e hënë, tetor 07, 2013

· KOHA, SI EKZISTENCË PRODUKTIVE







Koha si nocion hapësinor për njeriun si qenie njerëzore dhe krijuesin shkrimtar kuptohet si një ekzistencë e një rrjedhjeje të shkuarës në të tashmen dhe në të ardhmen dhe si një ngjitje në përhershmëri vertikale dhe paralele e energjisë jetësore të Zotit dhe njeriut në këtë botë universale. Njeriu si ekzistencë frymore në shekuj e breza njerëzish e ka jetuar jetën në këtë hapësirë kohore, e ka çmuar si të shenjtë  duke e “mbjell” atë përjetësisht në vlerat e kohës që ikën, që jeton sot dhe do ta jetoj në të ardhmen. Ai asnjëherë nuk e mohon të shkuarën që ka ekzistuar, sepse në shtratin e saj do të vijë koha e re për të jetuar e vazhduar pambarimisht në breza njerëzish. Të dy kohët i bashkon në një njësi kohe, në një rritje progresive energjetike të vazhdueshme, si vetë rritja e brezave të njerëzve, që lindin në njërën kohë, të shkuar po i themi, e vazhdojnë të jetojnë në një kohë të re, që jeta është në vazhdimësi të saj dhe të tijën si vetvete dhe breza, që vijnë si trashëgimi dhe kujtesë historike njerëzore.
Gjithçka kohore është e gjallë, gjithçka njerëzore është dhe qëndron në gjithëkohësi e gjallë. Njeriu dhe njerëzimi që me lindjen e tij si ekzistencë e qënies njerëzore, mbi këtë tokë e ka shkruar çdo histori të mundshme të realitetit të jetës së tij, si vlerë shpirtërore, dokumentare dhe trashëgimie në breza si kujtesë e qenies së tij si qëndresë dhe promotor aktiv i të gjitha ndryshimeve në kohëra si hapësirë, në shekuj si vite, në realitet si ekzistencë vazhdimësie të gjithçkaje në botë.
Kujtesa historike njerëzore dhe eksperienca e trashëgimisë kulturore i ka thënë çdo njeriu dhe shkrimtari se kohës, qoftë ajo e shkuar, e tashme apo e ardhme një shtrat përherë më të fortë, që të mund t’i japim jetë dhe hapësirë kulturore, letrare e artistike të shumëllojta të kësaj bote universale njerëzore. Kjo kërkon nga letërsia e shkrimtari një vlerësim të kohës brenda historisë njerëzore si drejtim drejt të ardhmes gjithnjë më të mirë, si një ngjitje dialektike e progresive, drejt përsosmërisë kulturore e vlerave shpirtërore të vlefshme për njeriun si individ, komunitetin si shoqëri, popullin si komb.
Sot bota njerëzore me vitalitetin e saj në hapësirat lëvizëse kohore jep mundësi të pakufishme të një kohe që rigjeneron kohë të reja nëse arrijmë të shkruajmë thelbin e vlerave të paçmueshme të saj në letërsi e në art. Vlerësimi i kohës nga shkrimtari është mbjellje e shkruar dhe artistikisht e mbrojtur në mënyrën e të jetuarit të tij si krijues vlerash, dhe e të tjerëve, që kanë krijuar historinë njerëzore. Kjo kohë e ka një gërmë, një rresht, një fjali e një mendim për t’u përjetësuar si kohë e shenjtë, që na jep frymën dhe jetën mbi këtë tokë. Quhet e shkuar, por edhe e tashme, e tanishme dhe e ardhme, sepse e shkuara ekzistoi dhe la gjurmët e saj, na la mua dhe ty, na la si trashëgimtar të një kohe ndoshta për momentin na duket se iku, por jo, ajo qëndron si themel i përhershëm i jetës që ende jetojmë e po vazhdojmë të ekzistojmë si njeri i gjallë në mes të gjallëve.
Koha, në krijimtari letrare shndërrohet në të sotme apo të djeshme si dhe në pakohësi. Nuk mund të ketë të tashme kohore e jetuar realisht nga njeriu, pa vlerësuar e kthyer kokën nga e shkuara, sepse kur e ndjekim të shkuarën mësojmë gjithçka që është ndërtuar në kohën e saj, si dëshmi vlerash njerëzore, letrare e artistike, sistemimi, arkivimi, që nuk harrohet asnjëherë.
Kujtesa si memorie kohore njerëzore mbetet edhe si një kohë tjetër e ardhme për brezat e rinj, që çdo njeri e merr si kohë të mundshme ekzistence, të papërcaktuar apo si gjithëkohësi vlerash universale.
Kohën e shkuar e çmon ligjërimi i saj në letërsi, art e kulturë, sepse ajo është e lidhur me jetën, njeriun e dinamikën e kohës së sotme, si përditshmëri.
Që të kuptojmë letërsinë e artin, shkrimtarin e ri, kulturat e rishfaqura, duhet që të shkuarën ta bëjmë të tashme në mënyrë që të vendosen piketat e udhës së re, që të shpie drejt një të ardhme të shumëpritur dhe ritmeve të saj kohore.
Të gjitha së bashku për çdo njeri dhe shkrimtar supozojnë një konceptim bashkëkohor modern të kohësisë, të rolit të gjuhës, historisë, letërsisë, qytetërimeve në përputhje me traditat e popullit në shekuj. Nga konceptet tona mbi kohën progresive kemi vlerësuar marrëdhëniet e kohës së shkuar me kohën e re, si mënyrë efektive për të gërmuar vlerat e kohës si rrëfim e përmbledhje gjer në integrimin e kohës hapësinore më të plotë, më gjithëpërfshirëse, më të drejtuar, si e ardhme e sotme dhe e ardhme e përparme. Koha në vetvete, përherë ka qenë një kontrast problematik për çdo njeri e për çdo krijues, shkrimtar, artist etj. Koha të mbush me probleme e ta bëjnë jetën sa të gëzueshme aq edhe të trishtueshme. Në themel të tyre e si një faktor ndihmues është mënyra e konceptimit të drejtë të saj. Ekzistojnë për të mendime e koncepte nga më të çuditshme te njerëzit krijues shkrimtar e artist, të cilët thonë se koha vetë është realiteti objektiv në globin e ndryshimeve të pandërprera; si vetë bota rrotulluese rreth boshtit të vet. Gjithçka fenomenale nxitet të veprojë në të kundërtën e vet, e si rezultat i veprimit e kundërveprimit krijon një situatë të re ndryshimi.
Historia si rrëfim, historia si jetë njerëzore e jetuar është historia e paradokseve, kurse koha e saj është dëshmi rrëfimtare. Ndryshimi si transformim është realiteti kohor i tij, e nëse lëvizja pushon, e gjithë jeta njerëzore dhe universi bllokohet bashkë me kohën. Për mendimin e shumë shkrimtarëve e artistëve dhe të eksperiencës së tyre krijuese është, vetëm ajo që përbën subjektin tonë më të besueshëm ndaj lexuesve e më gjerë dhe që mbetet e qëndron në përhershmëri është realja, e vërteta reale, njerëzorja dhe jetësorja.
Për sa koha si kohë dhe hapësira e saj kohore është e mbushur me njerëz, objekte dhe subjekte e ngjarje jetësore në këtë njësi ekzistuese të kësaj kohe, natyrisht dhe të gjitha sa thamë, edhe ngjarjet bashkekzistojnë në këtë hapësirë dhe në të njëjtën kohë plotësojnë e pasojnë njëra-tjetrën në vijimësi kohore. Shkrimtari të gjitha këto fenomene e ngjarje i studion, i asimilon ndjeshëm për krijimtarinë e tij.
Historia e botës letrare e artistike ka vërtetuar se letërsia e artet në gjithëkohësi ekzistuese me jetën njerëzore, kanë bashkekzistuar e bashkëjetuar në hapësirë, si piktura e skulptura si arte të pamjes figurative e në vijimësi të tyre kohore, muzika e tradita folklorike popullore në të gjithë botën njerëzore. Për këtë bashkekzistencë të tyre gjithmonë janë bërë pyetje të mëdha nga letërsia moderne, sepse shkrimi si art grafik dhe vizatim gjurmëlënës jeton, ekziston në vazhdimësi edhe si vetvete, pa qenë nevoja të bashkëjetoj me të tjerat, qofshin edhe letrar e artistik.
Ndryshe ndodh me gjuhën letrare e artistike. Ajo përbëhet nga bashkëlidhje të studiuara mirë nga krijuesi, i cili i kthen në unitete të vazhdimësisë krijuese të tij.
Historia e romanit si revolucion i përhershëm krijues e letrar në kohë të hershme e të përhershme të tij, ka njohur ngjitje lineare drejt përsosmërisë si imazh i përjetësisë njerëzore. Po e njëjta gjë ka ndodhur edhe me muzikën, e poezinë. Për shkrimtarin dhe artistin është një dëshirë pasionante shpirtërore e përhershme që të sakrifikoj për vazhdimësinë kohore të romanit e të artit, duke i ngritur në piedestalin e përjetshëm të vlerave, nëpërmjet dinamikës kohore si hapësirë jetësore, krijuese, njerëzore dhe transformuese. Madhështia e çdo krijuesi, qoftë shkrimtar e artist, qëndron në qëllimin dhe kuptimin që i kanë vënë vetes në këtë jetë, si jetë njerëzore, kohore dhe hapësinore ekzistuese. Ata e kanë të qartë në idetë, vizionin, krijimin e tyre letrar e artistik, se letërsia si vetvete me botën e saj magjike, është laboratori koncentrues e perceptues i madh i kohës.
T’i japësh kohës si kohë dhe si hapësirë e jetës njerëzore, raporteve të saj me njeriun si marrëdhënie, si ndikim për të ekzistuar, për të dashuruar gjithçka të bukur në këtë botë, kërkohet nga çdo krijues i vërtetë shkrimtar e artist brenda mundësive maksimale të tij, një dhënie e marrje shpirtërore njerëzore në krijimtarinë e tij (tyre), në mënyrë që t’i japë universit kohor e njerëzore atributet e drejtpërdrejta të përjetësisë.
E megjithatë shkrimtari dhe artisti që në hershmëri të historisë njerëzore është përpjekur të jap në krijimtarinë e tij letrare e artistike, imazhe kohore të përjetësisë së jetës njerëzore dhe në përhershmëri në lëvizje për jetën, të cilat marrin atributet e një kohe të caktuar dhe vlera të mirëfillta shpirtërore. Koha si vetvete hapësinore merr imazhet e përjetësisë kur ajo lëviz në mënyrë produktive nga krijuesi e kthehet në vepër, roman, poezi, pikturë e çdo gjë tjetër me vlerë. Por, edhe vetë përjetësia njerëzore në lëvizje merr natyrshëm imazhet e një hapësire të re ideore në kohën kur njeriu jeton dhe punon si ekzistencë frymore, objekt dhe subjekt real dhe i qenësishëm në këtë botë.
Ideja, që është imazh kthehet në poezi, prozë, roman, pikturë, muzikë, ndërsa koha artistike është polifonia e zërave që krijojnë imazhin e një kohe me emocionalitet si ngadhënjim i përjetësisë së qenies njerëzore apo i njerëzimit në këtë jetë dhe në këtë botë. Shkrimtari dhe çdo krijues tjetër i frymëzuar nga koha dhe realiteti njerëzor, krijon marrëdhënie me kohën, që realisht është marrëdhënia e tij, e të gjithëve, sepse duke jetuar në këtë hapësirë të saj shikon fenomene jetësore të panjohura e si kërkimtar rrëfimesh apo ngjarjesh që është, gjuan e gërmon në pakohësi e pafundësi shtresat e nënshtresat e saj, që ende janë mistere, e që kërkojnë shpjegime e përsëri nuk i arrin dot t’i kapë e t’i bëjë të vetat si brum krijues letrar. Shkrimtari dhe artisti si njeri si gjithë njerëzit, si krijues, veç të tjerëve, i lindur, i rritur, i formuar, i dashuruar, duke pretenduar për t’u bërë dikush në këtë jetë, duke sakrifikuar për t’u bërë shkrimtar apo artist, duke u moshuar dhe në çastet e fundit të jetës dhe kohës që ende ekziston si shpresë, i bënë një analizë vetvetes si monolog dhe të asaj jete dhe krijimtarie të bollshme letrare e artistike, për të arritur në konkluzionin e gjithçkaje të arritur e të paarritur, e asaj jete apo kohe që asnjëherë s’ka për ta marrë vesh se çfarë ishte kur nuk ishte, e kaluara pa të, apo çfarë do të jetë kur të mos jetë, e ardhmja pa të.
Sepse, koha si prag ndarje midis të shkuarës dhe të ardhmes është e komplikuar, një kohë me mistere. Dhe sado të përpiqemi të zotërojmë atë si njeri dhe krijues, pushteti i saj i gjithëkohshëm dhe i përjetshëm është misteri.
Koha është një kohë individuale për çdo njeri e krijues, që ka në disponim njeriu brenda kohës që jeton, e cila kur funksionon në mënyrë produktive e ritmike, krijohet një mrekulli harmonike e një jete të lakmuar, e shpirtëzuar, e ndjenjësuar, e një jete që ke ekzistuar, e një jete që ke lënë emrin, identitetin, mirësinë njerëzore në kohë e në breza, e një jete që i ke bërë nder vetes e të tjerëve. Koha është vetë jeta kur ekziston. Njeriu krijues vlerash ëndërron për atë që do ta bënte më aktiv dhe më i zëshëm i kohës, dëshmues e veprues në fenomenet shoqërore si pjesë e qenies së njeriut, të këtij njeriu që zërin individual e shqipton në hapësirën e kohës e mbushur me probleme e situata, që kërkojnë zgjidhje dhe kontribut intelektual.
Të gjithë pyesim veten si vetvete dhe si krijues vlerash shpirtërore nëse jeta jonë është një marrëdhënie me kohën dhe njerëzit. Në kohën tonë, në të shkuarën dhe në të sotmen e tanishme shikojmë çdo gjë e asgjë që mbetet, që do të thotë, se në këtë jetë kohore njerëzore asgjë nuk zhduket tërësisht, por gjithçka para syve tonë, transformohet. Ajo që mendonim se ekzistonte diku, me të kthyer kokën në anën tjetër, e shikojmë çuditërisht në një vend të paimagjinuar më parë.
Për shkrimtarin dhe artistin koha është një këndvështrim, një gjetje, një kërkim, një fantazi, një imagjinatë e tij (e jona). Për krijuesin e vërtetë kur e ka kohën si energji aktive e mendon, sepse duke e vlerësuar si mendim krijues artistik, ajo ekziston realisht dhe objektivisht për ta prekur e ndjenjësuar në artin e tij. Koha si galaktikë, ndërron hapësirë, bashkohet me fenomenet natyrore dhe njerëzore, njësohet si vetvete e përsëri rrufeshëm shpërbëhet si meteor kozmik. Në këtë mënyrë njeriu krijues i pajisur me energji hyjnore të Zotit, udhëton në tokë e fluturon në qiell nga njëra kohë në tjetrën sikur të ishte jashtëtokësor e përsëri kthehet në kohën e tashme që ekziston aktualisht për të humbur kujtesën e së shkuarës, nëse nga ajo ka ardhur, e për të vazhduar udhëtimin me kujtesën e së ardhmes, nëse ka pasur origjinën e saj.
Natyrshëm në këtë udhëtim kohor do të mbetet e do të veproj në të tashmen. E tashmja është koha e tij, ekzistenca, produkti, krijimi dhe jeta e tij krijuese letrare.
Në çdo kohë e në këtë kohë të re, çdokujt i ndodh apo i ka ndodhur të udhëtojë në të shkuarën e me intuitë bashkëkohore i është kthyer shpirtërisht e mendërisht kohës së tashme. Këtë e bën dinamika e fenomeneve të reja kohore njerëzore. Koha është motorr energjie e ndryshimeve të mëdha revolucionare, dhe ecën si një uragan i llahtarshëm, që çdo gjë që gjen përpara e përmbys, të vjetrën e shuan me një dallgë, të renë e ruan në këmbë.
Koha nuk na pret të mendojmë me mentalitetin e së shkuarës e të udhëtojmë në rrugën e vjetruar të saj. Një minutë kohe e re është baras me një shekull, është fluturim hapësinor kozmik i ndryshimeve të paimagjinueshme për njeriun dhe njerëzimin. Tashmë nuk ka kohë të mendojmë për të shkuarën, por për të tashmen dhe të ardhmen progresive bashkëkohore njerëzore. Alternativa e re me kohën e re është që të ecim përpara, të jetojmë të tashmen e të mendojmë të ardhmen tonë, duke e lënë prapa apo mënjanë kujtesën e së shkuarës.
Për krijuesin shkrimtar e artist vjen një moment që kërkon në kohë identitetin personal si njeri dhe krijues. Në mënyrë të përhershme krijuesi ballafaqohet me kohën, me njerëzit, me realitetin e me veprën e tij të derisotme, që hyn në veprim, në garë, në ekzistencë, në konkurrim për atë çka bërë në rrjedhën kohore të përcaktuar të jetës ideale, letrare e artistike të tij. Tashmë, afër fundit të jetës e karrierës krijuese, kolegët, miqtë, dashamirësit, lexuesit e shumë të tjerë, fillojnë e bëjnë pyetje, se kush ke qenë ti, ku ke jetuar e punuar më parë, sa vepra letrare, romane, poezi, pikturë, muzikë etj. ke bërë gjatë jetës tënde si shkrimtar apo artist.
Brenda kohës ekzistenciale të jetës tënde si vetvete dhe te të tjerët sa cilësi shpirtërore dhe nëpërmjet një krijimi letrar e artistik, që përputhet me cilësinë e vlerave të një vepre, brenda një kohe të krijuar, qoftë edhe si kohë artistike, ke dhënë e merr.
Si përfundim, letërsia, arti e gjithçka shpirtërore në këtë jetë dalin nga laboratori seleksionues i kohës si hapësirë, i rrymave të letërsisë e artit dhe gjykimit të lexuesit më të madh i gjithëkohshëm, njeriut si individ, shoqërisë si komunitet dhe popullit si komb.

                                                                                                Ndini R.Bardhi
                                                                                                Piktor, shkrimtar