e mërkurë, korrik 10, 2013

TEUTA E ILIRISË



RESMI OSMANI                                                                    ROMAN
                                                                                           Në proces krijimi
                          
                                        KRE I  IV 

     ANËDETI TOKË ARMIKE
     1
      Skodër, qershor 230 para erës së re.
      Kishin kaluar dy stinë që Teuta ishte në krye të Ilirisë. Buena dhe Ourundi kishin përcjellë shumë ujë për në det dhe stinët i kishin zenë vendin njera tjetrës. Edhe ngjarjet rridhnin si uji dhe ndryshimet vinin si stinët.
                                                        *      *      *  
      U bënë bisedime me Dardaninë, u qetësuan fiset kufitare dhe u sigurua paqja me fqinjin verilindor. U përtëri besëlidhja me Maqedoninë. U dërguan ambasadorë në Romë, me letra të mbretëreshës, për të mikluar senatin dhe shprehur dëshirën për të jetuar në paqe me fqinjin e përtejdetit. Në qendrat e fiseve të Taulantëve, Atintanëve dhe Bylynëve u vendosën garnizone për të ruajtur rendin dhe shmangien e prirjeve për shkëputje. Në rrugët e brendshme që shkonin në malësitë e veriut u vendosën patrulla ruajtëse për të ndaluar plaçkitjen e karvanëve. Në minierat e xeheve,në Damastion dhe te Pirustët, u dërguan skllevër për të shtuar nxjerrjen e xeheve sidomos argjendit në Damastion dhe Arit te Pirustet. Nga taksat dhe prerja e monedhave të argjendit,thesari I mbretërisë po siguronte mundësitë e kuturisjeve të ardhshme, shtimin dhe armatosjen e anijeve për flotën. Vendosja e taksave për mallrat e konsumit që tregtarët sillnin nga toka greke dhe Roma,bëri që në qytetet e Ilirisë të ngjallej veprimtaria prodhuese e artizanatit dhe armëve. Kufinjtë ishin siguruar dhe shteti po fuqizohej. Mbretëresha e hodhi vështrimin jashtë kufijve të mbretërisë së saj dhe bregdetin. Kolonitë e Dyrrahu dhe Apolonia, ishin si dy shushunje që thithnin gjakun e ekonomisë ilire dhe me tregëtinë e tyre nxirrnin fitime të majme që i shkonin Romës. Garnizonet e legjioneve romake në roje të këtyre qyteteve, ishin rrezik i përhershëm për Mbretërinë. Në veri perëndim, ishulli i vogël i Isës, që duhet të ishte roje e bregdetit, ende nuk ishte pushtuar,por mbahej i rrethuar dhe laku i ishte shtrënguar sa po i merrte frymën.
                                                     *     *     *  
     Teuta e kishte bërë zakon që për fillim jave , shtronte një mëngjes ku hante sillën bashkë me zonjat e shquara të dinjitarëve të oborrit, aristokracisë ushtarake dhe të pronarëve të mëdhenj të tokave qe zotëronin me mijëra bujkrobër.
  Shërbenjëset e ndihmuan të lahej, e lyen me vajra dhe kremra të erëndshme, e ndihmuan të vishej dhe flokët gërsheta ia lidhën mbi ballë kurorë,ashtu si asaj i pëlqente. Uji i ngrohtë dhe fërkimi i trupit me shparcë i bëri mirë dhe i shkrifi gjymtyrët.E dinte që ishte pak e vonuar por nuk ngutej. Zonjat le të prisnin ca, kështu ato e kuptonin më mirë atë vijën ndarëse midis tyre dhe fronit. Kur hyri në sallën e bukës, zonjat u ngritën në këmbë, dhe duke u përulur me hijeshi nisën ta përdhëndesnin.
   -Mirmëngjes, Madhëri!
   -Mirmëngjes,Lartësia juaj Mbretërore!
   -Mirmëngjes,Mbretëreshë e Ilirisë!
   -Mirmëngjes,Shkëlqesi!
   -Mirmëngjes,zonja fisnike, si keni qenë?
   -Lutemi për shëndetin tuaj, madhëri!
   -Uluni dhe ju bëftë mirë.
    Teuta hante pak e me masë se kishte filluar trupi ti mbushej. Provoi djathin e njomë me mjaltë, piu pak qumësht dele me ajkë dhe një rriskë bukë  me gjalpë të freskët dhe ullinj të kripur, ca kokrra qershi, pastaj porositi ti sillnin një kupë çaj  me lule bliri.Mëngjesi për të kishte mbaruar, por nuk u ngrit. Ishte zonjë shtëpie dhe mikpritësja.
   Zonjat ishin mirë me oreks, hanin dhe bisedonin me zë të ulët për thashethemet e ditëve të fundit,për të njohurit e të panjohurit. Ishin gra.Forca e tyre ishte te gjuha dhe trimëria te kureshtja.Teutës si hiqeshin nga mendja gjith ata tituj që ia përmëndën kur e përshëndetën: “Lartësi”,  “Mbretëreshë”, “Shkëlqesi”, “Madhëri”. Apo ajo fjala e zakonshme”Lutemi për shëndetin tënd!”,gjoja se ai ishte shqetësimi I tyre I përhershëm.  E ç’duheshin gjith ato profka, si pjesë e mirësjelljes? Thjesht për ti bërë qejfin, gjasme për ti rrëfyer sa shumë e nderonin, e donin dhe e respektonin!
                                                                    *     *    *   
    Asaj nuk i hiqej nga mendja  biseda e shtruar dhe e mençur që kishte bërë me të mbrëmjen e shkuar, Lalë Zoradi, kujdestari i saj nga Rizoni, që e kishte rritur dhe tërhequr për dore qëse ishte fëmijë. Ajo e kishte thirrur se kishte nevojë për fjalën e tij të urtë e të mençur. Ai erdhi: I plakur,me breroren  e flokëve dhe mjekrën borë të bardhë, por ende i fortë.
     Teuta i puthi dorën e rreshkur,ai i ngashëryer e rroku dhimsurisht në gjoksin e plakur . Nuk mundi ti thoshte veçse:
     -Bija ime!
     -Të lodhi rruga,lalë Zorad?
     -Ti e di,unë jam mik i Redonit, është hyu im. Detin  e paqësoi dhe erën e shtroi që, udhëtimi im të ishte i qetë.
       Pas darke, kur nisi të freskohej dhe në qiell dolën yjet e parë, teksa xixëllonjat, si të zëna për dore hidhnin vallen e tyre të hallakatur të shënjuar nga dritëza  e ftohtë dhe e zbehtë dhe nata ishte e mbushur me zërin e gjonit dhe të qyqes,që përjetësisht kërkonin njeri tjetrin po nuk takoheshin, ata vetëm të dy,u ulën në tryezën e gatitur, posht hijes së pjergullës.
    Ajo i foli për ato gjashtë muaj që kishin kaluar. Përpjekjet për ta qendërzuar pushtetin, qetësimin dhe paqtimin e fiseve kundërvënëse, ndalimin e prerjes së monedhave duke ja lënë këtë të drejtë vetëm Rizonit, ndihmat për zhvillimin e zejeve dhe tregjeve të gjithë qyteteve, monopolin e kripës,drithit dhe minierave të xeheve të hekurit,bakrit,arit dhe argjendit, forcimin e ushtrisë dhe ndërtimin e anijeve të reja.
     Lalë Zoradi e dëgjoi dhe asnjëherë nuk e ndërpreu. Kur ajo e përfundoi rrëfimin, ai i tha me zë të shtruar e të qetë:
     -Teutë, o trimëresha dhe e mençura ime që të ra shorti të mbretërosh Ilirinë. Për gjithë sa më the, ti ke këshilltarë dhe “Miqtë e Mbretit”, unë dua tët të them ato që ata nuk ti thonë, se ose nuk dëshirojnë,  ose nuk guxojnë.
      -Më thuaj,Lalë Zorad, dhe çdo fjalë e jotja do të zerë vend në mëndjen dhe zemrën time.
- Pushteti është fuqi, një bekim dhe vullnet që e japin Zotat. Pushteti, për mbretin është barrë e rëndë dhe përgjegjësi, për fatet e vendit dhe njerëzve. Mbreti sundon me zemër,mendje, vullnet dhe ligjet e trashëguar nga të parët. Mbreti është si ajo drita e pishtarit rreth se cilit turen dhe vijnë rrotull fluturat e natës. Ata ishin oborrtarët, dinjitarët e shtetit. Jeta e kishte bindur atë se duhej të mos u besonte dhe  të ruhej nga ata që vetem i buzëqeshnin dhe i puthnin dorën. Pasi shpesh pas buzëqeshjes dhe shtirjes, në zemër kishin helmin, por nga goja nxirnin mjaltë! Por duhet ta dish se , goja asnjë herë nuk flet para mendjes dhe nuk linte të delnin nga gardhi i dhëmbëve,  atë që ndjen me të vërtetë zemra dhe mendja, por atë që duhet, edhe pse ai apo ajo që e thotë nuk e dëshiron apo beson. Nuk duhet të zemërohej me ata që guxonin ta kundërshtonin dhe t’i thoshin të vërtetën. Ata ishin guximtarët, të ndershmit dhe guximtarët janë të drejtë. Atyre mund tu besosh.
     Plaku lagu gojën me një gllënjkë verë dhe vijoi bisedën e tij që më shumë I ngjante një bisede me vetveten:
     -Sinqeriteti dhe dashuria janë të largta, në mos të huaja në majat e pushtetit. Prapa atyre buzëqeshjeve të rreme, të shtira e të ëmbëlsuara nga drita e rreme e syve, e dinin vetëm zotat se çfarë mendime dhe shestime të errta fshiheshin. Mendja e njeriut është  pus i thellë, ku askush nuk e di se çfarë fshihet. Kjo ishte forca e pushtetit: bënin në dukje sikur të  donin e të nderonin edhe ata që të urrenin e të donin të vdekur, hiqeshin  sikur bindeshin ata që në heshtje ishin të pabindur e kryekcyem! Ajo duhet të ishte e bindur dhe e sigurtë se pushteti i mbretit jepej nga zotat që të udhëhiqte grigjën. Një fjalë e saj hidhte mijërat në luftë,në gjak e vuajtje, lufta ishte si një mallkim, por e nevojshme kur duhej. Po një fjalë tjetër sillte paqen, rendin e qetësinë. Dhe paqja ishte si një bekim. Jeta e njerëzisë s’ishte veç një këmbim i luftës me paqen.Një rrugëtim i pandërprerë në kërkim të fatit, i fitoreve me humbjet. Kur flet mbreti, te gjithë duhet të heshtnin, fjala e tij ishte ligj, urdhëri i pakundërshtueshëm dhe zbatimi i tij i detyruar qoftë edhe nëse kërkohej jeta! Prandaj mbreti duhet të matet dhe përmbahet në ato që thotë dhe vendos. Ndëshkimet që ai jep pranohen si fatalitet dhe padrejtësia si drejtësi. Mbreti nuk gabonte. Mbreti kishte gjithmonë të drejtë. Mjerë kush mendonte ndryshe! E drejta e tij hyjnore  ishte të urdhëronte dhe komandonte,të tjerët të bindeshin dhe të vepronin. Ajo me mëndjehollësinë e saj  duhet ta rrokte kuptimin e pushtetit në gjithë plotërinë e vet: Pushtetin nuk mjaftonte ta fitoje apo trashëgoje, por duhet të dije ta mbaje, me çdo çëmim e mjet. Pushteti ishte fuqi. Pushteti ishte përgjegjësi për fatet e vendit dhe popullit tënd. Dhe që ta mbaje, veç vullnetit të hekurt e dorës së fortë, atë duhet ta shpërndaje,t’ua jepje edhe të tjerëve, që ishin krahët, veglat e tua të bindura e besnike dhe kjo shpërndarje ishte si burimi i ujit, që ndahet në rrëkeza dhe shkon e ujit çdo rrënjë bime në truallin e shtetit.Për ty,shteti dhe pushteti janë  një e të pandarë dhe duhet ti  njësoh me jetën tënde, jetë që, ashtu siç më the,  e ke vënë në altarin e shënjtë të Ilirisë.
    Sa për mëshirën, ajo vlen pasi ta kesh mposhtur dhe dërrmuar armikun, atëhere vlen zemërmadhësia dhe ndonjë gjest bujarie.
     Shpresa, është ligështim i shpirtit,të presësh atë që dëshiron dhe po nuk luftove ta arrish, përfundon i çgënjyer dhe i mundur.
    Kështu i kishte thënë Lalë Zoradi i ditur dhe i mençur.   
                                                            *        *         *
Zonjat që kishin mbaruar sillën,prisnin që mbretëresha të çohej, por ajo dukej si e përhumbur  në mendime dhe i kishte harruar mysafiret e saj. Ato nisën të murmurisnin. Teutën e nxori nga hullia e mendimeve ajo pëshpëritje grarishte dhe u përmend. Pa që prisnin fjalën e saj.
    -Atëhere ,zonja fisnike, u bëftë mirë dhe uroj të kaloni një ditë të këndshme.
    -E këndshme qoftë edhe për ju mbretëreshë!
    -Urimi juaj sjelltë mbarësi, por dita ime s’ka për të qenë aq e këndshme sa e mendoni.
     2
     Triteuta e priste te dera e kabinetit të punës.
      U përshëndetën dhe hynë të dyja njëhershe, Teuta nuk u ul në tryezë,por në divanin e rehatshëm shtruar me poste të leshta delesh. Besoj se e motra nuk kishte ardhur rastësisht. Sa për të hapur bisedën e pyeti për shëndetin e Pinit.
    Triteuta:Mirë, rritet ngadita. I pajtova një mësues tjetër, që ti mësojë latinishten dhe dituritë e tjera.
     Teuta:Fort mirë ke bërë. Duhet të rritet I ditur që kur ti vijë koha të mbretërojë me urtësi  që do ti nxëjnë mësuesit dhe me trimëri që e ka trashëgim nga gjaku. Mos deshe të më thoshje gjë?
     Triteuta:Në të vërtetë,prandaj edhe kam ardhur.
     Teuta:Po të dëgjoj.
     Triteuta:Kam vendosur të martohem,-tha ajo pa i rënë rrotull.
     Teuta nuk e dha veten, ajo diçka kishte dëgjuar të flitej nga zonjat e shoqërimit.
     Teuuta: Nuk prite dot sa mbi varr të Agronit të mbinte bari i ri?
     Triteuta:Ti për të ke qënë gjithnjë e para, më e pëlqyera. Mua asnjë herë s’më ka dashur sa ty. Duket që u martua vetëm për të lindur një trashëgimtar dhe kur ky lindi unë mbeta e harruar.
     Teuta:Nuk ma kishe thënë ndonjë herë sa qe Agroni gjall!
     Triteuta:Pse ta thosha. Ishte një gjë që shihej e kuptohej. Tani, që ti je mbretëresha dhe merresh me punët e mbretërisë, në këtë kështjellë dhe mbarë Ilirinë, sytë janë drejtuar tek ti, si sytë e detarëve te ylli veriut. Unë jam e tepërta. Rroj fare kot. Askush s’mi hedh sytë, askush s’kujtohet që jam e gjallë. Jam ende e re dhe s’kam pse ta mbyll jetën me zymtësi, mërzi e pa shpresë brenda mureve të kësaj  kështjelle, duke u vyshkur dhe mpakur përditë.
    Teuta:Kush është dhëndërri fatlum,që do të martohet me të venë e mbretit dhe do të bëhet pjestar i familjes mbretërore?
     Triteuta: Gjeneral Dhimitër Fari, admiral i flotës dhe qeveritar i ishullit të Farit.
     Teuta: Motër,nga çfarë brumi je gatuar ti, që nga foleja e shqiponjës shkon të klloçitësh në folenë e sorrës? Si e këmben një luan me një çakall? Nuk e kupton që ai po të përdor? Mëndja dinake e grekut pret hollë dhe shikon larg. Ai kërkon të fusë një këmbë brenda oborrit duke u martuar me nënën e mbretit dhe më pas të fitojë të drejtën e kujdestarit, e pse jo të ulet në fronin e tij.
     Triteuta: Me jetën time do të bëj atë që më duket më e mira. Gjenerali është burrë me cilësi e vyrtite që në rastin tim I rrëfeu në Adriatik. Beqar,i pjekur në moshë, i hijshëm, trim dhe  mentar. Mbreti që ja njihte këto veti, e besoi dhe i dha ofiqe me rëndësi, që i gëzon sot e kësaj dite.
  Teuta: Por si shkonte ndërmend se një ditë ky gjenaral dinak grek, që tradhëtoi njerzit e vet, do t’ia fuste në shtrat të shoqen,nënën e princit trashëgimtar.
    Heshtje e rëndë,shtypëse.
     Teuta: E kisha detyrë të ti thosha këto. Vepro ashtu si të duket më mirë, por mos të të rrejë mendja dhe ta sjellish Farin të bujtij në kështjellë. Nuk mund të lejoj që altari i mbretit të përdhoset dhe ndotet nga lapërdhitë e kësaj martese. Shko jeto në pronat tona të Rizonit, në daç edhe në Far që të gëzosh me burrin e ri.
     Triteuta: Do të shkojmë në Far.
     Teuta: Duket që e paskeni me ngut. Pini do të qëndrojë këtu, si mbret I Ilirisë. Nuk mund ta marrësh me vete.
      Triteuta: Mos ma bëj këtë, është si të ma  çash zemrën më dysh!
      Teuta: Në atë zemër të vogël mosmirnjohëse, është ulur galiç burri i ri. Aty s’ka vend për dy vetë. Njeri është i tepërt, dhe i tepërti është Pini. Tani që mbeti pa nënë , do ta bëj bir për shpirt! Mund të vish ta shohësh e ta takosh sa herë të duash dhe kurdoherë që të duash.
     Biseda kishte mbaruar. Ato nuk kishin ç’ti thoshin më njera tjetrës.
      3
      Këshilli Luftës ishte mbledhur në sallën e armëve. Ishin aty princi Skerdilaid,komandant I forcave tokësore,admirali I flotës Orgesi, gjeneral dhe admiral I flotës së veriut Dhimitër Fari, komandanti i gardës mbretërore Lisini, kujdestari I furnizimeve të ushtrisë dhe flotës Laloshi, dhe dinjitarë e këshilltarë të mbretëreshës, që në pritje të saj bënin biseda të lira.
    Teuta hyri në sallë me Mbretin për dore. Pini shkonte pas saj si manar duke parë pak me habi burrat e atyshëm. E ndjente veten të tepërt dhe nuk e kuptonte pse e kishin shkëputur nga lodrat e tij. Teuta e uli mbretin në fronin e tij dhe vetë zuri vend në krah të djathtë. U bë heshtje, në pritje të fjalës së Teutës.
   Ajo pasi i përshëndeti dhe i pyeti për shëndetin, e nisi bisedën sikur t’a kishte lënë më parë përgjysmë. Me sytë mbi Pinin, ajo tha:
    -Mbretëritë  dhe shtetet janë si fëmijët: Lindin, rriten, rinohen, burrërohen dhe ….plaken. Edhe shteti ynë, lindi dhe u rrit nën kujdesin e mbretit Skerdilaid që I la trashëgimin Pleuratit, hodhi shtat, u rinua dhe fuqizua nën mbretin Agron. Tashmë ka ardhur koha të burrërohet dhe ky short na ka rënë neve, që t’a bëjmë Ilirinë shtet të gjithë Ilirëve, nga lindja deri në perëndim, nga veriu deri në jugë, deri në kufirin e botës Greke. Nuk e bëjmë këtë për të tutur komshinjtë , por për nderin dhe jetën e shtetasve tanë, duke i kthyer Ilirisë atë që ia kanë marrë dhe që i takon t’i kthehet. Dihet, rrënjët e pemës së shtetit dhe të lirisë vaditen me gjak dhe me jetë të shuara të etërve për bijtë dhe themelet ngrihen mbi eshtrat e të rënëve. Çdo brez, paguan haraçin e tij të gjakut. Eshtrat dhe gjaku i bëjnë të qëndrueshme e të pathyeshme këto themele.
   Teuta heshti dhe pa një për një të pranishmit. Ata e kishin dëgjuar, por ende nuk po arrinin të dinin se në cilë dhteg do të dilte ajo ,me atë bisedë.
    -Kur më besuan kujdestarinë dhe mëkëmbësinë e mbretit, u betova se do ti shpija në vend ëndërrat dhe dëshirat e mbretit Agron për një Iliri të madhe e të bashkuar në një truall,kudo ku nanës i thonë nanë,bukës bukë dhe ujit ujë. Atë zotat e morën pranë vetes dhe nuk arriti, na takon neve t’a arrijmë.
Ky është synimi ynë afatgjatë: Një Iliri e madhe, ku ilirët të mblidhen nën çatinë e një shteti të vetëm. Mënyrat për arritjen e saj do të përpunohen pjesë pjesë, nga ne në kohën e duhur, në varësi edhe nga zhvillimet politike e ushtarake të siujdhesës ilirike apo në perëndim të Adriatikut. 
     Ajo i vuri në dijeni për njoftimet që i kishin sjellë ambasadorët e dërguar për bisedime në Dardani, Maqedoni dhe Romë. Në veri dhe në lindje,ilirisë nuk i vinte ndonjë kërcënim. Roma ende ishte e zënë me luftën kundër Kartagjenës por një sy e mbante vazhdimisht çelur për brigjet lindore të Adriatikut. Rasti ishte i volitshëm për të ndërrmarrë veprime të armatosura.
   - Së pari,për tash e mbrapa, e gjithë  anëdetja e Ilirisë duhet shpallur si tokë armike. Do të pyesni, si mund të shpallim armike një tokë,  që na përket neve?
Dhe u përgjegj vetë:
     -Në anëdetjen tonë, janë dy qytetet më të mëdha e më të pasura në duar të romakëve. Janë dy plagë të hapura që dhembin dhe që nëpërmjet tregëtisë, gëlltisin gjënë dhe kamjen e gjithë ultësirës sonë të anëdetit. Garnizonet romake janë gjithnjë një rrezik për sigurinë tonë. Anëdeti, përherë është në rrezik të msyhet nga anije të huaja qoftë për grabitje qoftë për pushtime. Këto dy qytete duhet të çlirohen nga kolonizimi dhe ti bashkohen mbretërisë. Ne duhet të bëhemi zot të detit tonë. Të jemi “Mbretëri e detit” Flota jonë dhe anijet e personave privatë, duhet të godisin dhe të kapin e plaçkisin çfardo anije të huaj.
Është urdhër dhe detyra juaj e përhershme zotrinj admiralë. Por detyra jonë e përafërt është tjetër. Duhet të përgatitemi për një fushatë luftarake që do të thithë tërë forcat e armatosura,flotën dhe burime të mëdha të thesarit tonë.
    Gjeneralët, deshën të dinin se cili do të ishte drejtimi i luftës së re. Ajo u rrëfye e kujdesëshme.
    -Do ta merrni njoftimin në kohën e duhur. Ajo që duhet të dini është se: Duhet të gatiten stërviten dhe armatosen dhjetë mijë ushtarë dhe njëqind anije “Liburne” të armatosura rëndë. Princi, gjenerali Skerdilaid, të kujdeset që ushtria të jetë e gatshme për fillim vjeshte. Admiralët të ngutin punimet në Kaldrun dhe në Nutria për gatitjen e anijeve. Në rast se nuk arrihet, gjë që s’duhet të ndodhë, sekuestroni dhe vini nën armë anijet private olçinake dhe dalmate. Në këto përgatitje varet nderi dhe pozita juaj komanduese. Mos më çgënjeni. Nuk do të ketë vend për pendesë ap ndjesë. Në krye të kësaj lufte, me të drejtën e kryekomandantes do të vihem vetë. Kjo është lufta e jetës sime, do ta bëjmë bashkë. Edhe ju do të keni rast të bëni luftërat tuaja. Jeta është e gjatë. Ky takim mbaron këtu. Të qëndrojnë kujdestari i thesarit dhe ai i furnizimeve të ushtrisë.
    Kur ata u ngritën dhe nisën t’a përshëndesnin duke dalë, ajo bëri sikur u kujtua për diçka që e kishte harruar.
    -Prisni pak. Kam për tu kumtuar një lajm të gëzuar: Midis nesh kemi një pjesëtar të ri të familjes mbretërore.
    Heshti pak që përshtypja të ishte e plotë.
   -Fatlumi është gjeneral Dhimitër Fari, që do të martohet me motrën time, të venë e mbretit Agron,Triteutën. Vendimin e marrë ma shprehu sot ime motër. Kësisoj gjeneralin do ta bëjmë dhëndërr , ai do të jetë njerku i mbretit. Mund ta uroni gjeneralin!
    -Gëzuash gjeneral!
    -Të trashëgoheni!
    -Qofshi të lumtur!
     Gjithkush e uroi sipas mënyrës së tij.
     Dhimitri i ndjeu deri në palcë ironinë dhe sarkazmën e Teutës dhe I gëlltiti heshturazi. Ishte i duruar. Tashmë ai e kishte futur njerën këmbë në oborrin mbretëror. Do të priste. Koha do të punonte për të dhe atëhere kishte për ta parë se ku do të përfundonte fodullëku dhe përbuzja e Teutës.
        4
         -Si janë të korrat?-Pyeti furnizuesin e ushtrisë me një vështrim zhbirues nëse ai do ti thoshte të vërtetën.
          -Të mbara,Madhëri. Shirat që ranë ndihën që kallinjte e grurit të mbushen e të rëndojnë. Elbi është korrur. Gruri në arat e Nënskodrës është pjekur dhe zverdh si flori. Bujqërit janë turrur nëpër ara dhe po korrin,në lëmenjtë janë mbrehur kuajt dhe  ka nisur shirja. Të korra të mira do të merren edhe nga meli,thekra në malësi dhe bizelja,batha,qiqrat dhe thjerzat. Kalova dje fushës dhe mu preh shpirti nga bukuria dhe begatia e arave.
       -I gjithë drithi do të na duhet për nevojat tona. Të ndalohet që të dalë jashtë vendit nga tregtarët qoftë edhe një kokërr drithi. Në Taulanti, në kalanë e Bashtinës në lumin Skampin, të dërgohen doganierë dhe ta ndalin daljen jashtë të drithit. Mjerë kush do të guxojë ta bëjë! Në rast se mendoni që gruri nuk mjafton, silleni nga jashtë. Nga Dardania, Trakia apo Maqedonia. Depot i dua plot!
      -Si të urdhëroni ju ,Madhëri.
      -Kujdesuni që karvane  ngarkuar me drithë të nisen për në malësitë, pa pritur të nisë bora dhe të ftohtit e të vështirësohen rrugët. Lal Zoradi, thotë se ajo shtëpi që ka miell djathë dhe t’lyn, nuk vuan nga uria. Djathin dhe t’lynin ata e kanë vetë.
      Ajo piu pak shurup mjalti dhe vazhdoi bisedën:
      -E dëgjove që do të përgatitemi për luftë. Kujdesu që të mos mungojë asgjë: në armatorët dhe zejtarët e xeheve të përgatiten mijëra maja çeliku shigjetash dhe ushtash, mburoja, shpata, përkrenare, të dërgohen në pyje puntorë për të përgatitur shigjeta nga dru thane, ushta nga druri I frashërit, thupra selvie për harqet, spango të forta të linjta për leqet e harqeve, sëpata dytehshe dhe topuzë. Bisedo me gjeneralët dhe ata do të thonë nevojat që kanë. Sill nga sharrat e pyjeve qerestenë e stinuar për ndërtimin e anijeve. Të jesh në këmbë dit e natë, për ty s’duhet të ketë gjumë.
    -Ashtu do të bëhet,madhëri!
    -Dëgjomë me vëmëndje: kam dëgjuar llafe se në furnizimet ke bërë dallavere me çmimet. Po dëgjova më edhe një frjalë, më e pakta do të jenë zgafellat e xeheroreve dhe më e shumta, të ndahet koka nga trupi. Nuk dua të di as që jemi fis as për gjakun tend fisnik. Harroji. Mund të shkosh.
    Ai u zverdh e u bë dyllë, i ikën fjalët, u mrrol e u mpak dhe doli përjashta me nxit si t’i shpëtonte një të keqeje të madhe.
     -Të vijë kujdestari i thesarit.
      Oficeri i shërbimit doli sakaq dhe u kthye me personin e kërkuar.
  -Ti ishe në këshillin e luftës dhe dëgjove përse u fol. Do t’u përgjigjesh gjer në një kërkesave që do të vinë për blerjet dhe pagesat.
  -Por,Mbretëreshë…
   -Nuk ka por,-iu kthye ajo me hakërrim. Gjeji ku të duash,nxirri nga dheu, takso gjithë qytetet e mbretërisë, pronarët e mëdhenj të tokave, spekullatorët, merr një hua shtetërore, shtrydhe gjithë vendin, puna jote si do ta bësh. O sot o kurrë. Përndryshe dorëzo çelsat!
    Kujdestari i thesarit u zu ngusht, por gjykoj mençurisht: Ishte e tepërt të fliste. Do të gjente një rast tjetër.
     5
      Të nesërmen,kur ishte ende freskët dhe dielli sapo ishte ngritur mbi kala, e shoqëruar nga Skerdilaidi, admiral Orgesi dhe shpura e truprojeve, Teuta po kalëronte për në kantierin e Kaldrunit, në bregun perëndimor të liqenit Labeat, ku po punohej ethshëm për përgatitjen e anijeve të luftës.
    Dita ishte e bukur, e kthiellët e ndritur, në ajr ciasnin laureshat dhe dallëndyshet. Kur zbritën nga kështjella në fushë, arat zverdhonin si ar dhe korrtarët, si ato bletët puntore  po mblidhnin bukën e re. Liri që ishte në lulzim, ishte shtruar fushave si një qilim i kaltër si të kishte zbritur një copë qiell. Në bashtinat qershitë kuqëlonin si rubin dhe mes gjetheve  të fiqve të lashtë nxinin frytet e arrirë, dardhët elbje zverdhonin  të varura në degë si ca vathë të qelibartë. Teuta mori frymë thellë. E bukur dhe e begatë ishte Iliria: male ku rriteshin kreshnikë dhe zana, lumenj, burime të kthiellët si pikë loti, pyje me shtojzavalle, kullota ku blegëronin qingjat dhe majmeshin bagëtia, fusha, liqene peshkshumë e det pa kufi. E tillë ishte mbretëria e saj e begatë, me njerëz  trima e bujarë. Zotat ja kishin dhënë të gjitha.
    Buenën e kaluan me trap dhe morën me trok udhën anës malit në krah të majtë të lumit deri sa mbritën te grykdalja dhe më tej, larg  dukeshin direkët e anijeve dhe velat e bardha.   
      Kur panë se në puntorinë e anijeve kishte shkuar mbretëresha e qarkuar nga shpura e saj, princi Skerdilajd  dhe admirali i flotës , puna u shkreh. Sharrtarët, që çanin trupat, zdrukëthtarët që gdhendnin e latonin, puntorët që përgatisnin rremat dhe timonat, të tjerë që hapnin me tryela birat për vendosjen e rremave, të tjerë që me shtupa lyenin me serë e rrëshirë fundet e anijeve dhe fajkat, mjeshtrat e ndërtimit dhe gjithë çqenë tërë kërshëri sodisnin mbretëreshën që nuk e kishin parë herë tjetër. E veshur me rrobe kalorësi, thjesht e pa stoli, ishte e bukur sa të mbeteshin sytë, vështrimi i saj ishte i ngulët e zhbirues, qëndrimi i shpenguar, por në çdo lëvizje dukej krenaria e në çdo fjalë mençuria.
    -Rroftë mbretëresha,- e brohoritën si në kor.
    -Të rroni ju, të rrojë Iliria.
     Puntorët u shpërndanë secili në punë të vet. Kantieri binte erë rrëshirë,gjithandej ishin të shpaërndarë tallashi dhe bujashkat e drurit. Në një sheshore druri të ngritur me këmba mbi ujë që përfundonte me një rrafsh të pjerrët ishin skeletet e anijeve në përpunim. Ngjanin si ca skelete peshqish të zhveshur nga mishi. Në ujë ishin dy anije të përfunduara,që do t’i merrte në dorëzim flota. Kryepuntori, mjeshtri Cal, i spjegoi se përdorej druri i stinuar e krejt i tharë i pishës,lisit dhe frashërit. Ata ndërtonin dy tipe anijesh. “Lembasin”, me kiç e bash, anije e shpejtë sulmi dhe rrethimi ngaqë ishte lehtësisht e manevrueshme, me pesëdhjet  rrema dhe dy vela. Anijet që po shihte ishin “Liburnat” dalmate, të gjata 14 pash[1] dhe të gjera afro tre pash, me 52 rrema, me një velë qëndrore, pa kiç e pa bash,por në vend të bashit, një “sqep” hekuri si I delfinit, që ishte në gjendje të shponte fajkat e anijeve armike. Në hambar ishte një dhomëz e vogël për prijsin dhe hapësira e mjaftueshme për ushqimet dhe armatimin. Kuverta ishte me dru pishe ,e fortë dhe e qëndrueshme ,që s’fuste ujë.
    -Mund ti shpejtoni punët për të ndërtuar më shpejt një numër më të madh anijesh?
    -Po madhëri, veç duhet të punësojmë mjeshtra të tjerë, që me zor gjenden.        
    -Gjejini,- tha ajo,- shtoni orët e punës,nga agimi deri në muzg dhe mos e kurseni pagesën. U mungon ndonjë gjë?
     -Ziftin, për lyerjen e jashtme nuk e kemi në sasi të mjaftueshme. Minierat e saj gjenden në tokën e Atintanëve, përtej lumit Aos. E tregtojnë apolloniatët dhe Bylynët. Kemi nisur një anije dhe presim që ngarkesa të vijë.
     -Kam dëgjuar se Romakët kanë ca anije më të mëdha se tonat që u thonë “galera” dhe i përdorin për mbartje të ushtrisë, të kuajve të kalorësisë dhe armëve e ushqimeve. Nuk mund të na ndërtoni dhe ju disa të tilla?
    -Na duhet një mostër madhëri. Kapja e një të tille në det do të ishte zgjidhja më e shpejtë sesa dërgimi i një mjeshtri-hajn në kantieret romake që të njihej me prodhimin e tyre. Gjë që përveç me rrezik kërkonte edhe më shumë kohë.
     -Edhe një porosi të fundit: do të ndërtoni një anije komande për mbretëreshën. E dua disi të veçantë për nga pajisjet dhe me dhomëzën pak më të madhe se e zakonshmja. Në fund të gushtit ta keni hedhur në ujë!
    Kuajt i lanë në breg me kujdestarët dhe hipën në një nga anijet e reja, si për “Këmbë të mbarë” . Detarët ngritën velat  dhe era e lehtë fryu velat, anija duke rrëshqitur me lehtësi mori drejtimin për në veri të liqenit, ku do të preheshin dhe drekonin, me peshkun “Krap” të liqenit Labeat , ngjalat me nam të Shasit të Olçinit dhe me verë të bardhë nga rrushi “Balsik”.
    Gjatë drekës, ajo I çuditi oficerët dhe shoqëruesit e saj kur plot përmallim u foli për mbretërit Ilirë: Bardylin,qymyrxhyn, që u bë mbret me forcën e shpatës dhe vdiq nëntëdhjetë vjeç në luftë, i hipur mbi kalë. Për Glaukian trim që u kishte bërë ballë maqedonasve.Longarin,mbret i dardanisë, Kliti, mbreti i enkelejve, Aleksandri i Molosëve që luftoi dhe u vra në Itali, Olimpia mbretëreshë, bija e mbretit Neoptolem,gruaja e Filipit dhe nëna e Lekës së Madh dhe më i lavdishmi i të gjithëve ,Mbreti Pirro i Epirit, Pirro Burri, që pas fitores kundër maqedonasve, ushtarët e quajtën shqiponjë, ai u tha”Unë jam shqiponjë,por ju jini krahët e mi që më ngrini në fluturim”Ai,ashtu si parardhësi I tij,e kërkoi lavdinë në perëndim. U hodh në tokat e romës. Për herë të parë përdori në luftë elefantët dhe në betejat e atjeshme u nda me nder pa humbur asnjerën prej tyre . Veprën e tyre e kishin shpënë më tej mbretërit ardianë: Skerdilaidi, Pleurati dhe Agroni.
    -Ka ardhur koha,- përfundoi ajo,- që këtë trimëri dhe lavdi ilire ta përtërijmë. Duhet zemër,guxim dhe trimëri. Na takon neve ta bëjmë, po qe se e duam vendin tonë dhe po qe se duam të hyjmë në histori si parardhësit tanë. Përndryshe do të harrohemi para se të na mbijë bari mbi varre!
     6
      Ajo ende s’kishte drekuar kur e njoftoi oficeri i shërbimit se kishte ardhur mjeshtri armëtar me ndihmësin e vet. Ata, të ndrojtur e të kujdesëshëm hynë dhe e pritën në sallën e miqve. Mbi tryezën e madhe, ulën sendet që kishin sjellë. Nuk dukeshin se çfarë ishin ngaqë ishin të mbuluara  me një pëlhurë ngjyrë vjollce të çelur.
   Teuta u dha në derë me shërbenjëset dhe zonjat e shoqërimit.
    Mjeshtri dhe ndihmësi u përulën pa guxuar ta shihnin në sy, dhe qëndruan ashtu deri sa ajo u tha:
   - Mirë se kini ardhur.
   Hodhi sytë mbi tryezë pa kuptuar se çfarë fshihej nën atë mbulesë. Atëhere mjeshtri i armëtarëve, guxoi dhe i tha:
-Madhëria juaj, bashkësia e mjeshtrave armëtarë të ka bërë një dhuratë dhe më nderuan mua si më plakun, tua blatoj në emër të tyre.-Tha dhe hoqi mbulesën.
     Aty ishin pajisjet e një luftëtari,që ndrinin e vetonin nën rrezet e dritës që binte nga dritarja e lartë: Përkrenarja formëbukur me mburojë për qafën dhe hundën, parzmorja e thurur me hallka çeliku në formë rrjete, mburoja, paksa e rrumbullt dhe më e vogël se ajo e luftëtarëve, ishte punuar me shumë art,me çelik të rrahur që lëshonte reflekse mavi,ndërsa në qendër të saj,ishte në relief punuar me argjend Zoti Medaur, kaluar me shtizë që, vriste një përbindësh deti. Nëngjunjëzat,  nga tunxh ndrinin e llapsnin, togzat e tyre ishin punuar nga bronz, shpata e shkurtër dytehëshe nga çelik i fortë e i kalitur me ngjyrë mavi që të merrte sytë, dorezw kocke qw pwrfundonte me njw mollw argjendi, shtiza kalorsiake, e shkurtër. E volitshme pwr pwrdorim, nga dru thane, me zbukurime argjendi dhe majë çeliku të mprehtë si anza, harku dhe kukuria e shigjetave punuar nga lëkurë e trashë ngjyrë purpuri dhe shigjetat me pendë përfundi.
    Teuta se mbajti dot veten, aq shumë I pëlqyen sa lëshoi një “Ah”.
     -Mjeshtër,ju falnderoj. I keni duart tw arta. Askush nuk më ka bërë dhuratë më të vyer!
     -Fjala juaj është shpërblimi më I denjë që na bëhet,madhëri! Po më lejoni mund ti veshim dhe të shohim si u rrinë, megjithse për masë morëm një grua që ka trupin tuaj.
      Mjeshtri dhe shërbenjëset e veshën siç bën terziu në provë: e nisën nga nëngjunjëzat, pastaj parzmoren, përkrenaren që përbrenda ishte e veshur me shajak dhe lidhej nën gushë me rrip e tokëz argjendi. Pastaj mjeshtri i vuri në dorën e majtë mburojën dhe në të djathtën shpatën. Në krahqafë i hodhi harkun dhe në sup i vari kukuren me shigjeta.
     Ajo qndronte drejt, me mburojwn para gjoksit ,njerin gju pak të thyer dhe me dorën e djathtë, shtizën pranë ijes, të mbwshtetur në tokë. Si njw shtatore e gjallw e Thanws luftwtare.
    Kur përfundoi,mjeshtri u mallëngjye:
    -Të falem, Mbretëreshë. Në këtë sallë duket sikur ka zbritur perëndia e luftës!
      Zonjat e shoqërimit dhe ndihmësi i mjeshtrit mbetën gojëhapur e si të verbuar nga ajo bukuri e madhështi.
      Teuta bëri një provë të lëvizte. Nuk kishte asnjë pengesë,lëvizte lirshëm. Armët ishin punuar mjeshtërisht,të forta dhe të lehta.
      I bëri me nojmë truprojes. Ai doli dhe u kthye me një qese lëkure të mbushur me monedha të arta dhe të argjendta.
     -Ndajini midis jush. Një dhuratë për dhuratën.
     Mjeshtri u përkul me nderim dhe tha duke qeshur.
    -E pse jo? Thonë që dhuratën e pranon edhe mbreti. Rrofshi e mbretërofshi! Pastaj duke ecur praptazi,bashkë me ndihmësin doli nga kështjella.
      Teutën e xhveshën, por ajo s’po I shqiste dot sytë nga ajo dhuratë. Ishte paja e një mbretëreshe luftëtare.
                       vijon


[1] Pashi,njësi gjatësie rreth 170 cm.