Shkrimtarja dhe poetesha strugane Puntorie Ziba
konsiderohet si një nga pioneret e para të përfshira në lëvizjen feminist të
autoreve femra, me nocionet e indivdualitetit të identitetit krijues
letraro-artistik, që e kanë klasifikuar atë në letrat shqipe. Për krijimtarinë
e autores Puntorie Ziba kanë shkruar njerës të shquar të letrave shqipe si; Dr.
Fatmir Terziu, Ramadan Musliu, Luljeta Leshanaku, Fasli Haliti etj. Evolucioni
i saj krijues e intelektual ka arritur dimensionin hapësirë –kohë të përvojës
jetësore; të bukura e të brishta, të trishta e të lumtura, të dhimbëshme e të
dashura, tragjike e komike, grotesken dhe absurden, vlerën e antivlerën, muzën
poetike dhe prozën rrëfyese, pesimizmin dhe optimizmin, të dijshmen e të
padijshmen, ajo i sjell me mjeshtëri artistike e filozofike, si një
protagoniste e vërtetë që i ka përjetuar ato dhe i ka hedhur në artin e të bukurës e së
përditshmes njerëzore. Në arkivin krijues të Puntorie Zibës numurohen dhjetra
vëllime me poezi për të rrritur e fëmijë, romane, drama për të rritur e fëmijë
dhe dhjetra e dhjetra shkrime, analiza, esse, opinione të cilat kanë përmbushur
ëndrrën dhe misionin e autores. Vëllimet poetike të poeteshës Puntorie Ziba
janë përkthyer në disa gjuhë të botës si anglisht, italisht, frëngjisht,
rumune e maqedone. Numurohen disa Cmime Kombëtare e Ndërkombëtare që
vlerësojnë poezinë e prozën e autores. Në këtë intervistë shkrimtarja dhe
poetesha strugane Puntorie Ziba na rrëfen “udhëtmin e saj krijues”, ndryshimet
shoqërore e artistike të mbuluara e të dëshmuara nga përvojat e jetës. Për më
shumë ndiqni bisedën tonë..
Bisedoi: Raimonda MOISIU
-Përshëndetje e nderuar Puntorie,
ti buzë Ohrit, unë buzë Atlantikut, disi larg por arti i bashkon kufijtë
për këtë bisedë. Ju jeni një nga shkrimtaret e poetet pioniere të letrave
shqipe. C’mund të na thoni si filloi karriera tuaj letrare?Si u gjendët në këtë
“udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
Poetët
nuk mund t'i ndajë as Atllantiku i ftohtë gojë çaraveshur.
Rruga
ime e mundimshme letrare nisi që nga fëmijëria e hershme.Pasi futesha thellë në
veprat më sublime botërore për fëmijë, ndalesha e merrsha frymë thellë , merrja
lapsin e shkruaja për shijen apo për më të shijshmen që e konsumoja nga ajo që
lexoja. Shkruaj sepse e bëj atë me pasion, me dashuri më
të flaktë se dashuria që lind mes dy zemrash. Kjo puna e
shkrimtarisë do thoja unë, në fillim është pasion, por më vonë me arritjen e
një pjekurie krijuese bëhet sëmundje. Vetëm kur shkruaj ndjehem rehat
dhe e qetë. Shpesh mendoj se si do dukej bota pa artin letrar. Cili do ta
shkruante atë që e harron historia. Ku ka gjë më fisnike, më moralizuese se të
shkruash për atdheun, për kombin, për barazinë gjinore, për mrekullitë
natyrore, për misteriozen, për sublimen, për atë që e shikon dhe për atë që e
imagjinon fuqia krijuese. Të qenurit shkrimtar është një pikësynim për të
jetuar pak më shumë me veten,afër zjarrit, afër ujit, afër kataklizmës...Larg
kukullave-afër tyre; larg dhembjeve-afër tyre; larg gëzimeve- afër tyre; larg
hamendjeve-afër tyre; larg turbulencave-afër tyre, larg zhurmës njerëzore-afër
zhurmës, larg mnerës nga fenomenet natyrore-afër tyre. Eh, gjithmonë afër
lindjeve, vdekjeve, afër dhe larg misteriozes, afër dhe larg miteve…
-….që do të thotë se ju keni
gjetur zërin tuaj si poete apo prozatore që në moshë të re. Kjo duhet të ketë
qënë me të vërtetë emocionuese dhe mbresëlënëse. Cfarë mendoni se ju ka
frymëzuar për t’u bërë krijuese?
Në fillim shkruaja
poezi, por më vonë i provova të gjitha zhanret. Doja t'i gëzojë edhe fëmijët.
Kujtoj se të gjithë mundohen që të shkruajnë për më të rritur dhe letërsia për fëmijë
ngeli ca si e shpërfillur edhe pse nuk
mund të them që nuk ka poetë të mirëfilltë për fëmijë në tërë gjeografinë shqiptare.
Kështu që poezitë e mia të para ishin për fëmijë dhe i botoja në revistat për
fëmijë, kurse libri im i parë i botuar është me poezi për të rritur. Për t'u
bërë krijuese nuk mjafton vetëm dëshira, patjetër që nuk duhet të mungojë
dhuntia. E kam trashëguar prej gjyshes time atë thesar. Ajo ishte një artiste e
madhe,por jetoi në kohra të këqia,kur femra shqiptare nuk shkollohej.
-Isadora Duncan shkruan:Nuk më habit
aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë, megjithëse
arti është “mbikqyrës” i vështirë e i rreptë, sepse kërkon përkushtim fizik dhe
inteligjencë në gjithcka, ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithcka
nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju ?
Për
t'u bërë artiste e mirëfilltë duhet shumë talent, shumë punë, shumë sakrifica
dhe shumë mundime për të sfiduar gardhet që ti vë para bota
maskiliste që dominon në organet vendimmarrëse, që udhëheq institucionet. Pa
përkushtim maksimal, arti nuk do të ishte art. Duhet të lexosh shumë, të krijosh
kritere që të dallosh vlerat dhe jovlerat. Mendoj se duhet të futesh kokë e
këmbë në bërthamën e letërsisë. Ashtu si ka burra që mbajnë epitetin artist të
vërtetë, ka edhe gra që më shumë se burrat e kanë dëshmuar veten gjatë
historisë së letërsisë se janë artiste të vërteta. Po kush i këndoi ninullat,
këngët e dasmave, këngët e nizamëve, këngët e vajit !? Kuptohet se gratë.
Gruaja që krijon, thyen shabllone dhe nuk e vret mendjen për
paragjykime... Ajo e thotë atë që ka dëshirë ta thotë, ashtu si di dhe si do.
Kuptohet, se ky zanat i brishtë i shkon për dore zemrës së saj të brishtë.
Unë kur shkruaj ulërij, shtërzoj, çirrem,
digjem bëhem hi dhe cohem përsëri si feniksi për të marr pak ajër jete. Në ato
çaste mendoj vetëm për personazhet e mia dhe lëvizjet e tyre.
-Ju keni një aftësi të pabesueshme të
stilit tuaj në krijimtari qoftë në poezi apo prozë, që dëshmon gjithnjë e më
shumë se jeni ndër shkrimtaret pionere të lëvizjes feministe të autoreve
femra, –e vlerësuar maksimalisht nga kritikës letrare kombëtare e ndërkombëtare
e kohës. Tashmë një shkrimtare e afirmuar, autore e dhjetra e dhjetra
librave.Cfarë mendoni se ka mbetur konstante?
Mendoj se
shkrimtari duhet të ketë identitet letrar. Lexuesit e mij edhe nga hëna e
kuptojnë se cili është vargu im. Stili në poezi është shumë i veçantë , kurse
sa i përket prozës edhe kritikët e romaneve të mia e kanë quajtur prozë që
karakterizohet për një process reformimi në planin e tematizimit. Kritiku
Ramadan Musliu e cilëson si -dokumentim i realitetit.- Motivet kryesore i gjej
nga përditshmëria. Nuk merrem me
të kaluarën dhe nuk jam magjistare të merrem me ardhmërinë. Merrem me atë që
ndodh sot në gjeografinë tonë shqiptare, por edhe në botë. Nëse mendoni për
stilin tim, ai gjithëmonë do të mbetet konstant në prozë edhe në poezi.
-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike
dhe dhjetra vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të vëllimeve me poezi; “Rruga
e mjellmës” , “Sodisin yjet”, “Kuku”, “Rapsodi udhëtarësh” , “ Suita e
lënduar”, “ Suita ime” në gjuhën Maqedone ” Mojata svita”, “Vega”- "Edhe
qielli mbetet i kaltër" etj.Pra, poezia tuaj është përkthyer në
gjuhë të huaj anglisht, rumanisht, maqedonisht dhe në gjuhën e Rumiut
–arabisht. Gjithashtu jeni bashkëautore në antologji kombëtare e ndërkombëtare.
C’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
Nuk mund të them se
jam e përkthyer aq sa duhet të jem e përkthyer. Përkthimi kërkon para dhe
privilegje. Këtu ku jetoj unë përkthehen poetët
maqedone dhe jo Puntorie Ziba. Kam ca poezi të përkthyera në anglisht, frëngjisht, rumune që i kanë përkthyer vetë artdashësit, ose
ata që bëjnë antologji. Në gjuhët sllave i
përkthej edhe vetë sepse i njoh shkëlqyeshëm
këto gjuhë. Ajo që jam përfshirë në shumë antologji jashtë vendit më gëzon dhe
më jep një përkrahje morale për të vazhduar rrugën. Gjithëmonë mendoj se në
ardhmëri do të bëj diçka më të bukur se sa këta që i kam bërë deri më tani. Ha!
-Cfarë shërben si frymëzim për të
shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të vecantë kur ju shkruani një poezi të
bukur, të ndjeshme e të mirë?Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i
preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe
diku?
Poezia është
frymëzim çasti. Këtë nuk e them vetëm unë. Virxhinija Vulf dhe ajo dhoma e saj
më motivoi që edhe unë në shtëpinë time në Shkup dhe në Strugë të kem
dhomat e mia ku rri me orë të tëra dhe krijoj. Asnjë poezi nuk e kam shkruar
duke pirë kafe. Kur shkruaj harroj edhe të ha ushqim.Më duhet qetësi maksimale,
edhe zhurma e shiut më bën me nerva kur shkruaj.Unë futem në universin tim, në
bukurinë që në ato çaste më përket vetëm mua dhe askujt tjetër. Për fat të mirë timin dhe
të krijimtarisë sime, unë jetoj vetëm me djalin tim që është i qetë dhe nuk
është aspak i zhurmshëm. Ndodh që edhe Juventusi kur jep ndonjë gol ai nuk e shfaq
gëzimin duke i rënë tavolinës me grushta ,sepse ka frikë se ia vret inspirimin
mamit në dhomën e punës.
-Cilat janë disa nga idetë apo temat që
ju shtjelloni në poezitë tuaja? A janë ato autobiografike? Cfarë është idealja
përreth poetëve në mënyrë që të dalin poezi të arrira?
Temat
e poezive të mia janë jeta, dashuria, vdekja, misteriozja, lufta, egoizmi
njerëzor, njerëzorja dhe çnjerëzorja. Janë shumë. Larmishmëri ngjyrash
livadhesh, kodrinash, malesh vjeshtë, dimër, verë,pranverë.
I
shkruaj poezitë kur kam frymëzim dhe nuk mendoj për vlera në ato momente. Poeti
është ose nuk është poet,prandaj po shkruajti mirë njëherë, do të vazhdojë
gjithmonë të shkruaj mirë.
-Ju shkruani poezi dhe prozë?Cili ka
qënë poezia, tregimi apo novela tuaj e parë?
Besoj vetëm në aftësitë gjenetike, në dhuntinë e falur
nga Perëndia. Shkrimtarët lindin rrallë. Poezia ime vjen vetë, herë si
inkreshendo e ëmbël me shumë naze, e herë duke u çjerrë si e marrë. Poezia e
parë titullohet “Shavari “ , e botova shumë vonë. Tregimi
“Te logu i cucës”,kurse romani i parë është “Vjeshtë totemësh”. Muzat !?
Më pë[qen fjala muzë. E kanë trilluar për tu ndjerë krijuesit më të
përkëdhelur.
-Si mendoni ju, cilat janë
elementët thelbësorë të një prozë, në rastin tuaj të romanit apo tregimit?
Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në
mendje për ecurinë e personazheve, ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta
reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Romani është zhanri
që më lodh më së shumti. Jo se nuk e kam frymëzimin,apo mungon tema, apo fabula… Romani
kërkon finesën e ndërtimit, kompozicionin. Romani kërkon ti bësh sytë
gaper, edhe të shkruash njëkohësisht, edhe t’i ndjekësh lëvizjet e
personazheve, t’ua përcjellësh fjalët, t’ua masësh kohën, të ndjekish me kujdes
zhvillimin e ngjarjes etj.etj. Kur e shkruajta romanin “Gjurmë dhe ishuj” i
shkruaja ca batuta nëpër fleta fletoresh të grisura dhe pastaj i hidhja në
faqet e kompjutorit. Një ditë djali më tha me plot humor: vetëm muret e bardha
të dhomës nuk i ke shkruar. Tek romani shihet pasioni që ka krijuesi për artin.
Ai të kënaq, të lodh edhe të stërlodh. Të gjitha personazhet e romaneve të mia
janë marr nga jeta reale.
-Ju jeni mjaft e sukseshme si
shkrimtare, e vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare, dhe e përkthyer në
disa gjuhë të botës, por edhe me marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga
lexuesit e shumtë vendas e të huaj? Si ndiheni për këtë?
Është normal kalimi nga poezia në
zhanrin e prozës.Kjo ndodh me shumë shkrimtarë. Unë e prisja këtë kalim. Dhe më
vjen mirë që e realizojmë me
pasion. Preferenca ime ka qenë dhe do të mbetet poezia. Më së shumti mrekullon
fjala e lexuesit të thjeshtë. Falë fb-së, shumica prej tyre edhe pse nuk janë
kritik bëjnë komente
shumë të veçanta për poezitë e publikuara. Psh. Një lexues i mirëfilltë shkruan
për poezinë “Ecje nëpër shi” ,,,, është një makth i tejzgjatur, një monolog i gjatë i thekshëm TRISHTILI, tepër prekeës i sinqertë deri përtej rrënjeëve të ngjizjes deri përtej dukjes e përjetimit banal të casteve e ndjenjave, është përballja me asgjënë që përshkoi jetën e tij, një dhimbje e mprehtë therëse për pendimin, se s’ka më kohë te rikuperojë, s’ka mundur të bënte më mirë një dramë, një tragjedi e dhimbëshme plot zjarr e ndjenja, një monolog i denjë në gojën e një aktori të madh do të shkëlqente si nga më të arrirat e letrave tona,
urime mike të duam shumë!Ose: Oh Puti, një mrekulli... nga më të bukurat e tua, dhe
mendoj nga më të bukurat e letrave tona, ndofta, e përsëris ndofta, është përjetimi autentik i yti që ka kaq forcë dhe dallgë nënujesë të hatashme ... flm mike për tag ... s'pushon se buruari
xhevahire ...:)te poezia “Gruaja e ve” Ose: Cua
paske përmbledhë soj e sorollopin, hë më të lumtë ajo PUSHKE! Te poezia “ Qentë vazhdojnë të lehin”etj.Këto mendime
dhe shumë mendime të tjera brilante më përkëdhelin
sedrën dhe nervin tim krijues.
-Shquheni në romanet tuaja për mendimin
inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik.Ku qëndron
forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe të autoreve
femra?
Romanet e mia janë
vlerësuar nga kritika. Sidomos romani “Unë dhuna dhe Emma Jazzi” që përveç
mendimeve inteligjente, mendimit filozofik, figurave të shumta letrare, është i
mbushur edhe me frazeologji. Kjo më gëzon, por panegjerizmin nuk mund ta duroj,
nuk më lejon shpirti të them se kam bërë diçka monumentale në këtë zhanër. Tek
Puntoria ka mbetur një vend vakum dhe ajo gjithmonë ka shpresë se do ta
plotësojë. Mbase ajo në një ditë të afërme me pjekurinë krijuese që ka, do të
arrijë deri te ndonjë shkallë e sublimes.
-Përsëri jemi te romanet tuaja. Teksa
i lexon të japin përshtypjen e “ngjarjeve” reale, apo duhet t’i
vlerësojmë për kuptimin e tyre simbolik, importin moral dhe substanca
humaniste në përputhje me interpretimin tradicional historik, të jetës, midis
modernes, artit dhe filozofisë?
Romanet janë
realizime të proceseve aktuale si dokumente të realitetit. Në romane dramatika
shkon krahas refleksioneve. Ato janë vlerësuar deri tani edhe për kuptimin e
tyre simbolik dhe për qëndrimin tim sa më larg klisheve bardhë e zi. Romani Ema
Jazi përfshihet nga tema aktuale e dhunës fizike dhe
psikike. Është shkruar me referenca nga kanuni, duke patur kujdes që të mos
lëndohet asnjë shkronjë e ndonjë kodi që do të citohej.
-A kanë dicka nga jeta reale në librat tuaj?
Cfarë lloj kërkimi keni bërë për to?? A keni pasur materiale apo ngjarje që ju
kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?
Në romanet e mia ka shumëçka nga jeta reale. Nuk kam bërë kurrfarë
hulumtimesh ,sepse kam
qenë e ngulfatur nga frymëzimet, nga ngjarjet... Figura qendrore e romaneve të
mia është femra e diskriminuar, e përbaltur, e dhunuar, e përçmuar... Tërë
jetën kam qenë e rrethuar me gra të atilla. Realiteti i gruas shqiptare në
Maqedoni është shumë më mizor se i grave tjera në Ballkan.
-Ju gjithashtu shkruani poezi e drama
për fëmijë. Cili është “celësi secret” që ju lidh me botëbn feminore dhe
letërsinë për fëmijë?
Të shkruash për fëmijë është një lumturi e madhe. Me
botën fëmijërore më lidh fëmijëria ime buzë Drinit të Zi dhe fëmijëria e
nxënësve të mi. Unë jam mësuese letërsie. Në njërën nga dramat për fëmijë i kam
marr si personazhe të gjitha personazhet më të njohura dhe më të dashura të
letërsisë për fëmijë në botë : Hajdin,
Pinokion, Borëbardhën, Tom Sojerin, të Përhiturën, Kësulkuqenetje. Me tëra këto
personazhe kam shkruar një dramë me një fabulë interesante për fëmijë..
--Nga poete e romanciere dhe
dramaturge?A i shihni këto zhanre si sfidë?
Jo. Nuk i shikoj si sfidë. Thjeshtë kam pasur dëshirë dhe
inspirim ti provoj të gjitha zhanret. Nuk e di se ku jam më e suksesshme dhe
çka do të mbetet në shpirt dhe në mendje të lexuesit. Ose, pse jo edhe çka do
të mbetet në letërsi. Shkruaj sepse kam
nevojë shpirtërore t’i shkruaj, jo për t’ia bër qejfin dikujt,ose për të bërë
eksperimente me veten dhe me zhanret.
- Sa kohë keni që shkruani drama?
Çfarë iu ka tërhequr në zhanrin e dramaturgjisë? Cila është eksperienca më e
mirë që keni përjetuar në të shkruarin e një drame? Po më zhgënjyesja? Cilat
janë emocionet tuaj, kur shkruani dramë?
Dashuria ime e madhe është dërrasa e Talias. Jam
spektatore e rregullt në teatrin shqiptar në Shkup. Mbase edhe gjallërimi i
dramës në skenë më dhunon në shpirt, nuk më lë rahat. Drama ime e parë është
“Motrat me shirit të kuq “ e realizuar në Tetarin Kombëtar në Tiranë në vitin
1994 dhe në Tetrin shqiptar në Shkup. U realizua nga Z. Drita Pelingu. Ishte
një dramë më shumë lirike dhe nuk kishte ndonjë dramacitet të madh,por u prit
mire nga spektatori. Tema ishte ankthi I luftës në Kosovë dhe grate që jetonin
pa burrat e tyre. Më janë vënë në skenë edhe tri drama për fëmijë. Drama “Udha
e ikjes” mori çmimin e tretë në konkursin
e shtëpisë botuese Buzuku në Prishtinë. Kam shkruar edhe disa drama tjera.
-Shumica e dramaturgëve kanë gjetur
frymëzimin e tyre në letërsi, si Flaubert, Dostojevski etj., akti i të
shkruarit të një drame, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut.
Pra shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon
letërsia në dramaturgji?
Edhe dramatika është letërsi. Ajo nuk mund të veçohet
kurrë nga letërsia. Shumë romane dramatizohen për
t’u vënë në skenë. Karakteret trillohen dhe mishërohen me karaktere të njerëzve
të përditshëm. Por nuk trillohen çdoherë. Molieri ua përplaste në sy
oborrtarëve dhe Luigjit të XIV . Ai ishte i rrethuar me karaktere,prandaj nuk
kishte nevojë të trillonte
-Çfarë mendoni për anonimatin e
dramaturgut apo skenaristit? Cili është roli i shkrimtarit në këtë proces? A
është kjo gjë e mirë që shkrimtari është anonim? Bashkëpunimi ka ndikim në
karrierën tuaj?
Kuptohet se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm. Vetë mund të shkruash,por
që të botosh një libër ose të vësh në skenë një dramë duhen edhe njerëz tjerë
që kanë kritere dhe që dinë ti çmojnë vlerat. Romani do reduktuar, drama ngjallet
vetëm në skenë dhe po ra në duart e ndonjë regjisori të mirë aty bëhet
mrekullia. Ndodh që shkrimtari të mbetet anonim për shumë shkaqe.
-Cili është procesi tuaj, kur ju
shkruani një histori që përmban kritikë mjaft të gjallë sociale ose është
qartësi alegorike....?A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj që si
rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel përvojën jetësore,
social-politike e historike?
Përvoja jetësore është arma më e fuqishme për t’ia veshur
alegorinë veprës. Nuk ik dot krijuesi nga lëkura e tij dhe po të ikte do të
gabonte, sepse nuk do të bëhej kurrë shkrimtar. Autori që ka aftësi ta mban në
kthetra lexuesin, krijon idenë se çka mund të ndodh me veprën e tij.
-Teoritë e përkthimit janë trajtuar në
mënyrë të konsiderueshme për kohën e sotme. Në arkivin tuaj krijues letrar,
poetik e në dramë kini disa libra të përkthyer në gjuhë të
huaj, Si ia arrini të balanconi krijimtarinë tuaj midis përkthimit
dhe krijimit origjinal?
Nuk mund të them se librat e mi janë përkthyer aq sa
meritojnë të përkthehen. Disa prej tyre janë përkthyer në gjuhën maqedonishte
dhe fare pak në
anglisht , në rumunisht, në arabisht dhe në frengjisht. Mbase është edhe gabimi
im personal, sepse kam pas oferta nga një institucion austriak që merret me
përkthimin e veprave
-A e ka nxitur përkthimi i tyre
ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të
shkruarit? Cili është mesazhi që ju dëshironi të transmetoni për audiencën e
huaj?
Krijuesi ka nevojë për stimul dhe
për përkrahje morale e materiale.Nuk mund ta gjesh lehtë. Vënë barriera. Jemi
popull smirak.Lexuesve do të ju thoja të formojnë kritere dhe të ushqejnë
trurin me vepra sublime, qofshin ato nga krijues botërorë ose krijues shqiptar.
Zgjedhjen duhet ta bëjnë vet.
-A keni menduar ndonjëherë të shkruani
skenar filmi? Nëse provoni ta bëni këtë , c’mund të na tregoni për aktin e të
shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e
dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë të jenë të tillë.Pra a
ndikon letërsia në skenarin e një filmi?
Jo. Kurrë nuk do të doja të shkruaja ndonjë skenar
filmi,ose të dramatizoja ndonjë roman. Do të më krijonte shqetësime, po të më
detyronin t’i shkruaja
-Cfarë do të dëshironi të thoni në
lidhje me karakterin e përgjithshëm të letërsisë shqipe, publicistikës
shqiptare, Balkanike e Lindore, krahasuar me atë perëndimore ku ju jetoni
aktualisht bazuar në ato cfarë ju kini shkruar, lexuar apo vënë re?
Mendoj se letërsia shqipe qëndron në maja të
letërsisë ballkanike bazuar në atë që kam lexuar deri tani.
-Cfarë mendoni për statusin aktual të
kritikës. A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?
Kritika e mirëfilltë letrare është shumë deficitare. Disa
kritikë shkruajnë në baza miqësore, disa me para, disa shkruajnë vetëm
për shkrimtarët e
vdekur,sepse nuk kanë shpirt të shkruajnë për të gjallët, disa kapen për
shkrimtarëve më të njohur duke menduar se do ta nderojnë më shumë veten, ka
edhe prej atyre që shkruajnë vetëm për ata që i lidh ndonjë interes çmimi,
botimi etj.
-Cfarë ju pëlqen e cfarë nuk ju pëlqen
në punën tuaj të përditshme. Në ditët e sotme tradita e realiteti “përzien”
me vlerat fetare. Si romanciere dhe publiciste, pra si autore femër, a ka
ndonjë konfuzion që ndikon në marrdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet me
kulturat e tjera?
Vlerat letrare dhe vlerat fetare
janë moralizuese dhe kjo nuk më frikon.Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë fare,
si anarkia, demokracia e rrejshme, korrupsioni, avancimi i mediokritetit në sistem…Më
pëlqejnë privilegjet e ndërsjella.Marrëdhëniet ndërnjerëzore prishen aty ku nuk
ka barazi nacionale, gjinore, fetare dhe ku nuk respektohet liria e mendimit.
- Si jeni ndjerë përballë botës së
frikëshme të mediokritetit klaneve hipokritëve dhe inferioritetit maskilist?
Shumë shpesh jam zhgënjyer, jam neglizhuar, jam degraduar
dhe më janë bërë padrejtësi të mëdha. Storia është shumë morbide. Jetojmë në
Ballkan. Këtu nuk respektohet etika dhe femra. Shpesh kanë dashur të më
përbaltin, por kanë përbaltur veten. Njëherë isha në Njujork te vajza. Më
sollën nga Amerika sepse më kishin emëruar Drejtoreshë të Mbrëmjeve Strugane
dhe më ftuan që të kthehesha sa më shpejtë. Më shkarkuan ditën që zbrita nga
aeroplani. U ndjeva e
fyer, e vrarë , e shkatërruar. Vërtet ndjehesha gjysmë e vrarë. Ndenja gjatë e shtrirë
nën jorgan nga mllefi. i mallkova me shpirt nëne: Ju hëngërt Atllantiku! Kurrë
mos paçi pushtet në duar!
-Duke qënë shkrimtare femër, në veprat
tuaja, ju keni përshkruar karaktere komplekse e dominuese femra, në atë mënyrë
sa lexuesit lidhen vërtet me to.A mund të na thoni se si e arrini ju
këtë? Si e konceptoni ju, lëvizjen feministe në shoqërinë shqiptare e
botërore?
Statusi i femrës në shumë shtete të botës është i njëjtë.
Kujtoj se femrat tani nuk janë aq disidente si femrat e disa decenieve më herët.
Mbase kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën sociale dhe politike. Fuqia e tyre
mentale nuk mungon,por mungon forca. Kështu që vazhdon të dominojë më i forti.
Kuotat e 30 përqindshit nuk respektohen në shumë shtete demokratike botërore.
-Pse shkruan Puntorie Ziba ….?
Po të mos shkruaja , ose nuk do të isha gjallë, ose do të
kisha përfunduar në ndonjë spital e sëmurë rëndë nga veremi. Kështu kam mundësi
t’i gykoj gjynahqarët, plangprishësit, magjistarët…
-Mendoni se keni arritur aty ku duhet
me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë?Cfarë po shkruani aktualisht?
Projektet tuaja në të ardhmen?
Nuk e di se ku kam arritur, por e di se
kam një shprazëtirë të jashtëzakonshme dhe shumë të madhe në subkoshiencë,
sepse mendoj që ende nuk e kam shkruar atë që duhet patjetër ta shkruaj.
Në vitin 2013 më është financuar nga
Ministria për Kulturë në Maqedoni një libër me poezi në
gjuhën shqipe-maqedone dhe angleze.
Pason romani i radhës : “ Mëllenjat e
bardha”
-A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së
cilës ia sheh gjurmët edhe sot?
Gjurmët lënë njolla. Ato nuk fshihen deri në vdekje. Janë
shumë. Mund t’i gjesh në romanet e mia.
-Autorët tuaj më të preferuar…
Fishta, Migjeni, Kadare, Ana Ahmatova, Kamy, Balzaku,
Sylvia Plath, Singer, Bukoski,Oskar Wald etj.
-Mesazhi tuaj për talentet e reja, por
edhe për shkrimtaret femra në përgjithësi..
Asnjëherë nuk mund të fitosh atributin shkrimtare ,poqese
nuk lexon letërsi të mirëfilltë.
Ju faleminderit