Arti i të
shkruarit, në traditën e shkrimit letrar konceptohet si përjetësia njerëzore në
gjithëkohësi, dashuria e fjalëve të zemrës dhe të shpirtit të njeriut krijues
të lidhura me kuptime filozofike e ndjenjësore.
Në universin e pafundëm, aty ku Zoti i
gjithëfuqishëm ruan energjinë e shkrimtarit, ekziston një dashuri e madhe për
jetën dhe njeriun si ekzistencë, që e bën artin letrar të domosdoshëm dhe të
përjetshëm për ta.
Shkrimtari, si qenie shpirtërore
mistike, ndërton me penën e tij, botëra të ndryshme e të shumta, të cilat
njerëzimi tradicionalisht në shekuj i ka përjetuar ato, i ka bërë të vetat dhe
vazhdon t’i jetojë edhe sot si frymëmarrje (frymëzim) për të ekzistuar mbi këtë
tokë.
Shkrimtari i ngjason krijuesit të
gjithësisë, Zotit, sepse ai krijon nga asgjëja në këtë jetë universale
njerëzore dhe fenomenale me gjuhën e orakujve, të cilën e mishëron me
këndvështrime të shumanshme filozofike, kulturore dhe artistike.
Në traditën e shkrimit letrar jo vetëm
në botë, por edhe në Shqipëri ekziston një
dashuri (dëshirë) e madhe për letërsinë dhe krijuesin shkrimtar si
promotori i edukimit të ndjenjave
shpirtërore të individit (njeriut) në veçanti dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Te letërsia, çdo njeri sheh shpirtin e tij dhe të të tjerëve, prandaj këto
vlera jetësore ia dedikon librit si atribut më i madh i lumturisë njerëzore.
Vepra artistike vjen nga shpirti dhe i shërben frymës shpirtërore të jetës së
njeriut në këtë jetë dhe, si e tillë, kur një vepër letrare është një produkt i
mbarsur me jetë, bëhet një vepër ekzistente dhe e pavdekshme në shekuj dhe
gjenerata njerëzish.
Dhe pikërisht, kjo vlerë e bën letërsinë
dhe shkrimtarin një univers të vetëm e specifik në botën njerëzore dhe si një
përvojë shpirtërore e fuqishme në çdo kohë.
Arti i të shkruarit është një art
konceptesh i fjalëve të lidhura me kuptime filozofike, shpirtërore, dashurore,
jetësore, ndjenjësore etj. Shkrimtari si propmotor i të shkruarit, ndërton
botëra të çuditshme, të njohura e të panjohura, të cilat njeriu apo njerëzimi i
pëlqen, i përjeton, i admiron dhe i bën të tijat në jetën e përditshme. Në çdo
çast frymëzohet dhe lumturohet. Shkrimtari është qenia më sublime njerëzore që
me shpirtin, dashurinë dhe talentin e tij krijues ndërthur harmonishëm fenomenet
e jetës, dramat dhe tragjeditë e njeriut, shfaqjet e bukura dhe të madhërishme,
të këndshme dhe të shëmtuara etj. brenda një simbioze të caktuar letrare prej
tij, që për momentin e sotëm, të djeshëm dhe të ardhëm sfidon kohën e ngarkuar
me probleme njerëzore dhe që kërkojnë orientim, vizion dhe zgjidhje. Këtë
mision e ka kryer dhe e kryen shkrimtari i vërtetë dhe mishërues i jetës
njerëzore në këtë botë universale. Kjo gjë e bën letërsinë të nevojshme për
jetën, shpirtin dhe mendjen njerëzore, për domosdoshmërinë e një ekzistence të
përhershme dhe fondamentale. Është libri i letërsisë dhe shkrimtari i vërtetë,
ai (ata) që me fuqinë individuale tejkalon (tejkalojnë) idetë, mentalitetet,
konceptet e kohës dhe të njerëzve përtej të ardhmes së afërt dhe të largët,
duke shkulur gjithçka anakronike, të ngurta, regresive, të vjetra, të harruara
e shumë e shumë të tjera si këto. Kur vlerat e vërteta letrare dhe artistike
përbëjnë shtratin (themelin) e sigurt për shpirtin e njeriut (njerëzve), ato
rezistojnë si të tilla në çdo kohë dhe gjeneratë njerëzish. Të gjitha këto
sintetizohen mahnitshëm te libri, letërsia dhe shkrimtari modern bashkëkohor.
Veçanërisht një atribut të veçantë merr libri i cili, në çdo faqe, germë dhe
rresht ka fuqinë e shpirtit njerëzor.
Arti letrar apo libri i letërsisë ka
qenë, është dhe do të mbetet ndër vlerat më hyjnore për emancipimin njerëzor në
të gjitha aspektet e jetës së njeriut si individ, shoqërisë, kombit dhe më
gjerë, të gjithë njerëzimit në të gjithë botën. Letërsia gjithmonë në çdo çast
ka influencuar fuqishëm në shoqëri për progres dhe vizione të reja bashkëkohore
për të ardhmen. Pikërisht ky mision i fuqishëm letrar, që njerëzimi e mban
gjallë, krijon një univers të gjithanshëm shpirtëror për të dhe vazhdimisht e
kërkon, e investon, e admiron dhe e dashuron përjetësisht. Ky asociacion perceptimesh
e bën letërsinë, shkrimtarin, librin një vlerës supe riore dhe tërësisht
shpirtërore.
Letërsia, libri dhe shkrimtari në
gjithëkohësi historike, njerëzore ka ecur nëpërmjet prirjeve tematike ku më e
para prirje ka qenë tendenca për të bukurën dhe të shëmtuarën, për emocionalen
e të dobishmen njerëzore, të cilat përherë kanë qenë dhe janë kategori estetike
të mirëfillta. Nëpërmjet botës së madhe dhe të pakufishme të letërsisë, çdo
krijim letrar i shkrimtarit të vërtetë, është kthyer apo arritur një kulturë
individuale, shoqërore, kombëtare, globale. Ajo (letërsia) është hapësira
universale tokësore dhe kozmike ku shkruhen dhe shkrihen shekujt, kulturat,
dramat, tragjeditë jetësore dhe njerëzore e bukura, sublimja, e madhërishmja
etj. e kësaj bote njerëzore.
Për më tej, edhe sot në kohërat moderne
vazhdon të jetë një promotor i përcjelljes së ngjarjeve e motiveve në mënyrën
letrare e artistike, duke qenë përherë e lidhur me jetën dhe njeriun, madje edhe
pas qindra e mijëra shekujsh e breza njerëzish.
Për natyrën dhe funksionin shpirtëror të
letërsisë te njeriu dhe gjithçka në këtë botë, përkundër lashtësisë ekzistuese
të saj, bëhen pyetje të çuditshme e misterioze se si ajo (letërsia) ka qenë dhe
është e dashur për njeriun si individ, shoqëri e komb.
Mendimet, idetë, konceptet, përkufizimet
etj. e shumëllojshme për letërsinë, shkrimtarin dhe artin e fjalës janë të
shumta ende edhe sot, për atë se çfarë është dhe përfaqëson në vetvete
ekzistenca e kësaj energjie shpirtërore, me emrin letërsi. Megjithatë, mbas
shumë e shumë tezave e hipotezave për letërsinë nga studiues, estetë, kritikë
dhe shkrimtarë është arritur një përkufizim i pranueshëm, se letërsia,
përfaqëson në vetvete artin e shpirtit njerëzor, emocional, dashuror etj., e
shkruar me një ligjërim të veçantë brenda një strukture komplekse, që quhet
tekst letrar.
Letërsia dhe libri si produkt i
shkrimtarit, konceptohet brenda letërsisë si kult në vetvete i tyre, por, edhe
në të njëjtën vlerë shpirtërore për shoqërinë është dhe kthehet në kult në saj
të kënaqësisë që krijon tek ajo.
Pra, arti letrar, mbush shpirtin e
njeriut me optimizmin për të jetuar si njeri në këtë jetë me të gjitha të mirat
e saj, për të jetuar në paqe, vëllazëri, komunitet me të gjitha të drejtat e
njeriut si krijesë e Zotit. Atë, që s’mund ta bëjë asnjë dije tjetër
filozofike, shkencore, etj. apo formë tjetër e komunikimit të mesazhit drejt
perceptuesit njeri /lexues/, e bën letërsia, fjala dhe shkrimtari. Në mënyrë të
veçantë specifike, letërsia, gëzon mjete shprehëse të atilla, që nuk i ka
muzika, piktura, filmi etj. Ajo (letërsia) sintetizon artistikisht shpirtin
njerëzor, vetë libri si letërsi merr vlerat e shenjta të jetës dhe botës
njerëzore, i cili, me mesazhet e tij universale bëhet memoria individuale dhe
kolektive, ku shprehen (shkruhen) me emocione
njerëzore të shkrimtarit, të mirat dhe të këqijat e kësaj bote të
trazuar.
Për këtë libër të shenjtë, udhërrëfyes,
frymëzues etj., njeriu i çdo kohe e në çdo kohë ka nevojë për të si pjesë
(vetë) jeta e tij. Ai, natyrshëm, pa sforco e diktat, kthehet te çdo njeri një
vlerë (kërkesë) shpirtërore, që i krijon një kënaqësi apo lumturi të veçantë,
që e ngushëllon drejt optimizmit për të jetuar në kohën dhe cakun e jetës së tij
të caktuar nga Zoti; me librin në dorë e në shpirt ai ndien ndaj vetes dhe të
tjerëve, që të dojë e ta duan; me librin në zëmër, si të ishte një busull
orientuese në pikat e horizontit të jetës së pritshme e të panjohur, udhëton i
vetëm, ecën, bashkudhëton me të tjerët në drejtime me interesa të përbashkëta;
me librin në dorë, në sy, çdo njeri i sotëm dhe i të ardhmes përjeton dhe do të
përjetojë kënaqësi të veçantë estetike dhe bashkë me të (to) emocione, drithma
shpirtërore dhe trupore nga më të ankthshmet.
Librin dhe letërsinë çdo njeri i vërtetë
me botë të pasur shpirtërore e ndien, e dëshiron, e adhuron, e përvetëson si të
tijën edhe nëse ka subjekte dashurie, erotike, filozofike, letrare, artistike
(art, pikturë, muzikë etj.), dramatike e tragjike, madje edhe për më tej nëse
rrëfimi (tregimi, fabula, poezia) krijon makth, trishtim, tmerr, përsëri librin
nuk e lëshon nga dora, sepse i gjithë shpirti dhe qenia e tij është futur në
një botë tjetër, në një botë të shkruar në libër dhe nga shpirti i shkrimtarit,
si autor i librit.
Eksperienca e letërsisë dhe e librit jo
vetëm në botë, por edhe në Shqipëri, ka sjellë shfaqje apo fenomene interesante
te njerëzit (lexuesit) si ato të interesimit, të etjes për lexim, studim dhe
kulturë të gjithanshme, që do të thotë se te libri (romani, tregimi, poezia,
filozofia etj.), lexuesi i kujtdo kategorie gjen diçka nga vetja, jeta, karriera
dhe përditshmëria e tij. Në faqet e një libri të caktuar me subjekt jetësor,
real, i natyrshëm, i vërtetë i një autori (shkrimtari të njohur apo pak të
njohur), është pjesërisht ose totalisht jeta e tij autobiografike, e cila, në
sinkron përkon shumë i ngjashëm me jetën e lexuesit të preferuar të librit të
tij. Kjo ka ndodhur dhe ndodh edhe sot në dinamikën e jetës njerëzore kudo në botë.
Bota është e madhe, njerëzit dhe popujt e çdo race, kombësie e gjinie janë të
njëllojtë në luftëra, drama, dashurira dhe kulme të jetës njerëzore universale.
Prandaj, një libër apo letërsi është vlerë shpirtërore jo vetëm për individin,
por, për gjithë shoqërinë, kur ai është kurdoherë aktual, origjinal, i thjeshtë
në të thënë e në të shkruar, i bindshëm dhe i besueshëm për masën e madhe të
njerëzve të interesuar.
Lexuesi i mirëfilltë, qoftë ai model apo
empirik i librit në veçanti dhe i letërsisë në përgjithësi, shqetësohet me
objektet apo subjektet e stisura, të lodhshme e pa një mesazh për të dhe për të
tjerët, më tej, pikëllohet dhe sfilitet në peripecitë e tij, që shkakton
metamorfoza e një estetike letrare të padurueshme dhe të neveritshme. Por, lexuesi
i pasionuar është në gjendje të veçojë vlerën nga antivlera, të mirën nga e
keqja. Kur vepra (libri) është me interes vlerash të vërteta njerëzore,
letrare, artistike, shoqërore, natyrshëm dhe me kënaqësi përthithet nga lexuesi
i kulturuar, elita, sepse ai e quan (konsideron) apo e përjeton si fenomen
universal, duke e ndier shpirtërisht dhe në të njëjtën kohë ndien kënaqësi
estetike dhe emocionale nga ajo, për të dhe për shkrimtarin autor. Ky është
momenti më i rëndësishëm për çdo krijues shkrimtar, qoftë ai prozator,
tregimtar, dramaturg, poet etj., kur ai (ajo) natyrshëm krijon lidhjen dhe gjen
veten si vetvete dhe te të tjerët, i cili, me produktin vlerë hedh dhe merr
dashuri njerëzore, në të njëjtën linjë krijon modelin më të shkëlqyer të këtij konteksti
letrar, ku nga shpirti i pastër njerëzor i shkrimtarit si autor i këtij apo
atij libri, krijohet estetika e tekstit, të cilin e lexon/lexojnë, lexojmë, me
kënaqësi.
Njeriu i sotëm (lexuesi) dhe i çdo kohe
qoftë apo i sistemeve politike dhe ekonomike, ecën në shtratin e jetës plot
dramë, sakrificë dhe përthithjes nga varfëria e tejskajshme dhe ekzistencës për
të jetuar. Të gjitha këto, aktualisht ekzistojnë në realitet dhe të gjitha
përbëjnë çështje, probleme për individin, shoqërinë, politikën, qeverisjen
etj., por në të njëjtën kohë përbëjnë objekte dhe subjekte për shkrimtarin
krijues, të cilat, nëse këto i kontekstualizojmë brenda letërsisë shqipe,
lexuesi shqiptar e pse jo, edhe i huaj, do të ketë një makth shpirtëror të
paparë nga ky realitet dramatik, por përsëri, për hir të së vërtetës, lexuesi
shqiptar do ta lexojë këtë libër me ëndje të madhe. Në ndërgjegjen e çdo njeriu
të djeshëm dhe të sotëm ekziston një jetë e ngarkuar me probleme të pafundme,
që asnjëherë nuk gjetën (gjejnë) zgjidhje, por që mbesin përjetësisht në
kujtesë të hidhur, sidomos kur kanë elementë tragjikë.
Këto i përgjithëson si fenomene,
artistikisht dhe letrarisht letërsia, libri dhe shkrimtari me shpirt të madh
njerëzor dhe hyjnor. Letërsia, në shekuj e deri më sot në shekullin e 21-t ka
pasur dhe ka fuqi shpirtërore, paqeje, jetësore të zbusë e të tonizojë zëmrën
njerëzore e më tej, të mbajë gjallë jetën universale mbi këtë tokë. Ajo është
energji vlerash pozitive, e cila me dinamizmin e saj veprues riprodhon dhe mban
gjallë në kohëra dhe breza njerëzish të kaluarën e tyre, kohët, historitë dhe
pasaportën e identitetit të një individi, shoqërie dhe kombi.
Dhe më tej e hap pas hapi letërsia, libri
dhe shkrimtari në historinë njerëzore që nga mesjeta, me aftësitë e tij (tyre)
ka (kanë) interpretuar artistikisht nga hiçi (asgjëja) një realitet imagjinar
të së kaluarës me një sens historik e njerëzor, që është edhe sot specifik apo
tipik për kohën dhe njerëzit e sotëm.
Në rrjedhën e saj të pandërprerë,
letërsia, shkrimtari dhe libri hedhin themelin (themelet) e të ardhmes,
natyrisht, me perceptime të reja bashkëkohore dhe vlera shpirtërore përtej
imagjinatës. Në këtë mënyrë të krijimit, teksti i shkruar letrar emocionon
fuqishëm, bëhet në vetvete i freskët dhe riprodhues për më tej me degëzimet e
tij. Ndonëse, herë pas here, kthehet te modeli pararendës i traditës së vjetër,
përsëri kërkon dhe mbështetet te origjinaliteti i gjërave universale, që kanë
ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Pra, letërsia si vetvete, shkrimtari
dhe libri në shekuj kanë qenë të integruara nëpërmjet dialogut të autorëve
(shkrimtarëve), modeleve dhe kulturave të ndryshme historike, reflektimeve
përmes mesazheve specifike të kohës dhe jetës njerëzore, e më tej, elementëve
të së bukurës dhe figuracionit të mendimit filozofik, artistik dhe letrar.
Historia dhe letërsia, që në hershmëri të jetës njerëzore, nëpërmjet qindra e
mijëra shkrimtarëve, brezave dhe shekujve, tregon (tregojnë) të njëjtat
ngjarje, subjekte dhe realitete. Ato përbëjnë fakte të ndjeshme ngjarjesh,
emocionesh dhe tepër të vlefshme për çdo kohë, për çdo njeri dhe krijues
vlerash letrare.
Arti i të shkruarit konceptohet si art
filozofik, shkrimi konceptohet si art i fjalëve të lidhura me kuptime ndjesore,
shpirtërore dhe emocionale. Në rast se shkrimtari zotëron universin e tyre, ai
bën artin letrar të përjetshëm për njerëzimin në çdo kohë dhe breza njerëzish.
Shkrimtari me krijimtarinë e tij ndërton
botëra të ndryshme e të shumta njerëzore, të cilat njerëzimi përherë i kërkon,
i do, i admiron, jeton me to, ndien e frymëzohet nga to. Shkrimtari është qenie
hyjnore, sepse ai krijon nga asgjëja dhe universi i pafundmë i botës njerëzore,
duke i mishëruar në librin e tij të krijuar me mesazhe filozofike e artistike.
Ky është arti i të shkruarit, shkrimtari
si krijues vlerash shpirtërore, libri si bibël i fjalëve të shenjta dhe
jetësore.
Ndini R. Bardhi
Piktor shkrimtar