e hënë, tetor 07, 2013

· KRIJUESI, SUBJEKTI DHE REALITETI






Krijuesi i vlerave shpirtërore, qoftë shkrimtar e artist, është si vetvete në ide e në shpirt, përparimtar dhe vazhdues, i cili në çdo fjalë të shkruar përpiqet të krijojë një përmbajtje të re letrare e artistike. Nëse vemë në dukje misionin e tij, këtë e shikojmë nëpërmjet veprave të tij, vlerave të tyre estetike dhe emocionale. Në themel të tyre është krijuesi si prurje të mesazheve për jetën dhe njeriun në mënyrë të natyrshme, reale dhe jo imituese apo stisjeje. Piktori krijues në peizazhin e bukur natyror, si një gjetje apo këndvështrim poetik, sjell përceptimin vizual të tij si artist, i cili, nëpërmjet interpretimit sugjeron një mesazh të besueshëm nga ai që nuk ekziston. Ai me mjetet e shprehjes artistike, pikturon apo vizaton poezinë e natyrës dhe gjithë koloritin e saj emocional. Ai e ka gjetur këtë bukuri natyrore, sepse i ka ngacmuar ndjesitë e shpirtit, pamje të shfaqur. Me këtë gjetje, artisti, sjell në mënyrë direkte nga natyra impresione të papara si vetvete dhe adhurues i natyrës. Në këto hapësira sikur gjen shpirtin e frymëzimit dhe kthjelltësinë e mendimit, sikur ka marrë klorofilin e botës piktorike dhe poetike, sikur ajo (natyra) është një energji artistike e shpirtërore e tij. Për piktorin, shkrimtarin, poetin, muzikantin, hapësirat natyrore kanë qenë hapësirat e frymëzimit lirik, një peisazh në kohën e tashme, një projektim i shpirtit dhe hapësirës emocionale në gjithëkohësi.
Kjo krijimtari me këtë konstrukt të mrekullueshëm, me këtë rrjedhë të bukur estetike, ka një rrjedhë të bukur shpirtërore edhe për shkrimtarin, poetin, prozatorin, që ngjet si një simfoni e mrekullueshme emocionale dhe humane.
Për të krijuar vlera artistike dhe letrare, krijuesit i duhet të vërë në lëvizje, veç të tjerave edhe simbolet, metaforat, alegoritë etj. si fjalë magjike, që shtresojnë kuptime të thella filozofike. Në të njëjtën sens krijon edhe subjekte letrare dhe artistike që përçojnë natyrshëm traditën dhe parimin se arti i ri krijohet gjithnjë nga shtrati i të vjetrit. Subjekti i veprës së tij, në këtë rrjedhë krijuese është një reflektim brilant i botëpërceptimit ndjenjësor dhe moral. Krijuesi e vë firmën e tij të pashlyeshme mbi vepër dhe i jep një bukuri të pashpjegueshme imagjinatës krijuese dhe fantastike. Në vijimësi, krijuese të tij, për sa kohë që karakteri shpirtëror i periudhës i jep energji krijuesit dhe gjen rezultatin pozitiv në veprën e tij, ai natyrshëm do të ketë madhështi të caktuar vlerash e në të njëjtën kohë do të përfaqësojë për lexuesit dhe artdashësit e ardhshëm të panjohurën, të pashmangshmen dhe hyjnoren. Pra, ai hedh konceptin, dukurinë, qënien me mendimin e veprimin e dukshëm, që bëhet zëdhënës i një koncepti të shëndoshë e përfaqësues vlerash artistike. Gjithëçka është e drejtë e krijuesit dhe askush nuk mund të paragjykoj këtë zgjedhje efektive për punën e tij. Ai në saj të aftësive të tij krijuese, në kohën dhe jetën që jeton realisht, ndërton një model gjithëpërfshirës për edukimin, zakonet, artet e kohës së tij e gjithëçka njerëzore. Në mënyrën më origjinale e të vullnetshme vendos në veprën e tij çdo gjurmë të ideve, mendimeve, gjetjeve si një dukuri e qënësishme dhe e ndjesive emocionale.
Me vullnetin dhe këndvështrimin e tij, krijuesi i zgjuar, kërkon nevojën e thithjes së mendimeve të bashkëkohësve të tij, për të ndërtuar platëformën e menduar seriozisht prej tij, në mënyrë që të formësojë një koncept të qënësishëm vlerash.
Detyra e krijuesit në përhershmëri krijuese ka qenë dhe është të prodhoj vlera shpirtërore e artistike për të tjerët. Në saj të talentit individual, të penës, penelit e daltës, krijuesi i çdo fushe qoftë, në mënyrën më efektive e produktive, lëndën materiale letrare e artistike ta kthej në ndjesi emocionale. Kjo mendësi u jep vlerë çdo fenomeni njerëzor, sado abstrakte dhe pa formë të jenë.
Pra, vlerësimi i tyre në të mirën e misionit të letërsisë e artit, marrin seriozisht një përshtypje të thellë në ndërgjegjen e krijuesit, i cili me një koncepsion vizionar ndërton edhe veprën artistike në të tashmen apo në të ardhmen e afërt. Në vazhdimësi të kësaj mënyre të shprehjes dhe ndërtimit letraro-artistik të krijimtarisë, krijuesi do të udhëtoj pambarimisht në udhën e kontrasteve fenomenale me mjeshtëri, i cili tashmë di dhe ka njohje se në jetë dhe në natyrën njerëzore, ndodhin fenomene të çuditshme, ku subjekti lirik i lindur nga realiteti i gjallë, zgjojnë vetëdijen e tij për veprime të reja krijuese. Krijimtaria si vetvete është një potencial i pakrahasueshëm vlerash në shkallën më të lartë të bukurisë, e cila është në kërkim të zellshëm drejt lumturisë së qënieve njerëzore në këtë jetë. Historikisht, ka qenë detyra e letërsisë, arteve dhe krijuesëve shpirtëror, të edukojë njeriun (njerëzit) me përceptimin e së bukurës, e kësaj energjie hyjnore, që mban gjallë moralin, këtë madhështi kuptimore për jetën njerëzore, në gjithëkohësi.
Virtyti i artit, për krijuesin, në krijimtarinë e tij artistike, përbën konceptin filozofik të së mirës, njerëzores, të natyrshmes dhe shpirtërores. Dashuria dhe gjithë pasionet për jetën, janë vargëzues të ekzistencës si ekzistencë sepse rreth një strukturë të vetme është materializuar ndjenja në nivele sipërore të njeriut dhe krijuesit të mirë. Është, pikërisht energjia e mendjes njerëzore, që t’i japin plotësinë gjithëpërfshirëse mendimit, idesë, fjalës si ndriçues të botës, në bashkëveprim me shkrimtarin, poetin, prozatorin, piktorin etj. si zëdhënësa shpirtëror dhe artistik të shoqërisë dhe kombit të tyre.
Aftësia për të krijuar dhe për të dhënë vlera shpirtërore, përbën thelbin e krijuesit, si një gjetje e duhur rrezatimi dhe komunikimi që nga vetvetja, deri tek të tjerët.
Ajo (ato) varet nga thellësia e perceptimit të krijuesit ndaj jetës, njeriut, botës dhe rrethanave që e plotësojnë atë si qenie njerëzore që jeton, asimilon dhe prodhon të mira dhe shumë të mira emocionale, ku gjetja e frymëzuar nga realiteti  krijon imazhe të mrekullueshme. Çdo objekt apo fenomen jetësor e ka rrënjën e vet në shtratin tokësor dhe si e tillë ato me zhvillimin e tyre në forma e trajta të reja e interesante tërheqin çdo njeri e në mënyrë të veçantë njeriun gjuetar, shkrimtarin, poetin, piktorin, muzikantin, si ngacmime ndjenjësore për t’u kthyer në subjekt krijues artistik. Pra, çdo vepër e lindur si krijesë letrare-artistike është produkt i përqëndrimit mbi vetveten dhe në të njëjtën kohë, është e vetmja mundësi e vlefshme drejt zbulimeve apo kërkimeve si krijues.
Në këtë pafundësi gjetjesh të shkëlqyera nga jeta njerëzore, krijuesi formëson një koncept të qëndrueshëm prej lidhjeve të afërta që ka vendosur me njeriun, sepse ai e njeh mirë konceptin filozofik të tij, i cili vjen edhe si estetikë, që përputhet me vizionin e vetë krijuesit. Prej kësaj eksperience ai mëson epigramën si një dukuri e qenësishme, sepse ai priret nga zbulimi i fenomenit veprues dhe i gjërave që kulmojnë si emocionalitet i pakrahasueshëm. E më tej si vijim, krijuesi në këtë shqetësim, ka menduar dhe përsëri mendon që dukuritë njerëzore t’i përafrojë me ato natyrore, me qëllim që cilësitë njerëzore të bëhen më të perceptueshme dhe madhore. Dukuritë më të mira mund të thonë cilësisht të fshehtën e tyre të fundit. Ato janë pjesëza nga realiteti dhe pikërisht ky realitet njerëzor në bashkëveprim me atë natyror krijojnë marrëdhënie ndërvartësie, midis të cilave krijuesi edhe ne të tjerët, jetojmë e veprojmë. Krijimi letraro-artistik me këto raporte dhe trajta të reja zhvillimi duket si dy tablo që vihen përballë njëra-tjetrës, njëra është e panjohura si fenomen, ndërsa tjetra si një periudhë e re që lëviz midis njërës dhe tjetrës, njëra sipërore dhe tjetra inferiore. Gjetjet më të mira si shfaqje fenomenale na thonë me lehtësi të fshehtën e tyre të fundit. Ato janë pjesëza interesante të disa prej nëndukjeve, nën kërkim për të gjetur diçka të rrallë, të cilat krijojnë brumin e gatueshëm me vlera, dhe të panjohur më parë. Krijimi letrar dhe artistik i ngjason një miniere të pasur me vlera shpirtërore të florinjta, që asnjëherë nuk ka mbarim në rezervat e saj, por, kërkon përhershmërisht nga minatori krijues, shkrimtar, poet, prozator, artist, kërkime dhe zbulime e në shtresat dhe nënshtresat e saj të panjohura. Tek ajo krijuesi i vërtetë, gjen begatinë e pakufishme të frymëzimit dhe botën e madhe të objektit e subjektit ndjenjësor si moral, si letërsi, si art, dhe botëpërceptim i tij si vetvete.
Nëse ka temë që shqetëson krijuesin e kohës sonë, është ajo e subjektit të realitetit. Një subjekt i tillë, që shpreh më shumë shqetësime dhe sjell probleme nga e vërteta e gjallë njerëzore, është një hapje e një dritareje të veçantë drithme dhe reflektuesé për krijuesin shkrimtar dhe artist. Letërsia dhe arti që në kohët më të lashta janë marrë me këto tema sociale, dramatike, sepse ato janë shpirti i njeriut që jeton, por edhe që vuan, janë gjuha dhe fjala që flasin, janë ndjesia që shpreson, janë arësyeja e ndjeshmërisë, janë nevoja për të jetuar, dashuria për veten dhe të tjerët. Në qoftë se një krijues ka zgjedhur një subjekt nga ky realitet dramatik, na lind e drejta të mendojmë, se ai e bëri nga humanizmi. Nëse ai zbuloi një fenomen, ne themi se përgjegjësi për këtë mban edhe njeriu, edhe shoqëria. Shpesh në historinë njerëzore, mjerimi material, ka sjellë bashkë me natyrën e tij edhe mjerimin moral. Subjekti, që është marrë nga krijuesi, në rrethanat objektive të jetës së përditshme njerëzore ka në qëndër të strukturës së tij njeriun dhe kohën që ai e vë në përdorim për të nxjerrë të mirat material për jetesë. Në këtë mënyrë, ai si shpirt njeriu, gjykon dhe shkruan rrethanat në të cilat jeton njeriu si njeri dhe ekzistencë, qënie njerëzore. Bota njerëzore me jetën e saj i afron krijuesit, një e shumë shfaqje aq të larmishme, saqë krijimtarisë letrare e artistike asnjëherë s’kanë për t’i munguar temat. Natyrshëm, ajo me natyrën dhe karakterin e saj dramatik, do të quhet një temë e rrethanave njerëzore e ardhur me vullnet e dëshirë në procesin krijues letrar e artistik nga vetë realiteti i gjallë i përthithur nga shkrimtari dhe artisti si esencë shpirtërore. Tema e rrethanave jetësore dhe njerëzore duke ardhur si gjetje tipike e veçantë depërton në brendësi të krijuesit si një reflektim shpirtëror, përpunohet në laboratorin e tij emocional dhe kthehet në një dukuri përgjithësuese si fenomen shoqëror.
Realiteti i gjallë është hapësira më e ngopur dhe e gjithëanëshme me tema apo subjekte interesante. Realiteti të jep motivin, pikënisjen e pikëreferimin si gjetje, bërthamën e krijimit letrar e artistik. Letërsia dhe arti i vërtetë shpirtëror e artistik është vlerë mbresëlënëse vetëm atëherë kur është pasqyrë e një reflektimi të botës reale, ekzaminimit të qënies njerëzore në rrafshin shpirtëror dhe social. Krijuesi për këtë realitet mendon, që dukuritë njerëzore me botën reale të jenë sa reale aq edhe të besueshme, sepse gjithëçka para syve të tij është fakt i prekshëm dhe absolutisht i ndjeshëm. Krijimtaria si vetvete është energji veprimi, një marrëdhënie me jetën dhe njeriun, një vlerë shpirtërore e përjetshme. Puna me krijimin është një gjetje e asaj teme që ruan filozofinë e thelbin popullor, fabulën, frymëzimin si emocional, si një jehonë i përmallshëm dhe vazhdimësi e pashtershme.

                                                                                                Ndini R.Bardhi
                                                                                                Piktor, shkrimtar







·         SUBJEKTI, SI GJETJE EMOCIONALE

Për shkrimtarin e vërtetë, si një kërkimtar gjetjesh në përditësinë e kontaktit me jetën, çdo gjë është për të një pohim, që përbën subjekt me vlerë, e bën të vetëdijshëm se duhet të përpunohet deri në arritjen e gjetjes finale, para se të marrë penën në dorë e të filloj të shkruaj. Duke patur në dorë pikërisht atë gjetje që i duhej dhe e emocionon ecën me gatimin e subjektit, formën e strukturën e tij, atmosferën kohore, vendin e ngjarjes, episodet direkte e rrethanore, me ngjyrimet e të gjitha detajeve, në mënyrë që të arrij synimin e shumëkërkuar e të shumëpritur.
Kërkimtaria e tij tashmë merr një udhëtim të vazhdueshëm e të menduar mirë. Ecën natyrshëm në marrëdhënie me njeriun, me botën e tij mendore e shpirtërore, të cilën e vazhdon si një bashkëbisedim të domosdoshëm e të dobishëm, si një tregim e histori reale të ditës. Shkrimtarit kjo lidhje me jetën dhe njeriun i jep tema shpirtërore dhe ndjenjësore të spikatura që hera-herës i vijnë si një gjetje rastësore të një dite, të një rrethane mbresëlënëse dhe e detyrojnë autorin të ulet e të shkruaj i mbushur me frymëzim, duke gërshetuar ndodhitë që e kanë emocionuar, të konceptoj strukturën e rrëfimit e më tej në vijimësi, skicon në mënyrë të përgjithshme subjektin, përshkruan me dialogje e komente e gjithëçka këtë konceptim e trupëzon në vepër.
Krijuesi duke patur parasysh se subjekti i tij i zgjedhur dhe i ndërtuar artistikisht, është hapësirë kohore, origjinale, angazhon veten dhe guxon të veproj drejt këtij burimi kaq të dukshëm dhe lehtësisht i kapshëm si efektë dhe mbresa që prekin zëmrën dhe shpirtin e tij. Në vijimësi të udhëtimit, me ngjarjen, që ka në dorë me intelekt mediton rreth vetes dhe fenomenit ngjarje, duke zbuluar më në brendësi shumësi ndjenjash, që ziejnë botën e brendshme të tij dhe të tyre.
Shkrimtari, duke zgjedhur pikasje gjendjesh të reja dhe me efekte të forta, nis të gjykoj e të shkruaj mbi bazën e një episodi apo detaji, qoftë ai i zakonshëm apo i veçantë, që do ta orientoj në krijimin sa më emocional të një efekti mbresëlënës dhe estetik. Ai dhe shumë krijues shkrimtar e artist rrethanash krijojnë në saj të ngacmimeve të mrekullueshme emocionale, e një intuite dalldisëse, që e bënë njeriun e ndjeshëm në këtë jetë, të rrënqethet prej mendimit e prej feksjeve të një ideje kulmore estetike, prej fantazisë së përsosur, të cilat shprehin ndjenja si një imazh, si një dukuri në brendësi, duke krijuar natyrshëm një emocionalitet me intensitet të lartë shpirtëror për njerëzit. Gjendja shpirtërore dhe krijuese përfshihet nga autori i veprës letrare prej efekteve të ndjesive njerëzore dhe jetësore, të cilat në procesin krijues artistik e letrar, krijojnë një pështjellim dhe nxisin një gjendje si vizion emocional të ndjeshëm, të vërtetë, origjinal, të gëzueshëm, që hap pas hapi e fjalë pas fjale, shndërrohet në një subjekt fantastik. Kjo vepër e ideuar dhe e konceptuar si një hapësirë tregimtare rrethanore merr atributet e një hapësire krijuese që të afron ta shfletosh me etje e me një zell dhe, më pas përfshihesh prej ndjesisë dhe humbet nëpër imazhe të shkruar në tregime si ngjarje dhe rrëfime origjinale.
Rrethana si hapësirë kohore, reale, njerëzore, tregimtare si nxitëse e frymëzimit krijues letrar e artistik, duke u përjetuar së brendshmi nga krijuesi, shndërrohet në një subjekt tregimtar të precipituar, e cila shpreh ndjenjën si një emocion, si një dukuri që jeton e që ecën si bashkëudhëtare njerëzore.

                                                                                                Ndini R.Bardhi
                                                                                                Piktor, shkrimtar