e diel, mars 29, 2009

Një “Barbie Shqiptare” në Las Vegas



Nga Dalip Greca

Kukulla “Barbie” është më e privilegjuara nga të tjerat pasi ajo e ka fituar statusin e përhershmërisë. E destinuar për të qenë lodër e lakmuar në duart e vajzave të vogla, ajo tashmë nuk mund të quhet më e vogël pas është rritur jo pak por është bërë 50 vejçe. Megjithatë mbetet sërish kukëll e paplakur. E prezantuar 50 vite të shkuara, më1959 në metropolin njujorkez, ajo është bërë e përbotshme dhe mund të thuhet pa asnjë dyshim se është kthyer në një mesazhere e ndryshimit të modës. Nëse do të vëzhgohet evolucioni gjysëmshekullor i saj nuk do të jetë e vështirë që të konstatosh evolucionin e vetë modës dhe kulturës së veshjes.
Sivjet 50 vjetori i vogëlushes”Barbie” u festua jo vetëm në Amerikë, por edhe në
Europë, Azi, Afrikë, etj. E pra,”Barbie” është bërë qytetare e botës.Natyrisht që përvjetori i pesëdhjetë i kukullës magjike është festuar në mënyra të ndryshme në shtete dhe kontinente të ndryshëm, madje edhe brenda një shteti ajo ka pasë specifikat dhe befasitë e veta.
Kështu psh “Qyteti i dritave” siç quhet ndryshe qytetiti fluorishent i Las Vegas-it, e festoi në mënyrën e vet origjinale këtë përvjetor 50 vjeçar. Qyteti i dha një ngjyre të veçantë festës, duke organizuar një Fashion Show të bukur në kompleksin madhështor të Fashion Show Mall-it, tamam në zemrën e qytetit.
Organizatorja e Fashion Show, ishte shkolla e Arteve "IATD" që nxiti studentet e Fashion Design të krijonin veshje origjinale për kukullën dhe për modelet. Nga rreth 150 studente që 
konkuruan, mes tyre ishte edhe studentja shqiptare Ermelinda Manos (Manaj), e cila rezultoi që të ishte një ndër fitueset e veçanta. Në fakt fitueset e çmimeve ishin 20, por fituesja shqiptare u vlerësua për origjinalitetin e përzgjedhjes së saj në veshjen e modeles. Ermelinda paraqiti diçka tepër të veçantë dhe tërhoqi vëmendjen e raporterëve dhe të pjesmarrsve të shumtë me fantazinë e saj krijuese. Prej kohësh në mendjen e saj ishte skicuar modeli i veshjes kombëtare, një përshtatje sipas flamurin kuqezi.Ermelinda tha për gazetën “Illyria” se ishte ndjenja kombëtare ajo që e motivoi që kukulla dhe modelja e saj të vishej me ngjyrën kuq e zi, ngjyra karakteristike e Flamurit tonë Kombëtar.
 Pasioni i saj për profesionin e bukur që ka zjedhur, rezultatet e larta që ka arritur në studime, intuita e saj në krijim, si dhe provoja e marrë si stiliste për firmat prestigjioze si Chanel, Giorgio Armani, Teen Vogue etj; e ka bërë të suksesshme në shumë konkurime të zhvilluara në Las Vegas dhe Los Angeles.
Këtë here ajo shfrytëzoi 50 vjetorin e kukullës “Barbie”, që të realizonte një veshje me motive kombëtare. Kombinimi i fustanit të kuq me krahët e zeza të shqiponjës dy krenore, ishte pagëzimi më i
mirë i “Barbies Shqiptare”.
Për realizimin e këtij qëllimi, Linda e hodhi idenë e saj në letër, preu dhe qepi copat e kuqe të fustanit dhe formoi trupin e zi të shqiponjës që do i vishej dy modeleve: kukullës Barbie dhe fotomodeles në fashion show. Një javë përpara shfaqjes, u ekspozuan kukullat dhe pikturat e studenteve, të varura në stenda në mes të sallonit të madh të Fashion Show Mall-it, që shikoheshin nga mijëra vizitor në qendrën e Las Vegas-it. 
Në 14 Mars filloi fashion shoë me parakalimet e modeleve duke demostruar veshjet e tyre dhe duke mbajtur në dorë kukullat Barbie të cilat kishin po të njëjtat veshje. Të treja anët e podiumit ishin mbushur plot e përplot si dhe ne katet e sipërme, me studentë, të rinj e të reja dhe familje shqiptare të Las Vegas-it. Nën tingujt e muzikës “I’m a Barbie girl” doli modelja, bjondina e bukur me krahët e zez të shqiponjës dhe me fustanin e kuq të Ermelindës. Kjo të jepte një përshtypje si një ëngjëll që zbriste nga qelli, por jo ëngjëll i bardhë, por shqiponja kuq e zi,që u mirëprit me duartrokitjet e shqiptarëve të pranishëm, si dhe të pjesëmarseve të tjerë të shumtë. Këto ishin çaste me të vërtet emocionuese, kur shihej që në skenat e Las Vegas-it, paraqitej simboli i kombit të vogël shqiptar, por që po bëhet i madh nga bijat dhe bijët e tij, që po rrezatojnë kudo nëpër botë. Duartrokitjet vlerësuese ishin shpërblimi më i
madh që emocionuan shqiptaren Ermelinda Manaj nga fashion show i Barbit në Las Vegas. 


Kush është Ermelinda Manaj?

Ermelinda është prezantuar në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” si fituese e Miss Teen Nevada. Atëherë ajo s’kishte shumë kohë që kishte ardhë së bashku me familjen nga Greqia. Bukuroshja shqiptare arriti që t’i imponohet Nevadës së zhurmëshme me një sfidë modeste, që ia falte bukuria natyrale dhe zgjuarsia.
Ermelinda nuk ishte më shumë se 12 vjeçe kur erdhi me familjen nga Greqija me një barrë ëndrra në Las Vegasin e modes dhe kazinove.
Vazhdoi studimet në dy kolegje njëherazi. Krahas Universitetit të Las Vegasit e cila u diplomua me high honors në filozofi, ku u radhit në 5 përqindshin e studentëve më të mire, Linda studion edhe në Akademinë e Arteve për Fashion Design.
Prej kohësh ajo ka krijuar modelet e saj duke u bërë pjesmarrëse në shumë Show, që janë organizuar në Las Vegas dhe Kaliforni. Duke bashkëpunuar me kompani të famshme mode ajo ka depërtuar tek sferat e larta të artit. Me anë të Kompanisë Style Firm, Los Angeles, California, ka arritur që të paraqitet si një stiliste me të ardhme premtuese.

Nuk ka komente: