Nga Vepror Hasani
Dhe e bënë me besa besën/, ja të rrojnë ja të vdesën/, ja të mprojnë abecenë/, me gjithë shpirt sa gjallë të jenë…” Këto vargje janë shkruar për djemtë e Korçës nga Thanas Viso Mborja.
Ditë më parë djemtë e Korçës kishin dëgjuar se tashmë e në vijim, gjuha shqipe do të shkruhej me alfabetin turko-arab. Lajmi i përhapur kishte qenë befasues për ta. Si ishte e mundur të ndodhte kështu? Nuk donin ta besonin, madje nuk mundeshin. Që nga ai çast nisën të protestonin. Protestat vijuan për disa ditë me radhë. Rebelimi i tyre po shndërrohej në një kryengritje të vërtetë. 3 shkurti i vitit 1910 shënoi kulmin e zemërimit të tyre. Ata, rreth 30 nxënës, vendosën që atë mëngjes të braktisnin gjimnazin turk. Por, së pari, do të bënin të njohura kërkesat e tyre, do të vinin në dijeni drejtuesit më të lartë të arsimit dhe qeverisë dhe në rast se urdhëri i dhënë nuk do të tërhiqej mbrapsht, atëherë kthim për ta në gjimnazin turk nuk do të kishte. E dinin mirë se sa e rëndësishme ishte gjuha shqipe për shqiptarët. Pa gjuhën shqipe ata nuk do të ishin askushi. Këtë lloj dëshpërimi e kishin parë edhe te prindërit e tyre ditën kur u mbyll mësonjëtorja në vitin 1902. Deri në rihapjen e saj, trishtimi nga sytë e tyre nuk u hoq për asnjë ditë. Vërtet shkolla e vashave nuk u mbyll, por edhe vajzat vazhdonin të qëndronin me kokën ulur e të drojtura me frikën se edhe shkolla e tyre mund të mbyllej ashtu si e djemve. Ndaj djemtë e Idadijes kishin shpërthyer në rebelim. Nuk do të lejonin më nëpërkëmbjen e gjuhës shqipe. Arsyet e tyre ishin të shumta. Ne do t’i shpjegojmë ato gjatë rrëfimit tonë. Pas përfundimit të protestës, djemtë e Idadijes do të shkonin te Klubi i “Diturisë Shqip”, kështu e kishin vendosur që më parë. U duhej ndihma dhe mbrojtja e Orhan bej Pojanit dhe e miqve të tij. Vetëm atje mund të ndiheshin të sigurtë.
KRYENGRITJA E DJEMVE
Gazeta “Lidhja ortodokse”, 9 shkurt 1910, e përshkruan kështu: “Prej një jave nxënësit e Idadijes u vunë në grevë nga shkaku i shkronjave. Këta të rinj, te të cilët lëvron gjaku i nxehtë, me të dëgjuar që shkronjat (shqipe) janë ndaluar e gjuha shqipe paskëtaj do të mësohet me shkronjat arabishte, u mblodhë e u qanë në direktori që më shkronjat arabishte nuk mësojnë, prandaj iu lutën që t’u mësohet me shkronja shqip. Djemtë muar vivlat edhe shkuan në telegrafanë duke hequr një tejshkrim (telegram) valiut dhe inspektoriatit të mësimit në Manastir…”. Ata po i bënin të ditur gjithkujt se në Idadije do të ktheheshin vetëm atëherë kur urdhëri që ishte dhënë për shkrimin e gjuhës shqipe me alfabetin turko-arab të kthehej mbrapsht. Mësonjësit qëndronin në heshtje. I gëzoheshin kurajos së tyre. Gjithnjë e kishin ëndërruar mbërritjen e kësaj dite. Në këtë shkollë kishin dhënë mësim patriotët Sami bej Pojani, Hafiz Ali Korça, Mihal Grameno etj. Nxënësit e kësaj shkollë ishin shëmbëlltyra e mësonjësve të tyre. Vitin e kaluar, kur për herë të parë u dhanë provimet e gjuhës shqipe, ata e kishin festuar atë ditë si një ngjarje të rrallë. Gazeta “Lidhja Ortodokse”, 10 korrik 1909, shkruante: “ Më 30 qershor u bënë provimet e gjuhës shqipe në Idadie (gjimnasto) të Korçës. Me gjithë që gjuha shqipe nuk ka përveç 5 muaj që është kaluar në shkollë, nxënësit mundnë të rrëfejnë dashurinë për gjuhën kombiare e të shpërblejnë mësonjësin e tyre z. Mihal Grameno. Komisioni që përbëhej për këtë mësim prej Orhan bej, Loni Llogori, Çerçiz bej (është fjala për Çerçiz bej Pojanin) dhe Lytfi bej, (biri i patriotit të madh Ymer bej Zavalanit), mbetën fort të kënaqur nga përgjigjet e nxënësve”.
SHQIP EDHE NË SHKOLLAT TURKE
Me rebelimin e tyre, djemtë e Idadijes i kishin thënë jo, kthimit mbrapa. Një gjë e tillë nuk kishte për të ndodhur kurrë. Që nga dita e parë e çeljes së Mësonjëtores së parë shqipe (7 mars 1887) kishin kaluar 13 vjet. Gjuha shqipe kishte përparuar me shpejtësi të pabesueshme. Nxënësit dhe patriotët kishin këmbëngulur që gjuha shqipe të hynte edhe në shkollat turke. Fillimisht kërkesa e tyre ishte konsideruar si një marrëzi, por në të vërtetë kishin mundur t’ia delnin mbanë. Në vitin 1908 gjuha shqipe u bë pjesë e programit të shkollës turke. Lajmi u publikua edhe në faqet e gazetës “Korça” të Sami bej Pojanit: “Për gëzimin e të gjithë shqiptarëve, gjuha shqipe hyri në Idadije. Klubi rekumandoi për mësonjës Mihal Gramenon. (Gazeta “Korça”, 24 shënëndre 1908). “Një vit më vonë u mësua gjithashtu se “mësonjës për gjuhën shqipe në shkollën gjimnasto të Korçës u zgjodh direktori i gazetës, z. Sami Pojani”.(Gazeta “Korça”, 1 vjesht’ e II-të 1909). Ato kohë pati edhe një lajm mjaft të rëndësishëm, aq sa për shumë njerëz u duk si i pabesueshëm. Ja çfarë thuhej: “Zonjat e Korçës po krijojnë një shoqëri për të përhapurit e mësimit midis zonjave që nuk kanë mundur të mësojnë diturinë, shprehim se kjo shoqëri e vjejtur do t’i shërbenj kombit shqiptar. Padyshim se të gjitha zonjat shqiptarka do t’i zgjatin dorën kësaj shoqërie dyke ndihmuar me çdo farë gjë”. (Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909). Për djemt e Idadies kjo ngjarje do të mbetej e paharruar. Edhe nënat e tyre dëshironin të mësonin shqip. Të njëjtën dëshirë po shihnin edhe te etrit e tyre. Lajmi i radhës ishte: “Në klub, (gjithnjë është fjala për klubin “Dituria shqip”), do të zënë të epen mësime edhe natën me të pamësuarit”. (Gazeta “Korça”, 6 mars 1909). Atëherë si mund të mos ngrinin krye djemtë e Idadijes, kur edhe prindërit e tyre dëshironin të mësonin shqip, madje duke shkuar në klub për të mësuar edhe në orët e vona të natës.
KASABAJA
Të gjitha këto ndodhnin në lagjet e Kasabasë (Korçës), ndërsa në lagjet e Varoshit, aty ku jetonin ortodoksët, as që mund të mendohej se gjuha shqipemund të mësohej edhe në shkollat greke. Mësonjësit e këtyre shkollave dhe klerikët propagandonin vetëm gjuhën greke dhe mallkonin gjuhën shqipe: “Në konferencën që mbajti direktor’ i gjimnasios të skolisë eleniste tha se vetëm gjuha eleniste lehtëson dialeknë e çdo gjuhe”.(Gazeta “Korça”, 7 janar 1909). Një muaj më vonë gazeta në fjalë, 12 shkurt 1909, shkruante: “Dhespoti i Korçës në kishën e “Shën Gjergjit”, pas dhiadhiqit të të ndjerit Lakçe, si ndanë bukët nëpër të varfërit, mbajti një fjalë të gjatë, ku tha se për të vajtur krishterimi përpara lipset gjuhën e vet ta mësojë dhe ta shkruanj me shkronjat e gjuhës elenishte, se përndryshe, si që nuk kanë për të përparuar, ashtu dhe do të humbasin fen’ e besën e tyre!!” Po kjo gazetë do të denonconte herë pas herë: “Në shkollën greke të çupave po mblidhen mjaft groshka (të holla) prej çupave që lajthitin (harrojnë) e flasin ndonjë fjalë shqip në shkollë. Është vendosur një nom (rregull) prej direktreshës së shkollës se ajo çupë që do të flasë shqip do të paguaj një grosh. Pra, sa fjalë, aq edhe groshka…”. (Gazeta “Korça” 12 vjesht’ e III-të 1909). Shembuj të tillë janë të shumtë, ndaj nuk po zgjatemi më tepër. Megjithatë, djemt e Idadijes prisnin që edhe djemtë e gjimnasios grek të ngriheshin në kryengritje e të kërkonin që gjuha shqipe të hynte edhe në shkollat greke, por kjo gjë nuk ndodhi.
HOXHALLARËT NË NDIHMË TË SHQIPES
Sigurisht, djemtë e Idadijes kishin patur edhe arsye të tjera për të shpërthyer në rebelim. Çdo ditë që kalonte, dëgjonin se edhe hoxhallarët po bënin të gjitha përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe, atëherë si mund të rrinin ata duarkryq? Përpjekjet e hoxhallarëve po publokoheshin edhe në shypin e kohës. Po citojmë disa prej tyre: “U dha urdhër që gjithë hoxhallarët e fshatrave të vijnë në klub të Korçës që të mësojnë shqip për të mësuar djemtë”. (Gazeta “Korça” 24 shënëndre 1908). “Prej 15 ditësh hoxhallarët e fshatrave po mësojnë në klub dhe për së shpejti do t’u jipet diplomë që të venë të mësojnë djemtë shqip”. (Gazeta“Korça”, 22 janar 1909). “Gjer më sot 70 hoxhallarë mësuan në klub gjuhënshqipe dhe shkuan në fshatra për të mësuar djemtë”. (Gazeta “Korça”, 6 mars 1909). Mund të duket e pabesueshme, por gjuha shqipe kishte hyrë edhe në xhaminë e Korçës: “Për të parën herë në xhami të Korçës, Mevludi (Lindja e Profetit Muhamed), u këndua në gjuhën shqip. Dëgjonjësit qenë aq të shumtë sa xhamia nuk i nxinte. Të gjithë mbetën të kënaqur se kishin shumë kohë që këtë mevlud e këndonin në gjuhë tjetër, po kurrë nuk u ka bërë një përshtypje kaq të mirë dhe të madhe. Prandaj urojmë Hafiz Alinë, i cili e këndoi dhe e ka përkthyer këtë vivël në gjuhën shqip. Padyshim dhe shumë gjëra të tjera që do të përkthehen shqip do të këndohen nëpër xhamitë. (Gazeta “Korça”, 31 mars 1909). Ndërsa krejt ndryshe ndodhte në kishat e Korçës. Ja një këqardhje që shkruhej te gazeta “Korça”, 5 vjesht e III-të 1909: “Një tejshkrim nga Bukureshti na lajmëron se më një të nëntorit u bë një meshë në gjuhën shqipe në kishën “Shën Gjergji” të Bukureshtit prej priftit shqiptar Harallamb nga Berati… I lutemi Zotit të na sjellë edhe neve lumtësin’ e madhe që të dëgjojmë të meshuarit në gjuhënshqipe edhe në kishën “Shën Gjergji” të qytetit tonë” (Korçës). (Gazeta “Korça’ 5 vjesht e III-të 1909).
TE KLUBI “DITURIA SHQIP”
Të gjitha këto për djemtë e Idadijes kishin qenë nxitje të fuqishme për të shpërthyer në rebelim. Pastaj, kur kryengritja kishte marrë fund, nxënësit eIdadijes braktisën shkollën. Nuk mund të qendronin më shumë atje. Ruajtësit e rendit mund të mbërrinin nga çasti në çast. Brenda vetes filluan të ndjenin një farë ankthi. Po tani? Çfarë do të ndodhte pas kësaj? Ishte rebelimi i parë i tyre. Mos vallë njerëzit e qeverisë do të vinin dhe do t’i arrestonin nëpër shtëpitë ku banonin? Nuk ishte çudi që mund të ndodhte edhe kështu, por ata e kishin bërë me besa-besë: “… që të mprojnë abecenë/, me gjithë shpirt sa gjallë të jenë/…”. Megjithatë, kishin nevojë të mbështeteshin diku, dëshironin të dëgjonin një fjalë të mirë, të dilte dikush e t’u jepte kurajo. Ku të shkonin? Shpirti i tyre mund të gjente qetësi vetëm te klubi i “Diturisë Shqip”. Në të vërtetë kështu e kishin vendosur që nga dita e parë e fillimit të protestës. U nisën për atje. Orhan Pojani dhe trimat e tij do t’u dilnin në mbrojtje. Ishin të sigurtë për këtë. Shtëpia e “Diturisë shqip” ishte shtëpia më e ngrohtë e gjithë Korçës. Atje e ndjenin veten si në shtëpinë tyre. Hapën portën dhe hynë brenda. Te shtëpia e “Diturisë shqip” gjetën vetëm Thanas Viso Mborjen, i cili kujdesej për atë shtëpi. I vështroi me kureshtje dhe habi djemtë që po hynin njëri pas tjetrit. Sytë e tyre tregonin se diçka kishte ndodhur. Ndiheshin të shqetësuar. “Çfarë ka ndodhur?”- i pyeti. Dhe djemtë nisën t’i rrëfenin gjithçka që kishte ngjarë. I treguan për protestën dhe vendimin që kishin marrë për të mos u kthyer në Idadije. Për Thanas Mborjen ishte lajmi më i mirë që po dëgjonte. “… U gëzova shumë për këtë gjest të bukur patriotik të këtyre nxënësve shqiptarë, shkruan në kujtimet e tij Thanas Mborja. Për guximin dhe patriotizmin që treguan, i lavdërova…”.
VJERSHA E THANAS MBORJES
Thanas Mborja dëshironte të bënte diçka më shumë për djemtë që kishin mundur të jepnin një shembull kaq të shkëlqyer. Në kujtimet e tij, ai shkruan: “U shtrova një drekë dhe i mora në fotografi. ( As sot nuk dihet ku ndodhet ajo foto). Për kujtim të tyre, vijon Thanas Mborja, dhe në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që na dhanë në çështjen kombëtare, unë iu thura dhe një vjershë”: “Rrofshin djemtë e Idadisë/, ata bijt e Shqipërisë/, ata për qëllim të shenjtë/, s’e kursyen jetën e shtrenjtë…”. (Poezinë do ta sjellim të plotë gjatë rrëfimit tonë). Thanas Mborja ngriti kokën dhe vështroi sërish nga djemtë e Idadijes. Tashmë ata dukeshin më të qetë dhe kishin filluar të ndiheshin të sigurtë. Në vështrimet e tyre u buronte së brendshmi një lloj lumturie që nuk mund ta fshihnin dot. E dinin që kishin bërë diçka të mirë dhe njerëzit nuk do t’ua harronin kurrë. Kur ta merrte vesh Orhan bej Pojani dhe miqt e tij, gëzimi i tyre nuk do të kishte të sosur. Shkolla shqipe ishte zemra dhe shpirti i tyre. Orhan Pojani dhe miqt e tij ishin burra të guximshëm dhe nuk e kishin frikë vdekjen. Edhe djemtë e Idadijes dëshironin të ishin si ata.
TË ISHIN SI ATA
Pikërisht në këto çaste, të mbledhur rreth tavolinës që Thanas Viso Mborja kishte shtruar për nder të tyre, djemtë po sillnin nëpër mend trimëritë e patriotëve, të cilat i kishin dëgjuar nga prindëri e tyre e që më pas do të mbeteshin të shkruara e do të botoheshin kohë pas kohe. Thimi Marko, i dërguar nga shoqëria “Drita” e Bukureshtit me të arritur në Korçë i shkruante Visar Dodanit: “Visar, mos ma kij merakun se mua më ruajnë si dy sytë këta burra të fuqishëm”. Dhe “këta ishin dy burrat shpirtndritur Alo bej Dishnica dhe Orhan Çerçiz beu (Orhan Pojani), të cilët më shkruanin dhe më jepnin kurajo”. (Gazeta “Korça”, tetor 2010). Visar Dodani në kujtimet e tij gjithashtu shkruan: “Në revolucionin e shqiptarizmës ishte ai, (Alo bej Dishnica), dhe i ndjeri Orhan Çerçiz beu me Kapobenë që i ruanin kombëtarët korçarë. (Gazeta “Korça”, tetor 2010). Në të tjera botime nënvizohet: “Pas vdekjes të të ndjerit Alo bej Dishnicës, mprojtja e shkollave shqip të Korçës i kish mbetur si trashëgim Orhan bej Pojanit”. (“Lufta për çlirimin kombëtar në vitet 1878-1912”. Kujtime veteranësh – BajoTopulli). Djemtë dinin gjithashtu se kryetar i komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” për degën e Korçës ishte zgjedhur atdhetari i njohur Sami Pojani.” (Shqiptari”, 1911, libër i përvjetshëm, shkruar nga Hil Mosi e botuar në Stamboll më 1912, f 23). Ja pse ata ndiheshin kaq të sigurtë në klubin e “Diturisëshqip”. Askush nuk do të guxonte të vinte aty dhe t’i arrestonte. Ata dëshironin të ishin po kaq të guximshëm ashtu si njerëzit e “Diturisë shqip”.
ÇELJA E MËSONJËTORES
Djemt e Idadijes po i tregonin Thanas Viso Mborjes se si kishte nisur rebelimi i tyre. Fillimisht kishin dëgjuar për alfabetin turko-arab, pastaj ishin mbledhur të gjithë bashkë dhe ishin betuar me jetën e tyre se nuk do të lejonin asnjë alfabet tjetër, përveç atij shqip. Dhe ndërsa djemtë rrëfenin gjithçka që kishin përjetuar, Thanas Mborja shkruante: “Për ca fjalë që dëgjuan,/ ata rrojtjen nuk e duan/, iu thanë për abecenë/, këto që kanë t’i lenë/, dhe me turçet t’i nxenë/, se këto u mprojnë fenë…”. Djemtë e Idadijes nuk e kuptonin dot se si mund të qëndronin të heshtur kur gjuha shqipe po rrezikohej. Ata e dinin mirë se sa përpjekje ishin dashur për çeljen e Mësonjëtores së parë shqipe. “Çelja e Mësonjëtores shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe përbënte një fitore për të gjithë lëvizjen kombëtare shqiptare. Dita e përurimit u kthye në ditë feste dhe gëzimi..”. (“Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës”, – Hysni Myzyri. Tiranë 1987). “Mësonjës i parë i kësaj shkolle u bë shpirtndrituri Pandeli Sotiri nga Selcka (e Gjirokastrës), i cili me të vërtetë ishte një mëmëdhetar i gjallë edhe me veprim të plotë për mbrothësin’ e gjuhës e të mëmëdheut, i cili duhet të përmendet me nder të madh prej kombit”. Kështu përshkruhej në ato kohë portreti i patriotit të madh Pandeli Sotiri.
PARIA E KORÇËS
Thanas Viso Mborja vazhdonte me thurjen e vargjeve, kushtuar djemve tëIdadijes:
“Këto fjalë kur dëgjuan/, fort tepër u hidhëruan/, dhe rrezikun kur mejtuan/ ata u ngritnë dhe shkuan/, Idadinë ikën e lanë/, Tu mirë mbeç asaj i thanë…”. Djemtë ndiqnin me vëmendje se si po shkruheshin vargjet për ta dhe ndiheshin të kënaqur për gjithçka që kishin bërë. Ndërkohë, vazhdonin të qëndronin në pritje të ardhjes së Orhan bej Pojanit. Djemtë e Idadijes dinin gjithçka që thuhej për Orhanin: “Në një letër të asaj kohe (maj 1887) Thimi Marko i shkruan Visar Dodanit, ku thekson: “Z. Orhan Beut shumë bejlerë i shkruajnë dhe i kërkojnë vivlla (libra). Ky zotëri, që Perëndia i dhëntë të gjitha të mirat, ka mendje, në verë të dalë në gjithë Shqipërinë për të ndezur të gjithë bejlerët dhe të mbledhë ndihma…”. (“Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës”,- Hysni Myzyri. Tiranë 1987). Ndërsa në shtojcën V të raportit të konsullit a-h të Manastirit, Nr 2/sekret, 4 janar 1901, dërguar ministrit të jashtëm në Vjenë, thuhej : “Gjithë myslimanët pothua janë dëshmitarë me të vërtetë të mbrothësisë së shqipes, edhe për këtë kemi dëftesa [dëshmi] të shënuara, të cilat janë këto: 1) Nga çdo fshat e nga qyteti kërkonen’ e blihenë vivlla shqipe me mall të madh, këndonenë me gëzim e me durim edhe të rrallë e të pakë janë ata njerëz që nuk dinë të këndojnë shqip. 2) Letrat a kartratë që këmbenenë ndë mest të këtyre, gjysmatë pothua, shkruhenshqip…”.
KUR SULMOHEJ MËSONJËTORJA
Djemtë e Idadijes vunë re se Thanas Viso Mborja kishte krijuar vargje të tjera: “Dhe e bënë me besa besën/, ja të rrojnë, ja të vdesën/, ja të mprojnë abecenë/, me gjithë shpirt sa gjallë të jenë/. Nga tradhtarët e pabesë/, që mshifen në rrobn e fesë/ dhe si lenë të përparojnë/, shkronjat e bukura të mësojnë…”. Vargjet që sapo kishte shkruar Thanas Mborja ishin tejet të vërteta, por edhe të hidhura e të trishtuara. Kështu kishte ndodhur me Mësonjëtoren e parë shqipe në Korçë dhe gjuhën shqipe. Ajo ishte sulmuar nga tradhtarët e pabesë. Në raportin sekret të konsullit të Manastirit, shkruhet: “… Kjo skoli, e cila u hap me shumë shpresa të mëdha, ndë kryet të herësë kishte më tepër se 100 nxënës, po pastaj dyke shkuarë koha nxënësit’ e asaj u paksuan gjer mbë 40-50, se ndjekjet kundër skolisë, po edhe përint’ e nxënësvet; priftëritë i ndaloj shtrenguarë të mos venë ndepër shtëpirat e kujdestarëvet të skolisë edhe të përinvet të nxënësvet, që të bëninë detyrat’ e besësë, e u kanosej, se po të vdiste ndonjë njeri nga shqiptarët’ e vërtetë, nuk do të epte leje të vihej ky pas radhëvet të kishësë ndë varret të të krishterëvet; grekomanë të këqinj vinin derë mbë derë edhe me mijëra mënyra edhe frikëra të mëdha u kthenin mendjenë atyre shqiptarëve, që ishin të dobëtë, edhe pa turpëruarë asfare u thoshinë njerësvet të shkallës së poshtërë [shtresave të ulta], se i pari qëllim i skolisë shqipe është të kthejnë të krishterët e t’i bënjë myslimanë a të mbajnë gjithnjë Shqipërinë ndënë zgjedhet të rëndë të [Perandorisë Osmane]. Po jo vetëm nga Mitropolia, edhe nga grekomanët kishte pengime të këqinj, por edhe varfëria e skamja nuk kanë qenë pengime të vegjëlë; kujdestarët’ e skolisë nuk kuxonin të kërkonin ndihmëra, se kishinë frikë se mos me të përfolurë të Mitropolisë e të grekomanëvet merreshin nga qeveria si komitër, e hidheshin ndë burk e vuanin më të këqiat pa ndonjë dobi…”. Të gjitha këto djemtë e Idadijes i kishin dëgjuar nga prindërit e tyre
TRISHTIM NË SHKOLLËN E VASHAVE
Në vijim të raportit sekret, dërguar ministrit të Jashtëm të Vjenës, theksohej: “…Dor’ e parë e myslimanëvet gjer vjet me mall të madh dërgonte çupatë ndë skolitshqipe të vashavet, edhe nga shtrëngim i madh e nga të kanosurat’ e rënda prej anës’ së qeverisë i hoqi. Me gjithë këto, shumë do t’i dërgonin’ prapë, po të mos i ndaloninë miq’ që trembenë shumë nga rreziketë. Shumë herë çupat e kësaj dore venë mbë të parë ndë skolit shqipe të Vashavet edhe rrinë si të varfëra e të shkreta, edhe nuk munt të mos i coptonetë zëmra njeriut, kur i sheh që po rrinë si ato foshnja, që shohënë mëmat’ e tyre, po janë të ndaluara t’u afronenë…”. Kësaj kohe të errët po i vinin në ndihmë edhe grekmanët, ata përpiqeshin të përfitonin në çdo kohë e në çdo gjë; herë e shpallnin veten grekër dhe herë shqiptarë, gjithnjë si t’ua donte puna. Raporti sekret i përmendur më sipër e tregon më qartë: “Më e madhja pjesë e grekomanëvet është prej atyreve që hanë llokma e pinë konjak nga kulet’ e kryepriftit, edhe prej miqvet edhe prej far’ e fisit t’atyre. Shumë shqiptarë tregonenë për grekomanë nga të ndjekurat e Mitropolisë, nga të cilat disa u përmentnë, kur ishte fjala për skolinë shqipe. Me pak fjalë an’ e grekomanëvet, kur më shum’ e kur më pak, paksonet’ e dobësonetë; tek an’ e shqiptarëvet po shtonetë e madhonet, ndë mos ndë faqe [hapur], po pa fjalë ndë zëmërë, se intrigat’ e atyre, si edhe të drejtat e këtyre, po zënë të çfaqen’ e të kuptonenë…”.
TELEGRAME PËR DJEMTË E IDADIJES
Tashmë ajo periudhë e errët kishte kaluar. Gjuha shqipe po përparonte. Mbi të gjitha po gjente një mbështetje përherë e më të madhe. Edhe rebelimi i djemve të Idadijes e tregonte këtë. Kryengritjen e tyre e kishin marrë vesh të gjithë. Fjala kishte marrë dhenë. Sigurisht djemtë e Idadijes nuk e kishin menduar kurrë që emri i tyre do të shkonte aq larg. Ata u befasuan kur morën vesh se u kishte ardhur një telegram nga Janina. Pas këtij telegrami të parë do të pasonin telegrame të tjera. Mbërritja e telegrameve u pasqyrua edhe në faqet e shypit: “Nxënësit të Idadijes po marrën tejshkrime nga shokët e tyre prej Janine, Leskoviku e gjetkë duke lëvduar patriotizmin e tyre edhe duke mburrur Korçën. (Lidhja ortodokse, 9 shkurt 1910). Megjithatë djemtë u ndjenë të mrekulluar, kur morën vesh se lajmi ishte pritur me kënaqësi të veçantë edhe nga shkolla e vashave. Ato ndoshta nuk e dinin që në ato çaste për djemtë e Idadijes po shkruhej një këngë: Ato (shkronjat) që i ka gjithë Evropa/, dhe përdor gjithë bota/, këto duan edhe djemt’ e Idadisë/, për përparimin e Shqipërisë. Thanas Viso Mborja pasi ndenji edhe një grimë i menduar shkroi vargjet e fundit të vjershës së tij: “Emri i tyre mos u harroftë/ me shkronja të arta u shkroftë/, në historinë eShqipërisë/, emrat e djemve të Idadisë”.
MBËRRITJA E ORHAN POJANIT
Pikërisht në këtë kohë mbërriti në klubin “Dituria shqip” Orhan bej Pojani me mëmdhetarët. Ata i kishin marrë vesh të gjitha ato që kishin ndodhur me djemtë e Idadijes. Gëzimi i tyre ishte i madh dhe nuk donin ta fshihnin. Orhan bej Pojani i përgëzoi djemtë dhe që atë çast, urdhëroi të krijoheshin klasa të reja te Mësonjëtorja e parë shqipe. Gazetat e kohës e përshkruajnë kështu këtë moment: “Klubi me vrap hapi gjithë dhomat edhe i bëri klasa për nxënësit. Sa për mësonjës muarën barrën këta z. atdhetarë: Myrteza bej Frashëri, Mahmud bej Zavalani, Hasan bej Frashëri, Sazedin Zavalani, Ali bej Frashëri, Hafiz Xhafer Efendi, Muhamet bej Frashëri, Besim Efendi, Nisi Themeli, Xhafer bej Bilishti, Mihal Grameno etj…”. (“Lidhja ortodokse”, 9 shkurt 1910). Djemtë e Idadijes kishin patur të drejtë. Vetëm te klubi i “Diturisë shqip” mund të gjenin mbështetje dhe përkrahje. Ndërkaq, gjithë mëmëdhetarët po mendonin se kishte ardhur koha e organizimit të një mitingu të madh në mbrojtje të shkronjave shqipe, ku të mblidhej gjithë krahina e Korçës. Shumë shpejt do të krijohej grupi i organizatorëve. Ata ishin: Çerçiz bej Zavalani, Mustafa bej Selenica, Stavri Karoli, Xhafer bej Luarasi, Vahid bej Frashëri, Tefik Efendi Panariti, Ali bej Frashëri dhe Rakip Efendi Jemenlli. Mitingu do të mbahej më 14 shkurt 1910.
FLASIN DJEMTË E IDADIJES
Më në fund 14 shkurti kishte mbërritur. Në ballë të njerëzve u vendosën klerikët e besimit mysliman: Baba Xhemali i Kreshovës me 14 dervishlerë, baba Hyseni, dervish Hajdari nga teqe e Turanit dhe 5 dervishlerë të tjerë, shehlerët Qerimi dhe Hasani nga Bilishti, sheh Riza Cangonji, sheh Hysen Piluri, dervish Ahmet Progëri, baba Qazimi i Qatromit etj. Në këtë miting folën: Ymer bej Zavalani, Sami bej Pojani, Grigor Cilka, dhe Hafiz Ali Korça, por mëmëdhetarët kishin menduar që në këtë miting të madh të fliste edhe një nga djemtë e Idadijes. Përpara 12 mijë vetave që ishin mbledhur aty, doli një djalë i ri, Nuri Osmani, ku mes fjalëve të tjera tha: “… Prandaj i lutemi qeverisë të na mbushnjë dëshirën duke mos na trazuar shkronjat q’i kemi të shenjta”. “Rrofshin djemtë e rinj,- ishte përgjigjja e popullit”. (Gazeta “Lidhja ortodokse”, 22 shkurt 1910). Dhe ndërsa Nuri Osmani fliste përpara gjithë njerëzve, shokët e tij sillnin ndërmend vargjet e thurura nga Thanas Viso Mborja: “Dhe e bënë me besa-besën/, ja të rrojnë ja të vdesën, ja të mprojnë abecenë/, me gjitha shpirt sa gjallë të jenë… “Emri i tyre mos u harroftë/, me shkronja të arta u shkroftë/, në historinë e Shqipërisë/, emrat e djemve të Idadisë”.
Sigurisht, kjo histori e rrallë nuk do të mund të harrohej
Vepror Hasani