e hënë, tetor 07, 2013

QENIA NJERËZORE



 



Krijimtaria e krijuesit të vlerave shpirtërore, shkrimtarit e artistit, depërton emocionalisht në brendësi të qenies njerëzore si objekt dhe subjekt, duke sjellë nëpërmjet stilit dhe individualitet të tij krijues një botë të pasur shpirtërore. Krijuesi i mirë dhe i vërtetë di ta gjejë gjuhën e komunikimit me njeriun si njeri dhe si qenie njerëzore, sepse duke qenë edhe vetë njeri si gjithë të tjerët, nuk e paragjykon atë dhe nuk i vë kushte njohjes me të, që nga më i thjeshti deri tek intelektuali i mirëfilltë. Kur ndërtohet kjo lidhje njerëzore në mënyrën më të sinqertë, atëherë edhe subjekti i krijimtarisë së tij do të jetë një pasqyrë e një refleksioni fantastik në botë perceptimin ndjenjësor, një vlerë morale e paparë me vetveten dhe të tjerët, që e rrethojnë. Pra, krijuesi bën një emocionalitet shpirtëror të qenies njerëzore në kohë dhe me kohën. Është tërësia e vlerave të tij që e bën atë të jetë njerëzor dhe magjepsës.
Qenia njerëzore në krijimtarinë letrare e artistike nuk është e rastësishme apo pasive, por një personazh profil origjinal moralo-shoqëror që ka mendësi të qarta për jetën e virtytshme si një ndjenjë e natyrshme, njerëzore dhe e bukur. Ajo, nga krijuesi, në rreshtat e shkruar, nuk është vendosur si një njeri që duhet të merret me dialogje të kota, a shterpe e të pafundme, apo për të mbushur kohën me fjalë boshe, por, për të krijuar e dhënë ide e mendime produktive. Të gjitha këto ndjesi dhe koncepte përbëjnë shkëndija jete të fuqishme, sepse kanë dalë prej kontakteve të drejtpërdrejta, e në mënyrë krejt të natyrshme harmonizohet brendësia shpirtërore në larmi trajtesash, që do të thotë se mund të shprehësh në vepër edhe formësimin e një koncepti të qëndrueshëm. Kjo, natyrisht buron prej lidhjeve të forta, që vendos krijuesi me njeriun e rrethanave dhe i drejtpërdrejtë, sepse e njeh mirë konceptin filozofik të njeriut për jetën.
Një krijimtari e tillë vjen edhe si estetikë, që përputhet me vizionin e tij, edhe si një qasje e llojit tjetër, edhe si një shëmbëllim i një përfaqësimi të denjë të njeriut në rrafshin shpirtëror dhe figurativ.
Krijuesi, shkrimtar, poet, artist, për objekt dhe subjekt kryesor ka njeriun e zakonshëm të ditës, njeriun e mirë, njeriun që punon e djersitet për të nxjerrë të mira materiale, i identifikuar me zërin e brendshëm të krijuesit, që me dashurinë e shpirtit, jep botën e njeriut me një sinqeritet të natyrshëm. Ai njeriun e trajton në vepër si një qenie e lirë, origjinale, pa zbukurime e pa i dhënë pamjen e një njeriu të jashtëzakonshëm. Ky njeri si qenie njerëzore në këtë jetë e mbi këtë tokë është zot i gjithçkaje që dëshmon vitalitetin e tij, e në të njëjtën kohë bëhet faktor për mbijetesën e tij, progresin shoqëror, për ndërtimin dhe vazhdimin e jetës së re. Në vepër peshën e mesazhit e mban njeriu si i vetmi personazh aktiv, ku nëpërmjet qenies së tij jepen kontraste nga më të ndryshme jetësore me idenë se, dikur në vite, me evoluimin e kohës dhe jetës njerëzore, njeriu ka qenë më pak i zhvilluar, por më i mirë dhe më njerëzor. Pasqyrimi i jetës së tij, në veprën letrare-artistike i dialektikës nga krijuesi i vërtetë, është një vlerë ideoartistike, sepse hedh dritë mbi një proces real që ndodh në vetë jetën e përditshme. Një vepër e tillë artistike merr dimensionin e një prirjeje kohore të zhvillimit dhe të ardhmes, që do të thotë, se vepra reflekton mesazhe filozofike për jetën dhe njeriun. Më tej, ajo është një mesazh emancipimi për njeriun në veçanti dhe shoqëror në përgjithësi. Pra, krijuesi i vlerave artistike, si mjeshtër i mendimit dhe i fjalës, formulon mesazhin filozofik të gjithë veprës së tij, konceptin si dallueshmëri dhe kontrastin e të së mirës, që përballet me regresiven antipod. Vepra cilësore në përmbajtjen e saj artistike-letrare ka fenomene universale të njohura e të panjohura, të natyrshme e të panatyrshme, të së mirës si mundësi dhe të keqes antinjerëzore.
Mbresëlënëse është në një vepër e mirëfilltë artistike mënyra se si është konceptuar nocioni i së mirës si dëshirë dhe së ulëtës jo njerëzore nga përdorimi ndjenjësor i elementëve shpirtërorë dhe joshpirtërorë. Koha dhe jeta e sotme njerëzore është e ngarkuar me fenomene e ngjarje që e tronditin së tepërmi qenien njeri dhe e bëjnë atë që të ndeshet me kundërshtitë e saj fenomenale, qofshin ato morale, materiale dhe ekzistenciale. Krijuesi shkrimtar e artist, si njeri i ndjeshëm dhe i moralshëm, i merr këto fenomene, i përpunon në laboratorin e tij krijues, i kthen në brumë artistik dhe esencë shpirtërore për veprën e tij. Të gjitha këto, kur i vlerëson artistikisht dhe shpirtërisht, kthehen në revoltë, pasthirrmë, të cilat, me energjinë e tyre shtytëse, e vënë njeriun krijues në veprim të menjëhershëm. Pra, shndërrimi i tyre në mesazh dhe në kryefjalë filozofike për jetë, për ekzistencë, për dinjitet, për liri e të drejta njerëzore, përbëjnë për krijuesin e vërtetë, ndërgjegjen dhe shpirtin e tij njerëzor. Me një konceptim të tillë ai përfiton vlera ndjenjësore artistike dhe ndërton në ide e strukturë frymëzimi, një vepër emocionuese për të gjithë njerëzit. Në vijimësi si vazhdimësi të shprehjes, krijuesi është në lëvizje dhe në kërkim të përhershëm, në hapësirën kohore që kap krijimtaria e tij. Temat dhe problemet, kontrastet e ndryshme, që kanë të bëjnë me fatet e njeriut e deri tek ato të fizionomisë morale të individit, për krijuesin janë dukuri shprehëse për formulimin sintetik të mesazhit filozofik krijues.
Në këtë udhëtim kontrastesh, qenia njerëzore, është e ndërgjegjshme për fenomenet e çuditshme që ndodhin rreth saj, sepse të tilla shfaqen edhe në jetën e përgjithshme njerëzore, që për të, subjekti tashmë i njohur dramatik para syve të saj, çliron vetëdijen e nënvetëdijen, e në të njëjtën kohë në mënyrë të sforcuar vijnë subjekte njerëzore për krijuesin shkrimtar, poet, artist, si dëshmi optike nga realiteti.
Kjo shfaqje e të papriturës fenomenale, vjen për krijuesin, si një frymëzim krijimi, që e mbreson me emocionalitetin shpërthyes dhe për artin subjektiv të fjalës.
Vepra letrare-artistike, në kuptimin e plotë të vlerave shpirtërore, përfaqëson një kauzë të re të qenies njerëzore në mesazhin filozofik të autorit, e cila i jep kësaj vepre të drejtën për të qenë zëdhënëse artistike e problemeve të mëdha të kohës njerëzore. Po të flisnim për mesazhin filozofik të veprës si veçanësi, kjo do të kishte një objekt estetik më unik, sepse edhe mesazhi i saj është i qartë dhe më i kapshëm. Krijuesi, në këtë mënyrë, në formë e përmbajtje ka dhënë gjendjen e tij shpirtërore dhe të qenies njerëzore, ku ndjenja dhe frymëzimi i tij krijojnë imazhe të mrekullueshme shpresëdhënëse. Subjekti i kësaj vepre me dimension të tillë njerëzor, kulmojnë në nivele sipërore dhe paralelisht me emocionalitetin, që plotësojnë njëri-tjetrin. Efekti i tij ideor e artistik është i modeluar në formën më të ndjeshme dhe domethënëse. Mesazhi për qenien njerëzore në këtë strukturim, është potencial si emocionalitet i pakrahasueshëm, që do të thotë, janë motivet ato që e  zbresin këtë kulminacion në mënyrë graduale, në gjendje shpirtërore.
Krijimtaria e shkrimtarit e ka vënë në qendër të saj qenien njerëzore si subjekt kryesor të veprës, i cili (njeriu) ka gjetur në ligjëratat e shkruara në prozë, atë që kërkonte për jetën e tij, atë që do të ishte shpirtërore. Krijuesi, prozator, poet, artist përherë objektin njeri e veçanërisht njeriun e mirë, e ka çmuar si vlerën më ideale të jetës njerëzore dhe emancipimit shoqëror.
Me këtë njeri të mirë, si qenie aktive njerëzore, jeta dhe progresi i saj, ecin përpara, sepse ai është njeri me ideale për të ardhmen individuale dhe kolektive e deri te ato të fizionomisë morale të individit dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Subjekti njerëzor i krijimtarisë, i identifikuar me shkrimtarin, ka një bukuri, që shkëlqen një humanizëm, një moral që të mban gjallë e të ripërtërin jetën si vetvete, si njeri dhe kolektivitet. E këtë mirësi ta jep qenia njerëzore me emrin njeri.
Krijimtaria e mirë me njeri të mirë në brendësi të saj e ka shpirtin e saj njerëzor si një dukuri e qenësishme, si një frymëzim me oksigjen, si ndjesi që të gëzon, si mendim që nuk shteron. Ajo është si refleksion brilant i perceptimit ndjenjësor, por edhe epërsi e botës shpirtërore të shkrimtarit dhe artistit krijues.
Ata bëjnë përpjekje që të kuptojnë e të zgjerojnë dimensionet e qenies njerëzore.
Krijuesi si kërkimtar vlerash shpirtërore do të të gjejë ngjashmërinë, por edhe ndryshueshmërinë brenda njeriut. Këto, për të, janë piketa orientuese, në strukturën e veprës, kontrastin kohor dhe më pas vlerën artistike të saj. Me këtë binom, autori, artistikisht dhe sintetikisht ndërton marrëdhënie me kohën dhe qenien njerëzore si subjekt në mënyrë që ta bëjë sa më të efektshme.
Një kontrast i tillë lind si fenomen njerëzor dhe zhvillohet hap pas hapi si një profil origjinal moralo-shoqëror. Krijuesi me eksperiencë bashkëveprimin e  pikëpamjeve morale e vlerëson në varësi të situatave (rendeve) shoqërore, të faktorëve të shumtë objektivë e subjektivë në ditët e sotme. Vlera e artit të autorit libërshkrues nuk do të jetë e plotë pa hedhur dritë mbi këto dimensione kontrastesh njerëzore e kohore, sepse në idealin që synon të arrij si vetvete, i kërkohet dhe harmonizimi i pikëpamjeve të tij politike e morale bashkëkohore. Ky ideal kishte për të qenë për të një objektiv shpirtëror si krijues e aq më tepër kur ka për mision të merret e të vizatojë artistikisht qenien njerëzore. Kjo anë e humanizmit kur ngrihet në vlerë shpirtërore, kultivon parime morale të qytetëruara, të emancipuara, demokratike e thellësisht njerëzore. Te pikëpamjet morale të qenies njeri ndikojnë pozitivisht faktorët psikologjik kolektive dhe ajo individuale, traditat kulturore, forca e zakonit etj., të cilat kanë peshën e tyre në botën shpirtërore.
Në krijimet letrare-artistike, morali i qenies njerëzore është paraqitur apo shkruar si një ndjenjë e natyrshme, njerëzore dhe e bukur. Ashtu si në poezinë lirike edhe në krijimet e prozës, shkrimtari dhe artisti, i ka dhënë vlerën dashurore njeriut si qenie njerëzore dhe moralit të tij.

                                                                                                Ndini R. Bardhi
                                                                                                Piktor, shkrimtar