Tregim
Ky tregim merr shkas nga një ngjarje e jetuar. Çdo
përqasje në emrat e personazheve është një rastësi.
Autori
Hallë
Mara
-----------------
Ishte
e shtunë e fundgushtit. Një ditë e nxehtë dhe e bukur. Hallë Mara kishte dasmë
në shtëpi. Pas humbjes së të shoqit, Tomës, tre vjet të shkuara nga shembja e
tynelit të minierës, ajo do të martonte vajzën, Erën. Kishte dasmën e parë, dhe
me këtë rast kishte ftuar shumë miq. Me përgatitjen e dasmës ishte angazhuar
dhe familja e të kunatit, Zefit, me të cilën gardhi i ndante.
Përgatitja
dhe angazhimi i madh në këtë gëzim pothuajse i kishin lodhur të gjithë. Edhe
disa orë dhe do të niste darka. Në oborr Zefi me të rinjtë pothuajse po
mbaronin me rregullimin e tavolinave. Hallë Mara kishte dhe dy djem, Fatmirin
tetëmbëdhjetëvjeçar, binjak me Erën, dhe Rubinin pesë vjet më të vogël nga ata.
Era ishte e lumtur. Po martohej me djalin që kishte njohur vetë kur ishte në gjimnaz. Në dhomë e ndihmuar nga
kushërira dhe Brikena, shoqja e feminisë, po bënte përgatitjet e fundit.
Ndërsa
gjithshka po shkonte për së mbari, hallë Mara hyn në dhomën e saj të vishej.
Aty gjen Fatmirin të shtrirë përmbys në shtrat. “M’u lodhe shumë këto ditë
bir! Qetësohu pak të marrësh veten! Kemi gjithë këtë natë përpara.” -mërmëriti
ajo dhe për të mos e zgjuar i hodhi një mbulesë të hollë mbi trup, mori me
kujdes rrobat e reja dhe hyri në dhomën e Erës. Veç saj aty thuajse nuk shkonte
njeri tjetër gjatë ditës.
-Uau, si yll më dukesh sot!
Të ndrit nuri. Kaq e lumtur je?!
-Po
shumë, -bëlbëzoi vajza dhe njëherësh ia shkrepi në të qarë. -por sesi më duket
që do të ndahem prej jush.
-Do të mësohesh, bija ime. S’je e para.
Vajza derë e botës është. -puthi të bijën Mara, dhe si la ndërresat në karrige
doli jashtë. “Të mbarojë kjo së rregulluari dhe pastaj vishem unë “, tha
dhe sakaq shkoi tek i vëllai, Halimi, të cilin e gjeti në verandë duke pirë
kafenë e pasdites. E kishte marrë malli.
Para
shtëpisë, nga porta e madhe e hapur, ndiheshin zhurmat njohëse të fshesave,
prej të cilave ngrihej një re pluhuri e përhimtë. Dy vajza po pastronin
rrugicën, zakon që e trashëgonin brez pas brezi, në kësi rastesh, e për festa.
Zemra i gufonte hallës nga gëzimi që kishte. Piu pak ujë të ftohtë.
-Vëlla si thua, do të
dalim mirë sonte? -e pyeti.
-Pse
jo, kemi çupën më të bukur të fshatit. -heshti një çast dhe si rrufiti pak kafe
shtoi, -E duan të gjithë. Edhe vetë Zoti lart mendoi për ‘të sot. Shih moj, sa
ditë të bukur kemi! Eh, motër e dashur, -thithi ngadalë cigaren dhe qeshi pak
me një thinjë që i kishte dalë mbi vesh. -e sheh që ia arrite kësaj dite edhe
ti! -e përqafoi me mall. -Po thinjemi dhe çoç’ na duket vetja kështu.
-Po
vëlla, po. Kështu më duket dhe mua. -piu edhe ajo një kafe të bërë enkas nga
mbesa, dhe pasi kujtuan të kaluarën e
tyre u ngrit e hyri brenda.
Me hapa të ngadaltë dhe pa i folur
njeriu hapi derën e dhomës. Kishte kaluar tashmë pothuajse një orë nga koha kur
kishte dalë nga dhoma. Djalin e gjen po ashtu si e kishte lënë dhe më parë,
përmbys. I afrohet dhe e tund. “Sa i lodhur më dukesh, biri im! “ -foli
me zë të ulët, por kur e pa se ai nuk po reagonte, tentoi ta rrotullonte. Ç’të
shihte fytyra e tij ishte shndërruar në
ngjyrë veje. I hapi krahët dhe e platitur ra mbi të. Vuri jastëkun e saj në
gojë dhe ulëriti mbytur të nxirrte atë çka I erdhi aq papritur. Një zot e di si
e përmblodhi vehten atë minutë. Gati e tmerruar, por pa nxjerrë asnjë pikë loti
doli shpejt, mori të vëllanë e u mbyllën për disa minuta në dhomën e saj.
Halimi kish punuar për më shumë se tridhjetë vjet mjek zooveteriner në NB
“Fitorja” në rrethin e tij. Ai me të vënë
re se vërtetë nuk po ia ndjente pulsin, u ngrit, nxorri celularin dhe menjëherë
lajmëroi shokun e tij të vjetër, dr. Kriston, kardiolog në spitalin e qytetit.
Në pritje të ardhjes së ambulancës, i çuan lajm në oborr Zefit dhe si më i
madhi ndër ta e mori fjalën:
-Motër,
-zëri nisi t’i dridhej nëpër buzë, -është
keq situata. Djali duhet çuar sa më parë të jetë e mundur në spital. Klinikisht duket se ka
mbaruar. Unë them ta shpiem atje. Njoftoni këtej
se nuk ndihem mirë nga zemra dhe po më shoqëron Fatmiri. Dasmën, e
kupton dhe ti, s’mund ta shtyjmë për javë tjetër. –u kthye nga krushku, -Zef
kjo që ndodhi është tepër e rrëndë për ne. Mbahu vëlla. Duhen marrë masa për
t’i kryer tani disa punë si duhet. Për çupën e për fshatin ne na lipset të jemi
të fortë. Ç’mendoni ju? -vështrimi i tyre
zgjati pak kohë.
-Po ku e di unë, si është më e
mira ashtu të
bëhet! Krah jush jam. Po të dëgjoj. -Trupin ia përshkuan disa mornica.
-Po vëlla, Era nesër duhet të
shkojë në derën e burrit, ashtu si e kërkon zakoni. –nga sytë i shkanë disa
lotë. –Unë s’mundem me ia da…
Halimi s’e
la të motrën
ta shpinte deri në fund mendimin. E tërhoqi
pranë vetes dhe e shtrëngoi fort pranë gjoksit të tij.
-Të kujtohet ç’më ke thënë kur na iku nëna? –I mërmëriti pranë veshit,
-Mbahu vëlla, më the, jeta është e gjatë dhe e bukur, por ka dhe ditë të liga
si kjo e sotmja! –ia ngriti kokën dhe me ngadalë ia fshiu lotët nga
cepat e syve, -Ke të drejtë. Djalin s’e kthejmë dot nga udha e nisur, por ti e
para dhe ne pas teje duhet me e vu një gur në zemër. Ta përcjellim çupën si na
ka hije dhe… -mezi e mbajti vehten atë çast, -dhe më pas hapim lajmin e hidhur.
Hë si thoni?!
-Po ashtu
është, dhe më fal për lotët, që s’i mbaj dot.
-ngriti kokën Mara dhe iu kërkoi ta kuptonin. -Si do të bëjmë atëherë?
Halimi ndjeu
një therrje në krahun e zemrës. Ndezi një cigare dhe iu drejtua krushkut:
-Zef ty të mbetet barra të merresh me dasmën. Dërgoni njeri të kthehen ata të
orkestrës. Po kështu gjeni një mundësi që miqve t’u thuhet si qëndron e
vërteta, por me kujdes Era të mos pikasë gjë. Unë do atje shkoj ta marr,
dakord?
-Biiir!
–hoqi në shpirt Mara, dhe njëherësh u pre e ra në shesh.
Halimi së bashku me Zefin e ngritën me kujdes dhe e ulën
në karrige. Zefi shkoi jashtë të merrte pak kafe pluhur dhe një godë ujë.
Halimi i vrau damarrët e qafës dhe kur ajo u përmend, me zë të ulët e këshillon:
-Të
dija burneshë Marë! Hajt mblidhe
veten e mos na korit.
Hallë Mara piu pak ujë dhe me vështrimin nga i kunati
dukej sikur i lutej, “Po nuk mundem, bre! Zef, ç’është kjo hata! … Si do
t’mundem me e nxjerr çupën nuse nesër!” –e shtrëngoi nga krahu për të
mbledhur fuqitë.
-Më
keq s’ka, motër, -gjegji Zefi, -po ja, si na the edhe vetë, duhet t’i ruajmë
zakonet. Ky është risku ynë, s’kemi ç’bëjmë. –i rregulloi shaminë e kokës dhe
doli të mbaronte punët jashtë.
Halimi me të motrën
nuk kishin më kohë për të pritur, rregulluan shpejt të birin e me të mbritur
ambulanca e futën me kujdes në të.
-Motër Mara,
-hoqi syzet optike dr. Kristoja, i cili pas ekzaminimit të djalit si dhe
bisedës vetëm për vetëm me Halimin, nisi ta porosiste, -jeta na ka mësuar
të bëhemi të fortë. Ti je nënë, dhe për ty është shumë e vështirë t’i
kapërceshë këto drama. Janë drama të mëdha, të cilat duan këllqe të forta e
durim. Ti e
ke treguar vehten se di të përballoshë situata të tilla. Ky paska qenë fati i
tij. -e përqafoi fort dhe për t’ia
lehtësuar sadopak dhimbjen vazhdoi, -Pa
mendo sikur të ta sillnin të vrarë, siç i shohim të ndodhin shpesh në këto vitet e fundit, atëherë do të ishe
dyfish e helmuar, e për tërë jetën. Kështu
pra, bëhu trimëreshë për vete
dhe për këta që të rrethojnë. T’u
trashëgohet vajza. -ndihmoi shokun të hypte në makinë. I hodhi një
vështrim të heshtur shtratit ku ndodhej djali. Priti sa Halimi zuri vend.
-Atëherë motër, nesër më njëmbëdhjetë
do ta sjellim. Gjëma është e madhe, ju mos harroni ç’keni sonte. -duke iu
afruar derës së tij shtoi, -Mos e
lësho veten, dhe të lutem mos derdh asnjë pikë loti, të paktën derisa të përcillni vajzën. –Fytyra e saj e zbehtë e tundoi sakaq.
Mblodhi buzët të mendohej për paksa. Hoqi syzet dhe pasi fshiu ballin e djersitur me shami vazhdoi, -Pranë do të keni Irmën, asistenten time. Rrugës u kthye në fshat të takojë të sajtë. E keni nga Belica, nuk do të vonohet atje. Ja, sikur ka ardhur. -u përqafua me të e i dha shenjë shoferit të
nisej.
Nën jehonën e përgatitjes së darkës të gjithë
ishin në lëvizje. Bashkimi, djali më i madh i Zefit, edhe ai i fejuar pak kohë
më parë, së bashku me një shok të tijin ngritën shtylla pishe anës gardhit e
vunë dritat të ndriçojnë gjatë darkës. Hallë Mara me dhimbjen thellë në shpirt
shkoi të përgatitej për darkën. Në dhomë Era e gjendur mes kushërirave dhe
shoqeve të saj ishte pothuaj gati. Befas Mara, sapo e pa me fustanin e bardhë u
drodh e njëherësh i shkanë lotë ndër sy. “Eh, moj bijë, -hoqi në shpirt,
-po të ishte kohë tjetër do të të përcillja me kalë të zi. Po ti s’ke faj, dhe unë s’të rrëndoj për
këtë. S’kanë faj as krushqit për nesër!”
-Mami ç’ke
kështu?! –dëgjoi zërin e së bijës. –Ti sesi më dukesh…
-Jo bijë jo, -e mblodhi shpejt veten
Mara, -Epo jam nënë dhe kur të shoh kështu, s’e fsheh dot atë ç’ka ndjej këtu
brenda.
-Po unë nuk do shkoj larg, që!
-qeshi vajza dhe iu afrua pranë. -As gjysmë ore nuk mban deri atje. Me Gimin do
të dalim shpesh këtej. Të premtoj!
-Po bijë, dhe për këtë jam e
lumtur. -i rregulloi vellon mbi ballë të bijës dhe doli. -E di që do më shohësh shpesh. I
buzëqeshi jashtë dëshirës e doli.
Oborri
i shtëpisë s’kishte qetësi atë mbrëmje. Miqtë dhe të ftuarit nën shoqërimin e
Zefit zunë vendet e tyre. Një fllad i lehtë ere nisi të freskojë ambientin.
Zefi, pak nga lodhja e pak nga ç’po e mundonte prej disa orësh përbrenda, si
vuri re që pothuajse të gjithë kishin zënë vendet, i shkon pranë xha Rakipit,
gjitonit të mëhallës dhe më të moshuarit në fshat. E merr më vete e ia bën
prezent hallin që u ka rënë.
-Si mendon xha Rakip? -e pyeti.
Xha Rakipi
mori një
karrige në cep të verandës, u ul dhe vështroi një copë herë tavolinat, të cilat
pothuajse ishin të mbushura plot. Tek po dridhte një cigare nga duhani i tij, iu shfaq në kujtesë shoku i fëminisë, Hasimi, i ati i Zefit. “Eh, o
vëlla s’të kam sonte pranë. “Një goxha mal të lartë po më ngarkojnë mbi shpinë.
Po do ta mbaj që ç’ke me të. Duhet t’u gjendem pranë bijve tanë, vëlla!”
-heshtur ngjeu me pështymë letrën e cigares dhe si e rropi pak me ata dhëmbët e
mbetur i flet:
-Zef, jeni vërtetë në hall të madh. Po mirë e keni menduar. Unë do
t’ua shkopsit si duhet këtë situatë. -i hodhi dorën mbi shpatulla dhe me mundim
u ngrit, e me hapat që mezi i hidhte iu drejtuan tavolinës së qendrës ku po i
priste me zemër të ngrirë Mara. Përqafoi atë dhe nusen, mori godën e rakisë e
pasi rregulloi pak xhaketën iu drejtua miqve.
-Sonte kam nderin e madh të hap
këtë darkë. -rrotulloi sytë nga njerëzit.
-Ulu xha Rakip, ulu! –u dëgjua një
zë burri andej nga tavolinat e fundit, -jeni babai ynë!
Xha Rakipi u kollit lehtë, vendosi
dorën në zemër, tundi kokën në shenjë respekti për folësin e pa lëvizur nga e
tija u foli:
-Po të ishte sonte mes nesh i
ndjeri Tomë, o miq të nderuar, do t’isha po këtu, më rrofshi bijtë e mi. Sonte
dua t’u kujtoj diçka. Po më parë të bëjmë detyrën e ngarkuar. -ngriti godën dhe
e takoi me zonjën e shtëpisë. -Të të
trashëgohet vajza, dhe me jetë të lumtur në derë të burrit. Të rrosh Ti, Marë,
që na solle kaq dritë në fshat, që na solle gojën e ëmbël dhe urtësinë. Dhe ta
dish mirë, “Hallë” s’mundet të quhet kushdo. Ti e meriton këtë, dhe më shumë se
kaq ndoshta, ndaj jemi këtu siç’ po na sheh. Vërtetë nga mosha jam babai yt,
por dhe nuse s’të them dot. Ndaj mos mendo ndryshe kur të thërras, “hallë”. Apo
nuk është kështu, o miq? -ngriti godën drejt tyre. -U kthye nga Zefi, -Sonte,
s’keni vetëm ju gëzim, por i gjithë fshati. Hajde gëzuar e me trashëgime
mbesës! Unë do ta pi me fund, ju sipas dëshirës. -ktheu godën ai dhe u ul.
-Të
na rrosh dhe ti, xha Rakip! -ktheu urimin Zefi tashmë i prekur nga fjalët e
plakut dhe pasoi duke e pirë dhe ai me fund të tijën.
Pasi të gjithë uruan dhe ngritën
godat e futën diçka në gojë, xha Rakipi me pirun godet godën të mbahet pak
qetësi.
-Miq
të nderuar. Jemi mbledhur për dasmën e vajzës së hallë Marës. Sipas traditës
këto i shoqërojmë me saze. Sonte do ta prishim pakëz këtë rregull. E pleqëruam
me të zotët e shtëpisë, pasi tej nga krushqit para pak kohësh u nda nga jeta
gjyshi i dhëndrit, miku im i vjetër i luftës, Subiu. Ndaj le t’i respektojmë
ata, por… -heshti një grimë, kapi nga krahu Zefin dhe vazhdoi, -E di ç’po
mendoja pak më parë biro! M’u kujtua
dasma e tim-biri, Bastriut shumë kohë më parë. S’kishim mbushur një javë që më
kishte lënë im-atë. –ktheu pak raki të mblidhte veten, -Ditën e kishim prerë.
Dikush nga ju e mban mend atë darkë. Dëgjoheshin vetëm lugët e trokitjet e
thata të godave me raki. Papritur në tavolinë më vjen Hasimi dhe aty për aty,
theu heshtjen që na kish mbërthyer duke ia marrë këngës. “Trimave u ka hije kënga vëlla,
jo loti!” –më tha, dhe
gjithë natën e gdhimë duke kënduar. –nuk foli asnjë fjalë tjetër, mor për krahu
Zefin dhe shkuan e u ulën në mes të sheshit dhe ia nisi një kënge të vjetër
ashtu me zërin e tij të dridhur. Rreth tij zunë vend gjithë burrat. Nga
tavolina qëndrore hallë Mara herë-herë mbyllte sytë, gjetkë e kishte mendjen
ato çaste të vështira. “Më rrofsh xha Rakip, nuk dija si do t’i kapërceja
këto momente pa praninë tënde. Ah, s’e dini ju o miq sa po vuan kjo zemër
sonte. Po ç’e gjen njeriun në këtë jetë e s’e heqka!” -qëndronte pranë të
bijës e zhytur mes këtyre mendimesh dhe ndiqte në të turbullt këngët e burrave.
Këngë që nuk do të pushonin derisa të vinin krushqit.
-Mami
se ç’të mundon ty sonte. Nuk të shoh mirë! -e kapi për dore e bija.
-Kam
merakun tënd… -zëri i humbi nëpër buzë. Po e tradhëtonte fytyra. Ktheu pak ujë,
e fshiu buzët me pecetë. –Era, si nuk kemi asnjë sinjal andej nga spitali? S’e
di si u bë dajua! Si nuk po dërgojnë asnjë laim, xhanëm! Ne këtu…
-Ehu
dhe ti sa e vret mendjen, -i shtrëngoi dorën në të sajën vajza, -po të kishte
gjë do na njoftonte Miri. Hajde tani qesh pak. Nuk dua të të shoh kështu, sikur
të janë mbytur gjemitë! Ja zëre se kanë ardhur dhe “ata”, e s’është mirë të të
gjejnë buzëvarur.
-E
mirë, mirë po mundohem të qetësohem. –e shtrëngoi fort pranë vetes Mara dhe
lëvizi kokën fare lehtas në drejtim të grupit të burrave, tek kumbonte si
rrallherë zëri i Zefit.
Kthjelltësia
e qiellit me Hënën dhe yjet që ndriçonin lart e bënin dhe më magjepsëse nga
ç’ishte këtë mbrëmje. Befas një makinë e vogël frenoi para shtëpisë. Prej saj
zbriti një grua e re, e panjohur, me flokët e lidhur bisht pas, me një bluzë
akrilik në ngjyrë mente të lehtë e me xhinse, që e tregonin të fisme. Mara
brofi menjëherë në këmbë e i doli para gruas. Po ashtu veproi edhe Zefi me të
mbaruar këngën. Ai u ngrit e iu afrua me vështrim të ankthshëm atyre.
-Jam
Irma, më falni po tani më erdhi vëllai nga Tirana e…
-Nuk
ka pse, -s’e la të vazhdonte tjetrën Zefi, -keni ardhur bash n’kohë. –bëri një
hap pas dhe me dorë tregoi hyrjen për në shtëpi. –Ju vazhdoni, unë po u dal
përpara miqve, Marë.
-Zef,
hidh xhaketën krahëve se ke dirsur e mer ndonjë të ftohur! -e porositi Mara dhe
së bashku me infermjeren shkuan drejt shtëpisë. Irma vërejti një zbehtësi në të
bardhat e syve të të zonjës. Nxorri nga çanta aparatin e tensionit dhe ia mati.
Po, e kishte të ulët. U ngrit dhe kërkoi t’i përgatitte një kafe shqeto.
-Ulu
Irma, je lodhur nga rruga. Ja po i bëj unë, ta pijmë bashkë dhe pse është ca si
vonë e do na rrijë goja e hidhur. -Mara bëri kafetë në petrogaz, vuri në tabaka
një pjatëz me liko qershie dhe kafetë e duke hedhur me mundim hapat i shkoi
pranë. -Nga mos ta kem kaq, moj nuse. Ti e di mirë në ç’gjendje ndodhem.
-Tani
po, je halla që s’të heq asnjë nga goja në tërë zonën. Dhimbja do fuqi. Dhe ty
nuk të mungojnë. -e përqafoi sikur të njiheshin prej kohësh, -Jam në dijeni të
gjithshkaje motër. S’të ve faj për ç’ka po kalon. Por nuk ke parë më keq. Nuk
ke parë të përcjellësh në një ditë tre arkivolë. Një shoqja ime para gjashtë
muajsh mbuloi burrin dhe dy fëmijë të vegjël njëherësh. E pra, asaj gruaje
çfarë t’i thuash! Si ta ngushëllosh! Ajo ishte vërtetë një hata e madhe. Ndaj
të them bëhu e fortë. Mos harro se ke vajzën që po marton sot, por ke dhe një
djalë që do të vazhdimësojë jetën. Zoti të dhëntë fuqi ta kapërceshë këtë
situatë. -vetvetiu i shkanë lotë teksa po fliste si me motrën së saj të madhe.
-Më
rrofsh Irma, fjala jote në vesh të perëndisë. -me një pecetë ia fshiu sytë e u
ul të pinte kafenë pranë saj. -Do Zoti gjen një fat të mirë, siç je dhe vetë…
-por pa mbaruar ende së rrufituri kafenë u dëgjua zhurmë përjashta. Po vinin
krushqit. -Erdhën, -mezi shqipëzoi fjalën dhe sakaq iu prenë fuqitë përsëri e
gati sa nuk ra në dysheme. U mbajt fort në parakrahun e Irmës. Vërtetë nuk
ishte mirë.
Irma me të shpejtë e shtriu në
divan e njëherësh i bëri një inxheksion për ta qetësuar. Në hundë i afroi kupën
me kafe të bluar dhe priti ashtu ulur pranë saj dersa u përmend. Kur erdhi në
vete e ngriti ndenjur. Priti sa ajo u kthjellua mirë dhe i foli me gjysmë zëri.
-Hallë,
si thua shkojmë! -i përkëdheli ngadalë mollëzat e gishtërinjve.
-Shkojmë,
mirë jam tani, mirë. -duke u ngritur rregulloi shaminë mbi ballë, piu një godë
ujë dhe i priu drejt derës. –Bo-bo, u turpërova me “Ata”. Si do t’u dal
kështu?!
-Ti
je e justifikuar hallë. Je dhe grua dhe burrë në këtë shtëpi. –buzëqeshi Irma
dhe pa ia shkëputur dorën nga krahu e çoi në tavolinë. -Mua më ke tek kjo
tavolina këtu. Hë se harrova, u lidha me spitalin dhe Halimin e ke më mirë
tani. -ngriti pak zërin ta dëgjonin dhe të tjetrët. Priti sa ajo zuri vend,
përqafoi dhe vajzën e saj nuse, sikur të njiheshin prej vitesh e shkoi.
Orët
e darkës pothuajse kaluan shpejt. Për hallë Marën ishte nata më e gjatë e
jetës. Priti e përcolli krushqit me zemrën plagë, duke u mbajtur fort mos
turpërohej e nxirrte lotë. Herë pas here i afrohej Zefi dhe me zë të ulët i
jepte kurajo. Kur dielli doli dy pash mbi majën e Dajtit, pra në orën e
caktuar, para portës së shtëpisë u dëgjua frenimi i makinave që do të merrnin
nusen. Hallë Mara me Besën, të shoqen e kunatit, e me Verën përgatitën Erën dhe
e nxorrën në prag.
-Krushkë,
-ishte dajua i madh i dhëndrit, -të na trashëgohet çifti e me jetë të lumtur.
-Iu afrua Zefit e i foli me zë të ulët, -Nesër me të aguar do e nisim nusen për
këtu me dhëndrin e me të atin. E dimë ne si do t’ia themi të vërtetën asaj.
-E
kalofshi mirë sot dhe Ju andej, e të fala miqve. -uroi Zefi dhe së bashku me
Marën e të tjetrët pritën sa makinat humbën përtej kthesës së rrugës.
Marës ato momente, tek vështronte
dorën ngritur të të bijës, sikur iu shkëput një copë mishi nga trupi. Ngjyra e
kuqërremtë e fytyrës filloi t’i zbardhej. Rreth syve njëherësh iu formuan
rrathë të zinj, të cilat ia mjegulluan vështrimin. Pa folur asnjë fjalë mbylli
portën, u mbëstet fort në supin e Zefit e ia shkrepi të qarës. Mezi kishte
përballuar gjithë atë mal dhimbjeje. Besa së bashku me Irmën duke e ditur tashmë
se çdo minutë deri në ardhjen e të birit ishte në dëmin e saj, e morën dhe e
çuan në dhomë të qetësohej pak. Irma i mati pulsin dhe e këshilloi të ndiqte
porositë e saj deri në mbritjen aty të dr. Kristos. Prerja e fuqisë së Marës e
detyroi Irmën të përdorë serumin.
Gratë ndodheshin brenda, kur
mbriti në oborr vetë i katërt xha Rakipi. Nipi i tij, Ergysi, i cili pononte në
zyrat e Komunës së bashku me Bashkimin nuk po dukeshin ende. Atyre u ishte
caktuar detyra për marrë të gjitha masat për për pritjen dhe përcjelljen deri
në banesën e fundit të Fatmirit. Ata iu afruan Zefit dhe të gjithë bashkë
bisedonin e tymosnin duhanin qetësisht. Në kohën që filluan të vinin në oborr
të afërmit dhe gjitonët erdhën dhe Bashkimi me Ergysin. Ata I kishin mbaruar të
gjitha punët. Pas pak theu heshtjen zhurma e njohur e ambulancës në hyrje të
fshatit. U ngritën dhe pa lëvizur nga vendi pritën ardhjen e saj. Në kohën e
caktuar makina solli arkivolin me trupin e pajetë dhe frigoriferin për ta
mbajtur në dhomë deri të nesërmen. Halimi me të shoqen e kishin veshur djalin,
kishin porositur kurorat, e i kishin qëndruar tek koka gjithë natën. Edhe për
ta kishin qenë të vështira orët e pritjes. Ndërsa e shoqja hyri në dhomën e
grave t‘i ndodhej pranë të kunatës, ai shkoi e u ul pranë xha Rakipit e Zefit. Me
biseda të ndryshme po kalonte një nga netët më të gjata për të gjithë. Në ankth
ata po prisnin të agonte, e bashkë me të dhe përbadhjen e Erës me të vëllanë.
Si ishte lënë nga të dy palët,
dasma po kalonte qetësisht e po i afrohej fundit. Ishin orët e para të
mëngjesit. Ndërkohë që tavolinat po boshatiseshin xhaxhai i madh i dhëndrit,
Mërkuri, i afrohet të vëllait.
-Bujar, gjithshka pothuajse po
shkon për së mbari. Miqtë dhe dashamirësit një nga një po largohen, nise çiftin
të pushojnë ca. -vështroi gjatë sytë e nuses, -Erë moj bijë e xhaxhait, -zëri
iu mek. U mendua pak. Bashkë me lodhjen e ditës së gjatë, në sytë e saj dalloi
një pulitje të shpejtë. –s’ka pak që morëm një lajm jo të mire nga spitali…
-Siii, dajua, -pa mbaruar ende
fjalën iu derdhën faqeve rrëkeza loti, -kur, ç’ka mos… ?!
-Nuk dimë gjë me saktësi, por janë
në sallën e operimit. –zgjati dorën, mori nga e kunata shaminë dhe i fshiu
lotët. -Ndaj së bashku me Gimin e t’ët-vjerr përgatituni për të shkuar. Do të
ktheheni në fshat të merrni Hallë Marën e do ta mbani frymën drejt e në spital.
O burra Gimi, sa më shpejt të niseni, aq më mirë. Por, -i ngriti kokën nuses,
-të lutem mos derdh lotë, se s’është mirë për të sëmurin. Hajde vëlla, ngrihuni
e shkoni tani! -hapi rrugë ai dhe pasi përqafoi Erën, u mbajt tek i biri. -Këtu
i ngavasim ne të tjerët punët, shkoni e do zoti e gjeni më mirë!
-Xhaxha, të lutem mos ka ndodhur
ndonjë…-s’e mbante vendi Erën ato sekonda.
-Të thashë bijë ç’është. -I ra
shkurt Mërkuri. -Hajde shkoni e bëhuni gati. Fredi zëre se ka ardhur. S’është
mirë të vonohi. -iu drejtua nipit sakaq, -Shpejtoni pak se Fredi duhet tek
bosi i tij më shtatë.
Gimi mori të shoqen dhe hynë me
shpejtësi në dhomën e tyre të ndërrohen. Ai hoqi këmishën e bardhë dhe veshi
një tjetër, ndërsa Era bluzën gri me mëngë të shkurtra dhe pantallona të zeza.
Pas dhjetë minutash u dëgjua boria e makinës. Bujari me një bohçe në dorë shkoi
dhe zuri vend para. Pas zuri vend çifti.
-Baba,
mos ka… -e brente përbrenda Erën një mendim i keq.
-Nuk
besoj. –gjegji shkurt ai.
-Po
unë si nuk u lidha pak me të mi-të në telefon! –mërmëriti ajo dhe u ngjesh në
gjoksin e të shoqit. –Nga u gjend dita për…
-Ah,
jo bijë, jo kështu. –u kthye nga ajo Bujari. –Ndodhin këto për njeriun.
-E
kisha njeriun më të dashur dajën. Oh, -vendosi duart në kokë dhe nisi të
ngashërehet.
Kur makina hyri në rrugën e
fshatit Bujari i bën shenjë Fredit të hapë krahun e të ndalojë. Ora po shkonte
shtatë. Bujari doli nga makina dhe ndezi një cigare. Çuditërisht para këmbëve
hasi në një gur kilometrik gati në të rënë në kanalin e anërrugës. Goditi me
majën e këpucës një gurë të vogël dhe si e thithi fort cigaren u drejtua nga
dera e pasme ku ndodhej Era. Hyri brenda dhe e vështroi drejt e në sy nusen e
djalit. Nxorri nga bohçja një bluzë të zezë, të blerë nga e shoqja.
-Era
bëhu e fortë xhan, vish këtë. -i la në duar bluzën dhe e kapi nga të dy supet.
-Dajooo,
oh! -klithi ajo, dhe sikur t’i kishte me çelës zbrazi nga sytë rrëke lotësh.
-Babá, si kështu? Kur ka ndodhur? -tjetri vetëm e vështronte. -Të lutem më
thoni një fjalë se po plas! -sytë e saj po prisnin ato çaste të vërtetën e
hidhur.
Bujarit, e para herë që u gjend në
një pozicion të tillë, tek pa vajzën të dridhej si purteka, iu pre goja dhe
heshti. S’mundi të përballej kësisoj me nusen. Puliti sytë, hapi xhamin e hodhi
bishtin e cigares në kanal. Vështroi të birin. Edhe atij i kishte ikur ngjyra e
fytyrës. Nuk kishte ç’të bënte më, e tërhoqi nusen në gjoksin e tij dhe si u
kollit lehtë për të qëruar zërin foli:
-Jo
bijë, s’është Halimi.
Vajza u shkëput menjëherë prej
tij. Si e goditur nga një shuplakë e fortë, ndërprehu dënesjen e u përqëndrua
në sytë e tij.
-Po
kush atëherë?! -mezi po e mbante frymën.
-Yt-vëlla,
Fatmiri. -mërmëriti Agimi dhe e ngjeshi pranë vehtes.
-Shpirti
i motrës! -shqipëzoi fjalët ajo dhe u var pa ndjenja në krahët e tij.
Fredi mbante gjithnjë me vehte pak
raki në korskot të makinës. Nxorri shishen e me të shpejtë ia dha Gimit. -Jepi
pak të vijë në vehte.
-Zemër
mbahu. -u mundua ta qetësojë Gimi. I vrau pak damarët e qafës dhe për të fituar
pak kohë porositi Fredin të nisej. -Era dëgjomë pak, -i foli pranë veshit pak
para hyrjes në lagjen e saj, -asgjë s’mund ta kthejmë pas, vetëm ti mund ta
qetësosh nënën. Ajo e ka shumë të vështirë ta përballojë këtë dhimbje. Ndaj
mblidh vehten se arritëm. -e ndihmoi të zbriste nga makina dhe
me hapat që mezi shtyhen në të
tilla raste, hynë brenda.
FATION
PAJO
Nëntor, 2014