e hënë, mars 30, 2009

Trinomi njeri-natyrë-përditësi në poezi



(Mbi krijimtarinë poetike të poetes Vangja (Vangha Mihanj-Steryu)

Fatmir Terziu

Vangja (Vangha Mihanj-Steryu) poetja me origjinë nga Voskopoja është ndoshta poetja që më shumë se kushdo tjetër ka gjetur trinomin njeri-natyrë-përditësi si një ushqim për vargun e saj. Njeriu është angazhimi poetik i ngjeshur i poezive të saj. Natyra është një binom bashkëudhëtues me njeriun dhe përditësia një sublimitet filozofik me pështjellje elementare dhe shumë domethënëse. E përballur me një ushqesë të tillë ku trinomi poetik njeri-natyrë-përditësi dominon nuk mund të lësh pa vëzhguar në detaj tërë këtë strukturë tërheqëse poetike të krijuar në vite. Jo vetëm në vëllimet e shumta të saj, por edhe në çmimet e panumërta që ka marë poezia e saj bie në sy kjo veçori, kjo karaktersitikë jetike dhe tepër domethënëse për një poezi të lirë.
Natyra, padyshim ndeshet si një simbol origjinal i lidhjes së imazhit njerëzor në poezinë e Vangjës. Kur dihet se shumë herë në poezi të krijuara nga poetë të shumtë, apo nga poete, idetë, vlerat, dhe përshkrimet poetike në lidhje me natyrën vijnë nga e përpunuara e bukurisë vargore dhe të gjitha këto nga poetja në këtë rast, janë përdorur për të simbolizuar një kuptim më të thellë, pra për të dhënë detajet e mprehta që ravijëzojnë vlerën e paraqitur, atë vlerë të gërshëtuar në mendimet e poetes. Shpesh, simbolizimi poetik ndodh dhe mund të interpretohet si një pjesë e jetës së njeriut, prandaj këtu edhe ushqesa poetike e Vangjës, vjen nga vlera, qofshin ato vlera, që u ngjizen aspekteve fizike, apo vlera që vijnë nga vetë ëndrrat, pra frymëzimet poetike. Robert Frost, poet i mirënjohur amerikan dhe Emily Dickinson kanë shfrytëzuar këtë mënyrë të të shkruarit në një marrëveshje të madhe mes trinomit njeri-natyrë-përditësi në poezitë e tyre. Kështu unë shoh një lidhje të krijimtarisë poetike të Vangjës me këto dy poetë me emër. Por, Emily Dickinson, sipas mendimit tim, është më shumë e qartë edhe në të shprehurit e simbolizmit në poezinë e saj, se sa ato simbole që ndeshim tek poezia e Robert Frost. Parë në këtë lidhje, poezia e Vangjës, anon natyrshëm në kahun e poetes Dickinson. Kështu ajo njësoj si poetja Dickinson shpreh forcat e natyrës, si detaje që lidhen me emocionet e njeriut në poezi. Në një përkthim të një teksti nga Ando Kristo dhe të dërguar në adresën tonë thuhet: “Poetesha e fundit e antologjisë Çelësi i shpirtit është Anita Steryu nga Maqedonia. Ka prejardhje vllahe (arumune), është e bija e poeteshës Vanghea Steriu nga Shkupi, ka botuar disa libra me poezi, shkruan për flutrat, yjet dhe hënën, për kristalet dhe botën e pakuptuar të ëndrrave, për dhembjen tonë që fshihet në dritën e ëndrrës, për ndjenjat si do kodrina të larta, për murin e brendshëm që s’ka themele, dhe të fton kur dielli do të fshihet pas maleve/ kur terri do të më mbështjellë/ eja// dhe ma jep dorën/ ngase zemra ime të përket ty/ kur yjet do ta paralajmërojnë natën.”

Kur Vangja flet për dashurinë për të Atin, të përqafuar nga subjekti i saj në poezi, si një domethënie lidhjes së njeriut me tërë strukturën ndërlidhëse të përditësisë ajo thekson se: “Dashuria ime për ty!.../Idil i trishtuar i vjeshtës/Me vjeshtën, në merakun e të egrave shira/Me mgjegulla nën qiellin gri/Mbetur vetëm në valët e kohës/Mënjanuar në frikën e vetmisë/Ti, bashkë me violinën e vjetër/Duke kënduar nën tingujt e saj/Në mesnatë me hënën e plotë/Në idilin e pezmatuar të vjeshtës,/Arrite në rrugën e mallit të vjetër/Dhe e varrose jetën time.
Poetja plotëson këtë lidhje treshe duke aluduar se mund të jetë “një merak nën potencialitetin e shirave të egër”, që duke u përpjekur për të lëvizur jetiken, ose për të nënkuptuar të fshehtën antagoniste, përveç dashurisë mes dy njerëzve të dhimbshëm të jetës dhe përditësisë, babë e bij, të krijojnë edhe forcën shprehëse dhe emocinuese që vjen ‘në mesnatë me hënën e plotë’, pra tamam nën këtë preambulë poetike të frymëzuar nga fuqia filozofike, duke dhënë kuptimin se asgjë nuk ka efekt mbi dashurinë në fjalë, mbi dashurinë që lartëson babanë.
Andon Kristo më tej na përcjell edhe një lidhje tjetër në përkthimin e tij që fuqizon idenë tonë: “Poezia është aq e bukur, siç është e bukur gruaja në „ballin e burrit”, apo „Floriri në ballin e gruas”… Kjo shihet në vargjet: “Dioni i ballit tim!/Dion! Burri i ballit tim,/Malli më selit shpirtin./Mbetet!/Mbetet në memorien e Kozmosit tim,/Mbetet në kështjellën e zemrës/Në pulsimin e gjakut ndër damarët e mi/ Në psherëtimën e mallit.

Vazhdon…

Nuk ka komente: