Zoti
shkrimtar, para se t’ju drejtoj pyetjet e mia si kolegu i juaj, po citoj një
pasazh nga libri juaj i ri, i porsadalë në dritë, i shkruar në gjuhën shqipe.
Pse?! Gjuha shqipe, në tingëllimet e saj, e kudondodhur, me përmbajtjen e saj
fisnikëruese arrin në çdo cep të Shqipërisë, trevave shqiptare dhe të
hapësirave të botës së qytetëruar që ne shqiptarët me krenari hulumtojmë. Gjuha
shqipe u jep identitet njerëzve, u jep pamjen burrërore dhe shkëlqen në
letërsi, art, këngë, muzikë, valle etj. Këtu ju shkrimtar, poet, artist të
kudondodhur i bëni homazh gjuhës shqipe, sepse e dini shumë mirë se ç’është
gjuha për ju, sepse e dini shumë mirë, ajo për ju në krijimtarinë letrare e
artistike, është lëndë e parë bruto, të cilën e përpunoni gjatë veprimtarisë
suaj krijuese.
Gjuha për çdo shkrimtar shqiptar është
instrumenti themelor i punës krijuese letrare, kurse lënda e parë për të janë
emocionet që pasojnë gjuhën;
Emocionet, si ndjenjë shpirtërore në
vetvete të shkrimtarit, shpërthejnë brenda një kodi të caktuar të tij për aq sa
i duhen në subjektin e ri letrar që ka në dorë dhe për më tej duhet theksuar se
është e pamundur për t’i shprehur të gjitha, sepse e tërë puna e tij është
luftë, është betejë me ato të pathëna të pritshme dhe inekzistente. Pra, këto
janë emocione të pashprehura që i shmangen gjuhës, e cila është mjeti bazë me
të cilin shkrimtari përpiqet që t’i arrijë ato. Lind pyetja, në ç’mënyrë arrin
shkrimtari i vërtetë të zotërojë ato ndjesi të vështira për t’u kapur?
Natyrisht, përgjigjja e pyetjes duhet dhënë në mënyrë letrare dhe filozofike,
të figurshme dhe plot fantazi.
Dhe këtë shkrimtari e ka zgjidhur
nëpërmjet metaforës. Ai përpiqet me tërë potencialin e tij kulturor të shprehet
jo në mënyrë analitike, por nëpërmjet fantazisë apo sikurit fantastik, pra,
nëpërmjet figurës. Nëpërmjet figurës metaforike., ai (shkrimtari) kap thelbin e
qenies së gjërave.
Dhe vazhdojmë (vazhdoj) më tej, por, a
duhet shkrimtari si krijues letrar të dijë apo të përjetojë gjithçka, në mënyrë
që me talentin e tij të jetë në gjendje të shkruajë (shprehë) të gjitha
ndjenjat brenda vetes në librin e ri të ardhshëm apo që e ka në dorë për ta
nxjerrë në dritë para lexuesve?
Natyrisht, shkrimtari i vërtetë përjeton
gjithçka rreth vetes e kudo, sepse është një njeri si gjithë të tjerët, që
jeton me njerëzit, me fenomenet e jetës së përditshme, me dramat dhe tragjeditë
njerëzore, me ngritjet dhe rëniet shpirtërore të njeriut, të cilat me artin e
tij letrar i përshkruan dhe i ngre në vlerë artistike dhe shpirtërore.
Gjithashtu përjeton si njeri dhe
shkrimtar vuajtjet e tmerrshme për ekzistencë të njerëzve që nga buka e
përditshme e deri te vuajtjet ekstreme antinjerëzore, e më tej, edhe gëzimet e
tyre në mes të kësaj bote të trazuar.
Në librin e tij, shkrimtari përshkruan,
nëpërmjet personazheve e ngjarjeve të jetës, vuajtjet e dilemat e tij për të
gjetur subjektin letrar mes dy botëve, të njërës botë, ku jetojnë njerëz të
pasur dhe tjetrës botë, ku vuajnë qindra e mijëra njerëz, që fatkeqësisht përbëjnë
shumicën e popujve të botës, e pse jo, edhe në shoqërinë shqiptare të ditëve të
sotme.
Shkrimtari në këtë botë njerëzore si
krijues i vërtetë letrar dhe artistik, i vlerëson këto dy këndvështrime ndaj
botës, të cilat janë plotësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Shkrimtari
shqiptar që në hershmëri të popullit shqipfolës (shqiptar) ka mbajtur një
qëndrim kombëtar ndaj realitetit të dy botëve, realist dhe objektiv, me theksin
e gjuhës universale të shqipes.
Nëse një shkrimtar shqiptar do të
përshkruante një pamje të realitetit, një skenë trishtimi, do të thoshte me
fjalët e zemrës poetike “Ah, sa vuan njeriu i sotëm, sikur vuan shpirti im!”
Për shkrimtarin ekziston vetëm një gjuhë e bukur poetike, e cila i bashkon të
gjitha dhimbjet, bukuritë, mirësitë e çdo gjë tjetër në këtë botë.
Libri, vetë akti i të shkruarit, ka
pasqyruar të tëra fenomenet, i ka sqaruar dhe i ka vlerësuar kundërshtitë në
një tërësi harmonike me të gjitha faktet e realitetit të përditshëm. Libri në
vetvete dhe shkrimtari në veçanti është art i shpirtit njerëzor, në të cilin,
në subjektet e tij letrare ka shumë kontradikta, por të gjitha këto
artistikisht qëndrojnë bashkë në harmoni. Që të arrihet kjo gjë, është shumë e
rëndësishme nga ana e shkrimtarit që të ndërtojë një konstruksion të tillë
fantastik, dhe më tej, që i duhet përsëri të rikthehet e të ripunojë me dhjetëra
e qindra herë materialin e shkruar (shënime) për të të arritur në koncentratin
final të subjektit në libër. Kjo është një punë e gjatë dhe sfilitëse.
Libri, si produkt i shenjtë shpirtëror,
me të vërtetë është i mrekullueshëm për çdo shkrimtar që e nxjerr në jetë, si
çdo nënë që nxjerr në jetë foshnjën e saj të porsalindur dhe, lumturisht e merr
në duart e saj këtë engjëll, i zbritur nga qielli hyjnor i të madhit Zot.
Kjo gjë është dhe ndodh edhe me librin,
edhe me shkrimtarin, edhe me lexuesin, edhe me shoqërinë, popullin, kombin dhe
gjithë botën mbarënjerëzore. Libri, si edhe fëmija, është i shenjtë jo vetëm
për shkrimtarin, por për të gjithë njerëzimin.
Fjalët e tij (shkrimtarit) të zemrës e
të shpirtit tani e përgjithmonë i gjen në libër, librin e ri, i cili në udhën e
jetës së tij s’do të ketë plakje, veç moshës së re. Nga eksperienca e letërsisë
jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri e kudo, libri i çdo kohe, viti, sistemi
politik, ekonomik etj., pavarësisht autorit, që është vërtet vlerë shpirtërore
dhe artistike, i ka rezistuar të gjitha tundimeve ideologjike e politike,
rrymave dhe izmave moderne, kërkesave dhe shijeve të lexuesve bashkëkohor të
ditës, realiteteve të reja konceptuale dhe kozmike. Shkrimtari, i ndodhur në
pozita kritike për veten dhe ndaj të tjerëve, është përherë në vuajtje, sepse
të shkruash është art, se gjuha dhe stili i të shkruarit janë mjet shprehës,
por në të njëjtën rrjedhë, si pa dashje, këto mjete mund ta fusin në udhë apo
kurthe të papara, të cilat kërkojnë zgjidhje për të shprehur diçka me vlerë në
fantazinë e tij kërkimore artistike. Puna e shkrimtarit është angazhimi i
pandërprerë i tij. Të shkruarit është akti i dëshpërimit shpirtëror, i
përditshëm, i vazhdueshëm në gjithëkohësi të jetës krijuese letrare. Për të
(shkrimtarin) thonë se është kënaqësi, gëzim. Nuk është e saktë, nuk është
lumturi, sukses, arritje, çudi, por vetëm vuajtje, skllavëri e tmerrshme,
dhimbje dhe torturë e pandërprerë.
E megjithatë, shkrimtari në jetën e tij
krijuese ka çaste kur shpërblehet për një punë kaq të madhe e produktive, e
vlerësuar dhe e çmuar.
Ka çaste gëzimi, çaste të një lumturie
totale, por që zgjasin sa hap e mbyll sytë. Gjithashtu, ndihet i shpërblyer kur
libri del në dritë (jetë), natyrisht në formën e tij përfundimtare para
lexuesve dhe publikut.
E më tej, kohë pas kohe, te shkrimtari,
në rutinën letrare krijuese shfaqet një mrekulli, që kompenson dhjetëra
sakrifica, dilema e zhgënjime. Kjo mrekulli për shkrimtarin, është libri i ri i
dalë në jetën e vetë autorit, në jetën e qindra e mijëra lexuesve në vendin e
tij e në gjithë botën. këtë moment, kjo mrekulli quhet Albania Europiane. Edhe
ne të gjithë e pranojmë se libri i tij (saj) është një mrekulli.
Për hir të së vërtetës shpirtërore dhe
njerëzore, e themi (e them) se çdo libër i vërtetë vlerash artistike e letrare
është një mrekulli. Të tillë janë pak në pistën e librave të shumtë, që botohen
e hidhen në konkurrencën e vlerave e të tregut. Libra të vërtetë që i
rezistojnë kohërave, shijeve apo preferencave të lexuesve me kulturë elitare ka
shumë pak, që do të thotë qartazi e shqip, se secili prej tyre (vlerave) duhet
të jetë një magji e vërtetë shpirtërore, emocionale, që ndikon efektivisht në
jetën tonë, timen dhe tuajën. Në rast të kundërt, nëse kjo nuk ndodh, atëherë
libri është i pavlerë dhe, si i tillë, ai duhet flakur.
Për një shkrimtar, gjatë procesit të të
shkruarit artistikisht dhe letrarisht, të jetë i besueshëm apo i natyrshëm ndaj
të tjerëve (lexuesve të tij), ka rëndësi esenciale lidhja me jetën e të
jetuarit të tij me realitetin e përditshëm ku jeton apo mbledh “nektarin” e
subjektit të librit të ardhshëm dhe përdorimi i fantazisë së tij në këtë proces
krijues. Eksperienca letrare, jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri, ka
vërtetuar shumë fakte krijuese, se shkrimtarët e përmasave të mëdha, gjatë
kohës që shkruajnë (shkruanin), fantazia, sikuri, hamendja, përtej të të
menduarit të zakonshëm etj. ka luajtur (kanë luajtur) rolin thelbësor dhe që
është e plotfuqishme realisht. Sigurisht, që çdo gjë e ka zanafillën e saj te
përjetimet e vetë shkrimtarit. Kur shkruan, kërkon vlerën e një gjëje
(gjetjeje) të veçantë shpirtërore, për të ndërtuar këndvështrimin e tij për
jetën, njeriun dhe botën me koncepte mbi pavdekësinë e pafundësinë.
E më tej, qëllimi është të zbulojë një
pjesë të përjetësisë te secili prej nesh dhe jo të shpërndajë iluzione të kota
në faqet e librit. Mbresat e kujtimet e jetës si vetvete, shkrimtarin e nxisin
për të shkruar, sepse pikërisht njeriu që bart këto kujtime tashmë është
krijuesi vetë (shkrimtari). Kur tek ai vërshojnë kujtimet, përsëri i përjeton
ngjarjet në një mënyrë të pazakontë, sepse kryen përzgjedhjen e momenteve të
rëndësishme për subjektin e ardhshëm të librit të tij të ri. Atëherë, dhe në
këtë mënyrë e ndien veten një shkrimtar të suksesshëm e produktiv. Të
rikujtosh, kur je shkrimtar apo artist, përjetimet e jetës tënde, do të thotë
të zbulosh shpirtin tënd njerëzor dhe krijues, e më tej, do të thotë të prekësh
të panjohurën te të tjerët. Roli i shkrimtarit si krijues është të përthithë
vlerat shpirtërore te njerëzit, për t’i bërë ato të vetat si një brumë i
shkëlqyer të subjektit të librit, që ka në dorë. Çdo person që e quan veten
shkrimtar, ka në qenien e tij amplitudën e lumturisë, suksesit, disfatës, të
fatkeqësisë e të gëzimit në rrugën e gjatë e të mundimshme të shkrimtarit të
vërtetë.
Çdo shkrimtar, në këtë jetë njerëzore
dhe letrare, nëpërmjet produktit vlerë të tij, librit magjidhënës, transformon
jetën e tij, jetën time dhe të tjerëve. Vetëm atëherë, ai ndihet i shpërblyer,
i motivuar dhe i përjetshëm si vetvete dhe krijues.
Ndini
R. Bardhi
Piktor, shkrimtar