Resmi Osmani
Roman
KREU II
BETEJA E MEDIONIT
Akarnani, Vjeshtë e parë,231 para erëa
së re
1
Koha nuk priste. Mbreti Agron nisi
lajmës - kalorës të shpejtë në të katër anët e mbretërisë për të thirrur në
kuvend krerët e Pleqësië nga të gjitha fiset.Edhe pse e kishte tagrin të
shpallte vetë luftën apo nënshkruante paqen, ai ishte mbreti, për të mos u
ndodhur para mosmiratimeve e kundërshtive qoftë edhe nën zë apo të heshtura ,
urtësia për të mos gabuar e këshilloi që
të dëgjonte edhe mendimin dhe këshillat e të urtëve dhe krerët e fiseve. Shumë
mendje janë më mirë se një, thoshte mbreti Pleurat, pastaj,tek e fundit,pyet një
qind vetë e bëj si di vetë!
Në ndërkohë, nisi përgatitje të
ethëshme e të ngutshme për luftën e pritshme. Shestoi në mendje gjithsa do të
ndërrmerrte,se kjo nuk ishte një kuturisje,se lufta nuk është lojë, por një vepër
që kërkon përdorimin e mendjes, mençurisë, burimeve ekonomike e njerëzore,përvojës,guximit,
dinakërisë e befasisë, besimit të patundur dhe vullnetit të pamposhtur për të
fituar mbi armikun. Do të ishte një luftë me këmbësori detare,që duhej stërvitur
për luftën tokësore. Do të nevojiteshin
jo më pak se njëqind anije sulmi të tipit trirema Lembe liburne, pesëmijë luftëtarë
të mirëstërvitur, dhe jo më pak se dhjetë anije ndihmëse për mbartjen e armëve
dhe ushqimeve.
Kaluan ditë. Nga deti dhe sterea, një e nga një, kaluar dhe të shoqëruar
nga rojtësit e tyre, pjesëtarët e pleqësisë, krenarë e hijerëndë, të vetëdijshëm
për dinjitetin e tyre, mbritën në kalanë e Skodrës ku i priste Skerdilaidi[1] i vëmendshëm e i përzemërt, që
kujdesej për ta që të mos u mungonte gjë e të mos hatërmbeteshin. Në pritje të Mbretit, zunë vend në odën e madhe, kubelartë
e kumbuese të kuvendit të të urtëve. U panë në sy,po gjithkush ngrinte supat,
askush nuk dinte të thoshte pse i kishte thirrur Mbreti.
Në nderim të mbretit të gjithë u çuan dhe u përkulën me hijeshi. Mbreti
që i njihte të gjithë,i përshëndeti emër për emër,por për secilin kishte nganjë
fjalë të veçantë për ti përkëdhelur në sedër e për ti bërë që të ndjeheshin
krenarë e të vlerësuar:
-A je si je ,Ademar fisnik, shqiponjë e maleve! Pa shih kush na ka
ardhur,trimi Bato i Autariatëve[3] që I ka hije fjala në kuvend dhe
trimëria në logun e burrave! Ja ku qenka dhe Ujku i Detit dalmat, zogu i
furtunave Anaidi! Nuk mungon Dasantila fisnike, kështjellarja burrëreshë e
Dimalit[4] dhe as Etleva e trimave Dasaretë[5]…..Pa u ngutur i rroku n’grykë me
radhë, u rrahu shpatullat miqësisht dhe u uroj mirëseardhjen në Skodër. U ndal
para një djaloshi të hajthëm,leshverdhë sy kaltër e shtathedhur. Djaloshi u përkul
me hijeshi:
-Madhëri, jam Meriti, biri i Hyllit, Bujarit të Albanëve[6]. Falmeshëndet nga baba. Ishte i
pamundur dhe më dërgoi mua.
-Je i mirëpritur si të ishte vetë baba. Shpresoj të jesh po aq mentar
dhe trim si ai. Uluni burra.
Kjo
sjellje e Mbretit i çliroi ata nga zori
që shkaktonte prania dhe hija e tij shtypëse e u ndjenë të shpenguar.
Mbreti u ul në fronin e lartë,shpinorja e të cilitishte veshur me shevro
të purpurt dhe mbaronte me një kurorë të
larzuar me argjend. Në të dy krahët e tij zunë vend Skerdilaidi dhe gjenerali
Dhimitër Fari. Teuta u ul midis dy bujareve fisnike të Dimalit dhe Dasaretisë.
Zotëroi heshtja. Të gjithë prisnin fjalën e mbretit, që po kërkonte të
duhurën nga t’ia niste.
-Më kishte marrë malli-tha ai,- nganjëherë,edhe pse vini nga larg,duhet
të takohemi për tu shmallur dhe shkëmbyer nga dy fjalë,jo vetëm për punët e
shtetit, por edhe fjalë bese e zemre. Siç mund ta keni dëgjuar,se lajmet i përhap
edhe era, u hodha një vrap deri në Lynhid të maqedonisë ku u takova me Mbretin
Dhimitër i II-të. Bëm një besëlidhje, që me gjallje të personave tanë sovranë ndërmjet vendeve tona të mos ketë luftë,por mbretëritë
tona t’i japin ndihmë njera tjetrës po të sulmohen ato apo aleatët e tyre nga
fuqi të tjera.
Mbreti i hodhi një sy pleqësisë për të parë si u prit lajmi,por s’pati
veç një mërmërimë që nuk kuptohej se ç’ishte.
-Shumkujt,-vijoi ai,- mund ti duket që ne kemi dalë nga hullija e qëndrimeve
tona të mëparshme, ajo e luftës së pandërprerë kundër Maqedonisë dhe miqësisë
me Romën. Ia thashë edhe mbretit Dhimitër: Nuk ka as miq të përjetshëm, as
armiq të përjetshëm. Kjo vlen edhe për ne. Ka dy arsye: në ditët e sotme rreziku
Ilirisë nuk i vjen nga kufitari lindor, por nga ai përtej detit. Paqja në
lindje na siguron shpinën dhe çështë parësore, na e jep mundësinë që të dalim jashtë kufijve dhe hapsirës sonë, ta thyejmë
guackën që na mban të ndryrë,të mos ecim si breshka,por të fluturojme si
shqiponja: të synojmë më larg, të marrim atë që është e jona e që na
takon:Dyrrahun[7] e Apoloninë[8], që janë jo vetëm kërcënuese e vatra rreziku me garnizonet e tyre, por
thithin gjithë lëngun e kamjes sonë në hapsirat e begata të anëdetit. Korkyrën
në jugë dhe ishullin e Isës në veri siç
morëm ishullin e Faros në Dalmaci dhe të bëhemi sundues të Adriatikut dhe
Jonit,të mbajmë çelsat e hyrjes në Mesdhe. E gjitha kjo bie ndesh me interesat
e Romës, që e quan mesdheun”Deti ynë”. Për këtë përballje që një ditë do të
ndodhë, duhet të mendojmë që tani.Bashkërisht,shtetin Ilir e bëm më të madhin e
siujdhesës ilirike, të zhvilluar e të njësuar, me ushtri të fortë dhe flotë të
fuqishme si asnjëherë tjetër. Ushtrinë nuk duhet ta lemë të plogështohet dhe
anijet velaulura që të flenë porteve. Duhet të hidhemi në veprim. Tani. Kjo është
koha!
-Mbreti im, hija e mëngjesit na e kallzon shtatin më të gjatë nga sa është,
duhet ta matim me atë të mesditës!
-Longar fisnik,prijës kreshnik e mentar i Dokleatëve[9], shtati i mbretërisë është rritur,e
kur shtati rritet duhen tesha të reja e terziu që i gatit ato kur nuk ka tjetër
uzdajë, është përpjekja, lufta! Dua tu kallzoi, se ati im I ndritur,mbreti
Pleurat, para se të zbriste në mbretërinë e nëndheut, më kallzoi se kishte një ëndërr,
një dëshirë që morti nuk e la ta përmbushte:Të bashkonte në një shtet të vetëm
gjithë ilirët dhe Ilirinë, gjith ato troje ku gjindja babës I thonë babë dhe
nanës nanë, ku dheut i thonë dhe, diellit diell e qiellit qiell, bukës bukë dhe
ujit ujë. Sa kohë që nuk do të arrijmë ta përmbushim këtë amanet ,më duket se
atje në mbretërinë e nëndheut, ati nuk ka prehje dhe papra më dërgon një
thirrje: Bir,bashkonie Ilirinë! Ka ardhur koha. Mbretëria është fuqizuar. Nga
Narona në Aos fiset janë përfshirë me
hir apo pahir brenda mbretërisë, kemi një monedhë të vetme e të përbashkët,drahmën
ardiane, kemi vënë në dorë monopolin e kripës, dhe xehet e bakrit, hekurit, arit
dhe argjendit ku punojnë qindra skllevër. Qytetet kanë lulzëuar,tregtia është
shtuar, kamja dhe gjëja është rritur,njerëzia po bën jetë më të mirë. Ne i
shtuam mbretërisë ishullin e Farit, kemi vënë nën rrethim Ison, flota jonë
detare nuk ka qenë asnjëherë më e madhe në numur dhe më e fuqishme nga forca
goditëse, ajo e bën ligjin në Adriatik. Apo nuk është kështu? Edhe Apolloninë
do ta detyrojmë të na japë tribute,tregtarët e saj vjelin pasuritë e hapsirës së
Taulantisë,që është e mbretërisë sonë. Në s’pranofshin do tu presim rrugët dhe
daljen në det.
Fjalët e mbretit u pranuan njëzëri.Përfaqësuesit
e aristokracisë ushtarake dhe sipërmarrësit e mëdhenj të furnizimit të ushtrisë
dhe armatorët shihnin një mundësi të mirë pasurimi.
Teuta, ia kishte qepur shikimin të
shoqit dhe përpinte çdo fjalë të tij, ato i vinin për shtat, i zbrisnin thellë
në shpirt e në zemër. Një Iliri e madhe, e fuqishme, e pasur, e lagur nga dy
dete ku ravgonin si delfinë anijet velëbardha, me fusha pjellore, hambar i
grurit, elbit dhe melit, kodra me ullishta e vreshta,ku buronte vaji dhe vera,
me bashtina ku kuqëlonin lulet e shegës e fiqtë kullonin mjaltë, rudina ku
kullosnin e blegërinin bagëtia, maja malesh, fole shqiponjash, me borë e krye në
mjegull e në re, lugina të magjishme e pyje të dendur, ku rridhnin lumenj ujëshumë
e hidhnin valle shtojzavallet. Kjo ishte Iliria, që duhej fituar e bashkuar.
Medauri[10] e Redoni[11] , me siguri do të derdhnin mbi ta
dashurinë e tyre hyjnore. Për habi të saj pa te mbreti sesi ai, kur përmendi
amanetin atëror, ndryshe nga sa e kishte zakon, u mallëngjye, zëri iu ligështua
dhe e drejtoi shikimin larg, si në një hapsirë të pamatë,ku mendja dhe shikimi i
të tjerëve nuk arrinte. Dukej sikur i fliste erës.
-Një nga kushtet e paqes,është që ne të sulmojmë e çlirojmë nga rrethimi
i etolianëve grekë qytetin Medion të Akarnanëve, që janë i vetmi aleat i
Maqedonisë. Po të bjerë Medioni, aleanca e Etolianëve, Akajasve dhe e Epirotëve,
fuqizohet shumë. Përveç armiq të Maqedonisë,ata janë rrezik për mbretërinë tonë
sepse arrijnë nëpërmjet Mbretërisë Epirote deri në kufirin tonë në lumin Aos .
Mos harroni se epirotët janë degë e lisit Ilir, si edhe ne. Në rrëmbat e tyre
rrjedh gjak ilir, flasin me pak
ndryshime të njejtën gjuhë, kanë të njejtat zakone. Mbreti i tyre Pirro Burri,
tronditi Maqedoninë, Greqinë dhe Romën. Epirin ose duhet ta shkëputim nga
aleanca greke dhe të vemë atje kufirin e
botës Ilire, duke e bërë aleat tonin,
ose ta bashkojmë me mbretërinë tonë Ilire. Kësisoj, ëndërra e mbretit Pleurat
jetësohet. Po të bjerë Epiri, ishujt e Jonit dhe Korkyra bëhen tanët. Prandaj
ne duhet ta sulmojmë Medionin dhe t’i heqim rrethimin.
-Kush do të jetë çmimi i kësaj lufte, mbreti im?- pyeti Bato, prijësi i
malësorëve autarjatë.
-Trimi Bato, më shumë se kushdo,ti e di se themelet e shteteve mbruhen
me eshtra dhe gjakun e të rënëve dhe se siguria dhe liria mbrohen deri me jetë.
Do të jetë një luftë e shpejtë,e befasishme,që do të bëhet nga këmbsoria detare
që do të mbartet me njëqind anije deri në gjirin e Ambrakisë së Epirit. Flotën
dhe luftën tokësore do t’i drejtoj vetë së bashku me Skerdilaidin. Besoj që
humbjet do të jenë të pakta.E po,ushtari i vërtetë, është më i nderuar të vdesë
në fushën e luftës sesa në shtratin e rehatshëm të shtëpisë. Rrezikziun, kur
zotat ia sosin orën e jetës, mortja e gjen kudo që të jetë! Fitimi i plaçkës së
luftës dhe skllevërve do të jetë shumë më i madh se humbjet. Ca më e madhe do të
jetë zulma, lavdia dhe emri që do të fitojë Iliria.
Këshilli i të Urtëve, e miratoj besëlidhjen me Maqedoninë dhe nisjen e
luftës për çlirimin nga rrethimi të Medionit.
Pa humbur kohë, Agroni mblodhi Këshillin e Luftës. Skerdilaidi do të
organizonte trupat e këmbësorisë detare, Gjeneral Dhimitër Fari mobilizimin dhe
pajisjen e anijeve, por ai nuk do të shkonte në Medion,iu ngarkua ruajtja e
brigjeve veriore dhe mbajtja nën rrethim detar e ishullit të Isës. Të gjithë
morën detyrat: oficerët e njësive, pesdhjetarët[12], grumbullimin zgjedhjen dhe stërvitjen
e njësive me ushtarë të rinj,dhjetarët[13] të ishin ushtarë veteranë të rrahur me punët e luftës. Sa më shumë djersë e
lodhje në fushën e stërvitjes aq më pak gjak në fushë të luftës. Kujdestari i
thesarit të mblidhte taksat dhe tributet
nga qytetet dhe krerët e fiseve, të siguronte pagesat,se lufta vërtet bëhet me
hekur,por hekuri blihet me ar,se anijet ndërtohen me dru, por edhe druri ka
vlerën e arit, se trimëria dhe dora e fortë e luftëtarit, topiten pa armë të farkëtuara mjeshtërisht:
shpatat,mburojat,parzmoret e përkrenaret, shtizat majëhekurta, harqet dhe
shigjetat e mprehta si anza. Që luftëtarët të kenë forcë duhet të ushqehen të
hanë e të pinë mirë. Për këtë luftë asgjë nuk duhej të kursehej apo mungonte.
-Pasha qiell e pasha dhe, për atë sy dielli që ndrin botën, kushdo që
vepron ndryshe apo bishtnon, do ta
paguajë me kokë! Kërkend nuk do të
kursej,qoftë edhe vllaun tem!
Paralajmërimi ishte hakërrues, i rreptë, i vërtetë.
-Lufta nuk është lojë me zare- u tha ai,- por në lojë vihet jeta e mijëra
burrave, në lojë vihet fitorja ose humbja, turpi dhe nderi, marrja dhe faqja e
zezë për humbësin dhe nderi e lavdia për fituesin! Ne gjithherë jemi ndarë
faqebardhë e fitimtarë. Besoj në burrërinë,besën trimërinë dhe mençurinë tuaj.
Bëni detyrën. Këtë luftë duhet ta fitojmë dhe do ta fitojmë, se pas saj vijnë të
tjera, që do ta lartësojnë emrin dhe lavdinë e Ilirisë.
U ndanë detyrat: Në Rizon,do të paiseshin 20 anije me një mijë ushtarë,nga
fiset e autariatëve dhe Ardianëve, në ishullin e Farit, 30 anije me një mijë e
pesëqind ushtarë liburnë e dalmatë; Në
Olçin, njëzet anije me njëmijë ushtarë nga fiset e Dokleatëve dhe Albanëve dhe
në Lis, 30 anije me një mijë e pesëqind ushtarë nga Taulantët. Po të mos
mjaftonin anijet të merreshin me qira nga armatorët dhe piratët,po të mos pranonin
me hir të merreshin me pahir!
Dalja e flotës në det të hapët për fillimin e
veprimeve luftarake do të bëhesh të hënën e javës së dytë të vjeshtës së parë.
2
Në sheshet e qyteteve dhe tregjet, u
dukën kasnecët me tupanë që me zë të fortë dhe të zvargur jepnin lajmin e
thirrjes nën armë: burrë për derë.E bënë këtë disa dit deri sa zëri iu mpak dhe
u ngjir,ndërsa në krahinat e thella,fshatrat e luginave dhe malësisë, u nisën
kalorës që jepnin kushtrimin me ushtimën
e brirëve. Fjala luftë pluskonte në ajr bashkë me erën, ajo hyri në çdo kullë e
kasolle,si një kumt ndrydhës, si një mirazh i turbullt në një vend të largët.
Luftë!
Emër i ankthshëm e i frikshëm për nënat, trishtues e i dhimbshëm për
gratë nuset e reja dhe motrat. I përcillnin
me lot e ngashërime. Burrat dhe djemtë dhe vëllezërit që I thërriste mbreti në
luftë,niseshin, po vallë a do të ktheheshin që tu gëzonin zemrën dhe tu qeshnin
sytë, apo do tu kalbeshin eshtrat larg,në tokë e vise të huaja, nën një muranë
dhe ato do të mbeteshin fillikate e të shkreta dhe nën hatullat e kullave do të
klithnin kukuvajkat? Medaur e Redon , ruajini
djemtë,vëllezërit dhe burrat tanë!
Luftë!
Një rast i pritur nga veteranët të argasur dhe kalitur në beteja, ata e
njihnin atë ndjenjën drithëruese dhe zemërrrahëse përball armikut,atë ngazëllim
të çuditshëm para ndeshjes dhe e ndienin dhe përjetonin deri thellë nën lëkurë
rrapëllimën e armëve, vërshëllimën e shigjetës në rrëzë të veshit, klithmat, bërtitjet,
rënkimet, grahmat e vdekjes,shkulmet e gjakut, thirrjet e fitores dhe jehonën e
fuqishme të saj, që u ngjallte një drithërimë të brendshme por edhe një ndjenjë
trimërore e heroike. Ishte rasti për të rrëfyer vlerat dhe burrërinë,por në këmbim,pse
jo edhe për të fituar plaçkë e ca para.
Luftë!
Të rinjtë, mezi e prisnin këtë kuturisje që të niseshin e të shihnin
vise të largëta e të panjohura, të ndryshme nga të tyret,të përfshiheshin në
vorbullëne betejës, në gjeratoren e luftës, të rrëfenin trimëri si etërit e
tyre, të tregonin sa vlenin dhe të burrëroheshin. Kur të ktheheshin do tu
mburreshin vashave dhe do ti çudisnin me bëmat e tyre që tu fitonin zemrën.
Luftë!
Çunakëve u vinte keq që ishin ende të parritur për të marrë udhët e botës.I
kishin zili të rriturit. U ishin mërzitur lojrat me luftë të rreme, që e bënin
me shpata druri dhe rrokeshin e kacambyteshin se kush do ta mundte shokun. Kur
do të rritemi që të vemi në një luftë të vërtetë? Ah sa ngadalë ikin vitet!
Ata vinin nga fushat,bregdeti, kodrat,
zbrisnin nga malet dhe bjeshkët, kishin lënë krrabat e bariut, parmendat e
bujkut, sharrat dhe sëpatat e druvarit, zejet dhe në duar do të merrnin armët: harqet dhe kukuret
me shigjeta, ushtat, shpatat e mburojat, topuzët dhe hobetë. Me grupe apo një e
nga një, si ca rrëkëe të gjalla, damarë gjaku që do të mbushnin zemrën dhe aradhet
e ushtrisë së Ilirisë. Ata e kishin ndarë mendjen: që ashtu si etërit e tyre qëmoti,
të shkonin në luftë dhe të ndaheshin me fitore .
3
Anija mbretërore, një lembe e lehtë dhe e shpejtë trirremshe kiçmprehtë në trajtën e gjarprit, të kthyer
nga kuverta, hyri në gjirin e Rizonit[14]. Era që frynte nga perëndimi gufonte
velën e madhe, në qendër të së cilës ishte figura e gjarprit Boa[15], totem i Ardianëve dhe gjithë
Ilirisë. Në kuvertë qëndronin më këmbë mbreti Agron dhe Teuta që në heshtje
sodisnin brigjet që binin thikë mbi det bukurinë e maleve të veshur me blerim,
detin që valëzonte lehtë,lojën e valëve me dritën e fortë të diellit dhe
qiellin e kaltër me ca re të rralla si pupla. Shkonin në Rizon. Mbreti do të
vihej në krye të Ardianëve , Autariatëve dhe Dokleatëve. Në fund të gjirit, lart
në të majtë u dukën velat e anijeve, kështjella dhe pullazet e shtëpive.
Kryeqyteti i vjetër i Ardianëve, i kishte këmbët në ujë dhe kryet në re. Por
ndryshe nga Skodra nuk kishte fushpamje, vetëm deti dhe malet,por ishte shumë I
mbrojtur. Në shpinë malet e thepisur, përballë gjiri i ngushtë i detit ku nuk
mund të depërtonin piratët. Detarët manovruan
me shkathtësi me rremat dhe timonin dhe anija u afrua te bankina e portit. Hodhën
çengelin dhe lidhën litarët. Agroni i dha dorën Teutës dhe zbritën. I priste
komandanti i kështjellës me truprojtësit dhe një grumbull qytetarësh që
brohoritën:
-Rroftë mbreti!
Agroni ua ktheu”Rrofshi ju” dhe u
drejtua për në kështjellë.
Triteuta me Pinin përdore, i
priti te porta e hyrjes. Pini u turr me vrap duke thirrur “Babë! Erdhi baba!”. Agroni
e mori hopa dhe e puthi në faqe.”Luani im, je mirë?”
Triteuta, duke mbajtur njëfar largësie,
u përul me hijeshi dhe vetëm tha:
-Imzot,mirëse erdhe. Pinin e kishte marrë malli.
-Pinin apo të ëmën e Pinit?,-bëri shaka Agroni dhe e përqafoi.
Triteuta u skuq lehtë pastaj u përshëndosh dhe u përqafua me të motrën.
Zunë vend në sallën e mozaikëve, dyshemeja ishte e zbukuruar me delfinë
dhe zambakë uji. Muret me brirë drerësh të degëzuar dhe armë trofe. Divanët me shtroje leshi ishin të rehatshëm.
I gostitën me shurup bore të ëmbëlsuar me mjaltë, por Agroni kërkoi një
kupë hidromel që e holloi pak me ujë bore.
Pini nuk i ndahej të atit. Agroni e uli pranë vetes. Ishte biri I vetëm,
trashëgimtari i fronit, ende si kishte bërë shtatë vjet. Vinte i hajthëm por i
hijshëm, sykaltër më të gjelbër si molla e pabërë, flokë të zeza,të sertë e të
pashtruar , fytyrëgjerë si i ati, me mollza të spikatura.
-Si ka qenë Princi?
-Po përmirësohet. Ethet e kanë lënë dhe siç e sheh fytyra i është
trandafiluar, era e detit dhe freskia që
zbret nga mali I kanë bërë mirë dhe i ka ikur ajo e zbehta, që na trembi në
Skodër, por do ende kohë ta marrë veten e të fuqizohet.
-Siç duket
ti do qëndrosh këtu,nuk do të kthehesh në Skodër?
-Po,Imzot,për
aqë kohë sa Princi të shërohet tërësisht.
-Besoj që të
është bërë e ditur nga kasneci, që dërgova, se do të nisemi në luftë.
-Po,-tha
ajo thatë, si t’i ishte mpirë gjuha,- dhe nuk u gëzova. Mbreti e di që unë nuk
jam luftëtare si motra Teuta, që është e gatshme të ngjeshij armët. Medauri të
pastë nën mbrojtje dhe u dhuroftë fitore. Ne do të lutemi për ty që të kthehesh
fitimtar.
-Në mbrëmje,para
perëndimit të diellit, në altarët e Medaurit dhe Redonit, do të bëjmë flitë dhe
sakrificat, që të kemi hirin, mëshirën dhe dashurinë e Zotave. Tani,do të shkoj
te lëmi ku stërviten ushtarët. Për drekë mos më prisni, do të drekoj atje.
Lëmi i
grumbullimit dhe stërvitjes ishte në kodër pak larg detit, në jugperëndim të
Rizonit. Mbreti dhe shoqëruesit kalëruan shpejt. Që së largu,ende pa u shfaqur
lëmi dëgjohej zallahia e thirrjeve dhe rrapëllima e armëve dhe një shtjellë
pluhuri.
Oficerët,kur
panë që po afrohej mbreti, dhanë komandat për rreshtim. Luftëtarët, me ushtat që
i mbanin me krahun e djathtë, dhe mburojat në krahun e majtë, zunë vendet në
togje me nga pesë rreshta e dhjetë
ushtarë për çdo rresht, sipas çdo anijeje. Ata,të heshtur, plot nderim ia ngulën
vështrimin mbretit trupmadh që po kalonte kaluar ballë tyre.Ai u ngjallte
besim. Kur qëndroi, me zë bubullitës, ai iu drejtua atyre:
-Ushtarë dhe
oficerë, u përshëndes!
-Rroftë
mbreti!- ushtuan qindra zëra, jehonën e të cilëve e ktheu mali dhe ia përcolli
grykës së detit.
Mbreti deshi të shihte stërvitjen dhe
ushtrimet. Ushtarët u shpërndanë në grupe. Shigjetarët merrnin në shenjë mburojat e drunjta me rrathë të brendashkruar
dhe përpiqeshin të qëllonin në zemër, të tjerë hidhnin shtizat me vrull për të
goditur truporet e dordolecëve të bërë nga kashtë, më tej të ndarë në çifte luftëtarët mundeshin egërsisht
si për jetë a vdekje trup me trup, të tjerë vringëllinin shpatat teh topitura
dhe prisnin me mburojat që shungullonin goditjet e rrepta krahëforta, hobetarët
hidhnin me prazhda gurë me madhësinë e grushtit, këmbësorët turreshin kundër
gardhit rrethues të lëmit, ndërtuar me drurë majëmprehtë të vendosur pjerrtas
buzë mezhdës së jashtëme të hendekut rrethues. I gjithë lëmi ushtonte nga
britmat dhe thirrjet e luftëtarëve, nga shungullima e shpatave dhe
mburojave,nga vërshëllima në erë e
shigjetave dhe ushtave.
Mbreti, që
s’e kishte zakon të lavdëronte kënd, u duk që mbeti i kënaqur se dha porosi që,
të bëhej shtesë në ushqimin e drekës mish i pjekur dhe Sabaja për ushtarët dhe
verë hidromel për oficerët.
Kur ishin
duke drekuar, Mbreti u tha oficerëve se nuk mjafton vetëm mjeshtëria dhe
shkathtësia e përdorimit të armëve dhe forca trupore. Lufta bëhet me zemër,me
guxim, me trimëri e burrëri, me besim te shoku që ke në krah, me veprimin si një
trup i vetëm, me besimin e patundur në fitoren. Me ndjenjën e nderit të burrit
dhe dashurinë për vendin. Këto ndjenja dhe vyrtyte u duhen futur në gjak ushtarëve.Besimi
në fitore është më e forta e armëve, Frika dhe paniku, humbja e besimit dhe braktisja
e vendit të luftimit, për të shpëtuar lëkurën, sjellin më shumë dëm sesa armiku……
Mbreti, i
ardhur pak në qejf nga pija, kur u nis për në kështjellë, në të perënduar të
diellit, mori me vete oficerët dhe ushtarët veteranë që kalëronin pas tij.
Gjithë rrugës foli e qeshi dhe shpotiti veteranët, të cilët ia dinin huqet dhe nuk i zemëroheshin.
Po binte
muzgu. Në perëndim kishte mbetur ende një fashë e trandafiltë resh. Teksa
Rizonin po e mbulonte hija mbrëmësore, majat e maleve ishin ende të ndriçuara.
Gjindja u grumbullua duke ruajtur një largësi të pakët nga altarët.Në dy altarët
e zotave, Medaurit dhe Redonit, kishin përfunduar gatitjet për sakrificat dhe
flijimin. Stiva me dru të thata lisi ishin vendosur me rend në vatrën e madhe të altarit. Pritej
të vinte mbreti.
Agroni bëri
banjë, riti e donte që ai të ishte i pastër. Shërbenjësit e ndihmuan që të
lyhej me vaj aromatik dhe të vishte rrobet e pastra. Të dy gratë po e prisnin në
hajatin e kështjellës. Ato e vunë në mes dhe u nisën tok për te Altarët e
shenjtë. Gjindja dhe paria e qytetit u përkulën me nderim dhe hapën vend që ai
të delte para.
Prifti i tempullit, e lagu turrën e druve me
verë rrushi kuqaloshe dhe me vaj ulliri, pastaj shpërndau grushte me kokrra
elbi borë të bardhë. Mori flakadanin dhe ja dorëzoi mbretit. Agroni, i heshtur,
me pamje të ngurtësuar e me vështrim mistik drejtuar qiellit të mugët, u shkëput
nga të dy gratë që e kishin vënë në mes dhe i vuri flakën. Zjarri mori sakaq
dhe gjuha gllabëruese e flakëve me plot shkëndija të zjarrta, e shtyrë nga era
mori përpjetë si të synonte qiellin, duke bërë të dridhen e të luhaten hijet e
njerëzve rrotull.
Tre vasha
virgjëresha , nga aristokracia e qytetit , të veshura me të bardha dhe kurora
lulesh mbi krye, tërhiqnin nga litarët dy cjep trupmëdhenj e brispërdredhur dhe
një mëz të kuqërremtë me blanë të bardhë në ballë, që do të flijohej në altarin
e hyut të detit Redonit dhe, ja u dorëzuan viktimarëve. Pasi i therën, ata e
mblodhën gjakun dhe e hodhën mbi zjarr, i ropën, i prenë copa copa e
rripa-rripa , kofshët i veshën me dhjamë
dhe i hodhën mbi prushin e altarit dhe sërish i spërkatën me verë e vaj ulliri.
Drejt qiellit u ngjit fjolla fjolla e shkulma shkulma duke u spërdredhur, tymi
erëndshëm i dhjamit dhe mishit të pjekur. Priftërinjtë nën zë shqiptonin lutjet
e tyre të mistershme që askush nuk i dinte e askush nuk i kuptonte, përveçse hyjnive që u drejtoheshin.
Ndërkohë,një shqiponjë madhështore flutroi nga
mali,erdhi rrotull qiellit mbi vendin e flijimit dhe fluturoi nga jugu. Falltarët
thanë se ishte ogur i mirë, shenjë se Zotat I kishin pranuar flitë dhe kishin dërguar
mbretin e shpendëve të përshëndeste mbretin e njerëzve!
Qëndruan në
heshtje deri sa zjarri u platit dhe sakrificat u kthyen në hi. Gjindja u shpërnda.
Për oficerët,veteranët dhe oborrtarët, mbreti shtroi një darkë madhështore,në
qiell të hapur në oborrin e kështjellës. U shërbyen shelegë dhe ftuja të pjekur
në fërlek, djathë të njomë me mjaltë, barishte të lloj-llojshme,qepë e hudhra për
oreks,bizele,thjerza dhe bathë të ziera, me vaj ulliri dhe uthull,të
aromatizuara me kopër e majdanoz dhe bukë gruri të mbrume me qiqra. Në enë të mëdha
druri dhe qypa,sikush sipas dëshirës,merrte për të pirë verë,hidromel apo
sabaja të shkumëzuar.
Lahutarët i
këndonin lavdisë së mbretit dhe bëmave të kreshnikëve.
4
Anijet,
njera pas tjetrës dolën nga gjiri i Rizonit në det të hapur dhe u drejtuan për
në jugë.Flotiljes i printe anija mbretërore. Deti ishte i qetë dhe dita plot
dritë. Era që frynte nga veriu, gufonte velat dhe anijet çanin duke lënë pas një
hulli të hapur uji, mbi të cilën fluturonin dhe zhyteshin pulëbardhat duke
cijatur. Çifti mbretëror i ulur mbi bankinën e kuvertës, sodiste detin dhe
bukurinë e anijeve të vendosura në formacion si mjellmat. Nuk flisnin,ishte një
heshtje mirkuptuese dhe meditim para një ngjarjeje të madhe me plot të
panjohura.
-Si zonjë e
parë,- i tha Teutës,- të le në vend tim,
të kujdesesh dhe të vendosësh për punët e mbretërisë në kohën që nuk do të jem
unë. U kam dhënë porosi këshilltarëve dhe anëtarëve të pleqësisë ”Miqve të
Mbretit”, që të të gjenden pranë. Ia bëra me dije edhe Triteutës.
-Ndihem e
nderuar, imzot që më beson mbretërinë. Shko i qetë dhe mendjembledhur. Gjithëçka
do të shkojë mirë. Ti mos u rrëmbe në betejë siç e ke zakon dhe kujdesu për
veten. Do lutem për shëndetin tënd dhe fitoren. Zotat do të më dëgjojnë.
Në Olçin,
flota iu afrua portit, nga anija mbretërore u ul një barkë në det dhe detarët
vozitën për të nxjerrë në breg Teutën, e cila do të kalëronte për të shkuar në
Skodër.
Flotiljes së
mbretit iu bashkua ajo e Olçinit, që shkonte pas saj duke ruajtur një hapsirë
largësie,aq sa të komunikohej me flamurë apo natën me flakdanë .
Në derdhje të
Bojanës prisnin për të dalë në det sapo të shfaqeshin anijet që vinin nga
veriu,anijet nën komandëne Skerdilaidit. E gjithë flota doli në det në derdhje
të Oruindit të Lisit dhe voziti për në jugë. Vendin e mbritjes e dinin vetëm
prijetarët.
Ishte nata e
dytë që udhëtonin. Qielli ishte i pastër. Hëna,si një mburojë e artë dukej
sikur priste shigjetat e yjeve që këputeshin teposht kupës qiellore. Era ishte
e mbarë dhe anijet e lehta çanin me bashet e mprehta dallgët që ngrinte era.
Pas perndimit të hënës,mbi sipërfaqen e detit ra muzgu dhe një mjegull e hollë
. Anijet vozisnin jo larg brigjeve dhe
nuk kishte mundësi të humbnin drejtimin, por era e shpërndau mjegullën dhe
pasqyra e detit u shfaq e dritësuar nga agu, që
me shigjetat e zjarrta sapo niste në lindje të griste cipën e errësirës.
Para anijeve u duk Korkyra, si një peshk i stermadh, anash bregut epirot, nga i
cili e ndante një rrip uji. Anijet u strehuan në gjiret e ishullit. Detarët u
ndaluan të zbrisnin në stere. Korkyrasit u befasuan por edhe u trembën nga kjo
behje e papritur e asaj flote të madhe që s’ishte parë asnjëherë në brigjet e
ishullit. Për ta ishte një mister. Në korkyra anijet u pajisën me ujë të freskët
dhe ushqime të mjaftueshme. Detarët u çlodhën dhe morën një sy gjumë. Nga
garnizoni ilir i ishullit, u gjetën disa detarë që e dinin mirë rrugën për në Medion.
Nisja u bë ndaj mesnate. Anijet në grupe të vogla u drejtuan në gjirin e
Ambrakisë, hynë në ngushticë, lanë në të majtë qytetin e Berenises [16]që flinte në gjumë të thellë dhe lundruan pranë
brigjeve jugore. Në fund të gjirit, ishte një port i vogël, i braktisur, që
hynte në thellësi dhe mbrohej nga të dy anët nga kodrina të ulta të gjelbëruara.
Ishte si i bërë me dorë, thuajse i rrafshët, me një plazh ranor dhe më tej ca
pemë që duhet të ishin plepa apo shelgje. Hapësira ujore ishte e mjaftueshme që
anijet të hynin në të. Nga porti dilnin
dy rrugë një majtas ,një djathtas. Të dyja thanë udhërrëfyesit,të shpinin në
qytet, njera në portën perndimore tjetra në lindoren. Rruga e majtë,fillimisht
shkonte kreshtës së kodrës,pastaj dredhonte në luginë,zbriste në rrafshulët dhe
hynte në qytet. Largësia ishte afro dyzetë
stade[17] dhe në qytet e shumta po të ecej ngadalë arrihej për
dy orë.
Ishin me fat. Askush si kishte parë,askush si
kishte dëgjuar.
Trupat
zbarkuan me rrgull të plotë,sipas anijeve dhe formuan grupet, katrorë te
ngjeshur me pesë rreshta dhe dhjetë ushtarë për çdo rresht. Agroni e ndau
ushtrinë në tre pjesë: krahun e majtë do ta komandonte vetë, të djathtin
Skerdilaidi dhe rezervën gjeneral Berzanti.
U dhanë
porositë: asnjë zhurmë, asnjë pëshpërimë, asnjë trokëllitje dhe tringëllimë armësh,
do ecet në majë të gishtave, të gjithë të maskohen me dega dushku e lisi, që
ishin plot kodrat. Ti zemë në befasi, tu vijë e papritur. Në sulm, kur të bjerë
dita, vetëm kur të jepet kushtrimi me brirë dhe tamburë.
Skerdilaidi
dërgoi një skuadër zbuluesish, i porositi që po të mundeshin të sillnin ndonjë
“Gjuhë”,por pa shkaktuar asnjë alarm.
Ushtria u
nis për luftë. E heshtur, e frikshme, si hije nëpër natë, për tu turrur dhe
mbjellë vdekje, ndaj një armiku që nuk e njihte dhe nuk e dinte se ç’të keqe i
kishte bërë. Por i tillë është fati dhe detyra e ushtarit:Ti bindet Mbretit,se
mbreti ka pëlqimin e Zotave, dhe të luftojë pa pyetur, me egërsi dhe tërbim, për
të mposhtur armikun, të vrasë ose të vritet.Të japë jetën e vet për të shpëtuar
atë të Mbretit. Është mjerim po vdiq dhe
të kallet në tokë të huaj dhe ca më zi, kur mishin t’ia hanë korbat dhe eshtrat
ti zbardhë dielli. Me fat po shpëtoi gjallë dhe të kthehet në shtëpi…..
Nga maskimi
dukej sikur lëvizte pylli.
Zbuluesit u
kthyen. E kishin parë nga larg lëmin etolian,por ama,kishin sjellë një gjuhë!
Orëziu,që dridhej si ai zogu kur bie nga çerdhja dhe i afrohet macja, nga frika
e vënies nën torturë, i zbrazi gjithë ç’dinte.
5
Ajo që në
Greqinë e sotme, quhet Etolo-Akarnani,në kohën që bëhet fjalë për këto ngjarje,
ishte kufiri verior i botës greke dhe përbëhej nga tre shtete: Etolia, Akaia
dhe Akarnania. Akarnania në veri kufizohej me Epirin, ishte porta për të depërtuar
në botën ilire,në jugë dhe në lindje kufiri ndahej me Etolinë dhe Akainë.
Lidhja Epirote,pas përmbysjes së monarkisë më 234 p.e.r. bëri aleancë me Etolinë,
Dardaninë dhe Akainë, për të luftuar kundër mbretit
Dhimitër të Maqedonisë, me këtë aleancë ishin të bashkuara edhe qytet-shtetet
greke. Akarnania ruante aleancën me Maqedoninë dhe ishte e përkrahura e saj.
Zemra e aleancës kundërmaqedone ishte Etolia,e cila kishte ushtrinë më të madhe
dhe më të fuqishme të greqisë. Para tetë vjetësh,Etolët kishin fituar dhe
kishin mposhtur Galët dhe që nga ajo kohë s’kishin humbur asnjë betejë. Kur
teshëtinte Etolia,dridhej gjithë Greqia!
Pasi akarnanët
me bisedime nuk ishin bindur t’i bashkpheshin aleancës, Etolët vendosën të
pushtojnë vendin. Pasi shkretuan dhe dogjën qytetet e vogla iu turrën Medionit,
qytet i pasur, i ngritur në një kodër të ulët që zotëronte rrafshultën dhe
daljen në detin Jon nga gjiri i Ambrakisë. Prej aty niseshin rrugë që të çonin
në Greqinë kontinentale. Ushtria akarnane, që nuk mundi ti bënte ballë ushtrisë
etole,u mbyll në kështjellën e fortë murelartë e të mirëfortifikuar të Medionit. Sulmet për ta marrë qytetin u
thyen nga të rrethuarit që i mbështeste e gjithë popullata. Luftonin i madh e i
vogël. Etolianët e vunë nën rrethim qytetin për ta detyruar të dorzohej nga
etja dhe uria. Ngritën lëmin ,vendosën karakollet që nga qyteti të mos hynte
apo delte as miza. Pas rrethimit të gjatë, ata prisnin me ditë dhe orë që
qyteti të dorëzohej. Të sfilitur,të munduar nga uria dhe uji që po soste, në
pamundësi për të duruar më gjatë, kishin nisur një dërgatë që, të bisedonin për kushtet e dorëzimit. Pas kësaj,
në pritje të dorëzimit, etolët e pakësuan vemendjen, nisën të pinin , të zdërhalleshin
me robinat dhe të fli8nin të qetë në pritje të fitores.
E tillë ishte
nata që po gdhinte, kur ushtria ilire u afrua pa u ndjerë dhe zuri vend larg
kampit aq sa hedhja e një shigjete. Karshi dukej qyteti I bardhë dhe muret
rrethues me kulla,pirgje dhe bedena. Lëmi I Etolianëve,rrethuar me hendeqe dhe
pahisore trarësh me majë, ishte i mbushur plot me çadra, Asgjë nuk pipëtinte.
Kur ra drita dhe lindja u këqëlua,në lëmin etol
nisi zgjimi dhe ndrrimi i rojeve.
Në atë çast,
u dëgjua kushtrimi ngjethës i brirëve, i
tambureve, i përplasjes së shpatave në
mburoja që bënin një zhurmë metalike të skëterrshme dhe mijëra thirrje të forta: “Mbi ta ,burra”.
Ishte një gjuhë që grekët nuk e kuptonin. Mijëra ushtarë, si t’i kishte pjellë
dheu, hovën dhe bënë përpara me hapa të rëndë, që trandnin tokën, në katrorë të
rregullt, me ushta të gjata majë mprehta. Etolianët e zënë në befasi dhanë
kushtrimin dhe nisën të rreshtohen për ti bërë ballë këtij armiku që nuk e
prisnin.
Shigjetarët,të
ulur në njerin gju, shkrehën harqet, reja mijëshe e shigjetave fluturoi me fërshëllimë gjarpëri dhe si një shi
vrastar u derdh mbi armikun. Hobetarët nuk vonuan që me prazhdat e tyre të
flaknin me tërsëllimë gurët. Në lëmin grek u dëgjuan të bërtitura dhe rënkime,kishin
rënë të vdekurit dhe të plagosurit e parë.
Agroni, për
ta gabuar armikun, e drejtoi goditjen në qëndër të lëmit. Mijëra ushtarë iu
turrën ledheve, por etolët e morën veten dhe luftonin trimërisht. Ata I
grumbulluan gjithë forcat në qendër në pjesën ballore të lëmit dhe mbroheshin
me tërbim. Trupat e etolëve të vrarë u bënë pirgje pas hendekut dhe pahisores së
gardhit.
Kur forcat
greke po shterrnin dhe po humbnin shumë ushtarë, Skerdilaidi mësyu pjesën
veriore. Një grumbull ushtarësh të pajisur me lopata e sëpata, të mbuluar me
mburoja nga shokët e tyre që ti mbronin nga shigjetat, shkallmuan trarët dhe me
ngut mbushën hendekun e thellë. Në këtë të çarë u sul këmbësoria e rëndë e
mbuluar në hekur,me heshta të gjata dhe shpata të mprehta. Lufta po bëhej
brenda lëmit. Etolët që ishin më të pakët,pas një qëndrese të tërbuar, pasi lanë
shumë të vrarë e të plagosur, nisën të tërhiqen drejt forcave kryesore. Ishte
një tollovi dhe rrëmujë ku secili luftonte për jetën e vet. Trupat e Agronit e
thyen gardhin, kapërcyen mbi trupat e të rënëve dhe nisën ndeshjen trup me trup
me hoplitët[18] etolianë.
Banorët dhe
trupat mbrojtës të qytetit, kur dëgjuan sokëllimat thirrjet, rënkimet dhe përplasjen
tringëlluese të metalit me metal, dolën
në bedena dhe përmes shtjellave të tymit dhe pluhurit, atëhere kur se prisnin,
panë të pabesueshmen. Zotat u kishin dërguar shpëtimin. Me siguri ishin miq. Brenda
lëmit etol po bëhej një përleshje e egër. Ata nuk hezituan,hapën njerën nga
portat dhe prej andej u turrën si lumë i rrëmbyer për në fushbetejë, duke
thirrur e brohoritur. Veç ushtarëve dolën edhe qytetarët,të armatosur me se
mundeshin, me sëpata topuzë dhe hanxharë.
Etolët e panë veten të zënë në kurth midis dy zjarresh,ballas dhe në
shpinë, për të shmangur rrezikun e shfarosjes, dhanë një goditje të fortë,çanë
rrethimin dhe braktisën lëmin e luftës duke lënë aty gjithëçka kishin.Armikun,
pasi e shkulën nga lëmi dhe I hoqën rrethimin qytetit, e ndoqën disa stade në
fushë të hapët pastaj u ndalën. Brenda më pak se dy orëve ishte fituar beteja e
parë.
Qyteti u hapi dyert çlirimtarëve,i brohoriti i gostiti mae ato pak gjëra,
që u kishin mbetur nga rrethimi i gjatë. Banorët ndihmuan për mjekimin e të
plagosurve dhe veçimin e të vrarëve nga etolët. Të vrarët nga ushtria ilire
numuroheshin me dhjetëra, të etolëve me qindra. Plaçka e pasur e luftës u
grumbullua për tu ndarë drejtësisht ushtrisë. Agroni mbajti për vete çadrën e
madhe të Hilarkut etol, me gjithë pajisjet e pasura që ishin bakër kuqëlosh, ar
dhe argjend. U kap dhe thesari, që do tu ndahej ushtarëve etolë. Ishin drahma
argjendi, Agroni i mori në pëllëmbë të dorës. Në njerën anë ishte Athinaja, perëndesha
e tyre e luftës, me helmetë dhe ushtë dhe në anën tjetër Zeusi, zoti i rrufeve.
Ishin të mjaftueshme për të paguar këtë luftë. Dha porosi që të mos harroheshin
familjet e të rënëve.
Ishte fituar një betejë,por jo lufta. Ushtria etoliane, megjithëse e
mundur dhe e dërrmuar, por sedërmadhe dhe krenare, u rigrupua dhe u rreshtua në
fushë të hapur për të pranuar një betejë tjetër me barbarët. Beteja u bë
pasdite, Agroni u ngut nga ndroja se mos armikut i vinin ndihma. Dielli po
varej drejt perëndimit, po afrohej mbrëmja dhe s’kishte kohë për të humbur.
Etolianët ishin rreshtuar në kuadrate qindshe, ushtat e tyre dhe mburojet e përkrenaret
lëshonin reflekset nga rrezet e pjerrta të diellit mbrëmësor. Ata prisnin.
Ushtria ilire përparoi me hap të shpejtë drejt fushës së armikut. Agroni
dhe Skerdilaidi prinin të hipur mbi dy kuaj madhështorë thesalianë që ua kishin
dhuruar medionasit. Forcat thuajse ishin të barabarta, por ilirët kishin dy përparësi:
trupat e freskëta të gjeneral Berzanit,që nuk kishin hyrë në luftë dhe tani përbënin
bërthamën e sulmit dhe faktorin moral. Etolianët kishin marrë një goditje
vdekjeprurëse. Armiku ishte në mbrojtje, priste sulmin e ilirëve. Dhe ilirët
sulmuan,si një ortek i fuqishëm duke sokëllitur e bërtitur”Mbi ta burra” dhe
duke goditur mburojat me shpata shkaktonin zhurmën rrapëllitëse që ngjallte
frikë e panik te armiku. Sulmi ilir, ndryshe nga sa e prisnin etolët u bë në të
dy krahët. Ishte një furi e papërballueshme dhe etolët nisën të zbrapsen.
Qendra e tyre u shthur për të ndihmuar krahët,Agroni që atë çast priste, me
trupat e Berzanit sulmoi qendrën,atje ku ishte Hilarku[19] etol me gjeneralët e vet. Lufta u bë
e egër, dhëmb për dhëmb, hilarku dhe gjeneralët e tij luftonin jo vetëm për
nderin por edhe për jetën e tyre. Një ushtar ilir që ndiqte përpjekjen ,u mat
mirë dhe hodhi ushtën fort. Ajo goditi hilarkun në qafë dhe i doli tejmatanë.
Hilarku i mbytur në gjak, u plandos përdhe ,armët e tij shungëllinë Ilirët u
sulën të merrnin trupin, ti hiqnin kokën dhe ta ngulnin në një shtizë që ti
kallnin tmerrin armikut, por gjeneralët luftuan me thonj e me dhëmbë dhe e tërhoqën
hilarkun e tyre. Kur u dha lajmi që hilarku kishte vdekur,ushtria braktisi
fushbetejën dhe mori arratinë e dhjetuar nga shigjetat e harkëtarëve ilirë. Në
panik për të shpëtuar jetën ata braktisën gjithëçka kishin, përfshi edhe armët dhe morën arratinë.
Kështu u mbyll ajo luftë e parë që bënë Ilirët jashtë trojeve të tyre.
Ilirët, hatërmbetur që mbreti nuk i lejoi të plaçkisnin qytetin,
ngarkuan plaçkën e luftës ,dhuratat që u dhanë medionasit, robërit e luftws dhe,
anijet të rënduara, çanë gjirin e Ambrakisë, dolën në det të hapur dhe morën
rrugën e kthimit në Iliri.
Misioni ishte kryer.
Medioni ishte çliruar.
Epiri
ishte shkëputur nga lidhja tokësore me koalicionin grek.
Fitorja bëri jehonë të madhe në botën greke por edhe në Romë. Iliria po
dilte si një forcë politike dhe ushtarake
mesdhetare. Edhe mbreti Dhimitër i Maqedonisë u mendua gjatë. Tashmë
sjellja e tij ndaj Ilirisë duhej matur mirë dhe
ndryshuar. Ishte me rrezik t’i kishe armiq.
6
Lajmi I fitores erdhi në mbretëri para se të ktheheshin
trupat. Kur mbritën I pritën si heronj. Në kështjellën e Skodrës kishte dalë
populli dhe pleqësia e “Miqve të Mbretit” që e brohoritën “Rroftë mbreti”, por
Teuta u kujdes që ai të mos humbte kohë me ta, e priste banja e ngrohtë.
Para se të uleshin për drekë, ai hapi një kuti druri e cila ishte
larzuar me lule argjendi të ngallmuara. Brenda saj ishin stolitë,
unaza,byzylikë, varëse, vathë dhe gjerdanë, të punuara mjeshtërisht, ar dhe
argjend dhe me gurë të çmuar, të kuq, të gjelbër, diamante të tejdukshëm si
uji, që llapsnin kur reflektonin dritën . Teuta lëshoi një “Ah!” Cila është ajo grua që si pëlqejnë stolitë?
-Mi dhuroi Prytani[20] i Medionit si shenjë mirënjohje.
Zgjidh e merr ç’të të pëlqejë, por ler edhe për Triteutën- itha .
Ajo deshi të dinte më shumë sesi kishte shkuar lundrimi dhe beteja, por
ai i tha të kishte durim se do t’ia kallzonte të gjitha, por tashti do të
shkonte në lëmin e ushtrisë për të festuar me ta fitoren. E meritonte të
festohej.
U ngrit një altar dhe u bënë flitë. Pastaj u organizuan lojra për
fituesit e të cilave mbreti vuri dhurata të çmueshme. Garuan shënjtarët me
shigjeta,flakësit e shtizave, vrapuesit, gurhedhësit, mundësit etj dhe fituesit
u shpërblyen përveçse me kurora dafinash e dega ulliri por edhe me dhurata:
Mburoja e përkrenare, enë bakri e bronzi,kupa të pikturuara për verë etj.
Gostia u shtrua përjashta,posht tendave të ngritura me furka e mbulesa
rrogozi, në tryeza të gjata dhe stola druri. Hëngrën e pinë çu desh zemra,
lahutarët këndonin këngë kreshnike kurse valltarët , nën ritmin e tupanëve
valle trimërishte.
Mbreti ngriti dolli të panumurta dhe piu shumë. Festa zgjati gjithë natën
deri në të gdhirë. Kur gjidndja ishin duke u shpërndarë,mbreti nuk u ndje mirë
dhe thirri Skerdilajdin.
-Kam turbullirë dhe errësim të shikimit dhe gjunjët më janë prerë- u
ankua ai.
-E ke nga të pirët i tha Skerdilaidi,- dhe i vuri dorën në ballë. Ai
digjte.
Thirrën truprojet, e hipën në kalë dhe u nisën për në kështjellë. Ai nuk
mbahej dot në shalë, sajuan një vig dhe e morën në krahë.
E shtrinë në shtrat dhe sakaq erdhën mjekët. Teutën se zinte vendi,e
dalldisur u ul në gjunjë te koka e shtratit dhe po e shihte si e çakërdisur,pa
ditur çtë bënte. Agroni nuk ishte sëmurur ndonjëherë.
-Çfarë ke,ç’të ndodhi?
-Kam turbullirë,më errësohet shikimi, si të kem mjegull para syve. Më
dhemb shumë gjoksi dhe poshtë në ije, në krah të djathtë kam një dhimbje therëse
si shpim thike. Nuk mbushem dot me frymë.
Mezi fliste, pastaj e kapi një kollë e keqe, e fortë,e gjatë dhe sfilitëse
që I gërryeu gjoksin, i zuri frymën aq sa i dolën lot nga sytë.
Teuta u hodhi një shikim pyetës mjekëve.
-Madhëri,
mbreti është ftohur dhe të ftohtit i ka zbritur në mushkri.
-Është më rrezik?
Mjekët
hezituan të përgjigjeshin, por nuk e duruan vështrimin e saj të rreptë.
-Po ,-thanë ata, - rasti është i menjëhershëm dhe i rëndë, por jetët
tona janë në dorë të zotave.
-Atëhere ç’më rrini,- u gërmush ajo, për hir të zotave bëni të pamundurën!
Mjekët të heshtur e të përunjur bënë
gjithë sa dinin ,por pa dobi. I sëmuri keqësohej nga ora në orë, ai
gulçonte,gjoksi i ulej e i ngrihej papra, kolla e keqe e mbyste, gëlbazët i
zinin fytin, e përvëlonte e nxehta dhe lahej në djersë. E keqja e kishte vënë përfund
atë trup të bëshëm, të shëndetshëm e të fuqishëm.
Teuta,zonjat e saj të shoqërimit dhe mjekët i rrinin mbi krye ditë e natë,
por pa dobi. Humbi vetëdijen pastaj fjalët.Teuta i mërmëriste,i fliste fjalë të
dhimbsura,i thoshte sa shumë e kishte dashur dhe i lutej që të kthehej, të mos i
linte. Lotët i rridhnin çurk dhe i binin mbretit mbi fytyrë, por ai nuk ndjente
. Dha shpirt ditën e trtë të sëmundjes,ndaj të gdhirë. Dukej sikur flinte.
Mjeku vërtetoi vdekjen. Shkoi te Zotat tha ai. Bëj durim madhëri.
Teuta nuk bërtiti, nuk çorri faqet as nuk shkuli flokët, siç ishte
zakoni që gratë shprehnin dhimbjen për vdekjen, por e mbytën lotët dhe një gulç
që i zuri frymën. E mblodhi veten, i lidhi buzën dhe i mbylli sytë që ai edhe i
vdekur të dukej burrë i hijshëm. Pastaj
u tha që të dilnin dhe ta linin vetëm me meitin.Ajo kuvendoi me të dhe i tha
gjithësa do t’i kishte thënë po të kishte qenë gjallë. Pastaj ajo ua la vendin
vajtojcave, që nisën ta qanin me vaje, duke kujtuar bëmat dhe lavdinë e tij.
Familja mbretërore shpalli zi.
Muret dhe bedenat e kështjellës dukej sikur pikonin shkrumb të zi.
Varrimi u bë në nekropolin e kështjellës, brinjë varrit të mbretit
Pleurat.
Po atë ditë u bë dhe vercalli siç i
takonte nderimit të një mbreti
zulmëmadh e me emër të lavdishëm.Triteuta nuk arriti të vinte para varrimit nga
Rizoni. Lajmërimi kishte shkuar me vonesë.
Para dhe pas varrimit, erdhën nga gjithë anët e mbretërisë, prijës dhe
bujarë për kryeshëndosh.
vijon
[16] Berenise,Preveza
e sotme. Qytet I themeluar nga mbreti Pirro, në istmin në hyrje të gjirit të Ambrakisë, që i vuri
emrin e së vjehrrës