Nga
historia e artit dihet se çdo krijim artistik niset nga entuziazmi që na ngjall
një autor krijues piktor, një temë e një subjekt, të cilët i zbulojmë në jetë.
Ashtu siç ndodh kur duam një njeri artist, të cilit jo vetëm që i shohim
portretin dhe krijimtarinë artistike, por edhe vetë pikturat e tij na duken
interesante, sepse nuk e shohim me sytë e ballit por me sytë e respektit dhe të
dashurisë, po ashtu edhe artisti i vërtetë produktiv e sheh realitetin në sytë
e dashurisë së tij për këtë realitet.
I tillë është edhe piktori tashmë i
njohur i peizazhit dhe portretit Ndini Bardhi. Atij kur i pëlqen çdo gjë reale,
e bukur, estetike për njerëzit artdashës, e
ka vështirë t’i gjejë të meta subjektit të tij. Për të si piktor, atë që
ekziston dhe njihet si reale dhe objektive, vështrimi artistik e shndërron
vetiu, duke e ngritur gjer ne ideal, gjer në vlerë shpirtërore. Tek ai kjo e
vërtetë që shpjegon çdo vlerë estetike, u përket më tepër se kujtdo artistëve
me dimensione dhe preferenca reale deri në ato klasike. Piktori Ndini Bardhi,
si piktor i peizazhit, i bukurisë së natyrës shqiptare dhe i portretit të
njeriut të zakonshëm, të njeriut krijues të vlerave shpirtërore, piktor,
skulptor, aktor e artist të shumtë popullor, në modelet e përzgjedhur nga jeta,
natyra, realiteti shqiptar, vendos temat e lumturisë dhe dramës, të mirës dhe
të keqes, lirikës dhe poetikës gjer në shkallën më emocionale dhe
impresionuese, estetike dhe shpirtërore të artit.
Arti i tij është art që flet me gjuhën e
thjeshtë, e realitetit jetësor dhe njerëzor nëpërmjet të të cilit siguron suksesin
edhe produktin vlerë artistike dhe shpirtërore.
Ndaj dhe nga eksperienca artistike e
deritanishme e tij e shfaqur ne njëzetë e një ekspozita pikture në Shqipëri e
në botë, Itali, Francë, Gjermani, Poloni, Rumani, Greqi, Maqedoni, Iran etj.,
në çdo vepër të realizuar arti ka ndjesi klasike të bukurisë si në peizazh dhe
në portretin e njeriut. Me këtë ndjenjë estetike piktori Ndini Bardhi e ka
admiruar artin klasik, po përmbi çdo ndjenjë artistike tek ai qëndron ndjenja e
dashurisë për njeriun dhe natyrën universale shqiptare.
Bardhi si krijues i kompletuar nuk e
kërkon madhështinë e modelimeve të tij te imagjinata, po te realiteti i
prekshëm dhe i dukshëm shqiptar, te natyra dhe historia e popullit shqiptar.
Kështu, arti realist i kohës dhe i jetës së tij si njeri dhe krijues, vjen i
gjallë te çdo njeri, me ato tipare thelbësore artistike, që përbëjnë në vetvete
ligjshmëri në të ndërtuarit e jetës e në interpretimin e saj në art,
ligjshmëri, që lidhen me vetë natyrën e Ndinit, me aspiratat e tij për t’i dhënë
vlera shpirtërore dhe artistike shoqërisë dhe kombit.
Bardhi është autor krijues i formuar, që
e kupton në vijimësi progresive formimin e një personaliteti artistik si
individ i veçantë për botën dhe njeriun, për veprën e artit si produkt në vlera
estetike dhe të mendimit filozofik për artin në vetvete.
Ai nëpërmjet veprës së krijuar
artistikisht përpiqet të motivoj veprën e tij duke u paraqitur para të tjerëve
në ekspozitë pikture me shqetësimet e krijimit në formë, stil, individualitet
dhe përmbajtje të veprës dhe artit që bën.
Duke e parë drejt e në sy veprën e piktorit
të peizazhit dhe të portretit, Ndini Bardhi do të na nxis mendimin tonë për një
analizë dhe studim më të detajuar profesional, ideor, konceptual dhe filozofik
të artit të tij, i cili gjen shtratin dhe brumin në realitetin e gjallë
shqiptar. Tek Bardhi, gjithnjë po t’i referohemi veprës së tij, peizazhit dhe
portretit, shqetësimi primar është kujdesi për formën në unitet të përhershëm
me përmbajtjen, tematikën dhe teknikën, si një problem që mbetet problem i
krijimtarisë së tij dhe në tërësi të përjetshme, që sjell lodhje dhe sfilitje
në profesionin e artit të pikturës, që ka zgjedhur.
Edhe natyra, shprehet piktori Ndini
Bardhi, nëna e të gjitha gjërave, kujdeset magjishëm për formën, sepse brenda
saj qëndron esenca e lëndës objekt dhe subjekt për artistin piktor. Natyra e
shpreh me entuziazëm bujarinë e saj në formën e një lule plot ngjyra, në
lirësinë e pafund të gjithësisë, e një ftese njerëzore, e kujdesit për formën
dhe ndërgjegjen e njeriut në këtë jetë e
mbi të gjitha për shpirtin e tij. Edhe artisti, kjo krijesë e natyrës
dhe promotorr i saj, merr guximin dhe krijon me shpirtin e tij krijues vepra
piktorike me imazhe, motive, mesazhe, frymëzime etj. për të shprehur
madhështinë e nënës natyrë, e këtij universi që në gjithëkohësi të jetës na
fton që ta duam si gjënë më të shtrenjtë të ekzistencës tonë njerëzore.
Piktori Ndini Bardhi edhe si vizatues i
thekur i portretit, i këtij zhanri sa të bukur e të vështirë, duke zbatuar me
përgjegjësi ligjet e krijimit artistik, arrin t’u jap veprave të tij një formë
profesionalisht artistike dhe estetike. Si artist i konsoliduar, në veprën e
tij shohim dhe përjetojmë realisht formën artistike dhe nga ky përkushtim
realizmi bëhet më emocional, më i bukur estetikisht dhe më i fuqishëm për
shpirtin e njeriut artdashës. Kërkesa e njeriut (njerëzve), thotë Bardhi, ndaj
bukurisë së natyrës dhe njeriut është se ai natyrën si peizazh, qoftë e
pikturuar edhe nga piktori, e do të bukur dhe poetike.
Për këtë duhet vullnet njerëzor dhe një
nga kërkesat themelore të artit realist figurativ është identiteti i gjuhës së
autorit dhe individualiteti i shprehjes artistike.
Artisti e ka për detyrë t’i prijë shijes
artistike të njerëzve, që do të thotë se ai në këtë mënyrë bëhet shprehës i
ndërgjegjes estetike të bashkëkohësve me forcën e përfytyrimit të tij, e cila
buron nga realiteti dhe e ngre atë realitet objektiv në realitet artistik, në
mënyrë individuale të papërsëritshme.
Dhe piktori Ndini Bardhi si piktor i peizazhit
dhe i portretit të njeriut e ndjen nevojën për një gjuhë të drejtpërdrejtë me
botën reale dhe dinamizmin e saj.
Është pikërisht kjo përvojë që e bën
veprën e tij të freskët, të vërtetë, me forcë emocionale, që gjeneron çdo
mundësi të re për një art vlerash shpirtërore ndaj artit të ftohtë akademik.
Bardhi ka hyrë në pikturën shqiptare si një autor i talentuar dhe serioz, me
ideale të qarta realiste. I frymëzuar nga dashuria e ngrohtë për natyrën
shqiptare dhe njeriun e thjeshtë dhe krijues vlerash artistike, si piktor u
rrit dhe u përgatit për artin që bënë, për bukurinë e papërsëritshme të
Shqipërisë, për poezinë lirike të natyrës. Ndini e merr subjektin real dhe
artistikisht e pikturon në një këndvështrim të ri emocional. Harmonia e
pikturës së tij është harmonia e natyrës dhe e shpirtit të tij. Emocionet tek
ai janë të sinqerta, reale dhe vetjake. Si gjuetar me përvojë krijuese zgjedh
shumë dhe, kur bindet për atë gjetje, merr pozicionin e poetit lirik.
Piktura e Ndinit është e veçantë me
koloritin e përmbajtur, me dritën dhe shkëlqimin karakteristik mesdhetar dhe
shqiptar. Gëzimi i toneve të tij është më i thellë dhe emocional. Peizazhet më
të mira të piktorit Ndini Bardhi burojnë dinamizëm, kompetencë profesionale dhe
ngrohtësi. Si krijues në gjithëkohësi të jetës si piktor është i shqetësuar për
çdo gjetje të natyrës, shqetësim që manifestohet me lëvizjet e penelatave të
tij të ashpra nga plani i parë deri në horizont të peizazhit, përtej ndriçimeve
gjysmë të dukshme, përtej qiellit të egërsuar e dramatik. Por këto janë të
natyrshme për krijuesin e vërtetë, sepse çdo gjë me shumë punë dhe këmbëngulje
nis dhe ecën e qetë, e ngrohtë, duke ardhur gjer te ne me afshin e dashurisë
dhe zemrës së tij. Tek Bardhi, e gjithë kjo është thënë në veprën e tij,
thjesht, pa ekzagjerime dhe reale. E thjeshtë tavaloca, i thjeshtë motivi i
vizatuar, e thjeshtë dhe e ngrohte harmonia e ngjyrave kafe, kuqërremta, të
verdha, por nuk është e thjeshtë mjeshtëria me të cilën pikturon ky autor i
talentuar.
Le të marrim nga piktura e Ndini Bardhit
qoftë edhe një tipar të vetëm të kësaj mjeshtrie, përpunimin e sipërfaqes
pikturore dhe strukturimin e shtresave ngjyrore.
Ne sot si krijues vlerash teknikisht
shqetësohemi edhe për atë përshtypje që do t’i bëj artdashësit tekstura,
vizatimi ngjyror apo koloristik i pikturës sonë, duke e vlerësuar këtë gjë si
pjesë me rëndësi të mjeshtërisë piktorike. Ky vlerësim është i drejtë dhe
rritja e rolit të fakturës është ndihmesë e kohëve të sotme. Kujdesi për
sipërfaqen e motivuar piktorike nga Ndini Bardhi nuk ka munguar gjatë gjithë
jetës krijuese të deritanishme. Dhe çdo element shprehës i gjetur artistikisht
prej tij, qoftë i çfarëdo natyre, është vlerësuar me shqetësimin se si ta
shpreh këtë në veprën e re të ardhshme. parapëlqimi ndaj fakturave të ashpra
dhe të buta nga piktori Ndini Bardhi ka hyrë në stilin dhe teknikën e tij, duke
e quajtur si një preferencë të tijën dhe të tjerëve në ditët tona. Për të, në
jetë, krahas forcës, qëndron delikatesa, krahas thjeshtësisë, finesa piktorike.
Piktura e tij na mundëson të zgjerojmë mjetet tona të shprehjes realiste dhe
impresionuese. Raportet sasiore të ngjyrave tek Bardhi kthehen në raporte
cilësore në harmoni të plotë estetike dhe artistike. Dëshira dhe pasioni i tij
si njeri dhe krijues vlerash shpirtërore, është që të bëj një pikturë të
kthjellët, të sinqertë dhe të kuptueshme për të tjerët, ku tejdukshmëria e
ngjyrave dhe përpikëria e vizatimit të shprehin dëlirësinë, ndërsa gjallëria
koloristike gëzimin dhe kënaqësinë emocionale. Bardhin po ta shikosh në
portretin e tij fizik, shpreh një shpirt plot dritë, nga i cili buron gëzimi i
praruar dhe dashuria për jetën, natyrën dhe njerëzit. Në veprën e tij shikon
ndërtimin e thjeshtë të objekteve, vlerave tonale dhe dritën e fuqishme të vendit
tonë, të cilat përbëjnë interesin primar dhe final të krijimtarisë artistike.
Ai vizaton me thjeshtësi ato që i interesojnë. Dhe si motiv i punës krijuese, i
interesojnë pikërisht ato gjëra që i shërbejnë pikturës së tij. Është nga ata
piktorë që pikturën ia beson vizatimit grafik, në mënyrë që ndjeshmëria tonale
e ngjyrave të jap emocione të gjalla dhe jetësore. Në metodën e punës krijuese
ka si lajtmotiv poezinë e natyrës shqiptare, merr kasetën, kavaletin dhe
ngjyrat, ngulet para saj duke i besuar plotësisht, e duke mos e nënvleftësuar
asnjë herë atë.
Për Ndini Bardhin e bukura është
konkrete, reale, ajo ndodhet para syve të tij dhe s’ka kurrfarë nevoje për
fantazinë, për ndryshime dhe për shpikje. Por kjo nuk do të thotë se Ndini nuk
zgjedh ose nuk di të zgjedh. Përkundrazi, ai zgjedh shumë dhe di se çfarë
zgjedh. Ndini kompozon shumë mirë, sepse shkon me vetëdije te peizazhi i
natyrës dhe njeriu i ditës në realitetin shqiptar, i zhveshur nga çdo
paramendim formal. Ai i nënshtrohet plotësisht, në mënyrë të ndërgjegjshme,
asaj që gjen aty, në gjirin e natyrës, pa u munduar asnjëherë ta shtrëngoj
natyrën të futet në etyde kompozicionale të vizatuara më parë. Këtu qëndron
edhe përshtypja emocionale e së papriturës që bëjnë shumë vepra në peizazhe të
tij, ndërsa e papritura më e rëndësishme e këtyre peizazheve është vërtetësia e
kompozimit, e vendosjes së planeve dhe objekteve.
Cilat janë disa nga tiparet e pikturës
së Ndini Bardhit? Mund të thuhet me përgjegjësi artistike se bukuria e
peizazhit të tij qëndron në qartësinë e vështrimit të artistit. Piktura e tij
mbetet brenda shijes së kohës së tij, në kuptimin më të saktë të fjalës, dhe
nuk gjejmë dot asnjë përpjekje serioze në veprën e tij që të dëshmojë si koleg
piktor, se Bardhi përpiqet të dal në ndonjë farë mënyre nga kufijtë e
krijimtarisë së tij artistike në stil, rrymë dhe teknikë piktorike.
Bardhi në zgjedhjen e temës, në
interpretimin e saj, në ndërtimin e subjektit të strukturës piktorike, të
konvertimit të natyrës në pikturë, ka punuar gjatë gjithë jetës së tij si njeri
dhe piktor i peizazhit dhe portretit të njeriut.
Po të shikojmë pikturën e Ndinit në
njëzet ekspozitat e hapura në Shqipëri e botë, mund të thuhet me gjuhën e
profesionalizmit artistik se ajo është e toneve të ndritura optimiste, një pikturë
e gëzuar dhe tërë dritë e shkëlqim. ajo është një pikturë e qetë, siç është ai
vetë: i shtruar, i matur në mendim, i sigurt në atë që thotë dhe vizionar në
ide e krijimtari artistike. Drita e peizazheve të tij është e qetë, e
përmbajtur, optimiste dhe jetëdhënëse.
Bardhi pikturon, dhe këtë e shikojmë në
pikturën e tij në stinën e vjeshtës, me kafe, të kuqe, të verdhë, me ngjyra të
ngrohta e të pjekura, karakteristike si të natyrës shqiptare në stinën e
vjeshtës. Për të gjatë gjithë krijimtarisë artistike si preferencë ka qenë dhe
është kultivimi në mënyrë të pavarur i ngjyrës, intensifikimi i ndërgjegjshëm i
saj për efekte të shprehjes artistike. Ndini është i kënaqur me organizimin natyror
që gjen, dhe përpiqet t’ia nënshtrojë një disipline të caktuar, që kap syri i
tij normal. Ai nuk mund ta kuptoj pikturën pa ngjyrat që gjen në natyrën e
gjallë dhe reale, pa jehonën e thellë emocionale që përmban në vetvete çdo
ngjyrë që natyra të josh si propozim vlerash krijuese për veprën e ardhshme.
Ku qëndron vlera e ngjyrave në peizazhet
e Ndini Bardhit?
Harmonia kromatike që kërkon dhe arrin
në pikturë Ndini është harmoni e kërkuar jo në paletë, por në natyrë. Ai e
fillon punën pasi ka zbuluar një lidhje të caktuar ndërmjet toneve të natyrës.
Tërësia e kuadrit që ndërton, përbëhet prej tonesh, të cilat e arrijnë
vërtetësinë kromatike secili më vete dhe jo nga raporti i këtij toni me
tërësinë.
Ndinin e ka tërhequr më tepër vjeshta
nga stinët e tjera, parapëlqim ky i njohur dhe karakteristik në pikturën e tij
të deritanishme. Dihet që vjeshta nënkupton “ngjyrat e pjekura”, okrat, të
kuqet terra, terrat vetë, të gjelbrat e tokës dhe ngjyrat e pastra.
Në pikturën e Ndini Bardhi, drita dhe
hija janë thelbësore. Ai modelon nëpërmjet dritës dhe hijes ashtu siç pikturon
nëpërmjet të ngrohtës dhe të ftohtës. E ndan dritën nga hija qartë, në mënyrë
opake, në zona masive.
Shkëlqimi i mjeshtërisë piktorike të
Ndini Bardhit, është drita, drita e arritur në mënyrë artistike, që me dashuri
ia rrëmben natyrës së bukur shqiptare me mprehtësinë e syrit të artistit të
vërtetë. Është kjo aftësi gjetjesh që e kthen pamjen natyrore në art nëpërmjet
një ndjeshmërie po kaq të jashtëzakonshme ndaj toneve, ndaj bukurisë së
papërsëritshme tonale që paraqet pamja reale e natyrës shqiptare e zgjedhur nga
ai. Për të ngrohtësia e ngjyrave dhe tonaliteti i tyre përbën esencën e një
ndjeshmërie ndaj të bukurës si piktor i kompletuar dhe dinjitoz shqiptar.
Jetullah
Haliti, ETI
Piktor, ZVICËR