e enjte, qershor 06, 2013

PROFESOR SELMAN RIZA DHE PROJEKTET E INSTITUTIT ALBANOLOGJIK TË PRISHTINËS 1953-1955

Begzad BALIU






Hyrje



Në studimet e gjertanishme të jetës dhe veprës së Selman Rizës janë disa periudha të rëndësishme të aktiviteteve të tij, për të cilat ende nuk është thënë fjala e studiuesve. Është e kuptueshme prandaj pse edhe më tej nuk e njohim jo vetëm një pjesë të jetës së tij, por ende nuk njohim edhe një pjesë të kontributit shkencor të veprës së tij.

Në këtë brez të errët apo shumë pak të shndritur hynë periudha e internimit të tij në Sarajevë, 1951-1953 ku punoi si lektor i frengjishtes në Universitet dhe ajo e kontributit të tij drejtues dhe shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, gjatë viteve 1954-1955.

Në qoftë se periudha e qëndrimit të tij në Sarajevë kërkon iniciativën dhe kushtet e një kërkimi në institucionet universitare të atjeshme dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, kërkimet në përudhën e punës së tij në Institutin Albanologjik të Prishtinës janë të kushtëzuara prej kërkimeve në Arkivin e Kosovës, sigurisht atë pjesë që ka lënë të mbetet nga dosja e tij e sigurimit serb.

Dokumentet që sjellim në këtë punim e që lidhen ekskluzivisht me Institutin Albanologjik dhe kontributin e Selman Rizës gjatë viteve 1954-1955, janë zbuluar gjatë muajit gusht-shtator të vitit 2007.

Prej pjesëmarrësve të themelimit të Institutit Albanologjik dhe prej komunikimit mes tyre mund të shihet se pjesa më e madhe e tyre ishin studiues të paformuar, pionier të dijes në fushë të kërkimeve shkencore dhe kryesisht letrar që kishin bërë hapat e parë në fushë të krijimtarisë letrare dhe publicistike. Drejtori i tij Elhami Nimani vinte nga strukturat politike dhe ishte njëkohësisht kryetar i Pleqësisë për Arsim e Kulturë në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë në Prishtinë, siç quhej atëherë; Prof. Vojisllav Dançetoviqi, ishte udhëheqës i Katedrës së Albanologjisë në Beograd; Prof. Selman Riza ishte lektor në Fakultetin e Filozofisë në Sarajevë; Esat Mekuli ishte drejtor përgjegjës i revistës letrare "Jeta e re", një reviste që gëzoi traditën më të gjatë në lëvizjen letrare dhe kulturore të zhvilluar ndonjëherë në Kosovë; Zekerija Rexha, Idriz Ajeti dhe Ali Rexha ishin profesorë në Gjimnazit shqiptar të Prishtinës; Hasan Kaleshi, ishte asistent në Fakultetin e Filozofisë, Grupi i Orientalistikës në Beograd; Anton Çetta ishte asistent në Seminarin e Albanologjisë në Beograd; Sulejman Drini ishte nëpunës i ndërmarrjes "Mustafa Bakija”, ndërsa Martin Camaj, absolvent në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Në rrethin e personaliteteve me formim sadopak shkencor të kësaj kohe ishte vetëm edhe Kadri Halimi, asistent në Grupin e Etnologjisë, në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, e që atë kohë ishte duke e vuajtur një dënim politik.

Të paktë ndërkaq ishin ata që plotësonin kushtet shkencore dhe morale e politike të kohës për të marrë një detyrë sa të rëndësishme kombëtare po kaq edhe me pasoja për kohën në të cilën po themelohej Instituti. Organizimi i një Institucioni të tillë me përgjegjësi për zhvillimin e kulturës nacionale, mund t’i besohej vetëm një a më shumë studiuesve që kishin energji fizike dhe përgatitje profesionale. Në këtë periudhë përmasa të tilla morale, shkencore, mendore dhe madje fizike mund të thuhet se kishin vetëm Selman Riza dhe Kadri Halimi, i pari i internuar në Sarajevë, por i mbrojtur dhe i mbikqyrur dyfish, nga strukturat politike shqiptare të Kosovës për ta vënë në shërbim të tyre dhe nga strukturat e sigurimit jugosllav për ta penguar angazhimin politik kombëtar të tij, ndërsa i dyti, ish asistent i etnologjisë në Beograd, i cili gjendej duku vuajtur një dënim politik.

Nuk është e rastit prandaj, pse drejtori i Pleqësisë së Arsimit dhe më vonë drejtori i Institutit Albanologjik, Elhami Nimani, ende pa u themeluar Institutit e kishte marrë mendimin e Selman Rizës dhe madje kishte ftuar që të angazhohet në punë e në projekte shkencore, ndërsa studiuesi Kadri Halimi , nuk arriti të punonte e as të angazhohej, edhe pas kryerjes së dënimit politik, ndërkohë që të drejtën e angazhimit kishte mundur ta realizonte në Universitetin e Shkupit.

Sikur mund të shihet prej përgjigjes së Selman Rizës, jo shkaqet që e kishin dërguar në Sarajevë (internimi), po shkaqet e tjera të krijuara në jetën familjare e kushtëzonin kthimin e tij në Prishtinë dhe kjo është arsyeja pse as pas 1 tetorit 1953, deri kur e zëvendësoi Prof. Idriz Ajeti, Selman Riza nuk arriti të bëhej pjesë drejtuese e këtij institucioni .



Projekti afatgjatë i kërkimeve shkencore në Institutin albanologjik



Në biografinë jetësore dhe shkencore të Selman Rizës Projekti afatgjatë i planifikuar dhe diskutuar në takimin e anëtarëve e bashkëpunëtorëve të Institutit paraqet njërin prej kapitujve më të rëndësishëm, pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Mbledhja qe mbajtur më 8. VII. 1953 në Seminarin e albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë në Beograd dhe qe drejtuar nga Elhami Nimani. Ajo diskutoi organizimin e punës së Institutit Albanologjik në Prishtinë në një perspektivë më të largët.

Këtu po e sjellim procesverbalin e plotë (pjesën shkencore), të shoqëruar edhe me ndonjë koment në fusnotë, me qëllim që të krijojmë një pasqyrë sa më të plotë të këtij takimi dhe të zhvillimeve të mëvonshme organizative e shkencore në Institutin Albanologjik, për të mos thënë edhe të përtashme në jetën shkencore të tij e të albanologjisë përgjithësisht.



Proces verbal

i mbledhjes së mbajtun me dt. 8/VII/953 në Seminarin e albanologjis pranë Fakultetit të filozofis në Beograd mbi organizimin e punës së Institutit albanologjik në Prishtinë.

(...)

Si probleme kryesore u paraqitën:

1) Seksjonet e Institutit

2) Kuadrat permanente dhe bashkëpunëtore

3) Puna konkrete nder seksionet e ndryshme.

1) Për sa i përket seksioneve që do të ketë Instituti, mbas nji diskutimi të gjithanshëm pjesëmarrësit panë t’arsyeshëme që tash për tash të hapen:

a) Seksjoni i gjuhësis i cili do të mirret me studimin e gjuhës bashkohanike, me dijalektologji dhe me folklorin gjuhësuer.

b) Seksjoni i letërsis, do të mirret me historin e letërsis së deritashëme (çmimin dhe gjykimin me një sy kritik të trashigimit letrar) dhe letërsin bashkëkohanike (nxitje, udhëzime shkrimtarëve të rij dhe botim i veprave të tyne).

c) Seksjoni i historis do të mirret me historin e popullit shqiptar në bashkëjetesë me popujt sllavë të jugut; me hartimin e historis së Shqiptarëve përgjithësisht dhe me studimin e disa ngjarjeve historike të kohëve të vona.

2) Përsa i përket kuadrave që do të punojnë mbrendë dhe jashtë institutit u pa e arsyeshëme që përposë kuadrve permanentë, të ftohen për bashkëpunim dhe njerëz të shquem për studimet e tyne në lamën e albanologjis kudo qofshin të cilët do të quhen bashkëpunëtorë të rregull me korrespondencë .

Me qëllim që të formohen kuadra të reja shkencore në lamën e albanologjis, do të ftohen për bashkëpunim punëtorët e rij intelektualë si bashkëpunëtorë kandidatë, qofshin permanentë ose me korrespondencë.

Në këtë periudhë të parë u caktuen këta bashkëpunëtorë:

a) Në seksjonin e gjuhësis si bashkëpunëtorë permanentë: Idriz Ajeti deri me 1 tetuer 1953. Mbas kësaj date Prof. Selman Riza dhe Sulejman Drini. Si bashkëpunëtorë me korrespondencë: Prof. V. Dançetoviq, Hilmi Thaçi (kandidat) dhe Idriz Ajeti (mbas datës l tetuer), albanologët e shquem që ndodhen mbrenda dhe jashtë vendit t’anë si dhe nji numër arsimtarësh të gjuhës shqipe të cilët do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.

b) Në seksjonin e letërsis bashkëpunëtori permanent do të caktohet ma vonë ndërsa si bashkëpunëtorë me korrespondencë do të jenë: Esad Mekuli, Dr. Petro Janura, V. Gj. Relja, Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj dhe arsimtarët e intelektualët tjerë që do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.

c) Në seksjonin e historis si bashkëpunëtuer permanet caktohet Ali Rexha, ndërsa bashkëpunëtor me korrespondencë do të jenë Dr. Kruno Kërstiqi, Hasan Kaleshi dhe shum profesorë të tjerë t’Universiteve të R.F.P.J. që do të ftohen për bashkëpunim.

Për organizimin e sa ma të përsosun të degëve t’Institutit, punës dhe detyrimeve dhe të drejtave t’anëtarëve të tij, qofshin këta permanentë me korespondencë ose kandidatë, u formue nji komisjon nga shokët: Prof. V. Dançetoviq, Prof. Zekerija Rexha dhe Hasan Kaleshi, të cilët do të shkojnë n’Akademin e shkencave të R.P.S. dhe mbas nji konsultimi me Prof. Beliq dhe me persona tjera administrative, tue pasë gjithëmonë para sysh specificitetin e kushteve dhe nevojave t’ona, do të hartojë projekt statutin e Institutit ku do të përfshihet dhe statuti i bashkëpunëtorëve.

3) Përsa i përket punës konkrete ndër seksjonet e ndryshëme, në këtë periudhë të parë do të kryhen këto punime:



a) Në gjuhësi:

- Rishbotimi i fjalorit të Kristoforidhit ku pjesa shqipe do të transliterohet me germat t'ona ndërsa ajo greqishte me germat latine tradicionale në shkencë, me plotësimet eventuale ku shfaqet nevoja .

- Rishbotimi kritik i teksteve të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë në tanësi (Buzu, Budi, Matranga, Bardhi, Bogdani, Kazazi) këto botime do të bahen suksesivisht.

- Rishbotimi reproduktiv i Kanunit të Lekë Dugagjinit .

- Përpilimi i fjalorthave terminologjikë sërbisht-shqip, të cilët do të botohen në blej të veçantë dhe do të shërbejnë si ndihmë për hartimin e nji fjalori të përgjithshëm shqip. U caktuen fjalorthat e ndryshëm dhe hartuesit e tyne:

1) Fjalorthi linguistik. Hartuesa: Pr. Selman Riza, Prof. V. Dançetoviq, I Ajeti.

2) Fjalorthi letrar: Hartuesat: Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj.

3) Fjalorthi për shkencat politike shoqnore dhe për administratë. Hartuesa: Prof. Zekerija Rexha, Sokol Dobroshi, Ali Rexha Vehap Shita, Mustafa Shala dhe Hazër Tufa.

4) Fjalorthi për shkencat natyrore. (Zoologji, botanikë, gjeografi, medicinë, bujqësi, veterinari). Hartuesat: Esat Mekuli, Xheladin Deda, Sulejman Drini, Zeqir Bajrami, Shefqet Veliu dhe Qamil Ibrahimi.

5) Fjalorthi për matematikë, fizikë, kimi, industri, tenikë e komunikacjon. Hartuesat: Hasan Hakiu, Ismet Dehiri, Mehmet Gjevori, Sali Kolgeci dhe Haki Hoxha.

Mbas hartimit të këtyne fjalorëve do të fillohet puna në hartimin e nji fjalori shqip.

Të blehet nji magnetofon dhe të vazhdohet puna e deritashme në mbledhjen e folklorit: kangë popullore, prralla, fjalë t’urta, frazeologji dhe fjalë të rralla.

- Dijalektolagjija të jetë nji problem që do të studjohet krahas me punën e përgjithshëme në seksjonin e gjuhësis.

- Përpilimi i gramatikës të lihet për ma vonë, mbasi të mblidhet materjali i nevojitun në teren. Për hartimin e sajë u pa e arsyeshëme të shfrytëzohet ajo e Dr. Gjegj Pekmezit.



b) Në letërsi:

- Të mblidhet materjali për të përgatitë dalë nga dalë e me kohë nji histori të letërsis shqipe.

- Të bahen punime të veçanta (monografina) rreth shkrimtarëve.

- Të bahen gjurmime të veçanta mbi krijimin letrar në gjuhë shqipe, gjatë kohëve të kalueme, në Jugosllavi.

- Të nxiten shkrimtarët e rij për krijime origjinale dhe të bahet i mundshëm botimi i veprave të tyne.

- T’i kushtohet nji kujdes i posaçëm përkëthimeve në gjuhën shqipe që të kenë dhe këto nji vleftë letrare.

- Të hartohet plani i veprave që botohen në ndërmarrjen "Mustafa Bakija” në Prishtinë.



e) Në histori.

Të merren nga Pleqsija për kulturë dhe shkencë tezat e historis së Shqiptarëvet, të dërgueme për shqyrtim dhe të punohet në zgjatimin e tyne .

- Të kërkohen bashkëpunëtorë që do të ndihmojnë në hartimin e historis së Shqiptarëve në bashkëjetesë me Sllavët e jugut.

- Të kërkohen dëshmitarë të gjallë ende, që do të mujnë me thanë dishka mbi ngjarjet historike të së kaluemes së afërt.

- Të dërgohen njerëz ndër arkivet e ndryshëme për të gjetë dhe shfrytëzue dokumentet e vjetër historike në lidhje me landën që i intereson seksjonit të historis.

Përposë këtyne vendimeve u pa e arsyeshme dhe:

- Nxjerrja e librave të nevojëshme nga bibliografit që kemi, për të mujtë me i porositë mandej jashtë , mbrenda mundësive financjare;

- Të ndërmjetësohet pranë Dekanatit të Fakultetit të filozofis për të mujtë me marrë disa libra në duplikatë nga Seminari i albanologjis në Beograd . Mbi kushtet e nevojshëme Instituti do të mirret vesh ma vonë me Seminarin.





Projekte të tjera



Mbështetur në dokumentet e gjetura në Dosjen e Institutit Albanologjik të Arkivit të Kosovës, gjatë këtyre dy viteve janë bërë kërkesa për disa Projekte, por jo të gjitha u miratuan nga Instituti Albanologjik. Të bie në sy mënyra se si ato u mirëpritën te autoritetet e Institutit Albanologjik, drejtori Elhami Nimani dhe Ali Rexha, krahasuar me përgjigjen që jepte Selman Riza.

Më 22 prill 1954 Profesor Idriz Ajeti, i drejtohej Institutit Albanologjik me kërkesë për mbështetje materiale në hulumtimet e tij në Krajë dhe Dalmaci për kërkime gjuhësore, pra studimin e të folmes së arbëreshëve të Zarës , krahasuar me të folmen e paraardhësve të tyre në Krajë, shekuj më parë.

Kërkesa e tij për kërkime në Krajë të Malit të Zi dhe Dalmaci të Kroacisë, mbështetur në një përgjigje të datës 5. VII. 1954, të drejtorit Nimani, jo vetëm nuk u miratua , por përkundrazi, në një letër të datës 26. IX. 1954, nxiteshin arbëreshët e Zarës dr. Kruno Kërstić, Josip Vladović – Rela dhe Budimir Petrović, që të merreshin pikërisht me këtë temë dhe ju premtohej përkrahje materiale shkencore e morale .

Po në këtë vit, ndërmjet drejtorit të Institutit dhe studentit të Universitetit të Beogradit Hasan Mekuli, arrihet një marrëveshje për mbështetje materiale të tij, në kërkimet folklorike që Mekuli do t’i realizonte në vitin 1954, në mesin e “banorëve mysliman” të Sanxhakut të Novi Pazarit, për të mbledhur këngë kreshnike .

Një fat tjetër dhe një pritje tjetër merrte kërkesa e studiuesit të asaj kohe Hasan Kaleshi, jo vetëm për faktin se ai kishte pretendime të tjera për të hulumtuar në një institucion ndërkombëtar, sikur ishin Arkivat turke, por edhe për shkak të mirëkuptimit dhe njohjes së rëndësisë që kishin kërkimet arkivale për një studiues, një institucion dhe një projekt shkencor, nga ana e Selman Rizës.

Më 22. VII. 1954, profesori i Universitetit të Beogradit, orientalisti i shquar i kësaj kohe Hasan Kaleshi, i drejtohej Institutit Albanologjik, në Prishtinë, me këtë kërkesë:

“Kah dhetë gushti i këtij vitit (1954,b.b.) do të nisem për Turqi me qëllim grumbullimi të landës për tezën time të doktoratit. Tash për tash kam leje me mbetë tre muej, por Dekani dhe Prodekani i fakultetit më kanë thënë verbalisht se do të mundem me mbetë deri në fund të vjetit.

Meqenëse nuk kam kurrfarë angazhimi as ndaj fakultetit as ndaj ndonjë institutit tjetër dhe tue marrë para sysh se në lidhje me tezën unë do të grumbulloj vetëm landën pa mos u zhytë në studimin e saj, besoj se kisha mujtë m’u marrë edhe me gjurmimin e dokumenteve dhe të materialit tjetër të nevojshëm për historinë e Shqiptarëve. Natyrisht se koha nuk më lejon m’u marrë me deshifrimin e dokumentave dhe përkthimin e tyne, por n’anën tjetër do të kem mundësi me zgjedhë dhe me fotografue një seri dokumentash të nevojshëm. Për fotografimin e dokumentave, angazhimin e njerëzve për kopjimin e artikujve të ndryshëm nga gazetat turke, për blerjen e librave që eventualisht gjenden atje; nevojiten një sasi të hollash”.

Më tej vijonte propozimi i marrëveshjes teknike për çështje të përkrahjes materiale.

Ndryshe nga përgjigja thjeshtë administrative e drejtorit të Institutit Elhami Nimani për kërkesën e Prof. Idriz Ajetit, që në të vërtetë ishte në kundërshtim me përkrahjet e kësaj kohe, përgjigja e Selman Rizës, drejtor shkencor i Institutit sjell një kulturë komunikimi dhe një hapje bashkëpunimi me bashkëpunëtorët në radhët e studiuesve, kudo që ndodheshin.

Në përgjegjen e Selman Rizës, thuhej:” Në letrën t’uej me datë 22/VII/1954 na keni proponue që, me rastin e vajtjes s’uej në Turqi, me qëllim mbledhjeje të landës së duhun për një thezë doktorati, të merrni përsipër me krye për këtë Institut punimet që pasojnë:

fotomekanikisht me rishprodhue sa dokumente historikë që do të gjykoni si veçanërisht të vlefshëm dhe të ndritshëme për historinë e Shqiptarëvet, mâ së forti të atyne (në tekst shihet se fjala atyne është shkruar mbi fjalën shqiptarëve, por duket se është përmirësim i autorit për shkaqe kakofonie,v.j.) të Jugosllavisë nën sundimin Otoman.

prej gazetavet turke të kohës përkatëse me sigurue kopjimin e artikujve mâ markantë që kanë të bâjnë direkt me ngjarje specifikisht shqiptare; e

me furnizue Institutin me sa libra gjegjësisht broshura relativisht të moçme që do të gjeni nëpër antikvarjate apo ndër privatë e që gjykoni se janë të vyeshëm për Sekcionin e historisë e të gjuhësisë, sidomos veprat shqip të bartësvet të Rishlindjes shqiptare prej së parës Lidhje së Prizrenit e deri në Luftën Ballkanike.

Me këtë letër t’onë po ju njoftojmë se Instituti ka pranue propozimin e sipërm, dhe se simbas kërkesës s’uej po ju dërgojmë qysh sot një akontacion prej 40.000 (katërdhjetëmijë) dinarësh për përballimin e shpenzimevet përkatës.

Theksojmë se dokumentet e mbledhun për llogari t’Institutit do të jenë të disponueshëm për të gjithë studjuesat t’anë, tue ju rezervue juve të drejtën e prioritetit, për studim e botim, mbi disa prej tyne për një kohë të caktueme.

Presim që të na mbani në rrjedhë të kryemjes së veprimeve të sipërm, të cilëve ky Instituti u jep të gjithë randësinë e meritueme, tue qenë gati me bâ edhe sakrificat financiare të nevojshme dhe ligjesisht të justifikueshme.

Prishtinë, më 3/VIII/1954, Për drejtorin e Institutit, Selman Riza





Për Fjalorin terminologjik



Një prej çështjeve që shpjegojnë dokumentet e pakta të Institutit Albanologjik, të ruajtura në Arkivin e Kosovës është edhe përmasa e autorësisë së Fjalorit të terminologjisë, bashkë me Mehdi Bardhin, dorëshkrimi i të cilit ruhet në arkivin personal të profesor Rexhep Ismajlit .

Në një Thirrje, të datës 21 prill 1954, Aktivit / folkloristik/ e gjuhësor, Gjakovë – Prizren – Prishtinë-Pejë – Mitrovicë – Gilan, nënshkruar nga Ali Rexha, thuhej: “Po ju njoftojmë se lista e termave prej laminash të ndryshme shkencore, e shpallun në “Rilindje” në rubrikën gjuhësore: “Për qëndrueshëmimin e terminologjisë shqipe”, ka dalë në dy etapa, e para vetëm me fjalët e thata serbokroatisht , kurse e dyta përmban, posë termave serbokroatisht, edhe ato frëngjisht, gjermanisht e italisht, si edhe gjegjësinat përkatëse shqip .

Në këtë ftesë janë përfshirë emrat e njëzetë e dy bashkëpunëtorëve, të cilët me tri përjashtime edhe janë nëshkruar në listën e pjesëmarrësve në diskutim, më 21 tetor 1953: Xheladin Deda, Esad Mekuli, Sokol Dobroshi, Hasan Vokshi, Stathi Kostari, Vehap Shita, Tajar Hatipi, Haki Hoxha, Mutafa Shala, Hazyr Tufa, Xheladin Topçiu, Mehmet Gjevori, Jani Gjino, Zekeria Rexha, Sali Kolgeci, Zeqir Bajrami, Shevqet Veliu, Abdullah Zajmi, Jusuf Shushka, Ibrahim Zherka, Ahmet Mumxhiu dhe Nexhip Habipaj.

Mirëpo, siç mund të shihet emri i Selman Rizës mungon. Natyrisht këtu nuk përjashtohet bashkëpunimi i premtuar në letrën e datës 12. VI. 1953. Esenciale për ne është se emri i tij mungon edhe në listën e të ftuarve dhe të nënshkruarve, e kjo do të thotë se ai ende nuk ishte i përfshirë në projekt, as si bashkëpunëtor as si pjesëtar i projektit. Duket se drejtues dhe realizues i këtij projekti ishte Ali Rexha, pavarësisht se në fund, autor i Parathënies, në mos edhe redaktor profesional i tij del Selman Riza. Në të vërtetë, kjo bindje krijohet me faktin se ai e ka lënë dorëshkrim këtë projekt, sado në versionin e botuar të Parathënies së ‘tij’ te “Rilindja” e datës 13 dhjetor 1953, f. 5, 6, ky tekst është botuar në emër të Institutit Albanologjik dhe një shikim përimtues i këtij teksti del se versioni përfundimtar i tij është bërë nga Selman Riza, mbi materialet dhe të dhënat e bëra edhe më parë nga Ali Rexha. Më parë se bazën materiale dhe arsyetimin mbi to, të cilat duket t’i ketë shkruar Ali Rexha, sigurinë për autorësinë ‘përfundimtare’ të Selman Rizës e bënë të mundur kryesisht stili shkencor i tekstit. Autorësinë e tij, krahas, edhe të Mehdi Bardhit, me gjasë, e bënë të dallueshme fakti se ky projekt më nuk është tërësia e termave të shumë fushave diturore të propozuara nga Ali Rexha për diskutim, por i një fushe më të ngushtë.

Mbështetur në disa nga të dhënat arkivore që prezantuam këtu dhe të tjera që do të prezantohen në ndonjë rast tjetër kontributi i Selman Rizës në themelimin, organizimin dhe drejtimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës është shumë i rëndësishëm. Dhe përtej tyre, kontributi i tij në projektimin afatgjatë dhe realizimin e projekteve shkencore afatshkurtër, në shumë aspekte del vendimtar. Largimi i tij nga Kosova, që bëhet krahas edhe mbylljes së Institutit Albanologjik, pat pasoja largvajtëse njëkohësisht edhe për albanologjinë dhe zhvillimin e saj në Kosovë.