e hënë, mars 30, 2009

NJË LIBËR QË I JEP PËRGJIGJE SHUMË PIKËPYETJEVE PËR REALIZMIN SOCIALIST SHQIPTAR



Nga Hektor Çiftja



Është interesante që megjithëse jetojmë në shekullin 21, shekullin e informacionit dhe të teknologjisë, akoma në medie vazhdon dhe diskutohet, merret e rimerret letërsia e diktaturës, a thua së është një problem të cilit j ka dhënë përgjigjen vetë koha.
Por kur i kthehemi kësaj teme, nuk mund të mos vemë re se i pari që e trajtoi atë në mënyrë shkencore por edhe në kohën më të përshtatshme ishte prof. Arshi Pipa.
Ai në vitin 1991botoi “Letërsia Bashkëkohore Shqiptare” në kolanën “East Europian monographs”. Libri ka 164 faqe dhe referencat dhe është një trajtesë mbi letërsinë shqipe pas vitit ’45 brenda kufijve. Në parathënie (forward) Pipa parashtron faktorët dhe fenomenet që ndikuan në zhvillimet letrare pas Luftës së Dytë Botërore dhe veçon sundimin komunist, i cili imponoi një letërsi të modeluar sipas realizmit socialist të Zhdanovit, krijimin e një gjuhe zyrtare, me bazë dialektin tosk, i cili e deprivoi letërsinë shqipe nga gjysma e potencialit të saj intelektual, si dhe të menduarit e letërsisë sipas konceptit të Stalinit mbi shkrimtarët si “inxhinierë të shpirtit njerëzor”. Veprat e realizmit socialist janë fare të pavlera, por Pipa shpall në parathënie se do të merret në trajtesën e tij me shumë prej tyre, se “duhet mësuar nga shembujt e këqij që të mos përsëriten”. Ai thotë më tej: “Në këtë libër kam analizuar më shumë se një tekst të dobët, “pikërisht ashtu si një laborant analizon kampionët e jashtëqitjes së njeriut për të hetuar praninë e virusit”. Gjithsesi ai, në prodhimtarinë letrare të pasluftës, gjen edhe vepra që i kanë shpëtuar realizmit socialist, jo nëpërmjet kundërshtimit të hapur, gjë që do të ndëshkohej me vdekje intelektuale dhe me eliminimin fizik, por nëpërmjet adaptimit të mënyrave të veçanta të shprehjes, të pranueshme për ata që janë në pushtet. Kryeshembulli i këtij fenomeni është Ismail Kadare, të cilin reputacioni ndërkombëtar, pas botimit të “Gjeneralit” në Francë, në 1970, dhe glorifikimi i figurës së E. Hoxhës te “Dimri”, e shpëtuan nga burgu. Pavarësisht nga kjo e fundit, Kadareja është i vetmi, sipas Pipës, i cili nga autorët e pasluftës brenda kufijve meriton vëmendje.

Prodhimi letrar pas vitit ’45 jep edhe një figurë tjetër të përmasave të Kadaresë, por kësaj radhe jashtë kufijve. Është fjala për M. Camajn, autorin e Dranjës, një vepër kjo, mbi mbijetesën dhe përunjësinë, në kuptimin e modestisë dhe përsosmërisë. Ajo është kompozuar mbi elemente kulturore klasike dhe moderne. Vepra është poetizim i të përsosurës. Prodhimi letrar i diasporës shpërfillet qëllimisht në trajtesë, nisur nga konsiderata se me adoptimin e gjuhës standarde, mbështetur në variantin toskë, mundësitë shprehëse të autorëve kosovarë u varfëruan dhe veprat e mira letrare të kësaj periudhe mungojnë në këtë hapësirë.

Vepra “Letërsia bashkëkohore shqiptare” përbëhet nga dy pjesë:
në pjesën e parë trajtohet realizmi socialist shqiptar, si doktrinë dhe prodhimtari letrare, ndërsa pjesa e dytë merret me veprën e Camajt. Kapitulli i parë i pjesës së parë “Modeli”, është një trajtesë mbi modelin e realizmit socialist, ashtu siç u adoptua ai në Shqipëri. Autori bën një përqasje të koncepteve të realizmit, pasqyrimit, tendencës, si dhe ndikimin e qëllimshmërisë politike në formulimin dhe evoluimin e tyre tek Marksi, Engelsi, Lenini dhe Zhdanovi. Po në raport me situatën social-politike dhe për të ilustruar konceptin e doktrinës në fjalë, autori përmend edhe ndikimin që ky realizëm i tipit te Stalinit dhe Zhdanovit pati në jetën kulturore të ish Bashkimit Sovjetik, deri në periudhën e Brezhnjevit.

“Origjinat” është titulli i kapitullit të dytë,i cili merret me prezantimin e realizmit socialist në Shqipëri. Në parantezë përmendim se lidhur me çështjen në fjalë ekzistojnë dy mendime. Sipas të parit, realizmi socialist fillon para vitit ’45, me vendosjen e sistemit totalitar. Sipas mendimit tjetër, origjinat e kësaj doktrine u shfaqën qysh herët, në letërsinë e periudhës së Pavarësisë. Pipa nuk merr të diskutojë apo të mbështesë ndonjë nga këto qëndrime. Sipas tij, letërsia sovjetike u prezantua nëpërmjet përkthimeve prej veprimtarëve komunistë dhe studentëve të arsimuar në perëndim (Francë, Gjermani, etj). Autori disaprovon tezën se fillimet e realizmit socialist duhen parë tek Migjeni,i cili trajton tema të socializmit humanitar dhe në përgjithësi nuk ka një portret të përcaktuar. Është Noli ai, të cilin Pipa e konsideron si autorin, më saktë studiuesin pararendës të realizmit socialist, sidomos me introduktet dhe esetë ku ai për herë të parë prezantoi në Shqipëri, midis të tjerash, një tip të kritikës që në botë njihet si sociologjia e letërsisë (Evidentimi i këtij fakti bëhet për herë të parë nga Pipa).

Autori disaprovon dhe diskuton disa konsiderata dhe analiza të Nolit lidhur me figura si ajo e Hamletit, dr. Stokmanit, don Kishotit, Skënderbeut, etj.,duke i qortuar analizat e tij të pasakta. S.Malëshova, publicist dhe veprimtar politik i përgatitur në BS, do të konsiderohet si autor i realizmit socialist, me poezitë e tij shumë të përhapura, përpara se të përmblidheshin në një botim të vetëm. Jeta kulturore e kohës kur Malëshova është ministër do të pasqyrohet dhe përmes disa episodeve nga vetë jeta e Pipës, ku midis të tjerash, autori rishpall hapur pozicionin e tij të hershëm antidiktatorial. Ajo jepet si një atmosferë letrare ku dominonte spiunimi ordiner dhe goditja në mënyrën më arbitrare e autorëve katolikë, si dhe mohimi i traditës. Pipa nuk heziton që në monografinë e vet, të cilë e mendon që të jetë një studim, të ingranojë natyrshëm akuza të drejtpërdrejta të natyrës publicistike ndaj figurave në zë të politikës dhe të letrave të kohës. Presioni politik dhe dhuna ndaj shkrimtarëve do të jetë një temë e këtij kapitulli dhe e atyre që do të pasojnë. Kapitujt 3,4,5,6 janë trajtesa mbi një pjesë të autorëve dhe veprave që teksti zyrtar i “Historisë shqiptare të realizmit socialist”.(1978) i ka mbajtur si vepra kanonike të kësaj doktrine te ne. Nëpërmjet kësaj bëhet përpjekja e parë serioze për risistemimin e hierarkisë së veprave kanonike, fenomen që pason dhe presupozon prishjen e sistemit ekzistues. Duke marrë në shqyrtim veprat që kritika zyrtare i ka mbajtur si përfaqësimtare për periudhën në fjalë, hetohen vlerat e njëmendta, nëse ka, bëhen rilexime nga pikëvështrime të reja dhe i jepet goditja e fundit në mënyrë serioze dhe shkencore miteve false. Esetë ndjekin formalisht periodizimin e ofruar nga H.SH.P.S, por, nëse në kritikën e instrumentalizuar të periudhës së totalitarizmit, periudhat emetohen dhe klasifikohen, bazuar në parimin e “ecurisë së socializmit”, për Pipën këto janë periudha që shënojnë gjendjen dhe pozicionin politik të vendit. Kështu, periudha 1948-1960 është periudha që shënon tutelën dhe patronazhin përkatësisht jugosllav dhe sovjetik. 1960-1973 është periudha e goditjes që shkrimtarët dhe inteligjenca morën personalisht nga E.Hoxha, si dhe periudha e aleancës me Kinën maoiste. 1973-1978, koha kur edhe u shkrua libri në fjalë, i referohet izolimit politik të vendit. Në periudhën e parë, që autori e emërton “Hapat e parë”, ai nuk gjen asnjë vepër me vlerë e që mund të merret në konsideratë. Poetët e talentuar të paraçlirimit, apo dhe ata të afirmuarit, si Poradeci, nuk mund të krijonin vepra të arrira, sidomos për shkak të imponimit politik. Në prozë përmendet Shuteriqi, Spasse dhe Gjata, nga të cilët, i fundit konsiderohet disi më i mirë si romancier. Nga ana tjetër, Pipa vërteton me dëshmi nga përvoja vetjake se romani i tij “Këneta” nuk është fare realist, fsheh realitetin e vërtetë dhe spekulon.

Në fillim të viteve ’60, nxitur nga prishja me B.S dhe nga influenca e ideve maoiste të “lulëzimit të njëqind luleve”, shkrimtarët shqiptarë morën frymë disi më lirisht. Kësaj periudhe i përkasin poezitë e para të mëdha të Agollit, si “Devoll,Devoll” dhe “Baballarët”. “Me poezitë e Agollit, poezia shqiptare e realizmit socialist e merr veten pas një periudhe të gjatë heshtjeje, gjatë së cilës ajo ishte një preokupim politik më tepër, sesa letrar”.

“Vitet ’60 dhe revolucioni kulturor” është titulli i kapitullit 4, i cili merr në shqyrtim periudhën në fjalë. Përveç poezive të Agollit, të kësaj periudhe janë “Muzgu i perëndive të stepës”, “Gjenerali” dhe veprat dramatike të Paçramit, “Lumi i vdekur”, “Tuneli” dhe “Përsëri në këmbë” të Xhuvanit. Vitet e para të periudhës në fjalë njohën një lloj lirie, shteti ishte i zënë me probleme të tjera, kryesisht të mbijetesës. Në Kongresin e 5-të të P.P.SH, (nëntor ’66) Shqipëria adapton revolucionin kulturor të Maos. Në këtë Kongres, Hoxha e bën të detyrueshme për letërsinë dhe artet që “të bëhen një armë e fuqishme në duart e Partisë”. Në Plenumin e 15-të, të PPSH, që i paraprin Kongresit, në letrat shqipe brenda kufijve, instalohet përfundimisht realizmi socialist. Rënia e letërsisë shqipe zë të duket në mënyrë më të spikatur në dramë. Konsiderimi i dramës si mjet edukimi dhe që i shtohej specifikave të këtij zhanri, si edhe mungesa e traditës, bëri që prodhimtaria në këtë fushë të jetë shumë e dobët. Në këtë kapitull merren në shqyrtim pjesërisht dramat e Paçramit, veçoritë e tyre, mënyra e kompozimit të personazheve etj. Konkluzioni është se Paçrami është shkrimtari më i madh ideologjik shqiptar, merita e të cilit qëndron në kurajon dhe aftësinë për të dramatizuar problemet e Partisë.

Në vitin 1965 botohet “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës. Analiza e romanit e gjen atë si një përzierje të romantizmit, folklorizmit dhe sentimentalizmit, ku përfshihen dhe disa faqe lirike. Krejtësisht ndryshe nga kritika zyrtare, Pipa e gjen atë si një vepër aspak realiste: “të kërkosh aty realizmin, është si të kërkosh gjilpërën në kashtë”.

Në trajtesën mbi “Juga e bardhë” veçohen disa momente: aspekti artistik formal gjuhësor, i cili nga njëra anë shpreh frazeologji të pasur dhe imagjinatë të freskët, por që nga ana tjetër dëmtohet prej mënyrës së atypëratyshme të të shkruarit të Jakov Xoxës. Vepra dominohet nga flirtet dhe marrëdhëniet dashurore, vendosur në kuadrin e temave të ditës, si kooperativat bujqësore, sakrifica për punën, etj. Vetëm përsa i përket përmbajtjes, romani ka pak gjëra që ta justifikojnë atë si vepër përfaqësuese të realizmit socialist, si e shpall teksti zyrtar. Autori, shprehet me fjalë të tjera Pipa, është fare i painteresuar pas politikës, deri aq sa episodet skematike, si ai i mbledhjes për punën e fletërrufeve në derën e kryetarit të kooperativës, dalin fare false e të pavërteta.

Analiza dhe leximi që i bëhet romanit “Përsëri në këmbë” të Dhimitër Xhuvanit është fare befasuese. Ai e gjen atë një vepër simbolike, që mund të interpretohet duke ditur biografinë e autorit dhe kontekstin historik të veprës. “Romani është hakmarrja e autorit. Mund të imagjinohet kënaqësia e tij, kur shikon romanin e vet të montuar si një karikaturë e realizmit socialist, të çmohet lart si model i tij pikërisht nga ata që e patën përbuzur”. Ky është konkluzioni. Pipa, së pari, ka analizuar “Tunelin” si një vepër që e bëri autorin ndër viktimat e para të revolucionit kulturor shqiptar e, pastaj, kërkon e gjen simbolizmin në librin “Përsëri në këmbë”. Për të qenë më të qartë po citojmë paragrafin:
“Le të merremi tani me simbolizmin e “Përsëri në këmbë” të Xhuvanit. Rënia e autorit nga kredibiliteti i Partisë jepet me rënien e protagonistit nga treni, një tren që është metaforë e përhershme për një parti të tillë, siç është partia staliniste shqiptare, e cila funksionon si një lokomotivë që tërheq popullin shqiptar si vagonët. Prerja e këmbëve të autorit prej trenit metaforizon shkatërrimin që Partia i bëri jetës së shkrimtarit . “Me i pre kambët kuj” është shprehje idomatike, që do të thotë “të paralizosh”. “Përsëri në këmbë” është një manifest që shpreh hakmarrjen e autorit. Disidentët e goditur shpesh quhen “plehrat e historisë” në gjuhën e përditshme, analogjia është e dukshme me protagonistin e heshtur në ofiçinë. Duke punuar atje, ai shpik një pompë pneumatike, duke mbledhur mbeturina. Romani i Xhuvanit është një përmbledhje e klisheve të realizmit socialist shqiptar. Edhe H.SH.R.S flet për një farë monotonie, duke specifikuar se mjetet artistike janë të rralla. Në fakt ato nuk ekzistojnë fare. Autori e ka reduktuar protagonistin në një kukull, i cili lëviz kur i tërheqin fijet. Partia e do heroin 100 përqind pozitiv. Këtu kemi një hero 200 përqind pozitiv.


Kapitulli 6 i pjesës së parë mban titullin “Goditja ideologjike dhe pasojat e saj”. Lirisë relative intelektuale, në 1973, në Plenumin IV të Komitetit Qendror, Hoxha i trembet faktit që revolta hungareze e vitit ’56 qe paraprirë nga një frymë kritike në letërsi dhe arte dhe nga lëvizje letrare, si “klubi letrar Petëf”. Fjalimi i tij (Hoxhës) i 14 Qershorit 1973 ishte Magna Karta e stalinizmit shqiptar. Censura, e formuluar me terma nga “çanta e Zhdanovit”, eci paralel me goditjet konkrete ndaj intelektualëve. Me këto zhvillime shkrimtarët shqiptarë iu nënshtruan tërësisht vijës së Partisë. “Në këtë klimë terroriste letërsia s’mund të bënte gjë tjetër veç të degjeneronte në apologji për Partinë dhe për shefin e saj”. Më poshtë vazhdon një përqasje midis Agollit dhe Majakovskit, si edhe një përfolje e librit të të parit “Fjala gdhend gurin”. Kësaj periudhe i përkasin edhe “Përballimi” i T.Laços, “Dimri i madh” i Kadaresë, të cilat Pipa i analizon sa i përket vërtetësisë së përmbajtjes dhe modulimit artistik. (Lidhur me analizën e bërë “Dimrit të madh” shih më poshtë).

Në analizën dhe trajtesën që i bën periudhave 1973-1985 dhe 1985-1990, Pipa do të hyjë në studimet mbi letërsinë bashkëkohore edhe në konkretizimin që jep në periodizimin e letërsisë shqipe, duke shtuar dy ndarjet e sipërpërmëndura. Periudha ‘78-’85 është periudha e stanjacionit. Nga prodhimi letrar i saj merret në konsideratë “Pashallëqet e mëdha” dhe “Muzgu” të Kadaresë. Pas vdekjes së E.Hoxhës (1985), letërsia shqipe do të shfaqë disa tipare të reja. Rizbulohet natyra, bota e brendshme e njeriut, lihet disi mënjanë politika. Nga ana tjetër, do të shfaqen të meta të mëdha artistike, që vinë si pasojë e mosnjohjes së traditës botërore dhe të mospasjes së një tradite të brendshme si model. Në këtë periudhë bien në sy tekste të mira të Koçi Petritit, Petrit Rukës, Rudolf Markut, Mimoza Ahmetit, Lazër Stanit, Koço Kostës, etj. Koçi Petriti ka botuar dy perla “Atdheu” dhe “Ëndërr sfilitëse”, Rudolf Marku tekste subversive si “Kali i Kaligules”, etj. Kapitulli vazhdon me analizën dhe komentin ndaj romanit “Thikat” të N.Tozajt e “Koncert në fund të dimrit” të Kadaresë, si dhe me zbërthimin e nëntekstit politik disident të “Ata të dy e të tjerë” te Koço Kostës dhe “Njeriu në dosje” të Lazër Stanit. Tek i fundit, Pipa gjen një përkim midis dosjes për të cilën flitet në vepër dhe dosjeve të sigurimit të shtetit.

“Kritika dhe teoria e Letërsisë” është kapitulli i fundit i pjesës së parë, i cili merret me veçoritë dhe ecurinë e kritikës letrare pas vitit ’45 brenda kufijve: pohohet fuqishëm se tek ne kritikë të vërtetë nuk ka pasur. Ajo çka është quajtur kritikë, ka qenë veçse hetimi, diagnostikimi, testimi i tekstit letrar, për të parë se sa zbatohen aty parimet e realizmit socialist. Dështimin e kritikës së vërtetë e provon dhe mungesa e një periodiku te mirëfilltë mbi kritikën, si dhe mungesa e trajtimeve serioze mbi autorët bashkëkohorë. Veçoritë e kritikës zyrtare shihen qartë dhe hetohen në librin “Historia e Letërsisë shqiptare të realizmit socialist”. Duke e marrë librin si model të politizimit të letërsisë e shfrytëzimit të kritikës letrare, Pipa gjithsesi mundohet të gjejë aty-këtu në tekst elemente të mirëfillta letrare në autorët e kapitujve të ndryshëm.

Për herë të parë në monografinë mbi historinë e letërsisë, përkatësisht të kritikës letrare tek ne, është Pipa që do të marrë në konsideratë zhvillimet dhe evoluimin e mendimit mbi letërsinë deri në vitin 1991. Në këtë kuptim,rëndësi të veçantë merr plenumi i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve (L.SH.A) mbledhur në 1989, ku u diskutua hopi cilësor në letërsi dhe arte. Nga mënyra se si u fol aty dhe nga debati që u bë, mund të kuptosh se ç’kish ndodhur e ç’po ndodhte me letrat shqipe, mungesën e cilësisë, mungesën e klimës së debatit, etj. Një zhvillim tjetër është konferenca “Letërsia, koha dhe shkenca letrare”, organizuar më 1990 nga Akademia e Shkencave dhe LSHA. Aty Kadareja do ta vërë dhe një herë theksin në letërsinë e vjetër shqipe, si një letërsi elitare, si dhe do të kritikojë shkrimtarët për mungesë kurajoje dhe talenti për të përballuar sfidat e jetës letrare.

Punimi “Letërsia bashkëkohore shqipe” është i veçantë në këto aspekte;
Për herë të parë ne rrafshin kronologjik kemi një punim studimor, i cili mundohet t’i japë përgjigje debatit të pasviteve '90-të mbi ruajtjen, mohimin, apo rishikimin e hierarkisë së vlerave që përbëjnë traditën e 50 vjetëve të fundit. Pipa, në mënyrë studimore, pavarësisht se me gjykime personale dhe të diskutueshme, çmonton sistemin e vjetër të vlerave dhe propozon një sistem të ri nëpërmjet shkrimit të kanonit. Shembjen e hierarkisë tradicionale ai e bën sa në aspektin e përmbajtjes, aq dhe aspektin artistik.

Në studimet shqiptare pothuajse ka munguar kritika e leximit të imët (close reading). Fare rrallë letrat shqipe kanë njohur interpretim, gjetje nëntekstesh, lexime duke futur në punë informacionin biografik dhe historik. Edhe kur ka ndodhur, ka ndodhur në mënyrë fare arbitrare. Me Pipën, teknikat e leximit të imët dhe ato teknikat kulturaliste kanë një përfaqësues dinjitoz. Tekstet e Pipës mund të vlejnë si modele praktike të “të lexuarit midis rreshtave”,

“Letërsia bashkëkohore shqiptare” është interesante edhe në drejtim të periodizimit të letërsisë shqipe pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse nuk e ka qëllim të tijin, Pipa nga njëra anë diskuton periodizimin tradicional dhe nga ana tjetër ofron një periodizim të ri.

Përveçse një vepër studimore, aty-këtu ajo ka natyrë publicistike-utilitare, sidomos në pasazhet ku rrëfehen episodet personale. Kjo edhe si rrjedhojë e faktit që për Pipën kjo vepër duhet të ketë qenë, midis të tjerash, nevojë e vetëshprehjes në kushtet e mjedisit të huaj.

Nuk duhet harruar se gjykimet e paraqitura në libër janë gjykimet e një shqiptaro-amerikani me formim letrar klasik dhe me temperament të rrëmbyer, farkëtuar nga vuajtjet. Si shqiptaro-amerikan, ai është në një linjë me studiuesit perëndimorë, të cilët kishin një kuadër të caktuar të menduari dhe në vendet e lindjes kërkonin patjetër bie fjala disidencë dhe mospajtim me regjimin (shiko kapitullin mbi studimet kulturore). Si studiues i një formimi klasik, ai beson tek ekzistenca e modeleve të së bukurës dhe qartësisë, dhe do t’i kërkojë ato në çdo tekst që merr në shqyrtim (dhe këtu është plotësisht ne përputhje me frymën e studiuesve te Idealizmit Italian qe fillonin me Kroçen, por qe vazhduan deri vone mbas Luftës së Dyte Botërore)

Nuk ka komente: