e mërkurë, qershor 05, 2013

Rrugica e lotit




Nga Fatmir Terziu

Nuk më duhet pasaportë në pragun tënd. Hapat
e mi nuk duan viza në sokakun e kalldrëmtë
as biletën e shtrenjtë të udhës ajrore,
loti ka mbërritur më shpejt se unë
në ëndërrën tënde.
E mira nënoke,
kërkoj ndjesë që të prisha gjumin,
me trokthin e lotit tim hutaq,
më lësho një ledhatim fryme,
si atëherë kur më mbaje për dore
rrugicës së vjetër, të paqtë,
ku Kisha pozonte vetveten në qiell,
ku Konstandini digjej me abetare në diell...
Myzyrin e dëgjoj në përthyerjen e këngës
violina e tij mbars mijëra fyej
më sjell pranë refrenin që ngas
për të lehurat e qenit langua
që shurroi murrin e Kalasë,
veshur me kostumin e huaj...
E ndjej tiganin që digjet në vaj
petullat për lindjen e mbesës së vogël
e shoh që e ngre furkën pastaj
për të përzënë maçokun e komshijes,
kanatat përgjysëm ka të ngjarë
i shoh mes vetë plasaritjes
që mbeti mbi gëlqeren e tharë
nga vitet e ikjes.
Dhe muzgun e ndjej që sillet vërdallë
kumuriat që lagin akrepat e sahatit
plakat e mëhallës që nxitojnë shtizat
për të hedhur diçka në lakun e ditës
nga romuzet e shtrenjta të Selman Bizës.
Me krahët lëshuar zbret flladi i Krastës
trazon minifundet e xhiros së fundit
dita i uron mirëseardhjen natës
pishat dremitjen e shkundin,
është stina e vapës.
Maçoku i komshijes lëpin bishtin
poshtë Skampës ku hidhen kockat
minjtë e kanalit lëvizin lirshëm
vrapin e ndalin tek shatërvani
paguajnë faturën e ujit të pijshëm.
Pastaj ndalem pak mes sheshit
Gensher e ka, është emër i huaj
takoj Rrapin e Bezistanit, ia vë veshin,
shekujsh madhështor, hijerëndë
më shtrydh pastaj nga thellësia e gjethit
historinë e Mozaikut nën rrënjë.
Dhe i vërvitem edhe vetë gjumit
me thonj të gjatë e të mprehtë
nuk më mjafton as uji i Shkumbinit
që të laj këtë siklet, këtë dert.

Xhelozi

Pëllëmba e ajrit lexon fatet
një hartë në kantierin e mishtë,
me rrjeta të memorjes
hedh shekujt pellgjeve të ndotura,
që urat e zjarrta ngritën mes nesh
në orët lakuriqe
për t’u falur jetë tempujve.
Thurr litarë ajri me gishta. Dora
imitim i fateve,
vetëtimthi
zbraz ura ajri
që kanë zili shpirtrat,
ku vetëlexohen nxitimthi
ikje të përhumbura në retinë.
Krejt një projekt i grisur
nga mbartjet e krisura mbi shpinë.

Reth i jetës

Të shtunën mbodhëm bashkë
lulet e kopshtit tonë,
të dielën i ujitëm qetë
dhe ndejtëm deri vonë.
Të hënën ne gjetëm idenë
të lëmë lulet të flenë,
të martën me patjetër,
lulet i skicuam në letër.
Të mërkurën gjetëm fjalët,
që na lanë për lulet të parët,
të enjten u gdhimë me zell,
unë të vështroj, ti përzgjell.
Të premten ç’po ngjan
lulet u vyshkën e u thanë...,
që të ngjalleshin, duhej e shtuna

të rinisnim prapë nga puna.