Prof.dr.
Eshref Ymeri
Hyrje
Çdo vepër me të vërtetë artistike, pavarësisht
se ç’gjinie i përket, është e çmuar për faktin se ajo i përcjell lexuesit
energji frymëzuese, ia ndez shpirtin me ide të reja. Dhe lexuesi, pasi është
njohur me përmbajtjen e saj, e ndien se diçka ka shpërthyer brenda qenies së
tij, se diku, thellë në vetëdijen e tij, është vënë në lëvizje një reaktor i
çuditshëm.
Pikërisht ndjesi të tilla përjetova kur
mbarova së lexuari romanin “Kojrillat” të
shkrimtarit Fatmir Terziu, i cili, në botën shqiptare, tashmë është i mirënjohur
si një personalitet i shquar në fushën e letrave dhe të kulturës kombëtare.
Fabula
e romanit
Fabula e romanit është me të vërtetë
origjinale, çka dëshmon se ajo ka ardhur duke u pjekur gjatë viteve të tëra kërkimesh
dhe përsiatjesh të shkrimtarit. Fabula në këtë roman të kujton atë punën e
rrufesë: për ditë të tëra vjen e grumbullohet elektricitet mbi sipërfaqen e tokës
dhe kur atmosfera është ngopur me të deri atje sa s’mban dot më, atëherë retë e
bardha, me dendësi vorbullore, vijnë e shndërrohen në re të zeza dhe
elektriciteti i grumbulluar mes tyre, jep shkëndijën e parë, rrufenë, fill pas
së cilës shpërthen një rrebesh i vërtetë.
Kjo fabul interesante,
ashtu si puna e rrufesë, është selitur me vite të tëra ne vetëdijen e
shkrimtarit, të pushtuar nga mendime të thella, nga ndjenja të ngrohëta dhe nga
shënime të pasura që janë prehur gjatë në kujtesën e tij.
Romani “Kojrillat” doli në dritë në një periudhë të tillë që lidhet me
100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Prandaj edhe frymëzimi i autorit për
krijimin e tij është me të vërtetë mbresëlënës. Duket qartë që frymëzimi ka hyrë
në qenien e tij si një mëngjes pranveror plot shkëlqim që sapo ka flakur tutje
mjegullën e natës së qetë, të spërkatur nga vesa. Dhe afshin e këtij frymëzimi lexuesi
e ndien në fytyrën e vet kur ai i frymon me freskinë e vetë shërimtare.
Turgenjevi thoshte se frymëzimi
është afrim pranë Zotit, është përndritje e njeriut me mendim dhe me ndjenjë.
Ai fliste me ankth për një torturë të padëgjuar që përjeton shkrimtari kur ai
fillon ta hedhë në letër këtë përndritje me anë të fjalës.
Me frymëzimin e vet, shkrimtari
Fatmir Terziu ka pasur si pikësynim të përqendrojë të gjitha
fuqitë dhe aftësitë
e veta mendore në një pikë: në zbulimin me nëntekst artistik të arsyeve që çuan
në vrasjen e heroinës së romanit. Kjo ka kërkuar një punë hulumtuese
disavjeçare. Ai nuk ndalet në kurrfarë arsyesh konkrete, por, si mjeshtër i
fjalës artistike, ia lë lexuesit të përsiatë dhe të nxjerrë përfundimet e
duhura. Kjo mënyrë rrëfimi, thotë poeti dhe dramaturgu austriak Franc Griplarcer (Franz Grillparzer - 1791 - 1872), ka më shumë për qëllim të pasqyrojë një
ngjarje të veçantë, që mandej lexuesi të ketë se për çfarë të përsiatë, të
nxjerrë përfundime dhe të bëjë përgjithësime.
Nënfabulat
befasuese
Fabula e romanit është pasuruar me një sërë nënfabulash
befasuese, të cilat i shpalosen lexuesit si në një ekran të gjerë kinemaje, ku operatori,
me sqimën e vet karakteristike, shfaq mjeshtërisht para spektatorit pikërisht të
tilla copëza jete me përmbajtje fort domethënëse që atij ia ngrenë zemrën peshë.
Mjeshtëria e autorit, edhe në lëmin e artit
kinematografik, i ka lënë gjurmët e veta edhe në këtë roman.
Regjistri i ngjarjeve që
shtjellohen me aq art në roman, ka një shtrirje të gjerë kohore dhe hapësirore,
brenda një kontinenti dhe përtejkontinenti. Ndërlidhja e tyre është mahnitëse.
Nga kryeqytetet evropiane, ato vijnë e zhvendosen në një qytet apo në një fshat
shqiptar, ku autori, herë pas here, si në një mbitrazë heshturake, përshkruan që
nga lart mjerimin ekonomik, në të cilin është katandisur njeriu i shkretë atje
poshtë, në “odën shkëlqimtare”, nën pushtetin e “hyjnive” komuniste.
Heroinën
e romanit, të vrarë me helm, e cila mbante me vete dokumentet e shpalljes së
pavarësisë, autori na e ka skalitur me daltën e një skulptori tërë merak.
Figura e saj del në roman herë e trupëzuar, herë mitike, herë e pranishme, herë
ireale. Zhdukja e saj është enigmatike dhe zbulimi i së vërtetës mbetet përtej
caqeve të së mundshmes. Kjo heroinë e zhdukur përfaqëson një simbol me një
kuptim mjaft të thellë: shqiptarëve duhej t’u zhdukej e vërteta për shpalljen e
pavarësisë, se shqiptarët “nuk e meritonin” pavarësinë, se shqiptarët “nuk janë
komb”, se shqiptarët “janë ca fise pa histori”, se shqiptarët “nuk kanë pasur”
gjuhë, se shqiptarët “nuk janë rrënjës” në Ballkan, se shqiptarët janë popull
“pa tradita”, se shqiptarët janë popull “pa kulturë”, se shqiptarët janë popull
“barbar”. Pseudoshkenca evropiane, me mbështetjen e fuqishme të politikës, kështu
i ka pas trajtuar shqiptarët tradicionalisht. Prandaj figura e heroinës së
zhdukur të romanit përbën një përgjithësim mjaft të goditur artistik.
Një
mënyrë origjinale.
Kërkimin artistik në këtë roman shkrimtari
Fatmir Terziu e ka mishëruar në një mënyrë origjinale. Me fantazinë e vet
krijuese, ai është endur gjatë nëpër labirintet e së kaluarës së largët, me qëllim
që lexuesit t’i dhurojë një vepër artistike me një tingëllim mjaft aktual. Kjo është
një gjetje mjaft e qëlluar. Krahas kërkimit të kësaj natyre të formës së mishërimit
artistik, ai, tek endet gjatë në të kaluarën e kahershme, për të dalë te
realiteti i ditëve tona, bën një ndërkëmbim të ngjarjeve në një mënyrë
befasuese. Pikërisht kjo mënyrë rrëfimtarie më sjell në kujtesë poemën e Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe -
1749-1832) me titull “Hermann und Dorothea” (Hermani
dhe Dorotea). Gëteja, shumë kohë, para se t’i hynte punës për krijimin e
poemës në fjalë, qe interesuar për një anekdotë se si qenkej rrëfyer ajo në
zanafillë për dëbimin e protestantëve nga Salcburgu
(Salzburg). Por kuptimin më të thellë kjo anekdotë e përftoi
kur ngjarjet e luftës së koalicionit kundër Napoleonit në vitin 1813, sollën si
pasojë situata të ngjashme dhe Gëteja, nën
ndikimin e tyre, gojëdhënën e kahershme e solli drejt aktualitetit.
Gjatë përshkrimit të
ngjarjeve, autori ka shtegtuar në një mënyrë mjeshtërore në të gjitha regjistrat
e gjuhës, nga stili bisedor, thjeshtligjërimor e deri në stilin libror, nga e
folmja dialektore e një fshati diku në Shqipërinë e Mesme, në gjuhën
profesionale të dr. Smithit të sferës së jurisprudencës, me të cilën shtjellohet
rrëfimtaria ose ndërtohet dialogu për zbulimin e krimit kur është fjala për
vrasjen me helmim të heroinës së romanit. Se domosdo, çdo vepër artistike që një
krijues e thur në fantazinë e vet, ka edhe një formë të caktuar shprehjeje.
Dy
forma interesante
Dy forma shprehjeje interesante që përdor
autori në këtë roman, janë rrëfimi në vetën e parë dhe dialogu. Le të kujtojmë
për një çast se si e nis rrëfimtarinë në vetën e parë heroi kryesor i romanit,
Granit Jetoni. Ai merr përsipër rolin e rrëfimtarit të çdo personazhi me të
cilin ka të bëjë. Në këtë lloj rrëfimtarie vihen re pluset e veta. Rrëfimtari
Granit Jetoni e ndien veten lirshëm, nuk përjeton kurrfarë druajtjeje, rrëfimi
i tij merr notat e stilit epistolar. Veç kësaj, mënyra e të kallëzuarit të tij
në vetën e parë vjen e perceptohet si dëshmi e një njeriu që është i pranishëm
në zhvillimin e një ngjarjeje të caktuar. Rrëfimi artistik në vetën e parë nuk është
i lehtë, por autori ia ka dalë me shumë sukses gjatë përdorimit të tij në roman.
Kjo është dëshmi e pjekurisë së tij artistike.
Edhe dialogun autori e përdor
me shumë sukses, si mjet stilistikor, me qëllim që rrëfimtarisë t’i japë sa më
shumë gjallëri. Në këtë roman, shkrimtari Fatmir Terziu i lë dialogut kryerjen
e disa funksioneve:
Së
pari, autori
i jep larmi ligjërimit, duke e ndërkëmbyer monologun e autorit me dialogun.
Së
dyti, ai
riprodhon gjuhën e gjallë që është aq karakteristike për të folmen e
personazheve. Le të kujtojmë për një çast ngjyrimin karakteristik të kuvendimit
të njërit nga heronjtë kryesor të romanit, Lutfi Çelës, në një mjedis
fshatarak.
Së
treti, ai
e shpreh me butësi, me një gjuhë të mëndafshtë mendimin kryesor, “moralin” e rrëfimtarisë,
i cili, në parashtrimin e autorit, mund të tingëllonte ca si tepër moralizues.
Dialogu
dhe njeriu
Duke e pasur si pjesë të pandarë të tablosë së
jetës që është pasqyruar në këtë roman, dialogun artistik, si njërën nga format
e komunikimit dytësor, autori e përdor si mjet të rëndësishëm të realizimit të
funksionit estetik, specifika e të cilit kushtëzohet nga individualiteti i tij,
si krijues.
Duhet theksuar domosdoshmërisht
se në këtë roman njeriu përbën objektin kryesor të kërkimeve estetike të
autorit. Në rrëfimet e tij vjen shpërfaqet larmia e karaktereve të njerëzve në situata
nga më të ndryshme të jetës së përditshme. Dialogun në rrëfimtarinë artistike
ai e përdor në një mënyrë shteruese dhe e realizon nën prizmin e
individualitetit gjuhësor. Personazhi, në romanin “Kojrillat”, si një individualitet gjuhësor, është mbartës i vlerave
komunikative, me tipare të theksuara të formimit estetik.
Në
mbyllje të këtyre shënimeve
Në mbyllje të këtyre shënimeve,
dëshiroj të ndalem edhe në ca heroina të tjera të romanit në fjalë. Këto
heroina të heshtura janë kojrillat. Ato
pëbëjnë në këtë roman një simbolikë të shkëlqyer. Ato enden nëpër qiejtë e Evropës, sa në njërin shtet në tjetrin
dhe seç kanë një brengë që nga brenda i mundon, që shpirtin fort ua trazon, që
asgjë nuk i qetëson, që asnjë melhem zemrën nuk ua shëron. Ato e dinë se diku në
Evropë është vrarë një zonjë në fshehtësi, se ca dokumente janë fshehur me
djallëzi, se ca troje janë copëtuar me paudhësi, se një kombi ia kanë punuar me
pabesi, dhe ato nuk gjejnë dot kurrë qetësi, prandaj vazhdojnë e sillen nëpër
ajri, në pritje që të rivendoset një drejtësi, që haka të shkojë tek i zoti përsëri,
përndryshe ato nuk do të pajtohen kurrsesi.
Kushdo që e lexon këtë
roman, me siguri që ndien një forcë tërheqëse, një forcë që, siç thotë Platoni (428-348 p.e.r), të kujton forcën
e magnetit që përcillet nga hekuri te hekuri, ashtu si puna e frymëzimit të
muzave, i cili, përmes poetit, i përcillet lexuesit dhe dëgjuesit.
Santa Barbara, Kaliforni
27 shtator 2013