e martë, korrik 02, 2013

Në proces krijimi TEUTA E ILIRISË



RESMI  OSMANI                                                                                ROMAN
                                                                                                         Në proces krijimi
                                                  TEUTA E ILIRISË
                                                          KREU III

TEUTA  MBRETËRESHË
Skodër,vjeshtë e dytë 231, para erës së re
1
Vdiq Mbreti!
Rroftë Mbreti!
Por cili mbret?
Kjo pyetje, për gjithë pjestarët e familjes mbretërore dhe krerët e fiseve të mëdhenj, solli pështjellim ,andralla, sëkëlldi, ngjallje shpresash e dshirash, gjer atëhere të fashitura, të mbuluara si prushi nën hi. Froni bosh i Agronit ngjalli, ëndërra, shpresa, lakmi, cmirë, armiqësi e ligësi të heshtur, cyti nënshtresat e errta, demoniake të shpirtrave, ato ku regëtinin rivalitetet, kundërvëniet dhe ndërdyshjet e hamendësimet, që kërkonin zgjidhje nga të urtët e këshillit “Miqtë e Mbretit”. Edhe pse në zi, ende pa u fashitur dhimbja e humbjes, oborri ziente si zgjua bletësh nga takimet, bisedat nënzë, ecejaket dhe ca vizitorë si hije që s’dihej nga buisnin  përse vinin, ç’farë sillnin, me cilë takoheshin dhe çfarë porosi mirrnin.
Froni bosh priste mbretin.
Iliria sundimtarin.
2
Teuta u mbyll në dhomat e saj. Donte ta përjetonte e vetme pikëllimin dhe  porositi rojet që, të mos e shqetësonte njeri. Nata ishte  sterrë, pa hënë dhe yje, nga qielli dukej sikur bashkë me shiun e shtruar vjeshtak, kullonte  shkrumb i zi. Në hatullat e kështjellës ulurinin ngjethshëm kukuvajkat kobëzeza dhe nëpër mazgallat dhe frëngjitë uturinte e vërshëllente era. Do të ishte një natë e gjatë dhe e pagjumë.
 Vetmi.
 Ajo e gjallë, si një shtatore pikëllimi,  ai i vdekur.
 Ja kishin dorëzuar tokës, që ta ruante në mbretërinë e nëndheut. Zotat do ta përcillnin në fushat Elize. Ajo ende nuk e besonte. Nuk mësohej dot me mungesën e Tij. I dukej sikur nga çasti në çast do t’i çfaqej i buzëqeshur, do t’i fliste. Çdo gjë që shihte, ngado që hidhte sytë, i kujtonte Atë. Ai ishte kudo, pastaj përfytyrimi, përziente realen me irealen, të gjallin dhe hijen. Teutën e kapte një angështi që i shtrëngonte zemrën dhe lotët i rridhnin vetiu, i qante shpirti. Tashti që ai i mungonte, kuptoi sesa shumë e kishte dashur, aq sa pa Të jeta i dukej bosh, e zbrazur, pa kuptim, pa shije dhe gëzim.
    Ishte grua!
   Ecejakej nëpër dhomë, pas e ndiqte hija e saj që luhatej e dridhej nga flaka e qirinjve.Duhet ta mblidhte veten, të mos bëhej robinë e dhimbjes, të mos e linte zemrën të ligështohej. Këtë natë,që do të ishte e pagjumë,  mendja do të thërriste zemrën dhe zemra shpirtin,në një bisedë të heshtur, për fatet e saj dhe të Ilirisë e më në fund për të marrë një vendim, që do të ishte në pajtim me të drejtën zakonore të trashëgimisë së fronit dhe në të mirë të saj, të vendit dhe mbretërisë.
      Agroni iku, mbretëria mbeti, bashkë me ëndërrat dhe dëshirat e tij: E madhe, e fuqishme, e pasur, zonjë e dy deteve. Ai deshi ta bënte atë çati të përbashkët të gjithë ilirëve. Nuk arriti. Vdekja ja preu vrullin shqiponjës së Ilirisë. Por mbretëria s’është si gratë , që të mbetet  vejane, të veshë rrobat e zisë e të vajtojë burrin që iku. Froni i saj s’duhet të mbetet bosh, aty duhet të ulet burri tjetër, Mbreti i Ri, përndryshe, vajmedet,  ajo do të rrënohet e kthehet në gërmadhë.
    Nisi ajo biseda e vështirë, e pashmangshme, me pyetje e përgjigje te vështira.      
    Teuta: “ Kush duhet të jetë mbreti?” Pyeti veten ajo, për të disatën herë. Ishte një pyetje  mundonjëse, e detyrueshme  që t’ia bënte vetes, paçka që e tundonte dhe i shkaktonte një pështjellim e tronditje të brendshme, në shpirt e në mendime. Dhe gjithëherët, përgjigja ishte po ajo: “Pini, djali i Agronit , i lindur nga Triteuta. Është gjaku dhe mishi i tij, degëzimi natyror i vazhdimit të jetës së tij. I lindur dhe i paracaktuar për të mbretëruar. Mirë. Por, o fat i keq, Pini është ende një ferishte, buzëqumësht, që mund ta ulin(dhe do ta ulin) në fron e ta kurorëzojnë mbret, por ai do të zbresë prej aty dhe do të kërkojë t’i japin lodrat e tij! Por mbretëria s’është lodër! Duhen vite që të rritet, paçka se do ta thërresin me respektin më të madh, Imzot Mbret dhe Madhëri.”   
       Zëri: “Atëhere, kush do të mbretërojë? Në duart e kujt duhet të bien punët e mbretërisë? Se ato duar duhet të jenë të forta , të besueshme e të sigurta!” -       Pyeti ai zëri i brendshëm që nuk e linte të qetë i zhbironte shpirtin dhe po i merrte frymën. Dhe po ai  e dha përgjigjen:
    “E ëma,Triteuta, Nëna Mbretëreshë, që do të jetë mëkëmbsja e mbretit , deri sa ai të  bëhet madhor.” U përgjigj pa mëdyshje zëri tjetër.
       Teuta:“Ah mos u tall! Ime motër? E dua shumë, gjithmonë e kam dashur, edhe atëhere,kur ajo dha pëlqimin e saj që të bëhej gruaja e dytë e mbretit,shemra ime, ngaqë unë qëllova të jem beronjë. Asaj i mungojnë tërë vetitë dhe vyrtytet që duhet të ketë jo një grua, por  një mbretëreshë: Mençuria, trimëria, guximi për të marrë vendime dhe vullneti i paepur për t’i prirë shtetit dhe popullit në të mirë e në të keq. Si femr, ishte e mirë për në shtratin e mbretit. Kaq. E vetmja dhunti  e saj ishte që lindi atë djalë, që e lumturoi mbretin, pse jo, edhe mua ngaqë siguroi vijëmsinë e trashëgimisë, por, mos harro: pjellin edhe macet! Aq e mefshët dhe e patëkeq, natyrë e dashur dhe e ndjeshme, aspak dyshuese sa është, e paditur dhe e parrahur me punët e shtetit e të mbretërimit, do t’a nëpërkëmbnin dinjitarët dinakë, do ta mashtronin gënjeshtarët dhe dallkaukët, do t’a shtinin në mëkat intrigantët dhe përfituesit, gjithë ata që nuk janë të pakët dhe që mbretërinë duan ta mjelin si të ishte një lopë!. E po,a s’më thua, si mund të lihet fati i mbretërisë në duar të dy kukullave? Mbretërisë do t’i binte ferra dhe punët do t’i merrte lumi! Triteuta të kujdeset dhe të rrisë të birin.Është detyra më e mirë për të!”
     Në hatulla ulërinin frikshëm e ndjellakeqas kukuvajkat. Era vërshëllente në mazgallat. Shiu rrihte muret dhe kanatat. Rrufetë çanin errësirën, gjëmimet dukej sikur vinin nga nëndheu.
    Mbretëria vejushe priste burrin, priste  dalëzotësin.     
      Zëri: “E po, princi Skerdilaid, vëllai i Agronit, bir i mbretit Pleurat”
   Teuta u zu ngushtë, por mendja e shkathët i erdhi shpejt në ndihmë me fjalë fluturake të atypëratyshme:
      Teuta: ”Skerdilaidi, im kunat? Gjeneral dhe komandant i zoti, burrë shteti, mentar dhe fjalëpakët, luftëtar i guximshëm dhe njeri i veprimit, me veti të arrira, ka qënë përherë krahu i djathtë i Agronit. Është vërtet biri i mbretit Pleurat dhe për të, s’ke ç’thua, është një nga shtyllat e familjes mbretërore, por Agroni kishte parabirërinë që, sipas kanunit të trashëgimisë i dha të drejtën e fronit të mbretërisë. Janë dy degë të dala nga i njëjti trung i lisit të gjakut, por të ndara. Biri i Agronit, Pini është degë që ka dalë më lart, vazhdues i rritjes së lisit të dinastisë që ushqehet nga rrënjët. Po të vijë  në fron Skerdilaidi, pas tij do të mbretërojnë bijtë e tij e kështu djalë pas djali. Humbet trashëgimi i Agronit dhe prishet rendi I breznive, këputet hallka e trashëgimisë. Jo. Them se nuk bëhet! Kjo asesi nuk duhet ligjëruar sepse ndryshohet rrjedha dinastike: Nga ati te biri. Më thuaj, kush tjetër?”
    Zëri: “Kush ka mbetur? Teuta.Ti vetë!. Mos bëj të çuditurën, ti këtë prisje që të dëgjoje nga goja ime!  Mos më thuaj që nuk e lakmon. Të njoh mirë: Gjithmonë ke dashur të drejtosh e të sundosh, të ishe e para pas mbretit, të përziheshe në punët dhe politikën e mbretërisë, si i thonë të hidhje kripë në të gjitha, paçka se mbreti ti mblidhte rripat e s’ta lejonte. Të tundon dhe të shtje në ngasje forca e magjishme që të jep pushteti, që të bën të fortë e të ngjashëm me Zotat, që të jep fuqi e mundësi të sundosh mbi vendin dhe njerëzit, t’u prish, të urdhërosh, të kesh në dorën dhe nën vullnetin tënd fatet dhe jetët e tyre, të mirën dhe të keqen, gëzimin dhe hidhërimin, si të jesh një nga zotat! Ti se njeh veten më mirë sesa të njoh unë ty, moj Teutë! Pushteti për ty është vetë jeta, si ajo vera e fortë që të deh e të lumturon, që do të të mbushë boshllëkun që la pas mbreti! Ti ke dëshirë të dalësh te bedenat e kështjellës, të shohësh nga të katër anët e horizontit e përtej tyre dhe të thuash: Kjo është mbretëria ime. Kjo do të ishte për ty burim krenarie e lumturie! Veprimet e tua të pamatura, të nxitura nga krenaria por edhe nga guximi që nuk të mungon, mund të ishin burim lavdie, por edhe fatkeqësie dhe vuajtjesh për shtetasit dhe mbretërinë. Por më vjen mirë, se sido që dëshira jote e zjarrtë është  të mbretërosh,  mund të jesh vetëm  një mëkëmbëse  duarlidhur, nga këshilli i “Miqve të mbretit”, sa kohë që Pini do të jetë  nën kujdestari”
     Kukuvajkat ulurinin edhe më vajtueshëm, era vërshëllente si gjarpër dhe qielli zbrazte rrebeshin e zemërimit të vet. E errët nata, të errta e të çartura mendimet.   
   Teuta:“Jo. Gabohesh me hamendjet e tua prej mentari o profet i natës së kobshme. Ajo që ty të duket urti, s’ështe veç një marri e ligë edashakeqe. Ti gërmon në shpirtin dhe zemrën time, jo për të gjetur të mirën por të keqen që nuk është. Thua që më njeh, por rren veten. Mendja, zemra dhe shpirti im janë bunar i thellë, ti nuk mund të shohësh në ‘të veç hamendjeve të tua.
  Zëri:Di më shumë nga sa e mendon ti!
  Teuta: ”Ç’ka je duke thënë e më fajësuar? Kjo mbretëri, është ngritur mbi themelet e një ëndërre: Që gjithë Iliria të jetë një shtet, nga Dardania deri në gji të Ambrakisë, nga Adriatiku deri në Jon. Mbretëri e madhe dhe e fuqishme, që gjithë Ilirët të jenë nën një çati, kjo çati  është qielli I Ilirisë. E nisi mbreti Pleurat, e vazhdoi mbreti Agron, por vdekja e zezë s’e la ta kryente.
 Zëri: “Ëndrrat janë të rrejshme,janë si retë që fryn era dhe I davarit, mbetet në mendje vetëm kujtimi i tyre.
 Teuta:”Më mirë se unë, askush se di këtë ëndërr, më mirë se mua, askush nuk është në gjendje ta kryejë. Prandaj e dëshiroj tagrin e mbretëreshës, përsa kohë Pini do të jetë duke u rritur dhe jo për të kënaqur sedrën dhe krenarinë time.Ato s’vlejnë asgjë para Ilirisë……”.
     Gjumi, që shplodh trup e mendje, u avit tinëzisht , i heshti zërat që vinin së thelli  dhe me duart e magjishme ia mbylli sytë e lodhur.
    Gjumi: “Fli Teuta,fli.”
    Nata këshillon.
    Dita vepron.   
      3
      Princi Skerdilaid,pas lodhjes dhe tronditjeve të atyre ditëve të përzishme, u tërhoq për tu prehur në shtëpinë e dimërit,që ishte e madhe, e bukur,  e qetë dhe e rehatshme, me bashtinë pemëshumë dhe avlli të lartë. Ishte jashtë kështjellës, në shpatinën veriperndimore, në lagjen e aristokracisë  dhe tregtarëve të pasur.
    U ul në anë të shtratit. Frymoi dhe ofshau së thelli. Ajo që ndodhi i dukej si ëndërr e keqe. Jerina, e shoqja e veshur me të zeza, vuri fëmijët në gjumë dhe  i pruri një kupë me çaj sherebele kundërmuese të ëmbëlsuar me mjaltë.
       Jerina: Pije se të qetëson dhe ta lehtëson gjumin, -i tha, dhe pas pak: - Ç’lajme na sjell nga kështjella? Kur do të zgjidhet mbreti?
Ai nuk u përgjegj. I mungonte dëshira për atë bisedë. Jerina ,veshi  rroben e bardhë e të gjatë të gjumit dhe nisi të sillej nëpër dhomë si fantazmë,pa ia shqitur sytë të shoqit, u nis  të shuante qirinjtë.
Skerdilaidi: -Mos  i fik. Nuk dua të rri në errësirë.
U fut në shtresa dhe shpinën e mbështeti në jastëkun e ballinës së shtratit, vështrimin ia qepi boshllëkut si të donte të shihte larg, përtej mureve, tjetërkund. Jeta është e çuditshme, mendoi , ai në kaq pakë dit kaq shumë ngjarje: Mbreti prehej nën dhe. Froni  ishte bosh. Mbretëria e tronditur. Kurora priste kryet mbi të cilën do të vendosej. Atij, mbretit të ri, do t’i përuleshin dhe do ta quanin “Madhëri”! Skerdilajdi ishte një hap larg tij. Mjaftonte një lëvizje. Mundësitë ishin të shumta. Po ç’ti bësh? Ishte fatkeq, kishte ardhur në jetë i dyti. Ofshau thellë. Sa kohë që Teuta nuk lindi fëmijë, e mbante shpresa se një ditë me fat, ai do të ishte mbret’ i Ilirisë. Kur Agroni u martua së dyti, dhe Triteuta e urryer lindi Pinin, ai i humbi shpresat. S’e kishte dashur asnjëherë atë grua, ca më shumë pas lindjes së djalit.
      Jerina: “Pini,vogëlushi,princi trashëgimtar edhe mund të vdesë papritur fare natyrshëm, pas darke, pasi të ketë pir një kupë sherbet mjalti, duke fjetur gjumë, të shkojë pas të atit!-Tha Jerina qetësisht si ti ishte drejtuar boshllëkut.
     Skerdilaidi:  “Mos ndill kobe, moj kukuvajkë e natës . O tmerr o ligësi ,ku të shpie lakmia, si mund të mendosh ti këputësh jetën një luleje,një ëngjëlli që është vetë pafajsia!Ç’farë nëne je ti, nuk mendon për te si për fëmijët e tu?”
     Jerina: -Nuk mund ta mendosh se sa do të më pëlqente të isha zonja e Mbretit!- Të më quanin ime Zonjë, të përuleshin para meje, të më rrethonin me pekule të më bënin dhurata e të më lajkatonin, por edhe të ma kishin frikën.
    Tha ajo si me të pëshpëritur e zëmekur, ngaqë i dukej e largët ajo ditë, në mos s’kishte për të ardhur kurrë. Pengesa ishte një camërdhok!
Pasoi një heshtje e rëndë. Dëgjohej xëxërritja e qirinjve që digjeshin e treteshin, flaka e tyre që luhatej, shformonte hijet e orendive dhe bënte të dukeshin sikur dridheshin e hepoheshin. Jashtë tërbohej era dhe shiu rrihte kanatet. Drita e vetëtimave depërtonte nga plasat e kanatave, ndërsa më pas vinte ushtima e bubullimave
Ajri ngjante si  i nginjur me fantazma dhe shpirtra të paprehje.
   Jerina: ”Pa guxim nuk arrihet asgjë. Nuk deshën perënditë që të isha burrë, pa dija vetë se ç’bëja!
Fliste ngadalë,duke mërmrirë si ti fliste vetes. Ajo heshti dhe priti që i shoqi ta pyeste, por ai s’e bëri. Ajo e torri më tej mendimin që gërryente plagën si një majë thike:
    Jerina: “Mjaftojnë njëqind oficerë e ushtarë besnikë, që në një natë të zezë si kjo, të hyjnë në kështjellë dhe të venë në hekura e konopë zuzaret dhe zuzarët. Froni do të ishte i lirë. Nuk mbetej veç të uleshe në të dhe të vije mbi krye kurorën! Ç’do të ndodhte më pas? Asgjë,veç ndonjë pëshpëritje nën zë.  Para veprimit të kryer askush nuk do të guxonte të kundërshtonte. Ka kërbaç por ka edhe kulaç. Ari ia verbon sytë gjithkujt. Pastaj, çdo çudi tri dit e ka të katërtën harrohet dhe polemi do të  brohorasin: Rroftë Mbreti! Por kjo kuturisje do zemër,do trimëri!”
Skerdilaidit iu bë sikur Jerina, e shndrruar në një gjarpër, i qarkoi trupin, i zuri frymën dhe po i pështynte në gojë helmin. Qyqja e natës po i këndonte zezonën në rrëzë të vveshit. Brofi në këmbë, i hakërryer, nga sytë I buronte një dritë e verdhë,e keqe. Jerina u kruspullos posht shtresave. E kuptoj që e kishte tepruar. Ja kishte futur thikën në eshtra.
    Skerdilaidi: “Grua, a e di që nuk po të njoh?Prite të vdiste im vëlla që të rrëfeje veten? Ku e ke mbledhur gjithë këtë shtrigësi, nga cila gurrë e ferrit të ka buruar gjithë ky vrer e ligësi, që të helmon jetën e të shtyn të mendosh që të arrish deri në krim! Unë jam ushtar, gjithmonë i kam dalë ballas e trimërisht armikut dhe vdekjes.  Me ligësira grarisht, që të helmojnë shpirtin,për të arritur qëllime të mbrapshta, nuk më cyt dot në ngasje, që me dinakëri të poshtër, t’i ngul një thikë në brinjë mbretërisë. Jam betuar në nderin tim dhe të armëve që mbaj të ngjeshura, për besnikëri ndaj mbretërisë dhe familjes. Si thua,moj zonjë? Që për një fron me katër këmbë druri, të rrokullisim në hon një mbretëri të bukur, ta mbysim vendin në gjak e në atë që në Romë e quajnë “Luftë civile?  Jo. Jo. Njëmijë herë jo!Teuta është kunata dhe motra ime, Pini gjaku i tim vëllai.Unë do ti mbetem besnik kujtimit të vëllait dhe do përkrah Teutën. Froni le të shkojë tek ai që i takon”
  Pllakosi heshtja e rëndë. Përjashta shkrepëtinin rrufetë dhe gjëmonin bubullimat.
    Jerina: “Si të duash, imzot gjeneral, komando ushtrinë dhe katandise veten të të tërheqin për hunde  dy gra dhe një kalama!“ 
            Skerdilaidi nuk I ktheu përgjigje. Ishte e kotë.Ajo do vijonte me të sajën. Etja për pushtet ua errëson shpirtin dhe ua çart mendjen jo vetëm burrave por edhe grave. Bile ato janë më të papërmbajtura. E dinë që forca e tyre është gjuha, që eshtra ska,por ehtra thyen!
     Fiku qirirët por gjumi se zuri deri vonë.
     Nata është këshilltare e keqe.  I sheh gjërat në errësirë.
     Dita, i qartëson në dritë të diellit.
     4
Dhimitër Fari, sapo mori lajmin e vdekjes së Mbretit dhe se shpirti I tij kishte zbritur në Had, u zu në befasi,por pa ndonjë keqardhje, bile u ndje I lehtësuar. Hija e rëndë e atij mbreti sikur e shtypte.
      E papritur kjo vdekje.
Vdiq mbreti!
Rroftë mbreti!
Por cili mbret? Edhe ai ia bëri vetes këtë pyetje dhe mendja e tij dinake nisi të bëjë pandehma e të sajojë ndodhira me ndërthurje   të papritura, ku edhe ai si gjeneral dhe qeveritar i ishullit verior të brigjeve dalmate do të kishte vendin dhe mundësitë e tij. Shpesh,nuk dihet se nga vjen e mira apo e keqja. Fati dhe rasti duhen kapur për fyti,se një herë të vijnë në dorë!
 Ky gjeneral grek i kolonisë të ishullit të Farit, edhe pse aventurier me një të kaluar pirati, dhe rrogtar në shërbim të disa mbretërive, por një njohës i mirë i detarisë dhe ushtarak i zoti, dinak dhe me nuhatje politike, dha ndihmesë dhe u bashkua me mbretin Agron për pushtimin dhe përfshirjen e ishullit strategjik të bregut Dalmat me Mbretërinë Ilire. Si shpërblim  u emërua nga mbreti Agron qeveritar i ishullit të Farit. Me këtë cilësi,ai ishte anëtar I këshillit “Miqtë e mbretit”, ofiq që i jepte mundësi të njihte mirë punët e drejtimit të mbretërisë.
Duhet të nisej menjëherë në Skodër. Duhet të gjendej aty, jo vetëm për kryeshëndosh dhe pjesmarrje në zi. Me siguri do kishte ngjarje e ndodhi që janë të zakonshme në kësi rastesh kur vdes një mbret. Ai duhet të nxirte përfitimet e tij. Për këtë duhej të mendohej tani.
 Këshilli i “Miqve të Mbretit” nuk do  të mënonte të shpallte mbretin e ri të Ilirisë. Mbreti kishte lënë dy gra të veja. Ishte rasti që ai ti avitej familjes mbretërore. Por qysh? Do të priste me durim, si ai gjahtari i fshehur prapa pritës dhe do të shkrehte shigjetën kur duhej dhe aty ku duhej.
Moti dukej që do të prishej. Nga brigjet italike po dyndeshin re të zeza të ulëta, ra një mjegull e tymtë që pengonte pamjen, por era që frynte nga veriperndimi e shpërndau dhe në det u ngritën tallaze.
      Porositi ti gatisnin për lundrim një “Liburnë” të rëndë e të madhe, nga ato që në kiç mbaronin me një kokë kali. ”Lemben” që ishte më e lehtë e më e shpejtë, mund ta vinte përpara stuhia si një lëvozhgë arre. Detarët ngritën pajorin[1], tërhoqën pallamarët[2], hapën velat, i tendosën dhe i përforcuan.
     -Gjenerali im, anija është gati për të dalë në det,-raportoi kapiten Sokratesi. Sa detarë të marrim?
      -Vetëm të domosdoshmit.
       Dhimitri zuri vend pranë kiçit. Ngritën çengelin dhe anija doli nga porti I vogël në det të hapët. Lanë mënjanë ishullin e Visit dhe duke manovrur nëpër ishujt e vegjël u drejtuan për në jugë, por duke marrë parasysh se mund të niste furtuna, nuk lundruan larg brigjeve Dalmate,që po të ishte nevoja të strehoheshin në ndonjë gji të mbrojtur.
 Nuk vonoi dhe moti u përkeqësua.Era e shtoi vrullin dhe shiu që nisi me ca pika të mëdha por të rralla, u dendësua dhe u kthye në rrebesh.Perdja e ujshme e shiut, e kithët, nën vrullin e erës rrihte velat dhe derdhej mbi kuvertë. Furia e erës  fryu velat sa dukesj sikur do ti shkulte. Era që frynte nga brigjet italike ngrinte dallgaë që godisnin fajkën[3] dhe anija hepohej brinjazi. Direku kërciste dhe e gjithë anija dukej sikur rënkonte teksa voziste me shpejtësi për në jugë. Detarët mblodhën velën e madhe katërkëndore dhe lanë të voglën, trekëndoren, atë të kiçit pranë timonit, ndërsa rremat i tërhoqën.
 Dhimitri i veshur me brucën e gjatë me flokë leshi , ngjeshi në kokë një ksulë shajaku qëndroi në kuvertë duke u mbajtur pas litarëve të   direkut, brucën ia  merrte era, ndërsa nga ksula dhe  flokët e gjata i kullonin çurka uji. Retë u ulën aq shumë sa u errësua, shkrepnin rrufetë dhe bubullimat shurdhuse nuk rreshtnin. Dhimitri nuk mbante mënd në Adriatik, të tillë mot, në këtë stinë të fillimvjeshtës së parë.
-Një anije në det!-Lajmëroi timonieri.
Jo larg brigjeve të Olçinit,dukej një anije “Lembe” që e merrte era dhe dallgët. Direku ishte thyer,velat ishin shqyer dhe nga pesha e ujit në hambar ishte pjerrësuar aq sa i dukej kalluma[4]. Anija do të fundosej nga çasti në çast. Timonieri dhe detarët e drejtuan për aty anijen e tyre dhe pas pak arritën në kohë, se kiçi[5]ishte ngritur lart dhe pjesa e pasme po fundosej. Nga gjarpri i vizatuar në velë, Dhimitri kuptoi se ajo ishte anije e Flotës Mbretërore  nga porti i Rizonit. Afruan me kujdes anijen e tyre që të mos përplaseshin, e kapën me shtanga dhe hodhën në kuvertë[6] një urë dërrasash. Dhimitri u turr i pari. Kur hipi në kuvertën e pjerrësuar, nuk u besoi syve: Në anije ishte Triteuta dhe Pini, që si dhe ai ishin nisur për në Skodër. Qull të njomur,rrobet u ishin ngjitur pas trupit. Triteutën e kishte zënë deti, kishte nxjerrë zorrët, dridhej nga të ftohtit, dyllë e verdhë, syperënduar, epafuqi, nuk fliste dot dhe s’mund të qëndronte në këmbë.Edhe Pini
i kapur pas së ëmës,i frikësuar,qante me ngashërime dhe lotët i shkonin çurk.
     -Ju merruni me princin- u tha detarëve, ndërsa vetë, e mori para duarve Triteutën, siç rrëmben ujku prenë dhe e çoi në anijen e tij. Ajo që e njihte gjeneralin, nuk kundërshtoi. Nuk kishte fuqi as të fliste.
      -Të mos hyjë njeri në kabinën time,- urdhëroi Sokratesin
I foli Triteutës, por ajo në gjendje gjysmë të fikti mezi i ktheu përgjigje dhe pyeti për të birin. I tha që ishte mirë dhe se për të po kujdeseshin Sokratesi dhe detarët e tjerë.
Me të para duarve, zbriti shkallët e ngushta dhe hyri në kabinën e vogël të kapitenit. E shtriu prenë e tij  në shtratin e ngushtë, me dyshek të ngjeshur . Asaj i kërcëllinin dhëmbët nga të ftohtit. Veshjet i kullonin ujë.
Dhimitri hapi sepetin e tij dhe nxori ndërresat e linjta, të thata e të pastra: Këmishë, tunikë[7] dhe pelerinë të leshtë. Nisi ta zhvishte, por kishte shumë lidhëse, komça e karfica. Më në fund ia hoqi teshat e lagura dhe ajo mbeti në shtrat gollomesh siç e kishte lindur e ëma. Ajo u përmend.E pushtoi sakaq ndjenja e turpit. Me një dorë mbuloi gjokset dhe me tjetrën nënbarkun, por dy duar, nuk mund të mbulojnë lakuriqësinë.
-Të lutem, mos më shiko, mbylli sytë,- I tha ajo me turp e si me të qarë.
Po si mund të mbylleshin sytë para asaj nimfe që kishte dalë nga shkuma e  detit? Kishte trup të bukur: shpatullat të gjera, supet të rrumbullta, gjokset e vegjël por si dy mollë, lëkura e barkut e lëmuar,si e fildishtë, pa një rrudhë, beli paksa i mbushur dhe mollaqet të mbledhura e të ngjeshura, kofshët e plota zbrisnin te pulpët e këmbëve elegante. Mbreti kishte patur shije në zgjedhjen e grave, mendoi Dhimitri. Trupi i saj me bardhësi verbuese e tepër femëror, i shtrirë pafajësisht në shtrat, ishte si një dhuratë që ja dërguan zotat. Dhimitrin e futi në ngasje dhe e vuri në mendime, por e përmbajti veten. Ajo nuk ishte një dosido,por e veja e mbretit të tij të ndjerë dhe nëna e princit trashëgimtar. Nuk kishte pse të përfitonte nga një çast dobësie krijuar nga një fat i mbrapshtë. Megjithatë, koha ishte përpara, të vdekurit me të vdekurit dhe të gjallët me të gjallët!Atë që e sjell një ditë se sjell një vit!
 E veshi me kujdes si të ishte një foshnjë dhe ia thau flokët me peshqir,
 pastaj i hodhi përsipër një shkorsë të leshtë. Doli nga kabina dhe i dërgoi Pinin,që e kishte marrë veten.Ai iu sul së ëmës,e mbyti me të puthura pastaj u tulat si një zogth në gjirin e saj.
      Ndërsa lemba,që ishte çarë nga përplasja në shkëmbenjtë e nënujit, ishte duke u fundosur, detarët morën plaçkat që mundën dhe të gjithë, bashkë me ata të Lembes u kthyen te Liburna.     
    Shiu, duke zbritur në jugë, u rrallua dhe më pas pushoi, koha u qetësua, retë u përçanë dhe ndriti dielli, por deti ende ishte i tallazitur.
   Rrobet e kostueshme, të Triteutës, detarët i ndenë në litarët e kuvertës  t’i thante era, që  t’i vishte para se të zbriste në skelën e Bojanës.
   Pasi e la të mblidhte veten, gjenerali zbriti në kabinë që t’i bënte shoqëri . Me oborrësinë dhe mënyrat e tij të stërholluara, ai dinte si të sillej me femrat e sërës së lartë.        
      Triteuta rrinte si e përhumbur ndenjur në shtrat me të birin në pëqi.
Dhimitri u përul lehtë e tërë hijeshi, me një buzëqeshje që i lodronte në fytyrën e pashme:
-Ime zonjë, mirëse erdhe në anijen time.
-Gjeneral,nuk di sesi të të falnderoj. Unë dhe Pini të kemi borxh jetën.
-Ishte vullneti dhe dora e Zotave. Detyra na e kërkon që për pjestarët e familjes mbretërore të japim edhe jetën!
 -Megjithëse nuk është vendi i duhur, lejomëni zonjë,tu shpreh ngushëllimet e mia për ikjen e parakohëshme të Mbretit, që erdhi pas asj fitoreje të bujshme të bukur e zulmëmadhe ndaj fuqisë ushtarke më të madhe të helenëve. Kjo ikje, nuk e la atë të gëzonte dhe të korrte frytet e saj. Na ka hidhëruar të gjithëve, ishte humbje e madhe për mbretërinë, por sidomos për Juve që e kishit burrë dhe mbret, jeni ende në lule të moshës dhe, për Pinin që është ende i parritur. Të rroni vetë,tu rrojë djali! Zotat u dhënçin durim dhe ua lehtësofshin dhembjen!
-E kam peng- u përgjegj ajo,-që nuk iu gjenda pranë:T’i jepja një gotë ujë,t’i freskoja ballin, t’i fshija djersën, ti thosha një fjalë, e pse jo t’i mbullja sytë,t’i lidhja buzën dhe të derdhja lot hidhërimi mbi fytyrën e tij të dashur. Nuk qe e thënë, fatet tona janë në duart e tjetër kujt. Nuk më besohet, më duket si e rreme që do ta gjej të vdekur. Nuk janë bërë as dy javë, kur nga Rizoni e përcolla për në luftë dhe tërë ato dit u luta për shëndetin e tij dhe që Zotat ti jepnin fitoren. Dhe ja tek po kthehem në kështjellë kur atë tashmë ia kanë dorëzuar dheut që ta tresë!
       Dhimitri priti që ajo të derdhte lote,por jo. Siç duket lotët ishin shterrur.
        I tha se moti ishte qetësuar, kishte dalë dielli dhe i bënte dobi të dilte në kuvertë, ajri I freskët do ta gjallëronte. Ashtu bënë.
        Sokratesi, që dinte të kujdesej për të zotin, pruri një tryëzë të vogël, stola druri dhe pastaj pasi ata zunë vend, u kthye nga kabina e tij me një tabaka me fruta:Shegë, ftonj, rrush e mollë. Dhimitri çau dhe qëroi një shegë,kokrrat e saj ndritën si rubin.
 -Pas asaj që hoqët e që ne e quajmë sëmundja e detit,nuk ka ilaç më të mirë se shega. Keni për të parë sesa do t’u lehtësojë.
Pini zgjodhi një vile rrushi,vetë Dhimitri mori një mollë dhe nisi ta hante pa e qëruar dhe pa e prerë me thikë.
-Mollën më pëlqen ta ha si mollë ,-tha ai me shaka dhe i hodhi Triteutës një shikim çapkën.
    -Imezonjë, mos e lini veten tu mbysë hidhërimi. Si ushtar, unë jam mësuar me vdekjen.në sytë e mi kanë vdekur me qindra,në duart e mia me dhjetra. Kush ikën nuk kthehet më. Jeni nëna e Mbretit, dhe kjo është detyrë dhe përgjegjësi. Besoj se do tu krijohen çaste të vështira. Shpesh lufta për fronin është e egër dhe mizore. Njerëzit bëhen më të egër se shtazët e pyllit. Bëhuni e vëmendëshme. Askujt mos i besoni, sado besnik e I afërt që të hiqet. Besojini veç asaj që u thotë mendja dhe zemra juaj. Përpiquni të mos ju shmangin. Guxoj dhe ua them këto nga përvoja ime, por edhe ngaqë të respektoj e të nderoj. Ju jeni ndryshe nga motra Teuta: Më e gjindshme, më e sjellshme, më e afruar dhe e dashur dhe pa atë krenarinë e saj përbuzëse e të tepruar.
     Triteuta e dëgjonte me vëmendje. Për një çast ai heshti, si të donte të mblidhte mendimet dhe te zgjidhte fjalët.
-Po t’u lindë nevoja, tek mua mund të mbështeteni si te një shërbëtor besnik. Në rast se ju një ditë, do të vendosni të ndryshoni jetën tuaj, unë u ofroj dorën time dhe jam i gatshëm që, po të më gjeni të denjë e të pëlqyer, të martohem me juve.
Triteuta u zu e papritur dhe deshi diç ti thoshte, por Dhimitri nuk e ndërpreu ligjëratën, deshi të përdorte sulmin e beftë.
     -Këtë ua them me zemër në dorë! Me nderin e ushtarit. Nuk pres që të më përgjigjeni. Keni kohë ta mendoni. Unë do tu pres deri sa ju të më ktheni një përgjigje, pohuese apo refuzuese. Në të dy rastet unë do tu mirëkuptoj. Sido qoftë mbetem shërbëtori yt i përulur dhe besnik! Tha ai dhe u ngrit për ta lënë vetëm me hutimin dhe trazimin që i shkaktoi.
      Triteuta u bë lulkuqe në fytyrë. I erdhi fare e papritur. Shumë i guximshëm ky gjeneral! Ende pa u tharë balta mbi varrin e mbretit, i kërkonte gruas së sovranit të mëparshëm, dorën për martesë.
      Nuk kaloi shumë kohë dhe anija  hyri në deltën e Bojanës dhe  u nis drejt rrjedhjes së sipërme që shpinte  në skelën e Skodrës. Më në fund kishin mbërritur.
      5
 Kishte dit që “Miqtë e mbretit” mblidheshin kokë më kokë dhe pleqëronin për orë të tëra caktimin e trashëgimtarit të mbretit. Ndërkohë Teuta, e mençur dhe guximtare, nuk bënte sehirxheshën. Ajo ishte si në jerm. Ishte në lojë fati  i dinastisë, i së tashmes dhe së ardhmes të mbretërisë. Ajo e shihte veten jo thjesht si grua dhe njeriun më të afërm të mbretit të ndjerë, por edhe më së shumti si një trashëgimtare shpirtërore të tij, që do të çonte në vend ëndrrat dhe porositë e tij, që vetëm ajo i dinte.
     Për sigurinë e saj dhe të kështjellës, shtoi rojet dhe thirri një repart besnikësh ardianë nga Rizoni. Kjo shtesë trupash nuk u pëlqeu “Miqve të Mbretit” por ata nuk bzajtën. Heshtja ishte flori.
    Së pari takoi Triteutën, të dërrmuar nga hidhërimi dhe ngjarja në det. Ngushëlluan njëra tjetrën shkuan te varri i Mbretit, i folën fjalë zemre dhe Triteuta   e lagu me lot dheun e varrit. Të qarët e lehtësoi. Foli gjer e gjat me të motrën, iu lut ta mirkuptonte. Ato duhet ti ndanin pjesët e tyre. Triteuta të kujdesej për të birin, ta rriste,edukonte e arsimonte dhe ta përgatiste për të drejtuar si mbret i denjë mbretërinë, ajo do të ishte e nderuar si Nënë Mbretëreshë, do të qeveriste pasuritë e familjes. Asgjë nuk do t’i mungonte.
     A e pranonte?   
     Teuta, do të ishte mëkëmbëse, do t’i hynte rrezikut dhe telasheve për të drejtuar mbretërinë deri sa mbreti të arrinte moshën. Ky ishte nderimi më i madh për kujtimin e Agronit dhe shërbimi më i mirë që mund ti bëhej familjes mbretërore për vazhdimësinë e dinastisë dhe Ilirisë si shtet.
    -Atëhere,ti do të jesh mbretëresha? Pyeti Triteuta dyshuese.
  -Jo . Mbreti do të jetë biri ynë i dashur, Pini. Unë, jo tamam, porse thuajse. Kryesorja është që mbretërimin ta mbajmë brenda familjes. Kjo duhet vendosur shpejt, sa më shpejt aq më mirë. Koha nuk pret. Kanë ardhur lajme se krerë fisesh e qytetesh,përgatiten të shkëputen dhe brenda mbretërisë mund të nisin trazirat. Kjo do të ishte më keq se të binte kolera!
    Pas shumë ngurrimeve, mëdyshjeve dhe hezitimeve,pasi I përsolli dhe i përjetoi në mëndje gjërat dhe ngjarjet që mund të ndodhnin, Triteuta u bind dhe u tërhoq nga e drejata e trashëgimit. I mjaftonte të ishte “Nëna Mbretëreshë”.    
     Teuta besonte në mençurinë,  drejtësuinë dhe besnikërinë e “Miqve të Mbretit”. Ata i bindeshin Skerdilaidit, dhe Skerdilaidi ishte besniku i saj por edhe atyre kushedi se çmund tu thoshte mendja! I kishte parë që ishin takuar me pjestarë dhe njerëz të shquar të aristokracisë ushtarake dhe të tokave. Takoi secilin, veç e veçë. Këshilltarët e urtë, i mori me të mirë, u përkëdheli sedrën,  u bëri kërkesën: Ajo do të ishte mëkëmbëse e Mbretit, me gjithë të drejtat e atij ofiqi dhe do ta qeverisnin së toku mbretërinë. Kur ata kishin ndërdyshje, u bëri premtime  pasurore, toka dhe bulqiza, porosi shtetërore për furnizimin e ushtrisë,ndërtimin dhe pajisjen e flotës, grada të larta në ushtri dhe administratën civile për njerëzit e tyre, ndaj të cilave ata nuk mund të ishin të pandjeshëm e të pakorruptueshëm.
   Për ata ishte e qartë, sipas së drejtës së trashëgimisë, Mbreti ishte Pini, askush nuk e vinte ne dyshim, por ajo që krijonte tollovi ishte mosha e vogël dhe për shkak të saj paaftësia për të mbretëruar. Pa tjetër duhej një mkëmbës.
     U lakuan disa emra. E ëma e princit, Triteuta, përveç mos aftësisë dhe cilsive të tjera që do të duheshin të merrte vendime të rëndësishme si mëkëmbëse,ishte grua e dytë e mbretit, dhe me vendosjen e mëkëmbësisë së saj shkeleshin të drejtat e gruas së parë. Ata u ndjenë të lehtësuar kur ajo kishte hequr dorë nga ai mëtim. Përfaqësuesit e aristokracisë dhe ushtarakëve, ishin për Skerdilaidin dhe mbështetën atë,  por ata mbetën në pakicë dhe me arsyetimin se ai ishte me i largët në linjë trashëgimie, nuk u pranua.
   Përfundimisht mbeti si mundësi e vetme Teuta, kishte gjithë ato vlera dhe veti prej burrneshe, që e bënin të denjë për të qënë mëkëmbëse e mbretit. Duke qënë mëkëmbëse, zere se ajo do të ishte mbretëreshë, por kanuni i trashëgimisë a parashikonte që një grua të merrte fronin mbretëror?
     Besiani, biri i Entelit nga fisi i Labeatëve,krejt i thinjur si një patriark e i mençur si një zot, thirri në ndihmë historinë. Në popujt e tjerë të siujdheses së Ilirisë, grekët, maqedonasit dhe trakasit, gratë nuk kishin të drejtën e fronit mbretëror, ndërsa te Ilirët e Jugut, gratë shpalleshin mbretëresha. Kështu kishte ngjarë me Olimpian në Epir, dhe vite më vonë ishte kurorëzuar mbretëreshë edhe Deidemaja, pasardhëse e Familjes së Mbretit Pirro. Rruga ishte e hapur. Ilirët i ngrinin gratë deri në fronin mbretëror. Por në këtë rast bëhej fjalë vetëm për mëkëmbësi.
   Këshilli I “Miqve të Mbretit” u mblodh paradite në sallën e vet. U thirr familja mbretërore, që u ul në rreshtin e parë. Teuta dhe Triteuta ishin pranë dhe kishin vënë në mes Pinin. Në podin e lartë, froni i mbretit ishte bosh, ndërsa në tryezë ishte vendosur mbi një tabaka argjendi, kurora mbretërore nga ar e argjend me gurë të çëmuar që vezullonin.
     Në sallë ishin edhe krerët bujarë të fiseve më të mëdha ilire që ishin pjesë e mbretërisë. Mbreti ishte edhe i tyre. Kishin ardhur për ti shprehur nderim e besnikëri.
      Heshtje e thellë. Besiani u ngrit në këmbë për të shpallur vendimin.
    -Anëtarë të nderuar të familjes mbretërore, bujarë dhe krerë fisesh të lavdishëm, anëtarë të pleqësisë “Miqtë e mbretit”. Jam i nderuar që pleqësia ma ngarkoi mua barrën e drejtimit të këtij kuvendi fisnikësh. E thellë dhe e pashërueshme është dhimbja që la pas ikja e parakohshme e mbretit tonë të madhërishëm, Agronit, birit të Pleuratit, që pikëlloi mbarë Ilirinë. Ai, me dashurinë e Zotave, la pas një mbretëri të madhe, të fortë dhe të pasur, që na e kanë zili gjithë të tjerët. Është në nderin tonë dhe detyrë e shenjtë që ta ruajmë, fuqizojmë e zgjerojmë mbretërinë tonë, të shpiem më tej punën e nisur prej tij. Kështu do të nderojmë kujtimin dhe emërin e Mbretit. Për dit të tëra, mençurisht e pa ngutje,  zbërthyem nyje për nyje Kanunin e Trashëgimit, peshuam mbarë e prapë mundësitë, duke u rrekur  që të bëjmë më të mirën për mbretërinë. Më në fund, këshilli i të urtëve”Miqtë e MBretit”, më vuri barrën e më nderoi të shpall vendimin: Mbret i Ilirisë,shpallet Pini, biri i ligjshëm i Agronit dhe Triteutës. Nënë Mbretëreshë,shoqërojeni mbretin në fron.
Triteuta u ngrit dhe me emocion, mori të birin nga dora dhe e vendosi në fron. Froni ishte i thellë dhe Pinit të vogël,të shtangur e të hutuar, vetëm sa i delte paksa koka mbi tryezën e madhe.
   -Në emër të Zotave dhe pushtetit që më jep  ofiqi që kam, po e kurorëzoj mbretin- tha plaku Besian- dhe  i vuri mbi krye Pinit kurorën. Ta gëzojë e trashëgojë brez pas brezi! Pastaj i puthi dorën.
Salla brohoriti”Rroftë Mbreti”
-Sa kohë që mbreti është duke u rritur, këshilli vendosi që mëkëmbëse e mbretit të jetë Zonja e parë e mbretit të ndjerë Agron,Teuta. Ajo gëzon dhe ka po ato të drejta që kishte dhe mbreti: Kryekomandante e ushtrisë, të shpallë luftën, të vendosë paqen dhe të lidhij aleanca, të dënimeve dhe të faljeve.
     Ky vendim,u shpall në kështjelliën e Skodrës, kryeqendër e Mbretërisë së Ilirisë, javën e fundit të vjeshtës së parë, në vitin e nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të mbretit Agron. Zotat janë dëshmitarë.
      Teuta u ngazëllye.
       -Zonjë e parë dhe mëkëmbëse , lutem të zini vend në krah të djathtë të mbretit.
       Teuta bëri ashtu si i thanë.
        Këshilli dëshiron të dëgjojë nga goja juaj një fjalë të shkurtër falnderimi.
        Teuta  pati një ngashërim të brendshëm dhe nuk desh që ata t’ia vinin re.U mendua të gjente fjalët e duhura.
        -Besian bujar e fisnik, të nderuar anëtarë të Pleqësisë dhe krerë të fiseve të lavdishme të Ilirisë. Kam jetuar nëntëmbëdhjet vjet të lumtura si grua,shoqe ,këshilltare dhe mike e Mbretit Agron. Tani që Zotat e morën pranë vetes, ndjehem e hidhëruar, e mjerë, fatkeqe si të më ishte shkymur edhe mua jeta. Por mbreti,na la si trashëgim mbretërinë më të madhe,më të pasur dhe më të fuqishme të siujdhesës Ilirike. Për këtë duhet të krenohemi.Mbreti kishte edhe një ëndërr që se hiqte nga mendja, bashkimin e gjithë ilirëve nën një mbretëri.Ky është edhe amaneti i tij.
      Betohem, para jush dhe kujtimit të Tij, që si mëkëmbëse e Mbretit Pin, jetën dhe vullnetin tim pavarësisht nga çdo rrezik, do t’i ve në shërbim të jetësimit të kësaj ëndërre! Kjo më bën të lumturohem.
       Miqtë e Mbretit dhe krerët e fiseve mbetën të kënaqur. Teuta u kishte folur me fjalë zemre.
        Vetëm Triteuta, krah të birit, dukej si e hutuar dhe e shtangur.
        Pamja e saj nuk i shpëtoi Dhimitër Farit.
        Në fronin bosh të Ilirisë ishte ulur mbreti i ri.       
        Lajmi iu bë i ditur edhe gjindjes, që ishte grumbulluar në oborrin e kështjellës.              
        Kalorws të shpejtë u nisën ta shpërndanin lajmin anekënd mbretërisë.


                  vijon



[1] Direku qendror I anijes
[2] Litarë të trashë për lidhjen e anijes në bankinë
[3] Fajka,pjesa nësore e anijes
[4] Pjesa fundore e zhytur në ujë,skeleti I drunjtë ku bashkohen dërrasat.
[5] Pjesa e pasme e anijes.
[6] Kuverta,pjesa e sipërme e sheshtë e anijes, ndën të gjendet hambari.
[7] Një lloj këmishe e shkurtër,deri te gjunjët.