e hënë, tetor 07, 2013

ENERGJIA E FJALËS SHQIPE





Një shkrimtar, si një krijues vlerash shpirtërore e artistike, në saj të energjisë së fjalës, shkruan vepra në një kohë të caktuar, duke krijuar karaktere njerëzish, tipa e personazhe të ndryshëm.
Fjala nëi vetvete është energji e ndjesisë emocionale. Fjala me intensitetin e saj shpues dhe rrezatues depërton në gjithë qenien e njeriut dhe brendinë shpirtërore të tij. Ajo ndriçon misterin e fshehtësisë, formulon mesazhin filozofik të veprës dhe gjithçka të frymëzuar dhe emocionale, e kthen në art. është një mesazh për kryefjalën e filozofisë së jetës, emancipimit njerëzor e shoqëror.
Fjala letrare dhe artistike e bën veprën vlerë shpirtërore dhe të bukur, tërësinë e elementeve të përmbajtjes e të formës, idesë dhe subjektit, në madhështi të mendimit njerëzor. Fjala është si jeta, fjala është si shpirti, ajo ekziston në qenien njerëzore si energji, që lëviz si materie e që sendërton mendimin, sikurin dhe fantazinë krijuese. Përpjekja për të gjetur fjalën magjike, atë fjalë që na duhet, atë fjalë që na sjell gëzim shpirtëror, ndjesi estetike dhe gjithçka të bukur në këtë jetë, është përpjekje për ekzistencë dhe dinjitet njerëzor. Ajo qëndron kudo, flitet dhe shkruhet nga njeriu më i thjeshtë e deri tek intelektuali, shpreh bukurinë dhe madhështinë e mendimit, thellësinë dehe shtresimet kuptimore. Fjala e bukur shqipe, për krijuesin e vërtetë, është këngë e përhershme në shpirtin e çdo njeriu (shqiptari), që hidhet bukur në pentagramin e solfezhit e të simfonisë si një jehonë e përjetësisë njerëzore. Është në kërkim të përhershëm, është në marrëdhënie me njeriun, me jetën e me gjitheçka që merr e nxjerr frymë në këtë botë. Në mendimin, në idenë, në konceptin, në filozofinë, në vargun e në rreshtin poetik e prozaik, ajo është energjia e frymëzimit, e emocionit, e vlerës shpirtërore e më tej, e produktit krijues, veprës. Te fjala energjike është materializuar ndjenja, fenomeni poetik dhe morali njerëzor. Eh, fjala duhet pakufishëm, duhet zgjedhur si poezi, si muzikalitet, si piktorike, e mbi të gjitha, si shpirtërore.
Fjala është thënie, referim, ka peshë, kolorit ylberi, aromë, figurë, ngrohtësi. Është tingull, jehonë, universale, peizazh. Fjala vepron, emocionon, vret, shëron. Fjala është gjithçka.
Për krijuesin, shkrimtar, poet, prozator, fjala është një bllok guri në themelet e ndërtesës krijuese dhe strukturë solide e ngrehinës gjuhësore letrare. Krijuesi si arkitekti i saj e çmon shumë peshën e fjalës që nga ajo e para e deri tek shkalla më superiore e saj, me atributet e veprës së kurorëzuar me sukses, me vlerën produkt.
Fjala si kryefjalë, si kryemendim, formon cilësitë cilësore të personalitetit të krijuesit, idetë, konceptet gjuhësore dhe kulturore të tij në veçanti e në gjithëkohësi. Fjala ka një peshë universale të komunikimit si mendim e si shprehje të një ideje e gjithçka tjetër, sepse në këtë shfaqje të dialogut e monologut njerëzor merr edhe një vlerë të veçantë edhe një fjalë tjetër, ajo e intuitës, e fantazisë dhe e sikurit fantastik te individ të veçantë.
Krijuesi, si mjeshtër i fjalës, di ta zgjedhë atë. Fjala për krijuesin, në procesin e krijimit, është bindje, besim dhe vetë suksesi i pritshëm. Nëpërmjet saj (gatuan) jetën, shpirtin dhe veprën njerëzore. Me të gjitha, ndërton veprën e tij krijuese letrare e artistike. E më tej, në mënyrë sfilitëse e dashurore, krijuesi, mendon për gjetjen e asaj fjale që në brendësi të saj ka energji emocionale e shpirtërore, ndjesi dhe shpërthim poetik. Fjala e zgjedhur letrare e artistike, prej tij, vjen si një natyrshmëri e lirisë shpirtërore, e çiltër në frymëzim, si estetikë në formë e në përmbajtje të saj. Fjala, si vetvete, të habit për leksikun dhe universalitetin e saj letrar e artistik, që ka në krijimtari, në ngrohtësinë e ndjenjës dhe në thellësinë e shpirtit njerëzor. Fjala hyjnore e njeriut dhe e produktit krijues merr vlera dhe kuptime filozofike të thella. Ajo është edhe simbol i njeriut si ekzistencë, i marrëdhënieve të saj me jetën njerëzore, e të gjithçkaje të bukur në këtë botë. koloriti i saj ka ngjyrime ylberi, nuanca në tone dhe nëntone të pafundme, si kult i së ngrohtës e së ftohtës. Të përdorësh bukur në krijimtari, energjinë e fjalës është një gjetje mjeshtërore e saj apo një shprehje e re, që del prej shtresave të pafundme leksikore të gjuhës. Fjala, kur përdoret për mirësi, ka një rrezatim ngrohtësinë njerëzore. Si vetë jeta, fjala shqipe është e shtrenjtë, është vlerë shpirtërore e shumëfishtë, është ndjenjë me tingëllim madhor, është gjuhë e folur në gjuhën e nënës dhe në gjuhën e Zotit në tokë e në qiell. Shqiptimi i saj është intimitet njerëzor, është vëllazëri, komunikim i ngrohtë dhe i përmallshëm. Tingëllon bukur kur e lexon, të mrekullon kur është poezi. Fjala shqipe në poezi tingëllon si magji, në pikturë vizaton, në skulpturë gdhend, në art modelon mjeshtërisht, në shpirt emocionon.
Krijimtaria me fjalën shqipe, si energji letrare dhe artistike, ndërton një strukturë të mrekullueshme vlerash shpirtërore, sjell një burim me rrjedhje të bukur estetike dhe simfonike.
Vlerën e fjalës shqipe e njeh çdo njeri, e njeh çdo shqiptar, e njeh çdo krijues i vërtetë vlerash, kur për subjekt dhe objekt real ka njeriun dhe fenomenet rreth jetës së tij.
E përtej, fjala shqipe si energji motorike e njeriut që jeton dhe krijon, shqiptohet e plotë shpirtërisht, sepse ekziston prej saj. Në rrjedhën e saj shikojmë bukur shëmbëllimin tonë si një vërtetësi hyjnore sikur të ishim Adami dhe Eva apo Ademi dhe Havaja, si një krahasim biblik i tyre. E këtë portret na e vizaton fjala më e bukur e botës njerëzore, fjala shqipe. Fjala si fjalë, si shpirt, si jetë vjen natyrshëm si dukuri fenomen, si kuptimësi e thellë filozofike, si gjithëkohësi me njeriun si qenie universale shpirtërore, morale, krijuese e graviteti të përjetshëm njerëzor. Fjala shqipe si një koncept i kohës moderne, i fenomenit të ri shoqëror dhe i filozofisë popullore, është thelbi i krijimtarisë, fabula dhe gjetja emocionale për krijuesin shkrimtar, poet, artist etj. Mendimi, ideja, koncepti, dukuria si dukje metaforike shfaqen në veprën krijuese artistike me forcën e fjalës shqipe, e kësaj energjie të pashtershme dhe jetike.
Krijuesi i vërtetë është adhurues i kësaj fjale hyjnore. Ajo, për të, sikur është një ylber shpirtëror i tij. Në këtë fjalë, ai sikur gjen frymëzimin, gjithçka që e magjeps dhe energjinë e jetës, që kërkon. Hapësira njerëzore nëpërmjet fjalës së bukur shqipe është hapësira më energjike e frymëzimit human dhe shpirtëror e krijuesit shkrimtar, poet, piktor, skulptor etj. Në këto hapësira, gjen kristalin e fjalës dhe të mendimit lirik e të natyrshëm për veprën letrare e artistike, që ka në dorëshkrim. në këtë mënyrë ka në dorë brumin kalorifik të gatshëm për idenë, strukturën dhe konceptimin e subjektit të zgjedhur me kohë.
Fjala shqipe, letrare dhe artistike në veprën e vizatuar artistikisht merr vlerën e ndjenjës, si një thelb estetik i mendimit dhe i koncentrimit, i formës dhe përmbajtjes së veprës. Më tej si vijimësi krijuese, ajo merr atributet e një projekti (projektimi) ku përthyhen vizione me kuptimësi të thella filozofike. Duke sjellë hap pas hapi cilësi përfaqësuese shpirtërore vjen natyrshëm edhe hapësira emocionale, që do të thotë artistikisht, se krijuesi i vërtetë, e shpirtëzon fjalën, personazhin njeri dhe subjektin letrar e artistik. Kjo fjalë magjike shqipe është brilante, universale në sjelljen, interpretimin, dhënien e mesazheve njerëzor dhe jetësor. Energjia e fjalës shqipe, në gjithëkohësi të jetës njerëzore shqiptare, ka qenë dhe është një energji e shenjtë hyjnore, puro shqipe. Në krijimtari të çdo kohe e deri më sot, fjala shqipe, shkruan, flet, mban gjallë, shpirtin e shqiptarit në shekuj, si një identitet, një origjinë, një komb, ekzistencë, si një mall e krenari, e më madhërishëm, edhe si një realitet i patjetërsueshëm shqiptar.
Krijuesi i dhembshur është i lidhur shpirtërisht me fjalën e shtrenjtë shqipe, si me fletët e një libri të shenjtë. dhemburia për fjalën e magjishme ka qenë dhe është si vetë shpirti, fryma dhe jeta e njeriut si njeri dhe si shqiptar i ndershëm dhe patriot, sa e hershme aq edhe e re. një mall i ndezur, një dhembshuri shpirtërore e përhershme dhe e pandashme në kohë e në breza njerëzish.
Fjala, si fjalë e shpirtit, e zemrës, si një jehonë e dashurisë për jetën, për njeriun nuk shkëputet artistikisht nga krijuesi shkrimtar, poet, prozator, artist, si një vazhdimësi e pashtershme, si vetë krijimtaria e tij.
Kjo fjalë shqipe hyjnore për çdo shqiptar e krijues vlerash shpirtërore, është në gjithëkohësi një energji jetëdhënëse për udhëtime të përjetshme, që vazhdon pafundësisht në shekuj dhe breza njerëzish.

                                                                                                Ndini R. Bardhi
                                                                                                Piktor, shkrimtar