e hënë, prill 01, 2013

Mizori nën Përkujdesje!




                        Poemë   nga Nimfa Hakani
Kushtuar Hallës time L.H.  dhe ish bashkëshortit të saj   N.H ., i dënuar politik, dy bashkëvuajtës të kahjeve të ndryshme të një fati absurd si i shumë të tjerëve të një kohe tepër komplekse dhe të vështirë!
Si në një ëndër të keqe,
një natë. . .
Ndërsa djalin nëntë muajsh,
në shtrat po mëkonte,
e  me dashuri të thellë prej nëne
me buzëqeshje në fytyrë,
ëmbël po e vështronte,
fytyrën e tij të vockël me sy të mbyllur. . . 
E  tek me kënaqësi shihte,
se si kulloshtra e saj,
nga buzët njomështake,
në trupin e vogël me ngutje,
duke u përpirë gurgullonte. . .
Një zhurmë gjëmuese papritur,
në portë u dëgjua.

Tek dera ca silueta të errta,
befasisht u shfaqen,
nga shtrati të dashurin burrë,
forcërisht ja xhvatën.
Brutalisht,
dashurinë e jetës ja rrëmbyen. . .

Entiteti në të cilin, ajo
besimin e saj rinor,
kish përkushtuar verbërisht. .  .
Atë natë,
gjithësinë e saj,
e tronditi tërësisht.

E hutuar,
e tronditur,
dhe shumë e çoroditur,
me botën e saj,
të kthyer përmbys
jastëkun e lagu,
me netë të tëra,
përgjigje,
s’gjente dot  nga askush!


Shpirti i dhimbte,
më keq se një plagë,
podiumet e shumta,
ku shpesh e vinin,
gjysmën bosh të shtratit,
për t’i kompesuar,
dot s’ia mbyllnin,
humnerën,
që thellë në shpirt,
ata ja kishin krijuar.

Në çdo podium,
errësira e qelisë së tij,
sytë ia vishte,
dhe shihte sallën si një masë amorfe
Dhe  një maskë mësoi të vërë,
ndjenjat të fashiste,
kur  fytyrën e tij të çfaqur para saj,
qartë ia shihte.

Me kohë mësoi,
jetën ta kalojë
në podiume dhe mbledhje,
e të mpijë,
konfuzionin,
në mes të përkushtimit,
dhe gëlimit të heshtur të mosbesimit,
Dhe dhimbjen e fortë,
që atë natë të errët pësoi
që jeta,
si një fat ogurzi,
ashpër, befas ja lëshoi,
dhe jetën e saj të re,
pa filluar ende mirë,
përgjithmonë ja ndërpreu,
përmbys ia ktheu,
e përherë ia ndryshoi,
thellë në qeliza të saj,
duhej ta fshehë,
Mirë kuptoi!

Një ditë,
kur ndjenjat e saj,
mpirë ishin tashmë,
e bota rreth ngurtësuar,
e formë statike,
prej vitesh  kishte marrë,
Përpara saj,
një fytyrë me rrudha të thella,
por tepër e njohur,
njëkohësisht,
e largët dhe e panjohur,
reale nga mosekzistenca,
papritmas përpara iu çfaq.

E pa me sytë e tharë,
dhe therrje të fortë ndjeu në gjoks,
rrënqethje të ftohta,
shpinën ja përshkuan,
lutjes së tij,
sikur të ish dikush i huaj,
në vënd të saj,
“Me tët bir, ti s’takohesh dot,
dhe mua,
gjë, s’më ke më! “
–i tha me zë të thatë.
kur për këtë ditë,
për shumë vite kish ëndërruar.

Donte atë ta prekte,
në krahët e saj ta merrte,
më një përqafim,
dhimbjen e errësirës t’ia hiqte,
dhe në bashkim me të sajën,
t’u vinte të dyjave dhimbjeve,
melhemin e harresës,  
por, kurrizin eshtror ia ktheu,
dhe aty e la,
ashtu të vetëm e të përvuajtur,
nga vitet në skëterrë,
dhe më shumë,
të tronditur nga reagim i saj.

Ai, në vite,
menduar kish për këtë ditë,
Atë,  dhe të birtë,
përsëri ,
në jetë të tij t’i kishte,
pas gjashtëmbëdhjetë vitesh,
mbyllur në qeli,
s’e e dinte që,
gabim bërë s’kishte.
Por vetëm,
një kurriz të dobët,
të largohej pa,
dhe atë, vajzën e tij,
tashmë në vite të « vrarë »,
shikonte përsëri,
tutje t’i ikte,
dhe dhimbja,
përsëri, më e egër brënda iu rrit,
me çapa të ngadalta,
u largua,
deri në një vetëhumbje të përzhitur.

Tutje, duke ikur,
dhimbjen  e  tij,
ajo ndjeu,
por kokën mbrapsht
dot s’e ktheu,
Atë, që jetën e saj,
dikur,
me dashuri e kish mbushur,
dhe gëzimin,
e fëmijës së parë i kish dhuruar,
Atë, që sot për të dytën herë,
ish tradhëtuar,
por këtë rradhë ,
prej saj ikte e ikte,
tepër i zhgënjyer.

Ai djalin e tij,
gjashtëmbëdhjet vjet pa e parë,
Mundësi s’do të kish,
një përqafim t’i jipte,
në jetën  e tij,
Mundësi,
me e pasë pranë,
ta shihte burrë të bëhej,
më s’do të kishte!

Jastëkun përsëri,
ajo për netë të tëra. 
lagu,
plaga e  mbyllur ,
përsëri u hap.
Vite të tëra,
u desh të kalonin,
që ngurtësia,
një maskë të  ishte,
përsëri në fytyrë të saj,
që asnjeri,
atë dhimbje therrëse,
t’ia shihte !

Dhe vitet kaluan. . .
Ajo në podium,
me barkun shterë,
Ai  një jetë të thjeshtë,
me një familje të re,
Ajo,
dhimbje ndjente,
sa herë  dëgjonte një fëmijë,
atij në jetë i vinte,
Ai,
për fëmijën e parë,
përherë mendonte,
kur gruaja një fëmijë,
tjetër i lindte.

Dhe dita erdhi,
Ai në përjetësi,
një ditë kaloi,
diku lajmi udhë mori,
tek ajo, tashmë tepër  e plakur,
si pëshpërimë e heshtur,
lehtë kaloi.
E mori rrugat,
pa i thënë askujt,
ashtu e tronditur,
për humbjen e tretë,
të të përjetëshmes të saj humbje.
E vetme, me sytë të gozhduar në boshllëk,
Para gurit të varrit të tij qëndroi,
në qetësinë e kobëshme të varrezave,
Ashtu e vetme,
siç kishte qënë tërë jetën,
rreth e qark vështroi,
veten më në fund tërësisht e lëshoi.

Në të hapur,
lot derdhi për të parën herë,
e përsëri kush nuk ja pa,
Atij falje i kërkoi,
për një faj,
që s’ish krejtësisht i saj,
e dhimbja ju rrit si jo më parë,
gjoksin ja shkundi si tramundanë.
Në gjunjë u ul,
 e puthi gurin e ftohtë,
nën të cilin ai shtrihej,
më në fund i qetë,
pa kokëçarjet dhëmbjekrisura,
të kësaj bote të mjerë…
Kjo ishte
puthja e ftohtë e  parë,
pas dyzet e pesë vjetësh
që nga ajo natë ogurzezë,
Me të gurtën pllakë mortore,
që nga trupi i tij,
e ndante tashmë përjetë.


Dhe me lotët e nxehtë, që ai kurrë
s’ia kish parë,
lëshoi mbi pllakën e gdhendur,
lehtazi  e ngrohu,
si t’i jepte eshtrave të tij pak jetë,
nga çfarë në të kishte mbetur.

Ti ishe i vetmi,
që unë pata në jetë!”
lehtë i foli,
“Më fal, Më fal, Më fal ! 
për birin që ty unë s’ta lejova!
  nga krahët,
kur ti ma kërkove,
për të dytën herë,
unë,
ty ta zhvata!” 
i pëshpëriti, dhe. . .
dhe si fajtore shtoi,
me një zë që,
as ajo vetë s’e  dëgjoi,
“Që të tjerë unë të shpëtoja!”

Ndejti mbi të tijin varr,
as ajo s’e dinte sa kohë,
Dhe ashtu e drobitur,
më në fund, dikur zbriti kodrën,
urbanin mori, të kthehej,
pak të pushonte,
në shtëpi tek i vëllai,
para se,
në Elbasanin e saj,
të shkonte të prehej,
në dhomën e zbrazët,
mes mureve të ftohtë,
shoqëruese të vetme,
 të vetmisë amorfe,
së tërë atyre viteve.

E mbesa kur  e pa,
Pasi një kafe të nxehtë i bëri,
si e re kurioze, pa patur asnjë ide,
për dhimbjet që e emta,
në jetë kish kaluar,
e pyeti thjesht,
jetën e saj e të tij t’i tregonte,
duke menduar rioshja vajzë,
se jeta pas kaq vitesh,
plagët do t’i kish larë,
dhe një rrëfim,
të emtën do ta ngushëllonte,
në kujtime të zhytej,
jetën dhe vdekjen,
atë ditë në kujtim të tij të kremtonte.

Por, e befasur,
një fytyrë tejet të shpërfytyruar,
përpara vetes pa,
një fytyrë,
e një palë sy si të verbuar,
ku dhimbja dhe vuajtjet e viteve,
u çfaqën njëherësh si një urugan,
ku ajo, për të parën herë,
lexoi befasisht, tërë
vuajtjet e të emtës së saj të dashur,
të skalitura në ravijëzimet rudhore,
“Ç’farë do  ti të dish!?”
dëgjoi një zë klithës,
të ngjirur,  të tjetërsuar,
njëherësh tepër të egërsuar,
që dukej,
nga i thellësia e qënësisë së saj vinte,
që asaj s’i drejtohej, por. . .
ku dhimbja, zemërimi, dhe lëndimi,
i tërë dyzet e pesë viteve në vetmi,
në të njëjtën kohë shpërthyen me furi,
nga ato pesë fjalë të shkurtëra,
si e papritur stuhi,
tërë duf të lëshuara,
dhe të emtën pa,
që nga dhoma doli me shpejtësi,
dhe ndjeu sikur,
një urugan fort në fytyrë e qëlloi,
dhe lëndimin e thellë,
në dekada të fshehur,
papritur njëmëndësoi!

Paaftësinë e së emtës,
për të shprehur me zë të lartë,
pas dekadash të tëra heshtjeje,
dhimbjet që diku kish varrosur,
e thellë të ndrydhura,
në abstraksionin e hapsirave
të ndërlikuara shpirtërore groposur,
dhimbje,
që aftësinë e rënies së lirë kishin humbur,
Kuptoi!

Dhe ndejti një copë herë,
e shtangur në mes të dhomës
në përthithje të një realiteti,
për të, krejtësisht të panjohur!


 Mars, 2013
Shënim: Ja përkushtoj këtë poemë gjithashtu, M. N. , si dhe të gjitha atyre grave  shqipëtare anembanë Shqipërisë, që një tragjedi paradoksale  të ngjashme përjetuan.