e hënë, tetor 07, 2013

· ROMANI, KOHERENCA DHE THELBËSORJA





Romani, që në hershmëri ka zgjuar interesin e lexuesit për qartësinë edhe mrekullitë tregimtare të tij. Suksesin e gjuhës së romanit dhe të vetë shkrimtarit si krijues e përcakton koherenca dhe thelbësorja. Historia që mund të tregojë një roman në faqet e tij mund të jetë inkoherente, kurse gjuha që e formëson atë duhet të jetë koherente, në mënyrë që të krijojë një inkoherencë reale e bindëse. Në këtë drejtim ka shembuj që vërtetojnë realisht monologë e dialogë si të ishin një vërshim kujtimesh, ndjenjash, mendimesh e emocionesh. Forca e këtyre magjepsëse ruan një koherencë të madhe, vijueshmëri strukturore, që ndjek një model apo sistem origjinal rregullash e parimesh, të cilit nuk i shmanget për asnjë çast krijimit.
Monologu dhe dialogu në një roman është në vetvete një përshkrim i saktë artistik i ndërgjegjes në lëvizje të personazhit dhe vetë shkrimtarit.
Ai është një krijim letrar kaq bindës, sa lexuesit dhe kujtdo tjetër i duket se po ndjek dinamikën e jetës së një personazhi me ndërgjegjen e tij të mbushur me energji aktive për të bërë gjëra të mira për vete e për të tjerët.
Shkrimtari i vërtetë, për të shkruar atë që dëshiron në tregimet e romanit të tij, është gjithnjë e më shumë i detyruar të kërkojë forma shprehjeje gjithnjë e më larg formave klasike, të sfidojë gjuhën e rrjedhshme e t’i imponojë asaj ritmin, modelin, fjalën e shtrembërimin, që do t’i mundësonin prozës së krijuar të shprehë në një formë më bindëse karakteret a ndodhitë e shfaqura para tij. Për shkrimtarin ajo që përbën subjekt është vlerë e vërtetë, dhe për të ecuria e të shkruarit do të jetë e suksesshme. Në këtë rast të gjetur artistikisht bukur, proza e tij realisht është e qartë dhe e pranueshme, imiton bukur të folurit e jetës njerëzore ku aty gjithçka rreth tij i duket sikur të jetë vetë personazhi aktiv i veprës letrare, me një siguri të përsosur, karakteristika dhe fraza të gjuhës së folur nga njerëzit, natyrisht shkrimtari me mjeshtëri të rrallë përdor shprehje të gjuhës së folur shqiptare, duke krijuar fjalë e shprehje me zgjuarsi e finesë, që kërkohet prej një shkrimtari të vërtetë e të kompletuar artistikisht e letrarisht.
Gjithçka për të është në zhvillim drejt produktit vlerë. Besueshmëria e një gjetjeje tregimtare apo historike me forcën e saj bindëse nuk varet vetëm nga koherenca e stilit të të shkruarit, në të cilin tregohet, por edhe nga roli i mjeshtërisë së rrëfimit, i cili edhe ky përbën një funksion të rëndësishëm të krijimit në vijimësi të shkrimtarit. Pra, koherenca në këtë mënyrë merr trajtat e një besueshmërie dhe bëhet më e plotë. Stili i një shkrimtari në të shkruar bëhet i këndshëm në sajë të koherencës dhe arrin të jetë i efektshëm.
Në fushën e krijimtarisë letrare ka çudira dhe imagjinata fantastike që të fusin në mendime e tundime, për të cilat nuk mund të pajtohemi me to, por për mendimin e tij (të tyre) ose të atij shkrimtari, për fjalitë e tij të shkurtra, që ecin, të mbushura plot elipse e habi, si dhe shprehje të gjuhës së folur, të tundin qenien mendore e trupore e të mos dish se ç’po ndodh. E megjithatë, me një vlerësim objektiv duhet të pranojmë e të themi më të mirën e tyre, sepse, janë romane me një forcë të jashtëzakonshme bindëse. Fjalërrjedhja liberale dhe ekstravaganca e tyre na hipnotizojnë në një farë mënyre të habitshme, pavarësisht mendimeve apo sugjerimeve etike apo estetike që mund të kishim për to. E megjithatë me ndërgjegjen tonë krijuese i pranojmë ashtu siç kanë ardhur e siç janë në kohën dhe vendin e tyre. Ato janë në thelbin krijues dhe shtratin e koherencës. Bota letrare është e madhe dhe ka vend edhe për gjëra të çuditshme, të panjohura e fantastike. Prandaj është e bukur letërsia, sepse në hapësirën e saj krijuese ka gjithçka njerëzore, jetësore dhe universale. Le të vazhdojmë më tej në botën e letërsisë, sepse do të gjejmë edhe gjëra të tjera që ende nuk i dimë. Reagimi ynë do të shkojë edhe ndaj një shkrimtari romancier, bile edhe të ndonjë romancieri të madh, i cili, në antipod me të tjerët vjen ndryshe në krijimtari. Proza e tij në roman është e kundërta e shkrimeve të tij, që do të thotë, se ai shkruan ndryshe nga të tjerët, e për këtë në shumë lexues, adhurohet. Ndoshta, dikujt nuk mund t’i pëlqejë ngurtësia e tij, akademizmi e manierizmi i tij libresk, që për momentin të krijojnë idenë se mbështetet në kërkime nëpër fjalorë, apo si produkt i pasionit të shkrimtarëve të hershëm e ndoshta atyre barok të shekullit të shtatëmbëdhjetë.
E megjithatë, e njëjta prozë, kur një shkrimtar flet në romanin e tij një histori të paimagjinueshme për ne e për gjithë njerëzimin do të shtangemi e me një frymë do të shprehemi, një kryevepër e vërtetë. Vepra e vlerave, qoftë edhe roman, të imponon respekt e dashuri e ta lexosh e rilexosh disa herë, sepse t’i (na) largon të gjitha paragjykimet apo rezervat e antipatitë që ke (kemi). Forca e saj e pakundërshtueshme e të papërballueshme e të mahnit, duke të bërë të besosh me gjithë shpirt gjithçka që ai (ajo) rrëfen apo tregon në vepër, roman. Lind pyetja, si e arrin këtë stil të shkruari e të treguari në mënyrë mjeshtërore, artistike e letrare?
Natyrisht, me anë të një koherence të pandërprerë dhe shtjellimit të thelbit tregimtar si histori, vend dhe kohë. Stili i këtij shkrimtari të veçantë e tipik është në vetvete gjetje e rrallë, e panjohur deri më tani, e cila përbën në mënyrë të padiskutueshme vlerën e tij krijuese, që do të thotë se këtë gjë e ka bërë ai dhe vetëm ai e askush tjetër. Stili i tij shpirtërisht e artistikisht ngërthen një forcë të tillë bindëse, që e bën lexuesin të besojë se kjo është e vetmja mënyrë e rrëfimit mbresëlënës të kësaj historie, pikërisht me ato emocione, fjalë e fraza zemre dhe me atë (këtë) ritëm entuziazmi e vallëzues në përjetësi të jetës njerëzore.
E pra, të flasësh për koherencën e një stili është çështje komplekse dhe po aq analitike mbetet edhe shpjegimi i thelbësores, sepse, që të dyja, janë një cilësi e domosdoshme, që i kërkohet gjuhës së një romani për të qenë bindës dhe i besueshëm. E më tej për të qenë më të qartë, mënyra më e mirë për të përshkruar thelbësoren është të shpjegosh esencën e saj, stilin e të treguarit e një historie të caktuar e këtij stili që na bën të vetëdijshëm e të afrueshëm për të lexuar etshëm diçka interesante të kësaj historie e për ta përjetuar të gjithë së bashku edhe me personazhet e subjektit të saj në roman. Kjo gjë duket dhe vlerësohet kur lexuesi i mirëfilltë e ndjen si emocion shpirtëror, të cilin, romancieri e ka arritur artistikisht midis asaj që po tregohet dhe gjuhës stilistike me të cilën po tregohet. Ky afrim apo kjo mënyrë, midis gjuhës së tregimit të tij dhe historisë që rrëfehet e lartëson forcën bindëse të rrëfenjës në roman. Lexuesi me intelektin e tij, tashmë e beson atë tregim apo rrëfenjë, sepse gjetja e stilit të thjeshtë e të qartë të romancierit, përkojnë ndjeshëm e në unison me të, që do të thotë qartazi, se midis fjalës artistike e letrare dhe veprës ka një harmonizim vlerash të përbashkëta e thelbësore, mbi të cilin mbështetet romani dhe letërsia e suksesshme bashkëkohore e moderne.
Një stil i tillë reziston në kohë e në shkrimet letrare, sepse kur e lexojmë romanin e kuptojmë, e ndjejmë në gjuhë e brendi. Stilet e shkrimtarëve janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, sepse në këto stile fjalët, personazhet e sendet përbëjnë një tërësi specifike të tyre, që do të thotë, se ndërtojnë strukturën e veprës si roman dhe letrar. Dhe kur flasim për cilësinë e thelbësores që duhet të ketë çdo shkrim letrar, kemi parasysh një shkrirje të tillë të përsosur mes stilit e brendisë.
Thelbësorja e gjuhës së shkrimtarëve të mëdhenj është e dukshme dhe dallohet ndjeshëm me të shkruarit e pasuesve të tyre. Shkrimtari si vetvete kur arrin kulmet e suksesit të tij në krijimtarinë letrare e sidomos në roman, natyrshëm na lind e drejta të mendojmë si një nga stilistët më origjinalë të gjuhës së popullit të vet, ndoshta më i vlerësuari në jetën dhe kohën e krijimtarisë romanciere. Gjetja dhe ndërtimi i stilit vetjak të shkrimtarit në mënyrë efikase i krijon hapësirë pa kufi krijimi, duke i dhënë jetë e besueshmëri një botë me ide, zgjuarsi intelektuale e filozofike e deri te abstrakte të sofistikuara. Në këtë botë universale njerëzore sistemet filozofike letrare, teologjike, mitet e simbolet letrare, reflektimet e frymëzimet dhe historia universale, të gjitha këto, të parë nga një këndvështrim shumë letrar, përbëjnë lëndën e parë të krijimit. Stili i shkrimtarit të suksesshëm në roman, kur është tashmë i tillë, i përshtatet mjeshtërisht subjektit e shkrihet natyrshëm me të në themel të fuqishëm, duke e bërë lexuesin të ndjejë që në fjalitë e para të tregimeve edhe shumë prej shkrimeve të tij tregimtare, që do të thotë me fjalë të tjera, se këto vepra kanë tiparet letrare dhe mëvetësinë e letërsisë së vërtetë, dhe se vetëm kështu mund të rrëfehen (rrëfeheshin), me këtë gjuhë inteligjente, me këtë elegancë etike, duke i dhënë përparësi intelektit e dijes, ndijimit dhe emocionit, duke luajtur me erudicionin, si shfaqjet më kulmore të ekzistencës së shkrimtarit dhe krijimtarisë së tij letrare. Në këtë mënyrë e në këtë rrugë gjetjesh artistike, tregimet e tij bëhen jetësor e njerëzor në sajë të intuitës së hollë, argumenteve, labirinteve intelektuale, të cilat vijnë si lëndë e parë e subjekteve të tij.
Ngjyra dhe hijeshia e stilit të romancierit qëndron në përdorimin e figurave letrare, metaforave e alegorive që e bëjnë atë mjeshtër të fjalës e mendimit, të cilat këto të fundit i trupëzojnë artistikisht idetë, përforcojnë një tipar psikologjik e të gjitha së bashku krijojnë një strukturë letrare të veprës, në këtë rast, të romanit. Pikërisht sepse është i qenësishëm dhe vetjak, stili i një shkrimtari të suksesshëm, është i paimitueshëm në llojin e vet. Ky moment është shumë i rëndësishëm për çdo shkrimtar romancier dhe i jep çelësin e suksesit të sigurt. Kur ndodh, që adhuruesit apo imituesit letrar të stilit të tij, përpiqen të ecin në mënyrën e tij të përdorimit të figurave, tregon se ai ka gjetur vetveten si shkrimtar dhe krijues vlerash shpirtërore e artistike. Vlen të theksohet se qartësia dhe korrektësia e stilit të këtij shkrimtari tipik e model i veçantë nxjerrin në pah origjinën klasike dhe zotësinë e tij për të thithë shprehje filozofike të popullit dhe prejardhjes së vet, mbrujtur me shpirt, muzikalitet, shumësi konceptesh pa komplikime e lojëra fjalësh intelektuale. Në vijimësi për të thënë edhe gjëra të veçanta krijuese, nga shkrimtari na lind arsyetimi i ri për të, i cili, të gjitha nuancat e perceptimet i shpreh natyrshëm e bukur përfshirë edhe fantazinë si një frymëmarrje me të njëjtën hapësirë lirike, duke u hedhur drejt të jashtëzakonshmes. Kur lexojmë një roman me këto elementë artistik, jemi të bindur se vetëm me ato gjetje, me atë stil e ritëm, me atë koherencë e thelb tregimi, mund të bëheshin të besueshme, bindëse, të mahnitshme, prekëse dhe se me këto fjalë artistike e letrare, romani na magjeps si në formë e në përmbajtje cilësore.
Edhe fjalët si energji të mendimit strukturojnë rreshtin e tregimit, që ato rrëfejnë kur një shkrimtar ndërton një stil të tijin dhe të veçantë në llojin e vet midis të tjerëve, letërsia që prodhon është formësim, koherencë, thelbësor real e bindës.
Një shembull i tillë tregon edhe aftësinë tregimtare të tij si një monolog, si një vërshim gjetjesh, ndjenjash, mendimesh e emocionesh. Forca e tij magjepsëse në këtë radhë elementësh artistik, rrjedh nga një frymëzim që, në dukje e padukshme, ruan një koherencë të madhe, vijueshmëri strukturore, që ndjek një model origjinal rregullash e parimesh, të cilit nuk i shmanget për asnjë çast.
A është tregimi një përshkrim i një monologu të ndërgjegjes në lëvizje? Natyrisht që po. Ai është në vetvete një krijim letrar kaq i bukur, sa lexuesit i duket se po ndjek udhën e jetës së tij të vërtetë. Kjo është magjia e letërsisë kur ajo me gjithçka jetësore, njerëzore e natyrore, të bën realisht e konkretisht për vete. Në këtë udhëtim jetësor, shkrimtari i vërtetë në koherencë të plotë e ka kërkuar thelbin tregimtar në përditësinë e kontaktit me jetën dhe në raporte të gjithanshme, që krijon me të vetëdija e subjektit lirik, të ndjeshëm për të dhe për të tjerët. Kërkimtaria koherente që e formëson atë si gjuhë reale e bindëse në një vepër roman merr zbulime historike e tregimtare të rralla, filozofike të reja e thellësi mendimi, të cilat, me mjeshtëri artistike, shkrimtari i jep me një gjuhë koherente të pasur, me nuanca e ngjyresë emocionale, ku në thelb të tyre vendosen jeta dhe njeriu i ditës. Kjo është mjeshtëri harmonike si estetikë e krijimit letrar e artistik në gjithëkohësi të shkrimtarit, e në këtë rast për romanin. Kjo ndodh si arritje vlerash shpirtërore, sepse shkrimtari hyn në marrëdhënie me njeriun, me botën e tij mendore dhe shpirtërore, të cilën e strukturon si një bashkëbisedim të domosdoshëm e të natyrshëm në subjektin e romanit që ka në dorën shkrues-krijuese të tij. E në këtë mënyrë e stil kërkimi procesi i krijimit për krijuesin shkrimtar romancier konceptohet si një komunikim i përhershëm e koherent me qenien njerëzore dhe jetën. Kjo vepër e shpirtëzuar me njeriun, bindshëm e themi (them) se do të pritet me kënaqësi prej lexuesit për të gjetur atë shpirt, atë jetë, atë vlerë, që do të kishte atë emocion ngazëllues të përcjelljes së botës së brendshme të tij. Perceptimi i shkrimtarit nuk është një iluzion i kohës si koherencë, por është një thellim në pikasje gjendjesh, që janë realisht, në thelb produkt rrethanash. Kapërcimi kohor është për shkrimtarin romancier edhe kalim cilësor, duke e bërë tregimin të ndryshojë në thelb, në natyrën e tij realiste dhe origjinale. Kalimet kohore dhe kapërcimet thelbësore kur bëhen nëpërmjet mjeshtërisë letrare të shkrimtarit rrëfimtar marrin forcën bindëse të një romani.

                                                                                                  Ndini R.Bardhi
                                                                                                Piktor, shkrimtar