Dr.Yllka FILIPI
Korpusi letrar i veprës së krijuar prej poetit Sadri Ahmeti hedh dritë
mbi misteret dhe të panjohurat e individit dhe me gjerë kombit, në dekadat e
errëta të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve para viteve’90. Në të gjitha
ngjyrat dhe trajtat substanciale spikat dhimbja. Gjuha ezopike, zhdërvjelltësia
e imazhit dhe monologut poetik, spektakolariteti i bërthamave strukturore të
vargjeve, e bëjnë korpusin e veprës së tij tejet ngacmues për horizontin e
pritjes.
Lindi
në Vuthaj të Plavës, Mal i Zi, më 1939. Shkollën e mesme e kreu në Pejë të
Kosovës. Pak kohë pasi kishte emigruar në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1957,
arrestohet si student i Institutit të Lartë të Arteve. Dënohet në minierat e
Spaçit më 3-vjet heqje lirie dhe dëbohet për 20-vjet me punë të detyruar në
kantierert e Elbasanit. Kreu studimet e mbetura në Akademinë e Arteve. Shkrimet
poetike i nisi që në bankat e shkollës në moshë të re, por drita e botimit të
veprave iu ndez vetëm, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Pas
viteve’90 poeti botoi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij poetike të
cilën po e shpalosim sipas një vështrimi panoramik: Një e qeshur harbon nëpër errësirë, Dielli për në Ballkan nuk kalon
nëpër Goli Otok, Masakra e Tivarit, Ajsbergu i preludit të katastrofës, Vallja
e katrahurave, Kalëroj rreth botës mbi re, Loz era me gjethet e vjeshtës sime,
A do të mund të takohemi nesër?, Rrëfenja në prozë në gjuhën angleze. Ka
marrë pjesë gjithashtu në 4-ekspozita pikture kolektive, ka hapur 6-ekspozita
vetjake brenda vendit dhe po kaq jashtë vendit.
Çastet
e inspirimit poetik autori më së shumti i vjel nga jeta reale, e cila bëhet
edhe udhërrëfyesja e brengave të tij. Sipas një këndvështimi të hollësishëm
polidimensional do përpiqemi të ndriçojmë rrafshet enigmatike të të gjithë
filozofisë së jetës njerëzore, nëpërmjet zbërthimit të simbolikës së dhimbjes e
cila ngërthen në vetvete realen dhe virtualen, në imazhet poetike. Nëse arrijmë
të depërtojmë në kolonat qëndrore të strukturës së vargjeve do të vemë re se
platformat shpirtërore poetike konvergojnë hiperbolikisht me motivet vizuale të
realitetit të para viteve’90 në Shqipëri. Persiatjet konvencionale janë pika
strategjike të thellësive të shpirtit njerëzor, aty ku zë fill dhimbja e
arratiset gjumi. Konotacionet me të cilat autori vesh me tul idetë, japin
nuancat e egra të trysnisë së kohës e cila ushtron presion të jashtëm mbi
individin duke i turbulluar e rënduar shpirtin. Implementimi i lirisë
shpirtërore e ka zanafillën në forcën që i jep poetit observimi filozofik i
ideve mbi jetën, të cilat zbardhen vetëm duke arritur të depërtojmë në
subkoshiencën artistike gjatë aktit krijues. Për këtë na vjen në ndihmë teksti
si pjesë thelbësore e bërthamave poetike nga e cila kanë marrë formë dhe trajtë
principet më vitale të jetës .
Poeti
krijon rezonancë të fuqishme shpirtërore me dritën dhe i këndon asaj nga
dëshira për të harruar dhimbjen dhe terrin i cili ishte bërë tashmë pjesë
integrale e njeriut, në realitetin e atyre viteve. Përthyerjet e imazheve
polidimensionale, japin dorë të lirë mbi zbërthimin e enigmave substanciale të
vuajtjes. Autori gjithnjë ka dalë kundër formave dhe stileve të diktuara nga
trysnia shtypëse e realitetit të jashtëm, duke u kacafytur me të e duke mos e
lejuar që forca ta shndërrojë apo ta thërrmojë.
Pavarësisht
se qenia nuk e ka prekur dot kurrë statusin e imunizimit ndaj metamorfozave të
brendshme e të jashtme, ajo rrezikon, në varësi të forcës së trysnisë që
ushtrohet mbi të, ose të përshtatet, pra të rimodelohet negativisht si rezultat
i energjisë negative që derdhet mbi të,
në trup e në shpirt, (duke e humbur përgjithmonë “identitetin e parë” natyral),
ose alternativa e dytë dhe e fundit mbetet, zhdukja, si një iluzion që e
gëlltit harrimi pakthyeshmërisht, pa
mundur dot ta shtrembërojë, as ta krisë, as ta mbulojë me dhe. Ai shumë shumë
mund ta vrasë, për ta kthyer nga vdekja edhe më të lavdishëm.
Guri që
ndërtuesit e kanë hedhur poshtë, u bë guri i qoshes. Kushdo që do të bjerë mbi
këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të
dërrmohet.
(Lluka, 20: 17,18)
Brenda këtij kaosi pa trajtë, autori krijon autoportretin e dhimbjes,
duke ju kundërvënë territ, në përpjekje për të vënë pak rregull mbi botën
objektive. Terri nuk ekziston, atë e kanë krijuar artificialisht dhunuesit e
lirisë, (sipas autorit) për të prishur rendin e lëndës jetësore. Poeti i ndien
gjer në palcë kafshimet, por kurrë nuk gjen asnjë pikëtakimi me të, ndërkohë që
mijëra enigma në të njëjtën kohë i brejnë trurin. Krijohet kështu një realitet
i dytë, jashtë atij real, si një kurth ndaj shpërfytyrimit të pashmangshëm.
Autori e ruan megjithatë balancën midis ndëshkimit dhe një koke të turbullt që
dhemb gjithnjë e që di të arratiset në hemisfera të tjera, përgjatë aktit
krijues, duke ruajtur të paprekur, me të gjitha fuqitë, lirinë e brendshme
shpirtërore.
Duke
bërë një prerje vertikale të kolonave qendrore që veshin me palcë tekstin
poetik, parë kjo në rrafsh sintagmatik, dhimbja
rezulton triadike, pra e shtrirë
komvencionalisht në tri rrafshe: Dhimbja e kripës (limfa), dhimbja e
lirisë (gjaku) dhe dhimbja e vetmisë
(shpirti). I marrim në shqyrtim me radhë, sipas hapësirave dhe
mundësive që ofron teksti:
Dhimbja
e Kripës
Sa herë që lexon poemën brenda vëllimit poetik Një e qeshur harbon në errësirë, me të cilën autori është marrë
pothuajse 20-vjet (1973-1993), duke e
latuar kohë pas kohe për t’i dhënë formën përfundimtare që ka sot, ravijëzohet
hipotetikisht një analogji me kripën e Detit të Vdekur apo shkatërrimin dhe
zhdukjen e popullit te Lutit (Ajeti 82 në
suren, Hud: 82), pranë tij.
Kështu, kur u
erdhi urdhri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi
ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur. (Ajeti 82 në suren, Hud: 82)
Arkeologu gjerman Werner Keller shkruan: Ndoshta ujërat vërshues të Detit të Vdekur i
përfshinë ato pas një tërmeti.1 Cilët janë ato? Sa popuj janë
zhdukur nga këto dukuri? Vunë dorë zotat e universit? A kanë lidhje shpirtërore
diktatorët me ta? Trungjet dhe rrënjët në ujin e gjelbër janë shumë të të
moçme, si dëshmi e vdekjes, shkatërrimit të një kombi. Sasia jashtëzakonisht e
madhe e kripës së Detit të Vdekur i ka ruajtur akoma, si dëshmi të katastrofës.
Ashtu sikundër ruhen ende dëshmitë e tmerreve të diktaturave, shekuj më pas.
Sa e
vjetër është kripa? Kush e zbuloi? A është vërtet kripa më e rëndë se mermeri,
siç thotë poeti? Shkëmbimi i mallrave, a ka pasur lidhje me shkëmbimin e
përjetimeve shpirtërore mes kombeve në kohët e hershme? A është kripa dhimbje?
A është kripa bukë? A ka jetë në kokrrizën e kripës? A është kripa diktaturë? A
është kripa përjetësi? A është kripa shkatërrim, fund? Këto pyetje pafund e
kanë gërryer kureshtjen poetike të autorit i cili përpiqet të japë shpjegim:
Sa të pacipa
ligjet e natyrës!/…Unë i ndërtuar prej kripërash/ dhe i puthur nga
dielli i dashurisë/ jam mbytur në gjelbërim…/Ku më shumë e ku më pak/ shtati
im i gjymtuar kullon gjak.2
(Pak parashtesë, po aty, fq.1-3)
Poeti
ravijëzon kështu konturet e një autoportreti gjithkohor. Baza materiale e
mishtë është kripa e cila vjen në formë rrezesh (nur-i). Kripa (shkaku)-deti (pasoja):
Grafist!/ Më
hidh dritë mbi gungat e ballit./ Më derdh nur kripe mbi fytyrë./ Hidhmë
diell ndër sy… (po
aty, fq.5)
Tri dete në
një puthje të vetme…/hidhu e kridhu, ndër këto dallgë…
(po aty, fq.7)
Një monument kristalor kripe! I naltuar e i gdhendur prej daltës poetike
të autorit. Martiri i fjalës:
O martir i
një fjale dhe i fjalë së pathënë/…/me ç’lëndë të ta naltoj monumentin?/ Kripa
ka peshë më të madhe se mermeri/ bronxi shkëlqen një ditë,/ kripa përjetë shkëlqen./
Sa pak kristale kripe në fjalën tonë,/ edhe më pak në gjak… (po aty, fq.9)
Sy që trazojnë kripën e gjakut: Nga gjymtyrë kështjellash të rrënuara,/ e ndiej që më vështrojnë një
palë sy/…/nga bisku i parë i lisit,/ me kripën e gjakut,- gurin e zjarrit/
eshkën e rreshkut ma kallin.
(po aty, fq.11)
Konstatim dramatik. Brenda llojit ka një ndarje fatale në dritë edhe errësirë! Kripa merr shijen e
dhimbjes:
Njerëz!/ E kam fjalën për ju që dikoni
dritë/ që rendni të grisni futat e errësirës/…/po ju pres, me duart e mbushura
me kripë./ Mbrojtësve të territ ju kallë krupë/…/ Kripë!/ Qofsh në
trajtë të kristaltë,/ e bluar,/
apo, e
tretur/ Ti ke shijen e dhimbjes së shuar,/ midis dhembjeve që s’na ndahen.
(po aty, fq.13)
Ndiej shijen
e kripës, kur me majën/ aq të ndjeshme të fjalës,/ …rrasem në llavën e
zemrës… (po aty, fq.14)
A mund të griset drita me thonj, a mund të
përgjaket? Thërrmohu,/ shpërbëhu, në
bulëza shkumëze, ndër këto dallgë/…/ në mjedisin që dritën me thonj e gris,/
e mësuar me errësirën pis. (po aty,
fq.15)
Poeti sjell dritëhijet konotative të këtij embrioni të shëndetshëm poetik
në të gjitha përthyerjet e dimensionet: që nga nxjerrja e mundimshme e saj për
njeriun, shkëmbimet tregtare e kulturore midis popujve, në Mesjetë, (koha kur, kripa dhe hekuri ishin të
barasvlefshme me arin) e deri tek urimet, mallkimet, betimet. Kripa është
dëshmi e pakontestueshme e dhimbjes:
Të paepur,/
që përbuzin vdekjen në shtretër, të bukëkripës e, të besës/…/ A e shihni atë
sofër të shtruar/…/ me të shenjtin emër: bukë, kripë e zemër?
(po aty, fq.17)
Drejt
n’oxhak, u hodh një fjalë e për-/ dredhur/ e lidhur dy herë nyje;/ një sofër
burra u mpi e u drodh…/…/dhe, kobi vërshoi,/ na shkretoi./…/… se një
fjalë e pakripë,/ shtjerr e shtyp!
(fq.19-20)
Pse
loti është i njelmë?-pyet poeti dhe aludon se mijëra vjet më parë, nga dy sy
tejet të kaltër, një në Vuthaj (vendlindja
e poetit) dhe tjetri në Valbonë, rrjedhin, pa shterur kurrë, lot tepër të
kthjellët. Një djalë i hijshëm vuthjan që zbuste bishat, tek pinte krojet e
mëkohej me mjaltë nga një bletë e arratisur, buzë një ujëvare shkumëbardhë,
dashurohet me një zanë e cila për të hutuar poetin, shndërrohet menjëherë në
dhi të egër mali, më pas në drenushë dhe,
pasi djaloshi e arrin, ajo bëhet nimfë…I vendos një kusht të rëndë:
Ra në
dashuri, me të vetmin kusht:/ më dhuro ç’ke më të shtrenjtë!/ Ai kish më të
shtrenjtë kripën/ ndaj i solli një grusht./ ajo ja hodhi syve;/ ndaj i dogjën
si prush…/ …buroi dhimbje në pikat e lotit…/ përjetësisht e njelmë… (fq.22)
O malësor me
shtat atleti!/ Ç’e ke atë dhimbje të gdhendur në shtegball?/… ta shoh
zemrën: dyersh e dritaresh/ hapur krah më krah,/ duke dikuar dritë… (fq.23)
Fjala
pëlcet si kripa: Hidheni fjalën time
në zjarr/ dhe po nuk lëshoi
rrëshirë e flakë…/dhe po nuk krisi si gur rrufeje…/ po s’pëlciti, si kripa në
prush/…/ le të mos i mbetet as hiri!
(fq.24)
Poeti
e ka kripën të shenjtë, aq sa thur be mbi të: Kripë!/ Aq e shenjtë dhe aq e
shtrenjtë, ndër këto male! (fq.29)
Asnjë
kokrrizë të mos bjerë përdhe/ aq hyjneshë: sa për të janë thurë gjthë ato be,/
gjithato mallkime…/ më vraftë kripa, nëse ju gënjej!
(fq.30)
E
hyjnizon duke e vendosur shumë lart, pranë dritës, i jep frymë, e bën të
lexueshme, i ndryshon trajtë, thur urime në emër të saj, i kujton djepin, e
shndërron në dashuri, zanafillë të jetës, në kujtim, në mallkim, betohet në
emër të saj, e rikthen në mysafirin më të shtrenjtë, atë që të hyn në gjak:
Kripë! Eja në
fjalën time…/ përjetësisht e lëngët, poshtë qerpikësh… Ti, dritë e lëngëzuar
pranë burimit të dritës…/ kur denden e dynden retë…
(fq.40-41)
Ti ke zënë
vendin tënd / dhe peshon… / në miklimet dhe mallkimet e nënave të
dëshpëruara… (fq.43)
Ti lexohesh…/
në të gjitha gjuhët…/ ti m’i vjel dhimbjet,/ mallin dhe pikëllimet…/Ndër
poezi, mos më eja në trajtë lotësh…/…/ bëhu breshër mes tronditjesh…
(fq.43)
Edhe ti, paç
kripë në fjalën tënde të ngrohtë!.../…/ të shoh që dukesh e sakaq tek
zhdukesh,/ I rrëmbyer nga dallgë e nëntë. (fq.45)
Ti nuk ke rënë, si kometë nga qielli/ Djepin e
ke këtu!/ je bimëz e këtij planeti të sajuar;/ me kockat e yjeve të shuar/ e
sajuar enkas për mua…/ …hedhurinë e ligjeve të gjithësisë… (fq.46)
… I la
kripën si kujtim, apo si mallkim/…për ndëshkim
(fq.46)
Kripë!-
Dashuria e kulluar! … Nga ty fillon vetë jeta…
(fq.47)
… t’u
betova në kripë, se sa të dua/ dhe ti më besove…! (fq.47)
Thërrmijëz e
rrallë/ ke rry në gjakun tim/ si më i rralli mysafir…
(fq.47)
Edhe vetë Atdheu, sipas poetit është prej
kripe; ekziston edhe një njeri kriporeje që vështron ftohtë, e shtrëngon
grushtet (vegim alla-migjenian),
kockë e lëkurë mbi kripë të grirë, kuluvarur mbi një pikëpyetje. Është një plak
atje tej, që e mban atë kokërr kripë si një kokërr shpresë mbi shuplakë të
shekullit: A është kripa vallë hiri i perëndisë? E shtrenjta që shitet aq lirë,
melhelmi i plagëve?
Rrezëllijnë
pirgjet e bardha të kripës/ ndër kriporet, tej Ulqinit/ si mikropiramida
faraonësh,/ të ardhur nga verilindja,/ piramida e shpresave prej rëre,/ pranë
muzeut të një shkretëtire…/…/ nëpër bashtinat e Aga Ymerit… (fq.49)
Njeriu i
kripores picërron sytë e përcëlluar/ e më vështron/ më vështron ftohtë, e më
peshon nga larg/ me peshoren e jetës së tij…./ të mjerë…/…/ Dhembja e dyfishtë,
nëpër kyçe i bredh,/ dhe deri në palcë i ther./ Rrezja e rremë e zenithit, e
vret/… mollëzat eshtake,- dy grushta të shtrënguar,/ kam kërcënue nga vojtja-
të kërcyer, / e të fyer! / dy pëllëmbë më tej, çpalosen /harbojnë/ dallgët dhe
pulëbardhat./ O ironi irrituese…
(fq.50)
I kolovarë
mbi një lopatë faqeshpëlarë/ me tehun që shkëlqen, kripë e grirë,/ kockë e
lëkurë…/ me lulen e kripës në buzë,/ me lulen e dhimbjes në ballë/ kufomë e
gjallë./ Ai ka ngrirë si obelisk prej bronxi,/ nën qiellin e nartë/ duke
matë me një vështrim të përhumbur/ hijen e vet…/ si një shigjetë e zezë…/ drejt
qytetit, me sy të uritur./…/ Në piskun e diellit, kripa dhe ai./ Ai dhe sholli
i këmbëve mbi prushin që përvëlon,/ ai dhe dhembja…/ ai dhe pikëpyetja ku është
kuluvarë/ Nën ison e dallgëve nuk e di, nëse këndon/ apo mallkon. (fq.51)
Mbi shuplakën
gjithë vija të kryqëzuara/ mbi putrën e atij shekullori/ që dridhet nga presa e
tronditjeve/ si sitë elektrike,/ plaku ka vënë një kokërr të madhe kripe…me sy
të vagëlluar/ duke dyshuar se mos kripa është hiri i perëndisë. (fq.59)
Kripë! Bukuri
e ëmbël!... e renduar kah dritës dhe lirisë… flijesë e pashtershme/ në
përbuzjen ndaj vdekjes/ në buzën e çarë të etjes/ dhe në gojën e hapur të
urisë./ Mos je më e rralla? Po sikur të jesh me e kërkuara? Duke qenë aq e
shtrenjte/ shitesh aq lirë…/melhelm mbi plagën e lënduar…
(fq.61)
Poeti
pagëzohet në kripë e mallkon të pakripët, me gjuhën e kripur, demaskon dhunën,
tmerrin:
Në kripën
time jam regjur/ nga të pakripër gjymtuar./ I ndryshkur/gojëlidhur/ kam
gëlltitë kafshatën më të hidhur/(po aty, fq.65)
Kam dëgjuar
dhe dëgjoj klithma/ që barin thajnë/ dhe ngjajnë/ si dy fije floku/
Makronisi/ dhe Goli Otok-u/ Ndaj duke shungëlluar, zemëruar po i rrah me gjoks
këta shkëmbinj dhe po thërras me gjuhën time të kripur/ të krijuar nga limfa
dhe lotët e hidhur/ tek veshët e shurdhët të dhunës/ pa asnjë rrugicë shprese/
ditë e natë po thërras, çirrem në vijat erës…Nëpër tmerre të shoh…
( Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, Zëri i baticës,
fq.26) Poeti zhgënjehet nga mos-epja e kripës: Mungesa e saj është dramë për poetin:
Edhe
dielli…./ në pagjumësi të pëprjetshme/ rend duke të kërkuar./ kur ti, e
paepura…/ duke e mashtruar/ vetëm avuj kon/
Kështu dhe me
mua/ që të ftoj e s’më vjen në vargun tim/ …pa kripë,/ vargu jetim
(po aty, fq.61)
Brenda
vargjeve për kripën, autori shpalos gjithë shpirtin e tij të tronditur në sytë
e lexuesit. Kripa është për të si një strehë dhimbjeje:
Laurence përshkruan
atë ç’bën poezia: njerëzit nuk pushojnë
së fabrikuari tendën nën të cilën strehohen (…), por poeti, artisti, kryen një
çarje në ombrellë, madje gris të vërtetën hyjnore për të lënë pak rrymë kaosi
të lirë, si edhe për të vënë brenda një drite të rrëmbyer vegimin, që shfaqet
përmes çarjes.3
Errësira
është e pakripë!/
Asaj veç thurësit e ferreve i kanë kënduar… ( Një e qeshur
harbon nëpër errësirë, fq.27)
Ai e ndien në shpirt, e ka në trup, është gatuar
prej saj, e ka mbijetuar falë shijes dhe forcës që ka marrë prej saj, në ditët
e vështira të izolimit:
Në kripën
time jam gatuar/ në shëllirën e saj jam kulluar/ duke mbijetuar!
(po aty, fq.65)
Tek pij
mushtin e një kroi malor/dhe kur lëpij kristalin e ëmbël të kripës/ shuaj
nga fushë e kujtesës njëmijë dhimbje.
(Loz e
ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.35)
Hidhnim aq
kripë, për t’u ngjesh pastaj me ujë/ dhe kishte aq shije/ sa ç’kishte në
vargjet tona shi dashurie.
(Vallja
e katrahurave, fq.46)
Dhimbja e Lirisë
Më lini të bëj me veten time çfarë dua!4 Jehon kjo klithmë proteste e individit të izoluar që
kërkon terren dhe hapësirë të shtrijë mendimet, idetë e tij, por që para vetes
has barrikada aq të forta dhe mure aq të pakapërcyeshme, saqë e ka të pamundur
lirinë. Atë liri për të cilin kanë luftuar ndër shekuj të parët e vet me të
cilët krenohet, e që tashmë mungon aq shumë:
Dhjetëmijë
pëllëmbë mbi faqen e detit/ çatia e visit tim/ me trarë pishe e tjegulla guri,/
te djepi i kreshnikëve/ në vekun e legjendave/…/ ku vështrojnë nënat…/ I
këndohet lirisë në mungesë…/…/ në melodinë që ruajnë grykat që prej Ilirie5 (fq.3) Poeti e kërkon lirinë kudo, por e gjen vetëm në bujarinë e vargjeve që
mbijnë nga dashuria e rrjedhin si llavë, me fjalë zjarri:
Ti vrapon nga
zemra, në zemër/ si rruazë përvëluese duke vezulluar/ me liri dhe dashuri
ngarkuar./ Nënë poezi!/ …/ Midis rrudhave t’u bëfsha varg!
(Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, poezia, fq.4)
Mos m’i
lidhni gishtat./ Hidhni sytë deri në horizont: E gjithë hapësira/ janë duart
e mia të shtrira/ janë duart e mia të
lira. (Duart dhe kallëzat, po
aty, fq.6)
Kemi një lloj rebelimi migjenian, kur poeti shtrëngon grushtin, brenda të
cilit gjendet liria:
Të kam pasë
thënë/ se lirinë e ke të fshehur te gishti,/se lirinë e ke përgjumshëm tek
grushti./ ndaj të kam thënë/ se një nga gishtat mban zjarr…
(A të kujtohet?, po aty, fq.14)
Tmerret e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit të nomenklaturës,
përshkruhen hollësisht në poemën alegorike Goli
Otok, një lloj kampi përqëndrimi në një ishull guri, në Jugosllavi, por që
poeti i jep përmasa universale, duke përfshirë realitetin shqiptar në përiudhën
e komunizmit dhe më gjerë:
Ç’baticë e
solli ferrin në këta krepa të dhëmbëzuar/ në këta krepa të shurdhët e të
vetmuar! Brenda një dite sikur mbinë nga varri
këto gurishta/ mijëra gjysmëkufoma fytyrash të trishta. (Poemë për
pëllumbat e pabindur, po aty, fq.23)
Plotësohet panorama e zymtë e Goli Otok-ut pa kufij shtetërorë,
gjeografikë, politikë e shpirtërorë midis kombeve:
Dhe në
fshehtësinë më të paimagjinueshme/ u ngritën mbi këtë rrashtë ngrehina pa
dritare/ mure të betonuar plot me krina grerëzash/ me frëngji qepallash hekuri/
ku do të dergjej kurmi i çdo gjysmë të vdekuri… (po
aty, fq.23)
Cila këmbë e
hequr zvarrë/shkeli këtu për herë të parë?/ Cili qe dasmori i parë që ju ngjeth
mishtë/ kur këtu derdhi vështrimin? ( Po aty, fq.23)
Ç’është ky
mysafir i venitur si një krisht/ me gjoksin rreshtdalë e kaq të gjerë?/ Ky
vigan i rrethuar nga tufa e qenve me turizë/ duke murmuritë me zë të mbytur (klithmë danteske)-
Vallë,/ nga kjo skëterrë e humbur a do të dal i gjallë?/ një shkëndijëz
i pafullin ndër sy/ dhe një dritë i ndrin në ballë.
(po aty, fq.24)
Një
dramë e thellë shpirtërore shpaloset në zërin e zbaticës. Poeti herë bëhet
baticë e herë zbaticë për të nxjerrë
mllefin kundër dhunës ndaj fjalës së lirë. Konstatim tragjik, shpëtim nuk ka!
Në gjirin tim
të kaltër tërheq një kufomë që i ka ngrirë/ trishtimi… në sytë aq të lënduar/
është një i burgosur tashmë i liruar/ dhe i tretur, vetëm asht e lëkurë./
Xhaketa e tij është e lerosur me njolla të kafta gjaku… (po
aty, fq.28)
E gjetën dhe
e degdisën sërish në kthetrat e skëterrës/ duke e ndëshkuar me nenin e
arratisë/ për t’u kallë datën bashkëqytetarëve…/këtu as i vdekuri nuk gjen
dot shpëtim.
(po
aty, fq.29)
Zërat e verbër të erës bëhen pro e kundër tmerreve
te Goli Otok-ut universal. Prapaskenat, raportimet fals:
Zëri i parë: Ti,
qen, ke vjell vrer e mllef kundër frymës sonë,/ na thuaj, me cilët, sa
s’është vonë?/ ndryshe brinjët do t’i përsheshim, o i mallkuar/ ndërsa dhëmbët
do të t’i japim në duar!
Zëri i dytë (poeti):
S’kam derdh
mllef, por gjak/ dhe jo pak./ ja, plagët që dëshmojnë/ kam qarë hallet e luftës
me shokët e rënë/ tani ata gjithë ëndrra/ të qetë ndër varre flenë.
Zëri i tretë:
Vdiq i poshtri, na shpëtoi/ sa shpejt i
ku shpirti!
Zëri i
katërt:
Ik e laji ato
duar të lyrshme/ e raportoje si një vdekje të natyrshme.
(po aty fq.30-31)
Të vjen
ndër mend kur dëgjon këta zëra terri, skena e duarve të përgjakura makbethiane.
Një paralelizëm i përbotshëm për makbethët e kohërave moderne. Zërat i
përngjajnë njëkohësisht polifonisë së një kori makabër që rrjedh që nga
thellësitë e antikitetit.
Poeti
kërkon të arratiset, me zërin e pulëbardhave. I jep kurajo shokëve: Eja të ikim nga këto vise të
mallkuara!.../ka kohë që bregdetasit këndojnë vetëm këmgë të trishtuara (po aty, fq.36)
… në këtë
ishull eshtëror…/ …/ u hap një varrezë…/ dhe u mboll aty, e para ëndërr
e shuar/ hallka e parë e një vargani të gjallë/… që s’do të ketë të
sosur
(Varreza,
po aty, fq. 37)
Mbahu shok!/…
në Goli Otok/ nuk kanë të mbaruar këto varre ferri/…/ shi arteriesh,
gjak… ( Mall, po
aty, fq.39)
Autori
bëhet zëdhënës i tmerreve që pa me sy, i 40-mijë skeleteve të stërmunduara
sizifiane, i vëllezërve të panumërt bashkëvuajtës, si edhe “qytetarëve të
lirë”:
Jam Sizifi më
i ri i neneve të pashkruara/ në olimpet trekatëshe me shkallë prej mermeri/
jemi skelete që bartim gurë të rëndë/…/përmes kamxhikut, drurit dhe gurit/ dyzet
mijë skelete duhet të zhvishen nga fosfori (po aty, fq.,40)
Zgjerohet panorama e dhimbjes jo vetëm prapa mureve të ftohta të qelive,
por edhe jashtë tyre. Ashtu si tek personazhi kafkian, Jozef K., kur më datë 31
dhjetor (fundviti-fundjete), i
shfaqen papritur dy “tenorë me pardesy” tek dera dhe më pas, shumë natyrshëm,
ia rrasin kokën mbi një gur duke ju drejtuar njeri-tjetrit gjithë mirësjellje
se kush duhet ta ngrinte sëpatën i pari në qafën e të dënuart me vdekje.:
Edhe në qoftë
se ndodhesh jashtë kësaj torturishteje/ njeri i rëndomtë/ i mbështjellë
kutullaç…/ nuk mund të bësh kurrsesi dy net radhazi gjumë të qetë!/…/ Vdekjen
mbështjellë rreth qafës e mban/ kokën dhe fytin të futur në savan/…/ duke
jetuar ankthin kur po troket dera/… e të shfaqen dy hije me pardesy gri…
(Kudo që të ndodhesh,po aty, fq.41)
Realiteti behet aq i prekshëm a thua se është qenie e gjallë që avitet: Zvarriten kolonat si balle të plagosura/…/
Në çdo fytyrë, tek cilido shoh një kafkë të mertisur (Kolonat
dhe shushunjat, po aty, fq.46)
Poeti
sërish shpreson:
…në trojet
tona/ përjetësisht të ndëshkuara/…/ patëm thënë dikur: Nuk do të ketë më
natë. (Patëm thënë dikur, po
aty, fq.47)
Poeti, si
Mesia i këndon ringjalljes: Ç’lojë therëse, më poshtë:
Njëmijë herë kam vdekur nëpër thonj/ nëpër
kthetra nenesh të pashkruara/…/njëmijë herë… në zgrip të varrit pastaj duke më
ridënuar/ me nenin më të pamëshirë/ të më kthejnë në jetë/ nga frika se vdekja
do të ishte nje fund i qetë./ Njëmijë herë kam dëshiruar të vdes…/ dikush i ka
dhënë nënës besën/ dhe ai s’ka për të vdekur/ dhe po vdiq i varrosur në gropë
kolektive/ do të ringjallet…
(Kënga e ringjalljes, po aty, fq.51)
Po t’i referohemi Sokratit: -
Pra, vdekja është ose një gjumë i amshuar pa ëndrra, ose një udhëtim në vise të
lashta, mes shpirtrash të ndryshëm, të mbushur me drejtësi6,
- ekzekutuesit paskan patur të drejtë! Ç’ironi makabre!
Më tej: në të
vërtetë mund të thuhet se çdo shpirt ronit
shumë trupa, (nëse supozojmë se gjatë kohës që njeriu jeton, trupi është një
lloj fluksi që rrjedh, mbaron, përkundrazi shpirti e përtërin vazhdimisht atë
që konsumohet.(…) Pasi vdes shpirti, atëherë trupi shfaq gjithë brishtësinë e
vet, dhe shpërbëhet i gjithi. 7 Sa
e sa flukse rrjedhash trupore u ndërprenë
në ato vite të zymta:
Ishim tetë
dhe kthehemi shtatë/ duke e lënë të tetin në gjumin e gjatë/ me kokën
e mbështetur mbi një gur…/ shoh qiellin e murrmë tek mbushet me mllef/…/
duke u rrekë: gjakun e gurores ta shpëlajë/ U lava në atë shi, vallëzova në
drithma…(Kënga e fundit e Radës, po aty, fq.56)
Dhe shtrydhu
shtrungë e diellit/…/dhe shkrumbo ndër koritat e drunjta të Rugovës/…/ndër
buzët e plasaritura të Kosovës/ harbo qetave… /ndër Bjeshkët e
Nemuna./…/shtrydhmuni ndër duar/ ju gjinj të dhamë të lirisë. (Kënga e Aliut, po aty, fq.66)
Dhimbja e lirisë merr përmasa ndërkombëtare dhe poeti, rebelohet për
ndarjen e dikurshme të trojeve:
Mizeritë e
bërësve të botës/ u bënë zotër në krye të sofrës/ duke endë pëlhurën e
historisë së hidhur/…/ në emër të lirisë… / Breshër bie mbi trëndafila.
(Në emër të lirisë, po aty, fq.69-70)
Vëllimi
Masakra e Tivarit, merr përmasa tejet globale, poeti aludon për dhimbjen në
polidimensionalitetin e saj. Ironia bëhet therëse:
Kam përtypë dhe ripërtypë dhimbjet 8
(fq.7)
Hallakatem i
harlisur në vallen e hienave të hirta/…/ në pusin e terrinës/…/ dhe
betohem sipër vorrave të braktisura/ skeletesh me duar të lidhura/prangash…
(Masakra e Tivarit, fq.9)
Në pritje të
diellit/ I hedh vështrimin qiellit të mesnatës/ që s’di të të mbarojë së sterri.
(po
aty, fq.10)
Luaj vallen e
një orrli/ tek vizaton rrathë në një pëllëmbë qiell
(po aty, fq.13)
Dy breshërinj
trandën luginën/ rrapllima i dha grykës kumtin e një gjëme…Kujt ja qëndisën
sonte rrasën e kraharorit?/…n’emën të lirisë?...
(po aty, fq.14)
Imazhet
e mëposhtme nuk janë iluzionare, ato kanë brenda vërtetësinë e tmerreve të të
gjitha tiranive, në çdo epokë, për çdo komb. Ku është drejtësia? Ç’rol luan
shteti?
Po t’i referohemi Platonit: drejtësia bën që shpirti substancor të ketë realitet, prandaj ai shpreh
natyrën e këtij realiteti. Drejtësia në intimitetin e saj, ndërkall konceptin
se njeriu i drejtë ekziston vetëm si pjesëtar i shtetit.9 Kështu duhej të ishte, dhe jo si
vijon:
Fytyra të
qëndisura me bluna dhune/ eshtën të shtypur morsetash, të krisur apo të
thyer/ thonj të shqitur me pinca/ apo të shpuar me biza/ kortar gjymtuar
cakorresh/ kafka të çara dysh/ apo sy të nxjerrë nga foletë… (po
aty,fq.19)
Vijojmë:
Puse me të
mbytur/ dikush atje poshtë ndjehet ende gjallë/ me thonj të mbërthyer në gur…
(po aty, fq.20)
Liria jote
kopërcatet e dhunuar/ në shtretër të huaj/dhe thahesh etje ndër duna
shkretëtirash shpirt përvëluar (po
aty, fq.21)
Tmerri
i skëterrës vazhdon: Shteti përskuq kraharorët e shtetasve të vet:
I ndiej si
galenë valëthithëse/ shakullimat e ortiqeve/ dhe tytave që farkëtohen larg/ tek
kanibalët e kuq/ për t’u shkreh këtu, mbi rrasën e gjoksit tim… (po
aty, fq.29)
Shteti ynë do
të jetë i mençur dhe i këshilluar mirë, (…) për dijen e prijësve dhe të
qeveritarëve, e cila ka si pikësynim gjithçkanë, njeh universalin, kujdeset në
mënyrë më të mirë për shtetin, qoftë për brenda, qoftë në marrëdhënie me shtete
të tjera. Kjo urti, ka realitetin e saj në klasën e këshilltarëve,
(qeveritarëve.) (Republika, IV, 428B-429A)10
Poeti, sfinksi që i bën ballë
egërsisë, si bjeshkë e gdhendur, i falet
përjetësisë:
Dhe bie!
Shembem mbi hijen e tij/ për t’i thënë me gjuhën e rrapëllimës/ përkohësinë e
tij/ dhe përjetësinë time. (po aty,
fq.41)
Dhimbja
nga individuale bëhet universale nëpërmjet këtij aliteracioni befasues: Terr e trysni iu turrën trollit tragjik të
trimave…
(po aty, fq.42)
Liria për
poetin është edhe më e shenjtë se librat e shenjtë:
Dy fjalë për
ungjillin, tri për kuranin/ Dhe katër për lirinë…
(po aty, fq.46)
Ulje-ngritjet e amplitudave të dhimbjes bëhen më të forta:
Tani të janë
tretë buzët, dhe me ata dhëmbë/ të fildishtë i fal nëntokës/ së “mallkuar”/ të
qeshurën e përjetësisë. (po aty,
fq.50)
Liri, ti
shkëlqim i shenjtë/ I flijimit aq të shtrenjtë/ ti fjala pa kursim, mundësitë e
mia…
(po aty, fq.70)
Dëshpërimi poetik ngërthen në vetvete tragjizmin e reales tokësore, atij
realiteti makabër që shkurtoi e la përgjysmë mijëra ëndrra: poeti konstaton,
por nuk bie pre e pesimizmit, pavarësisht përmasave bardhë e zi të dhimbjes:
Plagët tona
përsëriten/ pa gjetë kurrë shërim,/ sepse dhimbja është shkaku/ pinin dhe pinë
ujë në të njëjtin burim. (po aty, fq.71)
I njoh nga afër ata që kafshuan/ frutet e lirisë sime 11
(fq.10)
Nëpërmjet
lirisë shpirtërore poeti e shndërron errësirën në qumësht drite:
Jam vetë
liria e vehtes, dimensionesh pambarim
(Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, fq.14)
Liria ime e brendshme është
përjetësisht e paprekshme/ asnjë drapër i huaj s’mund të korrë… (po aty,
fq.15)
Mbi lirinë e
tjetrit mos u shtrini!
(po aty, fq.15)
Hegeli tek Leksione mbi Platonin,
shprehet:
E drejta
është ekzistenca e lirisë… E drejta është Qenia-brenda-vetes-dhe –pranë-vetes
shpirtërore, e cila dëshiron të ketë ekzistencë aktive. E drejta është liria që
i jep vetes ekzistencën. (…) Shpirti nga është nga njëra anë njohës, nga ana
tjetër i vullnetshëm, domethënë do t’i japë realitet vetes. Dhe realiteti…
është shteti. Në fakt mënyra, në të cilën vullneti i lirë racional përcaktohet
përbën ligjet e lirisë… Ligjet nuk janë thjesht etho-s, por duhet të jenë edhe
pushteti kundër arbitraritetit…12
Ku janë
individët kozmohistorikë? Ku është shpirti universal superior? Ç farë thelbi ka
epoka në të cilën jetojnë? Kush lejon që të torturohen e vriten poetët? Po, a
mund të vritet fjala?
Nëse trupi është i mishtë, e vdes, fjala
është e fildishtë dhe mbijeton. Ja, detajet nga piramida e dhimbjeve:
Në kacafytje
me terrinën rend/ për plazmën e lëngëzuar të lirisë/ si frut i pavjelë,
në ikje,
( po aty, fq.38)
Ti atje tej,
që çirresh/ duke trembë vetveten/ me gishtin tregues drejt shtëpisë sime…/ po
më uron varrin,/ ndërsa shtëpisë zjarrin/…/ dhe turmave të verbra u
thërret…
(Një e qeshur harbon nëpër errësirë, fq.24)
Askush s’i
njeh mirë bjeshkët e mia,/ as ai që i yshti ndër gjakra,/ as ai që na rralloi
me masakra/ as dëbimi/ as pushkatimi/ as varfëria; / ato mund t’i njohë vetëm
liria. (fq.25)
Në një
sqetull shkëmbi/ në fytin e një shpelle/ në një mesnatë dimri/ me një brez
dëborë,/ pa bukë dhe pa zjarr:/ kishin ngri/…/ një dorë kripë/…/ unori, eshka/
dhe guri i strallit,/ e një ëndërr e shuar/ në lule të ballit…
( fq.31)
Një herë në
dy ditë,/ një ditë terr, të dytën ferr/ Oh, sa e gëzuar ishte ajo ditën e dytë… ( po
aty, Vizitorja e torturishtes, fq.34)
Përplasej nën rrymë/ nga muri në mur,/ nga
tortura në torturë,/ na kthehej e murrme/ e plot njolla me gjak,/ se nuk
rrëfente: ku i strehohej/ bashkëshorti kaçak…/ nën këngët e hidhura e të njelme
të djepit…
(po aty, fq.34)
Në udhëkryqet
e erërave të dhunës,/ …/ hedh vallen e hidhur,/ buzë e duar lidhur,/ liria
ime!
( fq.42)
Eja, m’u bëj
gjumë/ në netët e gjata të qelisë,/ (kësaj nate kaq të gjatë)…/…/ eja më
thith lagështirën e mykut të gjelbër, të dritares me hekur…/njelmore e
bardhë/ me këmishë të kaltër/ ndë më gjen të lodhur, eja m’u bëj gjumë!/ Eja
m’u thur thellë qerpikëve në një ëndërr…/…/ kullo e mbledhur në bulëza mbi
ballë…
( po aty, fq.44)
Shumë rendin,
dhe kanë rendë kurdoherë/ të ma mbyllin derën e fjalës/ me lecka
shpifjesh…/para meje heshtin mijëra të pagojë e të pashpresë…/ dhe shoh prapa
mijëra të tjerë,/ gojëkyçur/ që zvarriten …
( fq.45-46)
Kokrrizë e
dashur!/ Mos je hiri i dritës së djegur?/ Mos je e qeshur e Hënës së nemitur,/
që më sheh, si një e ve, e burrit të pushkatuar/ pa gjyq/ dhe pa varr?
(fq.46)
Si askush/
nën breshër e mbi prush./…/ ndër efaga merimangash,/…/në rrfana prangash,/ …dhe
mbijetoj! (fq.48)
Mos lakmoni
të dëgjoni këngët e vrerit/ dhe mllefit./ Ai u këndon duarve/ dhe
prangave të tejpashme… (fq.51)
…por tanku i
llahtarisur i dhunës,/ la rrugën dhe u
rras në kopshtin tonë/ të trandafijve./ Na i thërrmoi gishtat e thurur:/ bisqet
e bilurtë të dritës./ Rrotat e dhunës
ekzekutuan treqind mijë dashuri,/
duke bluar gjithë vegjetacionin/ e shumë pranverave,/ për të sajuar…/ një
shkretëtirë njerëzore,/ duke sajuar hordhi duartrokitësish,/ dhe gjakpirësish/
dhe kokallash për skeletin e madh të piramidës./
O! Ç’është ky tumor…/ mbi një treve të hijshme
si shtatorja e Afërditës?/ Një lëngatë kobndjellëse, mbi një djep kaq të
lashtë…Gjunjëzon e tjetërson fisin e lisave që mundi katër erërat/ duke u
vetskllavëruar/ vetkafshuar/ e shformuar.( po
aty, fq.54)
Të vijnë
ndër mend zullutë e Konicës në vargun më poshtë, porse në invers:
Turmat:
qarje kanë këngën dhe iso rënkimin (Loz e ra me
gjethet e vjeshtës sime, fq.43)
Vijon tmerri:
Nga larg dallohet nata tragjike e lirisë/
së shpërdoruar/ jashtë shtigjeve dhe ligjeve (po aty, fq.48)
300 netë i gjallë në një varrezë betoni/ pa gjuhë në
gojë/ nga sy i saj me qerpik të ndryshkur/ një krunde drite më vinte/ më vinte
në lojë…
(Kalëroj rreth botës mbi
re, fq. 17)
Mos më fyeni
me mirëmëngjesin,/ kur s’ka asnjë shenjë se do agojë.
(po aty, fq.18)
Sërish
poeti gjen forcë e shpëtim tek liria:
Në fytyrën që
shoh ballas pikëllimi ka ngulë ganxhat/… e dhe mua m’u qep dikur..../ Liria ime
e brendshme e përzuri (po aty, fq.46)
Mjaftojnë vetëm këto dy vargje për të kuptuar realitetin funebër të
atyre dekadave:
Ne të
dy-ishim protesta të gjalla,
gojëshqyera/ si dy shpella që rrëfenim lemerinë/ që mbështolli si me magji një
turmë të tërë. (A do mund të takohemi nesër?, fq.16)
Atmosfera që
përcjellin vargjet në vijim sa vjen e bëhet edhe më e llahtarshme:
Jemi
shkrumbuar etje, kur fjala e parë hynte në qeli/ e dyta shkonte në plumb,/ dhe
e treta në litar. (po aty,
fq.20)
Poeti
përgjithëson: Brezi im u mbyt/ me
fjalën e zënë në fyt/ ndaj, priteshin trazira (po aty,
fq.20)
Dhimbja arrin kulmin, por poeti sheh larg në
ardhmërinë e shpresave të bëra realitet: po
përpëlitet fëmija kërthi/ prej farkëtuesve të ferrit/ thonë se do t’i gjendet
një shteg shpëtimi në raportet e dritës me errësirën (po aty, fq.45)
…/dhe asaj
nate s’pati as hënë, as shihej, nëpër errësirëvranësire lëviznin hije të
kërkuara nga prokuroria./ Stinë prangash po vinin. Krimet merrnin jetët./ndaj
ofshajnë poetët!
(po
aty, fq.56)
Njerëz!
T’hollojeni errësirën tuaj/tjetri për ty nuk është kaq i huaj
(po aty, fq.58)
Poeti,
survejimin e fjalës së lirë, e sheh si dramë kolektive dhe jo thjesht si
individuale: Ai kërkon drejtësi.Të ekzistojë i lirë, të zotërojë dhe shijojë
përditshmërinë. Hegel shprehet:
Veçantia e
një individi duhet të kultivohet dhe të mprehet, duhet të arrijë në të drejtën
e vet, në ekzistencë; Drejtësia, sipas konceptit të saj të vërtëtë, do të thotë
për ne liri, në kuptimin subjektiv (…) E drejta e lirisë për të ekzistuar është
universale. Prandaj Platoni e ve drejtësinë në majë, si përcaktim të së Tërës
dhe e kupton lirinë në sensin e lirisë racionale ekzistuese nëpërmjet
organizmit shtetëror, një ekzistencë e nevojshme, një modalitet natyror13
Si është
e mundur, pra, që instikti këmbëngulës i racionalitetit i ka tërhequr të lashtët drejt së vërtetës dhe të
sotmit drejt tiranisë dhe arbitraritetit?
I gjithë ajri
është i mbarsur me yusht kthetrash/ era e ngarkuar me lajme të lemeritshme/…/
bien këmbanat e dramës kolektive (po aty, fq.59)
I ujis shkretëtirat e kafkës me verë/ duke e
ditur,/ se papritur/ një ditë do të mbushet me dhe/ Në prani të diellit gjalloj
zvarrë nëpër terr e hije/ pema ime me dyzet rrathë skllavërie14 (fq.12)
Kush
guzoi të luftojë të drejtën e mohuar të fjalës së lirë dhe ia doli pa u lagur?
Kufomat e
mëdha të librave u shndërruan në kufoma të mëdha shkrimtarësh plot plagë që
rridhnin ende gjak.15
Netëve të
thëllimta të dimrave/ kur shteti ju sul fjalës së thjeshtë ai ngjitej… aty ku
detrat putheshin/ dhe ua zbrazte dallgëve të krisura dufin./…/Dosja qe ntrash
me gjith’ ato të dhëna/ do kenë denoncuar edhe retë, deri edhe hëna (po aty, fq.24)
Eja të
rrëkëllejmë nga një gotë brenge/ mbi këtë tryezë me mbulesë të grisur (po
aty, fq.47)
Dhimbja
e Vetmisë
Vetmia
në vargun e Sadri Ahmetit nuk është thjesht melankoli e romantikëve, për
mungesën e dikujt aq të dashur për të, as vetëizolim i kohërave moderne. Ajo
është vetmi e dhimbjes e shkaktuar nga trysnia
shtypëse e regjimit e cila e tkurrte individin duke e nxjerë jashtë
hemisferave reale të ekzistencës.
Goli Otok!
Goli Otok!/…/ vampirët të morën me të mirë/…/
të thanë se kurrë më s’do të
përkundësh vetminë/…/për pëllumbat e egër e të pabindur…/ ku do të vuajnë
ndëshkimin/…/… të përkëdheli xhelati gjithë djallëzi/ dhe zunë të sillnin
pandalë bujtës të rinj…
( Dielli
për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok, fq.24-25)
Zëri i zbaticës ofron strehë për vetminë dhe
dëshpërimin e poetit:
Do ta kthej
me fytyrë nga hëna e plotë/ duke e ngushëlluar,/ mbasi ajo i ngjan aq shumë
nënës së tij të trishtuar/…/gruas së mjerë që po qëndis me arna larushe/
fundin e saj…
(po aty, fq.28-29)
Në gjirim tim
lëkundej i burgosuri/ kthyer me fytyrë nga hëna/… në netët me klithje kukuvajke… (po aty,
fq.29)
Zëri i
zbaticës ofron ngushëllim për vetminë dhe dhimbjen e poetit: Kudo që të jesh…/
mbështetu tek unë! (po aty,
fq.29)
Përjetësisht
në eklips/ unë dhe ti/, duke na brejtë vetmia/ e… duke përtypë
vetminë…/O! Kur do të shpëtojmë! (po aty, fq.34-35)
… në pritje
të një pranvere/ që s’u duk asnjëherë/…/ nëpër brinjët e tua si
përmes një gardhi të thatë, të rralluar/ përshkojnë rryma ethendjellëse/ ti
mërdhin dhe tkurresh në ngushtësinë tënde të vajtueshme (Ngado që të
kthehesh, po aty,fq.43)
Vetmia e poetit bëhet më e thekshme, kur e kanë braktisur (nga frika e
survejimeve), edhe njerëzit më të shtrenjtë. Ai ndjehet dyfish më i vetmuar:
Lemza na zë rrallë:/ nga të shtrenjtët, a na kujton, a na përmend kush
vallë? A ju shkon ndër mend, se jemi diku gjallë/ apo kemi vdekur?.../…
(Patëm thënë dikur, po aty,
fq.47)
Më thellë
më theri dhimbja jote/ sesa dhimbja ime…/më thellë në palcë më theri klithma jote/ se sa
dhembja ime./ Kërcitën çelësat, shuli dhe ty të morën…/ kërcitën çelësat. Ty të
morën./ Më fale një vetmi që kurrë s’e kisha jetuar (Kënga e qelisë, po
aty, fq.54)
Por shpesh, autori gjen forcë dhe e
mposht vetminë, qoftë edhe virtualisht:
Këputini zinxhirët duke u bashkuar në një zinxhir,/ mos u mbytni në
turbullirën tuajtë vetmisë,/ veneroni duke mbijetuar në një livadh të
krijuar…
(Ekstazë, po aty, fq.55)
Dhimbja bëhet therëse dhe poeti fajëson
ekzistencën. A thua do ishte më mirë të mos kishte lindur? Kush i ka fajet?
Hëna apo nëna?
U kam thënë
xhelatëve: Fajet i ka hëna,/ fajet i ka hëna me katërmbëdhjetë fytyra/ Jo!
Thonë zhelatët,-fajet i ka nëna./ Kam lindë në një natë me hënë… (Kënga
e Peros, po aty, fq.59)
Dhimbja arrin kulmin. Poeti, si një ishull i vetmuar, i shkretë, lut
vdekjen që ta marrë, por vdekja nuk duket askund. Kush e paska vjedhur?
Jam ishull i gjallë në një ishull të shurdhë/ po rreshkem buzës për një
pikëz ujë (antitezë e fuqishme
alla-noliane!) Kush ma ka vjedhë
vdekjen/ le të marrë mundimin të ma kthejë sërish/ Vdekje e ëmbël! Oh!, sa të kam kërkuar me qiri dhe me pishë. (të
vjen ndërmend poezia: Një natë pa gjumë e
Migjenit, poetit të dëshpërimit, me simbolikën e fuqishme të qiririt dhe të
pishës:) Vdekje, që kush do të
përbuzë/ me buzët shpuzë/ pse s’po më përfill?
(Kënga e Bozhidarit, po aty, fq.60)
Nuk vonojnë pasojat, jo vetëm shpirtërore, por edhe fizike,
skajshmërisht, në netët pa gjumë, në netët e mbushura me vetmi, ku i dënuari
numëron brinjet, e shtyn orët e jetës së vet të trishtë:
Numëroj në
pagjumësi brinjët e mia/ si thuprat e një gardhi të thatë:/ herë më dalin
tetë, herë më dalin shtatë (Kënga e
pagjumësisë, po aty, fq.64)
Harboi i lirë
ndër këto buqetëza krizantemash,/…/të kripës së kristaltë, përthurur në
varg/…/Merre këtë buqetë thinjash deti të trazuar/…/janë eshtrat e gjymtyrëve
të detit,/ të hallkave të halleve./ Prushi i dhimbjeve…(Një e qeshur
harbon nëpër errësirë, fq.8)
Edhe ju
që e doni detin, kudo që ndodheni/
shiheni këtë det kristalesh /që fle mbi vijat e fatit tim./…./ në mos paça
vdekur qëkur dhe gjendem si hije mes turmave hije…
(po aty, fq.10)
Ka kripë
kushdo që përbuz vetminë….
(fq.13)
Askush si
unë…/ kur braktisa djepin…/e, dridhesha si gjethe/ në të pambarimtat
ethe…
(fq.33)
Kur shtati im dergjej/ thirra, duke u shpurdhë/ po, askush s’më gjegjej/
veç shkëmbit…
(fq.39)
Ulqinak!/ Kur
të kthehesh para muzgut, nga oxhaqet e kripores,/ jam ulë e po të pres ndanë
rrugës/ ta dredhim./ Me letra gazetash që vjellin gënjeshtra/ eja këtu
pranë meje,/ çlodhu pak/…/mos i hiq këmbët zhak! (po aty,
fq.51)
Poeti
e gjen ngushëllimin nga vetmia edhe tek thërrmijëzat kristalore të kripës:
Ti m’i vure
ato bisqe të brishtë/ mbi gishta të lënduar/ duke m’i shëruar./ Më mbërtheve me
duart e dashurisë,/ si me dy pjergulla dhembshurie,/ më fale nga jeta, kur ajo
ishte duke m’u shuar… ( po
aty, fq.54)
Më shfaqesh
e thërrmuar/ ndër thyerje dritash/…/ në çdo kometë,/ që shqitet nga degëzat
e bie/ krifëzjarrtë. (po aty,
fq.55)
Të putha
nëpër ëndrra/ në mëngjes më gjumtuan./ Dhe ndërkaq/ e shtrenjta përpirje/ ndër
ëndrra/ mos m’u shfaq!/ mos u fshih nën ombrellë,/…/kacavirru…
( po aty, fq.55)
Po të pres, kudo
e kurdoherë/ me duar të shtrira,/ të ndërthuremi ndër simbroza…
( po aty, fq.55)
Eja më mbush
me ty./ dhe mbushu me mua!/ Ti je graviteti im tek me thith më shumë/ se magma
e dheut,/ tek ndiej se marr peshë tek të përmend/…
( po aty, fq.56)
Çdo përpjekje
buzësh, emrin tënd piptin,/ duke dëbuar atë mug që sjell mungesa jote,/ ndaj
ngre batica… ( po
aty, fq.57)
Para se të
ikësh gjëkund/më gdhend një mozaik/ me një kafshim/ në palën e muskujve, midis
qafës dhe krahut! (po aty, fq.57)
Mungesa sjell mallin, malli zgjon dashurinë dhe dashuria ofron
perëndeshën e saj për ngushëllim:
Afërditë!/ O
vashë e tejbukur, si një gënjeshtër gjahtari/ Ç’më thua me atë gjuhë formash/
tek më sheh nga tejlargësitë? (Masakra e Tivarit, fq.62)
Poeti
arratiset nga vetmia, tek hëna:
Edhe ti hënë,
frymëzuese e poezisë së trishtimit,/ drejt letrave i ke zgjat gishtat e
brishtë,/ me muskuj të fildishtë/ të përmallimit./…/ Ti ke strehë të gjerë/ kur
unë nuk gëzoj një pëllëmbe shtëpi/ ke pushtuar një qiell të tërë/… të
lëngëzuar/ Ti fle e qetë…/ midis kaosit dhe mistereve/ midis rrymave që s’dihet
si lindin dhe si sosin/ ku kanë lënë kockat, ndër kohëra/ mijëra anije:/
të grisura/ të thyera/ apo të kullufitura nga shqota/…/ nëpër harrime/ të
zhdukur, tok me dhimbjet,/ klidhjet, / e kujtimet…
(po aty, fq.61)
I
vrarë është poeti nga vetmia, dhe i vetmi ngushëllim janë shkrimi i poezive të
trishta:
As egërsirat
nuk i tret uria, sa vetmia!!!
(Ai ja pat
falë një pjesë të jetës së vet vetmisë,/kur u gjet I përbuzur) (po
aty, fq.25)
Vetmia e
shtyn poetin të struket pranë një gëmushe tek sodit kurmin e vashës si kërcyell
të brishtë:
Atë natë
kishe dhimbje koke dhe ju luta fallxhshës të të kurojë:/ lahu me skopështit në
mësnatë nën rrezet e hënës / së plotë!/…/ të tria herët qeshë i fshehur në prani/ dhe je larë edhe në
currilat e syve të mi.
(po aty, fq.29)
Prapë poeti
gjen shpëtim:
Më në fund shpëtova
nga një vdekje e ngadalshme/… u rimbështolla me zhelet e fatit tim të
ripërtërirë (po aty,
fq.30)
Lart shoh
diellin që digjet për dikë në një vetmi të përjetshme/ duke i falur hapësirës
gjithë mallin 16
(fq.50)
Dyzet mijë
fjalët e fjalorit jetojnë vetminë,/…/sepse vetmia është tejet e shurdhër/ pa
gjak dhe gjymtyrë…(Kalëroj rreth botës mbi re, fq.58)
Shpirti, sipas poetit është vrunduj trysnish dhe reagimesh, e për
rrjedhojë bjerret, sidomos kur është nën efektin e vetmisë. Përfytyroni një
qytetërim pa njerëz… Qëkur njeriu u
shndërrua në gërmadhë/ shteroi gurrën qytetërimi17 (fq.5)
O kokrrizë
dheu!/A mos je mishi, apo shpirti i një dielli të dikurshëm, i një hapësire pa
emër/ që vdiq nga vetmia në emigrim? /…/Askush nuk shpoi aq thellë, sa t’i
hynte dheut në qendër/ thonë se e ka zemrën kaq të zjarrtë/ kush e di se me kë
është akoma i dashuruar?
(A do mund të takohemi nesër?, fq.8)
Përse toka u
dëbua/ e dënuar të vallëzojë në një vetmi të pambarimtë/ e shtrydhur
dhembjesh, u gjet e mbyllur në lotët e veta/ u mpiks në akull?
(po
aty, fq.21)
O ti, i vetmuar, si ishull mes lumit
njerëzor/…/e shoh që je ndalë në harkun e parë të një ure, për diku:/ nuk e
di,/ me fytyrë apo me kurriz nga e nesërmja? (po
aty, fq.34)
Poeti
gjen ngushëllim tek poeti, shokë të fatkeqësisë:
Hanin a
s’hanim një pjatë në ditë/ ndaj ishim aq të pasur me uri/…/Bilali sytë mbi
Tumenisht, Sadriu mbi Albulenë/…/ndanë Urës së Zezë/ në jetën blozë/ dy miq
poetë, në një simbiozë.
(po aty, fq.46)
Sërish
në vetminë e natës së gjatë, i brengosur, i përlotur:
…/ dhe gjithë
natën duke lidhë plagë drurësh/ u ngashëreva në shiun e reve të mia
(po aty, fq.48)
Shfaqet Ajo:
Ajo më mbyste me shiun e pyetjeve:/ në këto humbella/ a jemi rilindje/
pjella/ apo vjella?
(po aty, fq.50)
Poeti aludon mbi të përkohshmen njerëzore: Aq
gërryese është vetmia, saqë ai nuk ka frikë nga vdekja, por frigohet vetëm prej
saj.
Jemi aq pak
të përkohshëm, / si spore myqesh/ në një hapësirë të dyshimtë/ të dalë nga vezë
qyqesh (po aty,
fq.52)
Po rend të mbrohem nga shpellat e
frikshme të vetmisë! (fq.55)
Frojdi konstaton:
Fjalia kumbuese: -Çdo frikë në fakt është frikë vdekjeje, thuajse nuk ka
kuptim, për çdo rast nuk mund të justifikohet…sepse vdekja është një nocion abstrakt me përmbajtje
negative 18
Gjuha
Piktor
apo poet? Të qenurit njëherësh, piktor edhe poet i jep dorë të lirë autorit t’i
kapërcejë kufijtë e imagjinares me destinacionin drejt një absurdi shpirtëror të paskajshëm.
Poet-piktor, apo piktor-poet? Te Sadri Ahmeti piktura gjendet në poezi dhe
poezia në pikturë. Imagjinata e shfrenuar poetike shpërthen kapërcyejt e të
prekshmes, reales dhe niset kah qiellorja. Krijohen kështu metafora që të lenë
pa mend, simbolika bëhet e fuqishme, fantazia shfrenohet. Poeti struket në
gjirin e reve, vështrimet e njerëzve i duken yjësi, gjuhët e liga e bluajnë
nëpër dhëmbët e tyre…dhe askush nuk ja vjedh dot lirinë shpirtërore, as dhuna,
as qelia, as shteti, as njeriu. Siç e pamë edhe nga shembujt e mësipërm, rrallë
ndodh në poezinë shqipe të deritanishme, të kemi një figuracion kaq të bollshëm
dhe tejet organik, pa sforco. Ai rrjedh natyrshëm, si limfë në dejet e vargjeve
të poetit. Gjuha e tij ka jo vetëm sharm, fuqi magjike të veçantë, por edhe nji
bukuri, muzikalitet dhe ekspresivitet të rrallë. Varg elastik, me tonus, e
simbolikë të fortë, shpesh eliptizmi dhe bërthamat konotative marrin nuancat e
universales mbi dukuritë më ekzistenciale të qenies që vërtitet nëpër skutat
dhe qoshet e verbra ku angullin errësira si e marrë. Imazhe të gjalla të
plazmës embrionale, lëvizin nëpër galeritë e nëndheshme të shpirtit poetik, në
fundoqeanet shpirtërore, aty, ku ruhen të fshehtat më të thella, të mbështjella
me luspa, aty ku fle misteri dhe bën rojë dhimbja.
Gjuha e
tij karakterizohet nga ngjyrime specifike substanciale. Drita ështe për poetin
një bërthamë e fortë strukturore poetike, vetëekspozim i shpirtit të munduar në
tempullin e përjetësisë. Po të shkëputej nga trungu i veprës së tij kjo dukuri,
magjia e vargjeve do të zhbëhej, si një pjatë absurdi me xhama të thyer. Ruhuni nga njeriu- errësirë!- klith
poeti, si për t’ju kundërvënë syve të terrinës që gëlltisin yjet e pranvërës së
autorit. (Vallja e katrahurave, fq.57)
Poeti
luan me tingëllimat, krijon neologjizma në lojën figurative me aliteracionet
dhe kjo duket veçanërisht në strukturimin e brendshëm poetik të vëllimit Masakra e Tivarit. Vargu është
projeksion i një psikoze sociale ku emocionet, ndjeshmëria e tepërt, variojnë që nga tematika e deri tek imazhi,
duke çuar në një unifikim estetik idesh dhe mesazhesh shpirtërore. Ai reflekton
së pari, në dramën e individit, jetën apo vdekjen në mungesë të lirisë, duke
vizatuar rrathë në qiellin e dritarezës së qelisë, për t’i dhënë më pas trajtën
e lumturisë dhe shpresës.
Tejet i
guximshëm, rebel në art dhe në jetë, Sadri Ahmeti krijoi vargun e tij, shkretëtirën e vet poetike,
strofullën, folezën, brenda së cilës ndjehej i qetë, si brenda një realiteti të dytë, ndryshe.
Të shkruash,
si konia që hap koliben e vet, si miu që rrëmon llagëmin e vet… Dhe për t’ia
arritur kësaj, duhet të gjesh pikën tënde të moszhvillimit, të folmen tënde të
veçantë, botën tënde të tretë, shkretëtirën tënde.19
Vargje
të thyera, ritëm i brendshëm i harmonizuar me një muzikalitet original dhe
larushëri ngjyrash të cilat ja zgjon edhe fantazia e tij prej mjeshtri të
akuarelit në galaktikën e penelit të tij e cila gërshetohet me strukturën
moderne të vargut të lirë në ide, mendim dhe formë. Në një botë e cila sa vjen
dhe po njëjtësohet, në një letërsi globale, vargu i poetit, pavarësisht
dhimbjes së skajshme e cila tjerr terrin me gishtat e mugëtirës, do të mbetet
gjithnjë ekzotik dhe befasues për lexuesin e gjerë. Atë natë m’u sulën të më puthin njëherësh tri dhembje: (A do mund të
takohemi nesër? fq.39)
Ende
nuk ka recensione të mirëfillta shkencore që horizontitit të pritjes t’i ofrojnë tiparet specifike të opusit letrar të Sadri Ahmetit. Vargu polisemantik i
tij ofron shumë për studiuesit, qofshin këta me përvojë ose të rinj. Shkrimet e
rralla që dalin herë mbas here në periodik nuk e plotësojnë rolin themeltar të
kritikës së mirëfilltë letrare mbi veprën e autorit. Në dukje si libërtha
xhepi, e gjithë vepra e Sadri Ahmetit, paraqet një lëndë tejet të ngjeshur e
fibroze, koncentrat mendimi filozofik mbi ekzistencën e individëve dhe kombeve
në universalizimin e dhimbjes, e cila të fton në zbërthimin e pjesës së
nëndheshme, sipas një leximi në rrafshe vertikale të mesazheve që përcjell në
suspancën e dramës së vet.
Dhimbje
kjo, e cila ja shkurtoi jetën, në një moshë që nuk e pranon ashti i gjakut të
fisit të tij. Gjithë filozofia e asaj jete të munduar në vargonjtë e diktaturës
së egër, zbërthehet në vargun: Unë nuk
rend të jetoj gjatë, por të shtrihem gjerë! (Vallja
e katrahurave, fq.42)
Në
format dhe imazhet meditative,
ngërthehen monologje poetike të gjalla si një prurje origjinale me nivel të
lartë artistik e estetik në poetikën shqiptare. Shpesh ironia kalon në një
sarkazëm therëse dhe i jep forcë poetit për të shpresuar, një të ardhmeje drite
lidhur me identitetin, historinë, dashurisë për atdheun, lirinë, paqen dhe
humanizmin mbarë.
Miqtë e
dritës janë të brishtë/ për të mos rënë në pranga terri./ - Eja të
ngremë një gotë me musht drite/ oh! kush na e paska holluar?!...(Loz era me
gjethet e vjeshtës sime, fq.60)
Drita
është filigrani me të cilin autori qëndis idetë dhe vesh emocionalisht vuajtjet
shpirtërore me lëndë mishtore. Dashuria,
më jep me pi dritë/…/ dhe soje ndjehem përjetësisht i dehur…(Masakra e Tivarit, fq.53) Njësoj si në
parabolën biblike: Gjersa keni dritë, besoni në dritë/ që të bëheni bij të
dritës. (Gjoni,
12:36)
Unë kam
ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në
errësirë.
(Gjoni, 12:46)
Tashmë që kanë mbetur pas më
se tre vjet nga vdekja e autorit, e ritakojnë për t’u çmallur me shpirtin e tij
që baret përmes vargjeve, familjarët, të njohurit, miqtë, poetët,
bashkëvuajtësit e dhimbjeve. Në raft të
librave kërkomë,- si një lloj ringjalljeje alla-agolliane.
Poezia e
Sadri Ahmetit ka tjerrë trupin e atdheut, fytyrën e dritës dhe shpirtin e
dhimbjes. Në dukje, i
rëndë në dëshpërimin e vet gjithëkohor, por tejet fisnik dhe original, vargu
mjeshtëror i Sadri Ahmetit, përbën një
kortezh dramash e fatesh, njerëzish e kohësh, një funeral madhështor
virtual dhimbjeje, ashtu siç i ka hije vetëm penës së poetëve, që nëpërmjet
krijimeve dhe artit të tyre e bëjnë jetën më të bukur. Në rastin konkret e degdisin dhimbjen në harresë. Siç thotë
Virgjili:
Inventas vitam juvat excoluisse per
artes! (VI, 663 )20
(Krijimet përmirësojnë jetën që është e zbukuruar përmes artit!)
Dr. Yllka FILIPI
Tetor 2013, New York
Referenca shkencore:
________________________________________________________________________________
1 G. Ernest
Wright, "Bringing Old Testament Times to Life", N.G, Vol.112, Dhjetor
1957, fq. 833
2 Sadri Ahmeti, Një
e qeshur harbon në errësirë, Gjergj Fishta, Tiranë, 1993 (Gjithë vargjet
në vijim janë shkëputur aty.)
3 Gilles
Deleuze, Feliks Guattari, Zenit, 2008, fq.256-257
4Andre
Bercoff, Manuel d’instruction civique pour temps ingouvernables, Grasset, 1985,
fq.86
5 Sadri Ahmeti,Dielli për në Ballkan nuk kalon
nëpër Goli Otok, Iliria,1991, fq.3 (Gjithë citimet e tjera janë marrë aty.)
6 Platoni,
Apologjia e Sokratit, Iliria, Tiranë, 1997, fq.21
7 Platoni,
Apologjia e Sokratit, po aty, fq.106-107
8 Sadri Ahmeti,
Masakra e Tivarit, Marin Barleti, Tiranë, 1996 (Gjithë citimet e tjera janë
marrë po aty.)
9 Georg Vilhelm
Fridrih Hegel, Esenca dhe artikulimi i etikës në shtetin platonik, Platoni,
Dritan, Tiranë, 2004, fq. 188
10 Georg Vilhelm
Fridrih Hegel, Katër virtytet, Leksione mbi Platonin, Dritan, Tiranë, 2004,
fq.191
11 Sadri Ahmeti,
Vallja e katrahurave, Albin, Tiranë 2000 (Gjithë citimet e tjera janë marrë po
aty.)
12 Georg Vilhelm
Fridrih Hegel, Filozofia e shpirtit, Platoni, Dritan, Tiranë, 2004, fq.178
13 Georg Vilhelm
Fridrih Hegel, Katër virtytet, Leksione mbi Platonin, Dritan, Tiranë, 2004,
fq.195
14 Sadri Ahmeti,
Loz e ra me gjethet e vjeshtës sime, Koha, Tiranë 2000 Gjithë citimet e tjera janë marrë po aty.)
15
Visar Zhiti, Ferri i çarë, Omsca-i, Tiranë, fq.15
16 Sadri Ahmeti,
Kalëroj rreth botës mbi re, Koha, Tiranë 2001 (Gjithë citimet e tjera janë
marrë po aty.)
17 Sadri Ahmeti, A do mund të takohemi nesër, Koha, Tiranë 2000 (Gjithë
citimet e tjera janë marrë po aty.)
18 Zigmund
Frojd, Uni dhe esi, Fan Noli, Tiranë, 1991, fq.165
19
Deleuze-Guattori, Kafka, Editions de minuit, 1975, fq.33
20 Virgjili,
Eneida, kënga VI, vargu 663