e diel, mars 24, 2013

Dialog me ‘shtratin’ e Skënderbeut





Inverness Terrace të Londrës
Lulet janë në garë drejt teje vijnë
Bashkojnë tërë ngjyrat e Botës
Një kujtim me ty, Skënderbe të ngrijnë...
(Autori)

Nga Fatmir Terziu

O shtrat i qetësisë! Art i përkryer pse je përfjetur?
Dallgëza të kripura kanë shkruar fatin tënd
Korijëza të turpshme kallinjsh kokëulur
Dremisin me ty bëhen palë
Fluturakët të erdhën, zgjohu bëhu i bindshëm
Kemi mjaft për të bërë...

Unë s’jam i mishtë
Që kurmin tënd të ftohtë ta grimojë
Po veç një qiraxhi i hapësirës tënde
I lidhur me jetën dhe kohën që ne plotësojmë
Që e di dhimbjen, dehjen, edhe atë të shkretë qetësi
Krejt përbotjen time e lexoj aty
Kërkoj të nderem i qetë si fllad mëngjesi
Të dëgjoj zërin e të parëve që të gudulisi ty
Të ndjej muzikën e gjetheve nën rrap
Dhe të ngrihem e të vazhdoj rrugën prapë...

Sa projekte u thurën tek ty o shtrat. Jeta
palë i bëri me dallgët oqeaneve
u përkundën pleq, burra, gra e fëmijë
bujtën herronj, trima e dushmanë të atyre anëve
ti dite të falësh me urti...
ca mbetën re të zeza si vetë tharmi i plagëve
dhe fare pak re të bardha u ngjitën në kaltërsi.

O kënd i prehjes! Bartës i jetës pse rri heshtur?
E sotmja vazhdon të trukojë shtratin tënd
Koha rrufjane djersit ditë e natë
Të rikthejë borxhin e përvjedhur
Fluturakët të erdhën, zgjohu bëhu i bindshëm
Është ende rrugë e gjatë...