Irfan Rama
Dr. Zef Zefaj
Prof. Dr. Flamur Tartari
Ne përvjetorin e lindjes
Zonja Zehra Gjebrea (Kallajxhi) ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 2 shkurt 1907 në një familje të njohur për tradita të spikatura atdhetare, kulturore dhe arsimore. Babai i saj, patrioti Sabri Mustafá Kallajxhi (1856-1929), kishte studiuar gjuhët frënge, arabe dhe perse, dhe kishte përfunduar arsimin e lartë juridik në shkollën ‘Sulltanije’ të Stambollit. Ai ka qenë një nga ithtarët dhe veteranët e hershëm të veprimit kombëtar, sidomos për shkollimin e shqiptarëve në gjuhën amtare, në një kohë që ndër shkolla atëhere, të gjitha mësimet bëheshin vetëm në gjuhën turke. Në rrethanat e atyre viteve, synimi i tij atdhetar, ishte përhapja tek të rinjtë e shkrimit të gjuhës sonë
Zehrá Gjebrea në vitin 1931 në Romë
me alfabetin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip të Stambollit. Sabriu ishte zgjedhur Sekretar i asaj Shoqërije, e cila kishte në krye ideologun e madh të çështjes kombëtare, filozofin Sami Frashëri.
Me kthimin në Shqipëri, Sabriu e kishte kthyer shtëpinë e vet në Gjirokastër në lagjen Meçite (mbi godinën ku ndodhet aktualisht Konsullata e Greqisë) në një shkollë të vërtetë klandestine për mësimin e shkrimit shqip me atë alfabet, sikurse edhe në qendër për shpërndarjen e abetareve dhe librave të tjera shqip, të cilat ai i sillte vetë ilegalisht nga Turqia, dhe jo vetëm. Për këto ai është përndjekur dhe madje edhe burgosur dy herë në kryeqendrën e vilajetit, në Janinë, nga ku u nxor me ndërmjetësim dhe kundrejt pagesave të majme nga patriotët.
Nga nxënësit e tij më të spikatur, në shtëpinë e vet të kthyer në shkollë, kanë qenë patriotët e ardhshëm Çerçiz Topulli, Idriz Guri, Shemsho Hajro etj. Por ndër nxënësit më të parë fare, ishin vetë fëmijët e tij: Enveri, Masari, Zehraja dhe Muzaferi. Ndërsa gruaja e Sabriut, Zonja, ua mbante të gjallë fëmijëve atdhedashurinë, me tregime të ngjarjeve dhe bëmave të patriotëve, si dhe me traditat më të mira qytetare. Duke patur aspirata shumë përparimtare dhe një vizion e nivel tepër të lartë kulturor e shoqëror, Sabriu i shkolloi katër nga pesë fëmijët e vet, me arsim të lartë në perëndim: Enveri me arsim ushtarak, Masari – për agronomi, Zehraja – për obstetrikë dhe Muzaferi gjithashtu për agronomi.
Vetë ai në Shqipëri, shërbeu si jurist në nivele nëpunësije, por ndërkohë Sabriu punoi me shumë pasion e përkushtim si atdhetar i flakët jo vetëm në Gjirokastër, por në disa rrethe të vendit si në Himarë, Vlorë (ku mori pjesë edhe në veprimtaritë për ngritjen e Flamurit më 28 Nëntor 1912), Skrapar, Lushnjë, Durrës, etj. Ai vdiq më 1929 dhe u varros me nderime, ndërsa për jetën e tij u shkrua në ‘Gazeta Shqiptare’ (29.3.1929). Vepra e tij patriotike është dhe do mbetet e gjallë në kujtesën e Kombit. Për të është shkruar herë-pas-here në mjaft libra e gazeta, sidomos në rastet e përvjetorëve jubilarë të Pavarësisë.
Zehraja në mjedisin e vet familjar, qysh në moshë fare të vogël parashkollore, kishte shfaqur prirje të qarta për të mësuar shkrim e këndim, dhe për të lexuar sa më shumë nga librat e botuara në atë kohë nga shoqëritë atdhetare. Pas shkollës plotore (fillore) ajo vazhdoi me rezultate shumë të dalluara shkollën qytetëse, ku iu fut me zell të veçantë edhe mësimit të frëngjishtes dhe italishtes. Por në familjen e saj, qysh në vegjëli, Zehraja me mjaft ëndje, mësonte nga e ëma edhe artin e ekonomisë shtëpiake dhe gatimin e qëndisjen.
Në vitin 1928 ajo filloi studimet e larta në Universitetin Mbretëror të Studimeve të Barit (Itali) duke qenë ndër më të parat shqiptare të traditës së besimit musliman (bektashian) që po shkollohej në perëndim. Në testimin e pranimit që bëhej për nivelin kulturor dhe gjuhësor, ajo arriti të marrë vlerësimet më të mira e më të larta të kursit, ku u dallua shumë qartë nga koleget e saj. Studimet universitare i ndoqi me pasion shumë të madh dhe i përfundoi me sukses të plotë në vitin 1931 me rezultate të shkëlqyera duke fituar profesionin e Mamisë (Obstetres). Vlerësimi për arritjet e saj, ishte më maksimali i kohës, duke fituar Diplomën e shkëlqyer universitare me 50 pikë nga 50 të mundshmet. Fotoja e diplomës së saj është botuar në albumin “Monumenti i Lindjes” në 70-vjetorin e Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ të Tiranës (2012). Për rezultatet shumë të larta gjatë të gjitha viteve të Universitetit, Zehrasë, në ceremonine e diplomimit, iu dhurua një çantë me kompletin e instrumenteve obstetrikale për të asistuar lindjet, duke përfshirë edhe forcepsin.
Në fillim të korrikut 1931, ajo filloi me shumë zell e përkushtim shërbimin si mamia më e parë me shkollim universitar perëndimor e Gjirokastrës. Në atë kohë ky shërbim varej nga Bashkia. Këtu ajo filloi të përmbushë më së miri detyrat e shërbimit shëndetësor profesional obstetrikal, që ishte tepër jetësor, ndonëse deri atëherë i munguar. E veçanta ishte edhe fakti se Zehraja nuk e shihte këtë shërbim thjesht dhe ngushtësisht nga aspektet dhe natyra tekniko-obstetrikale. Ajo kryente një veprimtari edukativo-shëndetësore shumë popullarizuese, për të përhapur sa më shumë njohuri, sidomos ato më të vlefshmet për gratë, për një jetesë të shëndetshme, për problemet e mbarëvajtjes së shtatzanisë, për mirëlindjen me asistencë obstetrikale, si dhe për mirërritjen e fëmijës. Edhe pas përfundimit të studimeve universitare, Zehraja nuk i ndante librat profesionale nga dora, madje ... edhe tekstin e Mjekësisë Ligjore, që e disponon edhe sot i biri. Ajo ndërkohë ishte e abonuar gjatë gjithë atyre viteve edhe në revistën profesionale italiane “L’arte Ostetrica” (Arti Obstetrik) të cilën e merrte vazhdimisht më pas, dhe e kishte kompletuar si koleksion të plotë deri në vitin 1943, kur revista pushoi së shtypuri nga Lufta.
Fjala e saj dëgjohej me respekt jo vetëm nga gratë, por edhe nga autoritetet e kohës. Ajo u vlerësua shumë lart nga bashkëqytetaret e veta, qysh në fillimet e shërbimit atje. Kjo sepse ato ia njihnin mirë familjen, traditat përparimtare, atdhetare dhe humaniste të saj. Ndërkohë ato tashmë po njiheshin edhe me gatishmërinë, mirësjelljen, përkushtimin dhe korrektesën e saj, për ta ushtruar me profesionalizëm të lartë detyrën e shërbimit të vet të natyrës kaq misionare. Një vlerësim të tillë Zehraja pati edhe nga mjekët dhe personeli shëndetësor, sado i pakët në numër në atë kohë. Po kështu vlerësime shumë të larta jepte edhe kirurgu i vetëm i kohës në Gjirokastër, dr. Kyriakopoulos, që mbulonte edhe urgjencat obstetrikale, lidhur kjo konkretisht me rastet e drejtuara prej saj me indikacione të ndryshme për ndërhyrje Cezariane, ku ajo vetë asistonte në operacione.
Ndërkohë Zehraja, duke përfaqësuar me shumë dinjitet dhe kulturë gruan intelektuale, të arsimuar dhe emancipuar gjirokastrite, merrte pjesë në mjaft takime që bëheshin me autoritete të huaja, gjatë vizitave të tyre në Gjirokastër, doemos kur ishin gra, ndonëse jo vetëm në ato raste.
Për të përmbushur shërbimet e veta profesionale, Zehraja aktivizohej shumë edhe në zonat e fshatrave të Labërisë, Lunxhërisë dhe Zagorisë, e sidomos për të gjithë Dropullin, veçanërisht për lindjet e vështira. Ndërkohë ajo kishte përvetësuar edhe e përdorte mjaft mirë për komunikim, edhe greqishten. Në ato fshatra të të gjitha zonave të ndryshme, atëhere mund të shkohej kryesisht duke udhëtuar vetëm me kalë ose më këmbë, dhe aty-këtu edhe me karroca (sidomos në zonat fushore dhe ku kishte rrugë); ndërsa për ndërlidhje telefonike, as që mund të bëhej fjalë. Ndërkohë, përmbushjen e misionit të mamisë, në vitin 1934, e vuri në një suazë zyrtare “Rregullorja e Mamive”, vendosur nga Qeveria e asaj kohe, ku kishte kontribuar me mendime te saj edhe Zehraja,
Në vitin 1935, Zehraja u martua me z. Shaqir Rustem Gjebrea, edhe ky bir i një familjeje qytetare gjirokastrite nga lagjja Dunavat, e njohur për tradita të hershme dhe veprimtari të shumta patriotike dhe bamirëse. Kjo familje njihet për veprimtarë të njëpasnjëshëm, duke filluar me ‘xha-Osmanin’, i cili përveç që njihej si luftëtar patriot qysh në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe problemeve për Ulqinin, Beranen, Plavën dhe Gucinë, ishte edhe bamirësi emërmadh, i njohur sidomos për ujësjellësin dhe kalldrëmet e lagjes së vet. Nipërit e tij Bakiu, Safeti, Rustemi dhe Tefiku janë vlerësuar me dekorim patriotik ‘per kontributin e dhene ne ruajtjen e teresise se së trojeve shqiptare’, në 50-vjetorin e Pavarësisë se vendit dhe më tej. Lidhjet familjare të Gjebreve, sipas rrjedhave historike të kohës, kanë qenë marrëdhënie sidomos atdhetarie, por edhe marrëdhënie fqinjësie, farefisnore, miqësie ose krushqie me shumë familje si Topulli, Gega, Sinani, Lengo, Babameto, Sinoimeri, Reso, Ciu, Xhiku, Bebeçi, Musta, Dabulla, Idrizi, etj. etj., sikurse edhe jashtë lagjes së vet. Të tilla ishin familjet Kallajxhi, Angoni, Karagjozi, Kokalari, Hashorva, çoçoli, Asqeri, Bozgo, Dobi, Galanxhi, Hadëri, Kashahu, Skënduli, Harxhi, Shtino, Kokona, etj.
Martesa e Zehrasë u bë me një ceremoni zyrtare dhe pastaj darkë në Hotel “Royal”, ku merrnin pjesë autoritetet më kryesore të Prefekturës, të Bashkisë, të Drejtësisë etj., dhe që u pasqyrua në gazetën “Demokratia”. Dasma u zhvillua dhe u pasua, sipas traditave europiane me muajin e mjaltit, të filluar në Korfuz, duke kaluar në disa qytete e kryeqytete të Europës: Romë, Venecie, Trieste, Grac, Vienë, Gjenevë, Strasburg, Paris e Bruksel, për të përfunduar në Londër. Deri në atë kohë Shaqiri, i cili pas shkollimit në Ëiener Neuestadt (Austri) dhe më pas në Liceun Francez të Korçës, kishte filluar studimet për zootekni në Montpellier të Francës. Në ato vite para martesës, ai shërbeu fillimisht një vit ne Gracan te Mallakastres, e pastaj disa vjet ne Berat si profesor i gjuhës frënge; Ndërsa pas martesës, në Gjirokastër, punoi si specialist në zyrën e bujqësisë të Prefekturës.
Zehraja në vitin 1943, gjatë kthimit nga një fshat i Zagorisë, ku kishte asistuar një lindje të zgjatur e të vështirë, rrëzohet nga kali në një rrëpirë. Fatkeqësisht, si rrjedhojë, pësoi një thyerje të qafës së femurit të majtë (fractura colli femoris) dhe njëherazi dalje të kërdhoklës (luksacion kokso-femoral). Ky lloj dëmtimi shumë i rëndë, edhe sot, është mjaft i vështirë për trajtim të suksesshëm, nëse ndodh në një rreth që nuk ka shërbim ortopedik të mirëfilltë. Në atë kohë, ky lloj dëmtimi nuk mund të riparohej as në Spitalin e Tiranës, sepse nuk kryheshin dot ndërhyrjet ortopedike si sot. Kështu që Zehraja, u detyrua të qëndrojë mbi 7 javë në shtrat, duke patur një riaktivizim mjaft të ngadaltë të gjymtyrës, dhe mbeti me pasojë çalimin e përhershëm dhe vështirësi të theksuara në ecje, sidomos në tatëpjetat dhe të përpjetat e qytetit të vet malor.
Në mars të 1944-ës, pas humbjes brenda 10 ditësh nga plumbat, të jetës të motrës së burrit - Ramizesë si dhe të vetë Shaqirit, Zehraja mbetet e ve me djalin pak mbi 3 vjeç, duke qenë shtatzanë me vajzën, që lindi më 3 maj 1944. Në kushte të tilla shumanshmërisht të rënduara, ajo detyrohet në qershor të ndërmarrë familjarisht udhëtimin drejt Tiranës, tashti edhe me fëmijë gjiri, për t’u bashkuar atje fillimisht me vëllezërit e saj. Atëhere ky udhëtim, për shkak të luftës, nuk bëhej dot me kalim nëpër rrugën e zakonshme, duke udhëtuar si më parë, nëpërmjet rrugës së Salarisë drejt për në Vlorë, e më pas për në Tiranë. Në atë kohë, me rrugët ekzistuese që funksiononin, mund të kalohej vetëm nëpërmjet territorit shtetëror grek, në fshatin Zharovinë (ndërmjet Kakavijës dhe Janinës) për të kapërcyer pastaj përsëri në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit tek “Tre urat”. Kështu që Zehraja, grua e ve me djalin 3 vjeç dhe vajzën në gji, së bashku me dy familje të tjera gjirokastrite nga farefisi, nisen me një kamion civil të zbuluar e të hapur, të ngarkuar me njerëz dhe fëmijë sipër dhe me një minimum plaçkash e ndërresash dhe dy-tre mobilje, më të domosdoshmet (krevat fëmije, sunduk i vogël lëkure dhe një komo të vogël). Në Zharovinë makina goditet me armë nga partizanët grekë, me pretendimin se mund të ishte ‘makinë gjermane’! Atje vriten disa vetë, gra e fëmijë, ndërsa Zehraja goditet keqas në dorën e majtë, duke pësuar një plagë tejshpuese dhe copëtuese. Plagosja i dërrmoi eshtrat e pëllëmbës së dorës, që më tej i shkaktoi deformimin e theksuar dhe të përhershëm të saj. Më pas rrugëtimi u vijua aq sa mundeshin me këmbë, megjithë ndihmën e të afërmve, por me ritëm të imponuar nga Zehraja, me fëmijë gjiri dhe djalin të vogël, e çalë dhe me plagën e dorës të mjekuar gjithsesi me mjete rrethanore, që veç dhimbjes, vazhdonte t’i rridhte gjak; ndërsa udhëtarët e tjerë ishin të shëndoshë, megjithëse kishin edhe fëmijë, por të gjithë më të rritur dhe që në përgjithësi ecnin kryesisht vetë. Udhëtimi u bë rrugë e pa rrugë, ngrënë e pa ngrënë, dhe duke u zvarritur, më tej pjesë-pjesë, edhe me ndonjë mjet fare të rrallë e të rastit. Pas një jave sfilitjesh, më në fund arrijnë të dërrmuar në Tiranë... Me mbarimin e luftës, këtu ajo bashkohet me të gjithë familjen prindërore të Shaqirit, të porsambërritur në Tiranë nga Berati.
Me entuziazmin e kohës pas mbarimit të Luftës dhe të dëbimit të nazifashistëve, qysh në fillim të 1945-ës, megjithë kushtet familjare dhe personale tepër të rënduara, Zehraja rifilloi me vullnet e me dëshirë dhe me shumë entuziazëm ushtrimin e profesionit. Ajo shërbeu dy vjet (1945-46) si mamia e vetme e Bashkisë së Tiranës, kur i gjithë vendi më 1944 kishte gjithsej 99 mjekë dhe më 1943, vetëm 38 mami. Kështu që asaj iu desh të përballonte një ngarkesë jashtëzakonisht të madhe pune, me orar e pa orar. Detyra ia donte jo vetëm të ndiqesh sa ishte e mundur ecuria e shtatzanive të shumë grave, sidomos atyre me probleme shtatzanie, sikurse dhe të bënte një punë të jashtëzakonshme bindëse për nevojën e kontrollit periodik, por po ashtu sidomos për nevojën e frekuentimit të maternitetit. Ndërkohë, ajo asistonte edhe shumë lindje nëpër shtëpitë e qytetit. Në ato vite në Tiranë, për popullatën, vazhdonte në përgjithësi një situatë me kushte familjare banimi mjaft modeste, si dhe me një mënyrë jetese, më së paku, patriarkale.
Për nevojat tepër të mëdha të vendit për shërbim obstetrikal dhe me kërkesë nga dr. Spiro Treska, Zehraja dërgohet nga Ministria e Shëndetësisë në fillim të 1947-ës në Durrës. Aty ajo, përveç punës në maternitet, realizoi edhe hapjen për herë të parë dhe vënien në funksionim të këshillimores së gruas të qytetit, siç punonte edhe për krijimin e bindjeve të drejta te gratë dhe fuqizimin e mëtejshëm të atyre, për frekuentimin e maternitetit të atjeshëm. Atje ajo, për raste të vështira që kishin indikacion për ndërhyrje, bashkëpunonte ngushtësisht me të nderuarit kirurg dhe gjinekolog dr. SpiroTreska dhe dr. Maliq Bekteshi.
Më 1948 transferohet në Delvinë, ku hap dhe vë në funksionim për herë të parë shtëpinë e lindjes, së bashku me këshillimoren e nënës dhe fëmijës. Atje vazhdoi edhe asistimin e mjaft lindjeve të vështira, jo vetëm në qytet, por puna më e mundimshme ishte, si kurdoherë, sidomos nëpër fshatrat e ndryshme të largta të rrethit.
Në nëntor të atij viti, thirret në Ministri dhe i parashtrohet detyra e re, për të ‘fuqizuar shërbimin obstetrik në rrethin e Lezhës’, ku gjykohej se me përvojën dhe prestigjin e saj, mund të kapërceheshin disa probleme, që të çohej edhe më përpara puna e filluar e shërbimit për nënën dhe fëmijën. Mirëpo veçanërisht transportimi familarisht për në Lezhë, bëhej me kushte mjaft të vështira në atë kohë, qofshin ato thjesht nga pikëpamja fizike e familjare, apo edhe nga arsyet konkrete shëndetësore, sidomos për transportin me fëmijë të vegjël dhe të sëmurë. Aq më tepër, kushtet e transportit të kohës në të ftohtë e me shi, edhe me plaçkat më të zakonshme familjare, nga jugu në veri të vendit me rrugë të mbikonsumuara, ishin sfilitëse, duke ndërruar mjete të rralla e të zbuluara transporti tokësor të rastit – kamiona. Po kështu asaj i takoi të përdori për transportimin e familjes edhe një mjet të vjetër detar për mallra - një benzinatë druri me emrin “Ylli i Kuq” - nga Saranda në Durrës (madje dhe me rrezik mbytjeje nga deti shumë i trazuar në kanalin e Otrantos!) që po bartte në kuvertë disa familje refugjate çame. Më pas, udhëtimi vazhdoi përsëri mbi një kamion tjetër të rastit, gjithashtu të hapur. Gjithsesi, me një stërmundim e mbilodhje të papërshkrueshme, dhe megjithë zallamahitë e mëdha të udhëtimit, Zehraja me dy fëmijët e vegjël, më në fund mbërritën në qytetin e vogël të Lezhës më 28 nëntor 1948 në darkë, duke bujtur atë natë në bodrumin e akulltë të ish-hotelit të vetëm e shumë të vogël të qytetit! Të nesërmen, megjithë vazhdimin e atij të ftohti të acartë e me ngricë dhe me një erë fishkulluese të paparë e as imagjinuar prej saj më parë, Zehraja, ndonëse ishte ditë pushimi feste, duke pyetur njerzit, me vështirësitë e të ftohtit dhe të ngjiturit lart në mal, arriti te Kisha dhe, pa e ditur as njohur dhe pa e kërkuar askush, u paraqit megjithë fëmijët, që në mëngjes për të parë Spitalin Rural, të vendosur atje. Ajo ngrehinë strehimi e Kishës, ‘qela’, siç u mësua më pas, ishte projektuar tërësisht të rinovohej dhe ishte rikrijuar nga At Gjergj Fishta, për nevojat e famullisë dhe priftërinjve françeskanë që i shërbenin asaj. Kisha, e rrethuar me varre të vjetra, sipas epigramit latinisht të gdhendur në arkitraun e hyrjes të saj kryesore nga perëndimi, ku shkruhej: Hoc Templum Fratrum Minorum Edificatum Est Anno Domini MCCXL, pra rezultoi të ishte themeluar si tempull nga Urdhri i Françeskanëve (OFM) në vitin 1240 (përkthyer më pas nga Apolloni, djali i Zehrasë)... Me të arritur në atë Spital, Zehraja menjëherë ‘i doli zot punës’ më 29 nëntor 1948, duke filluar shërbimin në dhomën dhe paradhomën e quajtur ‘maternitet’, ku...asistoi aty-për-aty lindjen e parë!
Atëherë Lezha si rreth paraqiste vështirësi mjaft të mëdha, si nga pikëpamja e terrenit, ashtu edhe nga kompleksiteti i kulturave dhe psikologjive mjaft të ndryshme të grupeve të popullatës, si brenda në qytetin e vogël, ashtu edhe ndërmjet zonave fshatare me njëra-tjetrën (malësore, mirditore, zadrimore, malcijake, kallmetore, pllanore, etj.) por që gjithsesi ishin të prapambetura; Aq më tepër kjo kishte rëndësi të veçantë për punën dhe shërbimet e një mamije të vetme, që lidheshin me mënyrat e jetesës relativisht me diferenca, që vlerësoheshin me realizëm nga Zehraja, sipas mësimeve universitare që kishte marë në atë universitet tepër prestigjioz, edhe për aspektet psikologjiko-pedagogjike dhe ato kulturologjike. Kjo lidhej dhe me faktin që infrasruktura e transportit të brendshëm dhe e telekomunikacionit të kohës dhe në territorin e rrrethit të Lezhës, ishte thuajse krejtësisht e paqenë (mosekzistuese). Në atë kohë rrethi kishte vetëm rrugën automobilistike kombëtare që lidhte Lezhën me Milotin nëpërmjet urës me harqe të lumit Mat, dhe rrugën tjetër, në vijim të saj në kahun e kundërt, që çonte nga Lezha në Shkodër e në Shëngjin (por edhe në Spitalin e hapur më 1945 tek qela e Kishës së Shën Nunciatës në kodrën Marlekaj). Kalimi bëhej nëpërmjet një ure relativisht më të përkohëshme të ngritur me dërrasa dhe skelet metalik, në hyrje të lagjes Kodër-Top (Liria), sepse ish-ura e madhe me dy harqe e Drinit (që u rindërtua dekada më pas, por pa harqe) ishte hedhur në erë gjatë luftës nga gjermanët. Ndërsa në rrugën për të shkuar në fshatrat Mërqi, Rraboshtë, Kallmet, Troshan, Fishtë e Krajn e përtej, drejt Vaut të Dejës, apo në zonën e Kashnjetit, kishin arritur të ndërtoheshin në kohën e okupacionit italian, vetëm urat e vogla (‘veprat e artit’) dhe jo traseja.
Karakteristikë të veçantë që ndikonte në natyrën e punës së Zehrasë në terren, në atë kohë, përbënte ekzistenca e kënetave të Kakarriqit e të Balldrenit (ish-këneta e Torovicës), ato të dy fshatrave të quajtur ‘Ishuj’ (Ish. Lezha e sidomos Ish. Shëngjini) dhe ajo e Treshit dhe e Rrilës, sikurse edhe përmbytjet e shpeshta, që vinin nga dalja disa herë në vit prej shtratit e lumit Drin. Kjo sillte edhe përmbytjen e qytetit dhe fushën e Zadrimës (para bonifikimit të tyre në mesvitet ’50). Këto të gjitha, i sillnin njerëzve shqetësime të vazhdueshme dhe anormalitet, jo vetëm në jetën e përditëshme, duke filluar qysh me mushkonjat dhe malarien, si edhe me mjaft probleme të tjera shëndetësore, për vetë popullatën përkatëse, përfshirë edhe mundësinë mjaft të vështirësuar për kujdes shëndetësor dhe asistim të nevojshëm, si për të sëmurët edhe për lindjet.
Kështu që, përveç punës së mirëfilltë organizative dhe të veprimeve e veprimtarive të shumta profesionale ‘ambulatore’ në terren, fillimisht për hapjen e Konsultorit të Nënës dhe Fëmijës, ajo ka kryer brenda maternitetit sipas nevojës, edhe manipulime të vështira obstetrike për nxjerrjen me dorë të placentës, sikurse edhe për kthimin e fetusit nga pozicioni transversal në paraqitje me këmbë. Ky konsiderohet në obstetrikë si ‘operacioni pa gjak’ më i vështirë (sot për këto lloj patologjish mund të bëhen edhe hapje Cezariane). Në atë kohë, ai rreth kishte vetëm një mjek të përgjithshëm; konkretisht në fillim për një periudhë afro njëmujore ishte komanduar me shërbim mjeku hebre dr. Natan Schahter, pastaj rifilloi mjeku greko-turk dr. Mihal Gazika dhe më pas dr. Abdyl Skënduli. Me këta mjekë, Zehraja, si mamia e vetme, natyrisht brenda kompetencave të tyre të kufizuara e të pakta obstetrikale (pra pa obstetër apo kirurg) do të mund të bashkëpunonte, për aq sa ishte e mundshme dhe e dobishme për sigurinë e grave në lindje... Atëhere në Lezhë, përveç mjekut dhe mamisë, shërbente si farmacist shumë i nderuari z. Hamza Rama, si edhe dentisti, specialist sidomos për proteza, z. Xhabir Dibra.
Zehrasë në vitet e para, i duhej kohë e pa kohë, ditën dhe natën, në verë e në dimër, në një erë jashtëzakonisht të fortë, shoqëruar shpesh herë me shi e në dëborë, të shkonte për asistim lindjesh nëpër të gjitha zonat e rrethit, përfshirë ato malore si Kashnjet, Ungrej, Velë-vendi, Pruell, Bërzanë, Mal’ i Rencit, etj.etj. Shkuarja atje, në atë kohë bëhej me këmbë, me kalë apo me mushkë, por dhe me gomar, dhe, në zonat fushore kur kishte rrugë karrocash, bëhej edhe me qerre apo me karrocë. Ndërsa gjatë periudhave të përmbytjeve të shpeshta aq të zakonshme të Zadrimës, të zonës së fshatrave të qendrës dhe të vetë qytetit, përveç faktit të zonave ish-kënetore në atë kohë, të Balldrenit (Kakarriqit), Ishull-Shëngjinit, Ishull-Lezhës, Treshit dhe Rrilës, por edhe në ato të zonës së Bregut të Matës (nga vërshimi jashtë shtratit i lumenjve Drin dhe Mat), Zehraja shkonte me varkë apo me trap, për të asistuar lindjet.
Ndërkohë për gjendjen konkrete social-higjienike e shëndetësore të asaj kohe, kur i gjithë rrethi kishte vetëm një mjek të përgjithshëm dhe një mami, Zehraja aktivizohej fuqimisht me një veprimtari të gjerë e të mirëfilltë propagandistike dhe edukative shëndetësore me njerëzit, e sidomos me gratë. Ajo punë zhvillohej me takime dhe biseda të drejtpërdrejta prej saj me grupe grash (që atëherë quheshin ‘konferenca’) takime këto që zhvilloheshin zakonisht në kuadrin e organizatës së gruas. Zehraja vepronte kurdoherë me bindje të qartë dhe në mënyrë shumë të përgjegjëshme për ngritjen e kulturës dhe të edukatës shëndetësore të grave, ashtu si më pas punoi për këto edhe me krijimin dhe funksionimin sa më të mirë të ‘Shkollave të Nënës’ më të para nëpër lagjet Kodër-Top e Varosh të qytetit të Lezhës dhe në atë të Shëngjinit, por edhe në fshatrat e afërta me qytetin si Grykë-Manatia, Manatia, Treshi, Balldreni, Mërqia, Ishull-Lezha dhe Ishull-Shëngjini.
Në to trajtoheshin një mori problematikash që duheshin përballur, duke filluar që nga ato të natyrës kulturore: për luftën kundër analfabetizmit të grave, fanatizmit dhe prapambetjes; edhe ato të natyrës shëndetësore: për higjienën vetjake dhe familjare me plot çështje të mënyrave të prapambetura të jetesës sidomos në fshat; për luftim-parandalimin e sëmundjeve ngjitëse më të shpeshta dhe të shkaktarëve dhe të përhapësve të tyre si: mushkonjat dhe malaria, morrat, zgjebja dhe qerosat. Po ashtu një punë e veçantë bëhej për ndjekjen e duhur të shtatzanisë; për lirimin e gruas nga ngarkesat në kurriz dhe nga punët e rënda në banesë e në bujqësi; për lindjen me asistencë dhe për nevojën dhe kushtet më të mira të mundshme për trajtimin në shtëpi të fëmijëve të sëmurë e të shëndoshë, etj.
Ajo vlerësohet sot gjithashtu edhe sepse ishte në të vërtetë gruaja më e parë me arsim universitar, që i shërbeu disa vjet rresht si e tillë krejt e vetme, popullatës së rrethit të Lezhës. Në punën e saj, për të përmbushur aspektet shumë të rëndësishme të veprimtarisë social-shëndetësore, përdorte mënyra mjaft të përshtatshme komunikimi me njerëzit dhe me strukturat vendore të pushtetit dhe të organizmave shoqërore (që atëherë quheshin ‘organizata të masave’). Për dy legjislatura, ajo u zgjodh dhe kontribuoi në Kryesinë e Gruas së rrethit, por edhe me Organizatën e Frontit, për problemet e përbashkëta të tyre të mënyrave të jetesës, lidhur ato me shëndetin. Atë e donin, e nderonin dhe e respektonin të gjithë, aq sa kur i drejtoheshim, e thërrisnin emrin në dialektin gegë “Zonja Zyrá”, madje kështu e thërrisnin edhe mjaft zyrtarë vendorë të kohës; në një kohë kur fjala “zonjë” ose “zotni” nuk përdorej më në atë regjim, pasi ishte zëvendësuar për arsye ideologjike, nga fjalët “shoqe” ose “shok”. Për shkak të profesionit kaq humanitar, si edhe të natyrës së vet shumë komunikuese, Zehraja ishte bërë vërtet shoqe në kuptimin shpirtëror, mjaft e afërt me shumë nga gratë, e të gjitha lagjeve të qytetit. Të tilla ishin psh. zonjat Bedrije Gega, Leze Berisha, Nadire Rama, Gjyla Hoti, Lutfije Mersini, Gjyzele Kruja, Rrahime Skënduli, Naxhije Gurgaj, Taze Doku, Gjyste Kola, Mine Xhabija, File Daja (Osmani), Mejreme Dibra, Albina Kodheli, Pashke Kaçaj, Luvije Cini, Aishe Smaja, Fatime Veseli, Mine Hyseni, Hakile Truma, Kije Barbullushi, Belkize Alija, Shirina Cenko, Feride Kovaçi, Zenepe Golemi, Fetije Sherri, June Zaja, Rrahime Molla, Lije Kërniqi, Meleqe Nuredini, Resho Ibrahimi, Hamidije Hafizi, Lutfije Tirana, dhe mjaft të tjera, që atëhere ishin të gjitha shtëpiake. Po kështu, ajo ishte miqësuar dhe me mjaft gra oficerësh, nënoficerësh e nëpunësish, kryesisht nga jugu, por edhe mjaft të tjera, sidomos mësuese të ardhura nga disa qytete të Shqipërisë (Shkodra, Tirana, Durrësi, Gjirokastra, etj.); Ajo ndërkohë kishte mbajtur dhe ruajtur marrëdhënie profesionale shumë të njerëzizhme e dashamirëse, me mjaft gra prej fshatrave të të gjithë zonave të rrethit të Lezhës, madje dhe nga ato, që në atë kohë konsideroheshin se u përkisnin familjeve ‘me përbërje jo të mirë politike’, si psh. të cilësuarit ‘kulakë’ ose edhe familje të tjera që nuk shiheshin me sy të mirë nga pushteti, apo që edhe mund të kishin njerëz të arratisur jashtë vendit (si Prek T. Tahiri, Sykajt, Turkajt, Nilajt, Cokajt, etj.).
Me ndjenjë të lartë përgjegjësie ajo përpiqej kurdoherë, sa më mirë që të ishte e mundur, të arrinte mirëkuptim me dashamirësi, si dhe bashkëpunim për ecurinë sa më mbarëvajtëse të problemeve të nënës dhe fëmijës, me drejtuesit dhe veprimtarët e strukturave të ndryshme vendore. Këtu ajo përfshinte edhe drejtuesit e dy komuniteteve fetare, katolike dhe myslimane të rrethit (deri në vitin 1967, kur u suprimuan zyrtarisht të gjitha institucionet fetare në Shqipëri). Kështu ajo shfrytëzonte çdo mundësi që mund të shkonte në dobi të mbarëvajtjes së shërbimit, duke përfshirë edhe kualifikimin profesional të vazhdueshëm të infermiereve, për një ecuri sa më të mirë të problemeve që lidheshin veçanërisht me nënën dhe fëmijën. Kurdoherë në të mirë e në dobi të ecurisë sa më të shëndetshme të atyre problemeve, ajo i aktivizonte bindshëm gratë dhe të rejat edhe në kuadër të shoqatës së Kryqit të Kuq.
Zehraja dallohej për një frymë bashkëpunuese dhe për komunikim shumë të çiltër me njerzit, cilësi që i shfaqte qartazi kudo dhe kurdoherë gjatë punës dhe shërbimit të saj. Në një mënyrë tepër shembullore ajo sillej dhe komunikonte me njerëzit, duke ofruar kurdoherë dashuri dhe mirësi, çka binte në sy veçanërisht për mirë në marrëdhëniet e saj profesionale jo vetëm me njerëzit e thjeshtë dhe me ata më në nevojë, por edhe me shoqet apo koleget e saj të shërbimit shëndetësor. Ajo punonte me veçori, sidomos duke i njohur ato edhe me etikën mjekësore që përfshin misioni profesional i mamisë: aspektet etiko-morale dhe aspektet tekniko-obstetrikale, të cilat së bashku i japin profesionit prestigjin publik dhe dinjitetin shkencor. Gjithashtu Zehraja iu theksonte atyre humanizmin botërisht të ‘ligjëruar’ dhe në Betimin Profesional për infermieret të së madhes Florëns Najtingejllit (Florence Nightingale) qysh në shekullin e XIX... Në punën e saj Zehraja, përveç konsultave në Shkodër, për raste të veçanta, i konsultonte gratë me probleme edhe me specialistët në Maternitetin e Tiranës.
Në vitet 1952-53, ajo transferohet për të shërbyer në fuqizimin e aftësive asistuese të maternitetit të Fierit, ku në atë periudhë kohore, kishte patur një ngarkesë shumë të madhe pune dhe kërkohej forcim i mëtejshëm i tij. Atje Zehraja takohet sërish dhe bashkëpunon me shoqen e saj të ngushtë të Universitetit, zonjën e nderuar Polikseni Gjerazi (Pogaçe), me të cilën tashmë do të ishin për një kohë, kolege të drejtpërdrejta pune në të njëjtin institucion. Zonja Gjerazi edhe i kishte asistuar Zehrasë personalisht lindjen e djalit, Apollonit, në Fier më 31 dhjetor 1940 (në kohën e Luftës Italo-Greke).
Pas kësaj periudhe 2-vjeçare, megjithëse atje puna ishte me ndërresa, shërbimi ishte relativisht mjaft më i qetë se sa në punën dhe shërbimet e saj parardhëse kur shërbente si mami e vetme nëpër rrethe, ku përfshiheshin edhe shërbimet e vazhdueshme nëpër fshatra dhe gatishmeria e perhershme. Zehraja, me kërkesë nga shoqe të organizatës së gruas të Lezhës, ritransferohet në atë rreth. Këtu rifilloi me mjaft zell, entuziazëm, por dhe me mall për shumë shoqe të vetat, shërbimin e saj tepër të përkushtuar e të palodhur.
Në vitet pasardhëse, në përputhje me ecurinë e zhvillimeve ekonomiko-kulturore dhe social-shëndetësore të kohës, duke filluar nga mesvitet ’50-të, gradualisht filluan të shërbejnë në kohë të ndryshme në rrethin e Lezhës njëra pas tjetrës, edhe mami të tjera, të porsadala nga shkollat mjekësore të vendit. Të tilla ishin në fillim ndihmës-mjeke mamia Syrije Lohja dhe më pas edhe mamia Fatbardha Dume. Këtyre kolegeve të reja, Zehraja iu ofrua shumë natyrshëm, për t’iu përçuar atyre tepër miqësisht e dashamirësisht, përvojën e vet shumë të madhe tekniko-obstetrikale rreth 30-vjeçare, që kishte deri në atë kohë, në profesionin shumë misionar dhe të lashtë të mamisë.
Veprimtaria shumëvjeçare e Zehrasë në shërbim të mbarëvajtjes sa më të shëndetëshme të shtatzanisë, të lindjes dhe të jetës së nënave e të të porsalindurve, është vlerësuar mjaft pozitivisht jo vetëm nga gratë dhe personeli mjeko-shëndetësor, por edhe nga institucionet e kohës, kudo dhe kurdoherë që ajo shërbeu. Këto vlerësime lidheshin, kryesisht me punën e saj kolosale thelbësisht profesionale. Por ato lidheshin edhe me kushtet e veçanta familjare, si një grua me dinjitet, integritet dhe personalitet që, ndonëse jabanxhie dhe e ve me dy fëmijë të vegjël jetimë, pa asnjeri të afërm pranë saj, kryente më së miri dhe me ndërgjegje shumë të lartë një shërbim publik mjaft të rëndë, të palodhur, tepër të rëndësishëm, mjaft të vështirë e të vazhdueshëm, në gatishmëri të përhershme e të pandërprerë dhe, shumicën e herës, pa bërë fare pushim (për pesë vitet e para të shërbimit të saj në Lezhë, nuk pati bërë asnjëherë lejen e zakonshme vjetore!).
Zehraja për gati 35 vjet, e kishte ushtruar me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm misionin e saj, duke qenë mami e vetme në rrethet ku shërbeu. Kuptohet që në ato kushte deri atëhere, ajo nuk kishte patur as ndonjë kolege tjetër për t’u konsultuar, e aq më pak ndonjë mjek obstetër-gjinekolog. Është fjala për kushtet dhe rrethanat e atëherëshme tepër të rënda dhe komplekse, me ngarkesa, vështirësi, mangësi, pengesa e mungesa të gjithfarëllojshme të asaj kohe, që lidheshin konkretisht me vendin dhe kohën, dhe që duheshin përballuar e kapërcyer me doemos, për zgjidhjen me sukses, të problemeve të shumta shëndetësore që dilnin në çdo rast të vështirë në veçanti. Kështu që Zehrasë i duhej të përqendrohej kurdoherë me një kujdes të vazhdueshëm, me vullnet të paepur dhe me përgjegjshmëri të lartë e të plotë, dhe t’i drejtohej shpesh herë librave të veta profesionale, sikurse edhe përvojës vetjake të krijuar ndër vite pune të pandërprerë, për zgjidhjen me sukses dhe me profesionalizëm, të situatave të vështira; Dhe ato ishin sa obstetrikale, por nganjëherë aq edhe sociale, që lidheshin me mbarëvajtjen e shtatzanive dhe shpëtimin e jetëve, si të shtatzanave e të lehonave, por edhe të foshnjeve të tyre.
Një opinion tepër vlerësues për profesionalizmin e lartë të Zehrasë, ka shprehur në Aktivin e parë për Nënën dhe Fëmijën të rrethit të Lezhës më 1964, mjeku gjirokastrit obstetër-gjinekolog dr. Qemal Xhango, në ato vite ish-drejtor i Maternitetit të Shkodrës. Ai si gjirokastrit, kishte dijeni personalisht qysh para Luftës, për prestigjin dhe opinionin shumë vlerësues të intelektualëve dhe atë të qytetarëve të Gjirokastrës, lidhur me profesionalizmin e lartë të treguar gjatë shërbimeve obstetrikale të Zehrasë. Ndërkohë ai vetë tashmë ishte bërë mjek dhe specialist i fushës së obstetrikës, dhe që punonte si i tillë në Maternitetin e Shkodrës, i cili ishte edhe i vetmi spital i kësaj natyre, në gjithë veriun e Shqipërisë. Si institucion i tillë i profilizuar në obstetrikë-gjinekologji, ai maternitet kishte lidhje pune të vazhdueshme edhe me Spitalin Rural që i shërbente rrethit të Lezhës dhe veçanërisht me repartin e maternitetit. Nga ky maternitet herë pas here i dërgoheshin raste të vështira Shkodrës, sidomos kur paraqitej nevoja për ndërhyrje operatore, që edhe sipas nevojës për asistencë të çdo rasti në veçanti gjatë rrugës, edhe shoqëroheshin nga vetë Zehraja. Po kështu, sipas rregullave të kohës dhe ndarjes rajonale të asaj kohe të shërbimit, maternitetet e rretheve të veriut, kontrolloheshin periodikisht, me ato që quheshin ‘ekipe ndihme e kontrolli’ nga Materniteti i qarkut të Shkodrës, herë-herë i kombinuar ky kontroll edhe me të dërguar të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët e kishin konstatuar dhe vënë në dukje përherë, profesionalizmin e lartë të saj...
Dr. Xhango, si i deleguari në atë aktiv shëndetësie të rrethit, tha për Zehranë se “ajo është një përfaqësuese shumë e denjë, tepër e aftë dhe mjaft kompetente në Shqipëri, e një grupi fare të vogël profesional të obstetreve me arsim universitar. Ky grup konsiderohet se qëndron i veçantë me kapacitete dhe kontribute shumë të vyera profesionale, si grup që qendron ndërmjet mamive të zakonshme dhe mjekëve specialistë obstetër-gjinekologë”. Sipas tij, këta të fundit, dalloheshin nga këto obstetre mjaft të nderuara, vetëm për shkak të njohurive më të thella mjekësore që përvetësohen dhe fitohen nga mjekët gjatë studimeve shumëvjecare në Universitet, (dhe në vitet mjaft të gjata të shkollimit për mjekësinë e përgjithëshme, por edhe në vitet për specializimin pasuniversitar) të tyre në këtë profil. Këto kanë të bëjnë njëkohësisht edhe me zotërimin prej mjekëve të disa aftësive dhe shprehive profesionale për ndërhyrjet konkrete në praktikë, edhe me metoda dhe teknika operatore kirurgjikale, sipas nevojës së rasteve të ndryshme, veçanërisht gjatë lindjeve të vështira...
Zehraja doli në pension pas një pune e shërbimi të palodhur mbi 35-vjeçar, të mbushur me preokupim të vazhdueshëm dhe përkujdesje shembullore ndaj grave e veçanërisht ndaj shtatzanave, sikurse edhe në lindjet e gjithfarëllojshme, ndaj lehonave dhe të porsalindurve, me një ndjeshmëri, ndershmëri, qytetari dhe përkushtim të jashtëtëzakonshëm, aq më tepër duke mos pasur mjek obstetër, madje as kirurg! Ajo kujtohet edhe sot me shumë respekt shoqëror e kolegjial, të ruajtur e të përcjellë ndër breza familjarësh, kudo që ajo shërbeu. Fëmijët e asistuar në lindje me shumë përkushtim e profesionalizëm prej saj, janë ende edhe sot të shpërndarë në të gjitha anët e vendit, dhe madje pas hapjes së vendit, edhe nëpër botë. Të tillë janë p.sh. mjeku okulist gjirokastrit Adem Harxhi dhe mjeku veteriner Ylli Alibali, ndërsa në rrethin e Lezhës janë me dhjetra e dhjetra vetëm kuadrot dhe specialistët e sferave më të ndryshme të jetës ekonomiko-shoqërore dhe të asaj kulturore, pjesa më e madhe e të cilëve, tashmë edhe kanë dalë në pension.
Për punën, shërbimin dhe veprimtarinë e saj, vërtet të pashoqe, sikurse edhe për përkushtimin dhe vetëmohimin e saj për dekada në shërbim të devotshëm ndaj jetës së nënave dhe foshnjeve të tyre, përveç mirënjohjes shumë të madhe publike por edhe asaj nga kolegët, asaj herë pas here i janë akorduar stimuj moralë nga institucionet shtetërore dhe shoqërore të kohës, edhe dekorim me ‘Urdhër Pune’ nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Zehraja u nda nga jeta më 25 maj 1979. Ajo u përcoll për në banesën e fundit dhe u varros me shumë nderim e respekt nga populli, gra e burra, dhe autoritetet e rrethit të Lezhës, që morën pjesë në ceremoni, së bashku me familjen, koleget, të afërmit dhe farefisin, të ardhur nga qytete të ndryshme si Gjirokastra, Tirana, Durrësi, Berati, Fieri, Peshkopia, Tepelena, Elbasani, Vlora dhe Laçi. Po kështu në atë ceremoni morën pjesë edhe shumë miq e kolegë edhe nga mjaft rrethe të afërta, por po ashtu edhe disa zonja, të ardhura posaçërisht nga rrethe të tjera, të cilat shpreheshin shumë mirënjohëse për shërbimet e ndryshme, të përmbushura atyre më parë prej Zehrasë, në vite të ndryshme.
Ajo, me jetën, punën dhe veprimtarinë e saj të shumanshme social-kulturore dhe profesionale shembullore, me një ndjenjë përgjegjësie shumë të madhe, ka ofruar me shumë përzemërsi interesim për njerëzit, dashamirësi, vëmendje, përkujdesje dhe mirësi e virtyte të tjera të larta njerëzore, si dhe një pasion dhe gatishmëri shembullore të pashoqe, për shërbim tepër të përkushtuar për të tjerët në çdo kohë, dhe me një profesionalizëm shumë të lartë e shembullor, sidomos për nënën e fëmijën. Si misionare e lindur dhe plotësisht e denjë, sikurse edhe nga natyra e profesionit, Zehraja ndjente se ishte e detyruar edhe moralisht të sakrifikonte, duke i lënë vetëm edhe fëmijët e vet, ndonëse të vegjël, në dhomën e vetme e të ngushtë të banimit, si ditën edhe natën, për t’iu përgjigjur gjithmonë pa asnjë rezervë, në çdo kohë e çfarëdolloj rrethanash, kërkesave dhe nevojave njerëzore, për shërbimet e saj shumë të vyera e të pazëvendësueshme unikale obstetrikale e jetësore. Puna, shërbimi, përkushtimi dhe sakrificat e saj të jashtëzakonshme e shembullore, mbeten kurdoherë tepër frymëzuese për brezat e rinj, si për devocionin edhe për humanizmin e saj të vazhdueshëm e vërtet misionar dhe kohë e pa kohë e gatshme për shërbim ndaj të tjerëve, por edhe për profesionalizëm shumë të lartë. Ajo në çdo veprim të sajin i manifestonte këto tipare. Këto virtyte dihet se janë jo thjesht e vetëm për mamitë, por ato janë tipare karakteristike që përcillen e kërkohen qysh nga lashtësia prej Etikës Mjekësore të traditës Hippokratike, për të gjithë personelin mjeko-shëndetësor, kërkesa që burojnë nga natyra e brendshme e vetë moralit profesional, për njerëzit që merren me të sëmurët dhe u shërbejnë atyre. Është fjala për të qenë kurdoherë të gatshëm dhe për të vepruar me më të mirën e mundshme, në shërbim të ruajtjes së jetës dhe mbarëvajtjes së shëndetit të njerëzve... Dhe tipike e tillë ishte Zehraja në të gjithë qenien dhe qëndrimet e saj. Ajo kishte edhe shoqe të tjera të Universitetit të të njejtit kurs të studimeve (të viteve 1928-’31), që kanë dhënë kontributin e tyre në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Të tilla ishin koleget dhe njëkohësisht zonja mjaft të nderuara: Polikseni Pogaçe, Nadire Arapi, Lajde Mirdita, Makbule Dizdari, Çile Ljarja, Dylbere Deliallisi, Urania Noçka, Luba Tasi, Vasiliqi Blakçori, etj.
Zehrá Gjebrea në vitet e fundit te jetës
Shumë e nderuara obstetre zonja Zehra Gjebrea (Kallajxhi), është mamia përfaqësuese e grupit të vogël të vajzave më të para në Shqipëri me shkollim universitar perëndimor, studime të përfunduara në Universitetin e Barit (Itali) me rezultate të shkëlqyera gjatë viteve 1928-1931. Ajo gjatë katër dekadave të shërbimit të saj të palodhur e të devotshëm ndaj shtatzanave, lehonave, nënave të të porsalindurve dhe të porsalindurve të tyre, ka dhënë vazhdimisht kontribute social-profesionale tepër të vyera, të patjetërsueshme jo vetëm për kohën e vet, duke shërbyer në kushte tepër të vështira, shumicën e kohës krejt e vetme si mami e gjithë rrethit, në qytet dhe në fshatra, dhe pa pasur fare në ato rrethe mjek obstetër-gjinekolog, dhe në kushte komplekse shumanshmërisht të vështira e të paimagjinueshme për kohën e sotme. Shërbimet e saj janë vlerësuar shumë lart, si nga vetë gratë dhe publiku i gjerë, ashtu edhe nga institucionet dhe punonjësit mjeko-shëndetësorë, po ashtu edhe nga specialistët obstetër-gjinekologë, për nivelin e tyre tepër të lartë profesional dhe me një etikë shumë shembullore. Si e tillë ajo ka punuar që nga mesviti 1931 me përkushtim misionar e devocion te pashembullt, në gjashtë rrethe të vendit, duke filluar më së pari rreth 14 vjet në Gjirokastër, pastaj pas Lufte 2 vjet në Tiranë, më pas 1 vit në Durrës, 1 në Delvinë dhe 2 Fier, e më së fundi edhe afro 20 vjet pune intensive në rrethin e Lezhës, ku doli shumë e respektuar në pension.
Ajo vdiq e nderuar më 1979 duke lënë pas djalin, Apollonin, dhe vajzën, Silvanën. Apolloni, mjek i përgjithshëm, i mirënjohur edhe si veprimtar shoqëror i palodhur, sidomos në shoqatat kombëtare jo vetëm të shëndetësisë, njohës i disa gjuhëve të huaja, është studiues dhe pedagog universitar dhe pasuniversitar i disa lëndëve social-shëndetësore. Ai është edhe themeluesi i lëndës së veçantë ‘Edukim për Shëndetin dhe Promocion Shëndeti’ e cila jepet në vitin e fundit të Fakultetit të Mjekësisë. Kjo u fillua më së pari të jepet si lëndë e veçantë gjatë vitit Akademik 1994-95 me mjekët specializantë 3-vjeçarë pasuniversitarë për Shëndet Publik, dhe më pas u fut edhe për studentët e degës së Mjekësisë së Përgjithshme të Universitetit të Tiranës, ku vazhdon edhe sot. Dr. Apolloni është autor i librit mjaft të veçantë të titulluar ‘Çështje të Promocionit të Shëndetit’ (2009) dhe gjithashtu ka dhënë disa lëndë social-shëndetësore edhe në Universitetet private: konkretisht në të 14 filialet e rretheve të vendit të Fakultetit të Infermierisë të Universitetit “Kristal”, sikurse edhe tek Universiteti “Vitrina”. Ndërsa Silvana, mësuese Gjuhë-Letërsie për shkollat e mesme, edhe ajo veprimtare shoqërore, si edhe shkrimtare e gjuhëtare, është aktualisht pensioniste, me banim në Belgjikë, ku vazhdon të aktivizohet për mësimin korrekt të Gjuhës Shqipe atje nga fëmijët e emigrantëve prej të gjitha trojeve shqiptare. Ajo është autore e një libri me poezi ‘Fjalë për bukën’ (1977) dhe bashkautore me të birin, Leka Asllani, e një ‘Fjalori bashkëbisedimi Holandisht–Shqip’ (2009).