(Rreth krijimtarisë së shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj)
Fatmir Terziu
Aristofani thotë, “atje ku është përparimi është dhe atdheu im”. Kjo thënie filozofike është edhe një nga udhërrëfyeset e tërë trilogjisë së romanit prej rreth 1000 fjalësh, “Vështroni Meduzën” të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Është një udhërrëfyese e heshtur, por me plagë të ndjeshme në zemër. Plagë që vijnë pikërisht nga ai virtyt i hershëm dhe besim i patundur në përparimin e Atdheut të saj, në begatinë e atij vendi, për të cilin u mohua, u sakrifikua pa shkak e arsye. Libra si romani “Dhembje nëne “ të vlonjates, Vranari… shkruhen rrallë…”, thotë shkrimtari nga Kosova, Rifat Kukaj. Kjo duket edhe në fjalën që poeti i mirënjohur shqiptar, Xhevahir Spahiu, thotë: “si mbiemri i shoqes sime të shkollës pedagogjike Vranari, e tillë, e vranët ishte dhe jeta e saj. Duhej kohë që qielli të hapej dhe Vilhelmja ta kishte fjalën e vet.” (Spahiu: 2006:6). Por jo vetëm kaq për poetin shqiptar “Ajo vjen si Antigona për të qetësuar dhe mjekuar shpirtrat e lënduar të shqiptarëve” (Spahiu po aty). Dhe në këtë udhërrëfesë letrare autorja me penën dhe mendjen e saj sqaron se vërtet ajo është ‘krenare që është bijë e Kaninës, pasardhëse e familjes së Gjergj Arianitit”. Për të në vendlindjen e saj është përparimi, aty është Atdheu! Është përparimi, edhe pse ky i privuar për një pjesë si ajo, ‘për gjysmën e shqiptarëve’ siç shprehet vetë autorja, po aq është edhe hapësira dhe vendi në tërësinë e munguar. Në atë hapësirë të së tërës ku ajo u mohua dhe u privua disa herë. Por, edhe pse e tillë rrodhi jeta për të dhe për fatin e saj, ajo “ka ardhur në strofën e shkrimtarëve si një kirurge me përvojë, që me bisturi ka nisur të operojë plagët e vjetra dhe të reja të shoqërisë shqiptare” (Odhise Grillo: 2006:6). Dhe jo më kot vetë autorja i quan këto tre romane ‘psiko-sociale me vlera të mëdha atdhetare, shoqërore dhe artistike” (Vranari: 2006:8).
Duke kapur pikërisht këtë aspekt të psiko-sociales në romanet e saj, apo më saktë në tërë krijimtarinë e saj të pasur në të gjitha zhanret, duhet theksuar se ajo ka lëvruar në poezi, fabula, tregime, skica, novela, letërsi për fëmijë, romane, skenare etj., unë mendoj të trajtoj atë që lidhet më së shumti me shqyrtimin e marrëdhënieve mes modernes letrare dhe narratives historike nëpërmjet udhëtimit në kohë, vend e hapësirë, për t’i afruar lexuesit dhe studiuesve të veprës së saj, njohje më të frytshme të perspektivës dhe psiko-sociales në tërë krijimtarinë e autores Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Duke lexuar dhe shënuar kundërshtinë e narratives, duke përdorur analizat historike dhe letrare, unë do të synoj të depërtojë në tërë aspektet psiko-sociale që garanton autorja për të bërë më të lehtë të kuptuarit se si disiplina e letërsisë është zhvilluar në këtë kategori të romanit që u lëvrua në Shqipëri, pikërisht nga kjo kategori shkrimtarësh ‘të quajtur të vonuar’, për arsye të shpjeguara më lart. Në përgjithësi studiuesit kanë theksuar se pikërisht nga ky brez krijuesish, ‘nga kjo magazinë e artë vlerash’, ka ardhur një risi e re në shkëmbimin e vlerave të ndryshme, përfshirë edhe ato psiko-sociale, si një pasqyrë e kthjellët për të njohur historinë dhe thelbin e saj të konsumuar ndryshe. Shembujt janë plot. Kujtojmë Pjetër Arbnorin, Uran Kostrecin, Visar Zhitin, Uran Butkën, Fatos Kongolin, Agim Mustën, vetë autoren e marë në konsideratë, Vilhelme Vranari (Haxhiraj) etj., dhe natyrshëm kuptojmë arsyen e lartcituar. Pse themi kështu pikërisht për krijimtarinë e shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj)?
Së pari, rasti në fjalë duke lexuar veprat e saj, më së shumti trilogjinë e saj, vetvetiu fokuson historinë dhe statusin e saj ndaj këtyre lidhjeve psiko-sociale të historisë si një tekst, më saktë si një tekst letrar, të joshur nga diskursi “letrar” i llojit të ri. Kjo autore, po ashtu edhe autorët e kësaj kategorie, e përdorin rastin e historisë së një gjini disiplinore që del nga ankthi i magazinuar nëpërmjet inkorporimit të dijes dhe njohurisë për rrethana të ngjashme apo sublime të historisë. Për shembull autorja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka realizuar trilogjinë “Vështroni Meduzën”, duke përdorur materiale të marra nga “Arkivi Qendror Shqiptar”, “Muzeu Historik i Vlorës”, “Biblioteka Kombëtare”, “Enciklopedia shqiptare” etj,. Por kjo nuk është thjesht një ‘arkivë’ për të realizuar veprën e saj. Ajo është një shtysë historike për të fokusuar arkivën e saj të magazinuar në vite në memorien e saj. Ky rast mjafton të shohësh dhe përzgjedhësh brenda nocionit psiko-social tërë vlerat që autorja i përcjell nëpërmjet diskurseve të saj të kuriozitetit, spektakolares, ambientales, afreskes, gotikes, romantikes, sensacionales, që në fakt sipas secilit diskurs përshtaten dhe përshkruhen klasat e veçanta, ngjarjet, lidhjet, nënë-gjyshe-mbesë-nip-bijë-dhëndër, apo edhe më tej me natyrën në takimet në Itali, ku metafizika kryen rolin ndihmës në dobi të këtyre diskurseve. Këtu dalin rrjedhshëm dhe thjesht e saktë të gjitha disavantazhet historike, lexohen profesionalizmat dhe përfitimet që vijnë nga udhëtimi në hapësirë, vend dhe kohë, të cilin shkrimtarja e kryen në mënyrë të përsosur. Është një fakt që vjen nga kjo pikë. Në studimet e mëparshme, apo edhe në kritikat e hershme, shihen baza të ngulitura nga ideologjizmat dhe teori që synojnë kah tendencës së ngurtësimit të materialit tekst në krijimtarinë shqiptare, gjë që edhe sot nëpër gazeta apo fjalime nga kritikët dhe studiuesit e këtyre veprave synohen terma ‘eksperimentale’ për të dalë nga ajo rutinë e hershme, që në fakt deri diku dëmton edhe krijimtarinë, pasi fjalët e kritikës dhe analistëve nuk kapin thelbin bashkëkohor, por hendekun e daljes nga rutina. Disa, madje edhe autorë e krijues, këtë ‘eksperimentalizëm’ e pëlqejnë në kritikën shqiptare, sepse u del ‘me fjalë-ngrohtësi’, por kur bëhet fjalë për daljen e vlerave të veprës, zor se gjen dy fjalë për t’u mbështetur e dalluar njërin autor nga tjetri. Pikërisht këto eksperimentalizma me tendenca post-ideologjike, e kanë sfumuar rolin e diskurseve, madje e kanë kthye në tendenca konfliktuoze.
E dyta, është se romani i shkrimtares shqiptare, huazon nga rasti historik një tematikë me vlerë. Trendi në kritikat e fundit ka qenë për të identifikuar dhe vënë në dukje krijimet e saj si ‘modele’ të shkruara në një moshë jo-relativisht të re, por më tepër kanë harruar se aspekti dhe rasti historik për autoren është një kalibër i mprehur hershëm, që në atë kohë kur ajo studioi, por u privua, kur punoi si mësuese, dhe u harrua për t’iu nënshtruar ‘edukimin në kudhrën e kuqe’, është një kalibër që tashmë qëllon vetëm në shenjë. Kjo mund të lexohet si një ngjashmëri në tekstet e kritikëve më të fundit si Nancy Armstrong, Lennard Davis, J. Pali, Michael McKeon, dhe të tjerë që kanë diskutuar rëndësinë e magazinimit të historisë për të prodhuar modele romanesh si këto që shkrimtarja i gatuan me zellin e shpirtit, talentin e saj të mbajtur gjallë dhe vlerat e magazinuara në vite. Rasti i historisë që detajon shkrimtarja, edhe pse kryesisht ka mbetur pa përgjigje nga kritika në promovimet e romaneve të autores, apo edhe në recensat e analizat për krijimtarinë e saj, vetvetiu jep një shembull bindës me narrativin, narrativin që synon zhvillimin e një modeli të ri, që ilustron rëndësinë e retorikës në ndërtimin e strategjive të disiplinës si ndryshim jetik dhe domethënës në shërbim të brezave. Vetë autorja u drejtohet të rinjve të shekullit të ri “jetojeni jetën se është e bukur. Mos u bëni preh e intrigave të kohës së vrazhdë që tjetërson njeriun, mos lejoni, jo vetëm kohën, por askënd që të vrasë shpirtrat tuaj të dëlirë...” Edhe pse me një tematikë ndryshe “Rrëfime në të perënduar” është thuajse një model koherent që buron nga ky subjektivitet i akumuluar. Në këtë libër, ku spikat potenciali intelektual dhe profesional i femrës, njëkohësisht autorja tregon se sa dhunues, i dëmshëm dhe ndrydhës është një stereotip, kur ai pranohet nga vetë ai segment i shoqërisë që gjykohet prej tij.
Ky libër ashtu siç thuhet është një hapësirë e hapur për të zbuluar veten si të strukur diku mes mijëra shkronjave dhe pa dashur për të belbëzuar: "Kjo është edhe jeta ime, edhe jotja, edhe e asaj..." Ndaj autorja i ka dhuruar lexuesit: "Një libër për të gjithë", si në të gjitha librat e saj, edhe kur ajo shkruan për një kategori të caktuar, aty fap përfshihet e gjitha, e gjithë përvoja e saj si një bagraund për të gjithë.
Ajo i ofroi kështu romanit të saj një model i cili del në llojin e trilluar të tregimit si status më vete, dhe po aq nga përpjekja për të përfaqësuar historinë, me një mori ngjarjesh që pasojnë gradualisht nën sytë e saj udhëtues, dhe që janë organizues hap pas hapi të asaj që lidhet me interesin historik të fateve të Atdheut, të ndërlidhura këto si sublimitetet mbi rëndësinë e madhe.
Së treti, formalja dhe evoluimi i përgjithshëm si epikrizë shpirtërore në romanin e saj është afërsisht si një gjurmë jete, dhe ndriçon, atë të një lloji të ri. Ashtu, si një epikrizë psikoanalitike ajo lë gjurmë në një shteg të mbushur nga "kuriozja" si një model ndjeshmërie e epikrizës që përshkroi njeriu i saj, përmes realizimit dhe organizimit të fjalës ‘klinike’, dedikuar për interpretim të saktë të sipërfaqeve, dhe së fundi nektarit të brendshëm Oepidial që konceptohet në psikoanalizën e Frojdit. Pra si një lloj i ri, ai shihet qartë të demonstrojë, një fillesë me lidhje realiste të mbushura me frymë romantike e kritike të autores në bisedat dhe komunikimet e saj, duke argumentuar edhe faktin dhe fatin e tij historik.
Së fundi, trilogjia e shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ndan një nga shqetësimet kryesore të një lloji të ri: si të tregojë aspektin jetik në mesin e njohurisë që del nga arsyeja e logjikës së vetë autores. Romanet e shkrimtares nuk kanë thjesht dëshmimin jetik-personal për të rishkruar pjesë të jetës apo riskun e jetës së saj, si një temë më vete, por shërbejnë si një mekanizëm logjik për prodhimin e subjektivitetit në shërbim të lexuesit. Natyrisht, përmes narrativit në tekstin e saj, duke kombinuar njohjet dhe materialet e mëparshme të historisë, ajo fsheh me durim ‘autobiografinë’, po aq edhe kronikën e vëzhgimit, dhe nuk ndihmon thjesht që të krijojë një imagjinatë, por një të vërtetë historike që nënshtrohet mes penës dhe fakteve sublime të saj, pra sjell modelin koherent që buron nga subjektiviteti i akumuluar nga përvoja i saj. Ndoshta edhe fjala e kritikut të hershëm shqiptar, Kallulli vjen në ndihmë në tërë këtë vlerësim për shkrimtaren, kur deklaron: “Vilhelmja është shkrimtare unikale…Pasuria jetësore që sjellë në mijëra faqe…është mbresëlënëse, autentike, dhe në shumë aspekte e papërfshirë në vepra autorësh të tjerë. Më e rëndësishmja, më e veçanta është interpretimi thellësisht demokratik që ajo iu bën ngjarjeve, personazheve, realiteteteve shqiptare. Kjo vlerë e saj ideore-botëkuptimore është një prurje shumë shumë e rëndësishme në letërsinë tonë. ” (Prof. Dr. Adriatik Kallulli, kritik, estet letrar)
Subjektiviteti i prozës dhe aspekti historik
Në tërë prozën e saj autorja subjektivitetin e akumuluar nga përvoja dhe jeta e saj e fokuson në elementin femëror, duke peneluar gruan me të gjitha vlerat dhe artificat e saj. Aftësia e saj prozatoreske shpie këtë fokus pastaj nëpër detaje të tjera ku historia është një zhbirim ekuacionesh enigmatike të përfshira në skutat e shoqërisë dhe vetë historisë. Është ajo që Butka dikton publikisht: “Me veprat e saj autorja nëpërmjet mesazheve që jep, i bën një nder kombit. Përmes veprave psiko-sociale, Vilhelmja i bën autopsinë shoqërisë sonë dje dhe sot.” (Uran Butka) Duke lidhur aspekte historike që konvergojnë në një pikë, familjen, aspektin e saj ekonomiko-social, apo psiko-social, të tendosur nën fat-pushtetin e parasë, Vranari, përcjell një kronologji temporale risish dhe dikton arsyen e thënies së Hasan Zyko Kamberit për ‘pushtetin e parasë”. Dhe më pas në tërë përshkrimin artistiko-letrar të shkrimtares problemet që lidhen me paranë janë diçitura jete. Janë të tilla, pasi vetë agresiviteti dhe mondanizmi lustër i një shoqërie problematike i prodhon si të tilla. Janë taksat, që sillen si një kamuflazh i paaftësisë dhe trillit korruptiv qytetar që sillen si fakt, por edhe ‘aritmetika racionale’ që vjen nën mentalitete kalimtare. Udhëtimi tipik i autores që zbulon këto fakte dhe detaje nuk është një udhëtim i stisur, as edhe imagjinar, por një udhëtim që prudizon aspektet historike duke i pikëtakuar ato me kohën. Kështu vendi, koha dhe hapësira janë tre pika ndërlidhëse që ndeshen ngeshëm në trilogjinë e autores, po aq edhe në tërë krijimtarinë e saj.
Vranari e shtron të shkuarën duke vënë e në sitën historike, e zbulon të sotmen në tërë shumësin e saj dhe e parapërgatit të nesërmen si një tufë me aromë gërmash dhe fjalësh plot nektar. Me këtë nektar të mbledhur viteve të jetës së saj plot sakrifica ajo i dëshmon dhe i ridëshmon historisë me penën e saj, por edhe zbulon perlat e shtrenjta figurative shqiptare si ‘patkonjtë e kuajve lëshonin xixa dhe dukej sikur nuk e preknin tokën’ (“Prolog jete” faqe 133) apo po aty “errësira e kohës më përfshin me terrin e saj” (faqe 66), “nuk mbahet nëpërka në gji” (faqe 242) dhe më tej tek romani i dytë “Vështroni Meduzën”: “gruaja sjell bukurinë e jetës dhe qetësinë e shpirtit” (faqe 138), “bukuria magjepsëse e natës” (faqe 174) dhe tek romani i tretë nga kjo seri “Dilema e së nesërmes”: “mundja gjithë mllefin dhe mallin” (faqe 62), “tjetri të fal gomarin, ti e shikon nga dhëmbët” (faqe 286) etj. Por ‘nektari’ i dalë nga pena e saj shpërndan farën patriotike shqiptare nga njëri cep në tjetrin, në një gjeografi të gjerë, në një hapësirë tërësisht shqiptare dhe të lidhur me aspektet shqiptare, kur kjo hapësirë i përket të huajës. Në këtë gjeografi është edhe larmia e figurave reale historike që udhëtojnë në hapësirë, vend dhe kohë, e që vijnë në një kronologji të plotë e tepër domethënëse. Në tërë këtë kronologji domethëse është edhe besimi tek Zoti, besimi që nën fjalën e autores radhit e flet qartë, si psh kur sjedh rastin e Safet Butkës (“Prolog jete” faqe 190): “Unë e çmoj shumë për mendjen e hollë që ka. Njerëz me intelekt të tillë i duhen Shqipërisë, që të eci krahas vendeve të tjera perëndimore. Këtë orientim jep ai. Duke pasur parasysh përbërjen e shqiptarëve me tri besime fetare, ai jep mesazhin e vëllazërimit dhe mirëkuptimit: “Kurrë mos u bëftë Shqipëria pa të krishterët!”.
Lidhjet historike dhe dëshmia prozaike
Krahas kësaj Vranari sjell herë pas here edhe këngë të hershme me vlera historike. Arsyet e prurjes së këtyre këngëve, janë parantesa që dëshmojnë lidhjet historike të shqiptarëve mes folklorit dhe vlerave të krijuara nga vetë ata. Këngët janë aspekte filozofike që parashtrojnë momente interesante. Këto momente interesante që më pas kërkojnë emergjenën e shkrimtares për të siguruar komplet kuptimin e nocionit filozofik hapësirë-vend-kohë. Ajo në tërë prozën e saj vendos edhe lidhjet e ndryshme historike midis shqiptarëve të ndikuar nga arsyet kohore dhe ndonjëherë edhe pragmatike. Kështu në faqen 122 të “Prolog jete” aspekti historiko-analitik i lidhjeve krushqi-miqësi midis familjeve është dhënë si një aspekt që dikton forcimin e pozitave të tyre politike dhe ekonomike. Por këto lidhje janë aspekte, jo thjesht historike, ata janë domosdoshmëri për të theksuar e sqaruar aspektin historik nga kjo pikë, por edhe për të diktuar një nga zërat më në zë të letërsisë femërore bashkëkohore në Shqipëri. Mujë Buçpapaj shton duke plotësuar në mënyrë të fuqishme zërin e saj në lëtërsinë bashkëkohore: “Duhet të të digjet shpirti si zjarr që t’u thuash të tjerëve diçka. Ky mendim të vjen në mend kur ke përpara librat e njërës prej zërave identikë të letërsisë bashkëkohore shqiptare, të shkrimtares më interesante të letërsisë sonë …” (Mujë Buçpapaj, gazetar. shkrimtar)
Kështu në tërë krijimtarinë e saj ajo dikton një udhëvazhdim të asaj që ne e kemi ndeshur edhe më parë në krijimtarinë shqiptare, sidomos tek shkrimtari ynë Petro Marko. Odhise Grillo në fjalën e tij për këtë pikë shprehet: “Petro Marko s’është më. Por ja, sot e kemi sot mes nesh.” (Prof. Odhise Grillo, shkrimtar- redaktor i 11 librave të autores). Zhiti e fuqizon këtë: “Kur Izabel Alende u njoh si shkrimtare, e quajtën Markezi me fustan. Jemi në Vlorë dhe para lexuesit kemi një autore vlonjate. Për analogji, sot para jush kemi Petro Markon me fustan.” (Visar Zhiti, poet) Thuajse në mënyrë të përafërt Bubani shkruan: “Zonja shkrimtare me krijimet e saj ka vendosur një gurë të rëndë në themelet e letërsisë shqipe. Vilhelmja ka lindur shkrimtare, nuk u bë sot.” (Bubani, shkrimtar)
Nuk ka komente:
Posto një koment