e diel, shkurt 15, 2015

Intervistë me Artistin e Shquar shqiptar me famë botërore Agim HUSHI





Bisedoi Raimonda MOISIU

Muzika ka qenë pjesa më integrale e jetës njerëzore që në kohët e herëshme. Në Egjyptin e lashtë muzika është e njohur si “mjekësia e shpirtit”. Kur këndon  zëri del i gjallëruar, sepse është ai që jep fuqinë për të lëvizur dhe gjallëron në të njëjtën kohë  jetënnjerëzore. Ndjenjat dhe mesazhi me zë hyn përmes veshëve,  që janë “portat e shpirtit njerëzor”, udhëton thellë në zemër, zgjon atë dhe stimulon reagime, të cilat më pas manifestohen me veprime. Botës së magjishme të muzikës, pa e ditur se cfarë talenti fshihej pas kordave të zërit të  tij, ju bashkua që në moshë fare të re edhe tenor i shquar me përmasa kombëtare e famë botërore, Agim Hushi.  Me një zë  të bukur,  ndjenjë ritmi muzikor të   përsosur, cilësia dhe fuqia e tingullit  me influencë burrërore dhe entusiazëm, melodinë elegante dhe dramatike, emocionante me talent,  mjeshtëri artistike dhe mendim të thellë filozofik, duke  përballuar parte vokale të diciturave të ndryshme, të interpretuara këto, nga Tenori  i shquar Agim Hushi gjatë gjithë këtyre viteve na  kanë dëshmuar se ai i ka të gjitha cilësitë, që ëndrrat e karrierës së tij, t’i bëjë realitete të prekëshme të jetës së një artisti famoz. 
Artisti i shquar shqiptar ka shkëlqer në gamën e gjerë të roleve të lëvruara dhe interpretuara prej  tij, nga skena  e TOB-it në Shqipëri dhe më pas në Teatrot nga më prestigjiozet dhe me emër në  botë, në  Europë, SHBA, Azia dhe Australia e Largët. Duke i hedhur sytë te karriera e tij artistike madhështore dhe e magjishme, që ka pushtuar tashmë skenat botërore dhe vetë tenori  i shquar shqiptar Agim Hushi shprehet se është një ndryshim i madh në jetën e karrierën time: “Është një ëndërra ime e madhe  që në  ato ditë të largëta të fëminisë time të varfër, tek dëgjoja i mahnitur atje në shtëpinë time përdhese, në Kavajë, mrekullinë e zërit të Di Stefanos, Tito Skipos, Ferrucio Tagliavinit”. Kur e pyet artistin shqiptar për rolin e tij më të dashur ai të përgjigjet se  CD-ia “Amore Grande” është jo vetëm një nga sukseset e tij triumfuese  në botë, por edhe një nga ngjarjet më të bukura të jetës së tij. Në këtë intervistë, Artisti Shqiptar me famë botërore Agim Hushi, na rrëfen se si ndodhi që nga studimet për gjuhë letërsi, ai arriti të bëhej një nga tenorët më të shquar në botë, atë ëndërr që shumë këngëtarë në botë e kanë, por pak e realizojnë. Me ndjenjë admirimi dhe mirënjohje ai falenderon të gjitha ata që e kanë mbështetur këtë talent shqiptar me emër në botë –sikundër  edhe e kanë vlerësuar kritikët e artit botëror që;-Botës njëherë në 50 vjet i vjen ky zë i rrallë! Për të mësuar më shumë ndiqni intervistën.

Bisedoi:Raimonda MOISIU


-Kini studiuar për letërsi e psikollogji në Tiranë. Por më pas u zbuluat për  zërin  e jashtëzakonshëm prej tenori. Na tregoni dicka për historinë e zërit tuaj dhe kush  mendoni se një tenor  e bën të jetë i vetëdijshëm, se si ka qenë zëri i tij,  dhe kur keni filluar të këndoni?
Pas mbarimit të gjimnazit, duke qenë se librat dhe letërsia ishin dashuria ime e parë, pa e ditur as vetë se cfarë talenti fshihej pas kordave të mia vokale dhe duke qenë se kisha shkruar plot vjersha, tregime apo dhe drama në shtypin e asaj kohe, bile isha vlersuar edhe me cmime kombëtare,  vazhdova studimet e larta universitare për letërsi. Studime, që më vonë jo vetëm patën atë vlerën dhe rëndësinë e tyre formale, por ato do të  ktheheshin në themel të artiti tim vokal duke i dhënë një permasë të vecantë interpretimit tim si tenor operatik në karrierën time. Pas mbarimit të studimeve kuptova,  se nuk mund të jetoja dot pa kënduar, jo vetëm zëri im,  por dhe pasioni për të kënduar  po i kalonin kufijtë e vetpërmbajtjes. Më duhej te sfidoja gjithashtu  idenë një ankthi të frikshëm; Të jesh një këngëtar opera është gati e pamundur, është një ëndërr shumë e madhe. Por dirigjenti i famshëm, drejtori i parë i Operas shqiptare,  Mustafa Krantja pasi më dëgjoi bëri një vlersim përtej imagjinatës time.
Ai deklaroi me një kurajo që edhe sot e kësaj dite mua më ushton në veshë:- se një zë i tillë një kombi i duhet 50-ë vite t’i vijë. Filluan të më dëgjonin të gjithë ekspertët shqiptarë të vokalit, legjendat e operas shqiptare sikundër; Marije Kraja, Ramiz Kovaci, Avni Mula, Edit Mihali, Nina Mula, Simon Gjoni,Feim Ibrahimi. Ministri i Kulturës i asaj kohe,  profesori i famshëm i estetikës, Alfred Uci mori vendimin më të  jashtëzakonshëm në historinë e Operas Shqiptare.Unë u emërova solist në Operan Shqiptare,  pa asnjë ditë arsimim muzikor. Ishte një ndryshim i madh, i paparë në jetën time dhe tashmë me duhej të tregoja përvec zërit edhe mjeshtërinë time interpretative përkrah yjeve të operas shqiptare sic ishin tenorët;  Ibrahim Tukici, Hysen Kocia, Tatjana Kora, Shqipe Zani, Rozmari Jorganxhi, Mentor Xhemali, Petrika Rambeci, etj. Për këtë arsye kërkova studime të plota të rregullta në Konservatorin e muzikës në Tiranë, sot Universiteti Shtetëror i Muzikës, studime që i kreva me rezultate të shkëlqyera në vitin 1991-ë.
- Ju keni bërë  debutimin e rolit kryesor të një prej operave më të famshme, -Tosca, Cavalleria Rusticana and Il Trovatore, në Tetarin e Operas e Baletit, në  Shqipëri, në vitin 1991-1992. Më pas  ju debutuat në role kryesore e të rëndësishme në Hungarian State Opera, duke përfshirë Manon Lescaut, Turandot, Il Tabarro, Il Lombardi dhe Amel. Si do t’i krahasonit këto  eksperienca të jetës suaj? Besoj se nuk ishte e lehtë kjo shkëputje?
Pas një viti. pas premierës të operas Toska dhe pergatitjes së roleve kryesore nga Opera Trovatore dhe Cavaleria Rusticana,  fitova të drejtën e specializimit të plotë pasuniversitar në Akademin e Muzikës -Ferenz Liszt- në Budapest. Qysh në provimet e vitit të parë komisioni vendosi që unë të ushtroja kanton si solist në Teatrin e Operas të Budapestiti dhe pas tre vitesh studimi, në vitin 1995 unë u emërova si solist me kontratë të plotë në Teatrin Kombëtar të  Operas në Hungari.
Këtu filloj karriera ime ndërkombëtare ku pas interpretimit në kryerolet e operave; Toska, Manon Lescout të Pucinit, Il Tabarros, I Lombardi etj,  me ftesë të Tetrit të Operas  së Australisë së Jugut unë udhëtova drejt kontinentit të largët. Sapo kisha vënë këmbët në një skenë prestigjoze dhe me një familje te re nga pas, me djalin e vogël dhe bashkëshorten u nisëm për një jetë të re....
Por fati sic dukej ishte me mua.
 Dirigjenti legjendar Richard Bonynge, zbuluesi i Pavarotit të madh dhe bashkeshorti i sopranos legjendare Joan Sutherland, që drejtoi produksionin, u shpreh se në jetën e tij, bashkëpunimi me Agim Hushin kishte qenë zbulimi më i madh në jetën e tij.
 Suksesi i Manon Lescout ishte i jashtëzakonshëm dhe bashkë me partneren time Laura Niculesku, ne u quajtëm kasti më i mirë në botë.Dhe nga Opera e Adelaide-s, Opera famoze dhe e magjishme e Sydnei-t hapi dyert për mua dhe bashkë me të skenat prestigjioze të botës mbarë. Në Australi m’u bënë të gjitha vlerësimet e mundshme, tituj nderi, qyetar Australian me motivin talent botëror, më krahasuan me Beniamino Giglin dhe me quajtën tenorin më të mirë të kontinetit për 70 vite. Ka qenë një udhëtim igjatë, i bukur, i lodhshëm, shpeshherë dhe me zhgënjime por rruga e artit është padyshim një kompleks ndërthurjesh, që gjithsesi në fund i ngjajnë bukurisë së një meteori në qiellin e një nate vere.
-Që do të thotë se kini bashkëpunuar me një sërë orkestrash të huaja. A ishte e vështirë të bashkëpunoje me to? Cilat kanë qenë çastet më kulminante të kësaj karriere?
Prej tetë vitesh jam vendosur në kryeqytetin e muizkës Vienë, bashkë me familjen.
Prej këtu e kam më të lehtë të udhëtoj në cdo cep të botës dhe Europës. Po ashtu të këndoj edhe në Tiranë ku kam pasur fatin të jem Radamesi i parë shqiptar, Kalafi i parë shqipatër, Kavaradosi i parë shqiptar dhe Manrico i produksioneve historike të TKOB në operat -Aida, Turandot, Tosca dhe Trovatore. Kina është padyshim shpirtërisht atdheu im i dytë pas Shqipërisë,  bile para Australisë shtetas i të cilit jam. Në Kinë e kam ndjerë veten jo vetëm i mirëpritur, i respektuar por dhe i vlerësuar maksimalisht.
Universiteti i Qingdaos më ka dhëneëtitullin Profesor Nderi.
Kam dhënë koncerte në Qingdao, Tianjing, Peking, Harbin...
Kam dhënë orë mësimi Master, në shumë qytete dhe kam studentë të shkëlqyer kinezë që jo vetëm më duan dhe respektojnë, por dhe më ndjekin nëpër koncertet e mia nëpër botë.
Janë studentë të shkeëlqyer, me shpirt të madh si kombi dhe kultura mijëra vjecare që ata përfaqësojnë.
-CD juaj Amore Grande është konsideruar si një sukses sot. Si kini arrituar në realizimin e saj?
Mund të them pa frikë se Amore Grande është ngjarja më e bukur e jetës time.
Një grumbullim përvoje shumë vjecare, një akumulim shpirtëror i dhimbjeve dhe gëzimeve të jetës sime, i ëndrrave dhe zhgënjimeve të mija humane dhe artistike, i përvojës time vokale dhe i maturitetit tim muzikor e profesional, i një përvoje njerëzore në të gjithë dimensionet e saj,  duke patur para sysh lëvizjet e mia nëpër botë si këngëtar operistik dhe si banor i Budapestit, Adelaides, Sidneit, Singaporit, Kuala Lumpurit, Mynihut, Milanos, Vienës, Londrës, Parisit, Tiranës…Amore Grande erdhi si një fryt i ëndrrave të mija që, nga ato ditë të largëta të fëminisë time të varfer, tek dëgjoja i mahnitur atje në shtëpine time përdhese, në Kavaje, mrekullinë e zërit te Di Stefanos, Tito Skipos, Ferrucio Tagliavinit.
Atje në qytetin tim të varfër un dëgjova për herë të parë edhe Franko Korelin: mësuesin tim të ardhshëm, Pavarottin, Domingon, Carreras.
 Megjithëse ëndrrat e mija të karrierës ishin kthyer në një realitet të prekshëm të jetës time prej tenori. Në pjesën më të madhe të tyre, dalja me një CD-ë timen për publikun botëror vazhdonte të qëndronte para meje si një sfidë edhe më e madhe se vetëe Sydney Opera House apo edhe se role të tillë si Radamesi, Deus Grieux, Manrico apo Calafi, Turiddu apo Canio; kryerole të tenorit që unë i kisha kënduar me shumë sukses në skena të mëdha e të vogla, por i vlerësuar maksimalisht dhe gjithmonë i krahasuar nga publiku dhe kritika me tenorët më të mëdhej të botës.
 Amore Grande erdhi gjithashtu si një kërkesë e kohës tonë, për të plotësuar atë nevojë të dashamirësve të artit të belkantos,  që sot, cdo ditë e më shumë po zëvendësohet me një stil të kënduari të thatë, ku skrupuloziteti teknik dhe matematik i muzikës po dominon mbi kantilenën dhe vetë mesazhin shpirtëror të pjesës muzikore.
Dhe në një farë mënyre nuk kishte si të mos ndodhte ai reagim pozitiv që erdhi, me gjithë frikën dhe ankthin tim të natyrshëm të fillimit, pas tërë asaj pergatitje kolosale të studimit të repertorit, stilit, detajit artistik të cdo pjese; të një orkestre aq të shkëlqyer si Neë Europe Simfonik Orchestra dhe punës së jashtëzakonshme të dirigjentit austriak Andrija Pavlic.
Richard Ëinter, President i Gramolas, shtëpisë më të vjetër diskografike në Austri ishte i pari që pasi dëgjoi CD-në, më telefonoi i pari në Vjenë, i entuziasmuar.
 “Për mua,  megjithëse kam 50 vjet në biznes, CD-ja tuaj -Amore Grande-  është vazhdim i denjë i asaj mënyre të interpretuari dhe arti i të kënduarit, që u ndërpre diku në ditët më të mira të Di Stefanos. Ka kaq shumë emocion dhe art në zërin tënd.”
Ai përmendi dhe një numër tenorësh me emër që këndojnë sot nëpër botë,  por mua s’më interesonte asgjë përvecse të dija c’mendonte për *Amore..*-n time. Këto fjalë më emeocionuan pa masë dhe z. Ëinter,  më kërkoi që të lejoja t’ia dërgonte CD-ë, mikut të tij Zotit Hayman, pronarit të Naxos, në Hong Kong. Por unë i thashë Zotit Ëinter, vjenezit fisnik, se do t’i jepja eskluzivitetin Gramoles në Austri,  por i shpjegova se ia kisha lënë në dorë menaxherit tim në Berlin, z.Richter t’i gjente vendin e duhur Amore Grande-s, ndërkohë që edhe Deutche Gramaphone and disa kompani sollën vlerësime të jashtëzakonshme.
Mund të them se kush e ka dëgjuar *Amore Grande*,  janë shprehur maksimalisht dhe pothuajse  të entuziasmuar për të.Kam marre mesazhe të panumërta nga shumë prej tyre që e kanë dëgjuar CD-në time.

-Dhe gjatë kësaj karriere  mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoz apo i lodhur?Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën dhe të njëjtin motivim për punën e tyre?

Në historinë e incizimeve,  unë gjithashtu kam bërë për herë të parë një gjetje artistike që hap CD-në, si një parathënie,  një bashkëbisedim muzikor i këngëtarit me dëgjuesit e tij.
Dhe aty unë theksoj me fjalët e mija nën shoqërinë e një muzike gati hyjnore, faktin se Amore Grande, ka si qëllim të sjelli më shumë dashuri tek secili prej dëgjuesve.
Të sjelli më shumë dashuri në cdo shpirt, të zbusi sa më shumë dhimbje e të frymëzoj sa më shumë humanizëm ashtu sikundër  në thelb e duam dhe e ëndërrojmë të gjithë realitetin në të cilin jetojmë. Në një botë kaq të agrivuar si kjo e jona sot, jo vetëm ekonomikisht,  por dhe me luftra e urrejtje, kur edhe artit të vërteë po ia zenë vendin shitsat e shpirtrave dhe menaxherët biznezmen, ku pak ose aspak mendohet për vlerat e vërteta dhe për efektin shkatërrues në shoqërinë njerëzore, që shkakton mungesa e edukimit shpirtëror, sentimental, ndjenja e së bukurës reale, Amore Grande vjen si një apel për shërim shpirtëror të botës, që po jetojmë dhe një rikthim në vlerat e artit të vërtetë.
Njerëzit me gjithë hallet e tyre, kanë nevojë më shumë se kurrë për artin e madh që e bën shpirtin njerëzor,  jo vetëm më të bukur, por dhe më të arësyeshëm, më rezistent ndaj agresionit mediatik,  ku e vërteta ka pak rëndësi para fitimit dhe parasë.
Amore Grande shpreh gjithashtu dashurin time për gjithcka kam dhënë dhe kam bërë në këtë  CD-i,  dhe sheh me sytë e shpirtit tim këtë botë kaq të bukur, ku jetojmë dhe dëshirën time të sinqertë, për të jetuar të gjithë dhe kudo në harmoni.
Amore Grande është një amalgamë i fuqishëm emocionesh pozitive që bashkë me momentet sentimentale, ndoshta dhe me ca pika lotësh,  sjell forcë dhe rizgjim për cdo shpirt njerëzor të fjetur.

-Cili është sekreti i suksesit tuaj profesional në jetën e përditëshme? Jeni vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare? Sa ndjeheni i vlerësuar për punën tuaj, dhe cfarë do të thonë cmimet për një artist, si Ju? Kanë thënë për tenorin Agim Hushi…

Të jem i sinqertë me ju, reagimet e para për CD ishin kaq befasuese sa ato nuk kaluan as vëmendjen e zyrtarëve të rrangjeve të ndryshme.
 Ishte ideja e menaxhmentit tim që t’ia dërgonte edhe disa personaliteteve botërorë,  CD-në, si dhuratë, nisur nga fakti se CD-a në vetëvete ishte një arritje e nivelit botëror.
Dhe reagimi s’vonoi.
Kam marrë letra dhe vlerësime  me fjalët më të bukura dhe mjaft prekeëse nga Giorgio Napoletano, Kancelarja Merkel, Elisabeta e II e Anglisë, Fisher, Barrosa.
Janë shumë dhe nuk mbahen mend të gjitha. Nga mesazhet më të bukura mund të rendis atë të gazetares Anila Basha,  që tha se nëse doni ta jetoni jetën më bukur dëgjoni *Amore Grande* të Agim Hushit. Më lejoni t’i referohem një burri të mëncur dhe artdashës shkodran, një artist dhe hulumtuesi të artit dhe historisë së Moisiut dhe Diasporës këtu në Vjenë, z. Pjetër Logoreci. Ja cfarë shkroi ai në Face Book-un,  e tij:
 “Agim, nuk pushoj së ndigjuemit diskun,  ska të numrueme sa herë e kam vu në I-pod dhe zani jot asht frymëzimi i ditës, pranvera e cilun nëpër sythat e pemëve, flladi i lehtë qi peërkund valët e Danubit, gëzimi e dashnija për familjen, kanga e zogjve të prandverës qi vjen e shtohet. Nuk di ma c’ka me shkru; DISKU YT ASHT NJI VULLKAN NDJENJASH, PASIONI E MIRËSIET! I lumi ti për këtë vepër madhështore qi ka me mbet’ në historinë e muzikës. Ke arritë majat, të tjerët janë tanë mbas tejet.” Kuptohet cfarë ndjen një artist kur lexon si vlerësohet kënga e tij, kur zëri dhe mesazhi tij shpirtëror kthehet në një impakt të fuqishëm emocional, frymeëzues tek deëgjuesit e tij. Mesazhit të Robert Brandshtoter, drejtorit të Viena Konservatorium që më tha: “Kjo është CD-a e parë në jetë,  që e kam dëgjuar dy herë familjarisht pa e ndaluar për asnjë moment. Ndërsa Deuthche Gramafone e ka quajtur një lumë i furishëm ndjenjash.  Janë vërtet shumë mesazhe.  Pa dashur të bëj modestin,  ju siguroj se cmimi më i madh për artistin janë njerëzit e zakonshëm cdo ditë, kudo ku më takojnë dhe më shprehin mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre për artin tim.
Nuk ka cmim më të madh se sa kur njerëzit pavarësisht dekoratave apo vlerësimeve formale luajnë CD-në tënde në shtëpia, në makinat e tyre...
Sigurisht që dhe vlerësimet institucionale janë shprehje të vlerësimit zyrtar dhe nuk mund të rrij pa falenderuar në këto momente Presidentin Bamir Topi për cmimin Mjeshtër i Madh, Bashkinë e Kavajës për titullin Qytetar Nderi, Kryeministrin e Australisë për titullin Emerging Artist of the Year 2000, Fondacionin Jean Potter për Titullin e Karrierës, Universiteti i Qingdaos në Kinë për Titullin Professor....
Cdo titull është një vlerësim, por dhe një mirënjohje nga ana ime,  që me kalimin e kohës vec rritet për të gjithë ata persona të mëdhej dhe institucione që nderuan kaq shumë punën dhe arritjet e mia.Por s’mund ta fsheh se Titulli Qytetar Nderi nga qyteti im, Kavaja është gëzimi dhe nderi më i madh, që i është bërë jetës dhe arritjes time profesionale...

-Ju gjithashtu keni debutuar në Australi, Zelanda e Re, , Kinë, SHBA, Malajzi, Singapor, Brunei, Dubai, Hungari, Gjermani, Rusi, Sllovenia, Maqedoni, Kosovo, Kroaci, Cekosllovaki, Rumani,  Bullgari, Francë, Greqi, Qipro, Danimarkë, Itali, Spanjë, Brtani, Zvicër, Shqipëri dhe  Austri. Besoj se nuk ishte e lehtë kjo shkëputje?

Padyshim cdo koncert apo evenimet artistik sado i vogël apo i madh qoftë ai ka vlerën e tij unike.
Njohja me kultura të ndryshme, takimet me liderë dhe personalitete të ndryshme të botës i kanë dhënë karrierës time jo vetëm larmi por dhe e kanë pasuruar atë. Kam lënë gjurmë në Malajzian Lirik Opera në produksionin e parë historik të kësaj kompanie,  duke kënduar dhe marrë vlerësimet maksimale me  Operan Toska, në rolin e Kavaradosit, ku ka qenë i prënishëm dhe ambasadori shqiptar i asaj kohe në Kuala Lumpur, z.Hajdar Munekaj dhe mbase kjo ka qenë ngjarja më e bukur e jetës time.
Kam kënduar me gjithë shpirt dhe kam marrë jo vetëm duartrokitjet,  por dhe vlerësimet e maksimale nga mijëra spekatorë nëpër botë dhe kritikët janë shprehur me nota maksimale kudo ku kam interpretuar.
Të këndosh për njerëzit, të lëvizësh shpirtin e tyre,  është dicka që vetëm forca religjioze e Zotit dhe e Artistit të vërtetë mund ta bëjë.
Kudo ku kam shkelur kam dhënë nga shpirti im dhe kam marrë urime nga e gjithë bota.
Në Manila, ku isha si i ftuar i Gloria Arroja, jam mahnitur,  kur pas koncertit tim presidentja në darkën e shtruar me këtë rast më tha se dramaturgu më i madh filipinas, -Sheksipiri Filipinas- emrin e të cilit për fat të keq nuk e kujtoj. Disa nga ngjarjet e dramave të tij i kishte me subjekt nga Shqipëria.

- Në cdo lloj karrierë –nënkuptoj karrierën tuaj në botën e artit e të muzikës operistike, keni menduar ndonjëherë se do të ishte më mirë të zgjidhje një karrierë tjetër? Cfarë nënkupton shpirtërisht dhe në karrierë  Australia  për Ju?
Jo. Asnjëherë s’kam menduar se kam gabuar në zgjedhjen time.
Artin e Operës  e kam dashur dhe punën me zërin e konsideroj si një nga misteret më të mëdha dhe ende të pazgjidhura të qenies njerëzore, me hapësira dhe potencial të jashtëzakonshëm ende të paeksploruar plotësisht.
Australia është vendi që kurorëzoi ëndrrat e mija së pari për një jetë më të mirë për mua dhe familjen time.Vendi që më bëri shtetas të saj për 9 muaj me motivin 'Talent botëror', vendi që më dha nderet dhe ato mundësi të jetoj me dinjitet si qenie njerëzore, por dhe si artist,  duke punuar në një nga operat më të bukura të botës, Sidny Opera House dhe me personalitete botërorë si Richard Boninge apo bashkëshortja e tij legjendare Dame Joan Sutherland që u bënë edhe miqtë dhe përkrahësit e mij më të mirë në kontinentin më të largët. Cdo ditë që kam jetuar në Australi është e mbushur me kujtimet më të bukura ne skenë, me njerëzit e mrekullueshëm dhe natyrën magjepëse të saj.

Si e shihni kritikën a artit sot për sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë? Në opinionin tuaj si muzikant,qytetar dhe intelektual, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe ato ndërkulturore? Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë edhe si shoqëri njerëzore

Është e vërtë  kjo, megjithëse ka një relativitet në cdo vlerësim ashtu si dhe subjektivitet.
Por duke u nisur nga kriteret e vlerësimit profesional të vokalit nuk është e vështirë për një specialist të vërtetë të dalloj një tenor të madh nga një tenor i zakonshëm apo dhe mediokër, që paguan për të bërë zhurmë të madhe në media e kudo...
E të tillë sot në botë ka plot,  që paguajnë të ashtuquajturit menaxhere dhe kompani PR, për t’u bërë reklamë dhe krijuar emër.
Por zhurma dhe emri në fund zbehen dhe ajo që mbetet është vetëm zëri...
Sot bota nuk është më ajo e dikurshmja.
 Është sofistikuar biznesi dhe ia ka zënë vendin e vlerave reale me vlerën e fitimit...
Është fat që unë vazhdoj të këndoj kur në fakt me cilësitë e mija vokale konkuroj pikërisht me ato më të mëdhenjt për të cilët kompanitë e mëdha bëjnë investime kolosale për emrin e tyre.
Mjafton të degjoni disa nga linket e mia në youtube me disa nga emrat që mbahen për të mëdhenj sot në boë dhe mund të nxirrni edhe vetë përfundimin, pa qenë domosdoshmërisht specialist i mirëfilltë, se kush është Agim Hushi.
Ka plot nga ata që e thonë me zë të lartë këtë, artistë shqiptarë që kanë punuar me mua, kritikë dhe artistë të huaj, specialist.
Por gjithsesi,  për fat Shqipëria dhe bota e artit operistik vazhdon të ushqehet me ushqim PR, që kalon nga dyert e pa specializuara të redaksive të gazetave dhe të rubrikave kulturore. Do duhet kohë që njerëzit të dallojnë tingullin e vërtetë përtej zhurmës së paguar.
Personalisht ndihem plotësisht në paqe me vehten dhe arritjet e mija dhe mbi të gjitha e dij shumë mirë se kush jam dhe cilat janë vlerat e mija.

Mendoni në të ardhmen të  riktheheni në Shqipëri?

Unë në Shqipëri kam filluar karrierën time,  shumë i ri dhe është normale, që të kontribuoj për atdheun tim. Jam i bindur se do të kthehem një ditë në atdhe i mirëpritur nga publiku im, që më ka ndjekur dhe duartrokitur ndër  vite.

-A jeni duke punuar në ndonjë projekt tani-për –tani? A mund të na jepni ndonjë informacion në lidhje me të?

Janë vërtetë shumë!
Unë nuk jam supersticioz, por s’më pëlqen të flas për ato që do të bëj,  por për ato që i kam bërë.
Mund tju them se koncertet nëpër botë, një CD tjetër me ariet më të bukura për tenor, të kompozoj, të përfundoj librat e mijë master klasat,  të hap ekspozitën e parë të piktures.

Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU