e mërkurë, nëntor 26, 2014

Lirika me natyrën e stinëve



Ilir Levonja
Lirika me natyrën e stinëve

Ndofta vështrimi mbi poetikën, nëse kemi parasysh tekstin Hiret e letërsisë moderne shqipe,  do të ishte i pa plotë pa prurjen edhe të një lloj forme aktuale, vargëzimi. Kam thënë aty, ''Ashtu sikur  ka dhe autorë që i kanë mbetur besnik vargut klasik të lirikës me tetë, dymbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë rrokëshe. Por kanë risi në trajtën e konceptit. I tillë është rasti i gramshiotit Pozaet Qose, etj.'' Emrat e tyre janë të shumtë, si përshembull Frederik Rreshpja, Jorgo Bllaci, Ndoc Gjetja, Sadik Bejko, Betim Muço, Skënder Rusi, deri tek pak më të njohurit si Nexhip Ejupi etj. Por është vënë re një fakt kokëfort, ''fanatizmi'' i stilit; pak prej këtyre emrave, kanë tentuar të vargëzojnë ndryshe. Të paktën nga Skënder Rusi e këtej, këta të cilët edhe do të flasim. Kjo për disa apo dhjetra arsye, që nganjëherë mund të mos jenë fare të tilla, por thjesht kërshëri e prirjes së poetikës, e gjenisë brenda krijuesit. Që ndofta, nuk është aspak e domosdoshme që, edhe ta përkufizojmë.
Në konceptin eseistik, në një nga kumtesat hyrëse të këtij libri, ( Arti poetik) i jemi referuar poetit amerikan Karl Sandberg-ut, (Carl Sandburg 1878-1967) ose më saktë kemi bërë aleancë në atë mendësi që prirja poetike mbetet e papërkufizuar. Ashtu sikurse kemi hasur një koncept perceptimi keqardhës, ti (poezi) Shënmëri dhe prostitutë, nga një poet me përmasa universale, si Visar Zhiti. Kësaj here vështrimi ynë është për një lloj komenti me atë që tashmë mund ta quajmë qëllim; koncepti i shpesh përsëritshëm i dy vargëshit të Oktavio Pazi-t (Octavio Pazz) ''unë shoh me mollzat e gishtërinjëve/ atë që prekin sytë e mi''. Do komentojmë disa autorë, një aradhë, duke mos pretenduar asnjëherë se i kemi thënë të gjitha. Duke mos përkufizuar asnjëherë me ndjesinë absurde të shkallës sipërore, si më të mirët etj..., apo këta janë. Duke mos paragjykyar se çfarë po them unë, është absolute, por thjesht një dëshirë e mirë për një formë ndryshe, që edhe mos mund t'i shërbejë aspak disiplinës së komentit letrar. Duke bashkuar motivin e këngës së Shqipërisë së mesme ''tuj shëtit në mal e kodër, tuj prek lulet gjithë me dorë'' etj..., të krijojmë një përfytyrim që na e bën të bukur ëndërrimin, po ashtu edhe atë pjesë thelbësore të ekzistencializmit, atë që quhet jetë. Duke u përmbajtur në të njëjtën kohë, edhe emrave të përmendur shumë, disi, por kryesisht më pak të përmendur. Të cilët për njëmijë e një arsye janë një tjetër natyrë e begatë e universit letraro-artistik, atij shqiptar.
(-a) Skënder Rusi mund të jetë prodhimtari më i ''bezdisshëm'' i prurjes së lirikës në natyrën e të gjitha stinëve. Nuk është çudi se nga një vështrim i shpejt, kalkulimesh në kohë mund të na rezultojë që tek ky artist të kemi më shumë lirika se sa ditë njerëzore. Ose e thënë ndryshe, lirika si zhanër i  ka mundur titujt e librave. Në kuptimin që lexuesve, simpatizantëve sapo ua kujton thonë menjëherë, ah po, liriku i Korçës. Biles me këtë këndvështrim, njëjtëzimin me qytetin e lindjes, Korçën, e kam trajtuar identitetin e tij poetik. Rrallë të qëllon të thonë libri i tij, apo ky libër i tij. Ndaj tek ai një strofë flet shumë. Një vjershë, akoma më shumë. Shkurt ai mbahet mend përmes vjershave se sa titujve të librave. Shumë nga këto lirika janë subjektet e gjalla të serenatave korçare. Por t'i përmbahemi konceptit se, çfarë shikojmë në dy, tre apo disa vargje? A prekim gjë me mollzat e gishtërinjëve?
Për së pari kam zgjedhur një lirikë të hershme. Ndofta nga zanafilla.
                              Jashtë bie borë, era fryn me tmerr
kali i një karroce vrapit seç ia merr.
Karrocieri i fshatit fërshëllen dhe qesh,
kamxhikun prej gome mbi dëborë e dredh.

Edhe nëpër rrugë shtrembër rendin rrotat
nja dy harabelë dridhen nga të ftohtit.
Mollët gjethe rëna me trupin e hollë,
qafën mbështjellë me shall prej dëbore.

Edhe rend karroca në rrugën me gurë,
nën barkun e kalit lodhja bëhet ujë.
Dhe fshati pret filmin, jepi karrocier,
Le të bjerë borë, le të fryjë erë.

Subjekti, një karrokinema që transmeton filma fshatrave të Korçës. Edhe pse pejzazhi është i ftohtë, karkterizohet nga një gazmëri vëzhguese, (karrocier fërshëllen dhe qesh) prej çunaku a çupëline, a qoftë një udhëtar i rastësishëm. Me komponentët tërësor të lirikës, sidomos sinteza e togjeve me ''përplasje'' të buta, bie borë, fryn erë e tmerrishme, rrugës - shtrembër rendin rrotat, pemë hollake qafë mbështjella, barku i kalit ku lodhja bëhet ujë, njerëzit që presin filmin etj.
Nëse pulisim sytë, ajo që shohim mund dhe është një karrokinema sipas asaj që ruan në mendje gjithkush nga ne që ka jetuar ato kohë. Unë nuk kam patur fatin, por më kanë thënë se vende-vende pajisjet e kinemasë i çonin me karroca ose me autokinema. Në murin e një salle vendosej beze dhe shfaqej filmi. Nëse ishte kohë e verës, përjashta. Nën yjet. Këtu jemi në dimër. Dimër Korçe, ndofta në ato fusha me pak pemë e shumë të ftohtë. Me relieve kodrash të ngrira. Por që kanë brenda entuziazmin e një karroce. Shfrymën e kalit, djersët nën bark dhe njerëzit që presin.

Edhe rend karroca në rrugën me gurë,
nën barkun e kalit lodhja bëhet ujë.
Dhe fshati pret filmin, jepi karrocier,
Le të bjerë borë, le të fryejë erë.

(-b)Pozaet Qose. Nga zërat i lidhur pazgjidhshmërisht me truallin, Gramshin, bregun përgjatë Devollit, nën hijen e Tomorit. (Ka edhe raste të tjerë, psh ai Xhelal Toskut me Rrogozhinën. Një qiparis në anë të udhës, buzë lumit Shkumbin.) Jemi tek Pozaeti. Një lloj baritori i rrjedhës, ''fanatiku'' i lirikës së kultivuar së asaj sua-je bilbilash nga letërsia shqipe. E ka dashur që herët edhe vetë shenjtëria e tij, Dritëro Agolli. Madje vite më parë më ka folur, po Dritëroi përmes një bisede që kishim në lidhje me rrjedhën e lumenjëve dhe folklorin. Në fakt lirika, është mirëfilli folklor, qoftë edhe kur ka motive qelqi me pika shiu, pra qytetin. Argumenti më i thjeshtë, nuk është teknika, por përkatësia e evoluimit e gjenisë krijuese. Në fund të fundit është lëndë parësore për këngën. Dhe si e tillë bëhet epike në koncept. Vështroni vargjet e mëposhtëme, nga Pozaet Qose.

Në vazon e pritjes ata sy
Çelin përngaherë e s’vyshken dot.
Portën ëndrra hapur mban për ty,
Që ke humbur rrugën nëpër lotë.
                                                   (P.Qose nga letërsia shqipe.)

Ndërsa po t'i referoherimi letërsisë në përgjithësi, krahasimit, gjë që e kam bërë si motiv  edhe në kumtesat e tjera të këtij libri, ka një gjëndje poetike si ajo tek pritja e Nazim Hikmetit, poetit të madh turk. Ja shëmbëllimi i motivimeve, si vijon:

Sa vjen e më të shkrutra bëhen ditët,
Shirat po vërshojnë lumë.
Porta është hapur kanat, e të pret ty,
Po ti, pse po vonohesh kaq shumë?
                                                       (N.Hikmet nga letërsia turke.)

Po kësaj here Pozaetin do e ''përflasim'' edhe në një mbiçapitje, nëse munda ta orientojmë fjalën. Pasi sigurisht as ky poet, i ngulur nën hijen e Tomorit, nuk është indiferent ndaj asaj që quhet hapje me botën. Shtegtimin e miqve, të njohur, të panjohur, qytetarë..., shqiptarët në përgjithësi. Pra, në atë se çfarë humbet një pemë e ngujuar nga shtegtimi i zogjëve, i stinëve e të tjera detaje nga universi njerëzor. Vini re lirikën e mëposhtme.

Ndarje elektronike

Në celular ta ndiej zërin,
Në një CD të shoh me sy.
Më tret ky malli yt të tërin,
Si malli im po të tret ty.

Na nis drejt puthjes kohë e djegur
E tashmja ndodhet në mërgim
Gabojmë kur jetën, sa një shekull,
E quajmë udhë, që s’ka mbarim.

E humbëm shpirtin, dritë maji,
U bëmë të largët, si planetë.
Të jap një puthje me e-mail,
Një përqafim në internet…(!)

Subjekti karkaterizohet nga një ndarje e madhe, ''Gabojmë kur jetën, sa një shekull''. Nga një ndarje që aty për aty mund ta mblesh brenda duarve, ''E quajmë udhë, që s’ka mbarim.'' Eshtë në fakt realiteti komunikativ aktual, i perceptuar  si pandehmë.

Më duket se janë thënë gjërat të gjitha,
S’i mbetet më asgjë atij që vjen,
Por lulja, që pas shiut thur lirika,
Dëshirën e krijimit prapë e kthen.

(-c) Nexhip Ejupi, është rasti që ka thyer njëfarësoj ngujimin e pemës me vendlindjen, Elbasanin. Por përftesa është një mahnitje kaq virtuale sa vetëm një dhimbje e vërtetë mund ta nxjerri jashtë, të na e sjelli, nga thellësia e gjenisë krijuese. Ndiqni lirikën e mëposhtëme.

Turp

Turp të ketë kush më zhgënjeu,
Të braktisja një shtëpizë!
Jo kot qeni im më lehu
Te kolibja, pas avllisë…

Turp të ketë, kur shesh me lule
Më çairën - pa e parë
Tani ziej ca fasule,
Mbyllur brënda, vetmitar.

Shkruaj vjersha, kot që shkruaj,
Kur veç Fizes ia lexoj
Tërheq muajt porsi buaj,
Tespi orësh numëroj.

Turp të ketë kush ma përçmoi
Jetën time rrogë- pakë!
Krejt papritur më kafshoi
Porsi qeni zgjebarak…

Zemrën time ma përshqeu,
Tek po vuaj i papunë.
Turp të ketë kush më zhgënjeu!..
Turp të kem, në qofsha unë!..

Lënda poetike është një lloj vetngujimi tjetër, ai i një burri që ''mallkon'', pa përjashtuar këtu edhe vetveten. Madje aty është kulmi epik i këtij subjekti. Tallja e bukur me vetveten ''Shkruaj vjersha, kot që shkruaj / Kur veç Fizes ia lexoj'' . Në fakt është fati njerëzor ai që ka ngritur barrierën. Ka bërë njeriun të ngrejë duart. Fataliteti i shprehjes çifute për tokën e ëndërruar. Nga ana tjetër, sjell në prehrin tonë një konstatim virtual, të cilin gjithkush, nga nervi ose dyshimi, e injoron. Lumturia nuk është toka e ëndërruar, por vetvetja qoftë edhe në një rrethinë, çair, apo zabel siç thotë një elbasanas i famshën si Isuf Myzyri, edhe pse e ke rrogën fare të pakët.  Ndaj Nexhipi thotë se ''Turp të ketë kush ma përçmoi / Jetën time rrogë- pakë!''
Nexhipin doja ta sillja edhe për një detaj tjetër, ai është gatues i zoti edhe i fjalëformimit. Vite më parë lexoja një cikël nga ky autor në faqet e gazetës Illyria, të shqiptarëve të Amerikës, në NewYork. Nga 2007-ta besoj.  Më mbeti në mendje vargu ''vajza me djalin belpërbelet''. Nuk e gjeta dot këtë vjershë, nuk më ndihmoi dot as autori për shkak të atij ''mallkimi'' të mësipërm, zhvendosjes nga buza e Shkumbinit. Por togu poetik ''vajza me djalin belpërbelet'' është i mjaftueshëm për të përfytyruar shumë. Një djalë dhe një vajzë kapur duarsh, që rrotullohen, që sillen, që duhen. Që, - belpërbelen. Lasgushi luante me mjete të tilla shprehimore, si, ''o ti e bukura me sypërdhe' ''etj.
(-d) Zyhdi Morava, ndryshe nga autorët e mësipërm, e urrente ngujimin për shkak të persekutimit politik, burgut që bëri. Eshtë zogu shtegtar i lirikës poetike, i prozës, por edhe i jetës. Një lloj bohemi me shik, i pashëm, por edhe nga ata që nuk të bënte për asgjë.
Ia lejova vetes këtë lloj hyrje për shkak të njohjes që kam patur dhe faktit që nuk ai nuk jeton më.
Do përmend dy lirika, ku për fat gjen shtrat edhe interpretimi me përfytyrim. Ku edhe arratia vallëzon përmes një përsëritje aspak të zhurmshme, aspak kakofonike siç ka qejf ta emërtojë folkloristika, një lloj përmbledhje e grupuar në një beft poetik. Këngë që fërshëllehet. Ndiqeni.

Puthja e fundit

Fluron, lodron nje gjeth në rënie,
Kur era fryn e shfryn në vjeshtë,
Si psheretim' e zemres tënde,
E dalë befas, fare thjeshtë...

Fluturon e ikën fluturim,
Një  zog që shumë gaze kishte,
Dhe mbetet bosh folezë shkreta,
Mes degëve, në shelgjishte.

Si lot, si zog, si psherëtimë,
Gjithcka e shoh si shkoi, si treti,
Vec puthja e fundit mes kujtimesh,
Si tjetër plagë e thellë mbeti...

Vjersha është e gjitha një subjekt arratie brenda një krahasimi, me zogun. Me një keqardhje rrethanash ndofta, me elementë të natyrës, bën fjalë për një ndarje. Por siç e thamë edhe më sipër, ka një rendje tingujsh kaq të harmonizuar sa harron edhe vet indeksin titullor. Të shpie në situatë absurde, me kërshëri ndarjesh të tilla, të paktën për të mbajtur mend diçka. Përsëritja e tingujve është virtuale, një lloj violine..., fluron, lodron, fryn, shfryn, fluturon, fluturim, si lot si zog, e shoh si shkoi etj.
Vështroni edhe një lirikë tjetër nga ky autor, ku sërish thelbi është në vargun e fundit.

Adagio

Gjithë ditën ra shi, dhe dita me gri,
Ze thithet nga mbrëmja që qetë po zbret.
As unë nuk e di, as ti nuk e di,
E nesmja c'na sjell, te nesmen ç'na pret...

S'do bëja habi, sikur në pusi,
T'me priste ai, që egër të vret.
Po ja që vjen ti, e sjell gaz të ri,
Dhe ikën ai, me vdekjen e vet..

Eshtë ndofta vjersha ku ka parashikuar tipizimin e vetvetes, duke na dhënë një lloj gjëndje prej puple, apo gjetheje që fluron siç thotë ai, për dy të dashuruar, për dy individë, për dy qënie njerëzore, në barkduart e gjithësisë. Dhe mua nuk më mbetet asgjë veç të t'i them se, Ti ike, por nuk ishe vdekja .
Megjithatë, sipas shpirtit të gjenisë poetike, gjerorja e jetës sjell gaz të ri.
(-dh) Lushnjari Fatbardh Rustemi, është ndofta zëri me angazhimin më serioz, gati zyrash por me këndëvështrimin poetik. Kjo shpesh e ka bërë të keqkuptuar. Për herë të parë e kam kontaktuar në një komedi, me sa mbaj mënd titullohej ''Gruaja me çelës në qafë''. Vënë në skenë nga trupa e teatrit të Beratit. Salla e Kinoteatrit Vaçe Zela ishte mbushur përplot. Qeshëm sa u shkulëm. Unë isha një maturant. Më vonë na afroi letërsia. Biles falë saj nuk nuk na ndau dot as politika. Për shkak të angazhimit të hershëm në politikë, librat e tij, dramat, esetë, poezia kanë si lëndë parësore më shumë se idealin politik, atë të marrëdhënies midis njerëzve që përfaqësojnë këto ideale. Kjo për atë fakt konstatues që e përmenda mësipër, këndvështrimin poetik. Ka shkruar edhe një libër eseistik ''Them se e njoh Kadarenë''. I cili mua më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme, për detajet në këndvështrimin po poetik. Mes Kadaresë, krijuesve lushnjarë, Lushnjes si qytet. Pritja e delegacionit të shkrimtarëve të provincës, që i bënin gjeniut në stacionin e trenit, vendin e lirizmit të dashurive me pritje dhe përcjellje. Por që edhe këtu, më shumë u keqkuptua se sa u përgëzua. Megjithatë unë sot do analizoj një poezi të tijën ku pikërisht kjo ndjesi e imja del në pah përmes prirjes poetike. Vjersha titullohet ''Poezia e vetme për gruan'', lirikë ku vargjet nuk kanë numër rrokjesh të barbartë. Por forma është ajo klasikja që i shkon për shtat trajtesës sonë. Le ta ndjekim....,

Poezia e vetme per gruan

Në fytyrën e pastër pa një enigmë
Vështrimin mendueshëm hedh mbi dorëshkrime,
Ndoshta me kuriozitet sheh vjershat e dashurisë
Që zakonisht ne i quajmë intime.

Dhe prapë të tjera femra
Dhe gjëkundi veten s’e gjen,
Se ti sytë s’i ke blu
Dhe flokët s’i ke të verdhë.

Një mbetje qejfi, s’të kam kuptuar
Dhe xheloze s’u bëre një herë,
Pse për të tjerat unë kam shkruar
Dhe ty s’të kushtova një vjershë.

Unë s’jam shkrimtar i suksesshëm
Veç dështime kam pasur me shumicë,
Ndërsa të tjerat më kanë dhelur qenien
Ti me përkëdhelje thellë në shpirt.

Por unë e di se ku ti fshihesh
Veç thesaret fshihen në këtë botë,
Nëse më ka zhgënjyer ndonjë Helenë
Ti përherë ke mbetur Penelopë.

Subjekti është një ballafaqim gjakftohtë, me pak keqardhje, ndofta kjo për shkak të natyrës së pandryshueshme të krijuesit, në drejtim të prirjes dhe vështrimit dashamir të gjërave të universit social. Me gruan, dashurinë e dhembshur, të vërtetën në kuptimin ekzistencial, padyshim me ato ''përplasjet'' martesore, por që në rastin e mësipërm, pamja e saj është një ikonë. Kështu e shohim nga vargjet '' një mbetje qejfi, s'të kam kuptuar'' .  Diçka e heshtur, diçka prej pusi që, vetëm shuan ujët thellë. Ky ballafaqim ka nuanca me vrunduj brilantesh lirike për shkak të së tërës, në të njëjtën  kohë duket sikur është një lloj pendimi burrëror. ''Pendimi'' mbase jo, pendesë po. Kjo do afronte me gjëndjen përpara altarit. Por në fund të fundit është art poetik. Dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veç të nanuritemi aty.

                                                                                             Nëntor, 2014
                                                                                      Deerfield Beach, Florida.