e premte, dhjetor 11, 2015

TROKTHI I KUAJVE

TROKTHI I KUAJVE


           
Në Luginën e Verdhë,  një tufë kuajsh vrapojnë përnatë. Deri tek “Bishti i Zhurit” dëgjohet trokthi i tyre!
Kur bie nata dhe hëna e shtynë përkëdhelisht errësirën, në Luginën e Verdhë, përsëri dëgjohet trokthi i harbuar, i tyre.
Hija e tyre i harbohente ata kuaj...nuk kishte kalorës t’i urtonte!

***

Sot.. trokthi i tyre ende rreh, si nje ritëm i vjetër në zemër të kohës. Rendja e tyre  drejt zhurmave të jetës, simbol i abstraksionit rutinë!
...Nëpër ëndrrën e natës  dy bashkëshortë ndjekin trokun e atyre kuajve! Nën hënën  kuqashe,  këngët e natës kumbojnë dhe pemët u duken të bardha.
Në këtë bardhësi shturret  historia e tyre, shturret nën trokun e kuajve që,  a e dinë vallë se  ku shkojnë?!  Vetëm rendin e rendin si të harbuar...

Rëzë Luginës së Verdhë shtëpitë shpërndahen parregullsisht. Errësira i mbështjell nën petkun e saj, sikur kërkon të fsheh brenda tyre misterin e vetë jetës. Aty, diku  është shtëpia e dy bashkëshortëve.
Njeriu duhet të mendojë dhe të kërkojë nëpër  erërat, që herë e joshin e herë e shtyjnë drejt  rrugëve të fatit. Ajo që më dha shtysë ta rrëfej këtë ngjarje është habia ime se pse çuditen gjinkallat, që në apartamentin e dy bashkëshortëve bashkjeton dhe “miku i ngushtë” i gruas...?!

Shtëpia ku jetojnë dy bashkëshortët dhe  “ai”, është një guackë  mendimesh!
Vërtetë ata jetojnë në një peisazh romantik...plot murrizash1),  poshtë deti që llamburit  natën.
Apartamenti i  tyre, është streha ku bashkjeton edhe ai , i “dashuri” i gruas...
Dhe  hëna, deshmitarja e tyre, rri e vështron syçelët, madje edhe  ngjyrën ua ndryshon çdo natë;  dhomat e ambjentet përrreth veshin petkun e kameleonit.
Shtëpisë i mungojnë vetëm pikturat dhe kjo e ka një arsye...
Vetë ajo shtëpi është një pikturë  me përmasa të mëdha. Nga miqtë e ëndërrave, pikturat e tjera janë të tepërta dhe kuptohen  si  qënie të pafajshme, të fshehura nëpër mure...Po të vendoseshin dhe tablo me piktura të ndryshme, ato do t’ua trazonin shumë fantazinë banorëve  të asaj shtëpie.

***
Kjo rrëfenjzë  u dëgjua një natë vere, kur gruaja e shtëpisë, ulur në prehrin e të “dashurit”, pranë  dritares së hapur, nën kënaqësinë e trokthit të kuajve, bashkë me frymëmarrjen e zërin që i dridhej, ngulmoi të thoshte:
-I dashur! ...Unë e di, ti e sheh jetën dhe mua nga lartë..! Sensin për t’i  parë gjërat  me vetëdije nga lart, unë e gjej dhe e prek në përhershmërinë pranë meje si domosdoshmëri shpirtërore!
...Dhe pse jam  një grua në të pesëdhjetat, e ndjej veten ende përgjysëm. E plotë  jam në ato çaste, kur të dyve na pushton mbrëmja...e bëjmë dashuri. Dhe të veçantat që ruaj në mëndje e shpirt, janë ato ngjarje  që kemi përjetuar netëve të gjata, kur  dimëronim bashkë. Por shpesh,  sjell në kujtesë  çastet e gëzueshme dhe intime të jetës bashkshortore. Asnjë ditë nuk na kanë  munguar buzëqeshjet!
I dashur!
Në jetën time ka hapsirë edhe për dashurinë tonë... Ajo është një det ndjenjash të fuqishme, të cilat nuk i mposhtim dot.
-A e di ti, sa zgjasin ëndrrat?
 -Hëmm...,  mendoj se ëndërra ka jetë, aq sa era e lules që ti adhuron,  a nuk është kështu? Po ti, lulja ime, je në kohën e ripërtërritjes. Ashtu si statujat e ftohta i ngroh dielli, edhe ne i harrojmë dhimbjet kur jemi bashkë e bëjmë një jetë...!
-Unë jetoj me ty, kudo që të jem,  unë jam pranë teje!
Diku kam lexuar diçka interesante,-i thotë gruaja të “dashurit”, që,  “seicili  çmendet sipas mënyrës së vet për dashurinë”...  kështu që, im shoq dëshiron, që unë të jem gjithëmonë grua femërore. Ai lumturohet nga kurthet e bukurisë sime, që  kanë qindra pamje për shpirtin e tij entuziast.
Netëve, kur edhe hëna  derdh  ngjyra të forta në dhomën e fjetjes, ne  tërbohemi e  nëpër shtratin e fantazisë,  thithim aromën e përkëdhelive e ndjejmë trokthin e dashurisë thellë brenda nesh,  që godet në kraharor vrullshëm si rendja e kuajve, të lirë e të pa fre...  Zgjohemi të frymëzuar nga një natë e paharruar dhe  trokthi i  kuajve shtrohet disi. Mundohemi të dallojmë, se cili prej tyre e ka më të gëzueshëm tingëllimën e trokut...,  qimekuqtë, apo të bardhët?! 

***
-I dashur!
Nuk është çudi, se burri im po hap një dritare të re në jetën e tij. Sot është më i pjekur e duarëplotë për jetën nga sa e kam njohur vite më parë. Kohë të dhimbshme kemi kaluar. Vitet kanë rënë mbi njëra-tjetrën si pakuptuar. Tani që na u ngroh edhe mosha, përjetimet kanë ndryshuar shije. Nga dashuria për të, gjithë natën përgjoj kufomën e tij se mos më largohet...
Burit tim i pëlqen të sajojë miq prej qelqi në mungesë të miqëve prej mishi e gjaku. Dhe këta lloj miqsh, i gjen nëpër ëndrra,  si pasqyrim i asaj që tingëllon, që është piktoreske, por e mbështjellë me mbulesë mistike. Një i tille je dhe ti, “i dashuri im”!
Ti,  duhet ta mësosh shumë mirë botën intelektuale të tij! Imshoq, në dorë mban vazhdimisht një libër me ngjyrë të kuqe, që t’i përgjak sytë me ato fantazitë e tij. Bashkëshorti im beson shumë në ëndërrat, deri në ngopje. Saqë, shpesh bëhet i pakuptueshëm për shumë miq të tjerë.
...Ditëve të diela, ai zbret nga Lugina e Verdhë, lë kokën e tij mbi tavolinën e televizorit dhe vetë, largohet për në plazh; ndërkohe hija e tij endet nëpër shtëpi, ndërsa trupi i përvëlohet nën rrezet e diellit... Kur dielli arrin kupën e qiellit, ai merr udhën për në kafe. Ritual i përsëritshëm. I përhumbur nga ky peisazh përvëlues, duke rrufitur kafen e tij gjithë qejf, ai shkruan e shkruan ëndrrën e mbushur plot personazhe të qelqtë.

***
Shpesh, flas me vete...
Ajo që mendoj dhe e dëshiroj unë, duhet të jete një panoramë e një filozofije në udhëtim, nga ku, fytyra ime përplaset me erërat e Luginës së Verdhë, ose, diçka që përafrohet me hijen e kuajve..., (jo çdokush  e di efektin e hijes së kalit)!
Kështu ndodh, kur ne dëgjojmë trokthin e përnatshëm të tyre.  E papërshkrueshme kënaqësia..., vërtetë ne drithërohemi kur nga trokthi i kuajve çahen edhe gurët...

Kur ulemi afër njeri-tjetrit të tre, unë, burri dhe “i dashuri” im,  i rrëfehemi vetvetes me  pyetje të ngrira; Pse kuajt tërbohen nga hija e tyre? Mos vall ngjajmë dhe ne me hijen e kuajve...?
Në këto çaste meditimi e kënaqësie “i dashuri” im, si ngahera…i ëmbël me mua më thotë:
-E dashur!  Mbrëmë në darkë, burri juaj më ka lënë me gojë hapur me rrëfimet e tij.  Në sofrën që kishe përgatitur ti, me gjithë atë fukarallëk,  ai hëngri vetëm “Silvën”2) Aq shumë i pëlqeu, sa për disa minuta lëpiu me kënaqësi gishtat dhe më pas, vajti bëri dashuri me “Bukuroshen e Ëndërrave”3)
Në mëngjes kur u çua nga gjumi i përlotur më tha:
-“Ëndrrat, sado të bukura që të jenë, ato të marrin peng... Kur zgjohem, e ndjej veten të vetmuar nga një peshë e rëndë. Ëndërrat nuk më qetësojnë. Përkundrazi ndjej dhimbje për ato që kam parë”,  dhe filloi të qaj...!
-E pyes: Pse qan?
-“Qaj nga dobësia ime...Më kujtohet dhimbja e Migjenit!
Më duket vetja i dyzuar mes dy botëve, me dy koka, me dy fytyra, dhe nganjëherë me dy palë këmbë...si të kuajve”!
Pak çaste më vonë bashkëshorti juaj mbylli sytë. I lëshoi ndjenjat dhe trupin e tij mbi krahët e ëndërrave që merrnin trajta dhe forma fantastike. Hodhi sytë cep më cep mbi kopshtin e natës, duke dhuruar buzëqeshjen e tij që i ngjante një kënge... si ato të ushtarëve në luftë.

* * *
Sot është ndryshe. Ai kujdeset me tepër për mua. Jeta ka ndryshuar. Shpesh  thotë: “ajo është aq e mirë, sa s’ka pse të mos e duan të tjerët’’.  E  ndjejmë pa zë, se si po ndryshojnë përfytyrimet. Kemi rritur gjatësinë e vetes sonë...Unë jam bërë më lozonjare, endem muzgjeve me pamje më entuziaste nga gëzimi. Dhe vlerërsimi për jetën  merr forcën e dritës që jetojmë dhe ritmin e vazhdueshëm të trokthit të tyre, që rreh papushim në temthat e mi, tra-truk, trak-truk, trak..., si një goditje e përhershme, po kaq i fortë është edhe ritmi brenda meje...
Tek po merrja buzëqeshje nga “i dashuri”,  imshoq  më thërret në shtrat.
-Të flemë, të flemë grua e dashur, si dy zogj në erresirë, të kënaqemi mes gjelbërimit, të ndjejmë ritmet e shpresës. Të mos humbasim në hapsirën e heshtjes! Sonte do t’festojmë ditëlindjen e hënës kuqashe...!
Me sheh me habi sikur t’i thosha:
-Të pëlqen ëmbëlsia e buzëve të mia tani që erdhi vera?!
Instikti dhe intuita femërore, më bëjne, ti kushtoj vëmëndje krijesës së brishtë që ekziston brenda qënies sime. Përveç netëve dhe çasteve erotike, kuptoj që,  ne të dy si bashkshortë kemi botën tonë…

I buzëqeshur dhe me sytë mbi gjoksin tim, im shoq shpesh më thotë: “Mënyra më e këndshme për ti bërë gratë të gëzueshme në çdo stinë, është të lexojnë në mëngjes herët romane policeske. Sepse nga natyra, gratë përpëliten në mënyrë tendencioze rreth vetes!
Kjo s’mund të jetë dora e fatit, pasi femrat nuk e mbajnë heshtjen mbi shpinë,  i ndjejnë shpejt ndryshimet, qofshin këto edhe pa melodi.

* * *
Kanë kaluar vite...
Përsëri në apartamentin tonë jetojmë te tre, unë, burri dhe i “dashuri im”, që është aq i mirë dhe model miqësije, e mbi të gjitha nuk mbetemi vetëm si dy gjysma të njeri-tjetrit. Nuk është e lehtë të jetosh në shtëpinë tonë. Kërkohet vullnet, që dashurinë e sekretet ti  fshehim thellë, për të qënë nje grua gazmore e me emër. Kjo më bën të kërkoj diçka më shumë tek imshoq. Të kërkoj, që të mos çuditet kur unë të shkoj e të bëj dashuri me “të dashurin” tim. Ky është kompromisi ynë!

...Jam me fat që jetoj në ishullin e tyre...Mos u çudisni! Gjithçka që feks nëpër ëndërrat e burrit, vjen e qëndron në duart e mia dhe si një nuse, me këmishën e bardhë zbërthyer e përqafoj fort cdo mëngjes  kur ai del nga shtëpia.
Kështu jemi ne,  dy dashnorë që marrim arratinë,  kaluar mbi një libër gati për tu tretur në një botë plot gjethe…
Nuk jam nga ato gra që fytyrën e kam kthyer nga qielli, por nga ai realitet që dua ta jetoj. Mua nuk  më gërryen meraku, e as xhelozia kur bashkshorti im,  në ditë me mot të keq, luan e kuvendon me zëra që i vijnë nga larg..., nuk shqetësohem as  kur harron të mbyllë dritaret para se të dalë nga shtëpia..., apo edhe kur i teket dhe shkon të bëj dashuri në shi, i dashuruar marrëzisht pas tij! 
Shpesh ndodh dhe kështu:
Kur ai ulet në sallon të lexoj, apo të shkruaj me orë të tëra, unë përpëlitem nëpër çarçafët rozë me “të dashurin” tim...duke ndjerë trokthin e kuajve që shpeshtohet e jehon në gjithë qenësine time. E kështu e përhumbur nga ky trokth i vrullshëm, trupi i dorëzohet   gjumit!
Si çdo natë, ai del prej shtëpisë, ulet diku në Luginën e Verdhë të shijojë iluzionin e ecjes... ,  trokthin e kuajve me ngjyrë të kuqe,  melodinë e kohës që ata jetojnë. Në të gdhirë, në shoqëri me vetveten, hedhur qafës një shall shumngjyrësh, rri e u shkruan letra miqve të tij..., ëndërimtarëve!






Ps:1.- murrizi, bimë, shkurre me kokrra të kuqe.
2.-  Silvja, personazh i tregimit “Gjurmë në rërën e nxehtë” të shrimtarit Murat Aliaj.             (Një figurë femërore e përsosur, me virtyte e vitale.Figure që  pëshkohet nëpërmjet “Teorisë  së rrëshqitjes” e filozofit M.Blanshen..)
 3.-Bukuroshja e ëndrrës, personzh në vëllimin me tregime me të njëjtin titull të     shkrimtarit Myslim Maska. (Personazh mistik i imagjinatës dhe botës iluzore.)
4.- murrizi, hena kuqashe, kali qimekuq, libri i kuq, - simbol i pasionit.