e premte, korrik 19, 2013

TEUTA E ILIRISË



Resmi  osmani                                                          Roman
                                                                             Në proces krijimi

 

 

                                       

                                            KREU  V

                                                   

       ULKU I DETIT

      Olçin-Skodër,verë, viti 130 para erës së re
     
      1
       Pijetorja e Uskanit, gjendej në pjesën jugore  të portit të Olçinit, pak çape larg buzës së detit, aq sa shpesh  suvala e shkumëzuar e detit të zemëruar teptiste në oborrin e shtruar me plloça të gurta, ku verës ishin të vendosura tryezat e rënda nga dru lisi. Përanash hidhnin shtat kavakët e bukur trupdrejtë, që dalloheshin së largu, ndërsa një pjesë të sheshit e mbulonte përsipër pjergulla e rrushit dhe lulevilet që e hijeshonin dhe e hijezonin. Në postatet e luleve lulëzonin trandafilat, ermironte borziloku, manxurana dhe rozmarina. Që aty, shihej deti gjer larg në horizont dhe shquheshin  velat e bardha të anijeve që ktheheshin. Në veri të gjidetit që kishte trajtën e një patkoi, shquhej kështjella, ndërsa pas ranishtes së bregut, në kodrën e ulët, ngriheshin strukur pranë njera tjetrës shtëpitë e qytetit, tregu dhe dyqanet e artizanëve. Prapa qytetit ishte ullishta e madhe dhe vreshtat e mbjella me rrushin e “Vranët” që jepte verën me të njejtin emër e që kishte famë në tërë Ilirinë e Veriut.
     Uskani, një detar i regjur në flotën mbretërore dhe më pas në  pirateri, hoqi dorë nga detaria pasi kaloi një të ftohtë të rëndë dhe me fitimet që kishte nxjerrë, ngriti pijetoren, ku më së shumti vinin detarët  kur ktheheshin nga deti ose para se të nisnin lundrimin. I bëshëm e i fuqishëm si një buall, mustaqemadh, ishte i gjindshëm, i dashur dhe hokatar, të bënte për vete dhe  myshterinjtë e tij, shokë të vjetër të rravgimeve të detit, mblidheshin aty për të hedhur zaret, për të rrëkëllyer ca kupa verë, për të shijuar mezet e gatuara për merak, për të rrëfyer bëmat dhe historitë e tyre, shpesh të fryra e të pabesueshme, apo për të këmbyer të rejat që fliteshin.
     Batoni, biri I Narentit, që dikur kishte zbritur nga malësia e që u pasurua nga tregëtia e kripës, trashëgoi nga i ati pasuri të mjaftueshme që të rronte pa mundim: Ullishte, vreshta, dhe një puntori për endjen e pëlhurave të linjta. Edhe lirin e mbillte vetë, në fushat pjellore rreth Olçinit. Kur liri lulëzonte fusha e gjithë kaltërohej. Kishte pellgjet e ujit për   regjien  dhe havanët  e  rrahjes për nxjerjen e fijeve. Gratë, më së shumti skllave libiane, tirrnin fijet dhe punonin në argali[1] për endje, kurse burrat në regjien dhe nxjerjen e fijes e ngjyrimin e pëlhurave të holla për veshje grarishte. Kishin aq kërkesa sa mezi i plotësonin. Atij si hynte në sy tërë kjo gjë e kamje. Ishte gatuar ndryshe, nga tjetër brumë. Për të thoshin se kishte lindur në det, ishte rritur në det dhe jetonte në det! Deti ishte jeta e tij, shtëpia, nëna e baba, e donte si gruan dhe si fëmijët. Aty në hapsirën ujore pa fund e anë, ndjehej i lirë, zot i vetes ai  frymonte ajrin e njelmët e të shëndetshëm me tërë  mushkritë dhe gjoksi i gufonte. Në tokë i dukej sikur ishte i lidhur me pranga dhe zvarrisej si breshka. Atë nuk e thërrisnin me emër, por “Ulku I Detit”, aq sa ky i ishte bërë si emër i parë. Ishte zot i një anije sulmi të mirarmatosur për pirateri, “Liburnë” trirremshe me bash të lartë, që e zbukuronte një kokë kali e gdhendur nga dru mani. Me ‘të i binte Adriatikut pash më pash dhe shpesh kuturiste edhe lundrime të largëta deri në detin e Libisë. Gjahu i tij i pëlqyer ishin anijet tregëtare romake , kartagjenase,  greke dhe libiane. Shpesh”gjuetia “ ishte e pasur. Pirateria për të nuk ishte thjesht një “Kusari deti”. Në të ai gjente vet-veten,veprimin, që kërkonte trimëri dhe mençuri. Çdo sulm ishte një luftë e vogël detare, që i ngjallte në shpirt guxim e trimëri dhe i kallte në zemër e në gjak ethet e fitores. Pa këto ndijime ai s’jetonte dot. Detarët e pajtuar, ishin shokë të tij që nga fëmijëria, trima e të sprovuar. I donte  dhe ishte i drejtë në ndarjen e plaçkës.
    Dita ishte e kthiellët, në qiell asnjë re, dielli ndrinte sa të lbyreshin sytë. Në ajër ndjehej aroma e bimësisë që zbriste nga kodrat, një përzjerje lavande të egër, xhumrice, rigoni dhe mendërze. I njihte ato kundërmime që në fëmini dhe dallonte secilën prej tyre. Ishte aroma e steresë. Po ku e ku ajo e detit. Nuk kishin të krahasuar, ajo njelmësia dhe aroma e detit që vinte së thelli, tok me shkumën e bardhë dhe valët e paprehje.
    Kishte ditë që deti ishte në bunacë. Era s’donte që s’donte të frynte. Në det ca valë të lehta si rrudhëza të ndritura, i afroheshin bregut si duke mërmërirë këngën e tyre, si një ninullë gjumëndjellëse. Dhe vërtet, anijet, velaulura, me çengelat hedhur në ujë, flinin gjumë, teksa detarët e mërzitur, zdërhalleshin e pinin sa bëheshin dërrasë.  Pulëbardhat në trumba ciasnin dhe kridheshin në ujë në kërkim të gjahut të tyre. Batoni i hodhi një sy anijes në port. Flamuri i erës në krye të direkut qëndror varej si krahu i një fluture  të vrarë.
    Këmbët e shpunë vetiu te pijetorja e Uskanit. Aty ishte mbledhur shoqëria: ”Gjuetarët” e lirë, peshkatarët, pronarët e anijeve të mbartjes së mallrave dhe ushtarë e oficerë të flotës mbretërore.  E ftuan në tryezë. U ul te “Gjuetarët”. Të gjithë ishin të mërzitur që nuk po dilnin dot në det dhe kërkonin pak gëzim në kupat e verës, që do të rrëkëllenin. Edhe tryezat e tjera ishin të mbushura me detarë mjekroshë, kokën me kësula leshi apo të lidhura me shami të zeza, gjokszbuluar e llërë përveshur. I kthenin kupat e verës si të pinin ujë. Të fuqishëm e të frikshëm. Nami i piraterive të tyre kishte shkuar deri në vendet e Detit të Madh[2].
     -Zoti i erës, -tha Batoni.- është idhnuar me ne, kushedi pse. E ka lidhur grykën e calikut dhe nuk e lëshon erën të fryjë. Le të presim e të lutemi dhe që Bablokut ti zbutet zemërimi, ta joshim në tryezë që , të kthejë me ne  besnikët  dhe adhuruesit e tij ca kupa verë.
    Uskani erdhi që t’u shërbente.
    -Uskan, o Ulk i Vjetër i detit, me se do t’i gostitësh shokët e tu, të rënë në fatkeqësi që, t’u zbutësh fytet  e thara e tu kallësh në zemra pak gëzim?
    - Me ç’tu dojë e dlira zemër. Mish keci  në fërlek, që shkrin në gojë, tule nga kofsha e viçit të pjekura në prush, si ato që u fklijohen Zotave në altar, lepur të egër të zier në vorbë, të shuar me uthull e të rregulluar me hudhra, sardele me vaj ulliri, djathë nga stanet e malësive e ullinj në vaj, uthull e rigon. Merret vesh, edhe bukë të grynjtë të mbrujtur me qiqra, që sapo ka dalë nga furra,  dhe qepë Drishti për tu hapur oreksin! Sa për verën, kam një shakull të bërë nga rrushi i “Vranët”, që ngjall të vdekurit, e më e mirë s’gjendet në tërë ilirinë. Dhe të gjitha këto o miq, thuajse të falura, për dy pare argjendi!
     -Uskan, në treg nuk thonë kot: Kush bërtet,shet! Ja ke marrë mirë dorën si të të kishte lindur jot ëmë në pijetore! Si thua ti Uc?
     -Po të jetë për mua,- tha Uci,- ne të gjitha i hamë e të gjitha i pimë!
      -Ashtu le të bëhet. Uskan, mbushe tyryezën me të gjitha!
Mishi i pjekur, që ende avullonte, kishte aromën e luleve të malit, vera që e zbrazën në kupa, kishte amëz vjollce dhe ngjyrë të errët thuajse të zezë dhe të linte në qiellzë e në gjuhë një shije të veçantë.
   -Kjo po, që është verë! Më gjej dhe mua një shakull se dua ta marr në det.
 Ata iu përveshën ushqimit, pa folur, si të babëzitur, pastaj kur e shuan urinë dhe etjen, u kujtuan për të rejat që fliteshin lart e poshtë. Bisedën e hapi Uci:
    -Baton, që je më i dijshmi ndër ne a mund të na e shkoqitësh atë urdhërin që ka dhënë Mbretëresha Teuta,” Që e gjithë anëdetja të shpallet tokë armike?”, se ne anëdetjen e kemi tonën, është toka e jonë, ne s’mund të jemi armiq të vetvetes!
     Pushuan së përtypuri dhe sytë ia qepën Batonit, pale se ç’do t’u thoshte.
     -Anëdetja s’është e gjitha e jona. Dyrrahu dhe Apolonia, dy qytetet më të mëdhenj, e më të pasur të Ilirisë janë nën zotrim të Romës. Pra janë armike. Lart në bregun Dalmat, mbreti Agron pushtoi Farosin, por mbetet Isa në veri perëndim, që na sheh si armiq dhe bën pazare me Romën. Së dyti, anëdetja lakmohet dhe mund të jetë synim i anijeve armike që mund të na mësyjnë, prandaj edhe ato janë pjesë e armikut dhe ne duhet t’i luftojmë. Nga deti mund të na vijë e keqja nga komshiu perndimor, që kemi përballë. Andaj duhet të jemi në kqyrje të paprerë të anëdetjes. Kështu ma pret mendja mua dhe besoj kështu duhet të jetë. Mbretëresha ka dhënë porosi të ndërtohen anije të reja dhe  puntoria e Kaldrunit në liqenin Labeat, po punon me shumë ngut.
    - E mençur kjo Mbretëresha. Nuk thonë kot: Mendje femër. Ajo ka menduar edhe për ne, or miq. Askush nuk do të na fajësojë këndej e tutje për sulmet  kundër anijeve të huaja që u afrohen brigjeve  tona.Kemi për të bërë plaçkë.
    -Për ne,”Ulqërit e detit” kjo është koha e artë. Zemër e trimëri dhe përpara!
    -Deti është në bunacë, por nga kalaja e Skodrës po fryn era e luftës. Të presim e të shohim.
    -Iliria e ka adet,kah  një luftë e bën përvjet!
    - Këtë herë, lufta do të bëhet për anëdetjen. Teuta e ka shpallur veten “Mbretëresha e Detit”
    -Kush zotëron detin, mbron më së miri sterenë.
    -Thonë se e ka amanet nga mbreti Agron: Gjithë Ilirët të mblidhen në një shtet, nga Dardania deri në Epir. Po të kishte jetuar ai edhe mund ta arrinte,- tha Uci, por bisedën se zgjati më tej. Nuk tha se Teuta mund të bënte aq sa mund të arrinte një grua, se tahmaja e madhe të len pa gjë. Edhe midis shokësh, nuk mund të thuhen të gjitha. Ca duhen mbajtur për vete. 
    Dreka po i afrohej fundit dhe ata u gatitën të shpërndsheshin, kur Batua ndjeu freskinë e erës dalmate, hodhi sytë nga anija e vet dhe pa që flamuri i erës ishte ngjallur dhe lëkundej drejt jugut.
     -Burra, më në fund Zoti i erërave, i dëgjoi lutjet tona dhe   e hapi shakullin. Sonte unë do të dal në det!
  

    2
    Aty nga mesnata, era e shtoi forcën, aq sa për të dalë në det. Batua me detarët e vet, ngritën çengelin, zgjidhën dhe mblodhën pallamarët, hapën velën e madhe katrore dhe atë trekëndoren e bashit, tendosën litarët pastaj punuan rremat për të dalë në det të hapët. Velat u gufuan dhe anija e lehtë rrëshqiti si peshk duke lënë prapa një hulli shkume. Pas tyre nisën lundrimin dhe anijet e tjera olçinake.
    -Prijës, më jep drejtimin,-i tha timonieri.
    -Drejt jugut, deri sa të arrijmë kanalin e Tarentit. Për më tej se dimë ç’do na sjellë ora dhe fati.
     Qielli ishte i kthjellët, Hëna kishte nisur të hahej, kishte vënë një rreth të kuq, i ngjante një molle të kafshuar, por derdhte një dritë të  butë e të zbehtë. Hëna, mendoi Batoni, është e dashura e detit. Kur ajo del, drita e trondit, përshkëndit dallgët,  deti dridhet si nga një e puthur, fërgëllon, i gufon gjoksi, ngrihet sikur kërkon ta takojë, aq sa përmbyt  brigjet. Kur hëna perëndon, deti psherëtin, qetësohet, ulet dhe dallgaët tërhiqen nga  brigjet. Yjet po rralloheshin, në lindje u shfaq afërdita. Mbi syprinë të detit ra errësira. Mbi valë, në hapsirën e pamatë shfaqeshin ca ndriçime të xixëllonjta. Për to thoshin se ishin shpirtrat e detarëve të vrarë dhe të mbyturve në det që nuk gjenin prehje. Anash anijes, të tërhequr nga drita e fenerit, shfaqeshin peshqit fluturues, që ngriheshin fluturim, me vërtik dhe pastaj zhyteshin sërish në ujë. Një syresh ra në kuvertë. Kishte reflekse të ndritura dhe sy të mëdhenj, përpëlitej e dridhej. Batonit i erdhi keq për peshkun dhe e flaku në ujë . Deti kishte zotin e tij, Redonin që mbretëronte dhe ujdiste jetën e tij, popullin e tij të kafshëve shumllojëshe të nënujit, që kullosnin në livadhet e pafundme. Deti ishte I paqetë, në trazim që së thelli deri lart, nuk flinte kurrë, ai kishte gjuhën e tij dhe shenja e nojma të tjera që batoni i njihte, prandaj në det asnjë herë nuk zihej në befasi. Ai e donte detin, por edhe deti e donte atë. Edhe Teuta, mendoi ai, e donte detin, e dinte kushdo, prandaj  nisën ta quanin “Mbretëresha e detit”. Thoshin më të vjetrit se  deti kishte edhe bija, zanat e nënujit, që rronin në pallate të kristalta, gjysma peshk e gjysma gra, me bukuri të pashoqe, që nganjëherë dilnin mbi shkëmbenjtë, ngroheshin në diell dhe u prishnin mendjen vdektarëve, por ai kishte vite që rrihte udhët e ujit dhe të tilla nuk kishte hasur. Ku ta dish, dikur edhe mund ti ndeshte.
      Yjet po rralloheshin. Era ishte e mbarë, velat të gufuara, anija voziste lehtë e shpejt drejt jugut por larg brigjeve, donte të hynte në rrgët detare ku rravgonin anijet tregëtare. Në lindje nisi të fekste drita, errësira po davaritej dhe shikimi mund të shquante në largësi. Nuk kaloi shumë kohë kur timonieri lajmëroi:
    -Ka një anije në det, në të djathtë tonë.
    -Është ilire apo e huaj?
    -Nuk e dalloj dot,është larg dhe drita ska rënë mirë.
    -Drejtohu për atje,-i tha Batoni dhe u dha urdhër detarëve të armatoseshin dhe të përgatiteshin për msymje.
     Kur u afruan, i dolën anash anijes që të mos përplaseshin. Ishte anije tregëtare. Në kiç apo bash nuk kishte ndonjë shenjë dalluese, por Batoni e dalloi që ajo ishte anije romake dhe ishte nisur nga brigjet italike.
     Ata të anijes u alarmuan dhe dolën në kuvertë. Ishin të paarmatosur.
     Detarët e Batonit morën shtangat e gjata me çengela, i kapën në paretet e kuvertës së anijes dhe i tërhoqën deri sa anija u afrua për të hedhur urën. Me britma të forta dhe thirrje “Mbi ta burra”, të armatosur me shtiza të shkurtra, shpata e thika, ata e morën rrezikun në sy dhe  msynë në kuvertë.
     -Asnjë lëvizje, asnjë qëndresë, ndryshe e paguani me jetë,-paralajmëroi Batoni.
      Ata ngritën duart. Të rrethuar,me majat e shtizave majëmprehta që shënonin gjokset e tyre, dhe shpatat e zhveshura që vringëllinin, ata u dorëzuan. Pa çak pa bam, aq sa Batonit nuk po i besohej.
      Kur në kuvertë po bëhej kjo zallahi, por pa gjakderdhje, nga hambari doli një vashë e re. Ishte aq e bukur, sy e flokë zezë, qafa e gjatë si e mjellmës, beli i hollë, me shtat të hedhur, duart mbushur me byzylykë të artë dhe supet mbuluar me pelerinë që ia merrte era. “Kjo duhet të jetë zana e detit”, mendoi Batoni, por jo gjysmë peshk e gjysmë grua, por e tëra femër, me mish e eshtra, bukuri që të verbonte. Zana ruajti qetësinë dhe i pa paksa e habitur por me krenari e përbuzje sulmuesit e egër e mjekroshë.
       -Kush jeni ju? Si guxoni dhe msyni anijen time?
Pyeti ajo në gjuhën e vet, por askush nuk e kuptoi. Ata po shihnin njeri tjetrin, por nga detarët  shoqërues të Zanës, doli një që dinte ilirisht, ishte nga Dyrrahu dhe shoqëronte vajzën.
      -Dëgjo mor trim, në rrjetën time s’ka qëlluar të bjerë më par e tillë zanë deti. Të na thotë ajo kush është, nga vjen e ku shkon.
       Shoqëruesi përktheu.
       -Quhet Laura, është bija e fisnikut Aurelian, patric dhe senator në senatin e Romës. Shkon në Dyrrah, të bashkohet e lidhet në martesë me Julin, të birin e gjeneral Oktavit, që komandon garnizonin e Dyrrahut. Thotë që, asaj dhe njerëzve të anijes, të mos u prekni një fije floku, se do të pendoheni keqazi. Kush prek atë, ka prekur Romën dhe kush prek Romën, zere se prek gjarprin!
    Batonit nga njeri vesh i hynë nga tjetri i dolën fjalët e saj. Ai nuk ishte nga ata që tuten nga fjalët e një cuce.
        -Unë jam Batoni, biri  Narentit fisnik nga Olçini, qytetar i lirë i mbretërisë Ilire, më quajnë edhe Ulku i Detit se zeja dhe mjeti im i jetesës është pirateria.
Laura dhe njerëzit e saj janë robërit e mi.
       -Urdhër, prijës, ç’farë duhet të bëjmë?
       -Robërit të gjithë në konop, lidhini duar e këmbë. Dorzojuani sekserëve te tregu i skllevërve në kala. Mos i jepni për një copë bukë. Paret mbajini për vete. Cucën po e marr me vete në Skodër. Ajo vlen të peshohet me flori. Ndahuni më dysh. Anijen e zënë çojeni në shtëpi. Është plaçka jonë,e kemi fituar me punë.
    Robërit i lidhën dhe ata u ulën galiç në kuvertë. Laura nisi të dridhej nga nervozizmi, por krenaria nuk e linte të shkrehej në lot. Ishte qytetare romake dhe nuk donte tu bënte qejfin këtyre barbarëve të palarë që qelbeshin si derra!
Kqyrën hambarin e anijes robinë. Aty ishin dy sepete të mëdhenj dhe një sëndyk I vogël. Kishte në ta veshjet e trupit dhe stoli,orendi shtëpiake dhe halli e qilima të shtrenjtë.
    Teshat stolitë dhe sendet e luksit i ngarkuan në anijen e Batonit.
Laurës I thanë të ecte mbi urën me dërrasa dhe të hidhej në anijen tjetër, por ajo nuk pranoi. Batua i bëri me shenjë Enos të bëshëm e të fortë. Ai e mori Laurën para duarve si të ishte pupël. Ajo kundërshtoi dhe e kafshoi në llërë, por ai e duroi dhe si ujku që rrëmben prenë, e çoi në anije dhe  e uli në kuvertë.
    Duke fërkuar vendin e kafshuar ai tha:
    -Mos qoftë e thënë që, kjo qenusha të jetë e tërbuar, se do të tërbohem dhe vetë!
       3
        Anija e Batonit kishte hyrë në skelën e Bojanës dhe kishte hedhur çengelin. Laura e mbyllur në kabinën e ngushtë që mbante erë të rëndë myku,lagështie dhe djerse, nuk e dinte ku gjendej e në dorë të kujt ishte. Nga një rreze dielli që binte, ajo besoj se duhet të kishte kaluar mesdita. Te dera bënte roje ai djaloshi i fuqishëm që e kishte marrë hopa. I shpunë për të ngrënë, por ajo as që i ngjëroi, piu veç një gllënjkë ujë. E ulur shesh, kishte rrokur gjunjët me duar dhe e përhumbur mendonte prapësitë e fatit: Ishte nisur para një dite, e përcjellë me shumë dashuri për të shkuar në Dyrrah, ku do të lidhte jetën me Julin e saj, që e kishte shok që në fëmijëri dhe, kishte përfunduar robinë në duart e një pirati barbar. Pse vallë Venera[3] i kishte dhënë këtë vuajtje? A si kishte kushtuar ajo në altarin e tempullit flitë e çmueshme?
    Kur ajo ishte duke qarë fatin e saj të mbrapshtë, erdhën tre ushtarë. E urdhëruan të hidhte në supa pelerinën, fytyrën ta mbulonte me vel dhe kokën me kapuçin e pelerinës dhe të shkonte me ta. Ata e vunë në mes dhe ajo, pa i kundërshtuar i ndoqi pas. Jashtë skele i prisnin kuajt dhe një karro. Në karro vunë sepetet.
      E pyetën nëse ajo dinte të kalëronte, apo ta merrnin në vithëe të kalit. Ajo dinte të kalëronte. U nisën me trok të lehtë, rruga kalonte në breg të lumit, më tej ishte një kodër e ulët ku dukej i zhytur mes blerimit pullazi me tjegulla të kuqe i një vile fshati. Aty ua dorëzuan rojeve të vilës.
     Laura mbeti si e shastisur deri sa erdhën dhe e futën brenda dy skllave libiane, me fytyrë ngjyrë ulliri dhe belholla si gazela[4]. Ishin në shërbim të saj. Skllavet, si edhe në Romë apo Greqi: vegla me shpirt. Kishin duar për të shërbyer, sy për të parë, veshë për të dëgjuar por jo gjuhë për të folur.Të mësuara vetëm për tu bindur dhe shërbyer. Prej tyre ishte e kotë të përpiqej të mësonte gjësendi për veten e saj. I kishin bërë gati banjën dhe e ndihmuan të lahej, pastaj nga sëndyku i saj morën vajrat dhe kremrat dhe ndrresa të pastra . Nuk flisnin, lëviznin si të ishin hije, merreshin vesh vetëm me një të parë, ngritje të vetullave, pulitje të syve, lëvizjes së duarve, apo luhatje të kokës, si tu kishin prerë gjuhën.  Më pas e përcollën në dhomën e bukës, ku ishte bërë gati ushqimi.
   Ç’po ndodhte me të? Përse dhe ku e kishin sjellë? Ku ishte? Kush ishte zoti apo padroni i saj, si do ti vinte filli më tej? Të gjitha pyetjet mbeteshin pa përgjigje dhe dëshpërimi vetëm shtohej dhe zemra angështohej. Kjo vilë ishte burgu i saj, porta me një kyç mizor dhe  dy roje të heshtura si gurë varri. Duket që nuk donin ti bënin keq, por sa do ta mbanin aty vallë dhe çkërkonin të arrinin nga kjo?
    U kujtua që Dyrrahu nuk ishte kushedi larg nga Skodra. Një lajmëtar mund të shkonte aty brenda ditës. Duhej lajmëruar Juli, por si?     
    Ditët kalonin. Laurën e lejuan të dilte në kopsht dhe të bënte aty shëtitje të shkurtëra. Ushtarët ndrroheshin çdo dymbëdhjetë orë. Njeri prej tyre, dukej se kishte natyrë të butë dhe bukuri gati femërore, me sytë e mëdhenj e si të përmalluar. Laura e shihte sesi ai ia ngulte vështrimin me lakmi dhe kur ajo e shihte dhe i buzëqeshte ai skuqej i tëri si lulkuqe.
     Laura kuturisi të rrezikonte. Kur ushtari kishte radhën e rojes paradite, ajo mori një grusht stoli të arta në një qeskë kamoshi dhe doli gjoja për të marrë ajër në oborr të vilës.Ushtari I buzëqeshi. Laura u afrua.
    -Sa larg është Dyrrahu nga Skodra?
    - Një këmbësor i mirë vete dhe vjen për një ditë e natë.
    -Ti ke qenë ndonjë herë?
    -Shumë herë.
     Ushtari pa që Laura futi dorën në gji dhe nxori që aty një qese kamoshi të qëndisur. E hapi. Stolitë, nën dritën e diellit,  shkëlqenin sa të merrnin sytë.
     -Këto do të bëhen të tuat po të më kryesh një porosi. Pasi ta kryesh porosinë, do të marrish një shpërblim që të sigurosh tërë jetën tënde.
     -Ç’farë shërbimesh kërkoni prej meje , që ma paguani mundin me aqë ar?
     -Të shkosh në Dyrrah, të takosh centurion Julin birin e Oktavit, të fejuarin tim dhe ti thuash që unë jam robinë e ilirëve, ti rrëfesh vendin ku ndodhem që të vijë të më shpengojë.
      Djaloshi nuk i ktheu përgjigje menjëherë. Gjithë ai ar dhe premtimi  për tjetër shpërblim e tundonte, por ai e flaku tej lakminë. Ari vlente më pak se besnikëria nderi dhe fjala e dhënë. Ishte ushtar i gardës, si mund të tradhëtonte besimin e mbretëreshës? 
      -Gaboheni zonjë. Një ushtar ilir nuk e shet besën e dhënë as me arin e tërë botës! As mos e shpresoni. Përsa më thatë, do të ve në dijeni eprorët e mi, -tha dhe i ktheu shpinën me përbuzje.
    “Ja edhe një idealist e idiot besnik” tha Laura  me mllef për dështimin e orvatjes së saj.
      As të nesërmen, as ditët e tjera, ushtari i rojes nuk erdhi më. Siç duket e kishin hequr nga ai shërbim.
       Kur ajo i kishte humbur shpresat për dërgimin e një lajmëtari apo për ndonjë arratisje të mundshme, ndihma i erdhi nga nuk e priste dhe ajo asnjë herë se mësoi si ngjau.
    Të nesërmen pati një vizitë. Vizitorja ishte grua. E nisur dhe e stolisur me të tepërt. Nga mënyra sesi ecte dhe sesi e kundroi, dukej që ishte nga sëra e lartë. E shoqëronte një vajzë , siç duket shërbenjëse e saj. I tha se kishte vajtur thjesht ta shihte ngaqë ajo vinte nga një vend tjetër e i panjohur dhe se i kishin thënë që ishte shumë e bukur, dhe vërtet ashtu ishte. Tha këto dhe po i vinte rrotull ashtu siç i vjen xhambazi një kali rrace  kur kërkon ta vlerësojë. Laura po ndiqte lëvizjet e saj me një lloj shqetsimi e frike nga ndonjë e papritur. Zonja u ndal dhe pastaj me shkujdesje u ul në divan si të ishte zonjë shtëpie.
     -Edhe pse robinë, në këtë shtëpi je mysafirja ime, si ta them qiraxheshë. Besoj se të kanë sajdisur dhe kujdesuar ashtu si të takon.
     -Pse më mbajnë këtu, përsa s’kam bërë ndonjë faj apo shkelur ndonjë ligj të vendit tuaj?
     -Vetëm shtëpia është imja, urdhërat si jap unë. Je me fat që ndodhesh këtu, se mund të kishe përfunduar në tregun e skllevërve.
     - Ne, romakët, i paguajmë shërbimet që na bëhen. Lejomëni zonjë fisnike t’u bëj një dhuratë.
       Nga peshtafi i saj mori  një stoli, të punuar hollë me një gur rubini të kuq, me shpresë se do të arrinte të mësonte gjësendi për gjendjen dhe fatin e saj.
       Ajo stolinë e mori por gojën s’e hapi, ishte pus i thellë. Vetëm deshi të dinte ashtu si rastësisht, nëse i kishte shkuar për vizitë një princ i familjes mbretërore.      Laura hezitoi të përgjigjej, desh të dinte kuptimin dhe shkakun e asj pyetjeje intriguese.
      Nga vonesa e përgjigjes, gruaja nisi të dyshojë dhe kur mori përgjigje mohuese, ajo nuk u qetësua  dhe iku ashtu siç kishte ardhur.
      Kjo grua ishte Jerina, e shoqja e Skerdilaidit. I shoqi i kishte rrëfyer se në vilën e tyre të verimit, kishin strehuar me porosi të tij një patrice romake, bijë e një senatori, që piratët e kishin zënë robinë në Adriatik. Ai i kishte paguar për të piratit olçinakas, nga thesari i shtetit një barrë argjend, për t’iu ruajtur ndonjë sherri me Romën, por edhe për të nxjerrë ndonjë përfitim politik prej saj. Kjo tashmë nuk ishte më një çështje private. Pirati e kishte bërë dëmin, efekti duhej zbutur me sjellje e përkujdesim të njerëzishëm.
      Jerina ishte xheloze dhe dyshuese për besnikërinë e të shoqit, ai veç mos gjente rast, pale kur zogu i vinte në dorë, prandaj ajo i rrinte si gjeraqinë mbi kokë. Deshi ta shihte vetë këtë vashë të huaj që i shoqi i tha se ishte fort e bukur dhe e veshur ndryshe nga vashat ilire. U nis dhe gjoja shkoi si padashur, se gjoja i ra rruga andej dhe u kthye t’i hidhte një sy vilës, se po vinte koha të banonin në të.
    Kur e pa patricen romake, u bind. Aq e bukur sa ishte e huaja ajo s’ja kishte besën Skerdilaidit. Sa më shpejt të ikte  romakja aq më mirë.  Tinëz nisi në Dyrrah një besnik të sajin për të lajmëruar centurion Julin.
    4
Oficeri i shërbimit hyri në kabinetin e punës së Teutës me hap të lehtë dhe priti që ajo ta shihte.
-Më thuaj.
-Madhëri, ka ardhur dhe kërkon tu takojë një oficer romak nga Dyrrahu. Thotë se quhet Jul, është bir I gjeneralit të garnizonit romak. Thotë se ka për të biseduar me ju një problem  të tijin, privat.
   Teuta ishte duke kqyrur imtësisht ca makete anijesh që dukeshin si lodra. I mënjanoi me dorë me shumë kujdes dhe i tha:
  -Le të hyjë.
    Romakun e kishin kontrolluar, çarmatosur dhe e shoqëronin dy truproje të mbretëreshës, që e kishin kapur nga krahët.
   -Lereni,-u tha ajo,-se romaku do tu thotë njerëzve të vet se ne kemi frikë nga vizitorët, në një kohë që ne kemi frikë vetëm nga Zotat.
    Romaku u përul lehtësisht:
    -Salve[5], Mbretëreshë. U sjell nderimet e mia dhe ato të tim eti, gjeneral Oktavit, që me vullnetin e senatit komandon garnizonin e legjionarëve të Dyrrahut.
    -Shëndet e të mira paçi ju dhe ati juaj fisnik. Po dëgjoj kërkesën tuaj.
     - Në Adriatik, në det të hapur, një shtetas i juaj, pirat, ka sulmuar dhe sekuestruar anijen me të cilën lundronte për në Dyrrah, e fejuara ime, Laura. Detarët i skllavëroi, anijen e grabiti dhe Laurën e robëroi. Ky është dhunim i qytetarëve të lirë romakë dhe shkelje e të drejtës së lundrimit që nuk do të mbetet pa pasoja.
    -Zotëri, keni ardhur për nusen tuaj, apo të më japësh mësime për të drejtat e romakëve dhe lirinë e lundrimit? Mos përzjeni një çështje private me atë shtetërore. Nuk jeni ambasador dhe nuk e keni këtë tagër, prandaj peshojini fjalët! Jeni përpara mbretëreshës së Ilirisë. Ne i njohim mirë të drejtat tona. Vazhdoni!
   -Kërkoj të më ktheni Laurën, anijen dhe të lironi nga skllavëria detarët që janë qytetarë e shtetas të lirë romakë.
    -Jam në dijeni të ngjarjes. Laura u ble nga robëruesi i saj me shpenzimet e thesarit të shtetit. Është në një vend të sigurtë, dhe është trajtuar siç i takon  sërës dhe ofiqeve të saj.
     -Do t’u paguaj, madhëri sa të kërkoni.   
Pasi heshti pak,Teuta ia shigjetoi sytë djaloshit romak sa atij i djersitën  duart.
    -Ne nuk jemi tregtarë, këtu s’je në tregun e skllevërve, por në oborrin e mbretërisë së Ilirisë, ku ndryshe ngasa mendoni ju, sundon drejtësia. Laurën ju mund t’a merrni, por me dy kushte.
    -Po pres të dëgjoj kushtet, madhëri.
    -I pari, nëse Laura dëshiron të vijë me ju. Kemi edhe ne këtu ca djem azganë, trima e të hijshëm, se ilirët janë racë e bukur. Ku ta dish, Laurës mund ti ketë rrahur zemra dhe mbetur syri te ndonjeri prej tyre!
    Julit iu errën sytë, e kapi një zemërim i beftë shpirttrazues, shigjeta djallëzore e shkrehur nga harku i mençurisë së mbretëreshës e kishte goditur në zemër e në tru. Ajo e bëri të dyshonte në besnikërinë e të dashurës dhe krimbi i xhelozisë nisi ti gërryente zemrën. Nuk u përgjegj. Aq gjë e dinte. Një sovran mbetet sovran edhe kur e tejkalon të drejtën.
     -E dyta, ne kërkojmë, që në rast nevoje, në portin e Dyrrahut, të strehohen, meremetohen dhe furnizohen anije të flotës sonë mbretërore. Pasi ta pranoni kërkesën, ambasadorët le të bisedojnë për mënyrat e duhura të zbatimit të asaj marrëveshje. Pranimi do të jetë gjest mirkuptimi dhe fqunjësie të mirë.
     -Kjo e dyta nuk është në të drejtat e mia vendimmarrëse, nuk jam veç një oficer i thjeshtë , centurion[6] i legjionarëve.
     -Po ta doni Laurën aq sa thoni, dhe besoj që e doni, bindeni atin tuaj të pranojë kërkesën tonë, pastaj ejani merreni nusen tuaj, që do t’ua nisim me pajë. Ne jemi më bujarë e më të gjindshëm nga sa na pandehni. Jeni i lirë të shkoni ta takoni.Rojet do t’u shoqërojnë.
     Biseda kishte mbaruar.
     Julin e shoqëruan te vila verore.
     5         
     Laura, e rënë në dëshpërim , ngaqë kishte humbur çdo shpresë, nuk u besoj syve kur në oborrin e vilës u shfaq Juli, i shoqëruar nga tre ushtarë ilirë të gardës së mbretëreshës.
     Iu hodh në qafë e tronditur,qeshte dhe qante.
    -Zotat bëjnë mrekulli. I dashur si arrite të më gjesh?
    -Erdhi një zog dhe ma tha.
    -Mos u tall!
    -Sa ditë tu bënë që je robinë e princit Skerdilaid?
    -Po bëhet një muaj.Nuk e kam ditur që jam robinë e një princi.
     Ajo vuri re që Juli ishte i mërzitur dhe buzëqeshja e tij ishte si e vrarë, shikimi  ishte zhbirues, sikur donte të shihte një të fshehtë, një ngjarje që ajo nuk do t’ia rrëfente.
    U ulën në stolin poshtë lulevilës që në lulzim e sipër ishte mbushur me lulesa blu, që vareshin teposht shtratit të drunjtë.   
  -Takova mbretëreshën.
  - Si tu duk?
   - E bukur, e mençur, krenare dhe fodulle.
    -Më fol pak për vete. Si të ndodhi? Si janë sjellë me ty?
        Ajo I rrëfeu gjithëçka, me hollësi dhe imtësi: si kishin sulmuar piratët në det të hapët, sa të egër, të tmerrshëm dhe të frikshëm kishin qenë, skllavërimin e detarëve, rrëmbimin e anijes, robërimin e saj.
    -Me mua janë sjellë mirë. Më mirë nga sa e mendoja. Fisnikërisht, aq sa më bënë të ndërroj mendimin e keq që kisha për këta popuj barbarë. Jam krejt e dëlirë, thesarin tënd e kam ruajtur si gjë të shtrenjtë dhe e ke të paprekur e të papërlyer!
    Juli ndjeu një ngazëllim të brendshëm, iu fashit çdo dyshim i zymtë, që i lindi nga ato fjalë që i tha mbretëresha. Jo. Laura ishte e tëra e  tija.
    -Ç’farë presim? Më merr dhe eja të ikim.
     Juli i rrëfeu  për kushtin që kishte vënë Mbretëresha Teuta. Ajo nuk do të fitonte lirinë pa përmbushur atë kusht. S’kishin si t’ia bënin, asaj i kishte ardhur zogu në dorë.
     Laura u trishtua, krahët iu varën, gjunjët iu prenë, fjalët i ikën, vështrimi iu errësua. Si kështu? Kaq mëri kishte Venera  për të, që i ruajti këtë fat të hidhur e të trishtuar?
    -Po sikur babai të mos pranojë?
    -Do vij të të rrëmbej. -I tha ai, - Dukej që s’bënte shaka , ngaqë e tha me vendosmëri e guxim.
      Rojet i thanë se takimi kishte mbaruar dhe zotria duhet të largohej. U ndanë të dëshpëruar. Laura e ndoqi me sy deri sa kuajt u futën në kthesën e udhës prapa kodrës. U kthye në dhomë, ra përmbys në shtrat dhe u mbyt në lot.
                                                            *      *       *
   Gjeneral Oktavi, më në fund u thye nga lutjet e të birit. Ai solli ndërmend historinë: Për Helenën e bukur, ishte bërë lufta e Trojës, por për Laurën nuk duhet të luftohej e të derdhej gjak, ajo nuk mund të ishte një “Kazus beli”[7]. Më në fund ati, fitoi mbi politikanin dhe gjeneralin. Kushti u pranua.
     Ashtu siç kishte premtuar Teuta, Laurën ditën që u nis, e veshën me kostum ilir, një xhubletë madhështore, të bardhë,qëndisur me gajtan të zinj e të kuq, jelek pa mëngë, këmishë mëngëgjerë si krah fluture, brez me pafka argjendi dhe flokët të pleksur gërsheta, kurorë mbi ballë, zbukuruar me stoli të arta.
    Juli u mrekullua kur e pa dhe iu duk sikur po martohej vërtet me një vajzë ilire. Një shpurë krushqish e përcollën deri në të hyrë të Dyrrahut.
     Robina u lirua,dasma u bë,por Senati Romak mbajti shënim për këtë ngjarje si një shfaqje tipike të piraterisë ilire, që në Adriatik ishte kthyer në një militarizim detar të vërtetë.
           6
           Te pijetorja e Uskanit, dearët kishin kthyer ca kupa verë dhe po bëheshin gati të dilnin në det. Kur panë që hyri Batoni, iu mblodhën rrotull:
        -Baton,thonë se këtë herë të ra në rrjetë një zanë deti. Është e vërtetë?
         - E vërtetë.
         -Ç’bëre me të?
          -Një krushqi. E martova.
          -Pse se mbajte për vete?          
          -I tutem  gruas se e kam të sertë.
           Batoni ndryshoi bisedë.
           -Për nga e keni bërë niet që të “gjuani”?
           -Larg. Këtej pari s’ka gjë për së mbari. Në Heladë, në Elidë dhe Mesini. Është një bregdet i bukur, i sheshtë e i shtrirë shumë gjatë. Fshatrat janë afër bregut, qytetet larg. Sa tu vinë ndihmat ne kemi kryer punë. Vëndi është i begatë me kamje  e gjë të vyer.  Eh, veç ti shohësh si marrin arratinë kur u turremi, ikin si tufa e grigjës kur u sulet ulku. Helenëve po u kallim datën. Po na doli para ndonjë anije tregtare, kur na e ha syri edhe atë se kursejmë. Or mik, deti është vreshta jonë, gjetk ne s’kemi ku të vjelim!
         Batoni nuk i ktheu përgjigje. Ata kishin shkuar si shumë larg.
        -Po ti me të tutë, nga do pllaquritesh?
        -Nga veriu.
        -Shiko se mos këtë herë ze ndonjë përbindësh deti!
        Ata u nisën. Batoni mbeti në pritje të detarëve të vet. Edhe peshkatarët po mblidhnin rrjetat dhe po gatiteshin për gjueti. Ishte stina e sardeleve.
        Batoni kishte vendosur tu vinte rrotull brigjeve veriore, midis ishujve të shumtëtë të dilte  në jugë të Isës dhe pastaj të shtyhej drejt perëndimit në kërkim të presë që do t’i sillte fati nga brigjet italike.
       Pas disa orë lundrimi, hasën një “Liburnë” të patrullës mbretërore. Ata i bënë shenjë që të afrohej. Në det hodhën një varkë. Kur u afruan, i thanë se Batonin e kërkonte oficeri. Para se të zbriste në varkë, Batoni pyeti kush ishte Oficeri. Kur i thanë emrin,u qetësua,ishte një olçinakas, i njohuri i tij. Kishin shërbyer bashkë, para se batoni të shkëputej nga Flota Mbretërore.
      Pasi u përshëndetën, oficeri i tha se një anije nga Isa, kishte çarë rrethimin dhe ishte drejtuar nga jugu. Detarët që kam nuk më mjaftojnë. Nuk e di se sa njerëz janë dhe çfarë armatimi kanë. Bashkohu me mua ta kapim. Ke mjaftueshëm armë?
      Batoni u mendua, por më në fund ai guximi i krisur dhe etja për luftë e mundën ngurrimin. Pranoi.
   Lundronin në çift. Po afrohej mbrëmja kur në largësi u duk vela e bardhë.           U  ngutën për t’i dalë përpara dhe detarët u gatitën për sulm.
   Nga anija tjetër, tundën një flamur të bardhë, si shenjë paqe dhe marrëveshje.
   -Kush jeni dhe nga vini,- pyeti Batoni me zë të lartë.
   -Jemi nisur nga Isa e rrethuar. Jemi delegatë të dërguar nga paria e ishullit për të biseduar me mbretëreshën Teuta. Me ne janë edhe dy delegatë romakë, të ardhur enkas, pasi ne i kemi kërkuar ndihmë Romës.
   -Po romakët ç’kërkojnë?
   -Do bëjnë disa kërkesa dhe do të ndërmjetësojnë për paqe.
     Komandanti patrullës nuk u zuri besë. Kushedi se çfar rrengu kërkonin të punonin. Anija e tyre ishte me ushtarë të armatosur dhe ndofta ishte nisur për në Romë
     -Zbrisni nga anijua juaj dhe hajdeni në kuvertën e anijes sonë dhe ne do tu çojmë shëndosh e mirë në Skodër.
     -As mos e ço ndër mend. Nuk ua kemi besën.
     -E po, atëhere, anijen do ta robërojmë.
      -Mos e provoni se do të pendoheni.
      Ishte  përgjigja nga anija tjetër dhe ushtarët ngritën harqet, shkrehën shigjetat  por askush nuk u godit.
     Lufta ishte shpallur.
     Batoni me të vetët hodhën në kuvertën e anijes që msynin, çengelët me konop të trashë liri, nëpër ta u kacavirrën detarët me thika në brez, ndërsa shokët i mbulonin me qitje shigjetash, por ata të anijes i prenë litarët me sëpata dhe detarët ranë në det. Anija e patrullës  u afrua dhe deshi të hidhte një urë për të zbarkuar në kuvertën armike,por edhe urën e hodhën në det.
   Atbotë, Batoni porositi njerëzit e vet të gjuanin me shigjeta të ndezura dhe shuqe shtupe me vaj që u kishin kallur flakën. Vela dhe direku u përfshinë nga flakët, u ndezën edhe turrat e konopëve dhe kuverta. Teksa ata po rrekeshin të shuanin zjarrin, Batoni me shokë hovën në kuvertë. Nisi lufta dhemb për dhemb, për jetë a vdekje në atë vend të ngushtë të përfshirë nga flakët. Shumë u vranë, të tjerë, që të shpëtonin nga flakët u hodhën në det, aty  i vranë me shigjeta dhe shtiza. Deti u skuq nga gjaku Të dy romakët luftuan me tërbim dhe vdiqën si burrat. Nga anija isjane askush nuk mbeti I gjallë.
    Kishte rënë muzgu. Anija që digjej ngjante si  pishtar i një fundi fatkeq dhe i një fitoreje, që s’lajmëronte asgjë të mirë. Kishte qenë një kacafytje trimash.
    Batoni kishte hasur vërtet në një përbindësh deti. Disa nga shokët kishin marrë plagë. Për të kishte qënë një luftë pa fitim e plaçkë.
   Delegatët e Isës dhe të romës nuk mbrritën në Skodër dhe nuk u mor vesh se çfarë mesazhi përcillnin.
    Kur lajmi mbrriti në Romë, senati e mbajti shënim këtë rast si një dhunim të hapët të qytetarëve romakë nga ana e Mbretërisë Ilire. Pak e nga pak, kupa e së keqes po mbushej. Ana e peshores së drejtësisë,  po rëndohej nga krahu i fajeve.
       
      vijon


[1] Argali,avlëmend,tezgjah artizanal.
[2] Deti Mesdhe
[3] Perëndesh e dashurisë te romakët
[4] Kaprolle afrikane
[5] Salve, përshëndetje.
5 Centurion,oficer që komandon njëqind ushtarë
[7] Shkak lufte