e hënë, tetor 07, 2013

· DASHURI njerëzore dhe vlerash krijuese letrare e artistike






Të duash një person në mënyrë produktive do të thotë të lidhesh me bërthamën e tij njerëzore, krijuese vlerash shpirtërore dhe artistike, me njeriun si njeri, si vetvete, si përfaqësues i shoqërisë, kombit dhe njerëzimit.
Shkrimtarin dhe artistin e lartëson dashuria e madhe për njeriun, për jetën dhe natyrën.
Për çdo krijues të vërtetë nuk ka asgjë më artistike sesa dashuria për njeriun.
Shkrimtarin dhe artistin ngrihet si një individualitet i fortë artistik, atëherë kur mbush veprën me vlera letrare e artistike.
Në portretet e shkrimëtarëve shqiptar, është një botë e tërë, janë mendimet e thella, brengat e artit, letërsis e të dashurisë njerëzore.
Në serinë e portreteve të realizuara, përmes botës së tyre, shfaqet jeta e tyre plot dashuri, dramë, sakrificë, vuajtje.
Në çdo portret është bota e shkrimëtarit në shoqërinë e sotme shqiptare, që nuk e ka lidhur kurrë veprën e vet me fitimin (paranë), me erotizmin e sensualizmin e shfrenuar, që predominon në artin konformist pa shpirt e pa jetë njerëzore.
Si piktor i portretit, e kam parë njeriun krijues vlerash, produktiv me vepër, e kam dashur dhe e dua me një dashuri sublime, duke sakrifikuar shumë për të. Të gjitha ndjenjat, respektet, dashuritë, mendimet e frymëzimet ia kam kushtuar njerëzve të produktit letrar e artistik. Për çdo portret, para se të jepja ekzaltimet estetike për botën dhe psikologjinë e personit konkret e të njohur publikisht kam pasur parasysh përmbajtjen filozofike të veprës krijuese letrare e artistike. Është kjo shtysa e së vërtetës që në veprën time portretiste vizatimi nuk është ndjerë si trill apo sajesë artistike për të hedhur viza për efekte moderne, por nëpërmjet portreteve të realizuara jam përpjekur të bëj atë që bën Zoti, natyra kur jep dashurinë hyjnore për njeriun, kur ndriçon shpirtin dhe mendjen e njeriut krijues e produktiv vlerash për individin, shoqërinë dhe kombin e tij. Në çdo portret të vizatuar pulson jeta, dashuria dhe vlera e të qenit njeri në këtë jetë njerëzore dhe botë universale.


                                                                         Ndini R. Bardhi
                                                                                 Piktor
Arti i shpirtit tim - poezia e natyrës shqiptare


Si piktor më pëlqen që në krijimtarinë time të kem stilin piktorik sipas koncepteve të mia artistike.
Admiroj artin tradicional. Jam i lidhur ngushtësisht me të dhe përpiqem të bashkoj trashëgimninë klasike me shpirtin tim krijues. Them se këtë e kam shprehur në krijimtarinë time të deritanishme. Gjithmonë tek unë shqetësimi kryesor ka qenë dhe është peisazhi, bukuria e natyrës shqiptare, ardhja dhe ikja e stinëve, magjia e natyrës, të cilat ashtu thjesht dhe me modesti përpiqem t’i hedh në telajo.
Fushat me grurë të pjekur, deti me dallgë, pyjet me variacionet e lojës së të gjelbërtave e të dritës, vjeshta e thellë dhe magjepsëse plot tinguj jete, janë shqetësim dhe impostim në stinë dhe në situata të ndryshme. Në punën time përpiqem që të jem i thjeshtë, por i vërtetë, të shpalos mjedise me të cilët dashurohem përpara se t’i pikturoj, njerëz të cilët punojnë, i japin madhështi dhe qëllim final veprës.
Pa iu trembur aspak imitimit të natyrës, si krijues bëj një simbiozë, për të përfituar në duart e mia një jetë të re, një butësi dhe harmoni duke e zbuluar vetëm tek realiteti.
Në pikturë mendoj se nuk është gjithçka ngjyra që flet për artin, por shpirti dhe thjeshtësia e mesazheve poetike që i nënshtrohet një disipline të caktuar.
Veprës i jap jetë dhe lëvizje, asgjë të mos e bëj kot e rastësisht, por atë ta ngre në shkallën e domosdoshmërisë dhe funksionales.
Estetikisht shpreh ndjenjat e mia, njëkohësisht përpiqem që ato të shkojnë tek artëdashësi sipas shijeve të tij artistike. Dhe kjo të shërbejë si frymëzim.
Më pëlqen që me gjuhën e poezisë t’i këndoj njeriut të lirë, shpirtit të tij, natyrës dhe vendit që zë njeriu kudo në botë, sepse vepra mishëron artistikisht idetë e larta të humanizmit.
I rrëmbyer, me vendosmërinë e një kërkimtari për këndvështrime në formë e në përmbajtje poetike, natyrës i jap një kuptim dhe shpjegim se ç’është e bukura, njeriu dhe jeta. Pikërisht këtu e gjej të nevojshme pasqyrimin nëpërmjet veprës, penelit dhe shpirtit tim, emocionit dhe ngacmimit që kjo lëvizje të marrë formën e veprës së artit.
Siç çdo artist, dhe unë, tek populli, tek njeriu, tek puna e tij, tek natyra, gjej, jo vetëm objektin, por edhe subjektin e artit.
Për mua, gjithë jeta bashkë me të jeta artistike, nuk vegjeton, por vepron. Veprimi është çelësi i lumturisë, ashtu sikurse edhe kjo vetë është çelësi i jetës.
Artin dhe veprën e krijoj nga jeta, për t’i shërbyer asaj. Ai duhet të mbartë karakterin popullor, sepse ai krijon historinë.
Tek unë vërtetësia e artit buron nga e vërteta e jetës së gjallë, nga materiali jetësor, të cilin unë e çmoj si brum i shkëlqyer për veprat e mia.
Origjina, kushtet natyrore dhe shoqërore përcaktojnë shpirtin, përmbajtjen e veprës artistike, stilin dhe formën e të pikturuarit tek unë. Pasqyrimi i realitetit me vërtetësi vendos përmbajtjen ndaj formës: poezinë e përmbajtjes ndaj poezisë së formës.
Lidhja me natyrën dhe jetën e gjallë më jep ndjeshmërinë kundër pseudorealitetit akademik, sipërfaqësor dhe simbolik
Nga studimi i natyrës mar modelin, frymëzimin dhe një përfytyrim origjinal për veprën e ardhshme. Dhe si e tillë si piktor marr jetë nga zemra e njerëzve.
Për t’ia arritur kësaj më është kërkuar një punë e lodhshme dhe dashuri e madhe.



Pikturoj me shpirt e dashuri dhe jo me ngjyra


Për mua krijimi artistik niset nga entuziazmi që më ngjall një temë a një subjekt, të cilat i zbuloj në jetën e gjallë.
Natyrën e dua me gjithë zemër dhe bukurinë e saj, duke iu larguar sa më pak. Me tërë vëmendjen përqëndrohem te veçantitë dhe karakteri i saj.
Unë i besoj plotësisht natyrës. Duke marrë kasetën ngulem para natyrës dhe vetëm para asaj, duke mos e ndërruar takimin e drejtpërdrejtë me të me asnjë lloj ndërmjetësie.
Çfarë më intereson? Ndërtimi i thjeshtë i objekteve, vlerat tonale, gjysmë tonale dhe drita, pa pretenduar ndonjë cilësi të veçantë të vizatimit dhe të simfonisë së tij plastike. Më pëlqen të regjistroj në telajo, letër e kudo me thjeshtësi ato që më interesojnë dhe i shërbejnë idesë dhe pikturës time.
Pikturën nuk ia besoj vizatimit, sepse do të krijoj në vetvete thatësi dhe manierizëm.
Për mua e bukura është konkrete, reale. Ajo ndodhet para syve të mij dhe s’ka kurrfarë nevoje për fantazi dhe shpikje.
Kërkoj të zgjedh dhe çfarë të zgjedh.
Tek peisazhi i ri shkoj me vetëdije, i zhveshur nga çdo paramendim, duke iu nënshtruar plotësisht, me ndërgjegje, asaj që gjej aty, në gjirin e natyrës, pa u munduar ta shtrëngoj natyrën, të futem në skema vizuale kompozicionale të mësuara dikur më parë. Në këtë mënyrë më vjen dhe shkaku i emocionit dhe i së papriturës, së peisazheve, i vërtetësisë së kompozimeve, i vendosjes së planeve dhe objekteve të caktuara më parë.
Rëndësi për mua në pikturë, ka qartësia, vështrimi dhe këndvështrimi artistik, brenda stilit dhe shijes së kohës, të njerëzve dhe times.
Preferenca për mua është piktura që i përshtatet temperamentit, botëkuptimit, fjalëve dhe gjesteve të mija. Ajo të jetë e thjeshtë, e qetë, e përmbajtur dhe optimiste.
Më pëlqen dhe kënaqem me gjetjet natyrore. Përpiqem t’i përmbahem një rregulli të caktuar që të konceptohet, të shijohet dhe të kapet nga syri normalisht. I qëndroj afër ngjyrave që gjej tek natyra dhe zbuloj tek ato pafundësinë që përmban secila prej tyre, të cilat me aq bujari natyra na i servir (propozon) me pasuri të madhe nuancash.
Në natyrë dhe vetëm tek ajo gjej lidhje të caktuara ndërmjet toneve dhe harmoninë kromatike.
Kuadrin në tërësinë e tij e ndërtoj, në tone  dhe gjysmë tone, të cilat së bashku krijojnë një simfoni ose harmoni kromatike të vërtetë dhe jo toni të qëndrojë me tërësinë.
Në pikturën time thelbësore janë drita dhe hija. Hijet i ndërtoj sipas parimit tonal.
Drita, për mua, me fluksin e saj në pikturë, ka rëndësi të dorës së parë, sepse ajo është jetë.
Natyra e vendit tonë ka një diell të fortë dhe dritë të shkëlqyer. Në krijimtarinë time më kanë tërhequr të katër stinët e vitit: pranvera, vera, vjeshta dhe dimri, por parapëlqimi ose tendenca karakteristike, për mua (këtë gjë e shikoj dhe tek shumë piktorë të sotëm) është vjeshta. Nga piktorët dihet se vjeshta përfaqëson “ngjyrat e pjekura”, okrat, të kuqet terra, terrat vetë, me një fjalë të kundërtat e ngjyrave të pastra.
Nëse thuhet se pikturohet me shpirt e dashuri dhe jo me ngjyrë, çdo krijues në punën e vet ka parasysh traditën, trashëgiminë dhe, mbi të gjitha, karakterin popullor të veprës së vet.
Te shpirti i artistit piktor duhet të mishërohet karakteri popullor i veprës dhe jo tek ndonjë strukturë vizive apo sllogane etj.
Në pikturë modeloj me kënaqësi nëpërmjet dritës dhe hijes dhe pikturoj nëpërmjet të ngrohtës dhe të ftohtës.
Me angazhim dhe konsideratë të lartë punoj për tejdukshmërinë e ngjyrës. Ngjyrën e kuptoj të zbërthyer në tone, të ngjeshur ose të plotë në çdo detaj të tabllosë. Kjo bëhet për efekt të thjeshtësisë së saj praktike. Kjo për mua është e rëndësishme.
Në krijimtarinë time, me mprehtësi vështrimi, pamjen reale, e kthej në art nëpërmjet një përkushtimi dhe ndjeshmërie të jashtëzakonshme. Shkallëzoj tonet e ngjyrave që paraqet pamja reale e zgjedhur dhe e studiuar më parë nga ana ime.
Në veprën e zgjedhur me  të mirat dhe mangësitë e saj, mund të gjej pa fund parathënie, fjalë e vargje të palidhura mirë me tërësinë, sepse shpirti herë lulëzon, herë ngrohet dhe herë ftohet, aq më tepër kur themi se arti është shpirt.
E rëndësishme për mua është kur vepra është e frymëzuar, me këmbëngulje e pasion të madh gjatë jetës, nga drita e fortë dhe ngrohtësia e natyrës shqiptare, nga thjeshtësia dhe përzemërsia e shpirtit të popullit tënd. I tillë mbetesh në gen piktor shqiptar.


E bukura dhe e shëmtuara


Dëshira prej krijuesi më ka nxitur vazhdimisht të shpalos nga njëra ekspozitë pikture në tjetrën pamje të bukura të natyrës shqiptare. Tek ajo përfitoj vlera të mëdha për të zhvilluar më tej traditën e bukur të peisazhit shqiptar në pikturën time. E bukura për mua është vlerë pozitive e realitetit dhe shfaqje konkrete e artit tim.
Në krijimtarinë time artistike një vend të rëndësishëm, si antipod i së bukurës, zenë temat e dramës, tragjedisë dhe dhimbjes njerëzore në ditët e sotme. Ato janë pleksur thellë në jetën tonë dhe vet realitetin. Madje, ato me karakterin e tyre negativ, të bukurën e shndërrojnë në të shëmtuar. Tek njeriu shkaktojnë pakënaqësi, mërzi, trishtim, indinjatë, urrejtje etj.etj.
Në mënyrë krejt të veçantë si qytetar dhe si artist jam përpjekur të sjell momente më pikante të fenomeneve të shëmtuara si droga, prostitucioni ose tregu i mishit të bardhë, dhuna dhe krimi ndaj femrës dhe familjes, përdhunimi fizik i të miturve, mbajtja e armëve tek të rinjtë, braktisja e shkollës nga ana e fëmijëve etj. etj. Ato janë të ulëta dhe shfaqje imorale për shoqërinë tonë shqiptare. Janë në armiqësi me progresin dhe antihumanizmin. Dhe këto i sjell njeriu që është tepër i rrezikshëm, i dëmshëm për të tjerët, krimineli, tirani, egoisti etj.
Si një kërkimtar dhe vëzhgues  i realitetit objektiv kam realizuar në veprat e mia dukuri të shëmtuara dhe të ulëta të realitetit social. Duke pranuar kategoritë e shëmtuara sjell në vepër dukuritë e artit tim. Ato janë gjëra të padëshiruara për njerëzit. Historia e artit që në lashtësi ka dëshmuar se trajtimi i dukurive të shëmtuara nuk i ka munguar artit. Ai është edhe sot në shek. e 21-të i freskët dhe aktual.
Me trajtimin e tyre në art krijoi vlera dhe kënaqësi tek njeriu duke i qëndruar origjinal realitetit objektiv dhe jo zbukurimit artificial të tij. Sjell një karakter tjetër emocionesh negative ndaj shfaqjeve të shëmtuara, të cilat kur pleksen me kënaqësinë veprojnë si një e vetme në një vepër arti, sidomos kur pasqyrohen me origjinalitet dhe artistikisht.
Tjetër. Kur ato evidentojnë qartë të bukurën dhe si artist mbaj një pozicion qytetar dhe mbarëshoqëror. Me formën e veprave transplantoj të bukurën.
Në periudha të ndryshme të zhvillimeve shoqërore e shëmtuara u bë tema kryesore e artit dhe zuri një vend kryesor në krijimtarinë e artistëve. Ata jetuan, jetojnë edhe sot në raporte të padrejtësive sociale që sjell sistemi kapitalist, i mbushur me plagë dhe kontradikta që e asfiksojnë njeriun.
Mbi bazën e marrëdhënieve mall-para sundon në të gjitha anët e jetës fryma e fitimit, që ndez instiktet më të fuqishme antinjerëzore. E vetmja gjë me shumë vlerë është paraja. Në këtë rast arti dhe artisti janë të humbur. Afarizmi është në kundërshti me artin, i cili është i pandarë nga misioni i së bukurës. Kaosi i luftës për ekzistencë apo për t’u ngopur zhvillohet i veçuar duke qënë i frikësuar në çdo moment nga ata që i qëndrojnë afër se mos e kapin për fyti! Frika, forcat intelektuale, krijimtaria përdoren për qëllime vetëmbrojteje. Pra, ky lloj afarizmi, që është në kundërshtim me çdo gjë të bukur, sjell të shëmtuarën si lypsarin, drogmenin, prostitutën, kriminelin etj. etj. duke i shndërruar si shfaqje e shëmtuar e jetës së përditshme shqiptare. Ngushton të bukurën reale dhe shton shëmtirat e ditës.
Si piktor, në kushtet e rrethanat shoqërore brenda të cilave jetoj e krijoj më janë imponuar me forcën e një domosdoshmërie objektive, të realizoj vepra me tema të tilla, për të cilat do të realizoj hapjen e një ekspozite.
Duke e përqëndruar vëmëndjen në anët e shëmtuara të realitetit të sotëm, të jetës në kompleks të shoqërisë shqiptare,artit të sotëm dhe të djeshëm nuk i mungoi bukuria.
E bukura si një cilësi estetike që ve re dukuritë pozitive në jetë pasqyron në vepër edhe anët e shëmtuara, të ultën e jetës së sotme. Artistët në kohë të ndryshme i kanë pasqyruar ligjet e të bukurës, në forma të përsosura dhe estetike. Mjaft artistë realist mbrojnë mendimin se s’ka asgjë përveç së bukurës, duke mos dashur të mohojnë dukuritë e shëmtuara në realitetin e sotëm për t’i parë në një këndvështrim të tij dhe për t’i pasqyruar në mënyrë të bukur.
Nëpërmjet krijimtarisë së tyre artistët në anët e shëmtuara kanë zbuluar natyrshëm burimin dhe shkaqet e tyre, lidhjen e ngushtë me shfaqjet shoqërore e sidomos raportet e ngushta individuale dhe ambicioze që krijon prona. Arti dhe artistët i kanë stigmatizuar dhe kritikuar anët e shëmtuara dhe burimet e tyre. I shikojmë dhe lexojmë veprat e Gojës dhe Domjesë, të shkrimtarëve botërorë dhe shqiptarë, të Dikensit, Balzakut, të Gogolit, Tolstoit dhe Çehovit etj. dhe të Migjenit të madh.
Dukuritë e shëmtuara të realitetit artistët në tërësi, por edhe unë si pjesë e kësaj shoqërie, i vlerësoj në veprat e mia si bazë sociale, i dënoj dhe i kritikoj ato duke afirmuar pozicionin tim demokratik dhe vlerën e padiskutueshme të së bukurës si antipod i të shëmtuarës.


Dashuria dhe dhimbja ime


Sot, në sistemin e marrëdhënieve ekonomike kapitaliste ku sundon afarizmi kanë ardhur mënyra të reja jetese dhe mendimesh.
Evolimi i ndërgjegjes shoqërore sjell me vehte edhe ndryshimin e formave dhe të përmbajtjes së artit tek piktori.
Arti dhe artisti janë të lidhur me jetën shoqërore. Si pjesëtar i kësaj shoqërie jam angazhuar drejtpërdrejt me jetën shpirtërore të saj, duke krijuar marrëdhënie me fenomene të bukura edhe të shëmtuara të saj, nëpërmjet krijimtarisë sime.
Çdo ditë duke e parë jetën drejt në sy marr dhe sistemoj materialin jetësor për ta përdorur si pikëvështrim në krijimet e mia artistike.
Arti im e merr përmbajtjen e tij nga shoqëria dhe koha e sotme në të cilën jetojmë. Ai merr vizione të gjëra kur përfshihem deri në përkatësinë sociale të saj si droga, prostitucioni, trafiku, dhuna, armët në duart e njerëzve, braktisja e shkollës nga fëmijët, pra analfabetizmi, ngujimi i familjeve shqiptare etj. etj.
Për këto fenomene kam realizuar nga një vepër, të cilat do t’i ekspozoj në ekspozitë personale. Për të realizuar këtë më është dashur si piktor të ndjej, të mendoj, të përjetoj emocione njerëzore. Objekti në këtë rast është drejtpërdrejt bota shpirtërore e njeriut. Në vepër vizatoj dridhjet e shpirtit të tij dhe të shoqërisë. Ato janë konkrete, reale, me një botë dhe psikologji universale. Interpretimi nga ana ime në këtë rast është në një mënyrë dhe mjet të veçantë, me një letër dhe laps (karbon). Realitetin e sotëm nuk e shikoj si një kronikë (kronikan) e kohës moderne të shekullit të 21-të, por për të depërtuar tek e dukshmja dhe e padukshmja. Për ta kuptuar këtë botë më është dashur të kërkoj rrugë dhe mjete origjinale dhe përherë të reja. Vetëm në këtë mënyrë si artist me artin tim shpreh ndërgjegjen e ditës dhe të kohës sime.
E vlen të theksoj, se këto tema në vartësi të raporteve midis sferave të ndryshme të jetës shpirtërore janë trajtuar nga shumë mjeshtra botërorë të penës dhe të penelit në kohë të ndryshme.
Ato, si probleme të jetës morale, kanë zënë një vend të rëndësishëm në artin e tyre.
Sot në shoqërinë pluraliste jeta shpirtërore e njerëzve është e mbushur me ngarkesa dhe pasione negative, të cilat reflektohen edhe në artin e sotëm. Vë re nëpërmjet ekspozitave që hapen ngarkesa politike dhe prirje formaliste, që janë përpjekje për të fshehur paaftësinë dhe snobizmin e artit të vërtetë, real dhe objektiv.
Me shumë kujdes dhe nuhatje si piktor u jam shmangur abuzimeve të tilla të dëmshme për artin dhe shoqërinë.
Në artin tim, një ndikim të veçantë ka njeriu - individi me ndërgjegjen e tij në realitetin e sotëm. Ai në mënyrë spontane dhe direkte është pleksur me ndryshimet dhe raportet e jetës sociale, ku ato janë bërë ndërgjegja e tij. Këtu mund të përmënd lypsarin, drogmenin, prostituten, trafikantin etj. Pra, këto fenomene tek njeriu konkret bëhen pasione, emocione, dëshira dhe formojnë ndërgjegjen reale të tyre. Këta individ i shikojmë të gjithë në rrugë, parqe, shkolla, gomone etj.
Arti në tërësinë e vet, por edhe unë në veçanti si qytetar shqiptar dhe artist, jam interesuar për të kapur tema të tilla të ndërgjegjes së zakonshme ordinere, duke e vendosur atë në shkallën e ndërgjegjes ordinere.
Në veprat e mija, që kam realizuar posaçërisht për këto, është në qëndër të krijimtarisë njeriu me botën e tij shpirtërore.
Atë e kam pasqyruar me tërësinë e vet fizike dhe të botës shpirtërore në realitetin e sotëm.
Duke parë konkreten dhe individin kam arritur të realizoj mbi treqind  vepra të këtij karakteri, për të përgjithësuar artistikisht dhe jo politikisht këto shfaqje që rëndojnë në ndërgjegjen e çdo shqiptari.
Ndjesit konkrete në tërësi janë emocionale tek veprat e mija. Temat që kam realizuar mbartin element të psikologjisë dhe të botës reale dhe strukturës së saj. Zhvillimi spontan ekonomik dhe shoqëror i sotëm sjell edhe ndryshime të jetës sociale, polarizime shoqërore, padrejtësi, dhimbje dhe tragjedi njerëzore. Këto fenomene kanë qënë dhe janë tek unë objekt i krijimtarisë me temat e dashurisë dhe të dhimbjes.
Në vepër, në mënyrë të gjallë e të plotë, kam sjellë profile, tipa, individë me psikologjinë sociale dhe gjendjen konkrete shpirtërore në ditët e sotme.
Vepra artistike e realizuar me shumë përgjegjësi dhe koshiencë nga ana ime sjell veçori, nuanca të papërsëritshme dhe në mënyrë konkrete, që nuk mund të vijnë me mjete të tjera.
Trajtimi i temave sociale tek unë, kanë sjellë në vepër edhe ndryshime në formë. Një vend të rëndësishëm, krahas individit të “shëmtuar”, kanë zënë edhe kategoria ekstreme e njeriut të pasur. Ai përpiqet që të shpreh ndjenjën e tij të izolimit. I pasuri ka frikë nga problemet sociale, se sa ka dhimbje për njeriun e varfër. Edhe këtë fakt e kam trajtuar në veprat e mia.
Pra, veprën artistike e kam nxjerrë nga përmbajtja e drejtpërdrejtë, nga jeta. Ajo mer një kuptim dhe interpretim estetik të jetës.
Si artist, me artin tim specifik bëj njohje estetike të jetës, krijoj vlera të reja dhe në mënyrë të përqëndruar shpreh interpretimin e realitetit të sotëm.



Arti dhe artisti i sotëm


Sot shikojmë dhe diskutojmë për llojet e arteve figurative, për modernizimin e gjuhës artistike dhe përvojës postmoderniste në dëm të cilësisë. Përpjekjet që bëhen nga njëra ekspozitë në tjetrën e kanë çuar artin në një kaos të kohës sonë. Që nga ekspozitat “Onufri”, “Bienalja” e Tiranës apo të hapura në hapësirat e pallateve që po ndërtohen e vënë artistin në ankth përballë konkurencës, tregut dhe shoqërisë së konsumit. Piktura abstraksioniste si dhe rrymat e tjera bashkëkohore në vendin tonë e kanë asfiksuar pikturën figurative nga e cila ajo mbështetet në pikturën e kavaletit. Mënyrat dhe metodat krijuese në pamje të parë të duken normale dhe të lira në një vend demokratik. Ecje të reja në krijimtarinë artistike nuk janë vetëm instalacionet, kolazhet, performanca, por edhe piktura e mirëfilltë e kavaletit dhe skulptura figurative. Dhe këtë gjë nuk e vendosin as organizatorët, as kritika e ekspozitave që hapen sot në vendin tonë, por vetë artistët. Organizatorët dhe kritikët e artit kanë për detyrë që t’i shërbejnë artit dhe kulturës kombëtare. Deri tani shikojmë beteja në sferën e arteve vizive, nga artistët ku është demonstruar forca, eleminimi i kundërshtarit dhe njëri-tjetri. Ata janë bashkuar në grupe, “klane”, “rryma”, “shkolla”, “drejtime” të ndryshme artistike.
Eshtë fakt që pikturën figurative sot e shajnë shumë artistë në Shqipëri, pikërisht këta që merren me këto rryma, sepse duan ta shfrytëzojnë për interesin e tyre. Megjithë risitë dhe spekullimet ndaj artit dhe pikturës së mirëfilltë, ato jetojnë dhe i rezistojnë zhvillimeve të reja shoqërore, kulturore dhe zakonore. Një vepër arti e krijuar dhe e ndërtuar mbi parime bazë të qëndrueshme mbetet e përjetëshme dhe e kolauduar në shekuj! Koncepti i sotëm nga ai i djeshmi, në ndërtimin e një vepre arti, mbetet uniteti i shprehjes. Këtë nuk e lëkundin dot as teoritë eklektike, konfuze dhe mediokre.
Nuk mund të krijojmë një vepër arti, pa pasur një ide vizive të qartë, pra një ide artistike. Dhe kjo s’mund të merret e thjeshtë, si një “gjetje”. Artistët viziv këtë fjalë e përkufizojnë si ide artistike, gjë që në rastin konkret është spekullative. Çdo njeri me zgjuarsi dhe përvojën e tij realizon një gjetje. Ajo mund të jetë metaforike por e natyrës vizive. Një vend të rëndësishëm, në veprën vizive zë harmonia. Kjo ka të bëjë me rregullimin e marëdhënieve vizive të pjesëve, zonave, detajeve apo të ndonjë gjymtyre me tërësinë.
Harmonia shpesh ngatërrohet me njëtrajtshmërinë. Ajo, përkundrazi, pa ekzistencën e të kundërtave s’ka kuptim. Artisti i vërtetë veprës së tij i jep jetë nëpërmjet të të kundërtave. Ato janë shpirti i veprës së artit. Vepra e artit, po të shikosh në një farë kuptimi është lojë. Lojë e ngjyrave, e formave vëllimore, e personazheve, ideve etj. Eshtë ndjenja e lojës thelbi i atij gëzimi të brendshëm që ndjejmë nga çdo vepër arti e mirëfilltë.
Tipari i artit të sotëm është ndjenja e provokimit.
Krahasa ironisë, përqeshjes, talljes, absurditetit, artisti i sotëm modern (dhe sidomos post-modern) ka në veprën e tij dozën e provokimit. Vlen të theksohet se ndjenja e provokimit ka qenë dhe është edhe për artistin klasik, antik, por me dimensione të ndjenjës së edukatës dhe e sjelljes së mirë. Pra jep provokimi, estetik-artistik. Kërkesë kryesoe, përcaktuese mbetet individualiteti artistik i autorit. Ajo lexohet në veprën e artit. Eshtë një personalitet që i jep veprës peshën e vërtetë.
Pra, një gjë është shumë e rëndësishme të thuhet se pavarësisht nga stinët moderniste, postmoderniste të sotme në vendin tonë; pavarësisht nga zbulimet e reja teknike, konceptuale, ekzistojnë në shekuj parametra, që nuk mund t’i tundin nga vendi jo shekulli i njëzetë e një, por as njëzetë shekuj të tjerë që do të vijnë.


Botës dhe kohës së sotme i duhen
dhe artistët

Artisti piktor nuk është politikan por një potencial intelektual që hap horizonte krejt ndryshe për botën aktuale.
Shoqëria jonë përjeton sot një gjendje me shumë probleme dhe trazira, e cila kërkon një metodë për daljen nga kjo situatë. Nga vëzhgimet e përditëshme dëshmohet fatkeqësisht se artistët nuk janë të mbrojtur dhe të garantuar.
Mendoj se shoqëria jonë që është duke u rinovuar në të gjitha drejtimet duhet të ndërgjegjësohet se asnjë metodë e aplikuar qoftë nga brenda vendit ose nga jashtë vendit nuk është në gjendje që të merret si model për të garantuar shtresat e popullit dhe të artistëve të tij. Ndoshta mendimet dhe idetë e mia në pamje të jashmte duken utopike, por që në të vërtëtë janë esencialisht të së ardhmes, e ndërkaq, plotësisht të realizueshme.
Dhe kjo konsiston në bindjen time të plotë që kam tek populli ynë i mrekullueshëm, i cili përbën kapitullin kryesor fillestar, tek uniteti i popullit, respekti që ka ai për artistët dhe artin si shpirtin e vet, dashurinë për ata që jetën e tyre jua kushtojnë popullit, zhvillimit ekonomik e kulturor dhe për emancipimin e gjithanshëm të tij.
Sakrifica e këtyre intelektualëve, shkrimtarëve, dhe artistëve do të gjejnë shpërblimin e tyre vetëm tek lidhja shpirtërore me popullin, të cilët mendoj se ende duhet edhe pak kohë të sakrifikojnë.
Eshtë reale të themi se si gjithë populli ynë dhe artistët kanë sakrifikuar dhe po sakrifikojnë për politikanët e tij.
Lind pyetja: Ç’kanë fituar?
Asgjë prej gjëje.
Por mendoj këtë rradhë ja vlen të sakrifikosh sepse ka një kuptim dhe të ardhme tjetër.
Sakrifica këtë herë do të jetë e kurorëzuar me sukses për kombin tonë.
Të gjithë intelektualët artistë dhe veçanërisht piktorët në këtë kohë duhet të luajnë një rol të madh sensibilizues rreth horizonteve të reja që mund të hapen për popullin. Piktori artist është në gjendje të zbuloj në tërësinë e vet aspekte të ndryshme të realitetit.
Intelektualët që janë me të vërtetë të preokupuar për realitetin e sotëm ekzistues, kanë mundësi të përcaktojnë rrugëzgjidhje me popullin, për ta sensibilizuar atë në një shkallë dhe mundësi më të lartë se sa ata intelektualë që drejtojnë në administrata.
Ata kanë mundësi të mendojnë për problemet e ndryshme, dhe kompleksitetin e tyre, të përcaktojnë zgjidhjet e të hartoj projekte konkluzive konkrete; sepse ata i janë kushtuar me shpirt e me mendje diçkaje të caktuar.
Piktorët, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, muzikantët, etj punojnë për vendin e vet dhe për gjithë njerëzimin, pa menduar për shpërblime. Ata e marrin shpërblimin kur e ardhmja e njerëzimit dhe e vendit të tyre bëhet më e mirë.
Ata janë më të besueshëm për njerëzit dhe më të pranueshëm. Politikanët nuk janë më të besueshëm. Ata kanë bërë shumë skifo kudo në botë.