e hënë, tetor 07, 2013

PIKTOR IBRAHIM KODRA, UNIVERSAL I BOTËS ANTIKE DHE MODERNE



                    



Rreth ekspozitës së pikturës “SHQIPËRIA FANTASTIKE”

Krijimtaria artistike e Kodrës është sugjestonuese, në të cilën ekzotizmi oriental dhe mozaiku bizantin shfaq vlera të mrekullueshme në veprat e tij. Me veprat që ka krijuar, ka shprehur shijen dhe dëshirat e tij personale, të sintetizuara nëpërmjet shpërthimeve të brendshme shpirtërore. Ibrahim Kodra ka pikturuar muzikën e tij, mbretërinë e tingujve të flautit, që rievokojnë lart mbretëritë e muziktarëve, i cili pas një eksperience të gjatë krijuese piktorike, ka provuar suksesin në neoklasicizëm, në kubizëm në pikturën abstrakte, ku ethshëm kërkon në përhershmëri akoma gjini të reja. Në pikturën e tij ka një lidhje origjinale ndërmjet gjeometrisë e lirizmit, duke krijuar efekte të veçanta në piktura dhe për këtë është një talent në pikturën e sotme bashkëkohore.
Kodra, në pikturat e tij, shumë motive të zgjedhura nga e kaluara e të ruajtur me kujdes si një baritor me shpirt të madh e të mrekullueshëm, ruan brenda vetes piktura mahnitëse. Shqetësimi i Kodrës është ai i kalimit nga racionalizmi në abstraksionizëm, i cili jep simbolet e shumëduhura shpirtërore. Ibrahim Kodra gjithmonë është marrë me figurën, por kësaj radhe nëpërmjet sugjestionit ka kaluar nga postkubizmi në metodën abstrakte, por ajo që është më e rëndësishmja, drejtimi i tij shkon shpesh drejt neobizantizmit. Kodra kthehet në vepër pa skema të jashtme, pa shqetësime të mëdha, por me një sfond të gëzuar, i shoqëruar shpesh nga tone të larmishme në të gjitha kuadratet mahnitëse të pikturave te tij. “Shqipëria fantastike”. Për Kodrën nuk ka qenë e lehtë piktura, sado e dashur të jetë ajo, ku çdo njeri e gjen valën në dëlirësinë e saj, një mendim të pathënë ndonjëherë. Në veprën e tij ka ruajtur me kujdes një karakter thellësisht origjinal nga piktorët e tjerë, i cili qe ndër të parët në mesin e tyre, që e shuguroi artin e tij në simbol gati përgjithësues, në udhëkryqet e shndërrimeve të pafundme që ka njohur arti gjatë këtij gjysmëshekulli. Ibrahim Kodra, si piktor me imagjinatë krijuese artistike, i qëndron besnik prejardhjes shqiptare dhe frymëzimeve të tij të para nga vendlindja, që do të thotë, se kemi të bëjmë me një piktor të madh me botë të pasur shpirtërore dhe atdhetare. Me të drejtën e një kërkimtari artistik, ai, si piktor modern i kohës së viteve pesëdhjetë e deri më sot, kapi mrekullinë për të harmonizuar imazhet antike të botës së tij orientale me modelet që vinin nga qytetërimi perëndimor. Me talentin e tij Kodra ndërtoi artin e vet ndonëse në kohën e ndërlikuar e mishmash të rrymave artistike hodhi bazat e frymëzimit në një kuadër të çliruar nga diktimet e shkollave dhe urdhrave zyrtare. Në këtë mënyrë, hap pas hapi me artin e krijuar tashmë, mori udhën e lirisë krijuese artistike të zemrës së vet.
Artdashësi i kulturuar dhe dashamirës i artit të Kodrës, si përballje vlerash emocionale shikon një galeri të pafund veprash artistike, fryt i një këmbënguljeje dhe një vëmendjeje të jashtëzakonshme për të parë se si Kodra në veprën e krijuar artistike është në të njëjtën kohë jashtë dhe brenda botës. Ajo që funksionin si fill lidhjeje është rrjeti që ndan dhe bashkon përsëri kuadrot e tij në tërësi të krijimtarisë artistike dhe në këtë ekspozitë, kjo shfaqet si gjetje, që shërben edhe si brendi shprehëse e frymëzuar e në të njëjtën kohë edhe si mesazh i shpjeguar artistikisht. Kjo mënyrë e përhershme pikturimi përbën zgjidhjen dhe zgjedhjen e preferuar krijuese artistike që do të thotë se piktori, sado i vetëdijshëm për impresionet që i vë realiteti i gjallë dhe objektiv, ai, gjithsesi, është përherë i lirë të lëvizë përtej këtyre caqeve dhe, mbi gjithçka, tenton të përfshijë në krijimtari atë që quhet frymëzim, reagim përballë objekteve dhe subjekteve të fantazisë së tij si piktor. Në anën tjetër, ky art i ngritur artistikisht, nuk do të kishte ekzistuar sikur Kodra të mos kishte qenë i frymëzuar nga lëvizja e përhershme e jetës, objekteve,simboleve dhe dinamikës së realitetit ku jeton e krijon. Në artin e tij të pikturës përpiqet për gjithçka, që transformohet ta simbolizoj nëpërmjet kubizmit në mënyrë që artistikisht vlerën e shpërbërjes së sendeve ta motivoj si masë për ribërjen e tyre në një kuadër të përgjithshëm si marrëdhënie ndërmjet shpërbërjes dhe bërjes. Me potencialin e një artisti vizionar, Kodra, me artin e tij piktorik, është bërë i veçantë, tipik dhe i vetëm për një konfigurim gjeometrik të objekteve e subjekteve të përzgjedhur dhe realizuar në vepër. Kështu, nga njëri kuadër në tjetër të pikturës së tij shohim një mjeshtër të zotë dhe një artist që ka zgjedhur stilin, individualitetin, rrugëzgjidhjen e formimit artistik të përqendruar në tretjen e fantazisë gjigande krijuese. Ibrahim Kodra nëpërmjet kubizmit artistik, gjeometrisë fantastike ka pikturuar muzikën e shpirtit të tij. Që në emocionin e parë, kur i shikon me dashamirësi njerëzore, pikturat në këtë ekspozitë, janë tërheqëse, të mbushura me atmosferë, të afërta si të panjohura më parë, befasuese dhe nostalgjike. Kodra në pikturë është njohës i mirë i artit antik dhe modern.
Në pikturat e tij ka diçka të veçantë që të kujton mozaikun dhe dekoracionet të artit popullor shqiptar, të pikturës monumentale, të kubizmit, të piramidave egjiptiane, të sarkofagëve të faraonëve, të portave orientale dhe të dritareve të fëmijërisë së tij, të cilat i ka konceptuar në mënyrë moderne dhe bashkëkohore. E gjithë kjo krijimtari artistike,reflektohet në kuadrot e pikturave që shohim sot në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Si piktor i kavaletit nuk ka preferuar të merret me peizazhin natyror e jetësor. Bota e madhe e gjithësisë si univers në veprën e tij konceptohet në një balancë që drejtpeshon vlera të papara dhe të bëra nga piktorë të tjerë në Europë e në botë. Për Kodrën nuk ka rrethana të caktuara. Ndjenja për të pikturuar, tek ai shfaqet si dëshirë dhe jo si imponim i një arti apo një artisti të caktuar e çfarëdo. Portreti i tij si piktor modern është refleksion i botës së re, që krijohet pas tragjedive të mëdha, të ndodhura pikërisht në botën e vjetër.
Te piktori Ibrahim Kodra, figura e njeriut në enterier, figura në hapësirë, hapësira dhe njeriu, studimi i natyrës, i imagjinatës, studimi i botës bimore dhe shtazore, rritje e trajtave të vizatuara (pikturuara) përtej masës së natyrshme etj, marrin atributet e imagjinatës dhe sikurit fantastik artistik. Artisti Kodra në gjuhën e pikturimit si gjetje, stil, rrymë, individualitet etj, është i aftë të krijojë realitetin e vet artistik në pikturë,me gjuhën e vet shprehëse artistike, për të gjitha idetë, në kohën e tij krijuese konsultohet me profilin e përzgjedhur, që e ka krijuar me kohë si vijimësi dhe ekzistencë të gjithëkohësishme si piktor. Gjetja e vetvetes në udhën e artit është gjurmë fondamentale krijuese dhe ekzistencë produktive për Kodrën. Në këtë mënyrë, ai i mundëson vetes të arrij atë që di të bëj si piktor. Kuadri pikturor si krijimtari artistike e tij, ka në shfaqje dhe strukturë edhe një fenomen tingëllues, i dukshëm, e pse jo, primitiv, naiv dhe skllavërues, që do të thotë, se rruga e pandryshueshme tipike, individuale, konceptuale, kulturore etj. ka qenë si mundësi e vetme krijuese në të gjithë karrierën dhe jetën artistike. Po të shikojmë,nga njëra pikturë në tjetrën, figurat gjeometrike i ka për të gjitha krijimet, si trajta një frymore e imagjinatës, duke i strukturuar në një emërues të përbashkët, ku takohen llogaritjet matematikore të ideuara si gjetje artistike për veprën e ardhshme apo të momentit krijues si frymëzim.
Ne që e vlerësojmë si preferencë artistike, futemi në muzikën e pikturave të Ibrahim Kodrës e në të njëjtën sens bindemi në gjetje, motive e mesazhe të tyre, sepse përmbajtjet janë të ditëve tona. Dhe ato kujtohen lehtë: një këngë, një kujtim dhe një kohë që shfaqet si ngjyrë, si mollë, si muzikë. Të gjitha këto përbëjnë botën e artit të tij. Siç e shikojmë edhe në pikturë, pikturon vetminë, ëndrrën si nevojë e si nostalgji. Piktura është mjeshtri. Kodra e ka firmën dhe vulën e tij në kohën e vet. Para syve tanë si shqiptarë dhe botës së qytetëruar, ai është një profil i veçantë në llojin e vet, një brez për ne,një vitrazh i qytetëruar. Udhëtarët e Kodrës janë përmendore e paqes. Është i kapshëm për të gjithë si mesazh. Djaloshi me fyell e ka profilin dhe buzëqeshjen e hënës. Kodrën e gjejmë afër natyrës, edhe pse nuk e kopjon, ai atë e rikrijon. Krijimtaria e tij ka ndjeshmëri artistike dhe njerëzore, ka reflekset e poezisë simbolike, ka vlerësimet dhe rivlerësimet e shumta. E kaltra, e kuqja, e gjelbërta dhe e verdha, edhe pse me shkëlqimin e tyre përsëriten në disa piktura, të cilat brenda vetes ato krijojnë lirinë e vet, Ibrahim Kodra si krijues është i vetmuar. Në pikturat e tij nuk ka lëvizje të veçanta, mes pikturës për të gjitha figurat, idhujt, instrumentet muzikore në pozita ballore dhe dydimensionale. Kodra ecën rrugës nëpër të cilën kishte kaluar një ditë ose shumë vite më parë. Për të fituar gjendjen e duhur, pajtohet me atë që e ka thënë dikur. Formimi i personalitetit të tij identifikohet me moralin. Fantazia, për të si piktor, nxori në dritë metaforën e re. Vizioni artistik i tij është vazhdim i ëndrrës. Kodra në jetë dhe në krijimtari artistike nuk ngutet dhe vepron. Hapësira e pikturave të tij në tërësi dhe në veçanti e ka një religjion, një frymë mitologjike. Sipërfaqet gjeometrike në pikturat e tij marrin vlerën e një takimi të ëndërruar. Në një paradë, ku shihet parakalimi i ushtarëve, koha ka hapin dhe profilin e njëjtë. Kodra është i sigurt. Jeton nga fshehtësia e një vetëdijeje. Në veprën e tij praktikisht aplikohet pushteti sovran. Origjinaliteti i tij është gjithmonë i njëjtë, i mjaftueshëm, i njohur. Edhe pse njohu qytetërime dhe hapësira të stileve të ndryshme artistike, ai u ndal aty ku e pa ëndrrën e vet.
Në Milano të Italisë, si piktor, Kodrën e kam parë disa herë në studion e punës, si e fillonte ditën e vet krijuese artistike. Me lëvizjet e para, asgjë nuk rrinte pezull. Gjatë pikturimit caktonte hapësirat dhe pjesët e veçanta. Kjo s’ishte vetëm matematikë, as shpikje. Aty kërkoheshin lidhjet shpirtërore me botën e re. Aty ishin ngjyrat, brushat, muret e bardha, pikturat, tryezat e punës, dritarja dhe drita e diellit. Dhe pa vështirësi sipërfaqet fillonin të mbusheshin me ngjyrë, por jo me çdo kusht. Për veten, shprehej Kodra “Herët, jo në fillim, e gjeta një çelës. Një çelës jo për të hapur dyer të zakonshme, por të pahapura”. Me kënaqësi të madhe pikturon detin dhe këtë e shikojmë në një nga pikturat fondit te Galerise se tij. Shihet se e kaltra ka qenë fëmijëria e tij, me ngjyrën e kaltër krijoi një mijë e një piktura të bukura dhe me kohë përsosi shijen. Personaliteti i Kodrës në pikturë është sovran dhe i veçantë në stil, rrymë, individualitet krijues.
Katërkëndëshi gjeometrik artistik i Kodrës është gjenial. Në të krijohet dhe lind portreti. Aty fillon lidhja e dashurive të tjera. Në pikturat e tij udhëton muzika, ajo nuk pushon së ekzistuari. Me një kubizëm lirik, Kodra, dëshiron të ndalet në rrafshin e emocioneve. Imagjinon fakte i vetëdijshëm, për sukses, di se kur dhe ku duhet të ndalet. Kodra, në krijimtarinë e tij artistike, respekton lirinë e vet krijuese, ëndrrën e shndërron në realitet. E kërkon ditën kur janë të pranishme dielli dhe hëna. Nuk e kupton veten pa zgjidhjen e finesave dekorative. Shkëlqimet e natyrës së vogël në pikturën e tij janë detaje të bukura. Natyra e stilit të tij ka qenë e fuqishme. Kur flasim dhe shkruajmë për piktorin Ibrahim Kodra si vlerë kombëtare dhe nderkombetare,ky shpirtërisht dhe artistikisht mbetet gjithmonë brenda jetës shqiptare. Portreti i Kodrës është krijuar si një hyjni, me fytyrën e vet shqiptare, evropiane dhe botërore.

                                                                                                               Ndini R. Bardhi
                                                                                                            Piktor shkrimtar