Vullnet Mato
GJENERATA JONË E PALUMTUR
Ne ishim njerëz të një brezi
të lindur përrenj,
për të vaditur thatësirën
e të gjitha moshave.
Por koha na ndali,
pa u bërë lumenj,
që të ujitnim kënetën
e korit të bretkosave.
Ne lindëm për kurorat
e lavdive të munguara,
por klima na ndali
dhuntitë që në bisqe.
Për të kurorëzuar
lavditë e pamerituara,
la në hije rrezatimet
tona të fuqishme.
Vajzave u thaheshin buzët
për një puthje,
dhe u fishkeshin mollët
në shportëzat e pritjes.
Derisa fanatikët
këmbëkryq pa ngutje,
të ujdisnin me mblesët
çmimet e shitjes.
Djemve u përvëlohej
damari i gjakut rinor,
nga zinxhirët e moçëm
të ndrydhjes patriarkale.
Për të shuar
urinë e zjarrit mashkullor,
duke shtrydhur testikujt
me erotika artificiale.
Guximtarët duhej
të kopsiteshin gjer në fyt,
me trupin dhe mendjen
peng për “sakrifica”.
Përndryshe nga rreptësia
e absurditetit utopik,
ndonjëri fajin
mund të lante me krisma.
Mendimtarët duhej
të merrnin doktrinën,
vaksinë kundra
ndikimit të huaj si virus.
Përndryshe shpata e orakullit
ngrihej tinëz,
dhe u vringëllonte mbi koka,
për t‘i bërë sus!...
Në dekadat vrastare
me përgjime dhe ankthe,
nxitej urrejtja mes nesh
dhe gjithë botës së lirë.
Derisa në tela me gjemba
rrethuar na mbajtën,
si Faraoni skllevërit
te piramidat në shkretëtirë.
Tani që piramidën tonë,
me forma të imituara,
koha po kthen
gërmadhë në rrënim,
brezi ynë sheh ndër ekrane
ëndrrat e dështuara,
të një gjenerate të palumtur,
në ikjen pa kthim...