ZEQIR HALILI, një jetë në luftë
për liri
1853-1918
Kryengritësi i pavdekshëm dhe prijësi
e idealisti i përhershëm i kauzës "Ja vdekje-ja Liri" gjatë
gjithë përpjekjeve të tij heroike nëpër flakët e luftërave të pareshtura mëse
30, vjeçare për çlirimin e atdheut, pas 65 vitesh jete,një herë të vetme do të
ndalonte për pak kohë atje ku nga të tjerët njihej si vendpushim për familje dhe shoqëri.
Por,i prerë në besë, "pushimi" në Qafë të Markofqës, ishte
dhe mbeti i pari dhe i fundit takim me pjesëtarët e familjes për gjallje të
tij,ndërsa Bjeshka e Gjarprit, brenda vetëm pak minutash u kthye në
vend-përjetësim, ku ai ra për të gjetur përgjithmonë qetësinë.
Ndaj sot,në atë vend pranë njëra tjetrës qëndrojnë dy simbole me dy
histori, një pllakë përkujtimore e cila mbanë të shënuara vitet e jetës dhe të
përpjekjeve për liri, si dhe një gur i madh varri, që tregon vend rënien e tij.
Zeqir Halili i Krasniqes,ishte
djali i vetëm dhe fëmija i parë i Halil Binakut, djalit të madh të Binak Alisë
së mirënjohur në Malësi,Kosovë dhe gjithë Shqipërinë e Epërme. Ai u lind në
vitin 1853 në njërin nga vendet më heroike, të përmendur për bëmat e mëdha
kombëtare, në Bujanin historik të Mic Sokolit dhe vdiq më 18 gusht të
vitit 1918, i vrarë në pabesi nga një ekspeditë austro-hungareze, pranë vendit
të quajtur Qafa e Markofqes, në Bjeshkët e Gjarprit, të Malësisë së mirë.
Zeqiri u rrit dhe burrërua para
kohe në Odën e gjyshit të tij emër-madh, të dëgjuar për pleqërim e dije kudo, por
edhe për trimëri e luftëra si dhe udhëheqje kuvendesh të mëdha, të cilat u bënë
shembujt më sublim,patriotik dhe kombëtare në histori.
Odat shqiptare nuk ishin
thjeshtë,vetëm vend ku njerëzit tuboheshin për çlodhje e bashkëbisedime, por
edhe qendër e grumbullimit të dijes, arsimit dhe edukimit të brezave,në të
cilat flitej për luftëra e heroizma, mësohej historia dhe tradita si dhe
takoheshin burrat më me nam për luftëra e kryengritje,ku lidhej Besa për
bashkim dhe merreshin vendime me rëndësi, duke filluar nga peshimi i drejtësisë
kanunore deri te shqyrtimi i çështjeve madhore kombëtare për çlirimin e atdheut
dhe mbrojtjen e tij.
Binak Alia, qysh nga rinia e hershme
e Mic Sokolit, të mbetur jetim si çun13 vjeçar dhe nën përkujdesjen e tij, e kishte
kthyer në ritual burrërimi, vendimin që posa djemtë të rriteshin dhe arrinin
moshën e pjekurisë ,ai personalisht tu epte atyre lekët nga xhepi i vet, për
blerjen e një Plisi të Bardhë, Jatagani dhe Pistolete, ditë nga e cila ata
konsideroheshin të rritur dhe kishin për obligim ti dilnin zot Atdheut si dhe të
bëheshin argat të mirë të vendit të tyre.
Ashtu siç veproi me Micin dhe të
katër djemtë e tij, Binak Alia të njëjtin veprim do ta përsëriste edhe me të
nipin, Zeqir Halilin i cili do të jetonte e vepronte me këshillat e zgjedhura
dhe porositë domethënëse të gjyshit,duke i bartur ato gjithmonë në mendje e
zemër,për të mos i harruar asnjëherë, në luftë as në paqe,derisa ishte gjallë.
Ndaj,përveç betimit për mbajtjen
e fjalës së dhënë dhe respektimit të Besës,nga gjyshi i tij- Binak Alia, Zeqir
Halili mësoi se si të mbetej çdo
herë i ndershëm dhe të ruhej gjithmonë nga interesi e pavendosmëria, dobësi të
cilat ia prishin trimit- burrërinë.
Madje,edhe në veprimtarinë
atdhetare të tij, ai e sprovoi në lëkurën e vet, se përgjatë gjithë përpjekjeve
për liri kundër armiqve të shumtë dhe pushtimeve të gjata, vetëm mbajtja
e besës dhe bashkimi i vërtetë, edhe në çastet më të vështira, i bënë
shqiptarët "më të fortë se guri", të pamposhtur në qëndresë dhe të
pavdekshëm në histori.
Ndaj,Zeqir Halili, si prijës sublim i Malësisë së
mirë,përherë mbajti një qëndrim të atillë burrëror, të
cilin vetëm bijtë e trojeve epike shqiptare patën forcë, trimëri dhe guxim ta
përjetësonin me stoicizëm, duke u bërë frymëzim brezash për besnikëri ndaj
atdheut dhe idol i luftërave për lirinë e tij.
Ai,sa herë ishte në pyetje fati i kombit dhe liria e
atdheut, nuk toleroi asnjë pushtues siç nuk njohu as u pajtua kurrë,me pashë as
mbret.
Ishte koha kur "Himnin Kombëtar"
"Mos shikoni kisha e xhamia" -si të shenjtëruar nga Perëndia,e donin
të gjithë shqiptarët pa dallim,mote kur populli ynë zhvillonte luftë kombëtare për
jetë a vdekje, në vitet e para të fillim shekulli njëzet,njëqindvitësh sprovash
e peripecish të panumërta të shqiptarëve, i cili do të hynte në histori si shekulli
i çlirimit të popullit tonë, ani pse jo tërësisht.
Ndaj, ashtu, ashtu siç kishte
vepruar për vite e dekada më parë,Kosova me gjithë plagët e rënda që i thernin
kudo në trupin e saj të plagosur gjithandej nga luftërat e pareshtura për
çlirim, edhe kësaj radhe do të kthehej edhe në qendrën e zhvillimit të
kryengritjeve kombëtare,duke gjetur forcë edhe një herë për tu ri-ngritur më fuqishëm se kurrë, në luftë për dëbimin
përfundimtar të pushtuesve osman nga trojet shqiptare.
Tradita luftarake e pinjollëve të
Binak Alisë
Në Bujanin Historik si vend me
inspirime të pashtershme kombëtare,në mesin e kullave të bardha,që nga koha e
lindjes së heronjve të tyre,dy nga to ruajtën përherë shkëlqim të veçantë; ajo
e Mic Sokolit dhe e Binak Alisë.
Në odat e këtyre kullave -kala, herë
pas here do të mblidheshin udhëheqës të njohur krahinash shqiptare dhe prijës
të dalluar luftërash kombëtare, në të cilat që nga aprovimi i Tanzimatit,
lidhej besa për bashkim fisesh dhe merreshin vendime mbi shpallje kryengritjesh
për luftimin e pushtuesit dhe çlirimin e vendit me armë në dorë.
Përpjekjet e pareshtura gjithë-popullore
dhe kryengritjet e njëpasnjëshme kombëtare që pasonin njëra tjetrën,e kalitën
Zeqir Halilin, qysh të vogël, me aktet më sublime të trimërive të Krasniqes dhe
Malësisë së mirë kudo.
Lufta kundër të ashtuquajturave
reforma turke,nisi qysh në vitin 1845, për tu përsëritur edhe në vitin
1862,kur nën udhëheqjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit,ushtarët otoman do ta
sulmonin edhe një herë Bujanin historik bashkë me kullat e gjyshit të Zeqir
Halilit, duke tentuar nënshtrimin e Malësisë, për t’u tërhequr pas pak
kohësh të thyer dhe të shpartalluar prej malësorëve trima të prirë mjeshtërisht
nga Binak Alia,gjyshi i Zeqir Halilit dhe Sokol Rama,(babai i Mic Sokolit) të
cilët mbi të gjitha çmonin jetën e lirë në vendin e tyre, pa ligjet shtypëse të
Perandorisë.
Megjithëse në vitin 1862, Zeqir
Halili ishte i ri dhe
vetëm në moshën 9 vjeçare, nga ngjarjet historike nëpër të cilat do të kalonte
kombi shqiptar, ai do të rritej para kohe dhe për tridhjetë vjet me
radhë, edhe ai vet do të shndërrohej në njërin ndër protagonistët kryesor të
tyre, jo vetëm në Bujan e Malësi, por në Kosovë dhe Shqipërinë e epërme kudo.
Kullën zëmadhe të Binak Alisë do
ta trashëgonte babai i tij Halili e më pas Zeqiri si nip i Binakut, i cili do
ta ngrinte lart e më lartë lavdinë e saj me bëmat e mëdha dhe trimëritë e
rralla që dëshmoi gjatë gjithë jetës së vet heroike.
Ngjarjet dhe heroizmat, për të
cilat ai kontribuoi, kudo në trevat kryengritëse shqiptare, do ta ngrinin dhe
përjetësonin emrin e tij në piedestalin e udhëheqësve të lartë ushtarak, për
ç`shkak, treva prej nga ai vinte, do ta shpallte gjeneral të Malësisë, apo
"vojvod" siç quhej në gjuhën popullore, titull i huazuar nga vendi
fqinj-Mali i zi,ku me emrin "vojvod" nderoheshin udhëheqësit e arrirë
të ushtrisë dhe artit luftarak, aso kohe.
Zeqir Halili udhëhoqi luftime të
panumërta dhe u priu po aq shumë betejave , jo vetëm kundër turqve, por edhe
kundër serbëve e malazezëve, akte trimërie këto të cilat këtë luftëtar të
përbetuar të kauzës sonë kombëtare e kthyen në legjendë të qëndresës dhe
përpjekjeve atdhetare për liri, derisa një ditë edhe pse në moshën 65
vjeçare,do të qëllohej për vdekje,në pabesi , nga xhandarët austro-hungarez.
Që nga vitit 1800 e këtej,
përgjatë një periudhe mbi dy shekullore, nuk mund të kalosh asnjë faqe historie
të Malësisë dhe Kosovës,pa hasur disa herë në bëmat heroike të Binak
Alisë, Mic Sokolit, Qerim Binakut, Zeqir Halilit etj, të cilët si pinjoll të së
njëjtës familje historike me veprat sublime që lanë pas vetes, u ngritën në
lartësitë e heroizmave kombëtare, ndaj me të drejtë, emrat e tyre u shënuan me
germa të arta në analet e historisë së luftërave më të mëdha për bashkimin e
kombit dhe lirinë e atdheut, do të thuhej në mes tjerash edhe në një dokumentar
kushtuar këtyre trimave.
Që nga Koha e Binak Alisë, në
kullën e tyre,hynin e dilnin njerëz të njohur dhe të dëshmuar për vepra
kombëtare, nga të cilët Zeqir Halili do të përvetësonte vendosmërinë dhe
personalizonte sakrificën që kërkonte atdhedashuria siç mësoi edhe mbajtjen e
qëndrimit të denjë kombëtar,ndaj sa herë ishte në pyetje çështja e trojeve
etnike, ajo madhore shqiptare dhe liria e atdheut, ai do të luftonte me grykë
të pushkës si kundër pushtuesve turq ashtu edhe kundër pushtuesve serbo-malazez.
Një gjë e tillë,do të dëshmohej
bindshëm edhe nga një dokument i datës 15 tetor të vitit 1912,gjetur në arkivat
ushtarake të Malit të Zi, në të cilin nga oficerët e këtij shteti hegjemonist
fqinj,raportohej se si nga data 2 maj e atij viti, Bajram Curri dhe Halil
Zeqiri,nuk u lan asnjë herë qetësi dhe sulmonin çdo ditë pozicionet malazeze.
Madje edhe përjetësimin e dijes
dhe përdorimin e saj në momente të duhura, siç ishte traditë familjare tek
pasardhësit e Binak Alisë, Zeqir Halili i Krasniqes do ta dëshmonte bindshëm
dhe në kohë e vend të duhur, i cili si njohës i mirë i gjendjes në vend dhe
halleve të mëdha e varfërisë së theksuar të shqiptarëve,ai përveç në luftë,
edhe në kuvende e bisedime, do të shkëlqente si udhëheqës i vendosur dhe
mbrojtës besnik i popullit të tij.
Thuhet se në fillim vitet e 70-ta
të shekullit XIX, Binak Alisë do ti kërkohej një mashkull, i cili përveç
trimërisë duhej të kishte edhe zotësi oratorie për udhëheqjen e delegacionit të
Malësisë, të ftuar për bisedime nga Veziri në Shkodër.
Binak Alia si kryefamiljar dhe
njeri i sprovuar në jetë,i cili njihte trimërinë dhe vendosmërinë e të
nipit,por edhe qëndrimet e ashpra të Vezirit, sado që atë kohë i nipi ishte
ende i ri,megjithatë ai vendosi që për ballafaqim me të, ta dërgonte Zeqir
Halilin.
Vendimi i Binak Alisë,u dëshmua i
drejtë dhe frytdhënës, ngase Zeqir Halili, do ta nxirrte të gjithë Malësinë të
lehtësuar nga tatimet dhe faqebardhë në duelin e ashpër me Vezirin.
Edhe pse Zeqiri ende nuk kishte
arritur moshën 18 vjeçare, këmbënguljeve dhe kërcënimeve të Vezirit për
imponimin e pushtetit turk dhe pagimin e taksave të vëna nga pushtuesit osman
në Malësi, do tu përgjigjej pa ju trembur syri dhe pa asnjë hamendje, troç, shkurt
dhe shqip; Jo!
Unë si përfaqësues i
Malësisë,do të vazhdonte Zeqiri, kam ardhë në Shkodër të flas me takatin e
atyre që më kanë dërguar këtu, se po të flisja nga pozita e Vezirit, me pasurin
tuaj do ta mbaja, dy vjet Malësinë me bukë.
Një jo e fortë, e cila do ta
lironte nga barra e rëndë e taksave dhe ngarkesat tjera të shumta otomane ,
gjithë trevën e tij kreshnike.
Lufta e vitit 1885 dhe lirimi i
Sylejman Vokshit e Abdyl Frashërit
Zeqir Halili po-ashtu,dëshmoi
trimëri të mëdha në shumë lufta dhe beteja të Lidhjes së Prizrenit, përpjekjet
e të cilit do të vazhdonin edhe pas shuarjes së saj,me ç`rast vlen të veçojmë luftimet e vitit 1885 kundër
forcave të Vesel Pashës në Gjakovë e rrethinë.
Siç mësojmë nga historia jonë
kombëtare,në shkurt të vitit 1885, në fshatrat e Prizrenit, do të shpërthente
një kryengritje e re,kurse më 1 mars të atij viti,pasi prenë lidhjet
telegrafike,kryengritësit shqiptar do ta sulmonin Prizrenin,ku edhe përkundër
zjarrit të fortë të ushtrisë turke, ata arritën të depërtonin në qytet dhe
çlironin shtëpitë e para të tij. (https://www.shqiperia.com/Kryengritjet-kunderosmane.)
Kundër tyre,si rëndom, edhe kësaj
here Perandoria osmane, do të dërgonte një ekspeditë të madhe ushtarake, me në
krye mareshalin turk, Vesel Pasha, të cilit përkundër forcave të mëdha iu
nevojitën, jo ditë a javë, por edhe muaj, për ta qetësuar gjendjen në qytet.
I informuar nga bashkëpunëtorët,se
diçka e madhe po përgatitej edhe nga Sulejman Vokshi , ai papritmas më 1 gusht të vitit 1885, do ta mësynte Gjakovën,ku
në befasi do ta arrestonte atë me bashkëpunëtorë,nën drejtimin e të cilit
bëheshin përgatitjet e fundit për formimin e një lidhje të re antiosmane.
Pas arrestimit të Sylejman
Vokshit,ashtu siç u vërsulën në shtator të vitit 1878,dhe vranë Mehmet Ali
Pashë Maxharin,shqiptarët e zemëruar, do të mësynin nga të gjitha anët edhe
ushtrinë e Vesel Pashës e cila kishte bllokuar Gjakovën,ku do të shkëlqente
trimi dhe martiri i kombit,Zeqir Halili me luftëtarët nga Malësia.
Megjithëse Vesel Pashës, do ti
vinin përforcime nga Prishtina, luftimet e ashpra nuk do të pushonin për disa
kohë, ndaj derisa në mes të luftëtarve shqiptar dhe ushtarëve të Vesel Pashës
në Gjakovë ende vazhdonin përballjet, kryengritja kundër Perandorisë turke, do
të shpërthente edhe në Rumelinë Lindore e cila vetëm disa ditë më vonë do ta
shpallte bashkimin me Bullgarinë.
E gjendur në mes dy zjarresh,
Perandoria turke, do të detyrohej tu bënte shqiptarëve disa lëshime me rëndësi,
përfshi edhe lirimin e udhëheqësve kryesor të Lidhjes së Prizrenit nga burgu,
si Sylejman Vokshi e Abdyl Frashëri,që ishte kërkesa më këmbëngulëse e
kryengritësve.
Madje
për qetësimin e gjendjes,Perandoria otomane u premtoi shqiptarëve edhe
lejimin e mësimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, si dhe të drejtën për bartjen
e armëve nga malësorët, arritje të cilat pa kontributin e Zeqir Halilit me
bashkëluftëtarët e tij trima, nuk mund të paramendoheshin lehtë.
Zeqir
Halili dhe Isa Buletini
Pjesëmarrja e Zeqir Halilit, nuk
do të mungonte as në kuvendet e mëdha popullore të organizuara nga figurat më
të larta të kombit,ashtu siç nuk do të mungonte kontributi i tij as në luftërat
dhe betejat e zhvilluara në vitet 1899
-1903, nga Lidhja e Pejës, për çlirimin e atdheut dhe mbrojtjen e çështjes
kombëtare, të cilat figurën atdhetare të Zeqir Halilit,do ta bënin edhe më të
ndritshme, në Kosovë dhe Shqipëri.
Zëri i
kushtrimit të dhënë nga ai do të jehonte edhe në ditët kur armiku nuk e priste
as besonte dhe shumë burra të tjerë heshtnin para fuqisë së pushtuesit, por jo
edhe Isa Buletini e Zeqir Halili. Ata u prinë betejave, në të cilat do të
shkëlqenin si udhëheqësit më të shquar të trevave kreshnike, duke dëshmuar
shpirtin e tyre kryengritës dhe të pa epur e luftarak edhe në kohën kur, sipas
këngëtarit popullor :
Kërkush
luftës s`un ja nisi
Veç
Krasniqja e Zeqir Halili
Në
Mitrovicë Isë Buletini
Isa
Buletini dhe Zeqir Halili,ishin burra që organizonin nga një luftë për vjet
Prijësit heroik dhe populli liridashës i
këtyre trojeve, nuk gjetën qetësi as në grahmat e fundit të Perandorisë
pushtuese turke, e cila duke parandjerë vdekjen e shpejt, kishte ashpërsuar
shqelmat dhe bënte kërdinë mbi shqiptarët me aksione dhe ekspedita nga më të
egrat ushtarake.
Sikur të mos mjaftonin veprimet e saj, duke
parë se osmanët i kishin vitet e numëruara në Ballkan, tanimë-kundër
shqiptarëve,kishte ngritur kokën me arrogancë edhe Perandoria Ruse.
Madje, me qëllim
të përgatitjes së terrenit, për pushtimin e trojeve të tyre etnike nga fqinjët
hegjemonist sllav -si shtete aleate të saj, qeveria ruse deri në vitin 1902,
kishte hapur konsullatat e veta në qytetet kryesore shqiptare, si në Manastir,
Shkup, Durrës, Shkodër, Prizren etj, e një të tillë,kërkonte me këmbëngulje ta
hapte edhe në Mitrovicë, vend në të cilin atëbotë ishin përqendruar interesat
kryesore ruso-serbe,ku përmbaroheshin planet strategjike dhe përgatiteshin
aksionet ushtarake për pushtimin e Kosovës.
Ndaj në mënyrë që
konsulli rus të mund të vendosej në Mitrovicë, para ardhjes së tij, qeveritarët
turq, kinse nën presionin e Rusisë,heroin Isa
Buletini i cili bashkë me Bajram Currin e Zeqir Halilin,u takonin plejadës
së burrave të mëdhenj të kombit, të cilët kundër çdo pushtuesi ishin në gjendje
ta ngritin popullin në luftë,do ta detyronin atë që të shkonte në Stamboll
përkohësisht.
Megjithatë, ardhja e oficerit të artilerisë
ruse, Grigor Shçerebin si konsull në Mitrovicë, i cili më parë kishte shërbyer
edhe në Shkodër e Selanik, do ta komplikonte aq shumë gjendjen,sa që shqiptarët
e kalitur nga prijës si ai edhe pa pranin e Isa Buletinit,do të qoheshin në
kryengritje kundër konsullit të pa dëshiruar rus.
Madje "Diplomati" të cilin
garnizoni turk në Bair të Mitrovicës,bëri sikur u detyrua nga presioni i vendorëve
ta strehonte në kazermat ushtarake, me rastin e shpërthimit të kryengritjes
kundër vendosjes së tij në Mitrovicë,si oficer i artilerisë ruse që ishte,
përkrah komandantit otoman Seid Beu, Shqerebin do të komandonte me
topçinjtë e garnizonit turk, duke bërë kërdi jo vetëm ndaj kryengritësve por
edhe kundër banorëve të pafajshëm shqiptar.
Gjakderdhja që po u shkaktonte oficeri i
maskuar si "konsull", bashkëkombësve të tetarit shqiptar Ibrahim
Muhaxhiri (Gjilani apo Karadaku), mbiemri i të cilit përshkruhet në disa
mënyra,pasi që edhe familja e tij, vetëm disa vite më parë ishte dëbuar me
dhunë nga vendbanimet shqiptare të rrethit të Nishit dhe vendosur si "refugjat" në një
fshat në afërsi të Gjilanit,me sytë e errësuar nga trishtimi,do ta hiqte
pushkën dhe vriste në vend "konsullin" rus.
Pas këtij akti heroik, pasoi dënimi i rëndë
Perandorak ndaj Ibrahimit dhe syrgjynosja e tij në kazamatet e Kalasë së
Gazipashës, ku thuhet se pas dy vitesh, trimi shqiptar do të vdiste i dërmuar
nga torturat e oficerëve turq.
Qëndrimi armiqësor
i xhonturqve ndaj prijësve dhe popullit shqiptar
Vështirësitë e panumërta të
popullit tonë nën pushtimin shumë shekullor turk,as pas vendosjes së
kushtetutës, nuk do të pushonin.
Përkundrazi ato zgjerohen e
përkeqësohen edhe më tepër,sidomos pas ardhjes së xhonturqve në pushtet të
cilët menjëherë pas zgjedhjeve dhe qysh në mbledhjen e parë konstituive të
parlamentit, më 17 dhjetor të
vitit 1908,hodhën poshtë kërkesat e
drejta të shqiptarëve për shkollim në gjuhën amtare si dhe ua mohuan
kategorikisht kombësinë,me qëllim të asimilimit të plotë të tyre.
Madje,megjithëse
xhonturqit e dinin se pakënaqësia e shqiptarëve nuk drejtohej kundër
kushtetutës por kundër qëndrimit të tyre, për tu liruar nga premtimet e dhëna
prijësve tanë kombëtar,të cilët mbështetën vendosjen e xhonturqve në pushtet
edhe me organizim tubimesh masive,ata do të përpiqeshin ti zhduknin të
gjithë udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare shqiptare,përfshi edhe Isa Buletinin,
përkundër kontributit që ai dha në korrik të vitit 1908,si organizator i
Kuvendit të Ferizajt,ku në mesin e mijëra pjesëmarrësve ishte edhe Zeqir Halili
e axhallarët e tij.
Kështu,
që në gusht të vitit 1908,xhonturqit do ta shpallnin Isa Buletinin “armik”
të kushtetutës dhe kërkonin kokën e tij, gjë që detyroi atë, nga Mitrovica të vendosej në Buletin.
Madje,
më 22 nëntor
të vitit 1908,xhonturqit dërguan mbi 1500 ushtarë, të pajisur me artileri dhe
armatimin më modern në Buletin, për zhdukjen e tij ,ku pas një luftimi që
zgjati tërë ditën,mbetën të vrarë 3 shqiptarë dhe rreth 30 ushtarë turq.
Edhe në Manastir,i cili atëbotë
njihej si qendër drejtuese e klubeve, xhonturqit përgatitën atentate kundër
udhëheqësve të shquar shqiptarë përfshi edhe atë në Korçë kundër Dervish Himës.
"Turqit e rinj" në
përgjithësi u treguan shumë armiqësor ndaj popullit shqiptar, e sidomos në
vitin 1909, kur si pasojë e të korrurave të dobëta dhe bojkotimit të mallrave
austriake nga qeveria xhonturke, gjendja ekonomike në Shqipëri ishte keqësuar
deri në atë masë, sa që shumë pjesë të trojeve shqiptare kërcënoheshin nga
uria.
Megjithatë, në vend se t’ua lehtësonin tatimet, siç u
kishin premtuar shqiptarëve para ardhjes në pushtet, xhonturqit filluan të
kërkonin jo vetëm shlyerjen e taksave për vitin 1909,por ti bënin borxhli ata
edhe për tatimet e dy viteve paraprake,madje sipas një ligji ushtarak të
aprovuar, po në gushtit të vitit 1908, ata urdhëruan edhe rekrutimin e të rinjve
në ushtrinë e Perandorisë.
Sipas Zekeria Canës,xhonturqit në
gusht të vitit 1908 shpallën ligjin e ri mbi shërbimin e detyruar ushtarak për
të gjithë shtetasit e perandorisë,dhe filluan të mbledhin taksat,jo vetëm për
vitin1909 po edhe ato të prapambeturat e dy viteve më parë. (Zekirja Cana,"Lëvizja kombëtare shqiptare në
kosovë,1908-1912",fq.57)
Duke ditur se aksionet e nisura turke,do të kundërshtoheshin edhe me luftë nga prijësit e kombit, qeveria e xhonturqve u vu prapë në ndjekje të Isa Buletinit,i cili me 700 kryengritës,atë kohë ndodhej në rrethinat e Pejës.
Ndaj,më
20 mars të vitit 1909,Xhavit Pasha me 3000 ushtarë,16 topa dhe forca të
shumta të kavalerisë, nga Mitrovica do të vinte në Pejë, prej nga më 24 mars do
të nisej për në Isniq, ku me kërcënime se do t’u digjte shtëpitë dhe pasurinë,
kërkoi nga krerët shqiptarë të dorëzonin Isa Boletinin,të paguanin taksat dhe
dërgonin djemtë ushtarë.
Për aq më keq,Perandoria
turke,nuk mjaftohej as me kaq, ajo pas ndalimit të klubeve dhe shkollave në
gjuhën shqipe,duke synuar t’i nënshtronte tërësisht shqiptarët, t’i çarmatoste
dhe detyronte ata të paguanin taksat, si dhe rekrutonte të rinjtë me forcë në
ushtrinë osmane,në fillim majin e vitit 1909, nga Shkupi drejt Gjakovës,do të
niste një ekspeditë të re ushtarake, drejtuar po nga Xhavit Pasha, komandant i
Divizionit të 18 të Mitrovicës,i cili ndërmori masa të ashpra ndëshkimore,të
cilat vazhduan deri në muajin tetor të vitit 1909.
Ndaj,më 16 maj të atij viti,në krye
të 10 batalioneve të këmbësorisë, të pajisura me 32 topa, Xhavit Pasha do të hynte përsëri në
Pejë,duke lënë atje tri batalione “që të ruanin qetësin”,për tu kthyer vet në
Gjakovë, ku tani do ti ftonte krerët e Malësisë,nga të cilët kërkoi që të dorëzoheshin të gjitha
armët, të bëhej regjistrimi i popullsisë atje, të mblidheshin taksa të dyfishta
për bagëtinë dhe të zgjeroheshin dritaret e kullave dhe shtëpive.
Meqë prijësit e kësaj treve
historike,kundërshtuan kërkesat e tij, Xhavit Pasha u nis me pesë batalione
këmbësorie dhe dy bateri artilerie për ta nënshtruar me forcë Malësinë.
Zeqir
Halili në Has
Siç ishte vendosur në Kuvendin e
Lidhjes së Pejës, të mbajtur nga 23-29 Janar të vitit 1899,ku të 450 delegatët pjesëmarrës
nën drejtimin e Haxhi Zekës, nga programi prej 11 pikësh, "Lidhjen e
Besës" ndërshqiptare zgjodhën si pikën vendimtare për mbarëvajtjen e
organizimit në luftë dhe shpëtimin e kombit nga pushtimi, ky vendim do të
respektohej nga të gjithë.
Kështu që prijësit shqiptar, para
fillimit të çdo lufte,së pari duhej të tuboheshin në kuvende për lidhjen e
besës në mes tyre, në mënyrë që të bashkonin armët për t`iu kundërvënë armikut,
siç do të vepronin edhe trimat e Malësisë, në krye me Zeqir Halilin e
Bajram Currin, të cilët si përfaqësues të Krasniqes do të bashkoheshin te Qarri
(Has) për lidhjen e besës me fiset tjera, ku rol primar në këtë ngjarje të
shënuar kishte Zeqir Halili siç e cekë edhe rapsodi në rreshtat vijues:
U qun krasniqja janë ra te
Qarri
Ranë tu Qarri janë besatue,
Fol Zeqir qysh po na thue
Zeqiri do tu thoshte trimave se e
"kem da mendjen" me luftue, ndaj ata do të bashkoheshin për mbrojtjen
e Malësisë nga sulmet e hordhive të tërbuara turke, pasi që sipas vargjeve të
së njëjtës këngë, Xhavit pasha tanimë kishte qitur 12 topa në Qafë të Morinës;
Dymbëdhjetë topa na i grabiti,
Në Qafë t`Morinës Pasha na i qiti
Luftën të cilën nuk kishte mundur
ta niste askush tjetër,në Morinë do ta nisnin kreshnikët e Krasniqes me në krye
gjeneralin e Malësisë Zeqir Halilin kurse në Mitrovicë Isa Buletini, trimëria e
të cilëve do të përjetësohej me realizëm të admirueshëm në kronikën e kohës të
quajtur- këngë:
Kërkush luftës sun i`a nisi
Veç Krasniqja e Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Buletini
Përveç transmetimeve epike, trimëritë
e kreshnikëve i pasqyron në mënyrë besnike edhe historia sipas së cilës sulmeve
shkatërruese të ushtrisë turke,do tu përgjigjeshin flakë për flakë trimat e
bashkuar të Krasniqes, Gashit,Bytyqit, Hasit dhe Rekës, me në krye Zeqir
Halilin e Bajram Currin.
Ata,më 12 qershor të vitit
1909,në Qafë të Morinës sulmuan ushtrinë e Xhavit Pashës,nga të katër anët, duke
vrarë rreth 800 ushtar e plagosur shumë të tjerë si dhe detyruar pashain turk
të tërhiqej me turp në Gjakovë, i cili pas humbjes së betejës ,do të pyeste me
habi,Zot kësaj Lufte kush ja nisi?!,për të cilin rapsodi nuk do duhej të
kërkonte shumë dhe as nuk e kishte të vështirë ti ofronte përgjigje, ngase emrat
e tyre ishin të njohur dhe nga të gjithë diheshin;
Në Qafë të Morinës Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Buletini !
Kryengritjes
së malësorëve kundër ekspeditës së ushtrisë turke, do t’i bashkoheshin edhe hoxhallarë
shqiptar, për të cilët kombi kishte shumë vlerë dhe atdheu ishte mbi të
gjitha,mbijetesa e tyre vendosej në radhë të parë edhe nga ata, shembuj të
shenjtë atdhetarie, të cilët do të përjetësoheshin me krenari, në vargjet e
këngëve si kjo:
Veç Krasniqja, Krasniqja e
Gashi
Halit Dula e Hoxhë Dollapi
Reagimi i deputetëve
shqiptar në parlamentin xhonturk
Ekspeditat ushtarake turke,
kishte kohë që shkaktonin vrasje dhe shkatërrime të papara mbi shqiptarët,ndaj
edhe në parlamentin turk, do të reagonte ashpër Hasan Prishtina e Fuat Pasha të
cilët në fillim të qershorit të atij
viti, do të paraqitnin një interpelancë në kuvend duke kërkuar nga ministri i
Brendshëm shpjegime rreth ekspeditave në Kosovë.
Xhonturqit
të tërbuar pas humbjeve nga përballjet me kryengritësit e Zeqir Halilit në Qafë
të Morinës, as që donin të dëgjonin për ndalimin e ekspeditave të tyre barbare
dhe antinjerëzore, përkundrazi ata vetëm ndërruan kahen e tyre për hakmarrje
dhe gjenocid të mëtejshëm mbi shqiptarët.
Qeveria e "turqve të
rinj",jo vetëm se nuk hoqi dorë nga përdorimi i forcës për nënshtrimin e
popullit tonë me zjarr e hekur,por në fundin e qershorit të vitit 1909,ndërmori
një ofensivë të ashpër hakmarrëse në drejtim të Rugovës së Pejës duke kthyer në
gërmadha fshatrat e të dy anëve të Grykës së Rugovës, vrarë pleq e fëmijë dhe
çnderuar vajza e gra. (Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912-Historia e
Shqipërisë" historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_13.php.)
Duke parë masakrimet që bëheshin
nga ushtria osmane, kudo,opinioni publik, diplomatët e huaj e sidomos ata
austriak, si dhe shtypi ndërkombëtar kishin filluar të merreshin më
seriozisht me gjendjen e rëndë në trojet tona kombëtare duke kërkuar
përmbajtjen e sistemit pushtues otoman, dhe ndalimin e barbarive xhonturke mbi
shqiptarët.
Edhe
gazeta "Korça" më 14 shtator të vitit 1909,do të shkruante; "u
ranë shqiptarëve më qafë,pa shkak të vërtetë"
Kurse rreth
një javë më vonë,më 20 shtator të po atij viti, gjakatari otoman dhe
antishqiptari i përbetuar,Xhavit Pasha, në një intervistë dhënë gazetës
"Progres de Salonique" do të mundohej ti kamuflonte barbaritë që
shkaktonte duke deklaruar se kinse qëllim i ekspeditave turke, ishte
"likuidimi i disa rebelëve"për të vërtetuar vetëm pak kohë më vonë,
para gazetarëve anglez,italian,francez etj., se "nuk do të prehej i qetë,
para se t`ua shtypte kokën shqiptarëve" gjë që alarmoi edhe më tepër
prijësit kombëtar dhe detyroi ata për ndërmarrje urgjente të masave mbrojtëse.
Reagimi i shqiptarëve dhe
shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme
Tendencat për vazhdimin e
ekspeditave të një pas njëshme, dëmtimet aq shkatërrimtare, dhe kërcënimet për
shtypjen e kokave të shqiptarëve, nga fundi i vitit 1909,nxitën krerët e tyre
të formonin në Stamboll Komitetin e fshehtë "Ja vdekje - ja Liri"
i cili përveç organizimit të kryengritjes së përgjithshme,u përpoq të formonte
edhe një qendër të vetme drejtuese, si dhe publikimin e një organi qendror të
shtypit, për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.
Ndaj,që në fillim pranverën e
vitit 1910, filluan gjithandej të mbaheshin tubime për përgatitjen e kryengritjes,
kurse veprimet e armatosura antiosmane nisë që në mars të atij viti, kështu që
organizimi i qëndresës së shqiptarëve të Kosovës po kthehej shpejt dhe
sigurt,në kryengritje të armatosur kundër regjimit barbar xhonturk.
Gjendja
e krijuar kërkonte mobilizimin e të gjitha trojeve për çlirim nga Perandoria
Turke, ndaj i ftuar nga Isa Buletini, Zeqir Halili do të merrte pjesë edhe në
Kuvendin e mbajtur në prill të vitit 1910, te "Verrat e Llukës", ku
ndër të parët, do të zotohej për zbatimin e vendimeve dhe realizimin e tyre me
besnikëri, deri në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Turqia.
Në anën tjetër, vrasja e majorit
Rushit Beu, komandanti i ushtrisë
turke në Pejë dhe plagosja e Haki Beut, mytesarif i atij qyteti, shqetësoi aq
shumë qeverinë xhonturke,sa që më 7 prill të vitit 1910, ajo do të mbante me
urgjencë një mbledhje me eksponentët kryesor të shtetit,dhe me dekretin
perandorak të sulltan Mehmet Reshatit V-t,do të shpallte gjendjen e
jashtëzakonshme në zonat e
kryengritjes të cilat përfshinin Kosovën dhe Malësinë.
Porta e Lartë urdhëroi me
shpejtësi Ministrinë e Luftës Mahmut
Shefqet pashën që të
përgatiste sa më parë një ekspeditë nga më të mëdhatë ndëshkimore kundër
shqiptarëve, në krye të së cilës do të vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga
gjeneralët më gjakatar të asaj kohe që kishte ushtria otomane.
Nga mesi i muajit Prill, forcat turke
arritën në afërsi të Kaqanikut ku,pas luftimeve të ashpra ndërmjet 40 mijë
trupave turke dhe 6 mijë kryengritësve shqiptar të ndarë në dy pikëqëndrime
strategjike,3000 në Kaqanik nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe 3000 në krye me
Isa Buletinit në Carralevë, luftëtarët e ardhur nga të gjitha viset shqiptare
në mesin e të cilëve edhe ata të Malësis së mirë, nga mesi i prillit e deri më 10 maj
të vitit 1910, do të bënin një qëndresë aq heroike sa që Perandoria turke do të
detyrohej që nga 40 mijë ushtar sa kishte në front, ta rriste numrin e tyre në
50 mijë,duke i përforcuar edhe me 70 bateri artilerie.
Por,qeverisë xhonturke nuk do ti
mjaftonin vetëm përforcimet me ushtarë e armatime,ndaj bashkë me to, ajo
vendosi ta dërgonte edhe vet ministrin e luftës Mahmut Shefqet pashën,për
udhëheqjen operacioneve ushtarake, ngase as gjenerali më i mirë që pati ushtria
osmane siç cilësohej atë kohë, gjakatari Shefqet
Turgut pasha, nuk arrinte ti thyente 5-6 mijë luftëtarët heroik shqiptar të
cilët me trupat kreshnik, jetën dhe
gjakun e tyre, mbronin heroikisht tokën e të parëve.
Madje,me gjithë rritjen e numrit
të ushtarëve në 50 mijë sosh, 70 bateritë e artilerisë dhe ardhja e ministrit
të luftës, vetëm pas rreth një muaji luftimesh,kur shqiptarëve kishin filluar
tu mbaroheshin municioni dhe ushqimet, si dhe ranë e u plagosën shumë trima në
fushën e nderit, forcat turke mundën të ecnin përpara por vetëm ngadalë dhe gjithmonë
nën breshërinë e luftëtarëve shqiptar, të ndarë në grupe më të vogla taktike, që
me gjithë vështirësitë vepronin gjithandej Kosovës.
Kjo bëri që trupat
turke,përkundër numrit të madh,armatimit të shumtë e më modern që posedonin dhe
ndihmën e vazhdueshme të bashkëpunëtorëve të shitur vendës, vetëm më 1 qershor
të atij viti, të arrinin në Pejë dhe Gjakovë.
Sulmi i dytë në Qafë Morinë
Me qëllim të shuarjes së
tërësishme të qëndresës së armatosur të shqiptarëve dhe Lëvizjes së
përgjithshme Kombëtare në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, gjatë muajve
qershor dhe korrik të vitit 1910, Qeveria Xhonturke do t’i niste dy divizione
ushtarësh turq, për operacione të gjera luftarake edhe në zonat e tjera të
Rrafshit të Dukagjinit, si dhe drejt Lumës e Dibrës kurse nëntë batalione
ushtarësh, do të kalonin përmes Qafës së Prushit në zonën e Hasit, me qëllim të
daljes së tyre nga atje në Shkodër.
Shefqet Turgut pasha dhe ushtria
pushtuese turke,për shtypjen e qëndresës kombëtare, brenda dy vitesh do ti
vërsulej dy herë Malësisë së Mic Sokolit dhe të Binak Alisë përmes së cilës
donte të kalonte në Shkodër. Ndaj duke ditur se kjo nuk mund të arrihej pa një
luftë të vështirë,ai do të niste edhe një herë gjeneralin Xhavit Pasha, për
vendosjen e topave të artilerisë turke në Qafë të Morinës, por tanimë me shumë
më tepër ushtarë dhe armatime.
Me gjithë luftimet e pandërprera,
shkatërrimet e mëdha dhe mbledhjen e armatimit, sipas Dr. Jusuf Bajraktarit,
nën udhëheqjen e Zeqir Halilit dhe Bajram Currit,edhe një herë në Qafë të
Morinës, 2000 kryengritësit e bashkuar të Krasniqes, Gashit, Bytyqit dhe fiseve
të tjera do t’i bënin ballë heroikisht një divizioni,tanimë prej 15-18
batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 bateri artilerie,
etj. (Dr. Jusuf Bajraktari, "Gjakova me rrethinë në fund të
shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912",
Prishtinë, 1998).
Kryengritësit u bënë pritë
gjithashtu forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit edhe në Qafë të Kolqit, ku 200 malësor....
u shkaktuan humbje të mëdha. (historia.shqiperia.com/rilindja/ Kreu _11.php "Kryengritja e Kosovës e
Vitit 1910" Kreu XI )
Ndërsa, në
anën tjetër trimi Mehmet Shpendi,në krye të malësorëve kryengritës, në luginën
e Shalës dhe të Thethit,do të zinte Qafën e Agrit, dhe të gjitha
shtigjet nga mund të kalonte ushtria turke, i cili me bashkëluftëtarët e tij,
jo vetëm se do ta bllokonin aty për 7 ditë e net , ushtrinë e Shefqet Turgut
Pashës,por edhe do ta thyenin me turp dhe detyronin të tërhiqej nga Lugina e
Shalës dhe e Thethit. Turgut Pasha mundi të kalonte vetëm përmes Pukës, për të
arritur më 24 korrik të vitit 1910, në Shkodër.
Është interesant të ceket me këtë
rast, se si për koincidencë, qeveria xhonturke, pikërisht më 24 korrik të vitit 1910,do
të merrte vendim për mbylljen e të gjitha klubeve dhe shkollave në gjuhën
shqipe, të hapura nga viti 1908, duke ua mohuar çdo të drejtë
njerëzore dhe kombëtare shqiptarëve.
*****************************************************************************************************
Për aq sa është e njohur nga
fakte dhe dokumente historike, pinjollët e familjes së Binak Alisë, duke
filluar nga Mic Sokoli,Binaku vet, të katër djemtë e tij dhe i nipi Zeqir Halili, gjatë gjithë jetës dhanë
kontribut të madh e të pamohueshëm dhe përherë do ti përgjigjeshin ndër të
parët, zërit të Atdheut, qoftë si luftëtar të denjë apo edhe udhëheqës të
dalluar kryengritjesh, të cilët,për aq sa dihet publikisht, gjithmonë iu
përmbajtën me besnikëri anës kombëtare dhe nuk duruan kurrë të huaj as bashkëpunuan
ndonjëherë me pushtues të vendit.
Megjithatë,pasi që në ndonjë
shkrim gjen edhe mendime tjera,si bie fjala për Shaban Binakun, mbi të cilin me
apo pa të drejt, hidhet hije dyshimi, për qëndrimet e mbajtura para betejës së
Qafë Morinës, më 1909, do të ishte mirë dhe në interesin e përgjithshëm që
historianë të paanshëm dhe profesionist të licencuar ta thonë fjalën e tyre, ashtu
si u zhvilluan ngjarjet, pa përbaltje as zbukurime të realitetit,në mënyrë që njerëzit
të njihen me të vërtetën dhe figurat eminente të "shpërlahen" nga
dyshimet, qoftë të vëna në rreshta këngësh dhe të shprehura në formë lutje, si;
"Për riza të Zotit...... "Mos i hani paret e kralit",a ndonjë
shkrim i ngjashëm,nëse nuk kanë mbështetje burimore dhe janë të pa argumentuara
me fakte .
Për dyshimin, momentalisht të
supozuar, këtu më poshtë mund të lexoni pjesë nga shkrimi i Dodë Progni-t, me
titull; "Qëndresa e Malësisë së Gjakovës kundër
ekspeditës ndëshkimore xhonturke të komanduar nga Xhavit Pasha, Pranverë
1909" ku ndër të tjera thuhet;
......."Pasi nuk mori asnjë përgjigje nga krerët e Malësisë deri
me 25 maj,gjë që do të thoshte se ata nuk ishin dakort me zbatimin e
kërkesave,me 26 maj Xhavit Pasha në krye të 12000 ushtarëve të pajisur me
dhjetëra topa e mitraloza u nis në drejtim të Malësisë duke djegur e përvëluar
fshatërat gjatë rrugës dhe u përqendrua në fshatin Ponoshec.7) Këtu ai në vazhdim të kursit
të pacifikimit mori takim përsëri me disa krerë të Malësisë,në mesin e të
cilëve ishte dhe Shaban Binaku,i njohur deri atëherë për qëndresë antiosmane,të
cilëve u kërkoi nënshtrimin e Malësisë ndaja urdhërave të qeverisë. Si duket
krerët në këtë takim u thyen përpara presionit,ose premtimeve të Xhavitit,dhe i
dhan fjalën se do të bënin çishte e mundur për të penguar qëndresën e armatosur
të Malësisë.8) Dhe
në fakt,në kuvendin e madh të Kolgecajt që u mbjat në fillim të muajit qershorë
dhe ku mori pjesë Gashi e Krasniqja “burrë për shpi”,këta krerë në kundërshtim
me vullnetin e vegjëlisë bënë përpjekjë për të penguar qëndresën e
armatosur,duke trumbetuar forcën dhe egërsinë e ekspeditës së Xhavit Pashës, e
cila sipas tyre “do të digjte e shkatërronte gjithë Malësisnë.” 9) Mundë të mendohet se fjalën
në Ponoshec këta krerë u detyruan ta jepnin sa për të shpëtuar aty për aty kokën
e tyre,por qëndrimi që mbajtën në mbledhjen e Kolgecajt,duke kundërshtuar
organizimin e qëndresës, dhe sidomos mungesa e tyre në betejën e Qafës së
Morinës,nuk mundë të quhet ndryshe veçse kapitullim."
(Dode Progni,Mon.03 May 2010 www.nasergashi.com/t3188-qendresa-e-malesise-se-gjakoves...)
Varja e
Avdullah Hoxhës dhe Shaban Binakut
Në anën tjetër,pas luftimeve dhe
qëndresës heroike shqiptare gjatë gjithë vitit 1910, përveç vrasjes dhe
torturimeve të kryengritësve tjerë, gjenerali gjakatar turk, Shefqet Turgut pasha,
për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtare, më 27 nëntor të vitit 1910,do të
ekzekutonte me varje në mes të pazarit të Gjakovës edhe Shaban Binakun nga
Bujani si dhe Abdullah Hoxhën,fetar nga fshati Kovaçe i Gashit të Gurit, që të
dy nga Malësia, të cilët vetëm pak vite më vonë, thuhet se do ti shpaguante
Zeqir Halili, duke vrarë tre oficer të lart otoman.
Por të kthehemi edhe një herë te
krye-personazhi i këtij shkrimi,vitet dhe ngjarjet që lanë gjurmë në jetën dhe
luftën e tij si patriot i madh e idealist i dalluar si dhe besnik e atdhetar i
flakët, veprimtaria e të cilit vazhdon të shkëlqej pa asnjë trazim, çiltër dhe
ndritshëm si Dielli pranveror mbi bjeshkët e Shkëlzenit dhe Malësinë e tij të
mirë.
Luftë dhe valëvitje flamuri më
1911 në Malësinë e madhe
Viti 1911,mendohej të kalonte në
përgatitje të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, pasi që gjatë
luftimeve të vitit 1910,përveç vrasjeve, maltretimeve dhe çarmatosjes së
shqiptarëve,shumë të zhvendosur të ikur nga trojet tona etnike kishin kaluar në
Mal të zi, përfshi vojvodën e Kastratit Zenel Shabani me 400 veta nga treva e
tij, Dedë Gjon Luli me 400 nga Hoti,si dhe shumë refugjat nga vise të ndryshme
etnike, numri i të cilëve kishte arritur në disa mijëra.
Ndaj nën këto rrethana megjithëse
kishte kërkesa për fillimin e menjëhershëm të saj, pas refuzimit të shteteve
hegjemoniste fqinje për mbështetjen e një kryengritje të përgjithshme dhe
armatosjen e shqiptarëve, Komiteti i Manastirit udhëzonte bashkëkombësit që atë
vit të formonin çeta luftëtarësh deri në 50 veta, kudo që arrinin dhe të fusnin
sa më shumë armatim në trojet e tyre, për fillimin e një kryengritje gjithëkombëtare
në vitin 1912.
Por,më 14 mars të vitit 1911, me
qëllim nënshtrimin e shqiptarëve,Mali i zi,do tua ndërpriste ndihmat
refugjatëve që ishin atje, gjë që do të ndikonte në ndryshimin e planeve dhe
përshpejtimin e tyre.
Ndaj, për shkak të presioneve
malazeze, nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit , i cili disa herë në ditë të
vështira kishte gjetur strehë,bukë e përkrahje si në kohën e Binak Alisë edhe
nga pasardhësit dhe nipi i tij Zeqir Halili, më 24 mars të atij viti do të
shpërthente kryengritja e malësorëve të Hotit, para kohës së planifikuar.
Megjithatë edhe nën ato
rrethana,kryengritja e udhëhequr nga një hero si Dedë Gjon Luli,shënoi shumë
suksese, kulmi i të cilave u arrit me ngritjen e flamurit kombëtar, më 6 prill
të vitit 1911 në Deçiç nga Dedë Gjon Luli.
Madje, edhe pse shumica e trevave
shqiptare të veriut ishin çarmatosur nga ekspeditat ushtarake turke të cilat
zgjatën deri në fund të vitit 1910, thirrjes së Isa Buletinit më 23 marsit të
vitit 1911, përcjell nga përfaqësuesit e Kosovës më 15 prill të atij viti në
Jug të Shqipërisë, iu bashkuan edhe viset jugore të saj. ( www.shqipëria.com Kryengritja
në Malësinë e Mbishkodrës 1911)
Kontributi i Zeqir Halilit në
luftërat çlirimtare të vitit 1912
Më 11 janar të vitit 1912, pas
shumë problemesh,më në fund Parlamenti i Perandorisë turke do të shpërndahej.
Të nesërmen, më 12 janar, paria shqiptare e drejtuar nga Ismail
Qemaili dhe Hasan Prishtina do të mbanin një Mbledhje në periferi të
Stambollit , e cila sipas vendit ku u mbajt,në histori do të njihej
si Kuvendi i Taksimit.
Aty, u vendos që Kombi shqiptar të marrë në duart e veta, fatin e tij dhe vendi
të drejtohet prej një qeverie shqiptare. (Prof.
Dr. Hakif Bajrami: "Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të
vitit 1912?")
Ndaj,në muajt prill dhe maj të
vitit 1912,në të gjitha krahinat filluan mbajtjet e tubimeve për Lidhjen e
Besës ndërmjet shqiptarëve. Një tubim të tillë , nën udhëheqjen e Bajram Currit
e Zeqir Halilit, do ta mbanin edhe prijësit e Krasniqes, Gashit, Bytyqit, Hasit
dhe Rekës, në mbështetje të kuvendit historik të Junikut dhe fillimin e
kryengritjes së përgjithshme kombëtare për çlirim nga Perandoria turke.
Në këtë luftë çlirimtare që pasoi pas lidhjes së shumë besave në
krahina të ndryshme, si emërues i përbashkët për luftë unike do të shërbejnë
Vendimet e Kuvendit të Junikut
21-25 maj 1912. (Prof. Dr. Hakif Bajrami: Pse Bajram Curri
nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)
Kuvendi i
Junikut (21-25 maj 1912)
Për jetësimin e vendimit të
prijësve shqiptar dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme të vitit
1912,Hasan Prishtina do të kthehej ndër të parët në atdhe, kurse Ismail Qemali,pa
vonuar do të nisej në misione diplomatike për sigurimin e përkrahjes së Pavarësisë
së Shqipërisë e cila parashihej të shpallej atë vit.
Si vend më i përshtatshëm për
mbajtjen e një Kuvendi me kaq rëndësi , do të zgjidhej Juniku, në të cilin nga
21 deri më 25 maj të vitit 1912 do të mbaheshin punimet e kuvendit dhe merrej
vendimi historik për fillimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare.
Zeqir Halili si trim e luftëtar i
dalluar dhe patriotë i shquar i kombit që ishte edhe kësaj radhe,zërit të
atdheut për çlirim nga Perandoria turke dhe luftës kombëtare për Pavarësi, do ti përgjigjej shpejt dhe me vendosmëri
ashtu siç e kishte traditë ai, tani e sa kohë, duke bashkuar Krasniqe e
Gash,Bytyq,Has e Rekë dhe fiset tjera të Malësisë për të nisur i pari kryengritjen,që
në pranverën e atij viti.
Atbotë, për heroizmat dhe përpjekjet
e tij të pareshtura anti-osmane do të shkruante pothuajse i gjithë shtypi
i kohës,e në mënyrë të veçantë gazetat që dilnin në gjuhën shqipe si "Liria" (1908-1910) nga Mithat
Frashëri në Selanik, "Dielli" (1909-1910)Fan Noli,Faik Konica,
etj...në Boston, "Shkupi"(1911-1912) Jashar Erebara në Shkup,
"Drita" (1901-1908) Shahin Kolonja në Sofje, ”Korça”(1908-1910) Sami
Pojani Korçë,etj. si dhe do t’i këndoheshin këngë të zgjedhura epike, nga opusi
i gjerë i popullit të tij të robëruar, i cili nga heronj të tillë me besim dhe
entuziazëm priste çlirimin dhe arritjen e lirisë.
Bashkë me Bajram Currin, i cili po-ashtu i takonte fisit të madh të Krasniqes
dhe ishte me origjinë nga Malësia,disa ditë para se të fillonin luftimet me
garnizonin turk të vendosur në Qafë
të Prushit,sipas të vjetërve, thuhet se ata të dy-do të vendoseshin në Has, në
Kullën e Hysen Selmanit të Qarrit, të cilin e kishin edhe si"vëlla"nga
fisi,prej nga do të niseshin në sulm dhe udhëhiqnin betejën e njohur të Qafës
së Prushit,ku do ta shkatërronin garnizonin turk, të vendosur atje, si dhe
kapnin shumë municion e armatime, me të
cilat do të pajiseshin kryengritësit e Hasit, Krasniqes, Gashit
dhe Bytyçit, të cilët pak kohë më vonë do të nisnin sulmet për çlirimin e
Gjakovës.
Suksesi i kryengritësve të
udhëhequr nga Bajram Curri, dhe Zeqir Halili, në Qafë të Prushit, sipas
Hasan Prishtinës jo vetëm që do t’u jepte zemër të gjithë luftëtarëve shqiptarë
dhe shpirt kryengritjes së përgjithshme kombëtare e cila kishte marrë përmasa
të mëdha dhe shtrihej shpejt e me guxim gjithandej, anë e mbanë hapësirave të
Kosovës.
Nga aty fitoret e luftës nuk
patën të ndalur, deri me ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e
Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Bajram Curri e Zeqir Halili, në
këtë betejë dëshmuan edhe një herë se Malësia e mirë si pjesë e ndritur e Dardanisë
së vjetër,është vendlindje e shumë trimave të kombit me të cilët në krye, ushtarët
e lirisë së trojeve tona, nga arenat e luftërave të mëdha, në sa e sa përballje
me armikun, dolën faqebardhë.
Ata,si dikur edhe sot, janë dhe
mbeten krenaria e kombit të të gjithë shqiptarëve kudo.
Luftimet për çlirimin e
Gjakovës i drejtonin Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani
e Ali Binaku me shtatë nipat e tij nga Krasniqja e Malësisë
kreshnike, një betejë e suksesshme e filluar natën për ta zbardhur ditën edhe me një fitore mbi Gjakovën e çliruar.
Më 22 korrik të vitit 1912,ishin
kreatorët e fitoreve,si Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani etj,të cilët
në krye të 12000 kryengritësve të Malësisë dhe Rrafshit të Dukagjinit, do
të hynin në Prishtinë si çlirimtarë, kurse nga aty me 6000 luftëtarë do të
niseshin drejt Shkupit,për çlirimin e tij si kryeqytet i vilajetit të Kosovës.
Pas sukseseve të njëpasnjëshme
nga krahina në krahinë më 5 gusht të vitit 1912,me urdhër të Bajram Currit,200
luftëtarë pararojë me në krye Bajram Daklanin, do të hynin si
çlirimtarët e parë në Shkup ku Bajram Daklani po atë ditë,për herë të parë pas
rreth 500 vitesh robërie, do ta ngrinte me krenari Flamurin Kombëtar të
fitores,ndërsa më 13 gusht të po ati viti, në ballë të 6000 kryengritësve, në
Shkup do të arrinte edhe Bajram Curri e Zeqir Halili, me ç`rast Bajram Curri do
ti lironte mbi 1000 të burgosurit shqiptar, të ngujuar padrejtësisht nga
pushtuesit xhonturq.
Zeqir Halili, kontribuoi shumë
edhe për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë siç do të dallohej edhe në
luftimet kundër pushtuesve serbo-malazezë për mbrojtjen e tokave tona, duke mos
dorëzuar armët as pas ardhjes së ushtrisë Austro-Hungareze në vendin e shqipeve,
deri në momentet e fundit të jetës së tij.
Ndaj, është vështirë të gjenden
luftëtar dhe prijës të tillë të pa epur si Zeqir Halili, i cili një jetë-gjatë,
shkëlqeu si diamanti në përpjkekjet e pareshtura për liri, pa u lodhur
asnjëherë,nga përballjet e vështira me armiq dhe pushtues të shumtë të trojeve
shqiptare.
Elani i tij luftarak, vërtetohet
edhe një herë më tepër në dokumentarin kushtuar Binak Alisë, nga mesi i të
cilit për disa minuta flitet edhe për Zeqir Halilin,ku sipas një raporti të
gjetur në arkivat e luftës së Malit të Zi, të datës 15 tetor 1912, thuhet se
Bajram Curri dhe Zeqir Halili ,nga 2 maji (i atij viti), do të sulmonin çdo
ditë pozicionet e forcave malazeze, që tentonin ti zaptonin trojet tona etnike.
Pushtimet e tokave shqiptare nga
fqinjët hegjemonist
Megjithëse për shpërbërjen e
Perandorisë Osmane në Ballkan,rol vendimtar patën kryengritjet shqiptare të
shekullit XIX dhe fillim-shekullit XX, e në mënyrë të veçantë luftërat e viteve
1908-1912, të cilat quan në dëbimin përfundimtar të Perandorisë turke nga kjo
pjesë e Evropës, me gjithë
kontributin që shqiptarët dhanë si dhe të drejtën e tyre për liri dhe
shtet-formim, Fuqitë e Mëdha me qëndrimet e tyre indiferente deri në përbuzje
ndaj popullit tonë, do ti zhgënjenin shumë shqiptarët, sidomos gjatë luftërave
ballkanike të viteve 1912-1913.
Madje, përkundër asaj se më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria do të shpallte Pavarësinë
kombëtare dhe kërkonte nga Fuqitë e Mëdha njohjen e shtetit të sapo-shpallur
shqiptar si dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje,
të cilat pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër
anët, ato për rreth një vit gati sa heshtën fare, për ti shpërblyer pas një
vitit agresorët me më tepër se gjysmën e tokave tona, të pushtuara që më parë dhe pranuar vetëm rreth
gjysmën e mbetur të tyre si gjysmë-shteti shqiptar, nga data 29 korrik e vitit
1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Madje,po ato
Fuqi të Mëdha,të cilat pas çlirimit të Shkupit që në gusht të vitit 1912,menjëherë
dhe në mënyrë ultimative,pas katër ditësh gjendje lufte (Dr.Hakif Bajrami,
"DVOR" letra e A.Rajsit.....), do ti detyronin pa të drejt kryengritësit
shqiptar të çarmatoseshin dhe ktheheshin të dëshpëruar në shtëpitë e veta, duke
lënë vendin pa mbrojtje, dhe hapur dyert e pushtimit në të gjitha anët, hap e krah,vendeve hegjemoniste fqinje
të cilat nuk vonuan të zaptonin trojet tona, përkundër deklaratave famoze të Fuqive të Mëdha para kryengritësve
shqiptarë, kinse nuk do të pranohej
ndryshimi i kufijve me luftë.
Në anën tjetër,
Perandoria turke në vend sa ta njihte dhe pranonte Shtetin e Pavarur Shqiptar,
vazhdonte edhe më tej të deklaronte me kokëfortësi se si tokat tona i takonin
Perandorisë.
Pretendimi turk
mbi tokat tona, ishte edhe një pretekst i mirëseardhur për Serbinë, Malin e Zi,
Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat të ndihmuara financiarisht e ushtarakisht me
armatim dhe mercenarë të shumtë rusë, në emër të
"çlirimit" të popujve ortodoksë nga shteti "osman" në
tetor të vitit 1912, ti shpallnin luftë Turqisë,për të pushtuar me forcën e
armëve,tokat shqiptare.
Megjithëse ato vite shqiptarët
vërtet luftuan si trimat, fatkeqësisht përpjekjet për mbrojtjen e trojeve tona
etnike ,nuk do të përfundonin as pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare, ngase shtetet
hegjemoniste fqinje sapo kishin filluar tu suleshin si hienat,për grabitjen dhe
copëtimin sa më parë të tyre, nga të gjitha anët.
Ndaj,edhe pse vendi ende nuk e
kishte marrë veten nga plagët e luftës me Perandorinë, luftën me pushtuesit e
rinj e kishte në prag dhe zëri i atdheut, luftëtarët me nam si Zeqir Halili me
shokë, do ti ftonte për t’u dal zot përsëri tokave të të parëve,dhe
mbrojtur shtetin e ri të sapo-shpallur si të Pavarur, nga sulmet e shovinistëve
serbo-malazez dhe grek të cilët donin të përpinin deri në fund çdo pjesë të
atdheut dhe zhduknin nga faqja e dheut çdo gjë shqiptare.
Veprimet e
fqinjëve hegjemonist nuk ishin të papritura për shqiptarët ata tanimë ishin
mësuar me qëllimet e tyre grabitqare, ndaj ashtu siç edhe pritej, më 13 tetor
të vitit 1912, Serbia sulmoi Kosovën, Shqipërinë veriore dhe viset lindore në
Iliridë. Mali i Zi, Plavën,Gucinë, Hotin, Grudën Këlmendin, Pejën e Gjakovën e
më von edhe Shkodrën, Greqia Janinën dhe tërë Çamërinë si dhe viset e
Shqipërisë së jugut deri në Shkumbin, ndërsa Bullgaria në Lindje synonte të
arrinte në Korçë dhe më në thellësi të zemrës së Shqipërisë së Jugut.
Përveç pushtimit të tokave tona, ushtritë
zaptuese të vendeve hegjemoniste fqinje, shkaktuan masakra dhe terror të paparë
mbi popullsinë e pambrojtur civile. Për shembull, në fillim të luftimeve në
Lumë,serbët nisën ti vrisnin shqiptarët me pushkë, kurse më vonë do ti thernin ata
me thika dhe bajoneta.
Ndaj,gazeta britanike”Daily Telegraph” do të
shkruante: ”Historia nuk njeh masakrime më të tmerrshme se ato të gjeneralit
serb, Bozhidar Jankoviq, mbi shqiptarët".
Kurse për krimet serbe gjatë muajve shtator
-tetor të vitit 1913,në Dibër e rrethinë, do të mbante shënime edhe shkrimtari
ynë i mirënjohur Haki Stërmilli,të cilat na flasin me këtë gjuhë trishtuese:
”Tabakhaneja, që dikur ishte thertore bagëtish në qytet, tani (nga serbët) është
kthyer në thertore shqiptarësh,....etj. Vrasjet dhe gjenocidi mbi popullin tonë do të
vazhdonin, deri me ardhjen e Austro-Hungarisë, në trojet tona.
Madje,forcat austro-hungareze,do
ta ndiqnin ushtrinë serbe,jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe nga vet
Serbia, e cila me gjithë vrasjet dhe gjenocidin që kishte ushtruar mbi
shqiptarët në shtëpitë dhe tokat e tyre, deri pak kohë më parë, tani me ndihmën
e Esat Pashë Toptanit dhe bashkëpunëtorëve tjerë shqiptar, do të kalonte pa
therrë në këmbë,mes për mes maleve dhe fushave të Shqipërisë së ndarë në klane
rivalizuese, për tu rigrupuar në ujdhesat e "Greqisë".
Vetëm luftëtarët si Bajram
Curri,Isa Buletini Zeqir Halili, Dy Bajramat e Malësis etj., do të luftonin
pareshtur edhe në ato vite të kobshme kundër të gjitha forcave pushtuese të
vendeve hegjemoniste fqinje, sidomos kundër atyre serbo-malazeze.
Madje Zeqir Halili me
bashkëluftëtarët e tij,i ndihmuar edhe nga Bajram Mani, bajraktar i Krasniqes
dhe Bajram Nimani udhëheqës i njohur i Malësis, nuk do ti ndalonte luftimet as
në muajt korrik e gusht të vitit 1915, si në Qafë të Morinës,ashtu edhe në Gash
e Krasniqe, i cili në krye të malësorëve kryengritës, do të arrinte që në vitin
1916, me zjarrin e pushkës t’i dëbonte përfundimisht forcat pushtuese
serbo-malazeze, nga Malësia.
Baroni austro-hungarez, Franc
Nopça (1877-1933), i njohur si ekspert
i Gjeologjisë, Etnologjisë, Historisë etj. u mor gjatë me studimet
albanologjike,historinë dhe të drejtën kanunore në trevat e veriut, i cili pas
studimeve të gjata në trojet shqiptare,do të shkruante rreth 54 vepra mbi popullin,
historinë dhe gjeografinë e vendit tonë
për tu kthyer në shkencëtar udhërrëfyes mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ai në librin "Udhëtime nëpër
Ballkan" në kujtimet e tij, gjatë një tubimi në Kishën e Rajës, e përshkruan Zeqir Halilin si
personalitetin më të rëndësishëm të shtatë
bajraqeve,atje.
Vrasja e dy Bajramave dhe Zeqir
Halilit
Si udhëheqës me shpirt kryengritës,luftëtar
besnik dhe idealist i paepur i motos "Ja vdekje,ja Liri", atij do ti
vinte një vdekje e pamerituar,krejt ndryshe nga ajo që e kishte menduar ai dhe
të tjerët për të. E përgatitur në heshtje, papritur dhe e organizuar në mënyrë
tinzare,jo e drejtë dhe tejet e pa denjë për Zeqir Halilin, mori me pabesi këtë
frymëzues të madh të kauzës kombëtare, i cili përherë mbeti ushtarë i
përkushtuar i atdheut. Ndaj ai kishte legjitimitet dhe arsye të forta, të mos
pajtohej me të gjitha veprimet e cilitdo njësit austro-hungarezë në trojet
shqiptare.
Madje, në gjendjen çfarë ishte
dhe para rreziqeve që ndodhej vendi, i rrethuar në çdo anë prej grupesh
kriminale që vinin të armatosur nga shtetet hegjemoniste fqinje për
terrorizimin e banorëve shqiptar në zonat kufitare, ai pati të drejt të binte
në kundërshtim të papajtueshëm me kërkesat e austro-hungarezëve
për çarmatosjen e malësorëve si dhe tendencat e tyre për burgosjen e
banorëve kryengritës të Malësisë, të cilët armët i kishin pjesë të jetës ndaj
dhe nuk pranuan t’i dorëzonin asnjëherë.
Por, në vijim, le të kalojmë te
shkaqet e vrasjes së tij.
Sipas asaj që dëshmojnë
pasardhësit e familjes dhe stërnipat e nderuar të Zeqir Halilit, vëllezërit
Agim e Shkëlzen Mulosmanaj, shkaku që do ta qonte Zeqirin në konflikt me forcat
austro-hungareze,ishte një rast i cili edhe në këtë kohë, mendohet të ketë qenë
i pa qëllimtë, dhe nga ata shpjegohet me sa vijon :
Disa muaj para vrasjes së Zeqir
Halilit, një Kaçak i strehuar në
malet pranë vendit të quajtur Qafa e Luzhës, aty ku ndan rruga për Bytyq,
do të dëgjonte zhurmën e patrullës ushtarake austro-hungareze e cila kalonte
atypari dhe në përbërjen e saj, kishte edhe një doktor.
Personi në fjalë, duke menduar se
për shkak të mosdorëzimit të armës,patrulla e përmendur,ishte vënë në kërkim të
tij, nga frika e çastit, shtie në drejtim të ushtarëve, me ç`rast një nga
plumbat do ta vriste doktorin.
Megjithatë, fatkeqësisht vetëm
disa vite pas shuarjes së Zeqir Halilit, do të merrej vesh se autori i vrasjes
kishte qenë dikush tjetër, madje një kaçak i "përtej Drinit" i cili ditën
kritike,rastësisht qëlloi në atë vend, ndërsa me origjinë, duhej të ishte nga
Puka apo rrethina e saj.
Pasi që dorasi kishte ikur në
thellësi të maleve të cilat ishin shtëpi e beden mburoje për te, por tokë e
panjohur dhe e frikshme për njësitin austro-hungarezë, ata në pamundësi të
kapjes së autorit ,do të rrethonin fshatin Luzhë dhe tubonin gjithë banorët në
Xhamin e fshatit, duke kërkuar tu tregonin se kush e kishte vrarë doktorin
austriak.
Megjithëse askush nuk dinte,ushtarët
lirojnë vetëm grat dhe fëmijët,por jo edhe burrat të cilët të lidhur dy nga dy
do ti nisnin në drejtim të Bujanit, për ti vrarë në shenj hakmarrjeje.
Ndërkohë,të liruarit e alarmuar,
njoftojnë Zeqir Halilin dhe kërkojnë ndihmën e tij për shpëtimin e burrave
luzhjanë. Ndaj gjenerali kryengritës i Malësisë së mirë nuk mund ta përpinte në
heshtje një padrejtësi të tillë.
Ai, mobilizon shpejtë
"ushtarët" e tij dhe rrethojnë patrullën austro-hungareze në oborrin
e Xhamisë së Bujanit, ku ( sipas vëllezërve mulosmani) kishin detyruar burrat e
marrë peng të Luzhës që ti hapnin vet varret e tyre, para se ti pushkatonin.
Zeqir Halili me të arritur në
vendin e ngjarjes,njofton udhëheqësin e patrullës austro-hungareze, se ata
ishin të rrethuar dhe i jep atij një ultimatum të shkurtër për lirimin e
menjëhershëm të burrave të pafajshëm.
Nga frika e konfrontimit të
armatosur, njësiti austro-hungarez, aty liron burrat e marrë peng, por me tu
kthyer në Qaf të Luzhës, varin hoxhët e fshatit Luzhë dhe Pacit të Bytyqit, për
të cilët thuhet se është ngritur edhe një përmendore në kujtim të tyre.
Madje,ata kishin trishtuar për
vdekje edhe një të ri, të cilin për shkak të moshës minore e falin, por nga
frika që kishte pësuar, me të arritur në derë të shtëpisë, thuhet se kishte
vdekur nga traumat e saj.
Ushtarët e mllefosur
austro-hungarez, jo vetëm se nuk do ta harronin shpejt turpërimin e
përjetuar,por nga bashkëpunëtorë shqiptar dhe spiun dashakëqij vendor, të cilët
nuk ua donin të mirën dy Bajramave as gjeneralit të Malësisë, do ta
keq-informonin komandën austro-ungareze, kinse doktorin e tyre, me ndihmën e
Bajram Manit dhe Bajram Nimanit e kishte vrarë vet Zeqir Halili.
Ndaj papritur e pa-kujtuar, vetëm
pak kohë para se ushtria austro-hungareze të tërhiqej nga trojet shqiptare,në
mëngjesin e 18 gushtit të vitit 1918, njësiti i postës ushtarake të Tropojës do
të organizonte një ekspeditë të armatosur, me ç`rast në vendin e quajtur Malet
e Policës,së pari do ti vrisnin të dy bajramat; Bajram Manin atëbotë
"Bajraktar" i Krasniqes dhe Bajram Nimanin nga fshati Margegaj, trima
të njohur dhe kryengritës me nam të Krasniqes të cilët nga viti 191o e deri më
1915,ishin bërë shembull për luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese turke
dhe atyre serbo- malazeze, si bashkëluftëtar të ngushtë të Zeqirit.
Bajram Mani dhe Bajram Nimani
Vetëm,disa orë më vonë dhe pak
kilometra më tej,njësiti i "nemces" siç quheshin austro-hungarezët
nga banorët vendës atë kohë, do ta vriste edhe Zeqir Halilin, derisa ai
pushonte i qetë dhe pa ndonjë parandjenjë të keqe, me familjen e tij pranë
Qafës së Markofqës në Bjeshkët e Gjarprit,si pikë e zgjedhur për pushime nga
paraardhësit e tij.
Pas këtyre vrasjeve, malësorët e
Krasniqes dhe Gashit,të prirë nga Rexhep Abdullahu, do ta sulmonin postën e
ushtrisë austro-hungareze në Tropojë të vjetër,ku do të zhvillohej një
përleshje e ashpër,me ç`rast do të vriteshin disa pjesëtar të forcave
austro-hungareze,për shkak të vrasjes së dy Bajramave dhe prijësit të shumë
luftërave e betejave kombëtare Zeqir Halilit.
Kështu përfundoi jeta e dy dy
burrave të dalluar dhe luftëtarëve trima të Malësisë si dhe e një udhëheqësi të shquar, të denjë
e të pa epur kombëtar, nga më të shquarit e kohës, nga pinjollët e familjes së
Binak Alisë, Malësisë dhe trojeve shqiptare kudo.
Mirënjohjet dhe harresa ndaj
Zeqir Halilit
Me vendim të Komitetit Ekzekutiv
të Këshillit Popullor të Rrethit të Tropojës, për merita të veçanta
atdhetarie,luftarake e trimërie, urtësie,bese e bujarie, më 18 janar të vitit
1983, bazuar në vendimin Nr.02, Zeqir Halili, do të shpallej "Dëshmorë i
Atdheut"!
Ndërsa,sipas nismës së një grupi
intelektualësh,mbështetur në Ligjin Nr.8652, të datës 31.07.2000,me rastin e 90 vjetorit të rënies, me datën
14.08.2008, Zeqir Halilit do ti ndahej "Mirënjohja e Komunës" së Bujanit.
Kurse më 1 tetor të vitit
2013,Lidhja e Historianëve të Kosovës "Ali Hadri" dega në Deçan, i
ndau "Mirënjohje" Familjes së Zeqir Halilit.
Më shumë hollësi
se si ai vuajti, qëndroi dhe luftoi për 30 vite me radhë kundër pushtuesve dhe armiqve
të kombit, nuk ishte e lehtë të sigurohen,madje ato sikur motet e mëdha i kishin
marrë me vete për tu mbuluar nga vitet jo tërësisht-dashamirëse nëpër kohë, me
hijen e trashur të harresës,nga "pakujdesia" shoqërore dhe shtetërore,
si histori.
Ndaj si parandjenjë jo e mirë që
ndoshta edhe vet e pati,sado që të gjitha argumentet dëshmojnë se Zeqir Halili
deri në vdekje mbeti kryengritës i përhershëm, përkundër përpjekjeve të
pareshtura dhe gjithë viteve të kaluara me pushkë në dorë, ai do të shkonte me
plagë të hapura në trup e shpirt dhe dëshirën e paplotësuar për të parë një
herë në jetë, atdheun e tij të lirë.
Madje, sikur mos të mjaftonin vështirësitë
që kaloi, si dhe luftërat e betejat e mëdha që ai mbijetoi duke qëndruar
përherë në ballë të tyre,si rrallë ndonjë prijës a udhëheqës tjetër,gjatë 30 vitesh
qëndrese kundër turqve, serbo-malazezve dhe austro-hungarezëve, të cilët më në
fund do ta vrisnin në befasi,është i dhembshëm
fakti se gati me të njëjtin fat apo ngjashëm, do të pësonin edhe të
bijtë si dhe jo pak nga bashkë-familjarët dhe pasardhësit e tij.
Por pasi që ai
vetë më nuk mund të flas, dhe përmendorja e tij,bënë sikur nuk shqetësohet
shumë për harresën që iu bë emrit dhe veprës së heroit në shoqëri,për Zeqir
Halilin si luftëtar i devotshëm i kombit, sikur mjaftojnë ato pak metra dhe, ku
pushon i qet trupi i tij,mbuluar me tokën e të parëve për të cilin ai dha aq
shumë, sa ishte gjallë.
Ndaj nga dita e kobshme kur Zeqir
Halili i Krasniqes u nda nga jeta në mënyrën që ne tanimë e dimë,familjar e të
njohur, sa herë kalojnë pran varrit ku ai ra,nuk përmbajnë dot lotët e dhembjes
që u rrjedhin nga sytë, kurse natën,siç qajnë motrat për vëllain e shuar me
tradhti, zanat e malit të cilat dikur ndriçonin shtigjet nga ai nxitonte në
luftë, tani e një shekull, mallkojnë pabesinë dhe shtojnë vajin për vrasjen prapa
shpine të tij.
Burimet:
1. (Kryengritja e Përgjithshme e vitit
1912-Historia e Shqipërisë" historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_13.php.)
2. https://www.shqiperia.com/
"Kryengritjet-kunderosmane
3. Zekirja Cana,"Lëvizja
kombëtare shqiptare në kosovë,1908-1912"
4. ."Libri "Krijuesit e
Historisë" Prishtinë 2012.
5. www.shqipëria.com "Kryengritja
në Malësinë e Mbishkodrës 1911"
6. historia.shqiperia.com/rilindja/ Kreu _11.php "Kryengritja e Kosovës e Vitit
1910" Kreu XI )
7. www.shqiperia.com "Shqipëria gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 1908
dhe Kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909"
8. (Prof. Dr. Hakif
Bajrami: Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)
9. Dr. Jusuf Bajraktari, "Gjakova me
rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX,
1878-1912", Prishtinë, 1998".
10. Wikipedia
"Franc Nopça"
Për fund,
dua të falënderoj përzemërsisht vëllezërit Agim dhe Shkëlzen Mulosmanaj, për
ndihmën me dëshmi, dërgimin e fotografive origjinale të , Zeqir Halilit si dhe
kopjet e mirënjohjeve të tij.
Gani Bajram Qarri, 12 Nëntor
2014, Cyrih