Analizë e kreut të njizet’e dytë,
Krye aq i përfolun sa me tê âsht dashtë me u pergjakë e përbaltë me keqdashje edhe vetë
Kanuni.
Hartuar nga :
Mërgim Korça
Në vazhdim do t’a vini re e më pas edhe do t’a
kuptoni se përse, ndonëse bir i një korçari si edhe i një gjirokastriteje, e
ndjej nevojën që sot, i ndodhur në zemrën e Mirditës e duke trajtuar një temë e
cila thelbësisht ka të bëjë me si rregulloheshin normat e etikës si edhe të
moralit të malësorëve të trevave të Veriut, t’u drejtohem pjesëmarrësve të
këtij tubimi në të folmen gege !
Âsht bâ zakon në kësi rasash qi ligjëruesit e
fillojnë hymjen e kumtesës së tyne me fjalët ... jam shum’ i emocionuem ...
ndjehem shum’i nderuem qi m’u dha rasa ... Un kam m’u mundue t’i shmangem
ksaj praktike e cilla âsht bâ stereotípi n’ksisoj rasash, por jam i
mêndimit se pjesmârrsit e ktij tubimi madhuer kanë m’e kuptue mirfilli se ...
shmângia âsht artificiale edhe se un vërtet
jam daç i emocionuem e gjithashtu e ndij vedin edhe të nderuem ! Për m’e kuptue gjêndjen tême shpirtnore,
emocionet qi ndij si edhe kënaqsínë qi kam qi m’u dha rasa m’i prûe disa prej
kujtimeve t’mija të rinisë herëshme këtu në kyt auditor, duhet me më falë ...
por duhet të ktheheni s’bashkut me mue mbi gjashtëdhet vjete mbrapa ...
Kish javë të tâna qi bijshem me fjet’edhe u
çojshem në nâdje prej gjumit me mêndimin e ngulun se kur, i ndjêmi êm Atë, kish
me vêndosë e të shkojshim me tê n’Orosh te Kulla e Gjomarkajve ku na kishin
ftue, me bujarín’e tyne t’ zakonshme At edhe Bir, Kapidani i Mirditës Gjoni si
edhe i biri, Marku i Gjomarkajve. E nji
ditë t’ bukur Prêndvere edhe ajo ditë erdh !
Nuk kam me u zgjatë tue diftue se
si deri n’ Milot udhtuem me vetura e mandej atje, (ku axha Marku edhe u
ndal m’u ndrrue e me u veshë me veshjen mirditore), i-a hypme kualve ... edhe e
majtme frymën bash n’kët truell ku jena sot, n’Orosh. As nuk kam m’u ndalë e t’a përshkruej Kullën e gurtë të
Markagjonve e ndërtueme ajo mbi nji kreshtë kodre, gjâ e cilla pa t’a diftue
kush, me madhështín’e saj e paraqit’te vedin se cilla edhe e kuj ish! Të tâna këto i përshkrova fluturim me
t’vetmin qëllim të dyfishtë qi i tânë auditori, i cilli m’nderon sot tue e
ndigjue kët kumtésë, t’a kuptojnë se me t’vërtetë kam arsye me u ndíe shum’i
prekun shpirtnisht. Kurse, m’ânë
tjetër, t’ju diftoj ndigjuesve se
interesi êm lidhun me t’kuptuemt e interpretimit të Kanunit të Maleve,
shkëndínë fillestare e pati përgjat diskutimeve qi bâjshin êm Atë me Kapidan
Gjonin si edhe me djalin e tij, Markun, (qi ishte njoftës edhe spjegues sa i
thêll’edhe i hollë i Kanunit të Maleve në at rasë si edhe n’ vazhdim, me
kalimin e vjeteve). Përgjatë ksaj
hullíje nuk mûndem m’e kalue pa e theksue edhe nji fakt i cilli merr rândsí për
vetë temën qi diskutohet : Kapidan Marku
ish’i diplomuem n’jurisprudencë, pra ish nji specialist n’fushë të drejtsísë si
edhe të ligjeve e ksisoji te aj ishin ngërthye njoftja e dokeve edhe e zakoneve
të mbrûeme përgjat nêneve të Kanunit me thármin e përvojës popullore ndër
shekuj, ndërthurë kto me optikën e t’pamit edhe t’gjykuemit të tyne simas
optikës nji juristi.
E bâna ktê hymje për dy arsynat qi spjegova
n’fillim, kjo âsht’e kjartë. Por m’ânë
tjetër, megjithse vetëm dy net kjene ato t’kalueme n’Orosh, âsht’e vërtetë, por
diskutimet e atyne dy netve m’a ndêzne fantazinë t’ême e ksisoji n’vazhdim, sa herë qi diskutohej
rreth problemesh t’Kanunit n’mjes Gjomarkajve, Mustafa Merlikës, Imzot Luigj
Bumçit, si edhe me miq tjerë të t’êm
Eti, un vesht’i bâjshem pípza ! Ksisoji
fati êm m’i pasë ndigjue ato biseda prej dore t’parë njoftsash t’Kanunit, e
doemos mandej tue e lexue e rilexue Kanunin përgjatë vjetesh, sa víte edhe me
gjykim gjithmon’edhe mâ t’pjekun, më bân me i shtrue sot disa probleme rreth
tij t’cillt kam vjete, bilé dhetvjeçarë q’i bluej n’mênde t’êmen. M’e analizue gjânsisht e mos me lânë “i”
përpa ia vûe pikën n’krye, âsht e kjartë se jo vetëm qi del prej caqeve të nji
kumtése, pa xânë n’gojë se del ndoshta edhe caqesh njoftunísh t’mija. Por, tue e pasë fatin m’i pasë ndigjue
gjykimet rreth Kanunit prej gojësh personalitetesh prej mâ t’shquemeve n’lâmë
të kulturës n’përgjithsí e mândej edhe t’Kanunit n’veçantí, mêndoj se nji farë interesi kish m’e njallë
me ju a bâ me dije s’pari dialektikën e t’shtruemit të problemeve e mandej edhe
hapjen e horizontit qi ju bân prûemja para jush se si ata intelektual’i
interpretojshin pikat kardinale të Kanunit.
Nisun tash prej përvojës atyne msimeve po mundohem, s’bashkut me ju, me
ia hye disa arsyetimeve e xjerrjes edhe të disa përfundimeve qi t’na e shtrojnë
rrugën m’e gjetë nji êmnues t’përbashkët
m’e gjykue Kanunin pa paragjykime.
Âsht e kjartë se përgjatë periudhës diktaturës
Kanuni âsht kênë trajtue si bartës i të tâna të kqijave t’asaj bote edhe bilé
kje reduktue n’spjegim sikur Kanuni i gjithi s’ish gjâ tjetër veç nji kod
gjakmarrjeje. Kjo boshsí njoftuníshë si
edhe informacioni krejt t’njianshëm e t’cunguem, por dashakeq, nuk kish se si
mos me pasë ndikue mandej në brêzat e mâvonshëm, t’cillt nuk kanë faj se ashtu
janë kênë edukue n’shkolla e universitete, e sot sa herë qi vriten dy
trafikanta a hajduta ordiner, me gêrma kapitale gazetat i titullojnë artikujt e
tyne sensacionalë : U vranë tre
veta në Shkodër. Veproi edhe një herë
Kanuni ! M’ânë tjetër, specialistat e fushës të së drejtës civile
apo penale qi n’kohë të diktaturës përgjatë dhetvjeçarve e kishin marrë me tapí
t’kênit akademikë, njêna palë sot heshtin (e bâjnë mirë qi heshtin), kurse janë
nji takâm qi edhe sot duen m’u paraqitë gjuja specialista edhe n’fushë
t’Kanunit. Amani more, nuk ju mjaftuene
dhetvjeçarë tue predikue e gjykue n’bazë moralit komunist po edhe sot, kah
flitni për Kanunin, vazhdoni e propagandoni se si Kshillat Nacional Çlirimtare
synim kryesuer kishin pajtimin e gjaqeve!?
E kush na paska pajtue gjaqet, komunistat q’e ndezne luftën civile? Ata qi me atentate vrane e zhdukne njerzit e
shquem të kombit tonë? Lene mandej qi
ata qi nuk u vrane me atentate u pushkatuene prej gjygjeve t’ashtuquejtun të
popullit ! Ky kje pajtimi i gjaqeve,
n’kundërshtim me Kanunin? A mos
Bataljoni “Hakmarrja” u krijue m’i pajtue gjaqet ? Po kta specialista, edhe sot e quejnë se si
Kanuni i ka marrë nepër kâmb’edhe të drejtat e grave. Dakord.
E pranojmë për nji çast. Po un’i
pves kta zotnij, Kanuni a ka veprue në Mesjetën e hérshme apo në
t’njizet’enjitin shekull? Si bâhet pra
qi me synin e t’gjykuemit t’sotshëm dona m’e dënue Kanunin? E përgjatë ksaj hûllíje jam kah u bij nji
krahasim sa me ju shtîe sadopak n’mêndime.
Mêndoj se kushdo e konsideron traditën juridike romake qi ka bâ êmën
tashmâ n’të tânë botën me Kodin e
Justinianit të vjetit 529 (mas K.), t’quejtun Corpus Juris Civilis, i vazhduem
prej shkollës juridike bolonjeze t’Irnerios famshëm të datueme në vjetin 1100
(mas K.), si pararêndse të drejtsísë italiane t’sodit. Apo jo?
Mirpo a nuk ju duket për séri kah t’ju thom se gratë italiane e kanë
fitue të drejtën e votës hiç mâ parë por n’vjeten 1925 ?! E n’kjoftë se ky kish me kênë caku mâ i
shêmtuem n’trajtim t’grave n’gjiun e nji kombi t’civilizuem, kish me kênë gjysa
e s’keqes ! Po a e besoni se nji vênd
si Zvicra, ku 80 vjet mâ parë e ka pasë selín’e saj Lidhja e Kombeve e cilla
duhej m’i zgidhë të drejtat e popujve të tânë rruzullimit, të drejtën grave me
votue ju a ka dhânë hiç mâ parë por në vjetën 1972 ?! Pra, pa dashtë me shkue mâ thellë n’ksi
argumentash, i prûna kta qi kah t’flasim rreth Kanunit t’jena mâ me kâmbë
n’tokë.
Nji tjetër problem qi duhet shestue âsht edhe aj i
asaj kategoríje hulumtuesash mâ t’rij n’moshë, por prepseprep pinjoj t’atyne juristave
komunistë, t’cillt t’shkolluem në Prêndim, (ku veç ata muejshin me shkue),
qi duhet t’a kuptojnë se Kanuni jo qi nuk duhet me përbâ objekt zhgjetimi
n’vetvedi por përkundrazi duhet me i a vûe n’dukje ânt’e mira e tejet pozitive
qi ka pasë n’kohë t’vet, se ksisoji veç’e nderojmë Kombin t’onë. E ktu fillon tash e keqja e tyne. Ata, m’njén’ânë nuk kanë si mos me kênë
t’ndikuem prej trysnís prindve t’tyne qi Kanunin e dogjne n’turrë të drûve, e
m’ânën tjetër, tue mos pasë asnji mundsí kontaktimi me ata intelektual
shqyptarë q’e njoftne Kanunin me temél, boshllekun gjysëshekulluer e plotsojnë
tue ndigjue krejt n’mënyrë pindarike pohime ose konsiderata prej njerzish qi
Kanunit mâ shum vetëm i a kanë ndíe zânin, ose edhe tue bashkpunue me autor
prêndimorë qi Kanunin e kanë kqyrë me syt’e ândrruesve idilíkë qi n’tê shifshin
të zbatuem në praktikë përgjatë fûndshekullit XIX e fillimit të XX-tit kodet
zakonore të tynet si fjalavjen Magna Carta-n e Anglisë të nênshkrueme prej vetë
mbretit Jovani i Patokë n’vjeten 1215 e qi ky dokument njifet edhe si teméli i
par’i Common Law-s angleze !
Për m’e pshtetë kët pikpamje t’êmen po ju bij nji shêmull. Koloneli Oakley Hill, organizuesi i
Xhandarmerís Shqyptare përgjatë vjeteve të Monarkísë, i pat thânë t’êm vllá në
Athinë në vjetën 1953, se ândrra e tij kish kênë, kur t’delte n’pensjon, me
pasë blé disa déle edhe nji dash e m’e
kalue jetën tue shtegtue n’Bjeshkt’e Shqypnísë ! Êm vllá e mori me rezervë ktê pohim të
kolonel Hillit, tue e quejtë shêj mirsjelljeje britanike. Mirpo kaluene vjete. I ndollun n’Londër me punë êm vllá kërkon
m’e tokue kolonelin, mirpo aj ndërkohë kish ndrrue jetë. Atbotë i shkon për vizitë ngushllimi
s’shoqes kolonelit. E ajo, n’bised’e
sipër, tue dashtë m’i diftue mikut shqyptar se sa i lidhun kish kên’i
shoqi shpirtnisht me Shqypnín’edhe shqyptarët ... ia difton s’ríshmi t’êm vllá
at ândërr t’parealizueme të t’ndjemit kolonel Oakley Hillit ! E
prûna ktê shêmbull tipik për me diftue se analiza e Kanunit nepërmjet optikës
dashamirsve prêndimorë âsht lerg realitetit shqyptar edhe t’asaj kohe, lêne
mandej m’e gjykue për mâ lashtë.
E keqja mandej thellohet edhe mâ kur studjuesat
shqyptarë qi xûna n’gojë mâ nelt, për me kênë objektivë, citojnë prep studjues
t’huej e mâdje edhe bashkpunojnë me ta për punime rreth Kanunit, ku mosnjoftja
e ktyne t’fûndit aspak të historisë mjedisit shqyptar t’Bjeshkve t’ona, (lêne
mândej t’mentalitetit malcorit t’onë përgjatë shekujve), i bân ata m’e krahasue
Kanunin t’onë, për rreptsí, me Kodikun e Hammurabit të 1700-nës (para K.) ku
ish dallues kushti penal “sy për sy e dhâmb për dhâmb”!
Përgjatë ksaj hullìje po marr dy shêmuj tipikë,
gjykimi i t’cillve t’a skjarojnë pozicionimin t’êm n’vazhdim. Un pohoj se studimet si edhe analizat në të
tâna fushat, e posaçe n’lâmë t’Kanunit, duhen mirpritë e gjithashtu duhet
mundohena mos m’u ndikue aspak (mrênda mundsive) prej paragjykimeve përkundrejt
autorve të tyne. Ky kish me kênë
kriteri mâ i afërm i s’vërtetës qi kërkohet.
E konkretizoj tash kët pozicionim t’êmin. Sa i
tokon mospasjes asnji paragjykimi prej anës s’ême, un personalisht kishjem me
dashtë qi nji prof.Ismet Elezi, (pamvarsisht se ka kênë shef i Kolegjit Juridik
të Kryeministrisë), apo kushdo i arádhs tij, me përvojën teknike si edhe
zgjânimin e fushës njoftuníve t’tynet t’fitueme për dhetvjeçarë rresht n’lâmë
drejtsíje si edhe sociologjíje, t’a analizojshin Kanunin tue i harrue
paragjykimet komuniste. Ky kish me kênë nji hap i madh përpara
n’zbatim të pikpamjes s’ême qi nuk
mundet m’u levdue kurrsesí ajo qi nuk njifet ose me vûe n’dukje vyemje t’nji
gjâsêndi qi s’njifet. Pra, kompetencën e
ksaj kategoríje profesorash, un’e
vlersoj shum. Gjithashtu duhet vlersue
kah prof.I.Elezi edhe vetë detyrohet me pranue se shkrimet e tija janë kênë
përshkue prej citateve me përmajtje politike e ideologjike, derisa politika
edhe ideologjíja ishin sunduese.
Gjithashtu ai vetë pranon se duhen rivlersue si pikpamjet e gjithashtu
edhe mendimet e tija t’asokohet, (flet për kohën’e diktaturës). Deri ktu jam plotsisht dakord qi profesorin
n’fjalë jo qi mos m’e paragjykue por m’e mirpritë me studime të tijtë. Por e keqja âsht se ato pikpamje edhe idé
atij me shokë u janë infiltrue n’gjak e aj shkon kah shkon e jo vetëm përgjatë
diktaturës kur aj me shokë e kanë hjedhë hapin simas vázet, por edhe sot
vazhdojn’e flasin me bindjet e dikurshme t’cillat as qi pranojnë m’i
rivlersue. Konkretisht edhe sot
prof.I.Elezi vazhdon e i bjen gozhdës n’krye tue përmêndë se si Rezolucioni i
Konferencës Pezës parashikote pajtim gjaqesh ose xjerr tabún’e Kshillave
Nacionalçlirimtare lidhun me luftën e tyne t’vêndosun n’pajtim gjaqesh ! Kah profesori i nderuem vazhdon edhe beson
n’ato qi prep i përmêndë sot, e nuk e shef se ato kshilla e ajo luft’e quejtun
antifashiste çoi në luftën civile veç m’e marrë pushtetin n’dorë, vërteton pa
as mâ t’voglin dyshim se aj vazhdon me kên’i indoktrinuem e nuk mundet m’e
gjykue paansisht Kanunin. Aj flet për
Konferencë Peze edhe Kshilla Nacionalçlirimtare, por nuk âsht futë kurr e me
analizue se në Pezë vazhdote ênde me
kênë ndikimi i Abaz Kupit me shokë e lêne mâ mbrapa kur të tânë të
drejtpeshuemt’e Lëvizjes N.Çl. si Riza Dani, Sheh Karbunara, Dr.Enver Sazani e
Shefqet Bêja me shokë u pushkatuene si tradhtarë. Pra
ajo luft’e cilla filloi e kamuflueme si Nacional-Çlirimtare, kje tamam luftë
civile për marrje pushteti e mandej n’vazhdim edhe dhun’e egër mbrênda
t’njajtit soj, veç për majtje pushteti
!
Kalojmë te rasti i dytë. Vërtet pinjuell i bashksísë q’e dogji
n’zjerm Kanunin âsht edhe zotni Fatos Tarifa Ph.D. Por vullneti i tij i mirë m’e studjue
Kanunin n’përgjithsí e gjithashtu edhe vetë gjakmarrjen simas Kanunit, n’mënyrë
t’posaçme, tue hulumtue sa ka muejtë rreth tij, nuk kam se si mos m’e quejt nji
fillim sa të mirë e gjithashtu edhe t’vyem.
Pa hye n’hollsina, veç apriorí, un’e kam bindjen se ky studjues âsht mâ
pak i indoktrinuem se sa prof.I.Elezi.
Pra, pamvarsisht se edhe ky ka shërbye si profesor i shkencave politike,
prepseprep jam shum dakord qi, n’kjoftë se ky ka vullnet’e dishirë m’i hjedhë
mas krahve paragjykimet, kish me kênë nji studjues shum mâ i paanshëm i Kanunit
se sa prof.I.Elezi me shokë. Kjo pak,
por e sigurtë. Vijmë tash te thalbi i
problemit. Lidhun me zotni Tarifën un problemin
e shtroj ksisoji : Zotni Tarifa ka
botue nji shkrim si pjes’e nji bashkpunimi me prof. Jay Weinstein për nji
vëllim rreth Kanunit. Shkrimin e tij aj
e fillon tue citue studjuesin e huej John Scriven, i cilli hjedh tezën se
malcorët kur nuk kishin se me kê me luftue, luftojshin n’mjedis vedit. Ose vazhdon tue citue J.J.Huttonin qi pohote
se shqyptarët e Malcive t’Veriut janë krenarë të vetizolimit tyne. Mandej vazhdon me teorinë neomaltusiane të
Carleton Coonit e ksisoji citohen jo pak por mbi 18 autorë të huej. Dakord.
Me sinqeritet e pohoj se e vlersoj mundimin e z.Tarifa me hulumtue rreth
Kanunit e shka kanë thânë t’huejt për tê.
Por ama nji studjues i mirfillt’edhe i paanshëm, i cilli don me i u
shmângë ndikimeve paragjykuese me t’cillat e kaluemja e tij mundohet me i a
turbullue nenvetdijen e tij, nuk kam se si t’a pranoj qi ndër shqyptarë t’i
referohet vetëm nji studjuesi tashmâ të dekun, At Gjeçovit. S’parit, i ndjemi mbledhës i Kanunit ka gadi 80 vjet qi
s’jeton mâ. Dorshkrimet e tija, pa
dashtë m’u bâ atyne asnji aluzion negativ, u mbajtne mbi pêsë vjet pa u botue e
ksisoji as vetë Ati nuk e mori kurr vesht me dallue se shka ka shkrue vetë e
shka i âsht vûe n’gojë, mbas botimit.
Ktu për mue tash pika e udhës kryq me zotni Tarifën. Dyshimi m’lind, sa i tokon sinqeritetit të
studjuesit të nderuem, a ka se si aj me hjekë dorë prej ideologjísë kalueme qi
e mbruejti edhe e formoi atê, e me u bashkue n’hulumtim t’paanshëm të
problemeve t’asaj Kushtetute t’pashkrueme q’e ka rregullue për shekuj n’vazhdim
jetën e banuesve të trojeve t’ona heroike veriore e qi u quejt Kanuni i Maleve
? E materializoj dyshimin t’êm i cilli
uroj të jet’i gabuem. Zotni Tarifa nuk
ka se si mos m’e dijtë se për m’e dhânë nji gjykim të drejtpeshuem rreth
dishkaje patjetër qi duhen ndigjue si “pró-të” e gjithashtu edhe
“kundra-t”. Tue kên’aj i detyruem me u
pshtetë vetëm n’pohime të t’huejve n’gjykime t’dhânuna rreth Kanunit e
gjithashtu edhe vetëm shka ka lânë t’shkrueme At Gjeçovi, si nuk i u dhá atij e
m’u tokue për s’gjalli në New York me njérin qi
e quejnë mâ ekspertin n’fushë të s’drejtës kanunore, Kapidan Ndue
Gjomarkajn ? Kapidan Ndoja, mir’ose keq
âsht pinjuell i Kapidan Gjon Markagjonit.
Shum të gjân’e të shtrîme e ka aj përvojën e jetës n’përgjithsí e doemos
edhe rreth Kanunit, në veçantí. Âsht’i
shkolluem në shkollën e mesme me êmnin ndër mâ t’famshmit n’Europë, në
Terezianumin e Vjenës. Ka studjue jurisprudencë
në Firenze. Me gjith 90 vjetet qi ka
n’shpindë, kush e njef edhe e tokon ven oroe se aj ruen nji kthjelltsí mêndore
me i a pasë lakmí secilli i ri. E pra ktu edhe udhkryqi êm : tue mos e shfrytzue zotni Tarifa mundësínë
qi ka pasë m’e ndigjue, kur kje ambasador në Washington, edhe kumonën e Kapidan
Ndue Gjomarkajt rreth interpretimit të Kanunit, a kish m’u gjykue kjo munges’e
zotni Tarifës nji rastsí apo nji mungesë dishire m’u përballue me fakte edhe
interpretime t’cillat kishin me ia shpupuríshë atij vijën q’i ka caktue vedit
aj paraprakisht m’e ndjekë ? Un, prej ânës
t’ême, mostokimin e studjuesit F.Tarifa me Kapidan Ndue Gjomarkajn e shof si
nji humje rasti fatkeqe për vetë studjuesin, për mos m’e shtye vedin mâ thêllë
n’supozime. Megjith’atê, Zoti i dhashtë
Kapidan Ndues jetë të gjatë e me shëndet të plot’ashtu si e ka, kurse
studjuesit në fjalë Zoti i dhashtë drejtpeshim edhe urtsí qi veprimet e tija n’vazhdim n’fushë
hulumtimi rreth Kanunit, brêznít’e ardhshme, t’i gjykojnë pozitive.
Mbasi saktësova e vûna besoj n’qêndër t’vemêndjes
të ndigjuesve kriteret n’bazë t’cillave e shof un të pshtetun n’temele
shkencore t’gjykuemt’e vlerave edhe të mangësíve eventuale t’Kanunit t’Maleve,
po e nxâ fillë diskutimin e disa synesh.
Qysh n’lashtsí t’kohve, kur njerzimi filloi me u
zhvillue, padyshim qi u ndíe nevoja me përcaktue karshi veprimeve t’padrejta
t’individve t’veçantë edhe dënime të drejta. Vetëm pshtetja n’kto temele ka lindë qetsínë
si burim i lumtunísë njerzimit, objekt ky kryesuer i secillit bashkshoqnim të
shoqnisë njerzore. Me pak fjalë, përcaktimi
saktsisht i t’drejtave t’njérit edhe garantimi i ushtrimit t’ktyne t’drejtave,
janë baza e organizimit shoqnís njerzore mbi temele drejtsíje. N’kohën kur ka veprue Kanuni i Maleve, te na
as qi mund t’bâhej fjalë për ligje t’shkrueme përderisa na nuk kena pasë nji
shtet t’onin. Prandej Kanuni merr vlera
shum t’mdhaja sepse aj shtrote para banorve t’krahinave ku veprote të drejta si
edhe detyrime. Aj i përcaktote të
drejtat, kjo âsht mâ se e vërtetë, por m’ânë tjetër i nenvizote edhe veprimet e
ndalueme si janë kênë krimet e gjithashtu difton edhe detyrimet t’cillat u dote
m’i dijtë secilli. Ksisoji, n’pamje
t’përgjithshme, e ndij nevojën me shtrue nji problem themeluer : me marrjen e pushtetit prej komunistave
primja e përgjithshme kje me u ra vízë tâna caqeve t’mbrrijtuna n’tkaluemen e
me fillue me diftue se Shqypníja e ka fillue historín’e saj prej xeros me
vêndosjen e Pushtetit Popullor. N’kët
mënyrë historija jonë komtare u reduktue n’maksimum, shka don me thânë
n’minimum t’vlerave t’saja ! E pra edhe
Kanuni u dënue me ostracizim t’tijin, ( ostracizmi ish nji institucion juridik
i demokracisë në Athinën’e Lashtë, me t’cillin u përjashtojshin prej saj për 10
vjet ata q’e rrezikojshin gjytetin.
Simas Aristotelit ostracizmin e ideovi Clisteni në vjetin 510
p.K.). Ky qindrim i majtun karshi
Kanunit në nji kohë qi âsht vûe n’dukje jo vetëm prej Atë Sh.Gjeçovit, por edhe
prej studjuesish të tjerë se ka t’përbashkta t’mdhá n’mjes Kanunit si edhe
Kodit të famshëm të Manú-s të Indisë, (1280 – 880 p.K.). Kurse prej t’lergtit fundvjetë 1944 e deri
në 1990-ën Kanuni kje identifikue veç me gjakmarrjen edhe e keqja âsht se edhe
sot e ksaj dite pak a shum vazhdohet edhe i bihet njasaj bire fyelli t’cillën
aq keq e kanë shfrytzue të tânë antishqyptarët !
Kanuni i Maleve i cilli u botue në vjeten 1934,
pêsë vjet mbas vrasjes At Gjeçovit,
(simas shënimeve të tija), âsht i përbâmë prej 12 t’ashtuquejtun librash. Secilli libër mandej dahet në krénë,
kta dahen në nyje e secilla nyje në paragrafë. Për m’e trajtue problemin q’i kena shtrue
vedit, padyshim qi kriteri shkencuer kërkon qi n’kandár të merret parasysh
analiza e raporteve statistikore qi xânë
krenët, nyjet si edhe paragrafet qi trajtohen.
Pra n’shumatore Kanuni i Maleve 12 librat e tij i ka t’damë në 24
krenë (âsht rastësí qi numri i krénve tokoi dyfishi i numrit librave), 159 nyje si edhe 1263 paragrafë.
E gjith kjo larmí 1263 paragrafesh mishnon atê i
cilli për shekuj kje Kodi Civil si edhe aj Penal i malcorve të Shqypnisë Veriut
si edhe Kosovës.
Shqyrtue tash kta elemente formuese t’Kanunit,
lidhun me gjakmarrjen, e cilla trajtohet prej kreut të XXII-të, i përbâmë prej
23 nyjeve të tijat t’dáme në 168 paragrafë qi përbâjnë saktësisht : si numër nyjesh 14,6 % të nyjeve
t’përgjithshme të Kanunit, kurse si paragrafë kena t’bâjmë me 13.3 % të
totalit.
Shtroj tash pvetjen aspak retorike por shum
t’theméltë : a ka logjikë qi i gjith
Kanuni i Maleve të identifikohet krejtsisht me nji përbâs të tijin i cilli âsht
veç nji e shtata pjes’e tij, pastë kênë ky përbâs qoft’edhe mâ djallzori
ndërmjet t’muejtshëmve ? Jam i mendimit
se askush, i drejtpeshuem edhe i paindoktrinuem, nuk kishte me thânë PO !
Tue marrë parasysh se mas gjysë shekulli përbaltje
edhe shpifjesh kundra Kanunit, âsht krejt’e natyrshme qi janë brêza të tânë
t’cillt n’rasën mâ të mirë ... nuk e njofin hiç Kanunin. Mos m’u shtye mâ t’ânej e m’u thellue se si
propaganda kundra Kanunit ka bâ qi edhe kush i ka ndigjue nji fjalë ktu e nji
tjetër atje, krejtë pa përgjegjsí e vetëm me u bâ servilt’e diktatorit, kanë
shkrue edhe vepra tue e bâ lamsh t’vërtetën kanunore shto ktu edhe faktin qi
edhe m’e pasë n’dorë e m’e lexue Kanunin ... ata nuk ishin n’gjêndje m’e kuptue
gegnishten e tij. Kjo situatë tash mue
m’a shtron shtegun e m’a bân shum mâ t’kollajtë m’e trajtue atê qi e kanë
përftue si shêmtimin e shêmtimeve, trajtimin e gjakmarrjes, pra kreun e
XXII-të.
Prej 168 paragrafësh të kreut XXII-të, jam kah
ndalem ndër mâ t’rândsishmit e themelorët e tij, simas meje, sepse vetë koha
nuk m’a lejon t’merrem me secillin.
Krye i njizet’e dytë : Vrasa.
Nye e njiqind’e tetëmbëdhetë : Prita
§ 822. Prita âsht nji sjellje, me të cillën malet
e fushat e Shqypnís u vêjn pusíjt gjaksorvet a kuejtdo, qi të két menden me
vrá. ( Me dalë në pritë; me ndêjë në
pritë, me vû priten, me rá në pritë ).
Gjithsecilli qi e
lexon me shum kujdes fjalë për fjalë formulimin e paragrafit të parë të
kreut Vrasa, e kupton mirfilli se sa i drejt’e i ndershëm âsht
kênë konceptimi i vetë ktij paragrafi :
prita âsht përkufizimi i njaj veprimi tejet pozitiv edhe
t’levdueshëm m’e kapë për m’e
gjykue me Kanun ose po t’mos dorzohej m’e asgjâsue kriminelin mas veprës
kryeme, e gjithashtu m’e ndalë kriminelin potencial m’e krye nji krim.
Mendoj se kushdo q’e lexon tash kët
konceptim origjinal simas Kanunit i thotë vedit ... na e kem dijtë se pritën
e vênë njerzit qi duen me krye nji krim.
Kjo pikpamje pasqyrohet edhe në Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës së
Sotme Shqipe, ku fjala PRITË spjegohet
: grupi i njerëzve që përgjojnë në
një vënd të fshehtë për të sulmuar dikë në befasí. Prita partizane. Natyrshëm shtrohet pvetja : Cili përkufizim âsht mâ përqendrues edhe 100
% pozitiv ? Padyshim Kanuni ! Me Kanun
termi pritë nenkupton nji veprim ligjuer
në t’mirë t’krahinës ku aj vepron e ka tagër, (përkufizim i caktuem shekuj e
shekuj t’shkuem). Kurse përkufizimi
simas gjûhës normative shqype i vjetit 1980 kuptimin e ka të bigzuem : pa hye hiç n’konsiderata interpretimi politik
(prita partizane pozitive apo negative), ajo nenkupton se prita mund jet’e
ngrehun prej kriminelash apo edhe prej njerzish qi krimin e bâjnë tue mendue se
kanë të drejtë m’e krye atê. Nuk e bâj aspak me faj kët përcaktim, përkundrazi
e theksoj se ky përkufizim ka ardh’e âsht bigzue me kalimin e shekujve sepse si
etika edhe morali i shoqnisë kanë ndryshue.
Kurse § 822 i cilli nuk ishte vetëm përshkrues si fjalori por e
rregullote vetë jetën e Malcive t’ona kur as bâhej fjalë për Shtet Shqyptar po
lêne mâ institucione drejtsíje, ishte nji përcaktues qi m’njên’ânë dënote
vrasësin e m’ânë tjetër i delte pritë përhapjes krimit !
Un e shtroj tash çashtjen ksisoji : ky paragraf i cilli âsht’edhe i pari e temeli
i kreut rregullator rreth vrasjes, jo qi nuk flet kurrsesi për nxitje vrasjesh
po përkundrazi, për dënim krimesh t’kryeme e për parandalim krimesh
n’vazhdim. Por m’ânë tjetër, e vê
n’dukje edhe e theksoj, se po e gjykueme ket paragraf simas Kartës ONU-s të
1948-ës “Mbi të Drejtat e Njeriut”, e gjithashtu krahasue me normën se përpá u
vërtetue faji mund të quhesh vetëm i pandehun por jo fajtuer, ose edhe mâ
thêllë me shkue e m’e gjykue simas kritereve të orientimit m’e hjekë dënimin me
vdekje prej kodit penal cilidoqoftë faji i kryem prej t’pandehunit, jena kah e
gjykojmë Kanunin e Maleve si t’dojshim m’e pvetë Aleksandrin e Madh se sa kish
aj me i a vûe çmimin e shitjes nji veture Mercedes Benz !(???) Kurse un, n’daçin m’e gjykue Kanunin t’onë të
maleve drejtsisht e pa paragjykime, i
ftoj studjuesit të bâjnë krahasime daç me Kodin e Urukaginës (2360 p.K.) qi
ishin dispozita ligjore të Mesopotamisë lashtë, daç edhe me Kodin e Ur-Nammusë
(2050 p.K.), i cilli parashikote trup gjykues si edhe dëshmítarë nen betím, daç
me Kodin e Manú-s (1280-880 p.K.) i cilli njerzit i klasifikote n’bazë rangut
shoqnuer por, edhe dënimet i nepte mâ t’rrepta sa mâ i privilegjuem t’ish
fajtori sa i tokon klasës prej s’cillës rridhte, ose edhe me Kodin e Drakonit
(621 p.K.) ashpërsíja e neneve të t’cillit âsht proverbiale. N’kët kontekst duhet gjykue Kanuni e me pae
se ç’perlë drejtsíje âsht kênë aj ! I gjykuem simas ksaj optike të pshtetun
n’kritere shkencore e hiç voluntariste, asgjâ tjetër s’kish m’u bâ veçse kish
m’u vûe n’dukje se ç’vlera të mdhá i janë mohue Kombit t’onë kah politika ish’
ajo q’e drejtote edhe shkencën historike !
N’vazhdim, për pa dashtë m’e mërzitë auditorin qi
âsht kah më nderon me durimin’e tij, âsht’ e kjartë se nuk kam me paraqitë
paragrafë mas paragrafësh si edhe analiza të tyne të tezgjatuna, por as për pa
i vulgarizue e thjeshtue problemet aq sa qi studjuesit t’a ndijnë vedin të
tepërt n’auditor, po vazhdoj e n’fluturim e sipër po due me i a hjekë plûhnin q’i ka mlue disa prej
paragrafëve kryesuer të kreut t’êmërtuem VRASA, pa u bâ aspak komente e
as analiza, por sa m’i vûe n’dukje ata ashtu si janë kênë e jo ashtu si janë
paraqitë nepërmjet reflektimit të tyne në pasqyra shpërfytyruese.
§ 835. Prita gjuen pushkë mbë burra e jo mbë grá,
fmí, mbë shpí e mbë bagtí.
§ 836. Po qiti pushkë prita mbë gra, fmí, shpí a mbë
bagtí, punon kundra Kanunit e, po nuk e muer n’kujdes kët dhunë Bajraku i
pritëtarvet qi t’i ndeshkojë mas
Kanunit, atbotë ka me hye pushka shpí me shpí, mandej fis me fis, katund me
katund e së mbrâmit Bajrak me Bajrak.
Nuk kam se shka u bâj koment ktyne paragrafëve q’e
nderojnë Kanunin si rregullues e mbajtës të rêndit atje ku shtet e as ligje nuk
kish.
§ 856. Shpija e t’vramit, po i dha besë dorërásit, ky edhe
psé e vrau, ka me shkue në mort e në gjâmë m’e përcjellë t’vrámin deri n’vorrim
e me ndêjë për drekë. Kjo besë njatë 24
orë.
Ky paragraf âsht i treti i nyjes
njiqindenjizetedytë. Për ilustrim due
m’u prûe nji përvojë t’shkueme t’cillën miku êm, i ndjemi kompozitori Tish
Daija, ma ka pasë diftue rreth dhetë vjetve t’shkueme kur erdh e na vizitoi në
Amerikë. Kish shkue Tishi aty kah vjeti
1949 apo 1950 në Shllak me mbledhë folklor muzikuer. E kish xânë nata në nji shpi. Kah ishin t’ulun përskâj zjermit me t’zón’e
shpisë e bisedojshin, veç kur u ndien dy krisma pushke, m’diftote Tishi. I zoti shpisë veç kish thânë pushk’e keqe
kjo, edhe e kishin vijue bisedën.
Kish kalue nji koh’e shkurt’ e kur dikush vrret jasht’e kërkon besë. Hajde bujrum i a kish kthye i zoti i
shpisë. Hîn’i shpupurishun flokësh e
dyll’i vêrdhë nji burr’i ri i cilli t’zot shpísë fill’i kish thânë se ish ngatrrue me dikênd t’panjoftun e
fjala, fjalën … ky e kish vrá. I zoti
konakut i a vûe para filxhanin e rakísë
edhe e vazhdoi bisedën. S’kaloi nji
gjysë sahati e veç kur dikush vrret prep s’jashtmi. Ishin kênë kryetari edhe sekretari i
Kshillit t’katundit. Masi ishin ulë edhe ata, ishin përshndoshë edhe i a
kishin hjedhë n’prêhën njênitjetrit me t’zon’e shpisë kutît’e duhanit, e kish
fillue bisedën kryetari e diftue se si n’katund kish ndollë nji vrasë. Dorërási nuk dihej se kush ish e kah kish
shkue, kurse i vrámi kish kênë … djali i bash nj’atij konakut ! Kah m’a diftote Tishi mas tridhet’e sa
vjetesh at ndollí, atij i dridhej zâni.
Plaku i shpisë nuk e kish dhânë vedin.
As i kish luejt qymja e mustakut e veç kish thânë, tue i u drejtue
Tishit të ndjemë … a s’ta thashë se ish pushk’e keqe ajo qi rá ? Mas pak u hap dera e disa burra e
prûene përmi vig djalin sokol t’asaj
shpíje ! Nata kish kalue tuj e ruejtë
t’dekunin. Te kryet e t’birit, plaku e
në njênin krah Tishi kurse n’tjetrin dorërási ! Kur
ishin mblêdhë t’nesërmen kallablleku m’e vorrue t’dekunin, dorërási kish
dashtë me rrëshqit’e m’u largue. Mirpo
plaku, synin zhgjetë, e kish ndâlë e i
kish thânë se aj kish detyrim me shkue e me ia shtîe n’dhé t’birin. Mas vorrimit prep i kish thânë t’huejit,
(t’cillin kërkush veç Tishit s’e njifte prej tânë njerzve t’ndodhun n’gjâmë),
se i a kish borxh m’u ulë n’sofër të drekës djalit t’vrámë. E kur kish mârrë fund edhe ajo ceremoní,
plaku u kish thânë t’pranishmve t’a falshin pak se kish m’e përcjellë at mikun
e huej deri te kufîni katundit. Atbotë
atyne u kish shkue n’mênd se si kish kênë puna. Sa ish largue plaku me mikun n’besë, i
kishin pasë thânë Tishit se aj, n’bazë Kanunit, kish m’e përcjellë deri n’kufî
t’besës, kish m’i dhânë strajcn’e bukës për shtegtim e mandej kish m’u ndae
prej tij. E bash nj’ashtu kish pasë
ndollë se Tishi nuk ish largue shpijet përpa e ndigjue prej gojës plakut at
pjesë sjelljesh t’tijat qi Tishi nuk kish pasë rasë m’i pae !
I vetmi koment t’cillit nuk mundem me i u shmângë
kish me kênë pvetja se si mund të emërtohet Kanun gjakatar aj Kanun qi paragraf
themeluer të nyjes Besa të kreut Vrasa, ka paragrafin 856 ?
Vijoj me nji paragraf i cilli n’çashtje gjaku vên
nji barazí qi me t’habítë.
§ 887. Çmimi i jetës njérit âsht nji, si për t’mirin si
edhe për t’keqin.
§ 890. M’e pasë lânë shtegun e veçimit të gjaqevet, të
keqin për dukë e për fisnikí, “firukun” kishin m’e vra edhe pa punë; ishin
shtue vraset si mos të kishte dalë kush me lypë arsye për vrasë të t’keqit e të
firukut.
§ 892. Kush t’a vrasë njérin pra, kje burrë a grue, djalë
a cucë a edhe ferishte djepi, i mirë a shëmtim për dukë, krye, plak a stërplak,
i pasë a i pa-pasë, fisnik a firuk, ndeshkimi âsht nji doret, si për vrasë të
mashkullit 6 qese, 100 desh e gjysë kau
gjobë.
Mendoj se jo pa interes kish me kênë trajtimi
përgjatë ksaj hullíje edhe i problemit qi trajton nyja e njiqindenjizetenandë-t
qi flet për Gjaku për punë të ligë.
§ 920. Ata, qi kanë shtat e dhunë bashkë, po u vrán të dy
në punë të keqe, shkojnë gjak-hupës.
§ 924. Prindja e të mârruemve nuk mund t’i kërkojnë për
gjak por do t’i apin dorërásit fishekun e prishun me “Të lumtë dora”.
Sa i tokon ktij aspekti të trajtimit të normave të
moralit, kam m’u folë për nji skenë q’e kam përjetue vetë. N’mos gaboj, ishte vera e vjetit 1950. Me nji shok t’êmin të ngushtë, Bardh
Shirokën, ishim para Farmacisë nr.1 në Shkodër në Fushë Çelë. Ish e dille e shum njerz po shetitshin ândej
pari. U ndigjuene dy krisma. Kthyeme kryet e pame n’trotuarin përballë
nji malcuer me kobure n’dorë e n’kâmbët’e tija nji trup të plânduem për
tokë. N’at çast malcori ngét vrap
n’drejtim të nji dugâje e atje qét edhe nji herë pushkë mbi dikênd. Atbot’e kapne edhe e lidhne. Historia :
nji kapterr me shërbim në Shllak, i a prishë mênden nji nuses ré e ajo
ik’e lên katûndin me ardh’e me shetitë gisht për gisht n’Fushë Çelë të
Shkodrës me kapterrin ashik. I shoqi
nuk ia falë edhe e ndjek çiftin. I
Vret. Dorërási quhej Pal Mhilli. N’veprim e sipër, njêna predhë e gjuejtun
prej tij ka plague gabimisht edhe nji oficer ushtrije i cilli, kur u zhvillue gjygji kundra Palit,
doli dishmitar tue i a falë varrën Palit e kërkoi qi edhe
trupi gjykues t’ia falte jetën atij. Por
gjykata, për vrasje t’kryeme, Palin e dënuene me pushkatim edhe e ekzekutuene simas ligjit.
Mirpo edhe rapsodi populluer nuk e la rasën me
kalue hupë edhe këndoi n’çiftelí :
Plumat
kryq kur kanë kalue / Nji oficer aty u vorrue / N’gjygj aj kur ka dalë /
Po i ndimon
Palit me fjalë / Un për Palin kërkoj
fálë / Se ky bash ish kên’djalë /
Kush lufton
për ndér’e fé / Patriot âsht për Atdhé / Për Shqypni aj s’dés por lé !
Pa as mâ
t’voglin paragjykim, un e kuptoj se ky veprim vetgjyqsije t’bâmë prej malcorit
jo vetëm qi ishte zbatim i gabuem i § 920 të Kanunit, por edhe i zbatuem jashtë
kohe. Apo jo ? Megjihatê, m’i dalë krah s’vërtetës e
aspak Kanunit, edhe n’at aspekt, ky
veprim kish m’u diftue i dënueshëm prej Kanunit. Pse ?
Sepse Kanuni e ka pasë lejue vetgjyqsínë në kushtet e Gjaku për punë
të ligë, por ama kur objektet u kapshin n’punë të lig’e
sipër.
Ksisoji duhet m’e gjykue Kanunin paansisht e me
kuptue se edhe n’kët rasë Kanuni kishte m’e pasë gjykue edhe dënue dorërásin
për aq sa aj mbate përgjegjsí n’shkelje të normës kanunore. N’kët kontekst tash nuk mundem me i u
shmângë edhe nji diskutimi tjetër.
Kanuni, për kohën e vet n’thellsí t’shekujve e mandej përgjatë Mesjetës,
tue fillue me § 920 e tue vazhdue deri te § 931, përcakton normat edhe shkeljet
e moralit si edhe dënimet e tyne. Edhe
un e pranoj se ishin rregulla shum strikte e dënimet ndoshta t’skâjshme. Por duhet marrë parasysh se ç’prej kur kto
norma ishin rregulli i shoqnísë asaj kohe, kanë rrjedhë aq shekuj e kena
mbërrîe e po jetojmë në rrethana ku e drejta ligjore ka fillue e i miraton edhe
martesat homoseksuale !(?) Pvetja qi
shtroj âsht : A munden me u quejtë të
drejtpeshuem gjykimet n’drejtim
dënimit Kanunit të asaj kohe me
mentalitetin e sodit ?
Tash u erdh radha edhe paragrafëve të nyjes
njiqindetridhetetretë t’cillt janë, s’pakut simas meje, shum me interes.
§ 958. Po vrau kush vedin, gjaku i
shkon hupës.
§ 961. Po vrau i biri t’án, as s’e ndjekë kush, porsé i
biri, dorërási, grîhet a prej fisit a edhe katundisht.
§ 962. Me vrá i biri t’âmën, bjen n’gjak me prindët e
s’âmës.
§ 963. Me vrá i shoqi t’shoqen, bjen n’gjak me prindët’e
grues.
§ 964. Me vrá e shoqja t’shoqin, prindja e ksaj bijnë
n’gjak. (Ka ndollë qi prindja e ka grîe
t’bijn q’e ka bâ kët shëmtim).
Mjafton me mendue
rezultatet e vdekjeve qi kishin me ndollë si rezultat vêndimesh për
dënime kapitale prej trupash gjykuese shtetesh ku dënimi me vdekje âsht në
fuqí, edhe rezultati i krahasuem me Kanunin kish me kênë jek’e jek, apo jo
?
Për m’e myllë me parashtrimin e pikpamjeve t’mija
rreth kreut të “gjakut”, e fillova me § 822, i cilli âsht’i pari i kreut VRASA,
e jo rastësisht po due m’e mbyllë jo me ndjekje kronologjike paragrafesh,
por me § 898 - § 899 edhe § 900 t’cillt flasin jo vetëm për Kanunin, por edhe
sikur aj vetë u nep gjegje studjuesve t’sotshëm të s’dyja kaheve, si vlersuese
e gjithashtu edhe asgjâsuese.
§ 898. Në Kanû të vjetër të Malevet të Shqypnis vetëm
dorërási bijte në gjak, ase aj, i cilli tërhiqte, shkrepte e shprazte pushkën a
ç’do armë kundra njérit.
§ 899. Shpija e t’vramit nuk mujte me ndjekë as me vrá
tjetërkênd prej vllazënsh, nipash a kushrîjsh të gjaksorit, posë gishtit
–dorërásit-.
§ 900. Kanûja e vonshme përshîn mashkullimin e shpis së
dorërásit mjé në ferishte djepi; kushrînin e nipat e ngjatë, edhe pse të dámë,
por për 24 sahat, në valë të gjakut; e mbas 24 sahatash do t’u qitte dorzânë
shpíja e të vramit.
Dy paragrafët e parë janë aq specifikë sa edhe
t’përqëndruem n’objektivin e tyne sa qi me hye e m’i komentue, veç ndonji
matrahul kish m’e mârrë përsypri njat barrë.
Sa i tokon
§ 900, ktu ndryshon puna.
S’parit, duhet m’e vûe n’dukje, se tet’ fjalt’e para të njatij paragrafi
flasin aq … sa nuk po munden me zblue vargâj hulumtuesash e studjuesash sa
t’huej e jo t’pakt’edhe vêndas lidhun me lashtsín e Kanunit. Kanûja, e quejtun e vonshme,
të tân’e dijm se âsht n’jâj trup ligjuer i pashkruem q’i ka qeverisë (kur nuk
kish qeverí) Malet e Shqypnísë përgjatë Mesjetës. Kurse, kah xêhet n’gojë … Në Kanû të
vjetër të Maleve të Shqypnis, atje vjen puna e bâjm’e hîjmë n’at thellsí të
pashkrueme të historisë, (si ishte i pashkruem deri në 1934-ën edhe vetë Kanuni
i Maleve i Mesjetës), q’i kalon kufîjt’e
epokës dytë historike. Përgjatë
ksaj hullíje del n’shesh edhe se formulími i dy paragrafeve të parë i a rrisin
shum edhe shtatin moral kreut të gjakmarrjes.
Pra natyrshëm vjen n’mênde pvetja pse edhe kur
ka lé nevoja m’e futë n’Kanû paragrafin 900 ?
E majshem mirë n’mênde t’ême se si Kapidan Gjon Markagjoni përmêndte me
termin meremetime kanunore ndryshimet qi ishin bâ n’Kanû n’kushtet e
sundimit Otoman, kur nuk ekzistote as shtet shqyptar e aq mâ keq edhe n’mungésë
të nji qeveríje shqyptare. Kah e
pvetshem rreth ktij problemi Kapidan Ndue Gjomarkun në New York, aj m’i prûe
edhe nji herë n’mêndje argumentat e t’Et se “… tue u përtrîe kohnat e me
shumimin e popullatës, ish kah nderlikohej shum ndjekja e dënimi i dorërásit i
cilli rrite i mshehun ndë far’edhe fis tue gjetë strehë t’xétë ndër tá. Meremetimet e Kanûsë t’bâmë prej Parísë
vêndit me Gjon Markun n’krye, si rrjedhoj’e zvoglojshin mundësín’e vrasësve m’e
braktisë kullën e tyne e me ikë në Kosovë tue bâ qi gjaku i derdhun synesh
t’shkote i hupun …”. Kush e mbate
rêndin edhe i parandalote vrasjet n’ato kohë t’errta, e shtron pvetjen
Kapidan Ndoji ? Gryka e pushkës edhe
Kanuni i Maleve, gjegjet aj vetë !
Mbas përbluejtjes për dhetvjeçarë rêndazi të próve
si edhe kúndrave lidhun me pozicionimin t’êm ndaj etikës si edhe moralit të nejeve të ndryshme të Kanunit Maleve, qé
sot mâ n’fund muejta m’i paraqitë ato
n’dritë të djellit para jush, t’nderuem pjesmarrës n’tokim, veç për nji synesh
e pra për kreun e njizetedytë t’êmërtuem Vrasa. Ju dukshëm e keni vûe oroe se un jam mundue
me i u referue n’arsyetim t’êmin prûmjes para jush të kândshqyrtimeve si edhe
interpretimeve t’bâme prej njerzish qi Kanunin e njifshin bash si xhepat e tyne
e qi mue fati i jetës m’bâni m’i pasë njoftë e me pasë msue prej tyne.
Për m’e mbyllë qarkun tash due me përvijue nji
hullí arsyetimi t’cillën ju ftoj t’a gjykoni.
Due me marrë n’shqyrtim, pa as mâ t’voglin paragjykim por tamam me
kandarin e drejtsísë katër pozicionime, për t’njajtën rrethanë, por në katër
periudha të ndryshme historike.
I- Jena n’fillimet e shekullit t’kaluem. Shtimi i popullatës shtoi edhe rasat e
krimeve. Urtíja e prîsave dote m’e
ndalue përhapjen e krimit. Pra,
n’mungesë t’autoritetit shtetnuer u meremetue Kanuni e prej § 899 u kalue në
§900. Qëllimi : aj qi dote m’e krye nji vepër krimi t’ia vête
mirë gishtin tâmthit t’krés para se me veprue.
Pra Kanuni e zgjanoi rrethin e veprimit hakmarrës posaçe m’e parandalue
krimin.
II- Vijmë n’mjedisin e shekullit t’kaluem, n’kohë
të nji shteti qi vepron i pshtetun në të tâna institucionet ligjore. Largimi jashtë shtetit, simbas ligjit
diktaturës, u quete krim. M’e
parandalue kët krim, familjet si edhe soj e sorollopi i t’arratisunit
jashtë shtetit merrshin edhe i internojshin.
III- Kalojmë tash në fillimin e
shekullit XXI. Dy probleme t’shëmtueta
filluen m’e plazmue ftyrën e shqyptarit në Europ’edhe në botë : trafiku i drogës edhe i prostitucionit. Shteti ekzistote si edhe të tâna
institucionet ligjore, por e keqja ishte se shtetin e pshtolli n’tentakulat e
tija tetkâmshi i korrupsjonit nepër deje t’cillit rridhte párja n’xhepat e
drejtuesve t’vêndit. Pra u ngërthyen
s’bashkut fukaralleku me pasunimin e shpejtë.
Shka kje rezultati ? Filluen
krimet qi keqdashsit e doemos edhe injorantat rreth Kanunit, filluen m’i quejtë
veprime kanunore.
IV- Mos t’a zgjasim edhe vijmë
n’vjetin 2006. T’i lâmë m’njên’ ânë
propagandat politike. Kundrojmë për shka
flasin faktet. Megjithse zbatimi
drejtsísë âsht halá me duer t’lidhuna, por fakt âsht se shteti ka fillue me
veprue e me veprue rreptë : përgjatë
gjashtë muejve janë vûe n’pranga pjesa mâ e madhe e bosave t’krimit t’cillt për
tet vjete u majne e bashkë me ta edhe ata qi drejtsínë duhej t’a kishin zbatue
!
Si e mendoj un t’gjykuemt’ e
ktyne rasave :
Rasa e I-rë : Në shoqninë pa autoritet shtetnuer
meremetimi i § 899 çoi në parandalimin e njimendët të krimit me zbatimin e §
900 .
Rasa e II-të : Shteti i diktaturës, me nji drejtsí të egër e
vepruese n’kulm t’sajin tue
vra n’kufî ke muejte me vra n’tentativë arratisje, i pazoti m’i kapë të tânë
ata qi tentojshin arratín, filloi e veproi si shtet ligjuer por pa
autoritet ligjuer, t’cillin e ushtrote diktati. Pa e gjykue n’se arratisja ishte krim apo
jo, shteti i diktaturës qëllimit i a mbërrîni.
Rasa e III-të :
Korrupsjoni shtetnuer padyshim q’i paralizote veprimet e drejtsísë ku
dashtë e padashtë, edhe kjo e fûndit, rá pré e korrupsjonit gjâ e cilla krijoi
kushtet qi Shqypnija të transformohej në nji shtet ligjuer pa autoritet
shtetnuer edhe kaotik sa i tokon zbatimit ligjeve.
Rasa e IV-të :
Janë vetë rezultatet në luftën kundra krimit qi flasin për nji forcim sa
vjen e mâ efektiv të autoritetit shtetnuer.
E tash të nderuem pjesmârrës n’kët simpozium, më
lejoni qi mbasi u pshteta n’arsyetimet e mija në qindat e shqyptarve qi me
mêndet e tyne t’prehta i hartuene edhe i formuluene e mandej i nderuemi At
Shtjefën Gjeçovi edhe i përmlodhi, të
tâna materialet q’e përbâjnë Kanunin e Maleve, t’i referohem edhe un nji autori
t’huej, por vetëm njênit, Kazuhiko Yamamoto, profesor i universitetit Kyushu, qi
s’fûndit e ka nderue kombin t’onë me studimin e tij t’botuem me titullin “Struktura
etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore” (vepër kjo e përkthyeme në
shqyp prej dr.Selahedin Velajt).
Simas profesorit japonez Yamamoto kodi i jonë
ligjuer, Kanuni i Maleve, shifet se âsht bashkëkohës i kodeve të Greqisë lashtë
kohë në t’cillën kta kode përbâjshin nji bashksí vyemjesh qi funksjonojshin në
mungesë të auktoritetit shtetnuer. Kta
kode i ndalojshin konfliktet si edhe përshkallzimin e tyne tue e ndalue kaosin
në shoqnín’e asaj kohe. Kjo analiz’ e
bâme prej prof.Yamamotos Kanunit t’onë nuk ka se si me kên’e rastësishme. Profesori
âsht i edukuem me Kodin e s'Drejtës Japoneze të 604-ës mbas Krishtit i
cilli, i përmbledhun në 17 artikuj, thotë shprehimisht se Paqa edhe harmonija duhet të respektohen
sepse janë shum me rândësí për marrëdhânjet n’mjedis grupeve shoqnore e me at
kod u kërkote me i parandalue konfliktet, kurse sistemi perëndimuer kërkon m’i
zgidhë ata mbasi ndollin.
E ftoj pra
auditorin m’i kushtue përqendrim përfundimeve t’xjerruna prej profesorit
Yamamoto se s’parit, pozicionimin etik si edhe moral n’Kanunin t’onë të Maleve
aj e shef nji e t’padámë me normat q’e përshkojnë Iliadën e famshme të
mitologjísë greke. Pra Kanunin,
n’pikpamje moshe, aj e shtynë me bindje të temelta shkencore n’lashtësí
parahistorike. M’ânë tjetër profesori
Yamamoto e shef Kanunin edhe si nji dishmí të autoktonísë shqyptarve n’trojet e
tyne ballkanike, ne mos tjetër s’pakut, bashkëkohës me grekt’e lashtë !
Për pa dashtë tashmâ me u zgjatë n’tjerrje
paragrafesh e nyjesh të Kanunit lidhun me kreun e XXII-të qi trajton me hollsí
at temë aq t’përfolun qi âsht Vrasa, nuk mundem me i u shmângë pa
i a dhânë në dorë ndigjuesve si edhe lexuesve të ksaj analize edhe kriterin
bazë në t’cillin âsht pshtetë drejtpeshimi i Kanunit të Maleve. E kam pasë ndigjue prej gojës Kapidan Gjon
Markagjonit, n’diskutime të tijtë rreth Kanunit, e m’a ka përsritë sakt mbas 60
vjetesh në 2002-shin edhe Kapidan Ndue Gjomarku kët kriter drejtsíje madhore në
njênin prej tokimesh t’mijat me tê në New York. Për mos m’u zgjatë po citoj tre paragrafë
autentikë e mandej shkurtimisht disa kalime paragrafësh tjerë :
§ 1126.
Dera e Gjomarkut âsht temeli i Kanûs.
§ 1131.
Përtej ksaj Dere s’ka vazhdim çashtjesh.
§ 1134. Në
ç’do gjygj a pleqní ka tagrin e fjalës së kpútme.
Kta paragrafë duket se i napin Derës Gjomarkut
fuqí t’pakufizueme, apo jo ?
E për me i u shmângë bash njatij fakti, vazhdojnë
edhe disa pika si p.sh. :
*Gjomarku nuk shkon kurr për plak. *Pleq janë
krenët të trashiguem djalë mbas djali.
*Gjomarku nuk u përzihet n’Kanû krenve, vetëm kur e shef se krenët e
kapërcejnë kufinin e drejtsísë. *Po
s’rane pleqt n’ujdí, shkojnë te Gjomarku me u gjykue. *Po s’e pranuene gjygjin e pleqve, palët e ngatrrueme
shkojnë te Gjomarku por s’bashkut me pleqt. Po nuk kje i drejtë gjygji i
pleqve, atbotë vendosë Gjomarku. *Me ra
krenët n’kundërshtim me Gjomarkun, ky ka tagër m’e mbledhë popullin burrë për
shpí e mandej vêndimit të popullit Gjomarku i rrin !
Ksisoji a ka gjâ mâ t’bukur se për m’e bâ
drejtsínë tamam të pshtetun n’kriterin e drejtsísë popullore, e pra ku Zâni
i Popullit âsht zâni i Zotit, (pa as mâ t’voglin ndryshim prej
s’Drejtës Romake e cilla thote Vox Populi vox Dei e kjo e fundit dihet se âsht bâmun edhe gur
temeli i drejtsísë moderne), megjithse n’Kanun auktoriteti i Derës Gjomarkut
duket i pathyeshëm, edhe ajo Der’e Madhe e ulë kryet edhe i bindet vullnetit
suprem populluer !
E me qi jena bash te kreu Vrasa, qe edhe
nji shêj barazije tjetër madhuer :
*Gjaku i Gjomarkut baraz me ç’do gjak. Shpirt për shpirt, se duken e ka falë Zoti !
Para se t’a mbylli kët analizë të kreut mâ
t’sulmuem t’Kanunit Maleve prej studjuesish apo edhe artistësh t’cillt kush për
konformizëm e kush prej padíje, (por i indoktrinuem), e hodhne vallen simas
vázës zyrtare të diktaturës, due me vûe n’dukje se përkrah kreut Vrasa, un
kishjem n’mênd m’e trajtue edhe pozicionimin e Kanunit karshi fêmnës e cilla
mbas vajzníjet ishte s’parit bashkshorte, mândej nân’e s’fûndit edhe gjyshe e
fmijve t’konakut. Kah kreu Vrasa m’kërkoi
mue si edhe juve, të nderuem pjesmarrës n’kët tubim, mâ shum kohë se sa e
mêndojshem, nuk jam kah vazhdoj mâ me problemin e fêmnës n’Kanun, por n’kët
drejtim due me u prûe nji kujtim t’êmin i cilli flet për nji problem
skâjshmnisht serioz.
E mbaj mênd si t’ish dje kur Kapidan Mark
Gjomarku, n’bised’e sipër i pat thânë nji herë Patër Anton Harapit, se përgjatë
atyne pêsë vjeteve prej vrasjes Atë Sh.Gjeçovit e deri n’botim të Kanunit,
Kleri Françeskan ka pasë vûe dorë n’Kanun.
Patër Antoni i kje gjegjë pozitivisht e me arsyetimin se ishte rregullue
e meremetue ndonji gjâ e cilla duhej bâ patjetër si fjalavjen problemi i
prishjes kunorës. Ky fakt m’ka pasë
mbetë n’mênden t’ême por ... i pa krye.
Mbas mbi nji gjysë shekulli, kah e pves Kapidan Ndue Gjomarkun, ky jo
vetëm q’e pranoi se ish vûe dorë n’Kanun, por edhe m’a spjegoi
psehin. Arsyja e mosvirgjinísë, simbas
Kanunit, i a nepte të drejtën dhândrit, t’nesërmen e martesës, m’e kthye nusen
ngjiní e dera e saj e babës nuk kish asnji hak me marrë n’dhândër. Mirpo klerit katolik i hapte nji problem
tejet madhuer se duhej prishë kunora e prishja e saj bâhej vetëm me lêje të
Papës n’Vatikan. Ksisoji kleri e hoqi
prej Kanunit at paragraf, i cilli Kishës i hapte problem të madh, kurse palës
me besim musliman nuk i a lejote zyrtarizimin e njaj veprimi i cilli n’vazhdim
krijote nderlikime jo të vogla. Pra
edhe me kët kategorí besimi ky veprim ish i drejtë.
E xûna n’goje kët moment, i cilli ka lidhje me
etikën e problemit të trajtimit fêmnës n’Kanun, sa me ju a bâ me dije pjesmarrësve
të ktij tubimi se nji herë tjetër, me vullnesë të Zotit, kena me u pa si edhe
m’u ndigjue e m’e trajtue edhe kët kapitull aq t’përfolun të Kanunit e ndoshta
trajtojm’edhe nyjen e 112-të edhe 113-të të kreut XXV-të, (Vjedhníja e Grabíja)
me pae se si kish m’i gjykue Kanuni i hershëm veprimet e sodit të disa
drejtuesve të shtetit t’onë !
Tue ju falënderue për vemêndjen si edhe ...
durimin m’e ndigjue kët kumtesë,