Vilhelme Vrana Haxhiraj
Kamillafi
i “Hirësisë” si gozhda e Nastradinit
*Atdheu s’është
vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve.
*Të kthejmë sytë nga e kaluara e mundimshme dhe
padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë.
*Pësimi për këdo, për politikën apo individët, duhet të
shërbejë si mësim.
* A do të rishikohen dhe ndëshkohen fajtorët ndonjëherë
për krimet makabre që u janë bërë shqiptarëve?
*Të pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në
vetvete se je pajisur me dije shkencore për ku do të aplikosh
*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të jemi ndonjëherë
shtet i së drejtës që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, do të pasqyrojë
identitetin kombëtar?
*Po nuk u shkul gozhda e Nastradinit nga trualli ynë, ne
do të vuajmë
*Atdheu
s’është vetëm i imi, as i yti, porse na përket të gjithëve.
Shqipëria është vendi im, vendi yt
dhe i të gjithë atyre që lindën në këtë tokë të shenjtë...Këtu në këto troje
lindën të parët tanë, në këtë tokë që rënkon nga padrejtësitë. Balta është
sanksionuar në pronë me gjak e djersë dhe e përjetësuar nga bëmat e banorëve
autoktonë, që gradualisht i shndërruan ato në histori kreshnikësh. Po këtu...,në
këtë tokë lindën edhe të parët e 4-5 familjeve që themeluan qytezën e Kaninës
të cilën po e marrë për model, si të vetmen qendër që vazhdon jetën në po ato
themele prej 3000 vjetësh. Ashtu si banorët legjitim të kësaj qyteze, sa e sa
kështjella, sot të shndërruara në rrënoja u ndërtuan si qytete apo krahina dhe
morën emrin e atyre që hodhën themelet për herë të parë. Them me plot gojën se nuk
ka pëllëmbë hapësire të populluar të kombit tonë që të mos ketë banorin e saj
që e themeloi si qendër banimi, birin legjitim të tokës mëmë, të cilin e lindi
dhe e rriti vlagu i saj. Ndaj vendlindja është po aq e dhembshur sa vetë jeta. Shqiptarët
janë vëllezër të një gjaku pellazg, që i bashkon një racë, një gjuhë unikale,
gjuha shqipe. Janë bijtë e këtij trualli që kanë siguruar vazhdimësinë e
zakoneve apo dokeve ilire, pasardhës ose trashëgimtarë të të cilëve jemi ne.
Për këtë ne jemi krenar. Veçse ne si shqiptarë a e kemi bërë detyrën ndaj tij? A ndihen shqiptarët
përgjegjës për ndodhitë e shëmtuara në kohëra? Për shkatarët këto janë “pa të
keq”, “të padëmshme”, madje “rastësi”, kurse për atdhetarët e vërtetë janë incidente
të qëllimshme? Le të shohim...
*Të kthejmë
sytë nga e kaluara e mundimshme dhe padrejtësitë që i janë bërë vendit tonë.
Krenaria për vendlindjen është legjitimitet i atij që e
vlerëson si dhe sa duhet vendin e tij. Që të ndihesh krenar për mëmëdhenë,
duhet ta barazosh e ta vlerësosh atë me dritën e syve dhe me jetën. Nëse çdo
qytetar duke nisur që nga ai më i thjeshti e deri tek ai që shorti, apo fati e
ndoshta aftësitë e veçanta e vunë apo e ngjitën në sferat më të larta të pushtetit,
të cilësdo fushë, po t’i referohet sadopak historisë, duke i kthyer sytë
herëpashere pas në të kaluarën e mundimshme të të parëve, jam e bindur se ka
për të ndjerë mall të shprehur në dhembje. Veçse ai që harron se si ka arritur
majat, është bukëshkalur, mosmirënjohës i mundit, i djersës dhe i gjakut të
etërve. Natyrisht njeriu ndryshon, rritet, madhohet si individualitet, krijon
personalitetin e tij dhe si më largpamës, ecën më përpara se paraardhësit e
tij. Por gjithmonë njeriu është me vlerë, kur është mirënjohës i asaj që i
ofruan të parët, e trashëgoi dhe a diti ta përvetësojë atë e ta verë në shërbim
të vetes ose të mbarëvajtjes kombëtare. Është e pranueshme se kur ke bërë
maksimumin e të mundshmes tënde për kombin, ke bërë më të mirën për familjen
dhe për të ardhmen e fëmijëve. Pasi
familja është atdheu i vogël, ndaj vendlindja është e shtrenjtë dhe e shenjtë.
Po a i justifilojnë shqiptarët vlerat e
pamohueshme të këtij trualli? Nëse po, atëherë ne nuk do të ishim në këtë
udhëkryq të madh, ku na ka vërvitur fati ynë i keq dhe i pamerituar. Po kalon
gati një çerek shekulli e një tranzicion i paparë, ku galopon korrupsioni,
baret nëpër rrugë papunësia, të ngërdheshet krimineli, kapardiset trafikanti,
mburret tutori i prostitucionit.
Sa e hidhur është kur të nxjerrë
gjuhën e këlthet si zot vatani shovinisti i kishës greke dhe asaj serbe, i cili
duke na përqeshur thotë “Kosova është zemra e Serbisë”. Me
këto fenomene që fatkeqësisht është molepsur shoqëria, e cila s’di ta ndajë
shapin nga sheqeri dhe disa e quajnë “fat të madh praninë e këtyre të
ashtuquajtur apostuj a të dërguar të Zotit”, shqiptari i sinqertë vë
duart në kokë dhe këlthet:” Përse ndodh
ky absurditet? Si e pranojnë këtë fyerje e cënim dinjiteti e identiteti
kombëtar vallë? Nga ç’baltë janë gatuar këta njerëz mendjemykur e shpirtkalbur
që pranojnë “Apologjinë e Djallit? Turp,
turp për gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë dhe janë të lumtur që një
klerik i huaj drejton kishën shqiptare dhe meshën e mban në gjuhën greke! O Zot,
çfarë mban mbi tokë. Janullatosit po i bie shëpia e tij dhe kërkon të ngrejë
shtëpinë tonë...Kjo është Shqipëria e paradokseve. Pse ia lëndoni kockat Nolit
dhe Visarion Xhuvanit? Atë kohë kur Shqipëria nuk ishte ende shtet dhe ata jo
vetëm themeluan Kishën Autoqefale Shqiptare më 1922, por nuk pranuan vartësinë
e saj nga kisha greke, kundërshtuan Patriarkanën e Kostandinopojës dhe
shërbesat fetare bëheshin në gjuhën shqipe.”
*Pësimi për
këdo duhet të shërbejë si mësim:
Fjala e urtë thotë: “Kush pëson ..mëson.”
Mjafton që ta mbajmë “vath në vesh” këtë thënie, sepse gjatë
jetës njeriu në çdo pozitë shtetërore apo private qoftë, ndodh që edhe
rrëzohet, porse gjatë rënies mëson se si të ringrihet. Nëse kjo arrihet duke u bazuar
në fuqitë fizike dhe mendore të qenies së tij, atëherë ai duhet të falenderojë
formimin e tij individual i cili varet nga shumë faktorë. Së pari që të
ringrihesh, duhet mbështetur në dijet e në forcat vetjake, në përvojën e të
parëve, ku përfshihet edukata që ke marrë, kultura e trashëguar mbi të cilën
kultivohet formimi kulturor në bazë të dijeve shkencore të përvetësuara gjatë
arsimimit dhe gjatë shkollës më të përsosur që është jeta, si mësonjtorja më e
madhe. Gjithashtu i rrëzuari e gjen veten, duke mos mohuar arritjet e kujtdo e
në veçanti të të gjithë atyre që pranojnë sfidën dhe që ndërtuan atë që më pas gjejnë
brezat e rinj. Sundimet e gjata shekullore dhe padrejtësitë e më të mëdhenjëve,
qofshin vendas apo të huaj, qoftë shteti ynë apo shtetet e huaj, e lanë vendin
tonë në kuotat e niveleve mesjetare të zhvillimit në çdo fushë. Kjo prapambetje që çonte në regres, për të ecur
vendi përpara, duhej të ishte detyrë primare e pushtetit shqiptar të çdo kohe
dhe ngjyre politike, sepse pësimi bëhet mësim.
Është thënë e thuhet se në
diktaturë ne ishim “vendi simbol shembulli e modeli’, ‘Fanar ndriçues në Evropë”.
Me një ekonomi të hiperbolizuar në mënyrë fiktive, përballë varfërisë materiale
dhe mendore, si ka mundësi që mendjet e mykura vazhdojnë ta besojnë nivelin e
lartë jetik të asaj kohe? Ishte pikërisht kjo farsë që e çoi ekonominë në zero
në fundin e viteve 80-të. Kjo ishte gjendja e vendit me të cilën u përballën
proceset demokratike...ku sundonte zija e bukës, papunësia, 80%-shi përfshiu gjithë
shqiptarët, mugesa e elektricitetit, rrugët plot njerëz të hallakatur, që pa
asnjë dritë shprese nisën një rrugë të panjohur, atë të kurbetit, atë rrugë
plagërëndë të shqiptarëve e nisur shekuj më parë. Dikur detyroheshin të
mërgonin nga frika e pushtuesit, kurse më 1990 morën arratinë nga diktatura që
i kishte izoluar ei kishte mbajtur ngërthyer si miun në çark, nga varfëria dhe urrejtja
gjysmë shekullore që i kishte ndarë në njerëz të partisë dhe në armiq të betuar
të saj, hasëm të njëri-tjetrit. Në këto kushte sfidat ishintë pamundura për
vendin tonë të varfër.
*Të
pranosh sfidën do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije të
plota shkencore për aty ku do të aplikosh.
Përballja e demokracisë sonë të
brishtë në kushte të tilla e me një prapambetje skandaloze, krahas me vendet e
zhvilluara, kërkonte dhe kërkon aftësi maksimale nga pikpamja profesionale,
intelektuale e organizative, njohjen e të rejave të shkencës botërore, kërkon
njohjen e stadeve të zhvillimit tërësor dhe rrugët nëpër të cilat kanë kaluar demokracitë e avancuara
Perëndimore. Dihet se edhe në këto vende bëhen gabime, por ama kanë ndërtuar
shtete. Individi dhe aq më tepër ata që drejtojnë institucionet e të gjitha
niveleve të pushtetit, kurrë nuk duhet ta anashkalojnë, ta shpërfillin përvojën
e të tjerëve që e kanë përftuar nga koha dhe duke e përsosur atë, fitojnë përvoja
të reja dhe i venë në shërbim të jetës. Në mënyrë të tillë duke kërkuar më
shumë nga vetja, duke e mohuar së paku për një legjislaturë etjen për t’u
pasuruar me urdhër të peshkut, secili është në gjendje të pranojë konkurencën.
Janë këto arsyet që demokracitë e zhvilluara, vetëm me arsimim, me punë e në
konkurim me më të mirët, i kanë shndërruar shtetet e tyre në vende të mundësive
dhe sfidave.
*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të
jemi ndonjëherë shtet i së drejtës që me politikat e tij në çdo fushë të jetës,
do të pasqyrojë identitetin kombëtar?
Lind pyetja : “Pse nuk u realizua kjo gjë dikur...atëherë
kur bota na shihte me kërshëri ngaqë i rezistonim izolimit të kopshtit
zoologjik, duke na i prerë të gjitha burimet jetike?”
Këto vite postkomuniste
vazhdimisht është dhënë përgjigja se fajin e kishte koha, apo sistemi diktaturë
komuniste. Kjo është mëse e vërtetë.
Dihet se
vendi ynë edhe në çdo periudhë historike të shkuar apo të tashme, me sisteme dhe
qeverisje politiko-ekonomik të ndryshme, ka krijuar shtratin e vetë administrimtiv-
institucional, si në politikë, në ekonomi, drejtësi, arsim, kulturë, diplomaci
etje. Ç’ndodhi vallë me vendin tonë? Le ta shohim...
Fatet e rrjedhave politiko-historike
të Shqipërisë kanë nisur herët. Si vend ballkanik fati ynë nuk ka qenë i
shkëputur nga fatet e fqinjëve tanë jugor dhe verior. Menjëherë pas shpalljes
së Pavarësisë së Greqisë, qysh më 1830 lindën pretendimet e shovinistëve grekë
për Vorio Epirin, me idenë e Greqisë së Madhe. Po ta vëresh me kujdes rrjedhën
e fakteve apo ngjarjeve historike në marrëdhëniet ndërfqinjësore dypalëshe, ata
kanë vepruar si mola që grryen drurin gati për dy shekuj. E nxorën kollën me
Çamërinë ndërsa më pas...do ta shohim se ç’po ndodh.
Kurse fati i cungimit të trungut shqiptar
nisi me Traktatin e Shën Stefanit, vazhdoi në Paris dhe u vendos në Londër. Më e dhembshmja ishte se, pa praninë e
Shqipërisë, jepej dënimi kapital i saj, duke ia vënë trupinë në gijotinë, ia
prenë gjymtyrët pamëshirë dhe e lanë vetëm trungcung. Asnjë përfaqësues shqiptar
nuk ndodhej në Konferencën e Ambsadorëve. Cila ishte drejtësia që u ndoq
ndaj Shqipërisë që u dënua në mungesë? Përse duhej t’i ndanin vëllezërit e një race, e një gjuhe e
një gjaku? Mbi ç’bazë janë mbështetur, cili ligj ndërkombëtar i jep përparësi
pushtuesit, kriminelit, xhelatit dhe i mohon të drejtat legjitime të pafajit? Këto
pyetje janë për politikanët e së tashmes, si dhe për ata që kanë qeverisur. Ky
problem i pazgjidhur, që ka ngelur pa përgjigjen e atdhetarëve, si dhe vendosja
e Janullatosit në krye të Kishës ortodokse shqiptare janë ngulur në trupin e
sakatosur të Shqipërisë si gozhda e Nastradinit.
*I
kujt ishte faji i vallë? I Shqipërisë së vogël dhe pa përkrahje, apo i
Fuqive të Mëdha që e nxorën në ankand, duke plotësuar oreksin e shovinistëve
grykës të pangopur?
Ende pa mbaruar mirë Lufta e Dytë
Botërore, Greqia gllabëroi Çamërinë, duke vrarë, masakruar dhe përndjekur banorët
e saj autoktonë shqiptarë. Një pjesë e
tyre emigroi drejt trungut Amë dhe një pjesë drejt Turqisë.
Në veri serbët të vendosur vonë në Evropën
jugëlindore, kanë pasur synimin për supremaci në gadishullin e Ballkanit.
Pengesa kryesore për shtrirjen e sundimit të tyre kanë qenë shqiptarët
autoktonë.
Duke pasur përkrahjen e rusëve dhe ndonjë fuqie tjetër, si
internacionalistët francez apo shovinizmi grek aprovuar nga organizmat
evropiane e ato ndërkombëtare, më 1948 nën juridiksionin e Jugosllavisë, futën
Kosovën dardano-shqiptare, si dhe trevat shqiptare të Malit të Zi e të
Maqedonisë . Ndaj tyre u ndoq një politikë shfarosëse e si pasojë mbi një
milion shqiptarë morën rrugën e mërgimit drejt Turqisë, shteteve të Evropës dhe
Amerikës. Si i zbatuan këto dy shtete (Greqi-Serbi) të drejtat e njeriut, si moscënimin
e të drejtave ndërshtetërore apo ruajtjen e integritetit dhe fqinjësisë së
mirë?! Kjo vlen të analizohet dhe të gjykohet nga organizmat më të larta
ndërkombëtare. Këto shtete kryen krim ndaj një kombi, Shqipërrisë dhe
shqiptarëve. Po si reagoi vallë qeveria shqiptare nën drejtimin e PKSH, që e kishte
të sanksinuar me ligj paktin e moscënimit teritorial dhe kufitar të trojeve amtare?
Bëri një sy qorr dhe një vesh të shurdhët, vetëm të mos u ndërpriteshin mësimet-marksiste
leniniste që jepte Moska dhe Beogradi. Ndoshta për ta nuk ishte Shqipëri, as
Kosova, as Çamëria, as Malësia e Madhe, as Uliqini e Tivari, as Hoti e Gruda,
as Shkupi, as Tetova e Gostivari...Për shtetin komunist shqiptar mjaftonte që
të mos prisheshin me mësuesët e shkollës së të paudhit(Djallit), e punë e madhe
se ndiqej gjenocid ndaj tyre. Heshtja e Qeverisë komuniste shqiptare tregonte
se ishte katërcipërisht e kënaqur me vendimet antishqiptare të Konferencës së
Londrës. Kurse gjenociddi që u ndoq nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, nuk
mund të tregohet me fjalë. Ndaj, para se Serbia të futet në BE, duhet hapur një
“Nuremberg”, sepse duke parë raportin mes numrit të popullsisë dhe të viktimave
nga gjenocidi sllav dhe ai grek, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm, ndaj të
cilit duhet mbajtur qëndrim prej organeve më të larta të drejtësisë evropiane
dhe nd/kombëtare. A do të rishikohen dhe ndëshkohen fajtorët ndonjëherë për krimet
makabre që u janë bërë shqiptarëve. Kjo e drejtë vendoset vetëm me kërkesë dhe
këmbëngulje të shqiptarëve, duke i vënë para përgjegjësisë autoritetet e
drejtësisë evropiane.
* A e ka bërë faktor parësor politika shqiptare
këtë?
I mençuri ka thënë: “Po s’qau fëmija, nuk i jep gji e ëma...”
Që të ulemi në një tryezë me të tjerët e që të na pranojë në gjirin e saj, BE
na ka vënë kushte. Këto detyra unë i vlerësoj, pasi janë tregues integrimi të
shteit shqiptar nëse realizohen. Po ne nuk kemi të drejtë të vëmë kushte dhe
të kërkojmë drejtësi për krimet ndaj
shqiparëve? Përse na kanë vrarë, na kanë mohuar, na kanë shkatërruar apo
vjedhur me të padrejtë? Pse trajtohen disa shtete si bijë nëne dhe disa si
fëmijët e njerkës?
Ligji kombëtar apo nd/kombëtar është i barabartë për të gjithë, si për të
madhin dhe për të voglin dhe kur ai zbatohet njëlloj për gjithë shtetet apo
individët vetëm atëherë ka barazi. Pikërisht këtu hynë edhe diferencimi racial
edhe gjinor. Ndaj shteti mban në çdo kohë përgjegjësitëe veta si për vendimete
gabuara të së shkuarës dhe për padrejtësitë e bsë tashmes. Duke qenë e paaftë,
e papërgatitur, e mbytur në gabime e korrupsion, politika shqiptare ul kokën
para së vërtetës. Ndaj Shqipëria nuk po
del dot nga udhëkryqi që e ka futur në kolaps.
* Duke qenë kaq të paskrupullt, a u lejohet të shfajësohen në këtë mënyrë
sot pas gati një çerek shekulli?!
Si mund të na njohë bota të
drejtat tona kombëtare, kur politika jonë ka heshtur, hesht, apo kujtohet si
kofini pas të vjelit, sidomos për probleme madhore që cënojnë identitetin dhe
autoritetin kombëtar? Për fat të keq asnjë nga qeveritë e këtyre 70 viteve të fundit, jo të kërkojë drejtësi për trevat
shqiptare, por nuk ka bërë asnjë kërkesë të drejtë institucionale, për trojet
dhe për shtetasit e vetë. Po marrë një rast...
Cila qeveri u kujtua të sjellë hirin
e mbi 800 shqiptarëve që u dogjën në krematorët e Aushvicit dhe Mat’hauzenit, të
quajtur viktima(nga 1260 të internuar). Vetëm në Vlorë arrestimi i fundit nga
nazizmi ka qenë i (48) dyzetë e tetë vlonjatëve më 14 gusht 1944, nga të cilët
vetëm dy(2) u kthyen. Disa u shpallën dëshmorë të atdheut, kurse të tjerët jo
vetëm u dogjën, por u quajtën viktima lufte nga PKSH (më vonë PPSh). Diktatura
bëri krim, që edhe mes të vdekurve zbatoi luftën e klasave, duke i ndarë në
dëshmorë dhe viktima. Kurse qeveritë e tranzicionit nuk e kanë vënë ujin në zjarr për të vendosur
në vend identitetin kombëtar të këtyre shqiptarëve që kanë ngelur pa atdhe. Ndërkohë
vendosuin autoritetin e shtetit. Edhe qeveritë e vendeve pushtuese, shkaktar të
luftrave dhe mjerimit të popujve të pafajë, erdhën e i morën eshtrat e ushtarëve
të tyre, kurse ne...bijët legjitim të këtij trualli i nxorëm të jashtëligjshëm.
Fqinjët tanë që na duan të pjekur shfrytëzojnë pikërisht dobësitë e politikës
shqiptare e të gjitha ngjyrave që ende nuk po e gjen shtratin e vetë.
Me ndryshimet e kushtëzuara të sistemit
soc-politik që ndodhën në vendin tonë më 1990, shqiptarët duhet të ishin të
vendosur të ndiqnin përvojën më të përparuar botërore. Në këtë mënyrë do të
realizonin ëndrrën shumëshekullore të shqiptarëve që ndihen përgjegjës si
atdhetar, të Rilindasve dhe intelektualëve të shquar të të gjitha kohërave, që
nuk i kanë munguar kurrë Shqipërisë. Bota që ka ditur të japë vlerat e duhura,
emrat e shumë prej tyre i ka përjetësuar pasi janë shkruar me shkronja të arta,
në enciklopedi, në memoriet e shteteve, nëpër biblioteka, nëpër katedra e
universitete, në akademi shkencash, ushtarake, arti, filozofie apo mjekësie, në
objekte arkitekture, në vende të shenjta etje... Këta elitar, krenarë për
origjinën e tyre, punuan dhe lanë mesazhe të panumërt. Amaneti i tyre i fundit
për brezat ishte për Atdheun që lindi, u formua e mori emër në Evropë, ta bënin
Shqipëri Evropiane. Nuk ka dyshim që vendi ynë është shtet i Evropës,
por ata donin që në vendin e tyre të bëhej jetë evropiane (perëndimore).
Pak rreshta më sipër i quajta “ndryshime të kushtëzuara” dhe nuk
kam as më të voglin dyshim. Tek ne varfëria materiale, mendore e pakënaqësia në
vitet 80, kishin arritur kulmin, por pjekuria ndërgjegjësore kombëtare nuk
ishte në lartësinë e duhur që t’i përgjigjej asaj që po ndodhte, por ishte dhe është për të dëshiruar. Ndaj
shoqëria shqiptare nuk ishte në gjendje të bënte ndryshimet e duhura.
Që të sjellësh përmbysje sistemi shoqëror pa
luftë, do të thotë që gjithë atdhetarët ose pjesa dërrmuese e komunitetit
shqiptar është zhveshur nga mendësitë e të shkuarës komuniste dhe është mëse e bindur
se e ka përgatitur veten se ndryshimi rrënjësor është i vetmi shpëtim kombëtar.
Si njerëzit edhe shtetet nuk jetojnë dot vetëm. Shembulli më i mirë për këtë,
që na hodhi në greminë ishte Shqipëria komuniste. Kemi nevojë për marrdhënie
miqësore, aleanca diplomatike, ekonomike, kulturore mes fqinjëve, apo me ShBA e
largët. Miku ka vendin emikut, por jo ta bëjmë zot shtëpie, siç ndodhi duke
vënë Janullatosin në krye të Kishës Ortodokse shqiptare. Në zhvillimin ekonomik
të vendit kanë shumë rëndësi investuesit e huaj, por duke respektuar disa
kritere të domosdoshme. Kufiri shqiptar u shndërrua si një han pa zot, ku më lirisht
hynin e dilnin të huajt sesa vendasit. Që të bëhet një takim i krerëve të
ortodoksisë në Tiranë, ku patriarku serb shfaqi lirisht shovinizmin serbomadh
ndaj Kosovës duke e quajtur “zemra e Serbisë”, është diplomacia, qeveria dhe
politike shqiptare që aprovon. Kurse përfaqësuesit e shtetit dhe politikës
shqiptare e dhanë përgjigjen vonë. A nuk kishte dijeni qeveria se do të bëhej
një takim për përurimin e kishës? Si mund të hyjë e të dalë në Shqipëri, si në
shtëpinë e tij sa herë dhe kur të dojë antishqiptari, shovinisti Gejxh, i cili
jo vetëm i ka shfaqur pretendimet e tij mbi Vorio Epirin, por i mbron me
fanatizëm. Ne i kemi hapur portat e Atdheut në katër kanata për të huajt. Po
cili shtet na i ka hapur portat dhe na fton të hyjmë brenda me tolerancë
rregullash?! Këto gabime nga padija apo nga dashamirësia për miqtë e vendit, me
kohë shndërrohen në faje të pariparueshme.
Ballafaqimi 24 orë në ditë me
dhunën, mungesën e edukatës, fjalorin e rëndomtë mes grupeve parlamentare,
krijon një psikozë të rëndë sociale? Shqiptarëve që i mbajnë sytë nga politika,
nuk u interesojnë skena të tilla vulgarizmi, sepse u shuhet çdo shpresë për të
nesërmen. As si shembull pozitiv edukimi për brezin e ri nuk shërben grindja
mes parlamentarve. Atëherë kujt i intereson vallë? Vetëm atyre që duan ta
shikojnë vendin tonë në anarshi e të përçarë, se kështu penetrojnë kollaj.
Pas vitit
1990 filluan thirrjet e duam Shqipërinë demokratike, e duam Shqipërinë si
Evropa, apo si e gjithë bota.
Për t’ia dalë mbanë e të arritur
stadet jetike të vendeve të zhvilluara, kërkoheshin kllëqe nga politika
shqiptare, që ishte me ekonomi të pakonsoliduar, pa përvojë, pa ekspertët e
duhur,por e mbarsur me idetë marksiste dhe me metodat e vjetëruara. Për çudi
brenda natës ndërruan ngjyrë dhe ide sipas programimit të Katovicës, ku
Gorbaçovi mblodhi kryetarët e shteteve të ish kampit të lindjes. Mes tyre ishte
edhe Ramiz Alia, i cili ndoqi zbatimin e udhëzimeve pikë për pikë. Menjëherë u
ndanë sferat e influencës mes besnikëve të të PPSh-s. U dhanë udhëzimet dhe
programet dhe ata nga të kuq u bënë blu, rozë, të gjelbër apo vjolë...Dhe që
nga ai çast për ata nisi historia e kombit.
Askush nuk mund t’i mohojë
ndryshimet e këtyre viteve, por ne duhet të kishim ecur përpara me galop, pasi
Shqipëria çshtë vendi i resurseve, veçse të dish t’i shfrytëzosh me nikoqirllëk
dhe mençuri. Sot Vlora duhet të ishte në majën e kurbës së fitimeve nga
turizmi, por çfarë do ta tërheq turistin e huaj apo vendas:mungesa e organizim-
menaxhimit të vlerave turistike të saj apo infrastruktura?
Të
gjithë shqiptarët u bënë me diploma e tituj shkencor. Të gjithë duan të jenë të
parët, vetëm të udhëheqin.” Unë Zot dhe
ti Zot...,”kopenë” kush e kullot?!”
Egoizmin e shfrenuar të shqiptarëve, si mendësi e së shkuarës, e shfrytëzojnë përmes
një apologjie ”Apostujt“ e djallëzuar,
që qëndrojnë në vendin tonë si gozhda e Nastradinit. Ndaj duhet shkulur kjo gozhdë, që shqiptarët të marrin
frymë lirisht, si zotër vatani, si në besimet fetare, ashtu edhe në fushat e
tjera. Kjo është detyrë e politikës.
Lidhur
me sa ndodh, mos vallë të persekutuarit janë fare pa faj?
Nuk di kush i mënjanon këta mjeran nga këto kërkesa kombëtare e mediate dhe
i përdorin duke i shtyrë të futen në grevë?! Të persekutuarit duhet ta kenë të
qartë se, përderisa nuk vlerësohen për aftësitë që kanë, qëndrojnë pa punë,
shihen si segmenti më i keq i kombit e janë të parët që u mohohet profesioni,
me urrejtjen dhe hakmarrjen pa arsye ndaj tyre, nuk mund të ndërtohet
demokracia e vërtetë. Po bëjë një pyetje: Sa të persekutuar janë zgjedhur apo
emëruar këto vite tranzicioni në Qeveri, në KLD, apo si diplomatë? Sa aksionerë
nga ish të burgosurit ka nëpër miniera, ku u ranë brinjët, dhanë edhe jetën ? Përjashtoj
vetëm ata të persekutuar apo pseudo të persekutuar që kanë qenë lidhur me
sigurimin e shtetit apo prindërit e tyre i kanë shërbyer të huajit, të cilëve u
kanë besuar ndonjë post të lartë shtetëror apo në fushën diplomatike. Më vjen
keq që abuzohet me ata syleshë dhe naiv, që mashtrohen lehtë. Pastaj këto
gënjeshtra e mashtrime hyjnë në histori si zbatim programi i një force të
caktuar politike. Në raste të tilla ata rivriten dhe u rihapen plagët e vuajtjeve. Unë
nuk e besoj kurrë se persekutori dhe xhelati vë shenjën e barazimit me
viktimën. Ata që ishin dje, drejtojnë sot, veç ndërruan tesrën, termologjinë
dhe janë më bashkëkohor se perëndimorët. E dusan demokracinë me marksizmin në
gji. Sipas tyre këtu nis historia...
*Për fat të
keq, pa përjashtim, çdo qeveri e re, përfaqësuese e forcës politike fituese në
zgjedhjet elektorale, mes deklaratash mediatike, përligj se rrota e historisë
nis rrokullisjen me fillimin e qeverisjes së saj.
Është e pafalshme për cilindo që
shprehet në këtë mënyrë, pasi historia nis me fillimin e jetës së një
komuniteti. Se ç’peshë ka dhe çfarë vlere ka secila Qeveri, treguesi më i mirë
është koha, e cila pohon progres pozitiv mbarëkombëtarë apo pëson regres negativ
nëse i ka shërbyer vetëm pakicës. Autoriteti i një pushteti rritet kur realizon
mangësitë e pushtetarëve paraardhës, jo me fjalë dhe fyerje, por me veprime.
Shovinizmi kurrë nuk do që në Shqipëri të shkojë prona te pronari legjitim. Nuk
u pëlqen asnjëherë integrimi i të përndjekurve politikë. Iu erren sytë nëse
minimizohet korrupsioni. Sepse realizimi i këtyre kërkesave fuqizon kombin dhe
shpejton integrimin. Ndaj kërkohet shumë punë për pasurimin ndërgjegjësor
kombëtar dhe kulturë demokratike e të gjithë shqiptarëve. Vetëm kështu
përballohet e keqja që na ka lidhur këmbë e duar dhe ecim drejt zhvillimit.