“Vetvetja agresive”, shtresa shoqërore agresive dhe
reagimi qytetar
Dukagjin HATA
Karl Gustav Jung, psikoanalisti i madh pasardhës i
Frojdit thoshte se tek njeriu ka dy vetvete, kundërtuese ndaj njëra tjetrës dhe
që njëra e çon njeriun drejt vetëdijes qytetare, drejt lirisë dhe progresit,
tjetra drejt agresivitetit. Në rastet kur e dyta bëhet agresive dhe sunduese
njeriu bëhet skllav i instinkteve të tij dhe pjesë e keqbërjes.
Në Shqipëri duket se bota e krimit është nën këtë
presion të “vetes agresive”, përderisa po mban peng qetësinë dhe rendin,
megjithë luftën duhet thënë titanike të strukturave të policisë dhe të
antikrimit.
Krimi ordiner, për motive të dobëta apo për motive
hakmarrje vazhdon të punojë “me dorë të lirë”, duke mbajtur peng qetësinë dhe
rendin qytetar në këtë vend. Grabitësit, ushtruesit e dhunës nëpër banka,
kazino, autobusë, shtëpi, por edhe në rrugë, shpeshherë të pamaskuar dhe me
armë në dorë, shumica djem të rinj, vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal kudo
dhe kurdo. Tashmë duket sikur ata e kanë mposhtur frikën e policisë dhe ankthin
e arrestimit, pasi veprojnë në mes të ditës me diell dhe në zonat më të
populluara të qyteteve. Polica, edhe pse ka ndërmarrë një sërë masash, nuk
mundet kurrsesi të parandalojë atë që rëndom quhet “krimi i rrugës”, i cili
është konsideruar si ndër më brutalët dhe më të dhunshmit. Këta të rinj, duke
kërkuar rrugën më të shkurtër për t’u pasuruar, kthehen në elementët më të
rrezikshëm të botës kriminale, pasi mosha e tyre e re bën që me një armë në
dorë ata të shndërrohen në “makina të vërteta vrasëse”.
Kryesisht adoleshentët dhe të rinjtë, por dhe të moshave
të tjera të ndryshme, janë kthyer në
makthin e vërtetë të policëve, pasi ata janë gjithnjë në përpjekje të
vazhdueshme për të marrë stafetën e drejtimit nga personat më të rritur dhe, në
këtë mënyrë, ata, gjithnjë e më shumë kryejnë grabitje, por ka raste që
aktiviteti i tyre kalon përtej grabitjes së thjeshtë. Nuk janë të pakta rastet
kur këta të rinj kryejnë dhe plagosje të bashkëmoshatarëve të tyre. Tashmë edhe
në Shqipëri janë krijuar të ashtuquajturat “bandat e lagjeve”, anëtarë të të
cilëve kryesisht janë të rinj të moshave 20-30 vjeç. Këto grupe zgjedhin territore të
përshtatshme për të kryer aktivitetin e tyre kriminal, si shkolla, qendra
tregtare ose zona ku ka përqendrim të madh biznesesh. Gjahu i preferuar i
grabitësve adoleshentë janë kryesisht tregtarët, shitësit ambulantë, nxënësit e
shkollave etj. Këta të rinj, që në shumicën e rasteve qëndrojnë në grup prej
3-4 vetash dhe ku secili ka nga një thikë (flutur) në xhep, vendosen pranë
shkollave dhe sulmojnë nxënësit duke u grabitur atyre kryesisht telefonat
celularë, por edhe paratë që mund të kenë në xhep. Një numër i madh rastesh të
tilla denoncohen çdo ditë në komisariatet e vendit, por të pakta janë
arrestimet, pasi këta të rinj, në shumicën e rasteve, pasi i kanë grabitur
nxënësit, vazhdojnë t’i kërcënojnë ata që të mos tregojnë.
Përveç grabitjes me dhunë, ka raste kur nga këto grupe
ushtrohet dhunë për shkak hakmarrje. Por nuk përjashtohen dhe aktet e dhunës
nën efektin e alkolit dhe drogës, që po bëhen fenomene alarmante për këtë
shtresë sociale të shoqërisë.
Krimi për motive hakmarrje, ku përzihen hakmarrjet
primitive e për motive të dobëta me hakmarrjet sociale epolitike, po kthehen
përsëri në rend të ditës, duke vazhduar të inicojnë ngjarje të rënda, të cilat
shpesh nuk arrijnë as të parandalohen e as të zbulohen kur ndodhin.
Lutfi Ferhati, i datëlindjes 29.05.1973, më 23 nëntor
2014, kryen një aksident tek sheshi i Institutit Bujqësor Tiranë ndaj personit
FA, me pasojë humbje të gjymtyrëve. Pasi iu nënshtrohet organeve të drejtësisë
duke marrë dënimin përkatës, nisën presionet e familjarëve të të dëmtuarit, të
cilët megjithë ndërmjetësimin e misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve, nuk
pranonin pajtim. Kështu, me 20 gusht
2014, aty rreth orës 21, ndërsa Lutfi Ferhati po dilte me familjen, një
makinë pa targa frenon para tij dhe disa persona kanë dalë e kanë ushtruar dhunë
fizike e psikike mbi të dhe familjen, duke bërë që Lutfiu të pësonte dëmtime
fizike dhe bashkëshortja e fëmijët të mbeteshin të traumatizuar për një kohë të
gjatë. Një javë pas kësaj ngjarje, tek prona e tij në Çerkezë, 3.9 ha ullishte,
persona të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin, duke pësuar kështu dëmtime të
mëdha të pronës. Disa kohë para këtyre ngjarjeve, për shkak të militantizmit të
tij në strukturat e PD-së, me 14 mars 2006 dyqaneve të tij në Kamëz iu vendoset
ekspoloziv, ndërkohë që më 26 maj 2010 Lufti Ferhati goditet pas shpine me
thike, në Kamëz, duke pësuar të konsiderueshme fizike.
Një nga kodet më të keqpërdorura traditës zakonore
shqiptare është kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në
kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e
egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje
kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij
për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një
rregullator i brendshëm i jetës së fisit, po shfaqet dukuria e shndërrimit të
tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të
shoqërisë shqiptare. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret
të "së drejtës", e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra,
duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit.
Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis
grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa
jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës,
vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka
përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera
muzeale, - dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta
bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, - sipas qepjes së re të mafies.
Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet
e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që
ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në
pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të
sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi
askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë
lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat
e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion " larje hesapesh".
Hakmarrja për motive të dobëta, për zënie e grindje të
çastit, për motove pronëise apo dhe politike po kthehet në një motiv të trishtë
në rrugët e vendit të shqiponjave. Nga ana tjetër janë grabitësit e rrugës,
keqbërësit ordinerë që veprojnë
zakonisht në rrugët me shumë lëvizje ku dhe mundësitë për të “peshkuar” diçka
janë më të mëdha. Këta grabitës piketojnë viktimën e tyre dhe gjejnë momentin
më të përshtatshëm për ta sulmuar atë. Varëset e qafës, por edhe çantat e dorës
janë gjahu i tyre. Pasi e ndjekin një farë kohe viktimën, ata e sulmojnë atë në
pak sekonda dhe më pas zhduken në rrugët dhe rrugicat e qytetit për t’u
drejtuar më pas në një nga pikat ku mund të shesë atë çka i ka grabitur nga
qafa personit.
Grabitjet, krimet për motive të dobëta dhe hakmarrja
tashmë shënojnë numri në të madh të krimeve të regjistruara në Shqipëri.
Gjithnjë e më shumë të rinj i hyjnë kësaj rruge më ëndrrën e vetme për t’u
pasuruar sa më shpejt, por kthehen në kriminelë që më vonë mund të jenë shumë
më të rrezikshëm për shoqërinë. Frika për këta keqbërës nuk ekziston më, pasi
nëse deri disa vite më parë raportoheshin vjedhje, grabitje e përdhunime, të
ndodhura në mes të natës, tashmë krimet kryen në mes të ditës dhe në zonat më
të frekuentuara të qyteteve, duke sfiduar në këtë mënyrë policinë, e cila,
pavarësisht aksioneve të shumta, dështon në arrestimin e tyre.
Shoqëria shqiptare, megjithë forcimin e mekanizmave
mbrojtës ndaj kësaj të keqeje, krahas me thellimin e luftës së strukturave të
antikrimit kundër këtyre devijimeve sociale të skajshme, po përjeton një atak të
rëndë shoqëror, të cilit duhet ti kundërvihet me forcë për ta parandaluar,
zbuluar e goditur me ligj, që të ndërpriten fijet e botës së krimit të çfarëdolloj
e prej ngado e nga kushdo që vjen.