e martë, qershor 18, 2013

"E Çmendura "




    Vilhelme Vranari Haxhiraj                                                                                          

          -novelë- Kapitulli i IV-të

                                    "Të falësh, është virtyt...,
                                          Të harrosh ,është disfatë...
                                          Fal, por kurrë mos harro!
                                                Vivra

 "Ajo"vazhdonte rrëfimin ngadalë, mallëngjyeshëm n dhe aq dridhshëm, sa edhe ajri dukej sikur vibronte i tendosur si notat qëxjerrin telat e violonçelit apo violinës gjatë interpretimit të një requiemi. Kishte vërtet diçka të veçantë në atë monolog, i cili ngjante me epitafin e një varri... Çuditërisht se ç'kishte në atë zë, diçka rrëqethëse, ndoshta dhembje, tronditje, zhgënjim, që ngjante me një amanet të lënë në mesrrugë... Në atë zë të ngjirur e tronditës dukej sikur ishin mbledhur gjithë këngëtarët e mesjetës dhe këndonin përvajshëm këngë epike... Kurse syt e saj bulëzonin lotë kristali si margaritar...Një zë i lodhur endacak, që duket se kërkon streh, i dilte nga thellësia e shpirtit...
  "Nëse rutina e jetës për çdo femër me norma, është bërë shprehje stereotipi për shkak të opinionit apo për hir të familjes, detyrimeve ose përgjegjësive që ka, aq më keq për atë dhe cilëndo grua që vetmohohet. Pasi gjithë jetën do të jetë e përulur, skllave e ndërgjegjes së saj, e ndërvarur nga mendësitë mesjetare. Nëse bëhet fjalë për dinjitet femëror, ato kurrë nuk duhet ta lejojnë veten që të bëjnë lëshime. Të dëgjosh, të respektosh dhe t'i marrësh për bazë apo si vlerë mendimet e kundërta në çift, duhet durim, mençuri, maturi dhe kulturë. Kjo vlen për të dy gjinitë. Mirëkuptimi e mban familjen në këmbë. Atdheu nis te familja. Ajo që qeveris botën nuk është as forca, as ligji, por mirësjellja dhe edukata. E njëjta gjë vlen edhe për shtetin, si dhe për familjen...,"- vazhdoi "Ajo" mendueshëm.
   -Kjo është e përgjithshmja. Po për vete çfarë do të thoshe në veçanti?- e pyeta miken time.
   -Unë pranoj pa kundërshtim gjithçka që zhvillohet normalisht si në jetë, edhe në familje. Pranoj, respektoj, toleroj dhe zbatoj ato norma morali të pranuara gjatë jetës që ndihmojnë në mbarëvajtjen e saj. Por nga ana tjetër jam e panënshtruar ndaj padrejtësive, ndaj dhunës, ndaj sjelljes pa etik, mashtrimit, gënjeshtrës, hipokrizisë dhe servilizmit. Ky është karakteri im, sepse kështu jam gatuar qysh në embrion. I vetmi faj i imi është se dashurova marrëzisht e si pasojë fatin tim e lidha vetëm me një njeeri. I ngjaj atij telit të sertë që nuk përkulet kollaj. Gjithmonë kam pyetur dhe pyes veten: "Përse vuajtja më zgjodhi mua si provë e jo një tjetër?"
  -Po të kujtoj se për të gjithë njerëzimin,  jeta është një shkollë, apo e kam gabim?- e pyeta.
  -Natyrisht...E di, e kam mëse të qartë se në jetë fitojmë diçka të madhe, një përvojë të pazëvendësueshme që nuk ta jep asnjë shkollë e profilizuar sipas kushteve të kohës, asnjë universitet apo akademi. Këtë nuk e jep asnjë prej degëve të shkencave sociale, madje nuk e gjejmë as në mrekullinë e Teozofisë, e cila pranon se as besimi(Teologjia) dhe as shkenca( filozofia) nuk arrijnë majat pa pozitivitetin, ndikimin e arritjeve dhe vlerave të njëra-tjetrës.
  Kurse në praktikën e përditshme, jeta i ngjan rezultatit të punës së një skulptori, që gdhend një trup, një objekt, apo një bazoreliev. Nëse këtë krijim të tij do ta konsideronim një trup human, sa herë dalta godet atë kurm, po aq herë i shkakton dhembje dhe plagë. Të njëjtat dhembje e shqetësime ndjen njeriu kur jeta është e padrejtë, e pamëshirshme, madje kur nganjëherë tregohet jo praktike me të.
   -Kemi parë se jeta është edhe tolerante...ë?
   -Jo rrallë herë, jeta jo vetëm tregohet, por edhe është aq egoiste dhe aq kurnace, sa në çastin dhe vendin e duhur nuk na jep as kohën e mjaftueshme të shpalosim idetë, dhuntitë apo të veprojmë siç na udhëheq arsyeja. Më habit se sa vend zë zilia në këtë botë laramane, sidomos tek të paaftët dhe pluhurfshirësit falas madje të përkulur deri në tokë. I përçmoj njerëzit ziliqar, pasi ajo është ndjenjë e keqe që shkatërron shpirtin. Si mund ta shoh me smirë atë që është më i zoti se unë, kur nuk më ka vjedhur mendimet, nuk më ka zhvatur talentin, as kohën, as mundin dhe aq më pak djersën...Jam e gëzuar që zilia nuk është mikrob si ai i gripit, se ndryshe do të ishte përhapur dhe do të bënte kërdinë në gjithë rruzullin...   
  -A i njeh gabime vetes? Më fal nuk është se po të intervistoj, por...thjesht një bisedë mes shoqesh.,- ndërhyra që të mos më keqkuptonte.    
  -Sa të duash. Nëse do ta quaja veten të pagabueshme, atëherë do të gënjeja vetveten, do të nëpërkëmbja dinjitetin, do ta përlyeja ndërgjegjen dhe do të humbisja personalitetin tim ndër ata që më njihnin...
 Shumë njerëz e quajnë veten të pafajshëm...Duke u vetëquajtur të tillë, jo vetëm gabojnë, por edhe mëkatojnë ndaj Zotit. Mendoj se pafajësia ekziston vetëm te foshnjat. Edhe rrezet e diellit që i krahasojmë me pafajësinë e foshnjës apo të engjëllit, nuk janë aq të pafajshme sa i imagjinojmë. Ti ndoshta pyet: " ku qëndron faji i tyre?"
   -Sa mirë që më kuptove...se këtë pyetje doja të të ...
   -Rrezet e diellit as e ndriçojnë dhe as e ngrohin globin të gjithë, në çdo kënd të tij në mënyrë të njëtrajtshme, detyrimisht nuk kanë të njëjtin ndikim kudo. Nëse do të mundnin të kryenin të njëjtin veprim ndriçues dhe ngrohës në mënyrë të barabartë në çdo skutë të tokës, atëherë do të kishim vetëm një stinë. Janë pikërisht ato skutat e errëta të qenies, ato labirintet e thella e të padepërtueshme të shpirtit, apo të ndërgjegjes që dalin kundër Mbiqenies duke krijuar kundërshti brenda natyrës humane. Këto mospërputhje gjenden si në univers, po edhe në natyrën njerëzore. Ato janë të lidhura me fije të padukshme me formimin individual të njeriut. Pastaj kur premton...Eh, këtu qëndron fajësia e moshës së rinisë ose e të menduarit me papjekuri.
  -I beson premtimet? A mund të respektohen ato?
  -Premtimi është një lloj bese. Kur jep besën, jep shpirtin për të, deri sa ta realizosh fjalën e dhënë. Kur i hapa zemrën "Atij" isha shumë e re dhe m'u duk sikur hyra brenda qenies sime dhe për të parën herë nisa të njoh veten. Nëse ti kërkon të shkëputesh nga premtimet e dhëna, nuk mundesh, sepse janë ato që të mbajnë lidhur pas vetes. Të harrosh premtimin, të duket sikur ke kryer një krim, një vrasje, viktimë e së cilës është vetëndërgjegja, e cila ka një çmim. Edhe pse e di mirë, se shpirti yt do të shkojë në ferr, përsëri të rëndon vetëdija e ndotur, e përdhosur që nuk të le kurrë të qetë... Fanatizmi për të mbajtur një premtim, të tërheq si me magji, por njëkohësisht të ngjall edhe frikë. Nëse shohim në sytë e mashkullit zemërim dhe vendosmëri, së paku mua më duket sikur "Ata"xhelozohen për mbajtjen e premtimit nga dikush, sidomos nga femrat, që nuk është ndonjë kushedi se çfarë. Që të mbash fjalën është virtyt. Apo për adhurimin që shprehin njerëzit për dikë, te individë të veçantë vihet re se ndihen keq për sukseset e të tjerëve.   
  -Mendon se ti, apo gra të tjera për gjithëçka që thoni, apo premtoni dhe bëni, janë të gjitha me vlerë?  
  -Herë-herë, duke nisur që nga unë, themi aq gjëra pa vlerë, sa jeta tregohet shpërdoruese, me një bujari të tepëruar dhe pa e ndjerë apo pa e kuptuar ne gjendemi të tjetërsuar. Kjo ndodh tek të gjithë.
  E në këtë vorbull mendimesh, në luftën mes dy dashurive, unë zgjodha atë amësore. Dashuria dhe përkushtimi i saj si nënë, e bënë çdo grua të harrojë veten, të vetmohohet. Kështu paska qenë e thënë dhe e shkruar... Pranoj me dhembje që, më mirë të më quajnë "E çmendur", por do të ruaj të paprekur dashurinë e nënës dhe mirënjohjen e fëmijëve. Është e drejta juaj të më gjykoni!
   -Nuk mendon se çdo grua mund ta shmang në një farë mënyre mosmarrëveshjen me bashkëshortin?
  -Asgjë nuk është e pamundur. Ka mjaft mënyra, por pengon tradita, sipas së cilës burri e vendos veten në piedestal. Nëse nuk bëhet siç thotë ai, sipas psikologjisë së tij, familja e humbet kuptimin e saj. Në sytë dhe ndërgjegjen e tij familja është tjetërsuar nga pikpamja morale apo tradita.
   Në këtë drejtim sidomos në shoqërinë tonë, ku çdo ditë divorcohen, prishen familje, ngelen fëmijë jetim për nënë ose për baba, mendoj se mungon përvoja kulturore e një shoqërie të hapur. Poqese i ke këto të dyja, metodat dhe përvojën për realizimin të diçkaje, të një synimi të thjeshtë apo madhor, siç është ndërtimi i familjes, por s'duhet të harrojmë atë që thamë, se je në vartësi të reagimit të bashkëshortit.
  Kam dashur që ne të dy gëzimet dhe hidhërimet t'i kalonim bashkë. Deri diku i kemi realizuar sa e sa probleme, vetëm kur nuk ka pasur të fshehta mes nesh apo prapaskena. Sa për jetën vetjake te çiftte, se si e ka ndërtuar secili modelin e prestigjit apo individualuitetit të tij, është përgjegjës ai vet. Jeta ka ngjyrat e saj. E bukur apo e shëmtuar, jeta varet se si e ke ndërtuar  atë dhe se çfarë ngjyrash i ke dhënë.  
  -Ky rrëfim për mua është diçka e rrallë. Me një psikanalizë të tillë cilido orientohet se duhet të hyjë brenda qenies së tij dhe të njohë atë pjesë të tij të dukshme dhe atë tjetrën, të padukshmen që e gjymton atë si njeri. Por mjerisht jo kushdo e bënë analizën e Vetëqenies.
 -E di pse? -m'u drejtua "Ajo". Në përgjithësi burrat e quajnë veten të pagabueshëm dhe si të tillë ndihen të pakoregjueshëm, ndaj dhe janë arrogant. Nuk pranojnë kurrë se gruaja ka të drejtë. Po të tregoj një fragment të çastit:
  "-U ktheve? Nuk dua të pyes as për të të rënduar apo për të të kërkuar llogari, por, edhe as nuk dua ta di se ku ke qenë...është e drejta jote,"- e pyeta, kurse "Ai" nuk m'u përgjigj. Ndërsa unë e pyeta ashtu padashur nga frika se bashkë me të rikthehej makthi ... Gjithmonë i ruhesha të vërtetës së pathënë, të parrëfyerës nga ana e tij...Njeriu që fsheh diçka, edhe pyetjeve pa qëllim u përgjigjet i revoltuar, me ton të lartë, sikur ato të jenë provokim. Pastaj flet e flet papushim duke të quajtur, apo akuzuar si provokuese.
   ***
   "Ajo" ndali, u ngrit na solli nga një gotë limonçel, nga një fetë ëmbëlsire "Tiramisù", fruta dhe më pas... ndërsa shijonim kafenë, ofshami thellë sikur nuk mbushej dot me frymë. 
 -Jam e lodhur...e sfilitur sepse tek unë shpresa për diçka të bukur e sublime, shuhet para frikës dhe ankthit se mos historia përsëritet. Më mjafton vetëm një fjali e pamenduar, dalë nga goja e tij: "Bjeri ti, bjeri se i bije mirë!" - mjafton vetëm kaq gjë që të më shkaktojë pagjumësi. Ndaj ndihem keq, e rraskapitur, tejet e drobitur, sa nuk mundem më. Më vjen keq për fëmijët, sepse nuk do t'u ndodhem pranë kur të celebrojnë dashuritë e tyre. E di që nuk do të jem aty që t'u rregullojë kravatën kur të veshin kostumin e dhëndërrisë, as nuk do t'i bekojë dhe t'iu urojë lumturinë që askush nuk e nxjerrë nga shpirti, ashtu si di eflet nënan.. Ndoshta ata do të jenë më me më fat se nëna e tyre.   
  -Ti u vetmohove vetëm për ata të dy dhe tani po e lëshon veten? Jo, jo, kjo është e pafalshme. Duhet të kesh kurajo dhe vullnet për t'i gëzuar fëmijët. Mos iu dorëzo dhembjes,sepse të hedh në krahët e trishtimit. Pastaj shëndeti yt dhe jeta marrin rrokopujën.
   -Mjerisht në botë asgjë nuk është e përjetshme dhe as absolute, por përherë e ndryshueshme. Ngelet që edhe marrëdhëniet në çift duhet të jenë relative, ose më mirë të përkohëshme. Jetoja me shpresë se koha do t'i rizgjonte "Atij" ndjenjat e dikurshme që ta përjetonim edhe një herë dashurinë si në rini. Në këtë çerek shekulli kisha dashur që ta rilindja dashurinë nga hiri i asaj që nuk ekzistonte më, por...
 Kjo arrihet vetëm nëse bota humane mbështetet në besimin se e bukura rikthehet dhe nëse shkenca do të arrinte atë shkallë zhvillimi universal, sa të njihte përjetësinë.
  -Më vjen keq që po flet sikur po përjeton çastet e fundit të jetës. Nuk e kuptoj pse je kaq pesimiste?
  -Njëherë isha pa qejf dhe djali i madh më gjeti në shtrat. Atë kohë ishte gjimnazist. Natyrisht u shqetësua si çdo fëmijë për    prindin.
  "-Shko dhe thirre babanë, - e porosita.
   -Më vjen keq nënë, po nuk shkoj...nuk mundem.
   -Do ta bësh për mua,bir...
   -Sikur ta dije se ku është, nuk do të këmbëngulje...
   -E di bir, e di dhe nuk është rasti i parë...Të gjithë burrat të tillë janë. Janë të rrallë burrat, të v cilëve nuk u mungon sinqeriteti. Në shumicën e tyre, kanë në krah gruan e tyre për të cilën zilepsen të tjerët, por sytë u shkojnë tek një tjetër dhe jargëzohen. U mjafton edhe sikur t'u rrëmbejnë një shikim, një buzëqeshje dhe zënë qiellin me dorë. Ose boll sa ta prekin, ose një shtrëngim dore shërben si nismë e një lidhjeje të re. Dëshira për të pasur marrëdhënie me një femër tjetër kurrë nuk u mungon. Gjejnë mënyrën, mundësinë se si ta fusin në rrjetë për ta peshkuar atë që u pëlqen. Metoda më e mirë e tyre është miqësia familjare, hyrje dhe daljet e ndërsjellta për të mos krijuar dyshime. Ose përpiqen që femra që i josh, të zerë shoqëri me gruan e tij. E di pse bir? Sepse me tjetrën shfrehin epshin shtazarak. Për ato çaste të papërsëritshme që e dashura u dhuron, vënë në lojë pasurinë, dinjitetin dhe nëpërkëmbin familjen. Të qenit manjak seksual është ves, një e keqe e pariparueshme për çiftet. Sepse nuk ka burra të këqijë, po qe se nuk ka gra të përdala. Marrëdhëniet jashtëmartesore janë aventura, pasi tek ata rrallë mund të lindin ndjenja të pastra dhe të qëndrueshme.
   -Ai nuk të ka dashur...madje as neve nuk na ka dashur sepse i jemi bërë pengesë në jetën e tij të dyfishtë..
   -"Ai" ju ka dashur dhe ju do. Asnjëherë nuk kursehet për të realizuar kërkesat tuaja. Merakoset për shëndetin, shkollimin, veshjen etje...
   -Nënë, qysh kur dashuria është shitur apo blerë me para?! Më vjen keq ta dëgjoj nga goja jote. Për ne të dy, ti je idhull, model i femrës së përkryer. Dashuria e prindit lind përmes trashëgimisë së geneve, është gjaku ai që të thërret...pastaj kur bëhesh prind ke detyra dhe përgjegjësi... Unë nuk ia fal kurrë babait tradhtinë me një grua tjetër. Ti nuk e di se sa keq jam ndjerë unë kur e kam parë me dikë. Cilido që bëhet prind, nuk duhet të harrojë përgjegjësinë morale, sepse ne nesër do tëjemi pasqyra juaj përsa i përket karakterit. Nuk thonë kot: "Bëmë o baba, të të ngjaj. Po të pyes, çfarë kanë pasur ato të tjerat më shumë nga ti, nënë?"
   -Rininë, freskinë, ledhat e përkëdhelitë. Ato janë gati në çdo kohë për të bërë qejf të shfrenuar, se janë të shlodhura nd gaqë nuk kanë asnjë obligim...
   -Mosha ecën paralel, jo vetëm për ty por, edhe për babanë...As ai nuk është më i ri, por ka karakter të dobët ...Oh, nënë! Ti nuk e ke idenë se si më thumbojnë shokët për të..." Po kalon horri, kur....". Ose mos t'u ngelet pak hatri, fjala e parë që thonë: " Ik ore, i biri i rrugaçit, që bredh lule më lule, apo që merret me çupa!"
   -Mos fol keq për tët Atë. Vetëm "Ai" do të jetë përgjegjës për ty, deri sa të dalësh në jetë, ndaj...
   -Nënë, kur e ke ditur se ai të tradhtonte, duhet të ishit ndarë me kohë...
   -Kam shpresuar se një ditë ai do të ndryshonte. Por nepsi për të pasur dhe shijuar sa më shumë femra është sëmundje. Është më e thjeshtë të ruhesh nga mikrobi, të mos e lejosh të të futet në trup sa të të mposhti qenien dhe trurin, se sa ta kurosh sëmundjen. Bir, gjëja më e vyer për mua jeni ju të dy. Si mund t'ju braktisja?
  -Nuk do të na braktisje. Kush e thotë këtë ,është i cekët, cinik dhe të paragjykon padrejtësisht...Kudo që të ishe, do të ngeleshe nëna jonë. Pastaj pse do të na lije? Shumë mirë ne mund të qëndronim me ty.
   -E njoh mirë babanë tënd. Mund të më hidhte gjithë baltën e tokës, do të më zhyste në kanalet e ujërave të zeza dhe nëpër rrugë do më quante të përdalë, vetëm e vetëm që unë të mos e merrja kujdestarinë tuaj. Ka para dhe mund të blinte më të aftin avokat dhe gjyqtar. Fajtorja në opinion do të ngelesha unë. Sepse "Ai" ashtu siç sillet dhunshëm, me po aq pasion edhe mburret se ka një grua për të cilën betohet. Kë do të besonin vallë, mua apo atë? Për të tjerët "Ai" do të ishte viktima, kurse unë shkaktare e shkatërrimit të "lumturisë familjare". Bir, akoma nuk e ke kuptuar se çfarë niveli psikologjik ka shoqëria jonë? Ç'mund të presësh nga njerëz që kulturën, vlerën, dinjitetin, personalitetin e njeriut e masin me para? Drejtësia nuk përfaqëson dhe nuk mbron realen, të vërtetën, por gjendet vetëm tek ai që fiton., qoftë ky edhe kriminel...   
   -Mama, po ti ke një profesion të mrekullueshëm dhe paga mendoj se ishte e mjaftueshme. Di edhe anën tjetër që babai ka para dhe ti kurrë nuk i ke menaxhuar ato, por...
   -Ti e di që unë atëherë isha askushi, me arsim të mesëm. Profesionin e fitova vonë dhe shkas për studiuar Psikologji, u bë vartësia ekonomike që kisha nga "Ai". Më duhej të fitoja pavarësinë vetjake, që t'i kundërvihesha dhunës morale, psikologjike, pse jo dhe fizike që ushtrohej ndaj meje. 
  Tani e shoh, se as kjo nuk solli asgjë pozitive në marrëdhënien tonë. Ndaj ndihem fajtore se karakteri i tij prej adoleshenti kërkonte që "Ai" të kishte jetën e tij. Më mungonte kurajua se ne duhet të ishim ndarë qysh në rini, që ai ta shijonte jetën sipas mënyrës, dëshirave dhe shijeve të veta.
  -As tani nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur. Mama, nuk ke pse bën rolin e viktimës.
  -Tani nuk jam në kërkim të lumturisë. Kërkoj vetëm pak vite jetë që të mund t'ju shoh ju të dyve të realizuar, por..."- kjo ishte biseda e parë dhe fundit me tim bir. Më vonë nuk e hapëm më kurrë atë temë.
   Unë ngela e shokuar për sa dëgjova nga goja e saj dhe vazhduam më tej...
  -Kush mund ta besojë vallë se "Ai "të ka tradhtuar? As mua që e njoha pak a shumë situatën, nuk më mbushet dot mendja.
  -Jo njëherë, por me vite ka pasur nga një të dashur të re. Madje shumë më të reja se "Ai". Njëra ka qenë në moshën e djalit tonë të madh. Po sikur të kishim vajzë në atë moshë, si do të ndihej vallë "Ai"?
  -Dhe ti e ke ditur një gjë të tillë?- e pyeta.
  -Gjithmonë e kam ditur. Nuk ishte nevoja të ma thoshte kush... Burri kuptohet kur nuk e honeps më gruan. E shpërfill, e fyen, bën fjalë pa shkak me të. Mjafton njëherë ta prishë gojën, pastaj gjuha mësohet dhe fjalori i rrugës bëhet mëse i natyrshëm. Kur ka nisur një lidhje të re, "Ai"vishet shik dhe kujdeset për paraqitjen e jashtme, nuk qëndron brenda dhe kur del, harron të kthehet në shtëpi. Nuk toleron në biseda, nuk pranon vërejtje duke mos e lënë bashkëfolësin të shpreh mendimet. Megjithëse kjo e fundit është cilësi e njeriut që i pëlqen vetëm mendja e tij.
  Një gjë e kam më se të qartë: Një jetë që mbyll një kapitull, një tjetër i ri sapo nis... me të tjera kërkesa, me të tjera ide, me të tjera probleme dhe ëndrra. Ndaj një jetë fillon, aty ku mbaroi një tjetër jetë. Kam vënë re se koha kurrë nuk thotë lamtumirë, por veç: Mirupafshim... -më pas "Ajo" u mbyll në vetvete dhe u duk sikur fliste nën gjuhë...
   "Pas sa e sa debateve të paskrulullta jam menduar gjatë. Kam vënë re se me bashkëshortin apo pa atë, jeta për mua s'kishte më atë kuptimin e dikurshëm. E bindur se asgjë e mirë nuk vjen nga ndarja, arrita në përfundimin se më mirë të grindem me të, se sa të jem një grua që jeton me një njeri që nuk e do. Ose e vetme, pa asnjë njeri.Vetmia është shoqëruese e keqe, tejet e padurueshme. Pastaj vendimet e pamatura të prindërve janë pasojë e rëndë për fëmijët. Ndaj nënat vetëmohohen. Por sa shtrenjtë e paguan ajo nënë ,ajo bashkëshorte, që është veçse një grua...!?Ishte ky gjykim i Mbiqenies sime, që më bëri të duroj. Di të them se njerëzit me karakter të fortë, e falin zemrën vetëm një herë, sepse besojnë te dashuria e vërtetë, asaj që të gllabëron trup, shpirt, zemër dhe mendje. Tek një njeri i përkushtuar, i apasionuar pas të parës dashuri, kurrë nuk mund të lindë një ndjenjë e dytë. Kurse "Ai" për sa e njoh unë, kurrë nuk e ka njohur dashurinë e vërtetë. Një njeri që i hap portat e zemrës më shumë se një herë, ai nuk e njeh këtë ndjenjë sublime. Gjithmonë e rrëmben pasioni i rinisë, e mposht euforia idilike që lind në moshën e adoleshencës. Ai individ nuk rritet dhe nuk piqet kurrë si partner besnik, por gjithmonë edhe në pleqëri, mendoj se ngelet, ai adoleshenti aguridh i rinisë. Nuk ka si ta duash gruan, nuk ushqen dashuri ndjenjash të papërlyera, kur ke kryer marrëdhënie seksuale, jo rastësore por lidhje dashurie me vite, kjo e përsëritur shpesh herë. Një nënë e mirë a mund t'i lerë fëmijët në duart e njerkës apo anasjelltas kur gabon nëna? Ndaj mora një vendim të tillë.
 Dikush ndoshta do pyes se çfarë fitova. Vetmohimi që më shoqëronte çdo ditë të jetës sime, ishte ana më e keqe e bashkëjetesës së kushtëzuar. Por nga ana tjetër fitova shumë. Edhe pse familja jonë ishte ndryshe nga ajo që dukej në sipërfaqe, por edukova dy djemë me dashuri dhe respekt për njëri -tjetrin. U tregova atyre se kur janë të bashkuar, jeta me vështirësitë e saj përballohet më lehtë. Ndryshe nga sa u buçisnin veshët nga fyerjet dhunuese të babait ndaj nënës, ata nga përvoja e hidhur e familjes së tyre mësuan të dallojnë dhe të ndajnë të mirën nga e keqja. Gjithashtu, përvoja apo fati i nënës së tyre, do t'u shërbente si një busull orientimi për të nesërmen dhe për familjet e tyre të ardhshme. Ata tashmë e dinë se nëna e tyre dashuroi vetëm njëherë dhe vdiq me përjetimet e një ndjenje sublime,- pëfundoi "Ajo".
  Atë çast dukej sikur kishte hequr nga shpina një mal të madh. Veçse papritur u duk sikur gjithë trupi iu shkërrmoq, iu rrëgjua. Kurse në fytyrë dukej dhjetë vite më e madhe. M'u dhimbs, sepse njoha një grua të rrallë. Jo çdo femër duron dhe bën atë që kishte bërë ajo. Nga qëndrimi i saj i telikosur, fjalët ngushëlluese ishin të tepërta, por si padashur unë belbëzova:"Zot, femrat pa burrë mos i lënshë, por një të tillë mos ua dhënshë !"
   Ishte vonë kur ika nga shtëpia e saj, me shpresë se do ta vizitoja dhe do ta shoqëroja më shpesh, por u bënë ditë që nuk e kisha parë. Nuk kisha kë pyesja, sepse nuk kishin as të afërm në qytet. Shtëpia private me oborr dhe kopsht është disi e veçuar nga fqinjët. Porta përherë ishte e mbyllur dhe as hynte dhe as dilte këmbë njeriu.Për ditë prisja në ankth se ç'kishte ndodhur me të.
 Papritur pas tri a katër javësh para shtëpisë së tyre të bukur ndali një autoambulancë. Nuk ishte nevoja të pyesja. Atë e nxorën me barelë. Veç të shoqit ishin dhe dy djemtë. Shkova menjëherë për të mësuar diçka rreth gjendjes së saj. Ishte e sëmurë rëndë... Para meje u shaq një fantazmë. Nuk i kishte ngelur më as mish dhe as gjak në trup. Atje shtrirë qëndronte një skelet i çngjyrosur, si i mbështjellë nga një napë e bardhë, që s' ishte gjë, veç lëkura e saj e tejdukshme, ku numëroheshin kockat, venat dhe kapilarët. Nuk e kuptoj se si mund të tretet si qiriri një trup, një jetë brenda pak javësh. Me një zë të shuar që pëshpërinte i kërkoi "Atij", dashurisë së vetme të saj, që t'ia çonin shtratin në verandën me xhama. Atje mes luleve dhe dritës së purpurtë të perëndimit të diellit dukej qartë se "Ajo" po jetonte çastet e fundit të jetës.  
  Vetëm pasi e pashë gjendjen e saj mjerane dhe të pashpresë, e kuptova pesimizmin që e shoqëronte kur më rrëfente. "Ajo" kishte kohë që e dinte për sëmundjen dhe nuk i kishte thënë askujt. Ndoshta ngaqë nuk donte të mëshirohej. Mori lejë nga puna dhe shkoi me këmbët e saj në spitalin onkologjik, ku e shtruan menjëherë. Kanceri i ishte përhapur dhe i kishte prekur gjithë organet. Ishte vonë për ta shpëtuar. Mjekësia tashmë nuk mund të bënte asgjë. Madje as nuk ndërhynë kirurgjikisht. Atje në atë shtrat po shuhej një jetë, një jetë e dhimbshme. Vdekja do të merrte me vete dashuri, tradhti, zhgënjim. mosbesim dhe dhunë. Shpirti i saj i drobitur nga dhuna morale po binte në qetësi njëherë e përgjithmonë, duke lënë mes atyre mureve ankthin mbytës që e kishte shoqëruar atë gjatë jetës bashkëshortore.
  Nuk di pse atë çast më erdhi ndër mend një thënie e mençur:"Ai që i përgjigjet me ligësi mirësisë sate, bëhet mjet për të njohur te të tjerët mirësinë tënde dhe ligësinë e tij!"

***
  "Ajo" pati kurajon, e cila i dha forcën për t'iu shmangur kthetrave të
vdekjes që e kishin gllabëruar për javë të tëra në spital. Doli por si... në ç'gjendje?  
  Ndoshta mbijetoi edhe dy ditë të tjera, duke e mbajtur shpirtin ndër dhëmbë, vetëm e vetëm që të shihte edhe një herë shtëpinë e saj, shtëpinë e tyre, strehën e dashurisë dhe të shkatërrimit, shtëpizën e gëzimit dhe të dhembjes, të cilën e kishte ndërtuar me mundin dhe duart e saj. Ishte shumë e re kur gjeti një shtëpi të vogël me një kopsht të lënë djerr. E pikërisht aty erdhi nuse...aty nisi jetën...aty u bë nënë...,aty ndoqi bëlbëzimet e para dhe hapat e parë të fëmijëve...Në atë mjedis kishte mjaft kujtime të bukura, çaste të papërsëritshme, çaste lumturie parajse. Të dy e rindërtuan shtëpinë nga e para dhe e shndërruan në në vilë të bukur, me kopsht që lulëzon në çdo stinë...Po në atë mjedis nisi ftohja e lidhjes së tyre,mosmarroveshjet, tradhtitë ,gënjeshtrat, që sollën rrënimin e familjes. Tashmë kishte ngelur si një godinë, që prej stuhive të kohës, motit, fenomeneve të natyrës, apo luftrave, ruan ende pamjen e jashtme dhe mban në këmbë një strukturë të rreme, që janë vetëm muret.
  Rreth gjithçkaje të mirë apo të keqe, të ëmbël apo të hidhur, të bukur apo të shëmtuar që kishte ndodhur në këtë godinë, dëshmitare ishte e gjithë ajo shtëpi me gjithçka kishte brenda.
  "Ai" dhe të dy djemtë i qëndronin gati për çdo gjë. "Ajo" mblodhi gjithë fuqitë, u dhuroi një buzëqeshje që u shndërrua në skërmitje prej dobësisë dhe foli duke pëshpëritur... aq ëmbël sa cilido do të derdhte lotë dhembjeje.
   -Shkoni ju të dy, merruni me leksionet se po afron sezoni i provimeve. Siç e shihni, jam shumë më mirë. Mo kini merak për mua, bijtë e mi. Ju e dini që ju dua shumë...,- i siguroi djemtë se ishte mirë.
   Kurse "Ai" e shikonte me habi. Iu afrua dhe i lëmoi ballin e pastaj flokët.
   -E kish harruar këtë gjest. Sa kohë u bënë? Përsërite të lutem! Oh nëse mundesh, përsërite! Dua t'i marrë me vete këto fjalë me besimin se më ke dashur gjithmonë...Po munde... më kujto diçka të bukur nga jeta jonë.
  Ai u ul në shtratin e saj, e mori para duarve dhe e pyeti:
  Nuk do ta mësoj kurrë, se a ke mundur të më falësh. Jam sjell ashpër me ty që meritoje nderim e mirënjohje. Oh, e dashura ime e pazëvendësueshme, më fal! Ti ke merituar shumë, kurse unë t'i preva ës ndrrat në mes...-"Ajo " i me mundim i vuri gishtat mbi buzë.
  -Mos!...Unë të njoh ,sa nuk e njeh ti veten. Ti je shumë i zoti. E bën natën ditë për të zgjidhur një problem, hredh urë mi det, sepse ke shpirt altruisti. Por nuk je nga ata tipa që dashurojnë njëherë dhe që tolerojnë. Sepse të pëlqen rastësia, të josh gjithçka e re dhe e bafasishme, nuk të pëlqejnë ndjenjat e qëndrueshme, ti do ttë kënaqësh epshin e çastit... Nga që të njoh qëndrova me ty... Kjo do të thotë se nuk ka nevojë për... të kam falur. Tashmë unë jam nisur për rrugë. Zemër, duhet ta lidhësh jetën me dikë, me një femër tjetër, që të të dojë sa të desha unë.
   Ndërsa "Ai"kapërdiste lotët dhe ngërçi i dhembjes i bërë si kom në fyt zvargej ngadalë nëpër rrugët e frymëmarrjes.
  -Oh, "Dashuria ime!", askush nuk mund ta bënte këtë që bëre ti...dhe
nisi t'i tregonte me sy të vagëlluar, gjithë dhembje e duke kapërdirë lotët me mundim:
  "-Ishte një ndër ditët e bukura të vjeshtës. Në krah të majtë, pranë meje u shfaq një Zanë. Ishte aq e brishtë dhe ecte lehtë si një shtojzovalle pylli. Me hapat e vogla dhe të shpejta, më parakaloi tejet e shkujdesur. Ishte aq e sigurtë në qenien e saj, dhe në çdo hap që hidhte, sa nuk donte t'ia dinte për askënd.
 Flokët ngjyrë gështenjë ia shpupuriste era e mëngjesit. Ajri i freskët i puthte ballin duke krijuar një lojë zbavitse me kaçurelat e saj tekanjoze. Më erdhi keq që ajri kishte pushtet ndaj saj, kurse unë... E përkdhelte, e puthte, duke krijuar një intimitet me lëkurën e saj të hollë e të trëndafiltë, që mund ta krahasoje me shkëlqimin e smeraldeve. Që nga ai çast më goditi në zemër ajo vajzë dhe mendova se kjo është fati im...Prej asaj dite dilja përherë për ta parë. Një ditë pa pritur fare rastësisht ne u përplasëm pa dashje me njëri- tjetrin. Të dy me një gojë, kërkuam ndjesë...Pastaj ajo vuri dorën te goja dhe ia shkrepi një gazi...Meqë nuk përmbahej nisa të qesh edhe unë...Kjo ishte njohja jonë..."- "Ai" ndali rrëfimin se për një çast iu duk sikur trupi i saj shkëputi të gjitha lidhjet me trupin e tij dhe me botën. Koka iu kalavarë dhe...
  Vuri re se kujtimi i çasteve më të lumtura të jetës së saj, e qetësuan dhe e hodhën në krahët e gjumit të përjetshëm. Ajo dha shpirt në të aguar të ditës së tretë të kthimit në shtëpi. Në një çast hutimi "Ai" kuptoi se kishte ndërruar jetë...
-Jo,jo,jooo...pse ,O Zot, përse ia shpërbleve besnikërinë dhe dhembjen në këtë mënyrë? -klithte si i çmendur.- Tashmë iku, iku... Shumë larg që këtu. Nuk është e drejtë...- fliste si i çakërdisur. Ndërsa kujiste si një bishë e plagosur, si nëpër ëndërr ethesh dëgjoi një zë:
 " -A nuk e kërkoje vdekjen e saj?
  -Kurrë, kurrë...Tani e kuptoj se sa e shtrenjtë dhe e rëndësishme ka qenë për mua...Ajo më mësoi që të kuptoj se, armiqësia më e madhe është ajo që lind ndërmjet atyre që jetojnë në të njëjtën shtëpi.
   -Aq më mirë, pasi nuk do të ndeshem me të. A nuk ishte "Ajo"pengesa kryesore e marrëdhënieve tona? Tani e di që unë jam e para, e vetmja dhe nuk kam konkurente.
   -Jeni të dyja të shtrenjta , por me një ndryshim ti je shoqja ime, mikja ime më e mirë kurse ajo...ishte gjithçka, ishte jeta ime.
-Shkofsh në djall bashkë me të dhe me gjithë jetën tënde.
-Mendoj se jam i sinqert dhe nuk më pëlqen të të zhgënjejë. S'dua të shpresosh më kot.
 -Unë nuk heq dorë,sepse prania e saj në këtë shtëpi ka vite që na ka mbajtur larg...Kurse tani nuk ka asnjë... 
  -Mos e zerë atë në gojë. Ajo ishte shenjtore. Prej saj mësova se sa më shumë e njohim njeri-tjetrin, aq më shumë largohemi? Nuk e ke kuptuar këtë?
 -Si duket ke harruar që doje ta jetoje jetën me po atë pasion siç luhet loja e bixhozit dhe doje ta luaje lojën me po atë seriozitet që e jeton jetën... Ke dashur të luash një lojë që të hap dritën jeshile... Dhe ke luajtur për të fituar me po atë seriozitet që e jeton jetën.
  -Jo, tani e di më mirë se kurrë se jeta është luftë, ku kundërshtarët përballen për të fituar.
  - Pra njëri do të fitojë,kurse tjetri do të humbasë. Në këtë rast e fituara jam unë.
  -E ke gabim... jeta dhe loja kanë dy qëllime të ndryshme. Nuk jetohet vetëm për të fituar, por në jetë luhet për të jetuar më mirë. Dhe kjo është sfidë. Kjo e fundit i takon gruas sime, një femër e virtytshme, që diti të falë Tani e kuptoj se çfarë kam humbur. Më parë nuk evlerësoja sa duhej, sepse  e dija, isha i bindur se dikush më priste atje, zhytur në vetmi dhe dhembje. Jeta për të ishte llogari, maturi dhe sfidë."- ishte një dialog me të dashurën e fundit.
  Me të vëretet ajo ishte një gr Kur shkuam për të bër formalitet dhe për të organizuar ceremoninë e përcielljes, ngelëm pa mend. Ajo i kishte rregulluar të gjitha vetë. Një dorë e pa dukshme kishte përgatitur gjithçka dhe kishte shlyer çdo detyrimtë shërbesave të fundjetës së saj. Madje edhe
varri e priste atje në varrezë, i hapur dhe në të dy anët kishin ngritur krye dy  lastarë të vegjël qiparisash, bimë të përjetësisë...
   Dje,në muzgun ngjyrë bronzi, kur dielli puthte horizontin për t'i dhënë lamtumirën ditës që po perëndonte, një kortezh i heshtur, nën tingujt e këngës "Santa Luçia" përcillte për në banesën e fundit një jetë, një nënë, një bahkëshorte që përqafoi vdekjen për dashurinë e parë të saj. Ata që nuk e njihnin pyesnin:"Kjo ishte "E Çmendura"? Shpëtoi e gjora!"
  Kush e dëgjoi historinë e saj dhe nuk u mallëngjye e më pas shprehu gjithë dhembjeadmirimin për të:
"Një grua e jashtëzakonshme që përjetoi një dashuri të pavdekshme...!"