e hënë, tetor 07, 2013

KONCEPTIMI UNIVERSAL I KRIJMTARISE







Studimi i strukturës konceptuale nga krijuesi shkrimtar merr rëndësi dhe dimensione analitike e përparësi të gjithanshme letrare. Nisur nga parimi i pavarësisë së letërsisë, krijimtaria e shkrimtarit bart tregues thelbësor të konceptit  letrar, që do të thotë se vepra letrare e ardhshme nuk është një riprodhim i realitetit, por një interpretim artistik. Ajo, realisht është shprehje e figurshme e një realiteti estetik sepse në strukturën e saj ka shtresime të metaforës, alegorisë e trillimit fantastik.
Si e tillë, ajo ka pavarësi nga realiteti objektiv jetësor, social e natyror, por jo në mënyrë absolute. Reflektimi i drejtpërdrejt i këtyre realiteteve prej shkrimtarit në konceptin e veprës që po shkruhet karakterizohet nga shkalla e lartë e simbolizmit, alegorisë dhe trillimit.
Letërsia si vlerë shpirtërore e vetë shkrimtarit dhe e të tjerëve merr atributet e një energjie emocionale kur futet si ekzistencë në kontekstin individual dhe shoqëror e të kulturës së një kombi të qytetëruar. Konteksti si një pasqyrë reflektuese e veprës letrare nënkupton një diapazon të gjerë analize (analitike), sipas të cilit shtysat e fshehta të veprimeve njerëzore në vepër vijnë nga thellësitë e nënvetëdijes. Në këtë lloj vepre, e brendshmja shpirtërore e krijuese e shkrimtarit, gjatë rrjedhës së vet të padukshme merr hovin shpërthyes nga ndjenjat e fshehura të personazheve që jetojnë në subjektin e tij të përzgjedhur që më herët. Ajo që duhet vlerësuar si një dukje e dukshme tek shkrimtarët, në veprat e tyre, ndikimi i filozofisë ekzistencialiste, tematika, konceptimi e shtjellimi artistik i tyre, përbëjnë kuptimësinë absolute të jetës dhe njeriut si ekzistencë motorike të saj.
Hulumtimi i këtyre refleksioneve konceptuale ndihmon për të ndriçuar protorealitetet e veprës artistike, lëndën e parë të saj, motivet, zanafillat frymëzuese, burimet e informacionit e anë të tjera të saj. Ato vlejnë edhe si lidhje tërësore të veprës dhe si kriter vlerësimi të saj në të njëjtën sens të krijimtarisë letrare.
Letërsia duke qenë produkt shpirtëror subjektiv i shkrimtarit, natyrisht pasqyron shumë nga bota e brendshme e tij, nga mbresat, kujtimet, emocionet, përjetimet e ngjarjeve e të dukurive jetësore. Veprimtaria krijuese letrare është absolutisht individuale si vetvete e shkrimtarit, e cila, kur ajo me vlerat reflektuese tek të tjerët krijon lidhje shpirtërore e artistike, kthehet në produkt shoqëror. Një ndikim të rëndësishëm në krijimtarinë letrare të shkrimtarit përbën origjina dhe eksperienca biografike si një kyçe për zbërthimin e konceptit letrar të veprës. Historia e letërsisë dhe e arteve i vlerësojnë shumë krijimet letrare autobiografike të vetës së parë apo të unit si vetvete, si më të mirat, sepse biografia e shkrimtarit quhet një gjetje këndvështrimi kontekstor, jashtë normave apo parimeve të njohura letrare. Ajo ka vlera të sinqerta shpirtërore e të besueshme për të tjerët, e në të njëjtën kohë, në sytë e të tjerëve, lexuesit e publikut është e vështirë të operosh vetveten, sepse për hir të së vërtetës çdo krijues ka sekretet e jetës private e s’mund të bëhen publike. Shkrimtari i vërtetë profesionist i merr temat, motivet, subjektet e detajet e krijimit artistik nëpërmjet njohjes shqisore të drejtpërdrejtë, si vrojtues ose pjesëmarrës në ngjarjet e dukuritë e jetës, ose dhe nëpërmjet njohjes indirekte racionale, imagjinare e më gjërë. Ai, nëpërmjet përpunimit në laboratorin krijues, organizimit ideoestetik të tyre në zhanrin e përzgjedhur, përcakton natyrën dhe vlerën e veprës. Madje eksperiencat krijuese të autorëve të ndryshëm tregojnë se shkrimtari me aftësitë krijuese të tij është në gjendje të përçojë në vepër elementë të botës subjektive të tij nga më të ndryshmit, dhe për personazhe me qëndrim të kundërt veprimi. Jeta e shkrimtarit nuk përputhet dhe nuk mund të njëjtësohet me veprat e tij krijuese.
Edhe biografia dhe origjina e shkrimtarit është faktor konceptual, jashtëletrar, si e tillë ajo shërben si metodë ndihmëse për kuptimin e shpjegimin e veprës letrare e artistike në formë e në përmbajtje. Biografia si origjinë dhe jetëshkrim i shkrimtarit përbën vetveten e tij si njeri dhe krijues vlerash shpirtërore. Shkrimtarë e artistë të çdo kohe me krijimet letraro-artistike të tyre apo rrymë letrare, kanë estetizuar jetën dhe njeriun e ditës si objekt dhe subjekt kryesor të veprës. Koha si kritike moderne bën vlerësime e rivlerësime objektive të veprës letrare, veçon veprën nga qëndrimet politike të shkrimtarit e artistit, veçon ato të nivelit të diskutueshëm apo me përmbajtje tejet të politizuara dhe afirmon ato vlera të vërteta letrare që i qëndrojnë vertikalisht dhe horizontalisht kohës së sotme,shekujve dhe brezave të njerëzve artdashës të kulturuar e të qytetëruar. Veprat e spikatura me përmbajtje filozofike për jetën, njeriun dhe universin çmohen lart edhe sot në të gjithë botën.
Poeti apo prozatori, në mënyrën më origjinale e të krijimtarisë së tij, për poezitë apo prozat që i sjell si gjetje të reja, krijon figura e teknika artistike të reja, struktura, mjete gjuhësore e stilistike të veçanta, në stilin dhe individualitetin tipik të tij. Ai, natyrshëm në krijimtari, në mënyrë preferenciale do të zgjedh e në vijimësi krijuese, do të ndikohet nga një rrymë letrare si drejtim dhe zgjidhje të ecjes në procesin e punës letrare. Cilido krijues i vërtetë, sado i zoti qoftë, do të ndikohet e tundohet nga rrymat e drejtimet letrare të kohës e të ekzistencës së tij. Ai (ajo) nuk mund të afirmohet për një ditë dhe me një vepër, por, mbas një karriere të gjatë krijuese, konkurruese e shpalosjesh në publik e më gjërë. Këto elementë si faktorë të ecjes përpara në krijimtarinë letrare për çdo krijues, përbëjnë themelin e kontceptit letrar, vendin që zë vepra e re e tij në kuadrin e krijimtarisë si proces i gjithëkohshëm e i pandalshëm. E në vijimësi të mëtejshëm krijimi, kërkohet një analizë letrare se ç’të reja ka sjellë ai në krahasim me veprat e tjera në konceptimin ideotematik e estetik, sa dhe si e ka pasuruar e përsosur stilin dhe individualitetin krijues si vetvete në një shkallë më të lart.
Kjo është arritje për krijuesin shkrimtar dhe opinionin letrar, si reflektim ndaj prirjeve e vlerave pozitive artistike. Çdo letërsi e veçantë, qoftë edhe ajo kombëtare, në vetvete, është një sistem universal të cilën e shquan gjuha e fryma kombëtare, klima letrare, traditat kulturore, ngjyresat tematike, psikologjike, zakonore etj. Letërsia e veçantë ka krijuar hierarki vlerash, përvoja origjinale e stile individuale, ka zhvilluar e përsosur gjinitë, zhanret e metodat krijuese.
Vepra e re letrare nuk lind në një truall të shkretë, por në një klimë të tillë. Ajo merr jetë, zhvillohet e interpretohet brenda sistemit letrar kombëtar që i përket. Detyra e kritikut dhe e studiuesit është të përcaktojë realisht rrezen dhe orbitën e saj në këtë sfond vlerash. Referimi krahasues e analizues i këtij sfondi vlerash çon në interpretime objektiviste e vlerësime emocionuese, çka do të thotë së në letërsi, për autorë e vepra të mirëfillta, si gjetje sugjestionuese me vlera të spikatura artistike, autori, me këtë vëllim, sjell risi në fushën e letrave shqipe edhe kur është në kërkim të përhershëm; ky vëllim, qoftë roman, poezi etj. hyn në fondin e artë të kryeveprave të letërsisë së sotme.
Letërsia shqiptare dhe vepra letrare në sfondin gjinor të letërsisë botërore, me gjithë veçoritë e saj, nuk është absolutisht e shkëputur dhe e pavarur, përkundrazi është pjesë organike e procesit dhe universit letrar botëror. Ajo u përshtatet e u nënshtrohet ligjësive të përgjithshme të letërsisë, ndikohet nga rrymat e drejtimet letrare me karakter rajonal e planetar, nga stilet, teknikat, përvojat krijuese të letërsive të tjera, madje dhe të autorëve të veçantë. Çdo vepër e krijuar, roman, poezi e tregim, që është botuar, duhet vlerësuar në konceptin  e asaj çka është krijuar që në hershmëri e deri më sot. Kjo traditë krijuese e vlerësuar nga koha dhe njerëzit ka dalë si dritë e përjetshme rrezatuese që nga lashtësia.
Rrjedha letrare në këtë koncept, në gjithëkohësi, realisht e në praktikë tregon referimin e krahasimin në rrafshin gjinor me veprat e autorët më të shquar të letërsive të vendeve të tjera, e në të njëjtën kohë, dhe teoriko-estetik, përkatësisht me poetikën letrare nga është ndikuar shkrimtari, qoftë ai prozator, dramaturg, poet etj.
Ideatorët e studimit të konceptit, të shkëputur nga konteksti i saj letrar, mbështeten në teoritë postmoderne të intertekstit, hipertekstit etj. Për intertekstin ka teori nga më të ndryshme, që e bëjnë të diskutueshëm dhe hipotetike. Dikush mendon se interteksti është fushë e përgjithshme e thënieve anonime, origjina e të cilave rrallë është e besueshme, e citateve të pavetëdijshme, që kërkojnë shpjegime. Koncepti i intertekstit është ai që i sjell teorisë së tekstit volumin e socialitetit; është tërë ligjërimi i mëparshëm, që vjen në tekst jo sipas një degëzimi e imitimi të vrullshëm, por sipas një shpërndarje imazhi, që siguron në tekst jo statutin e një reproduksioni, por të një produktiviteti vlerash. Tjetër mendim është se hiperteksti është qarkullim i teksteve te konceptuara. Njohja e këtyre teorive është me rëndësi për kuptimin e zbërthimin e strukturës konceptuale tekstore të krijimeve letrare.
Vepra letrare, duke qenë pasqyrim i figurshëm i realitetit, ose rikrijim apo sajim realitetesh imagjinare, nuk ka qëllim kryesor të informojë lexuesin për çka shtjellon, por t’i përcjellë atij një mesazh estetik. Madje, shkrimtari në saj të talentit të tij krijues e përçon mesazhin në mënyrë të tërthortë, të fshehur, me nënkuptim, nëpërmjet alegorisë, simboleve e parabolave. Vepra artistike në mënyrën më bindëse merr edhe nëntekstin e vet, i cili zbulohet e zbërthehet nga studimi i brendshëm i tekstit dhe nga studimi i jashtëm i kontekstit të saj, pra del në pah si rezultante e tyre. Në krijimtarinë letrare e në krijime të përbotshme e të gjithëkohshme, mesazhi njerëzor nga shkrimtari dhe artisti, del nga realiteti jetësor, nga metafora, simboli, alegoria, të cilat ndjeshëm rrisin peshën e konceptit të veprës letrare, dhe analizën e tekstit letrar.
Letërsia dhe libri që konceptohet brenda letërsisë në shekullin tonë, për shoqërinë njerëzore është kult vlerash shpirtërore dhe kënaqësish estetike, që krijon në shtratin emocional të njeriut dhe njerëzimit në gjithëkohësi.
Arti letrar dhe artistik lumturon shpirtin e njeriut, lumturon njerëzimin, realizon katarsisin letrar, kumton me gjuhën njerëzore të pathënat e kësaj jete, pikërisht ato që s’mund ta bëjë asnjë dije tjetër shoqërore dhe asnjë formë tjetër e komunikimit të mesazhit drejt lexuesit si botëpërceptues dhe bartës i gjithçkaje të bukur në këtë botë universale njerëzore.
Letërsia dhe shkrimtari në misionin e tyre shpirtëror, estetik dhe emocional, sintetizon shpirtin njerëzor, shenjtëron jetën, memorien individuale dhe kolektive, botën si univers, si një emocion hyjnor energjie e përjetshme.
Libri është i shenjtë, sepse me të ne ndjejmë e bashkëndiejmë jetën, me librin bashkudhëtojmë drejt lumturisë së dëshiruar dhe të pakufishme.

                                                                                                Ndini R.Bardhi
                                                                                                Piktor, shkrimtar