Vilhelme Vrana Haxhiraj
Loja e mëkatit
fragmenti i
III-të nga romani
Ata të dy, Enkeli dhe Arlindi, të kënaqur dhe të lehtësuar se i dhanë fund
sorollatjes së kërkimit, ndalën makinën. Ndërsa po kërkonin vend për të
parkuar, papritur u afrua një djalë që ndoshta ishte roja i parkingut dhe i
udhëzoi. Më parë i pyeti, nëse do të shkonin brenda apo vetëm ishin kalimthi.
Si u sigurua se këta dy të rinj që për të ishin fytyra të reja të papara, i
drejtoi tek biletaria.
Ajo që e habiti Arlindin, ishte
çmimi i lartë i biletës së hyrjes.
-Pse këtu paguhet edhe për të hyrë
në një bar?
-Ndoshta kanë ndonjë
shfaqje të tipit kabare apo musical(mjuzikël -komedi muzikore apo music-hall
(mjuzikhol-teatër muzikor - variete). E në raste të tilla veç pijeve apo
kafesë, paguan për ta shijuar atë që luhet në skenë apo në një pod të rastit të
sajuar.
-Enkel, mos harro se të tilla i kanë edhe
pagat.
- Kudo në botë, qejfi paguhet shtrenjtë.
Është pjesë e luksit të jetës. E di atë thënien “Pa hedhur paratë, nuk e dëgjon dot fyellin?”
-Jo vetëm atë, por di
që kësaj i thonë edhe... “me para e me
bela!” Jo më kotë gjuha jonë është e thellë, lidhur
me domethënien e çdo fjale apo të shprehjeve frazologjike
-Uroj që të pajisesh
dme dokumente ,atëherë do të flasim për çmimin e gjithçkaje këtu.
-Natyrisht që çmimet shkojnë paralel me të
ardhurat mesatare. Ju të dy ndoshta merrni më pak se ata..., italianët, por
shumë herë më tepër se në vendin tonë.
-As që bëhet fjalë. Unë dhe Vjollca pa
siguracionet sepse na i mbajnë , marrim mbi tre milion lireta.
-Kurse mua dy milion
lireta më bëri vetëm rruga me gomone. E mbi të gjitha nuk e kisha të sigurt se
do të zbrisja gjallë apo edhe mund të më kthente policia. Kur e mendoj thellë,
them se është çmenduri të marrësh një vendim të tillë që mund të të kushtjë
jetën, se kush i qan paratë.
-Nuk thonë kotë: “Më parë të merrë mendtë, pastaj të merrë
gjënë.”
-Por thonë edhe kështu: “Nëse nuk rrezikon apo nëse nuk sakrifikon,
kurrë nuk fiton...”
-Pse ti mendon se jam i fituar?
-Si buka që
ha...Përderisa kalove bregdetin dhe
shkele në tokën italiane pa të ndalur kush, tani nuk të bezdis njeri. Vetëm po
qe se gabon ose punon në punë të zeza si trafikim, grabitje, krime të ndryshme,
atëherë ke shkelur ligjin. Njeriu këtu lind e rritet me rregulla dhe ligje. Nuk
është nevoja t’i thuash se ky apo ai veprim është i ndaluar. Cilido që gabon e bën me dashje.
Me biletat në dorë ata hynë
brenda. Ishin tejet të vëmendshëm në çdo hap që bënin, mes shikimeve zhbiruese
dhe të dyshimta të rojeve të Barit, hynë brenda. Qysh atje në holl, pas shumë pyetjesh nëse
ishin anëtarë apo jo të të atij Bari me emër të lakmuar, i drejtuan për të hyrë
brenda. Rruga që nga porta, nëpër korridor e deri në sallën e madhe, atyre iu
duk si një labirint ku jetonte djalli. Nën tingujt acarues të një muzike
shurdhuese, përshkuan sallën me kujdes
të veçantë dhe duke i bërë sytë katër, vështronin sa andej- këtej për mos të
qenë preh e ndonjë kurthi. U drejtuan
atje ku klithmat dhe ulërimat jo normale, ishin jo njerëzore, por shtazarake.
Pasi panë e kontrolluan me kujdes ambientin përreth, u ulën në një tavolinë
pranë podiumit të rrumbullakët, ku kërcente gjysëm e zalisur e duke u
përdredhur rreth shtyllës, një femër nudo. Aty në atë ambient të paskrupullt e
të ndotur striptizmi, fliste e vërteta lakuriqe, e fshehur pas fasadës verbuese të një
realiteti fars. Në atë lakuriqësi të neveritshme vihej re shumë dhembje, pasojë
e një dhune fizike, morale dhe psikike.Burra të moshave të ndryshme me sy të
shqyer, duke u kapërditur dhe jargavitur, të eksituar kalonin në ekstazë prej pijeve
të shtrenjta ekzotike që i çonin në botën e ëndrrave , natyrisht jashtë çdo
lloj realiteti. Të dy të sapoardhurit kishin ngelur të shtangur aq sa nuk
dëgjonin kamerieren, e cila ishte gati-gati e zhveshur që për pak desh u
përplasi gjokset lakuriq në turinj. Kur aroma e parfumit të rëndë, që përdoret
në vende të tilla ku bëhet qejf i shfrenuar, iu përplas në hund, u kujtuan të
jepnin porosinë, pasi e matën atë nga këmbët e deri te fundfijet e flokëve.
-Signori, avete qualcosa?
-No,no...,niente...
-Ma...,perché mi
vederti cosi? Forse
assomiglia con qualcuno?
-La signorina bella, l’occhio non è vietato?! Ci ha
ricordato come angelo o fata, che venite da un mondo diverso, forse dallo
spazio?! Sei così bella come una ninfa ... Pertanto nessuno non si può chiudere
gli occhi di fronte a una tale bellezza. Per favore perdonaci di nuovo per il
disturbo!- parlavano loro insieme.
-Si
prega di un doppio scotch con ghiaccio, -chiese Arlindi.
-Lo stesso vale anche per me -
ha incontrato Enkeli.
( -Zotërinjë, kishit
ndonjë gjë ?
-Jo,jo...,asgjë
-Po përse shikoni ashtu?
-Zonjushë e bukur, syri nuk është i
ndaluar?! Ne kujtuam sikur ishe engjëll apo Zanë, që ke ardhur nga një botë
tjetër, ndoshta nga hapësira. Je kaq e bukur si një hyjneshë... Ndaj askush nuk
mund t’i mbyllë sytë para një bukurie të tillë . Sërishmi, na falni për
shqetësimin!- folën të dy duke vështruar njëri-tjetrin.
-Ju lutem një dopio scotch (skoç) me akull, -
kërkoi Arlindi.
-Të njëjtën edhe për mua,- plotësoi
Enkeli.
Vajza thuajse lakuriqe u largua duke tudur
vithet, kurse ata të dy sikur ishin në një mendje...Por më i zhgënjyeri ishte
Arlindi që sapo kishte zbritur në Itali.“Kjo
qenka bota që aq shumë kishim ëndërruar?! Po sikur kjo vajza që kacavaret në
tub të jetë shqiptare?! Nuk e njoh, jo...Cila do qoftë, edhe armikja ime, është
njeri. Nëse një femër kërkon të mbrohet, mos ia kurse ndihmën. Oh, sa shumë më
dhembka për të...”-logjikonte secili më vete mes një rënkimi të mbytur.
Gjithsesi ata të dy nuk e humbën torruan, por vazhdonin të kërkonim me sy nënën
e djalit, sipas një fotografie që mbante vogëlushi , të cilën e kishin marrë me
vete.
-Të lutem shikoje me vëmendje? Nuk e
dallon? Se ç’ka në vështrimin e saj,- pyeti befas Arlindi që kërkonte të
zhbironte vajzën lakuriqe, mbi trupin e së cilës ishte vetëm një rrip tanga
vezulluese.
“Ai
trup i skalitur si piktura e Botiçelit, “Rilindja e Venerës” (Rinascere di
Venere), ajo lakuriqësi i siell ndërmend Komedinë Hyjnore të Dante Aligierit kujtdo
që e ka lexuar. Jam i ri për të gjykuar thellë, gjithsesi jam mëse i bindur se
lakuriqësia femërore nuk ka qenë pjellë e fantazisë, as trill apo tekë e
piktorit, skulptorit dhe shkrimtarit ose
filozofit të cilët e kanë paraqitur me detaje që nga antikiteti e deri në ditët
e sotme. Mendoj se ka qenë pasqyrim i një realiteti të dhunshëm, jashtë çdo
norme morale, ku në syrin e artdashësit përçmimi ndaj femrës. Ndoshta duke e
paraqitur në këtë mënyrë, të zhveshur, ata kanë dashur të tregojnë se edhe pse
me një bukuri mahnitëse që shkon deri në magjepsje, një mrekulli tej së
përkryerës, me seksin delikat meshkujt, të fuqishmit mund të bëjnë ç’të duan.
Këto vepra arti që i përkasin nudizmit, a nuk janë një thirrje ,një apel për
shoqërinë, se sado ta zhveshin femrën, kurrë nuk mund ta zhveshin shirtërisht
dhe mendëlrisht. Pikërisht aty qëndron edhe bukuria, jo te përulja e saj,por në
bukurinë e shpirtit, të cilin nuk ia zhbirojnë dot që ta përdhosin. Edhe kjo vajzë si një skulpturë e mesjetës
duket e mjerë , e pafajshme. Ndryshe janë dy vajzat e tjera. Sjellja e tyre
vulgare nuk reflekton asgjë të mirë por pështjellim dhe neveri....”-
mendonte Arlindi teksa i drejtohej shokut.
-Për kë e ke fjalën?
-Kërcimtarja pra...nuk di se ç’ka në
gjithë qenien e saj? Ka një shikim të zbrazët dhe mjeran, sikur nuk jeton këtu.
Duket shumë e pikëlluar.
-Kush e ka detyruar të kërcejë nudo?
Natyrisht që i pëlqen lakuriqësia. Kush
lakmon qejfin e shfrenuar, jetë pa kokëçarje, veshje dhe paratë, humbet çdo vlerë
si qenie njerëzore..
-Askush s’e di cila është arsyeja që ajo
gjendet këtu... As ti dhe as unë nuk e dimë të vërtetën rreth saj, ndaj nuk
duhet ta paragjykojmë. Nuk e kemi këtë të drejtë. Pa e njohur, pa e ditur se
çfarë e ka detyruar të punojë aty, nuk
duhet folurpara kohe.
Atë kohë një mjekërcjap me një të kërcyer
u ngjit sipër. U drejtua nga ajo dhe iu afrua
ta puthte... Dy nga ata të sigurisë së lokalit e larguan, por ai ngulte këmbë.
Atëhere e hoqën zvarrë. Kur vunë re se ai s’hiqte dorë, e nxorën jashtë me
dhunë. Deri aty mbërrinin britmat e tij: “
Kam paguar jo vetëm për kërcimin por edhe të kaloj natën me të...Qejfin që e
blej me para, nuk ka të drejtë askush të ma mohojë. Do të ma paguani shtrenjtë
këtë sjellje të dhunshme dhe mohuese.”- çirrej, por më kot.
-Ma jep fotografinë se do të pyes dikë. Ndoshta e njeh dikush,-nuk iu durua
më shokut . U kthye shumë shpejt, madje
para çdo parashikimi.
-Bëre gjë?- pyeta gjithë ankth.
-S’ka portë që s’e hap paraja, miku im. Ti a nuk e çave detin me para?
Të gjithë ne që emigruam, kemi bërë urë në det. Ty dhe mua nuk na pëlqen,
por fatkeqësisht ishte ajo që po
kërcente.
-Kush, kush ishte ajo?
-Është pikërisht ajo që po
kërkojmë ne, Arlind. E ëma e djalit që erdhi të gjejë nënën...është ajo, një
striptiste, një lavire që shet veten. Bëmë gabim që erdhëm pa pasur asnjë të
dhënë për të.
Nga fjalët e tij ai ngeli pa gojë.
Ishte hutuar aq shumë sa nuk donte ta besonte, pavarësisht se ishte një
realitet i pamohueshëm, që s’e kundërshtonte dot as ai dhe askush tjetër.
-Jo, jo...S’ka mundësi...A mund
të degradohet një grua, një nënë e aq më tepër një femër shqiptare deri në këtë
masë, sa të reklamojë hiret trupore, që janë pronë e saj dhe e drejta që t’i
shijojë, është vetëm e të dashurit të saj. Vetëm atij që e do me shpirt dhe
zemër, burrit që i beson gjithçka,,me të cilin do të ndërtojë një të ardhme, ka
të drejtë ta shijojë atë lakuriqësi, - belbëzonte ai hidhur. I vinte keq për
të, sikur ajo ishte një njeri i i njohur, apo një e afërme e tij. “Çudi! Edhe raca, gjuha apo kombësia të lidhë
me dikë që, megjithëse nuk e ke parë e takuar kurrë dhe çuditërisht ndjen mall
apo dhembje për të...Ndoshta është një ndjesi vetëm e jona. Për ne shqiptarët e
mirëfilltë familja ka qenë dhe do të mbetet e shenjtë, e paprekur. Kombi hedh
rrënjë në familje...,ndaj ajo ruhet e paprekshme, ashtu si dhe kombi.”
-Arlind, çfarë ke? Më duket se
nuk më beson. Mos kujto se jam indiferent.
Edhe mua më dhemb po aq sa ty... Vajza që pyeta, ishte mikja e saj.
-Enkel, tani i besoj
mediat, që kronikat e zeza i kanë prë shqiptarët. Ndoshta jo qind përqind, por
e vërteta qenka tejet e hidhur për ta besuar. Pavarësisht se nuk pranohet nga
njerëzit që ruajnë zakonet dhe traditat, por realiteti me gjithë ngjyrat,
format dhe përmasat e tij në botën e egër të mbijetesës është më se i prekshëm,
i pashmangshëm.
-Mos i beso të gjitha ato që
thuhen në media. Janë politikë e ndyrë e segmenteve të caktuara për të
përdhosur imazhin për ne dhe vendin tonë.
Duke akuzuar, ruajnë pozitat e tyre fitimprurëse, dhe nuk ngjallin
dyshime se trafiku i qenieve njerëzore është i organizuar. Besomë se është për
të tërhequr vëmendjen nga ato fenomene që duhen luftuar. Të padisësh krimin,
ndërkohë që e organizon vet, do të thotë të flasësh me gjuhën e korrupsionit
-Më vjen keq për të birin.
Bëri gjithë atë rrugë, që mund t’i kushtonte shumë shtrenjtë dhe së fundi do të
zhgënjehet. Sa me ankth e ka pritur takimin me nënën! O Zot, më jep pak mend që
të gjej një mënyrë për të mos e lënduar shpirtin e atij filizi të njomë.
-Unë nuk di si ka mbërritur deri aty. Them se këtë fat, ndoshta dhe më keq,
kanë pasur gjithë ata apo ato që u gjendën në rrugën e madhe, - e shfajësoi
shoku, duke ndërruar mendim.
Mbaruan skoçin, shlyen detyrimin
dhe kaluan nga hyrja anësore, ku duhej t’i
priste ajo.
Një ngjyrë e purpurtë si e
avullt, që ngjante me një mjegullnajë, i detyroi të ecnin me kujdes, deri sa të
ambientoheshin me gjysëmerrësirën mes përshkënditjes së flakëve të djallit.
Prisnin në ankth, ku çdo sekondë të duket një shekull. Kishin ngelur të
shtangur nga ato korridore e kthina misterioze, me efektet që japin ngjyrat e
ferrit, të cilat u kallnin datën atyre
që janë meshkuj. Po ato që janë femra si ia bëjnë vallë?!
Kishin ngelur në pritje të ethëshme dhe për fat të keq asnjë portë
nuk dukej të hapej. Para tyre ishte një minibar plot pasqyra dhe qelqurina që
shndrisnin nën efektet e dritëhijeve të atij Bari të molepsur.
“Mos vallë e gjithë kjo heshtje ishte një mashtrim?!
Ndoshta...ndoshta...”-mendonte Arlindi në ankth, sikur donte të ritakonte
një motër a një të afërme që kishte dalë nga rruga e Zotit. Gjithsesi
ciladoqoftë ajo, ishte një bijë nëne, ishte një nënë, që ai donte ta ndihmonte
për të dalë nga bataku ku e kishte zhytur fati. Por në një çast të vetëm, u
shua shpresa për të bërë diçka me vlerë. E kuptuan se pritja ishte e kotë dhe
nuk kishin gabuar.
Në sekondë sikur mbiu nga dheu
një burrë i pispillosur , i cili nuk i vuri re fare. Pa trokitur ai hyri në
derën përballë, që të linte përshtypjen se ishte vazhdimësi e faqes së murit,
të cilën ata nuk kishin për ta dalluar kurrë. Enkelit i dukej sikur ishte ai fajtori që nuk
realizuan dot takimin me të. Heshtja e tij ngjante si një ndjesë për zhgënjimin
që pësoi shoku. Me mendime të trishta dhe tejet të lodhur, dolën nga ai Bar
nate, të tronditur dhe të habitur sa më s’bëhet. Ishin tejet të dëshpëruar dhe
secili në hamendësitë e tij, vazhduan rrugën me makinë të trishtuar, pa folur
dhe me shpresa të humbura për t’ia realizuar ëndrrën atij fëmije...
***
Ishte gati në të aguar kur hynë
në shtëpi. Edhe pse u kujdesën për të mos bërë zhurmë, të dy burrat në korridor
u ndeshën me sytë e skuqur e të ethshëm të Jonidit, i cili ngaqë bënte një
gjumë të trazuar, u ngrit i tromaksur. Vogëlushi përherë qëndronte në ankth të
takimit të shumëpritur me nënën. I gjori djalë! Kujtonte se e ëma bënte një
punë të zakonshme dhe do të ishte e lirë në çdo orë të ditës apo të natës për
të, por...Ishte mëse i bindur, ndaj nuk i shqiste sytë nga dera se mos e ëma ishte pas tyre.
Kur u mbyll porta dhe pas tyre nuk kishte tjetër njeri..., atëherë rënkoi
thellë dhe lëshoi krahët i pafuqishëm. Koka iu var në gjoks, si bari i kositur,
i dëshpëruar si një jetim, u plandos në divan dhe nisi të dëneste pa pushim.
Të zotët e shtëpisë dhe Arlindi u
kujdesën që të qetësohej. Iu betuan se do ta gjenin nënën e tij. Më pas me një
çaj kamomili e me shumë vështirësie e vunë në gjumë.
Arlindi, hoqi vetëm këpucët dhe u
shtri ashtu siç ishte, i veshur, me mendimin e të qenit i gatshëm për çdo rast.
Ishte turbulluar aq shumë nga sa pa atje në atë skenë, ku virtyti femëror nuk
njihej më si i qenësishëm, madje morali nuk ekzistonte më si koncept. Ishte një
fjalë e dalë nga fjalori, se përdorimi i saj shkaktonte neveri në mendjet e
kohës së përdalë. Sipas tyre, ajo fjalë e dalë jashtë mode, prishte shkëlqimin
verbues të fasadës së jetës moderne. Bukuria e saj si një magnet, a si me
magji, tërhiqte gjithë ata që kërkonin të bënin një jetë luksoze, ose një jetë
të shfrenuar apo të dyzuar, larg realitetit familjar. Ndërsa përpiqej të mbyllte sytë së paku ato
katër a pesë orë, ndjente shqetësimin e të vogëlit, i cili rrotullohej sa
andej- këtej, duke bërë një gjumë të shqetësuar si çdo fëmijë, të cilit i ka
munguar dashuria, ngrohtësia dhe kujdesi i nënës. Ndërsa e vështronte me
admirim atë fëmijë thellësisht të tronditur, që kërkonte të vinte në vend një
të drejtë legjitime, që Zoti ia kishte falur me bollëk sapo hapi sytë dhe në
atmosferën e dhomës u shpërnda e qara e parë e tij foshnjarake, në tru i
galoponin lloj-lloj mendimesh...Ai e dinte mirë, edhe pse ishte zot i vetes,
nuk ka asgjë në botë që të zëvendësojë
dashurinë e nënës.
“Sa fëmijë i
ndjeshëm është. Pas gjithë atij udhëtimi të llahtarshëm në det e në të ftohtë,
ai duhej të flinte me orë të tëra. Është fëmijë i mrekullueshëm, pasi një
tjetër në moshën e tij, nuk do të ndërmerrte një rrugë të tillë plot rreziqe.
Është e vështirë për të rriturit dhe jo më për fëmijët. Emigrimi është një
udhëkryq i madh, ku i rrituri nuk është në gjendje të vendosë se ç’drejtim do
të marrë. Po një fëmijë?! Çuditërisht ka diçka të veçantë në qenien e tij.
Ngjan si një djalë i madh që ka ndjenjën e përgjegjësisë. Mungesa e prindit e
ka rritur para kohe. Një fëmijë i tillë do të ishte fat, mbarësi për familjen,
së cilës do t’i sillte lumturi, por...mjerë kush e lindi?!
Eh, fat i
mbrapsht që një fëmijë të pafajshëm e lë jetim me nënë gjallë. Zot, vur dorën
në zemër për fëmijët që të mos marrin rrugët e përbaltura të kësaj bote të
rreme! Mos lejo që të bëhen preh e krimit, e dhunës, e trafikimit dhe e drogës, Mos i ndaj nga prindërit, mos
ua moho dashurinë e nënës, e cila i rrit ata...!Duhet ta kërkoj me se s’bën atë
grua...Betohem në këtë natë të qetë, se për hir të këtij djali do të bëj të
pamundurën, deri sa ta gjej...”- mendonte Arlindi me duart nën kokë, me shikimin zhytur në gjysëmerrësirën
e dhomës. Dukej se aty, në atë hapësirë, do të gjente përgjigjen e së vërtetës.
I lodhur nga ndodhitë e ngjeshura të tri-katër ditëve të fundit, që nuk e
kishin lenë të merrte frymë, ishte ditë kur e zuri gjumi, një gjumë i rëndë,
gjithë ankth dhe me ëndrra.
Ishte vonë kur u zgjua. U ligështua sepse u ndje në faj ngaqë të zotët
e shtëpisë, kishin shkuar në punë. Mbi
komodinë vuri re një copë letër, që e
kishte lënë Enkeli. E sqaronte : “Arlind,
na fal që u larguam pa ju përshëndetur, por duhej të shkonim në punë. Ua kemi lenë të gjitha gati për mëngjes. Mund të
dilni me vogëlushin në park,veçse tregohuni të kujdesshëm për të mos rënë në sy të policisë. Nuk duhet të ngjallni dyshime ndër banorët,
se si kudo, edhe këtu pyll pa derra nuk ka.Megjithëse të them atë që duhet, të
vërtetën, këtu vepron ligji. Ndaj
kujdesu që të mos i lejoni vetes afrimitet me
askënd. “Shoqëruesi” i djalit është larguar pas një telefonate dhe tashmë është
tek një i afërmi i tij. Kur të kthehemi nga puna, do të vazhdojmë kërkimin e
nënës së Jonidit. Kalofshi mirë? Mirë u pafshim pasdite! Vjollca dhe Enkeli.”
Arlindi dhe Jonidi ishin
bujtës në shtëpinë e tyre. Nuk duhet harruar se edhe familja mikpritëse, si dhe
ata, ishte emigrante, së cilës nuk duhej prishur punë. Ndaj menjëherë pas
mëngjesit, ata vepruan sipas këshillave të të zotërve të shtëpisë. U kujdesën
që të mos afrohen me askënd. Arlindi nuk i njihte ligjet e Italisë, por ai u
kujtua se duhej ta kshillote vogëlushin, se nëse e pyeste dikush, atë duhej ta
thërriste baba. Nga që nuk kishte shumë besim, vendosi të ktheheshin shpejt në
shtëpi. I bleu Jonidit disa ëmbëlsira që
pëlqejnë fëmijët dhe disa ushqime gjysmë të gatshme për drekë. Ndërsa po
ktheheshin, u gjendën para një vitrine ku reklamoheshin veshje fëmijësh. Hyn
brenda dhe kërkuan ndihmën e një gruaje të re që shërbente në dyqan. Me gjuhën
nuk ishte keq, si gjithë qytetarët e bregdetit shqiptar që e njohin disi
italishten. Me ndihmën e saj, Arlindi bleu gjithë gjërat e nevojshme. Me një veshje si fëmijët e tyre, vogëlushi
nuk ngjallte dyshim tek askush. Ndihej i lumtur që po bënte diçka të vogël për një
fëmijë në nevojë. Donte të shkonte në supermarket, por, që të mos rrezikonte,
nuk hyri fare. U kthyen në shtëpinë ku bujtnin.
Në orën shtatëmbëdhjetë
çifti u kthye në shtëpi bashkë me të dy djemtë. I madhi ishte në shkollë, kurse
i vogli ishte parashkollor, ose shkolla materna, siç quhet atje.
-Nuk mërzitesh nëse
shlodhem e qetësohem sadopak?
-Enkel, po më bën me turp. Jam unë
ai që duhet të ndihem në faj e të të kërkoj ndjesë, pasi po ta rrëmbej atë pak
kohë të lirë që të ngelet. Nuk je i detyruar të kushtëzohesh nga unë. Të lutem,
vazhdo detyrat e tua si baba dhe bashkëshort.
-Më vjen keq, se unë ta
sugjerova vet. E nisëm bashkë dhe të dy do të bëjmë diçka për të gjorin djalë.
Unë jam baba dhe e di se ç’do të thotë
për një fëmijë të jetë në mëshirën e fatit, në rrugën e madhe. Nëse asaj
nuk i intereson i biri, do ta mbaj unë. Do të shkoj në qendrën sociale dhe do
ta birësoj me rrugë ligjore. Aty ku hanë
e flenë fëmijët e mi, aty të hajë e të rritet edhe ai. Sa të shlodhem pak dhe
do të dalim.
-Po qe për mua, merr gjithë kohën
që të nevojitet...
-Nuk do ta pimë një kafe?- ndërhyri
Vjollca.
-Patjetër, zemër...
-Arlind, kur na vjen ndonjë nga
matanë detit, ne e kemi festë, se na sjell aromë Shqipërie, - u shpreh bashkëshortja
e Enkelit kur solli kafetë, shoqëruar me disa lloj biskotash, të cilat i
pëlqyen mysafirit.
-Qenkan shumë të mira...
-Kuzhina italjane është e pasur,
veçanërisht produktet me mjell gruri. Në kuzhinë bëjnë përjashtim banorët e Italisë së jugut
që janë mjeshtra të vërtetë në gatim.
Ishte vonë kur dolëm nga shtëpia
për të shkuar te Bar “Angeli”. U lodhëm duke pritur. Gjithashtu shpenzuam kohën
dhe të holla dhe nuk fituam gjë. U kthyem në shtëpi akoma më të dëshpëruar se
natën e shkuar. Të njëjtën rrugë e bëmë shumë ditë. Së fundmi takuam një të
njohurin e Enkelit, italian, i cili quhej Aldo. Ishte njeri i besuar që kishte
ndihmuar Enkelin, në fillim kur sapo kishte mbërritur si emigrant. Fal mirësisë së tij u pajis me dokumenta.
Në bisedë e sipër i kërkuan
mendim se si mund të vepronin për të ndihmuar djalin që kishte nisur një rrugë të vështirë, vetëm për të gjetur
nënën., e cila kishte përfunduar në një të ashtuquajtur Bar “Angeli”, por që
mesa kishin vërejtur, ishte një shtëpi publike, ligjërisht e pa deklaruar. Për
fat ai ishte njeri i ligjit, punonte në një Qendër Sociale dhe i njihte
vështirësitë nëse ata spikateshin nga tutorët e gruas që punonte në një lokal
nate, ku bëhen gjithë të pabërat dhe veprimet më të zeza.
-Fillimisht nuk duhet të ngjallni
dyshime tek pronari dhe punonjësit e shërbimit, pasi ata kanë katër sy, jo
dy... Në fund të fundit është detyra e tyre. Pasi paguhen vetëm për të bërë
rolin e qenit besnik, madje vlerësohen mjaft mirë krahasuar me ata që punojnë
sipas ligjeve. Në të kundërt, nëse ndodh
që largohet ndonjëra nga vajzat, ata ndëshkohen rëndë...Di që sigurinë e kanë
të shkallës më të lartë...Duhet pak kohë, aq sa ju zoti Arlind, të krijoni
përshtypjen e një klienti të rregullt që nuk ka synime të tjera veç kënaqësisë.
Kur ta kesh krijuar besimin, joshe personin që të intereson me para. Më vonë
kur je i bindur se ke rritur besueshmërinë e tyre, do të kërkosh të kalosh në intimitet me të. Edhe
marrëdhënia me të nuk e liron dot gruan nga prangat e skllavërisë. Duhet të
kërkosh ndihmën e policisë...
-Këtë duhet ta bëj unë,- u
përgjigj i pari Enkeli.
-Pse ti dhe jo Arlindi?- pyeti
Aldo i çuditur.
-Pasi ai ka pak kohë në Itali...
-Mos do të thuash që nuk ka
mundësinë e lëvizjes së lirë..., -e kuptoi përse bëhej fjalë. –Je në punë?
-Jo...
-Atëherë po të rekomandoj te një
miku im, që të nisësh punë. Sa të kalosh disa ditë i punësuar, unë do të
përpiqem të të përgatis dokumentat.
-Nuk di se si do t’ua shpërblejë
këtë të mirë. Do të jem përherë mirënjohës ndaj jush.
-Falendero veten për misionin që
ke nisur, apo ke ndërmend ta kryesh. Të japësh ndihmesën për të zhdukur një qendër prostitucioni, ke shumë përparësi
në marrjen e kartës së soxhiornos. Ndërkohë ai bisedoi me dikë në telefon. Pasi
falenderoi personin , iu drejtua Arlindit: -Nesër shko në këtë adresë ku do të
fillosh punë. Me të tjerat merrem unë.
Në atë çast iu duk sikur bota u
rrotullua dhe në qendër të saj ishte ai, Arlindi. Iu duk e pabesueshme që të
fillonte punë aq shpejt dhe mrekullia, që ai nuk donte ta besonte, pasi nuk i
pëlqente ta prishte magjinë dhe të gëzohej para kohe. “Më duket herët të
lumturohem për pajisjen me dokumenta. Po pres.., ndoshta ndodh mrekullia,
kushedi? Kurrë nuk më kishte shkuar
ndërmend se mërgimi im i paplanifikuar ,do të kishte këtë rrjedhojë...
,”-e falenderoi me gjithë shpirt, zotin
Aldo për ndihmën e jashtëzakonshme që po i jepte.
-Zotëri, në njëfarë mënyre ju
po më ndihmoni mua në profesionin tim.
-Ndoshta , ndoshta ju e
dini...Por ju lutem, më thërrisni thjesht, Arlind.
Të nesërmen u paraqit në adresën e dhënë nga zoti Aldo.
-Nëse dëshiron mund të fillosh
që sot, natyrisht po qe se nuk ke pretendime,- i tha pronari.
-Zotëri, unë kam nevojë , ndaj
pranoj çdo lloj pune.
-Kështu më pëlqen. Ti do të
punosh punëtor në një magazinë ushqimore, në ngarkim- shkarkimin e produkteve
të ndryshme nga makinat.
-Ju faleminderit! Do të filloj
qysh tani...Cili është orari?
Kur u kthye në shtëpinë e Enkelit
thuajse në të njëjtën kohë me ta, ata u gëzuan shumë.
-Si duket djali ishte fati im që
emigrova dhe përsëri zgjidhja e problemit të tij, më ndihmoi për të nisur punë.
Ndoshta më ecën që të pajisem edhe me dokumenta.
-Zoti Aldo punon në zyrën e
emigarcionit të një Qendre Sociale, ndaj jam i bindur se do të të ndihmojë.
Fjala e Enkelit për të ardhmen e
tij në qytet, e vuri para përgjegjësisë.“Kam
ditë që banoj këtu me një fëmijë, me të cilin s’më lidh asgjë, dhe kjo fal
bujarisë së tyre. Por edhe mikpritja apo mirësia e kanë një kufi. Duhet të largohem me çdo kusht...”-
mendonte, por nuk dinte se si do të gjente një zgjidhje.
Puna e parë që do të bënte duhej
të kërkonte një shtëpi. E bisedoi me
dikë, me atë që punonte. Ishte një i ri shqiptar, që ende nuk kishte bërë
bashkimin familjar. Kishte një apartament me dy dhoma dhe një kuzhinë. Meqë
shpenzimi ishte i madh për një njeri të vetëm, i ofroi Arlindit strehë dhe shpenzimet
do t’i ndanin bashkë. Kjo ishte një zgjidhje e domosdoshme se u bënë javë që
banonte në shtëpinë e Enkelit.
Vogëlushin e la tek ata, të cilët u detyruan të punin me dy turne për të
mos e lënë atë vetëm. Pasi u transferua
në shtëpinë tjetër, kjo nuk e ndau nga familja e Enkelit, të cilëve u ishte
mirënjohës. Madje kur mori rrogën eparë, ai u bleu dhurata, dolën bashkë e thuajse nuk i ngeli asgjë. Puna nuk
epengonte që të arrinte synimin e tij. Kështu ndodh me ata që janë për së
mbari.
Arlindi punonte, shlodhej dhe
vazhdonte përpjekjet për realizimin e qëllimit të tij. Hera- herës shkonte edhe Enkeli me të.
Këshillat e Aldos, i shërbyen shumë. Duke e vizituar vazhdimisht Bar “Angeli”,
u njoh , u miqësua dhe krijoi besim tek personeli i shërbimit si njeri i
rregullt, që kërkon të kalojë kohën e lirë. Ndoshta tani, pasi kishin
kaluar disa kohë, duhej të
vepronte. Atë që duhej të ndodhte ,ia
kishte lënë intuitës dhe fatit...Ku i dihet fatit...?!
Vazhdon...