e hënë, shkurt 16, 2015

Loja e mëkatit



Vilhelme Vrana Haxhiraj
                         Loja e mëkatit
fragment 8  romani


8- Ditët dhe javët kalonin. Ditë pas dite Jonidi po afrohej gjithmonë e më tepër me të ëmën dhe nuk donte të ndahej asnjë çast prej saj. I gjori fëmijë! I kishte hyrë frika në palcë, se mos ajo largohej dhe nuk kthehej më tek ai. Vazhdimisht rrinte strukur dhe tulatej i drithëruar pranë nënës.
  Për cilindo jeta rrjedh pa e kuptuar. Nuk të nxit, as të pengon por ndjek ligjet e natyrës. Në rrugëtimin e saj të gjatë, plot me të papritura, njerëzit përmes njohjeve të reja krijojnë lidhje, ecurinë e të cilave ua dikton koha. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në rastin e Kaltrës. Herëpashere ajo me të dy adhuruesit e saj, Arlindin dhe Aldon vizitonin vende të ndryshme, natyrisht kur ata kishin kohë të lirë. Ndërkohë çdo ditë duke u njohur me mrekullitë e qytetit ajo dhe Arlindi fituan mjaft njohuri lidhur me moshën historinë e ndërtimit të objekteve që i përkisnin lashtësisë, si dhe sa e sa vepra arti antik, mesjetar dhe të kohës moderne. Sipas ciceronit që mbante leksione në qendrat kulturore, arkeologjike, ata mësuan se në përgjithësi ato i përkasin kohës së sundimit romak. Aty vunë re gjurmët e pushtimeve të ndryshme, sidomos ato të kohës së Napoleonit.
   Njohja e qytetit, në veçanti për Kaltrën ishte diçka e re dhe e bukur. Një ditë duke shëtitur në qendrën e tij, ndalën në piacën e Bashkisë ose Sheshi i Shatërvanit, që në ditët e sotme quhet Sheshi Kavur (Piazza Cavour). Ajo u mahnit dhe ngeli e  mrekulluar nga ndërtesat që hijeshojnë qendrën e qytetit. Ato që vlejnë si dëshmi e një kulture e të një qytetërimi të hershëm në qendër të Riminit, krahas ndërtimeve bashkëkohore janë pallatet Arengo dhe Podesta.
    Gjatë shëtitjeve të tyre të vazhdueshme me makinë ose në këmbë, një ditë prej ditëve ata mbërritën në grykëderdhjen e lumit Marekia (Marecchia).Dikur, gjatë shkrirjes së dëborës apo në kohë reshjesh ai shkaktonte përmbytje të mëdha në qytet. Për këtë arsye e zhvendosën portin afër grykëderdhjes së tij. Më vonë me kalimin e kohës u ngrit fshati San Xhuliano Borgo. 
    Ideator për ndërtimin e fshatit kishte qenë Frederik Felini nga Rimini (Federico Fellini). Kurse ndërtimi i kësaj qendre të banuar, u vu në jetë nga familja fisnike Malatesta, një emër që menjëherë cilitdo i sjell ndërmend Komedinë Hyjnore të Dantes. Ata mësuan se Rimini ka autoktoninë e vetë si në histori, ashtu edhe në kulturë, natyrisht e pandashme nga tërësia e asaj kombëtare italiane. Aty është themeluar Akademia e parë letrare e Italisë qysh në shek.e XIV.
-Miq, ju lutem më thoni nëse u lodhët. Po të doni e lemë me kaq dhe kthehemi.
-Zoti Aldo, dita është e gjitha e jona. E kemi pushim, ndaj...
    Pa e pasur mendjen, duke biseduar ata kishin mbërritur në bregun e një lumi tjetër. Pamja e luginës që shihej prej aty, nën peshën e mjegullës ishte mahnitëse. Kurse në horizont zona qarkohej nga petku i bardhë si një mantel gjigand, duke i mbështjell dhe mbrojtur, u ishte hedhur krahëve Alpeve hijerëndë. Këtu, tek kjo mrekulli, apo dukuri e rrallë, qëndronte magjia. Gjithë pamja të linte përshtypjen se ishte rrethuar nga një mister që kërkonte studim për ta zhbiruar dhe njohur.
    -Si quhet ky lum zoti Aldo?
    -Është lumi Tiber që përshkon krahinën Emilia Romanja.
    -Dëshiroj të di diçka. Mund të më thoni prejardhjen e emrit të  kësaj krahine?
    -Sipas historianëve thuhet se këtu janë vendosur fise të shpërngulura nga Rumania. Ura e lumit Tiber, mbi të cilën po kalojmë, është një nga monumentet më të famshme të qytetit. I po kësaj rëndësie është edhe Harku i Augustit, të cilin do ta shohim. Harku u ndërtua për nder të Perandorit Oktavian Augusti, i cili së bashku me perandorin Hadrian e adhuronin qytetin e Riminit, për gjatësinë e shtrirjes së mrekullueshme buzë Adriatikut. Duke u mbështetur në bukurinë e plazhit, për dhomat mbretërore tepër të kushtueshme dhe për mikpritjen e banorëve, u themelua Banja Rimini. Duhet të dini se është i pari plazh në të gjithë Italinë i ndërtuar në çerekun e parë të shek.XIX. Kurse më interesant është Rimini arkeologjik, të cilin ja tek e keni para syve, - përfundoi ai.
   Duke shëtitur nëpër Parkun arkeologjik ata panë mjaft vlera materiale arkeologjike, ku ruhen edhe mozaikët e famshëm si një vlerë materiale kulturore.      -Si lum këta që i ruajnë dëshmitë e identitetit të tyre kombëtar dhe mjerë ne që kemi mohuar dhe lëmënë harresë atë që iku dje. Kurse shekujt i kemi lënë të varrosur që historia kurrë të mos flasë me gjuhën e së vërtetës. Ndaj abuzohet me autoktoninë tonë nga ardhacakët historikë që e gjetën lugën në pilaf.
     -E kam të qartë, Arlind..., edhe pse kam vite larguar, jam në një mendje me ty.
     -Ti nuk e ke idenë, por tek ne ndodh absurdi më i madh i kohës. Sipas politikanëve mendjendryshkur historia e kombit shqiptar fillon me marrjen e pushtetit nga "X" forcë politike.
     -Nuk quhet histori, kur mohon të djeshmen e kombit. Nëse historia shkruhet sipas dritëshkurtërve, të shiturve dhe sahanlëpirësve që shkojnë nga fryn era, ajo do të jetë e pjesshme, e cunguar dhe e gënjeshtërt.
      -Ashtu është. Historia është shkencë që duhet të mbështetet vetëm në fakte të vërteta, ngjarje,vendndodhje, data e në dokumente reale. Historia duhet të pasqyrohet me të gjitha ngjyrat dhe tonalitetet e çdo kohe, me të mirat dhe të këqijat e saj. Ndryshe nuk mund të quhet vlerë dhe e paanshme.
     Meqë ata të dy po komunikonin shqip, Aldo u drejtoi një shikim pyetës. Ata i kërkuan ndjesë e nuk vonuan ta sqaronin. Me të drejtë ai u ngrefos me një farë krenarie për ruajtjen e vazhdimësinë e historisë dhe të kulturës së vendit të tij.
     -Ja dhe Harku i Augustit, një nga monumentet kryesore të qytetit, si dhe objekti më i vjetër romak që ende flet me gjuhën e lashtësisë, pasi ai është ndërtuar në vitin 27 para Kohës së re. Ky hark ka shërbyer si porta kryesore hyrse e Adriatikut në këtë qytet, e cila njihej me emrin Porta Aurea.
  Prej andej u ngjitën në kodrën Kovinjano (Covignano). Duke iu ngjitur të përpjetës së saj të gjelbëruar, kureshtja i çoi në kishën Santa Maria delle Grazie, e cila i përket të së njëjtës kohë me Akademinë.
Që nga sipër kodrës pamja përreth dukej madhështore dhe mjaft e pushtetshme
   -Më duket sikur jam në kodrën e Kusumbabait, që ngrihet mbi Vlorë si një ballkon natyror i saj,- mërmëriti Arlindi.
-Kam dëgjuar që e keni të bukur bregdetin.
-Ai është atdheu ynë. Edhe  sikur të mos ishte, për ne është vendi më i bukur në botë.
-Pse e braktisët atëherë?
-Ju i dini arsyet që na detyruan të migrojmë, sepse punoni në një institucion që ka lidhje direkte me Ballkanin. Gjithsesi nuk u larguam përjetësisht. Ngado që të shkojmë, aroma e baltës, zëri i tokës mëmë na thërret dhe ne atje do të shkojmë ta përplasim kokën,- ngriti paksa tonin Arlindi.     
       -Më fal nëse ju preka në sedër, kur ju dalloheni për atdhetari. Mesa kam parë këto vite, e ka fajin politika e ndjekur në vendin tuaj.
       Shekulli i XIV ka qenë periudha e ndritur e lulëzimit të Riminit. Piktori i madh Xhioto (Giotto) ishte ai që themeloi këtu shkollën e pikturës po në këtë shekull. Emrin e këtij piktori të shquar mban piktura në Tempullin Malatesta mbi të cilën gjenden inicialet “S” dhe “I”, si dëshmi e dashurisë së madhe të Sigizmund Malatestës me Isoltën. Ajo që e ka përjetësuar historinë dhe kulturën e Riminit është stema e qytetit, ku pasqyrohen katër monumentet më të rëndësishme të zonës.
      -Përgëzime zoti Aldo. Ju keni me se mburreni.  Poju kujtoj se edhe ne kemi kulturë të lashtë, të cilën e dëshmojnë mjaft qendra arkeologjike,kështjella, qytete, që shërbejnë  si fakte të autoktonisë sonë, si kombi më i lashtë i Evropës, por mjerisht varet se kush dhe sa e mbron këtë të drejtë legjitime...
     -Të lutem, shprehu më qartë !
     -Nuk di se kujt i përket mbrojtja e kësaj të drejte kombëtare. Ligjin e bënë ai që është më i pushtetshëm, shteti, politika dhe intelektualët. Nëse elita e kombit do të ishte e fuqishme, do të ishim ndryshe, por mjerisht në vendin tonë ajo ende nuk e ka gjetur veten, nuk e ka zënë vendin e saj. Intelektualëve që u kanë nëpërkëmbur dinjitetin, migruan si të paatdhe, ndaj ne po vuajmë.
   Ne shqiptarët nuk e kemi merituar që jemi shndërruar në argatët e Evropës dhe të të gjithë botës, kur kombi rënkon nga mbipesha e të paaftëve nga fryrja e antivlerave. Me natyrën e bukur, me pozitën mesdhetare të lakmuar, me pasuritë mbi e nëntokësore që ofron vendi im, ne duhet të ishim si gjithë bota e zhvilluar.
   Toka e ngelur djerrë qan për të zotët që janë degdisur në udhëkryqet e botës. Kjo është e pafalshme, sepse çdo centimetër toke tek ne vlerësohet me ar.
  Koha dhe ata që i kanë dhënë tonin epokave, mbajnë peshën e rëndë të fajit për padrejtësitë ndaj vendit tonë. Mjerë kush është i vogël, se të mëdhenjtë e rrëzojnë vetëm me një frymë. Jam tejet i zhgënjyer dhe më dhemb për çdo padrejtësi që i bëhet vendit tim nga ne vet apo nga bota.
 -Bukur e the, Arlind. Pak a shumë e njoh historinë e dhembshme të Albanisë. Jam njohur sadopak me luftën e albanezve për liri, përpjeket e tyre për të dalë nga errësira e pushtimeve të gjata të të huajëve. Sinqerisht më vjen keq për  brutalitetin e të fuqishmëve ndaj një kombi vital që e do lirinë. Edhe ne si komb kemi pjesën tonë të fajeve ndaj vendit tuaj.
-Si e bëra që nuk çbëhet, as historia nuk mund të kthehet pas që faktet të ndodhin ashtu siç duam ne.
 -Jo si ç’duam ne, por tëflasin ashtu siç kanë qemë dhe janë...
 -E drejtë,zoti Aldo. Kam kurajon të them se Evropa i ka shumë borxhe kombit tim të pafajshëm në historinë e popujve. Mund të jetë vendi që mbart shumë dhembje të paimagjinuara dhe i larë me gjak të pafajshëm me të  cilin janë shkruar faqet e zeza të ditënetëve të pafundme të shekujve.
    -Kjo është e vërteta e hidhur, që është e vështirë ta pranojnë shkaktarët e dramave dhe tragjedive të kombeve të vegjël, Arlind.
       -Ndoshta do të gjendet një zgjidhje.Tani a nuk është koha të kthehemi...?- ndërhyri gruaja e re.

***

    Kishte kaluar muaji, kur  Kaltrën e thirri shefi i policisë. Kapiteni kishte dëshirë që t’ia jepte vetë lajmin se ajo u pajis me dokumentat e duhura.
      -Tani jam e lirë të kthehem në atdhe?
      -Jo vetëm, jo... Përgjegjësia bije mbi ne, nëse të lëmë në mëshirën e fatit. Ne do të kujdesemi që të të shoqërojë dikush deri në shtëpinë tënde, - tha shefi i policisë.
      -Ju faleminderit, zoti kapiten!
      Ndërkohë ndërhyri Aldo që e kishte shoqëruar.
     -Nuk besoj se keni kundërshtim që zonja të vazhdojë një kurs estetike për parrukjere?
      -Patjetër që do ta ndihmojmë dhe menjëherë ai i telefonoi dikujt.
      -Ju lutem zoti kapiten, vetëm siguroni lejën e qëndrimit. Të tjerat i zgjidh unë.
      -Zoti Aldo, sa të përgatiten dokumentet, zonja do të pajiset me një lejë qëndrimi të përkohëshme. Ju përgëzoj për çka po bëni për të. Me një profesion të tillë, ajo do të  shmangë pengesat që mund të hasë dhe më pas pa vështirësi bënë një jetë normale. Por para se të nis kursin e kulifikimit, duhet të shkelë tokën shqiptare.
   Ata të dy u ndanë me kapitenin si miq.
   Si gjoja pa vëmendje, Aldo iu shmang autostradës, e ktheu makinën në periferi të qytetit. Hynë në një park. Çuditërisht ajo nuk e kundërshtoi. Kishte krijuar një lloj besimi tek ai. I kishte lënë përshtypjen e një njeriu të mirë. Gjithashtu ajo kishte nuhatur që ai e pëlqente, por ajo nuk i kishte dhënë asnjë shkas për ta mbajtur me shpresë.
      -Kaltra, nuk të vjen keq që të të quaj zonjushë?
      -Aspak…përkundrazi më duket vetja më e re. Përse të mos ia bëj qejfin vetes?
      -Mos të duket vetja gjë e shkuar në …? Femrat e moshës tënde në botë, ende nuk e mendojnë martesën. Sot vajzat e kanë të vështirë të vendosin për një lidhje serioze, pasi duan ta shijojnë jetën.
      -Për këtë u jap të drejtë, sepse martesa, betimi para altarit e një unazë në gisht asnjëherë nuk janë garanci për të ardhmen bashkëshortore
       Zbritën nga makina dhe nisën të ecnin ngadalë duke biseduar.
       -Tani që more një lejë qëndrimi do të kemi më tepër kohë të qëndrojmë më gjatë apo të shëtisim bashkë. Gjatë këtyre javëve kemi folur vetëm për ty. Më vjen pak çudi që ti nuk ke pyetur kurrë për mua. A nuk të intereoj fare?
        -Shoh që jeni mirë. Përse duhet t’ju pyes. Jeta juaj ju përket vetëm personit tuaj. Për mua mjafton që tek ju gjej një mik të mirë tek i cili kam besim.
       -Faleminderit për konsideratën! Gjithsesi unë me pak fjalë do të flas për veten.
       -Kam lindur në Shën Kozencë të Kalabrisë. Stërgjyshët e mi, disa breza të shkuar, kanë emigruar nga Arbëria, ose Albania. Thuajse të gjithë banorët e jugut të Italisë, e kanë origjinën andej nga ju. Ndaj po ta analizojë me kujdes e të kërkojë me këmbëngulje, cilido gjen origjinën e emrit dhe rrënjët e veta. Kur pyesim se nga je? Përgjigja është:-nga Kalabria, domethënë se janë nga Labëria ose (kah Labëria). Po kështu është edhe prejardhja e Toskanës. A nuk quhet Toskëri jugu i Albanisë dhe banorët quhen toskë? Ata gjatë emigrimeve mesjetare aty ku u vendosën, u vetëquajtën toskë dhe krahina e mori emrin Toskanë. Këto vlejnë vetëm për të sqaruar prejardhjen time. Ju flas hapur se, si unë, edhe shumë të tjerë arbëreshë e kanë për nder që në deje u rrjedh gjak shqiptari. Atje i kemi rrënjët, kurse ne jemi degët që ka rrëmbyer stuhia me vete. Nëse nuk do të kishim ndjesi të tilla, ne nuk do të luftonim që të na trajtonin si pakica kombëtare, gjë që e arritëm. Qysh me fillimin e shekullit të ri kemi fituar të drejtat tona si minoritet, lidhur me gjuhën, kulturën, historinë e të parëve tanë, si dhe vizitat e ndërsjellta dhe këmbimin e përvojave dhe kulturave. "Jemi 600 mote çë na folmë gluhën tënë."-janë fjalët e fundit të gjyshes sime që ruante gjuhën dhe traditën shqiptare. Ajo u largua nga kjo botë pesë vite më parë.  
   -Nuk çuditem aspak me thëniet tuaja, zotëri. 
   -Pasi mbarova liceun në Kalabri, kreva studimet në Universitetin e Bolonjës. Jam lauruar në Katedrën e Sociologjisë. Po në atë qytet nisa punë. Pasi u martova, u transferova këtu. Tani më kanë ofruar një vend pune, përsëri në Milano, por ende nuk jam plotësisht i bindur. Martesa jonë nuk zgjati shumë, vetëm dy vite. Ndoshta e kam pasur unë fajin, ndoshta Paola. Kështu quhet ish gruaja ime. Unë i shërbeja vendit të punës, sepse kur nuk e vlerëson sa duhet, profesioni si burim i vetëm i të ardhurave jetike, të lë në baltë. Kurse ajo kërkonte të isha më i lirë për të. Nuk di…, por ndoshta kërkonte më tepër përkushtim nga ana ime. U ndamë me mirëkuptim. Ajo tashmë ka jetën e saj. Bashkëjeton me një artist, siç është edhe vetë. I kam takuar rastësisht dhe më është dukur çift i lumtur…Ndoshta unë nuk isha i duhuri për të. Një arsye që nuk vendos për transferim, është qyteti i Milanos, ku jeton Paola. Nuk më pëlqen që mes tyre të lindin keqkuptime nga prania ime. Milano vërtet është qytet i madh,  gjithsesi rrugët e jetës kryqëzohen edhe rastësisht, ndaj...
     -Më vjen keq që ju ka ndodhur kështu!
     Ai i harruar pas bisedës, pa vetëdije po e ngiste automjetin në drejtim të parkut. Papritur ajo i kërkoi ta ndalte pak makinën. Sa gjeti vendparkim ai frenoi. Ajo uli xhamin, hodhi një shikim të shpejtë e gjithëpërfshirës përreth dhe psherëtiu.
     -Sa kohë që jam në Itali, asnjë vit bora nuk ka zgjatur kaq shumë, si sivjet.
     -Të pëlqen një natyrë e tillë?
     -Tani doja të isha atje në vendin tim, në veriun shqiptar, ku bora ka zbardhur gjithçka.     
     -Ke pasaportë shqiptare?
     -Kam, po më duhet të bëj një pasaportë të re biometrike me parametrat evropian, me të cilën udhëtohet në të gjitha shtetet e BE. Me këtë që kam nuk kthehem dot më këtu.
     -Tani që do të shkosh, e ke mundësinë....,megjithëse duhet pak kohë për ta nxjerrë pasaportën.
     -Kur të kthehet Arlindi nga puna, do ta bisedojmë se çfarë duhet të bëjmë.
     "Paskam gabuar. Kujtoja se kisha ngjallur interesin e saj, por jo. Ajo më trajton vetëm si një mik. Më kot shpresoja se do të isha unë fatlumi që do ta shoqëroja për në Albani...,"- zilja e telefonit ia ndërpreu mendimet.
     Ishte Arlindi që interesohej se ku ndodheshin. Pas pak ai frenoi pranë tyre dhe mësoi të rejat e Kaltrës pas takimit me kapitenin.
-Shpejt është. A nuk qëndrojmë edhe pak.
-Mua më doli diçka e papritur, z.Aldo, ndaj më duhet të shkoj menjëherë. Sa për Kaltrën e di ajo se ç'duhet të bëjë.
-Me kënaqësi, por kam orë larguar. Më pret Jonidi ndaj, po kthehem pa u vonuar më asnjë minutë. Aldo vari krahët i pezmatuar. Shpresat se në të ardhmen mund të ndodhte diçka mes tij dhe Kaltrës shuheshin para se të lindnin. Pas çdo takimi me Kaltrën, atij i zbehej pritja e ethshme,
      Përsëri miku i tyre i mirë u kthye vetëm në makinën e tij. Kaltra i shprehu mirënjohjen që e shoqëroi në komisariat dhe u nis për në shtëpi me Arlindin.
   "Sa keq më vjen. Ajo kurrë s'më vështron me atë ëmbëlsi që sheh Arlindin. Çfarë sheh tek unë që nuk e tërheq?! E thuaj pastaj se s'qenka gjë fati?! Jo, asnjë nuk ma mbush dot mendjen, askush. Dua apo s'dua, më pëlqen apo s'më pëlqen ta pranoj, jam një burrë pa fat! Marrëdhënia jonë nuk mund të shkojë tej miqësisë. Duhet ta bind veten me këtë ndjesi, që është aq e vërtetë, sa drita e diellit. Duhet ta pranoj fatin dhe ta frenoj veten, që më pas të mos lëndohem,"- mendonte tejet i trishtuar me dorën mbi timonin  e makinës, pa i vënë re dy miqtë e tij që sa morën kthesën, po e pëshëndesnin, por ai nuk reagoi.

***
  
   Arlindi i përqëndruar në timon, ngiste ngadalë dhe herëpashere i hidhte ndonjë shikim të përvjedhur profilit fisnik të Kaltrës. E admironte shumë, por nguronte t'ia pohonte vetes se e kishte domosdoshmëri praninë e saj, jetën nën një çati me të.  I dukej sikur nuk do të thithte oksigjenin e duhur, nëse nuk do ta gjente atë në shtëpi kur kthehej nga puna. Në të njëjtën kohë, në mendjen e secilit gëlonte mendimi për të nesërmen,por secili sipas mënyrës dhe këndvështrimit të tij.
        -Ndoshta nuk e kam këtë të drejtë, po a mund ta di se çfarë të mundon?
-Së shpejti do të kthehem në atdhe. Dikush tjetër në vendin tim, apo, edhe unë, nëse do të rikthehesha nga një udhëtim i suksesshëm apo normal që nuk do të më bënte të skuqesha për veten, do të lumturohesha. Por mjerisht jam në dilemë se nuk e di fundin e këtij udhëtimi.
-Do të shkosh vetëm sa për të shkelur tokën amë dhe do të kthehesh për të nisur kursin e parrukieres. Pastaj me të parë e me të bërë.
-Nga e para me të bërën, i ndan një det i tërë. Kam dhe diçka tjetër. Më duhet të qëndroj pak më gjatë për të nxjer pasaportën.
-Aq më mirë akoma. Pas kaq vitesh ke nevojë të çmallesh me njerëzit, me vendin. Unë vetëm disa muaj kam këtu dhe jam aq i malluar, sa më digjet shpirti për gjithçka.
-Ti po..., që mezi e pret, kurse unë...jo unë ! Jemi larg, shumë larg pozicionit që ke ti nga ai që kam unë lidhur me të qenit të dëlirë. Ti mërgove si çdo emigrant për kushte më të mira jetese, kurse unë...
-Nuk di se dhe sa kohë do të vetgjykohesh, moj vajzë...?
-Më mundon një pyetje që ia bëj gjithmonë vetes. Nuk di a do të më pranojnë prindërit, a do të jetë e hapur porta e fëmijërisë për mua? Nuk e di...Ka vite që nuk kam asnjë lidhje me ta. Ndoshta, me të drejtë, jam bija e mallkuar
-Pse nuk u bën një telefonatë?
-Jo, jo nuk mundem. Është herët për një hap të tillë.
-Gjithsesi në këtë udhëtim ti nuk do të jesh e vetme. Besoj se do të të shoqërojë dikush. Ndoshta vjen zoti Aldo me ty.
-Jo, në asnjë mënyrë, -brofi menjëherë nga ndenjësja e makinës, sikur e kishte pickuar gjarpëri.
-Pse ky reagim. Ju të dyve sikur u hahet muhabeti, apo?
-Veç miqësisë për gjithçka të mirë që ai ka bërë për mua, nuk i ofroj dot asgjë tjetër. Ai ka të tjera synime ndaj meje dhe më vjen keq që nuk u përgjigjem dot. Ndaj nuk dua ta mbaj me shpresa të kota. Ende nuk di se cila jam dhe akoma më keq, nuk di se ç'jam në gjendje të bëj. Në kushte të tilla nuk jam e zonja për vete dhe për tim bir e jo për një lidhje serioze që kërkon kllëqe.
        -Çfarë do të thoshe, sikur të vija unë me ty?
        -Mos u tall, të lutem!
        -Të tallem unë me ty?! Pse këtë përshtypje kam lënë tek ti? Më vjen keq që ke një mendim të tillë.
        -U shpreha gabim. Më fal! Doja të thosha mos bëj shaka!
 Ai vazhdoi lojën e fjalëve kot,  jo vetëm e spikati gabimin e shprehjes, por vuri re një përshkënditje gjithëpërfshirëse të tipareve të saj. "O Zot, çfarë drite ka në atë shikim të çiltër. Sytë e saj blu morën një shkëlqim që pa frikë mund ta krahasoj me një rrezatim hyjnor. Po sikur t'ia shpreh atë që spikata vetëtimthi në trurin tim, si do ta marrë vallë?!"
     -Më thuaj të lutem, që është e vërtetë?
     -Është aq e vërtetë, sa ç'jemi unë edhe ti, më real e më të vërtetë se kurrë ndonjëherë. Dua me gjithë shpirt që ky realitet të vazhdojë në pafundësi. Mjerisht nuk varet vetëm nga unë.
     Ajo e lumturuar për lajmin që mori, u përkul dhe i dhuroi një puthje mirënjohjeje Arlindit në faqen e djathtë. Ai pa vetëdije kapi faqen me dorë, sikur donte të vërtetonte butësinë dhe ëmbëlsinë e prekjes së buzëve të saj.
-Më fal Arlind! Nuk di ç'më zuri!
-Përkundrazi, të faleminderit ! Ishte një veprim i bukur . Sjellje bujare nga ana jote, zonjushë.
-Të betohem, që nuk e di si më erdhi, as vet nuk e di. Një çast çmendurie ndoshta.
 -Uroj që këto çaste të tilla lajthitjeje të përsëriten sa më shpesh, zemër.
 -Më vjen keq, Arlind, por nuk më pëlqen të flasim për diçka që nuk duhet të ndodhë.
-Pse? Mos vallë do t'ia mohosh vetes të nesërmen? A nuk është mëkat t'i mohosh jetës..., jetën? T’i mohosh qenies sate të qenit e gjallë, është padrejtësi ndaj vetes.
 -Kam frikë...
 -Nga vetja apo?
   -Nga gjithçka. Nga e shkuara, e cila më shfaqet e gjallë e dhembshme. Ajo ngjason me një plagë të pashërueshme, që përherë shkakton dhembje të reja e më të mëdha se atëherë...
-Ajo i përket asaj që iku e nuk kthehet më, së shkuarës. Ndaj të lutem si Perëndisë, shpraze atë që të dhemb, flake tej. Së paku ndaje dhembejn me mua.
-Ajo kuturisje, si një refren i përthyer i këngës epike, gjithë lajkat dhe ojnat e të qeshurës sime në ekstazë gjatë asaj nate magjiplotë, ajo e kishte fajin... Diku kisha lexuar se femra duhet t’i ruhet reflektimeve të shkëlqimit falsë, si dhe të mos u besojë netëve të argjendta kur nuk është as në kohën, as në vendin dhe as me personin e duhur. Duhet vëmendje, sepse bukuria ekstreme e natyrës, të çon drejt mëkatit. E shkrirë në magjinë e natyrës, pa qenë në vete, tek ti nis e rritet egua, prej së cilës erret vështrimi, humbet gjykimi dhe arsyeja nuk është më në gjendje të dallojë fenomenet, trupat dhe nuk ndan dot të mirën nga e keqja. Shkurt nuk është më në gjendje të gjykojë si duhet.Të gjitha të duken uniforme, si në masë edhe në trajtë, si në formë e në ngjyrë, po ashtu edhe të bëra nga e njëjta lëndë...
-Të lutem, mos u mundo veten.
-Mbërrin një çast kur Nevetja ka humbur rrugën e saj të arsyes, atëherë gjykimi tek ti tretet dhe shndërrohet në një hiç. Papritur si një e krisur, gjendesh në vorbullën e verbërisë së ndërgjegjes shurdh-memece. Kur e kupton se sa e pavlerë je, nis përbuzja ndaj së mirës dhe ti bëhesh njësh me vesin, duke e përqafuar atë si pjesë përbërse të çdo embrioni qelizor të qenies sate...Nuk thonë kot se kush fut këmbët në kënetë, shndërrohet në ujë të ndenjur e baltovinë që kutërbon era kërmë. Nuk është e rastësishme, por pa e kuptuar, si një solucion i tejngopur,  ti,ti je bër armikja e vetes. Ashtu natyrshëm vë re se tani nuk udhëheq më ti, as truri, por nis lojën e ndyrë mëkati, i cili kërkon të hakmerret ndaj teje, mundohet me çdo kusht që të ta mposht atë pak mirësi që të jepë krenari, e cila mund të të ketë ngelur në pore e në tru. Pra gjithçka të mirë e të bukur, loja e ndyrë e mëkatit e barasvlerëson me zero, duke të shndërruar në një leckë pa vlerë, në një hiç...
     -Kaltra, mos u sill kaq ashpër ndaj vetes. Kjo nuk të ndihmon kurrsesi, aq më tepër nënvleftësimi i vetvetes nuk ta lehtëson dhembjen.
      Sapo zbritën nga makina telefonoi shefi i policisë, i cili i donte të paraqiteshin të nesërmen në komisariat.
     -Po tani çfarë do të ketë Kapiteni. Përse na thirri?-pyeti e shqetësuar Kaltra dhe gjithë natën nuk vuri gjumë në sy.
     
***

  Pas një nate të pafjetur, mëngjesi i gjeti të dy në zyrën e kapitenit. Kaltra ishte si ndër ethe.“Përse të më dojë? Çfarë kërkon nga unë vallë?-priste me padurim duke pyetur veten gjithë ankth. Ndërkohë shefi i komisariatit u ndesh me ta në korridor dhe pasi i përshëndeti, iu u lut që ta prisnin pak. Sapo mbaroi punë diku, a la ndonjë porosi, erdhi bashkë me një tjetër.
   -Ju letem, ejani në zyrë.
 Arlindi ishte i qetë, kurse Kaltra qëndronte si mbi gjemba. Fjalën e mori kapiteni.
    -Po hyjmë drejt e në temë. Zonjë, juve do t’ju shoqërojë zotëria.
    -E di, mësova pak nga Arlindi.
    -Ju në dokumenta për sytë, veshët dhe gojët e të gjithëve, do të figuroni çift.
Kaltra u hodh përpjetë.
-Mos u nxito, zonjë. Në të dy aksionet antitrafikim që organizuam bashkë me  seksionin e antidrogës, me  të cilin merret zotëria, kishte edhe trafikantë shqiptarë. Do të shkoni si agjent të infiltruar në rrjetin e trafikantëve. “Rrjeti i Merimangës” do të quhet aksioni që do të kryeni. Nuk do të jeni vetëm në këtë veprimtari. Agjentë të padukshëm me të cilët do të lidheni mes një kodi komunikimi, do të jenë gjithmonë të pranishëm. Mesa kemi mësuar, ti Arlind je person i pastër i pa implikuar në punë të zeza as trafiqe, as baste dhe as përdorues droge. Kjo do të thotë që je i panjohur nga tutorët apo trafikantët. Sipas të dhënave që u morëm të arrestuarëve, për ju është e thjeshtë të bëni lidhjen. Këtej e tutje ti je Alban Gurra, kurse zonja Kaltra Gurra. Më fal nëse më duhet ta përmend, por zonjën e njohin, veçse tani me një mbiemër tjetër. Kurse Alban Gurra i mërguar qysh në moshën katërmbëdhjetë vjeç,ka rënë në kurthin e mafjes. Mbushen 18 vjet që merret me trafikim. Pra ti mban identitetin e një trafikanti të zhdukur. Martesa e një trafikanti me një vajzë të Bar Kazino”Angeli” është plotësisht e justifikueshme për banditët që duhet të takoni. Bashkë me zotërinë e antidrogës, do të përgatiteni me ditë të tëra deri sa të përvetësoni, rregullat, lëvizjet që do të bëni.Përmes filmimeve do të njihni personat me të cilët do të lidheni. Takimi me ta dhe kushtet që do të vini do t'ju çoj në gojën e oktapodit. Aksioni është sa i vështirë dhe po aq delikat, sa  i thjeshtë në dukje, po aq i rrezikshëm për t'u realizuar me sukses. Nuk do të shkosh në qytetin tënd të lindjes. Askush nga familja,të afërmit,shokëtose miqtë e tu, nuk duhet të di se me ç'mision je ngarkuar. Gjithë punët do t'i kryejë shoferi që do të vijë me ju.
Kaltra ishte ngurosur dhe e kishte qepur gojën. "O Zot,në ç'vorbull e futa veten? A do të jem në gjendje të dalë ndonjëherë? Nuk e di."- mendonte ajo, kurse shefi i antidrogës e kuptoi gjendjen e saj dhe e lehtësoi.
-Zonjë, shoh që nuk ndjeheni e qetë. Pa merak, pasi roli juaj është vetëm ndihmës. Prania juaj i bind ata që ndoshta kanë dorë edhe në trafikimin tuaj, që ju si çift merreni me trafikim.
Që nga ajo ditë ata nisën trajnimin. Pas disa ditësh shefat organizues të aksionit, menduan se ishte koha që të niseshin. Kaltra shfaqi shqetësimin e saj për të birin.
-Kapiten, ju e dini që kam një fëmijë. Si do t’ia bëj? Nuk dua ta zhgënjej më. Pastaj ku do ta lë? 
     -Për këtë rast po. Djali ju bëhet pengesë në punën që do të ndërmerrni.
     -Ndoshta pak ditë do të jemi atje...
     -Varet se si do të rrjedhin ngjarjet.
      -Po sikur ta marr me vete? Disa ditë në udhëtim,  janë të lodhshme për të. Do të kapitet fare.
      -Djalin nuk ta lejojnë ta marrësh, sepse së pari nuk ka pasaportë dhe nuk ka as leje qëndrimi. Ai figuron klandestin, madje  i paregjistruar askund. Nëse hynë në Shqipëri, nuk kthehet më këtu.
    -Po ai është djali im. Nuk ka mundësi, jo... Si nuk paskam të drejtë të marrë tim bir?
    -Pasi të pajiset me leje qëndrimi, vendoset një foto e tij në pasaportën tënde. Por duhen disa dokumente, jo vetëm për atë, por edhe për ty...Qysh nesër do të interesohem se çfarë dokumentesh duhen dhe besoj se do të mbaroni punë kur të shkoni atje.
     -Ndoshta e lë tek familja e Enkelit. Ata e duan dhe besoj se nuk do të kundërshtojnë.
     -Si thua ti Arlind, a mund t'ua besoj Enkelit dhe Vjollcës.
     -Pa hezitim. Janë, jo vetëm njerëz të mirë, por, edhe si familjarë janë model. Pastaj ata e duan Jonidin.
     -Për këtë do të interesohemi ne dhe gjithë shpenzimet për djalin tuaj do t' i heq institucioni ynë shtetëror.
     Ishte problem i madh të bindnin djalin. Por kur mësoi se do të qëndronte tek familja e Enkelit, u qetësua disi.
  Pas disa ditësh Enkeli me Jonidin i përcollën dhe ndiqnin me sy Fuoristradën që largohej në drejtim të portit detar të Ankonës.
   Ajo kishte kohë larguar. Gjithë natën s’mbylli sy. Ishte në ankth. Fal atij njeriu të mirë, po rikthehej në jetë...Sot ligjërisht ishte bashkëshorti i saj, fal sakrificave të të cilit Kaltra po niste të rijetonte. Mendonte se kishte ndodhur një mrekulli. Ende nuk besonte se ishte i vërtetë ky udhëtim drejt vendlindjes. I dukej se ëndërronte dhe kishte frikë se mos zgjohej dhe ëndrra merrte fund. E mallëngjyer, ngashërehej papushim. Kur nisi të agonte doli në kuvertë, ku i doli parasysh pamja madhështore e vendit të saj.
     “Mirëmëngjes, toka ime! Mirë se të gjej, o vend i bekuar! Lamtumirë trishtim! ”- pëshpëriti dridhshëm dhe vështrimin e treti mes blusë së thellë të vendit të saj.
    “Aty tek ti, mes kaltërsisë pa anë, shoh të vërtetën, shpresën, parajsën dhe ferrin...”- përfundoi ajo duke ndjekur një pulëbardhë që puthte valët lozonjare, të cilat ndiqnin njëra-tjetrën gjithë gëzim drejt bregut blu të vendit të saj...
   Vazhdon