Flet poetja dhe skenaristja, ish- bashkëshortja e Kujtim Spahivoglit,
Vllasova Musta:
-Në kursin tonë ishim një grup mjaft i mirë të rinjsh që shkruanin dhe që
kishim bërë emër, si: Moikom Zeqo, Shefki Karadaku, Niko Kacalidha, Lliko Nano,
Thanas Dino, Enver Kushi, Llazar Vero, Mehmet Elezi, Fluturak Gërmenji, Filip
Rrumbullaku etj..
Albert ZHOLI
Vllasova Musta, poete, skenariste, ishte bashkëshortja e Kujtim
Spahivoglit, aktorit, pedagogut dhe regjisorit të talentuar. Kur flet për
kujtimin ajo loton, thith lotët e dhimbjes dhe fillon të tregojë mes
psherëtimave: Kujtimi u lind më 30 korrik të vitit 1932 në Lushnjë dhe vdiq më
7 korrik të vitit 1987, ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Studimet e
larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër
studentët brilantë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor
në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte
Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në
dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.. Por
më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog
në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë
gazmore të Uindsorit", "Në tufan", "Shtëpia në
bulevard", “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.. Kujtim Spahivogli
është themeluesi i Fjalës Artistike. Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe
dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh: Ai
shkroi edhe poezi , artikuj e ese. Vdiq në vitin 1987 në moshë të re,
pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar edhe pse kishte qenë një ndër
regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar. Pas vdekjes, në vitet '90 iu dha
titulli “Artist i Popullit”. Dje u përkujtua 26 vjetori i vdekjes.
E fillojmë nga emri juaj, Vllasova, kush e përzgjodhi këtë emër dhe pse?
Emrin Vllasova ma kanë vënë prindërit, të ndikuar nga letërsia e kohës dhe
konkretisht nga shkrimtari Maksim Gorki, autor i romanit “Nëna”, ku Vllasova
është nëna - heroinë e personazhit kryesor. Atyre u kishte pëlqyer shumë
karakteri i saj i fortë dhe përballja me sfidat e jetës dhe e morën këtë emër
për mua, vajzën e tyre.
Rridhni nga një familje intelektuale, çfarë ju ngjizën prindërit në vitet e
fëminisë?
Unë kam qenë vajzë e vetme dhe motër e dy vëllezërve në familjen tonë. Sa
herë u rikthehem dhe trokas në kujtimet e mia, ruaj të shenjtë e të bukur një
fëmijëri dhe rini të mrekullueshme. Kam qenë natyrë mjaft e qetë, tepër e
përmbajtur dhe me një rregullsi të veçantë. Këtë përkujdesje, për të qenë
përherë e rregullt jo vetëm në paraqitjen time, por edhe në gjithçka që më
rrethonte, e kam marrë nga ajo që përjetoja në familje. Tek ne kishte rregull,
asgjë nuk i lihej rastësisë, asnjëherë nuk prisheshin oraret dhe fjala që jepej
ishte e shenjtë. Prindërit organizonin në kohën e lirë shëtitje në natyre me
ne, në formë pikniku, dhe kjo na gëzonte pa masë. Ne, e dinim se kur thuhej apo
bëhej një plan, ai do të realizohej, patjetër! Kjo na u bë shprehi dhe e
përcollëm në familjet që krijuam, kur u rritëm.
Tek unë, dashuria për librin u mëkua
dhe u ngjiz prej tyre. Në kohën e lirë, babai vazhdimisht lexonte, bile edhe
kur priste të shtrohej dreka apo darka, ai mbante përpara librin. Lexonte vetëm
i ulur dhe kurrë i shtrirë. Në shtëpi kishim bibliotekë të pasur, aty gjeje nga
“librat e verdhë”, siç quheshin atëherë dhe që ishin të rinisë së tim eti, e
deri tek më i riu, që botohej, pasi botimi i një të libri të ri përbënte ngjarje. Ishte babai, ai
që më dha librin e parë për të lexuar dhe për një kohë ishte pikërisht ai, që
më rekomandonte nëse duhej ta lexoja apo jo një libër. Më pas, kam provuar për
vite e vite me radhë kënaqësinë e diskutimit të përbashkët për librin e
sapolexuar dhe kjo vazhdoi deri në fund të jetës së tij. Mbaj mend, kur shkoja
pranë tyre, pas përshëndetjes së parë, më pyeste: Ke blerë ndonjë libër të ri,
kur do na i sjellësh?! Ishte bukur të rrije pranë tij dhe ta dëgjoje sepse, jo
vetëm qe njeri me kulturë të lartë, por mbi të gjitha qe njeri i vërtetë në
kuptimin më të saktë të fjalës. Kishte shenjtëri në fjalë, në miqësi dhe në
jetë, prandaj them që qe njeri i vërtetë!
Një poete e afirmuar, cila qe poezia e parë dhe në cilën gazetë e botove
dhe si je ndjerë. Si vepruat kur patë poezitë në gazetë me emrin tuaj?
Fillova të shkruaj kur isha ende e vogël, e dërgova poezinë në gazetën
“Pionieri” dhe veç kur e pashë të botuar! U gëzova shumë dhe ua tregoja gazetën
shokëve të klasës, por ata nuk përjetuan atë çka ndjeja unë dhe për këtë më
erdhi keq dhe mbeta e habitur, disi e lënduar. Më vonë, kur isha gjimnaziste,
më botuan poezi në gazetën “Drita”. Teksa ecja rrugës për në librarinë e
qytetit, për të blerë gazetën, po më ndalnin të njohur e të panjohur dhe më
uronin dhe çuditërisht më dukeshin të qeshur e të gëzuar, jo vetëm nga fjalët
që më thoshin, por gjithë portreti i tyre sikur dukej ndryshe! Sapo hyra në
librari, ndjeva një reagim të paprovuar kurrë: aty zakonisht mblidheshin gjithë
dashamirësit e letërsisë, aty bëheshin komentet e para, kritikat e para, vlerësimet
e para dhe ky “debat” krejt papritur sikur merrte formën e një shpendi,
shndërrohej në zog e dilte jashtë, merrte rrugët e përpjeta e të tatëpjeta të
Gjirokastrës: përcillej opinioni i parë! Unë akoma s`e kisha marrë gazetën në
duar, kur e pashë veten të rrethuar nga njerëzit, që po më uronin. Ishte moment
i mrekullueshëm, me emocion të papërsëritshëm dhe që mbetet nga ato çaste
kristalore, që sa herë i kujton, ndrisin dhe vetëm ndrisin. Të nesërmen, në
shkollë, tashmë isha gjimnaziste 16- vjeçare, ka qenë një ditë që mbetet e
paharruar, mora tej kënaqësisë jo vetëm nga shokët, por edhe nga pedagogët.
Tashmë isha rritur jo vetëm unë, por dhe shokët e mi, që aq sinqerisht më
rrethuan e më përgëzuan për poezitë e botuara.
Librat janë të shenjtë. Kur trokiti shenjtëria e librit tuaj të parë. Si e
titulluat dhe si reagoi kritika?
Librin e parë e botova sapo përfundova gjimnazin dhe titullohej “Pa
kopertinë”. U prit mjaft mirë, u shkrua dhe u vlerësua nga kritika e kohës dhe
në Takimet Kombëtare të Talenteve të reja apo më pas në Kongresin e
Shkrimtarëve dhe Artistëve isha njëri prej zërave që lakohej krahas talenteve
të reja. Ndërkohë, botoja cikle me poezi në shtypin e kohës dhe kam fituar
çmimin e parë në konkursin kombëtar të poetëve të rinj. Kanë qenë vite të bukura me krijimtari, me
vlerësime, me njohje, me shokë dhe shoqe te reja.
Shkolla e lartë. Cilët ishin shoqet dhe shokët që sot kanë emër? Si do ta
cilësonit jetën konviktore. A e ndiqje modën dhe si u përgjigjeshe ngacmimeve
të çunave? Botimet a të kishin dhënë emër në shkollë?
Kur erdha për studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, Dega
Gjuhë-Letërsi, nuk u ndjeva e huaj, sepse të gjithë shokët apo shoqet që gjeta,
edhe pse shiheshim për të parën herë, më njihnin, pasi ahere të rinjtë lexonin
dhe dinin thuajse gjithçka për këdo që shkruante. Ndjehesha mirë kur më thoshin
se më kishin lexuar dhe i pëlqenin poezitë e mia. Në kursin tonë ishim një grup
mjaft i mirë të rinjsh që shkruanin dhe që kishim bërë emër, si: Moikom Zeqo, Shefki
Karadaku, Niko Kacalidha, Lliko Nano, Thanas Dino, Enver Kushi, Llazar Vero,
Mehmet Elezi, Fluturak Gërmenji, Filip Rrumbullaku etj.. Jeta konviktore, të
thuash ishte e bukur është fare pak, mbetet periudha më e këndshme e jetës,
gjithçka flurore: ajër, tinguj, poezi, shfaqje teatrore, opera, filma, libra
dhe mbi të gjitha rinia! Për sa i
përket modës, më ka pëlqyer, më pëlqen dhe do të jem përherë bashkudhëtare me
të. Pëlqej të dukem bukur, për veten time, për të dashurit e mi, por edhe për
ata që nuk më njohin. Ngacmimet e
djemve? Nuk besoj se ka vajzë të re, që nuk e kanë ngacmuar shikimet e djemve
apo prania e tyre. Është krejt normale. Më kanë ngacmuar duke më bërë të ndihem
mirë, s`kam pasur asnjëherë shqetësim prej tyre. Kam vazhduar rrugën duke bërë
indiferenten.
Emërimi në Kinostudio erdhi i befasishëm? Çfarë ka qenë për ju Kinostudio?
Jo, nuk ishte i befasishëm. Në fund të vitit të katërt, para diplomimit, më
kërkoi kryeredaktori i gazetës “Drita” dhe më pyeti, nëse kisha dëshirë të
punoja në atë gazetë. Mua më gëzoi ky propozim dhe gati fluturova nga
kënaqësia. Më pas, kur po përgatitesha për diplomën, më pyetën, a të pëlqen të
punosh në Kinostudio? Kjo ishte tej çdo ëndrre, pa asnjë mëdyshje pranova dhe
pasi mora diplomën, u paraqita në punë. Ka qenë 1 shtator, sapo isha kthyer nga
pushimet, një ditë e bukur dhe krejtësisht e veçantë dhe çuditërisht, sa herë i
rikthehem asaj dite, nuk di të them saktësisht, si shkova deri aty, me autobus,
me biçikletë, me këmbë apo si?! Gjithnjë më duket se isha mbi një re pupëlore,
nga ato të bardhat, transparentet, që janë si copëz ëndrre dhe të gatshme të të
çojnë aty ku do ti...
Në Kinostudio gjeta një oaz të pakrahasueshëm paqeje dhe dashamirësie, një
frymë mirësie që rrallë e gjeje tjetër kund! Unë dhe shoqja ime e Fakultetit,
Angjelina, ishim të parat femra që u bëmë pjesë e redaksisë së filmit. Edhe pse
nuk e njihja gjuhën e kinemasë, në fillimet e punës sime, kur isha
njëzetvjeçare, pata pranë mbështetjen dhe përvojën e kineastëve më të mirë, më
rrethoi prania e tyre, vëmendja dhe dashuria që aq hijshëm dinin ta jepnin dhe
ta përçonin tek të rinjtë krijuesit, që unë, pata fatin t`i kisha pranë.
Kinostudio ishte dhe mbeti familja ime e madhe, aty rrodhi rinia, aty u bëra
nënë, aty provova ndjesinë e të bërit gjyshe...E nisa punën si skenariste dhe e
u largova prej andej, si drejtore... 35 vjet pune!
Sa skenarë filmash keni realizuar dhe kur jeni ndjerë më keq. A ju kanë
rrëzuar ndonjë skenar?
Unë punova për shumë e shumë vite në Kinostudio dhe është më se e natyrshme
që gjatë këtyre viteve të kem shkruar me dhjetëra e dhjetëra skenarë për filma
dokumentarë dhe për filma ta animuar. Ajo që më ulte të shkruaja dhe më jepte
frymëzim për atë që do të krijoja ishte dashuria për punën. Mua më pëlqente e
përditshmja ime, puna dhe tek gjithçka rreth e qark shikoja me syrin vëzhgues,
nëse kishte gjetje në të për një film të ardhshëm?! Krahas kësaj, për krijuesit
në Kinostudio qe një praktikë pune që të favorizonte për atë që do të realizoje
nesër, sepse secili sillte propozimet e veta, për temat që do të realizonte,
pra, t’i shkruaje apo vije në jetë atë që kishe ideuar vetë dhe kjo, jo vetëm
ta bënte të lehtë krijimtarinë, por e bëje me ëndje, se qe formësuar tek ty dhe
kish dalë prej teje.
Sa herë hedh sytë në raftet e bibliotekës sime, ndesh me çmime, medaljone
dhe kupa që më janë dhënë gjatë viteve në festivalet e Filmit Shqiptar.
Të vlerësohesh dhe të kesh në arkivin tënd, pas një pune 35- vjeçare, veç
të tjerave, dy kupa të Festivalit të Filmit për skenarin më të mirë, sigurisht
që ndihesh mirë dhe e vlerësuar për punën që ke bërë. Unë i ruaj si të shenjta
këto vlerësime, pasi ato janë dëshmia e punës sime, që flasin dhe tregojnë si
askush tjetër për një jetë të përkushtuar me pasion dhe shpirt.
Nuk kam pasur asnjë rast, që skenarët e mi, të mos jenë aprovuar, për sa
kohë funksiononte Kinostudioja dhe ishin redaksitë përkatëse.
Cilët ishin miqtë e tu në Kinostudio dhe si ishte niveli profesional aty?
Në Kinostudio gjeta njerëz mjaft të mirë, shokë të vërtetë, me të cilët
ruaj një miqësi të pandryshuar edhe pse kanë kaluar vite e vite. As koha, as
vitet dhe as ngarkesat e ndryshme që vinë krah saj, nuk i tjetërsojnë miqësitë
e vërteta. Kujtoj këtu mikun tim të dashur, përherë të përmalluar Vlash
Drobonikun, të talentuarin Artur Muharremin, njerëzorin dhe të këndshmin Luan
Dibra, të mirin dhe përherë të qeshurin Luan Rama, të veçantin dhe të rrallin
Gazmend Leka etj., etj.. Të gjithë këta që përmenda si dhe shumë të tjerë kanë
qenë dhe mbeten shkolla më vete kulture, dijeje dhe vlerash të larta njerëzore.
Në Kinostudio kishte talente të shndritshme, që ua shihje dritën sapo niste
biseda, që pulsonte ekrani që në sekuencat e para, njerëz që kishin synim të vetëm
si të sillnin një tjetër mrekulli në ekran e që nuk merreshin fare me gjëra të
rëndomta apo prapaskena intrigash. Aty, e them pa kurrfarë rezerve, ndoshta
ishte i vetmi vend, ku shqetësimi i njërit bëhej i të gjithëve dhe ku suksesi
përjetohej tek secili.
Si u njohët me Kujtim Spahivoglin. Në çfarë rrethanash dhe si lindi
dashuria?
Sa herë që më drejtojnë këtë pyetje, më vjen ndërmend një stinë e bukur
pranvere. Isha studente, ndërsa ai, pedagog në Institutin e lartë të Arteve.
Unë e njihja si aktor dhe regjisor, e kisha parë në shfaqje dhe asgjë më tepër,
ndërsa ai kish lexuar poezitë e mia, i pëlqenin dhe nuk më kish parë asnjëherë.
Në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndër të tjera u përmend emri im si
poeteshë e re dhe kur u bë pushimi, në ambientet e jashtme të sallës (aty ku
sot është Kuvendi i Shqipërisë), dikush i thotë: ja, ajo është Vllasova.
Kujtimi, pa pritur më gjatë më thirri në emër dhe erdhi drejt meje. Ai çast,
befas u shndërrua në një çast magjik, teksa Kujtimi po vinte drejt meje, mua
m`u duk sikur lëvizën pemët, lulet, toka dhe e ngurtësuar nuk lëvizja nga
vendi, nga ndrojtja se po bija, mbeta si e ngrirë dhe e prita. Ai më takoi
sikur të ishim të njohur dhe mua më mrekulloi natyrshmëria e komunikimit të
parë me të. Ai erdhi drejt meje, sikur gjeti njeriun që kish kërkuar apo që e
priste t`i dilte diku, erdhi dhe që në hapat e parë, m`u bë sikur derdhi para
meje veç dashuri, mirësi dhe bujari, ashtu siç dinte të jepte vetëm ai. Teksa
flisnim, mua më bëhej se rreth e qark nesh dilnin shkëndija, shkëndija që më
rrethuan, më përpinë, u bënë zjarr dhe me kohë morën dritë, një dritë që nuk u
shua kurrë!
Si e përjetuat lindjen e vajzës, Anit?
Ahere nuk parathuhej se çfarë do të lindë, djalë apo vajzë se nuk
ekzistonin mundësitë e sotme, por unë e dija se do të lindja vajzë, isha e
sigurt për këtë sepse kështu doja, kështu më pëlqente. I kishim gjetur dhe
emrin që e krijuam vetë, Andeta, se të dyve na pëlqente shumë deti, plazhi. Unë
përfytyroja se do të lindja në një ditë me diell dhe do të ishte e diel dhe
kështu ndodhi vërtet. Atë të diel, pasi lindi vajza, më sollën një tufë të
madhe me lule dhe ma vendosën tek koka e shtratit. Ajo aromë e ëmbël lulesh të freskëta, më depërtoi në shpirt dhe
më përcolli një përjetim të papërshkrueshëm, m`i kish dërguar Kujtimi! Brenda
tyre ishte një copëz letre e palosur, ku shkruhej: “Për mami Sovën dhe Anin, ju
puth Kujtimi, babi”. E përlotur e palosa letrën dhe e ruaj edhe sot, duket
sikur ka ardhur dje, sikur vjen sot dhe do të vijë përsëri nesër...
Nëse them se lindja e vajzës më mrekulloi është pak, fare pak. Ajo më dha
një dritë ta paparë që me kalimin e viteve u bë diell i jetës sime dhe i tillë
do të mbetet pafundësisht. Unë kam fat që kam një vajzë të rrallë, që di të
japë veç dashuri!
Kur dhe si u dënua Kujtim Spahivogli. Cilët ishin kundërshtarët e tij?
Kujtim Spahivogli u dënua për të vetmen arsye se ishte njeri me karakter të
fortë dhe nuk pranoi të bëhej vegël e regjimit të kohës. I kërkuan të shprehej
hapur kundër Fadil Paçramit, të cilin Enver Hoxha e dënoi duke e shpallur armik
dhe përçues të pikëpamjeve liberale në artin dhe kulturën shqiptare. Kujtimi
asnjëherë nuk e bëri këtë, edhe pse e dinte se pas Fadilit do kishte të tjera
viktima. Dhe kështu ndodhi, breshëria ra mbi ‘të, e dënuan duke i hequr të
drejtën e mësimdhënies në Akademinë e Arteve, i hoqën të drejtën e profesionit
si regjisor, e hoqën nga Tirana dhe e dërguan në Fier, punëtor në betonierën
e kanalizimeve për bujqësinë.
Ku ishit kur iu dha dënimi dhe si reaguat?
Isha pranë tij. Në atë kohë nuk jam ndarë asnjë moment prej tij, në të
gjitha mbledhjet, në të gjitha ecejaket, kudo ishim bashkë.
Një natë, teksa bëhej mbledhja e fundit në Akademi, unë rrija jashtë dhe
prisja të mbaronin. Ishte fund gushti dhe mbledhja bëhej me dritare hapur,
kështu që dëgjoheshin diskutimet dhe kundërvënia që po i bëhej Kujtimit. U
tremba. Kur doli, u habit që më gjeti aty në atë orë të vonë pasmesnate bashkë
me vajzën e vogël në karrocë. Po ti,- më tha, -ç`bën këtu? Po të prisja ty,
munda t`i thosha me gjysmë zëri. Të dërmuar, morëm rrugën për në shtëpi, të
tre, diku ndali dhe më tha: Unë, s`e kam bërë ndonjëherë dhe s`do ta bëj kurrë,
t`i bije tjetrit kur rri varur në humnerë...edhe pas dhjetë vjetësh, kur ta
shoh Fadil Paçramin dua ta shoh në dritë të syrit, pa m`u dridhur qerpiku!
Ai nuk e besonte se kjo qe fatale, gjithnjë shpresonte dhe mendonte se
është një gabim.
Ku ishit kur iu dha dënimi dhe si reaguat?
Isha pranë tij. Në atë kohë nuk jam ndarë asnjë moment prej tij, në të
gjitha mbledhjet, në të gjitha ecejaket, kudo ishim bashkë. Një natë, teksa
bëhej mbledhja e fundit në Akademi, unë rrija jashtë dhe prisja të mbaronin.
Ishte fund gushti dhe mbledhja bëhej me dritare hapur, kështu që dëgjoheshin
diskutimet dhe kundërvënia që po i bëhej Kujtimit. U tremba. Kur doli, u habit
që më gjeti aty në atë orë të vonë pasmesnate bashkë me vajzën e vogël në
karrocë. Po ti, më tha, ç`bën këtu? Po të prisja ty, munda t`i thosha me gjysmë
zëri. Të dërmuar, morëm rrugën për në shtëpi, të tre, diku ndali dhe më tha:
Unë, s`e kam bërë ndonjëherë dhe s`do ta bëj kurrë, t`i bije tjetrit kur rri
varur në humnerë...edhe pas dhjetë vjetësh, kur ta shoh Fadil Paçramin dua ta
shoh në dritë të syrit, pa m`u dridhur qerpiku!
Ai nuk e besonte se kjo qe fatale, gjithnjë shpresonte dhe mendonte se
është një gabim.
Cili ishte presioni që ju bënë për ndarjen dhe si e përjetuat shuarjen e
tij nga jeta?
Më pas erdhi ndarja. Një ndarje e detyruar nga politika e kohës. Sot, për
këdo që s`e ka jetuar atë kohë, është e vështirë të kuptohet qartë se si jeta
njerëzore varej prej qëndrimit që duhej të mbaje. Nëse unë do vazhdoja të rrija
me të, interpretohej si kundërvënie apo sfidë që i bëja partisë në pushtet dhe
kjo, do sillte pasojat e saj mbi mua, mbi vajzën, mbi njerëzit e mi.
Ajo ishte tej ndarjes, qe një vdekje për së gjalli. Të ndaheshe prej
njeriut që doje, sepse këtë “sakrificë” ta kërkonte partia!!!
U shkatërrua familja, u shpërbë gjithçka, ai mbeti vetëm, unë tepër e re,
24 vjeç me vajzën fare të vogël.
Shuarja e tij nga jeta, në 8 korrik 1987, ishte një tjetër goditje për mua,
këtë radhë e shumëfishtë. Dhimbje, brengë, trishtim dhe ç`ishte më e keqja, nuk
duhej të të shihte askush të përlotur. Një kohë e vështirë, që errësoi dhe nxiu
ëndrrat më të bukura të jetës.
Ku ishit në ditët e grevës së studentëve dhe si e përjetuat rrëzimin e
monumentit të Enver Hoxhës?
Në ato ditë kam qenë vazhdimisht para godinës së Kinoklubit “Studenti”, aty
ku bëhej greva e studentëve, sepse aty ishte ime bijë, Ani. Ajo ishte e para
vajzë studente nga Akademia e Arteve, që u fut në grevën e urisë. Kishte motiv
të plotë që të hynte në atë grevë, i shkatërruan jetën e të atit, i nëpërkëmbën
fëmijërinë, u rrit me mallin e pashuar për të qenë pranë tij, tashmë ishte
rritur dhe ky qe i pari rast që e thirri të bënte diçka në emër të tij. I
dëgjova të gjitha sa më tha dhe nuk e kundërshtova. I fliste dhimbja e mbledhur
ndër vite. I qëndrova pranë duke qenë e rrethuar nga qindra e mijëra njerëz, që
më jepnin kurajo dhe më thoshin: “studentët do të fitojnë!” Prej aty, shkuam
tek shesh “Skënderbej” dhe e pashë nga afër rrëzimin e monumentit dhe tërheqjen
zvarrë deri sa e çuan tek studentët. Në mbrëmje, kur u deklarua se i hiqej
Universitetit emri i Enver Hoxhës, studentët dolën nga greva. Jashtë i prisnin
njerëz të pafundmë që i përshëndesnin dhe Ani pasi përshkoi gjithë atë varg të
gjatë njerëzish, erdhi në shtëpi, ku kishin mbërritur shumë të njohur dhe
dashamirësit tanë. Vonë, vonë kur të gjithë u larguan, ne mbetëm vetëm, për
herë të parë sikur merrnim frymë ndryshe, ajo e lumtur për atë që ndërmori,
ndërsa unë e gëzuar se shihja time bijë të rritur, që e priste një tjetër jetë,
një tjetër ajër.
Cili është libri juaj i fundit dhe kur do jetë botimi tjetër?
Botimin e fundit me poezi e kam bërë para disa vitesh, titullohet “Kthema
diellin, Tim”. Tim, është emri që i ka vënë Ani djalit të saj, në kujtim të
paharruar të të atit.
Po punoj për një tjetër libër, po me poezi”Pulëbardhat e shpirtit”, që
shpresoj ta botoj së shpejti.
A keni njohje me Kadarenë dhe Agollin dhe si e kanë vlerësuar ata
krijimtarinë tuaj?
Po. I njoh nga afër si Kadarenë edhe Agollin. Kanë qënë idhuj jo vetëm për
mua, por për gjithë brezin tim. Jemi frymëzuar dhe mëkuar me krijimtarinë e
tyre. Kadareja ka qenë i pari që më ka botuar poezitë në gazetën “Drita”. I jam
mirënjohëse për mbështetjen që më ka dhënë duke m`i vlerësuar dhe botuar
poezitë në vitet e rinisë sime. Para disa vitesh, u organizua një konkurs në
kuadër të 75 vjetorit të Dritëroit dhe unë mora pjesë në të dhe në fund u
shpalla fituese me një cikël poezish. U ndjeva mirë për faktin se m`u dha rasti
që në atë pjesëmarrje, të shpreh
vlerësimin dhe respektin tim për Dritëro Agollin.
Sa e ndiqni botimin e letërsisë post komuniste? Libri i fundit.
Përherë e kam në duar një libër që lexoj, e kam shok dhe mik të pandarë. I
fundit ishte “ Dashuria vjen nga jugu” i Violeta Allmuçës. Më befasoi proza e
saj. E mrekullueshme, me një stil krejt të veçantë e lexova me një frymë dhe
pata një të vetëndjerë plot kënaqësi aqsa, u ula dhe i shkrova, duke e
përjetuar këtë si një detyrim normal dhe njerëzor, e urova për atë që ajo
kishte shkruar, për atë, që përcolli tek unë.
Ishte kjo ndjesi që më erdhi natyrshëm pas përfundimit të faqes së
fundit, ndaj i shkrova: Urime për këtë libër të bukur!
Për tekstin e këngës “Xhaketa e kuqe “ të shkruar nga ju ka shumë komente,
po komenti juaj. Si u realizua kjo këngë dhe ku u këndua?“
Ruaj kujtime të bukura që kanë lidhje me këtë këngë.
Nuk jam në dijeni të komenteve që ka, unë di të them se këtë tekst e kam
shkruar kur isha studente. Kompozitori Feim Ibrahimi e pëlqeu dhe shkroi
muzikën. Kënga do këndohej në Festivalin e Parë të Ushtarit. Unë ndodhesha në
aksion, në Librazhd, ku punonim për ndërtimin e rrugës hekurudhore. Munda të
marr vetëm një ditë leje, sa për të ardhur në Tiranë, ku do të bëhej Festivali.
Në sallën e Teatrit të Operas, ishte dhe im atë. Këngën e këndoi Justina Aliaj,
u prit shumë mirë dhe u duartrokit gjatë. Në fund, u shpall fituese e çmimit të
parë. Mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve unë mendoja se isha njeriu më i
lumtur, por kur dola dhe takova në holl babanë, pashë sytë e tij të përlotur
teksa m`u afrua dhe më përqafonte fort e fort. Ai kish prekur tej lumturisë
sime! Për këtë, sa herë e kujtoj, ndjehem mirë, sepse prindërve të mi, gjatë
gjithë jetës, jo vetëm u kam qëndruar pranë, por jam përpjekur dhe ia kam dalë,
t`ju jap veç gëzime.
Në vlerësimin tuaj për jetën
njerëzore, veç familjes, çfarë do të veçonit?
Familja është gjaku im, pra jam unë dhe të mitë. Krahas familjes, e thënë
pa asnjë mëdyshje vjen miqësia. Ajo rri në kryevend, është pasuria më e madhe
që merr apo humbet në jetë. Ajo ta pasuron apo ta varfëron jetën. Një miqësi e
fortë, e shëndetshme i jep dritë jetës sate. Miqësinë e shoh si vlerë absolute
të patjetërsueshme. Në jetën time i jam përulur me shenjtëri miqësive dhe i
mbaj me po kaq shenjtëri.
Të ka ndodhur të zhgënjehesh prej miqve?
E them me dhimbje por, më ka ndodhur. E prirur për të besuar tek tjetri,
nuk arrin të shohësh korracën, kur e sheh dhe të qartësohet pamja, prej
korracës ka dalë djalli, ndërsa ti mendoje se përballë ke pasur engjëllin,
zhgënjimi të jep shumë dhimbje dhe të lëndon keqas. Por përsëri them se, jo të
gjithë janë shtirakë, njerëzit janë kaq të mirë, asnjëherë nuk është vonë për
të mësuar të lexosh karakterin e tjetrit, se askush nuk të thotë unë jam i
tillë, duhet të dish ti, të lexosh qartë.
Edhe pse me brenga, me dhimbje, me lëndime, përsëri them: jeta është e
bukur!