dëshira absolute e asaj femre të re, që kishte shkatërruar
tërësisht ekuilibrin e ndjesive të mia.
Pasi
ra nata, te oda e madhe fshatare, që na mblodhi me një grup prej njëzet
ekskursionistësh të rinj, çuditërisht ishte e pranishme edhe Olta. Ajo me
siguri kishte nuhatur drejtimin tim dhe kishte shkuar aty, për t’u bashkuar me
këtë grup bujtësish. Ndjeva padashur gëzim të brendshëm, që tashmë do ta
kundroja përballë atë vajzë çapkëne, në tërë linjën e saj fizike, për të shuar
edhe kureshtjen, si do të reagonte pas hapit të parë, aq të guximshëm që kishte
hedhur gjatë marshimit.
I
zoti i shtëpisë, një kostenjar babaxhan, shtroi tre sofra darke të mëdha, me
bulmetra të freskëta për të gjithë ne. Në fund na gostiti me tre tasa me mjaltë
lulesh dhe na tha, se mund ta mbanim zjarrin ndezur gjatë gjithë natës, për të
dremitur në supet e njëri-tjetrit.
Olta
zuri vend te cepi i oxhakut përballë meje dhe gjithë natën gazi dhe hareja në
sytë e saj buruan dritë, më tepër se llamba elektrike te mesi i tavanit të
drunjtë. Treguam barsoleta gazmore deri
në mëngjes dhe gjumi nuk guxoi të afrohej asnjë çast te sytë e ndonjë të riu,
apo të reje, ndonëse kishin udhëtuar nëpër shi e baltëra.
Të
nesërmen sapo dielli nxori syrin në krye të luginës së gjatë të Shkumbinit,
grupet u bashkuan qendër të fshati dhe pas përshëndetjes me fshatarët
mikpritës, u nisëm drejt Gurit të Muzhaqit. Ndoqa me sy ecjen e saj prej
sorkadheje, të Oltës, deri te shpella ku shkuam për të parë shtypshkronjën e
luftës, ku kishin mbetur ende disa shkronja plumbi të shkrira nga zjarri
nazist.
Autobusët e kthimit na prisnin në
Orenjë dhe unë i bëra vend Oltës te sedilja dyshe pas shoferit. Gjithë rrugës
ajo më tregoi tërë ngazëllimin e çliruar tashmë nga takimi i buzëve tona në
rrugën përskaj “Shpellës së Ariut”. Por sakaq mua kishte filluar të më dukej
vetja tamam si një ari leshtor i madh, ulur pranë një manareje që vetëm
blegëronte pareshtur pafajësinë e pastër të vajzërisë së saj. Ndaj dhe pyesja
veten me keqardhje, si mund të shkalafitej egërsisht trupi i asaj krijesë aq të
njomë, nëse mund të arrinte nisma e asaj dite, deri në skajin fundor?!... Dhe
psherëtiva: O zot i madh, mos më jep ngasje kaq të tmerrshme në trupin tim!...
Kur
u kthyem në qytet, ne u ndamë miqësisht, si të njohur intim, duke shtrënguar
duart fort me njëri-tjetrin. Por, më pas, ashtu si te ajo ena e tejnxehur, ku
stërkalat e lëngut që valon kanë kërcyer jashtë caqeve të saj, edhe gjaku im
pas temperaturave të larta që provoi, ishte ftohur tashmë. Dhe unë isha bërë
tepër i matur e i kujdesshëm, për ta lënë këtë lloj afeksioni të tejkaluar, të
shuhej vetvetiu, me dinjitet dhe arsye të pastër nga ana ime. Pasi kuptova, se
përderisa nuk bëhej fjalë për dashuri mes vërsnikësh, por vetëm për atë marifet
që quhet ambicie e meshkujve për të shtënë në dorë sa më tepër femra, ishte e kotë
të zgjatesha me atë gjysmake të viteve të mi, të shtyrë nga instinktet e
pavetëdijshme të moshës së saj.
Sa
për fshirjen nga truri, të ngjarjes së asaj dite, mendova se puthjet, si pjesë
përbërëse e lojërave të dashurisë rinore, nga kushdo dhe me këdo qofshin, rrëzohen
nga kujtesa e vajzave, si ato gjethet e verdha vjeshtore, që treten në humusin
e ditëve të ardhme, kur zënë të çelin gjethet e reja.