Vaid Hyzoti
-Mendime rreth romanit “SOS nje buzeqeshje”
Sapo mbaron romanin me të fundit të Zija Çelës “S.O.S një buzëqeshje” mbetesh i hutuar.Pret të vazhdosh të rikthesh faqet. E ke lexuar ngadalë dhe me vëmendje e prapë libri, të 273 faqet e tij, mbaron aq shpejt. Të tillë ndjesi kam patur dhe pasi mbarova romanin e mëparshëm të këtij autori “Las varresas”. E përmend dhe veçoj këtë fakt se në botimet e sotme në Shqipëri, Kosovë apo diasporë nga autorë shqiptarë është thuajse e pamundur të hasësh në krijime tejet serioze e pa truke tërheqëse për lexuesin, pa patur asgjë të përkueshme me bestsellerizmin, me letërsinë e verdhë, me te përcaktuarat “temë dashurie” ku puthjet dhe ofshamat e seksualizmit i ndjen faqepasfaqe. Kuptohet se të tilla vepra letrare që shumë here vijnë si fotografime bajate të realitetit apo në plotësim të
‘urisë” së lexuesit të çdo lloj niveli, në shumë raste janë shpërblyer me çmime dhe kanë patur sukses në treg.
Veprat e Zja Çelës nuk kanë të bejnë dhe nuk kanë asnje pikëpërkim me kete lloj të shkruajturi që shpesh quhet letërsi. Krijimet e tij janë letërsi e vertete, e veçantë, origjinale në zë, në përmbajtje;aty nuk gjen kurrë dhe në asnjë rast fotografim te së vërtetës apo reales, por rikrijim të saj.Theksoj realitetin se të dy këto romane marrin shkas nga e sotmja, nga e përditshmja më e vonshme shqiptare. Madje po t’i këqyrësh me vëmendje në planin kohor, romanet vijnë si kronollogji të njeri-tjetrit, ndërsa në planin artistic thellim( nuk është future akoma termi betonim në kritikën letrare) i nivelit artistik, i vështrimit të figurshëm, i nderthurjes së reales me magjinë…
Tek “Las varresas” heroi kryesor Habitati(dhe ne nominimin e personazheve synohet metafora) e zhvillon aktivitetin e tij pranë varrezave, për t’i shërbyer gruas së tij të vdekur që tashmë është kthyer në një shejtore. Në këtë “zonë të butë” nge qendrën tregtare për të përfituar nga të gjallët e për të mos paguar taksa, se duke qenë kufiri mes jetës dhe vdekjes duhet trajtuar si “duty free shop” dhe në konkurrencë të egër fillojnë të lulëzojnë qendra të tjera me çdo lloj bisnesi të pastër apo të pisët në Kukunam. Personazhë të shumtë, karaktere të veçantë prezantohen, vijnë e plotësojnë tablonë e qytetit; të tjerë ndryshojnë karakter, prezantohen në faqen e panjohur më parë për qytetarët në përshtatje të rrethanave të reja. E shkrimtari është aq i rreptë , sarkastik e i
pamëshirshëm duke na përcjellë tablonë e rikrijuar të një mjedisi provincial në provat për veshjet e reja moderne apo firmato.Kohë kur kërkohet të përfitohet dhe nga simbolet,nga të shenjtët, nga shpirtrat.Kohë e marrëzisë së pamatë.
Romani “SOS një buzëqeshje” në dukje është në hullinë e veprës së mëparshme të Z.Çelës.Përsëri autori merr përsipër konstruksionin dhe rikonstruksionin e një qyteti tjetër, Balbonës.Një qytet i hershëm dhe krenarë për vlerat e tij, të shkuarën dhe simbolet kulturore. Gjithçka nis me një dasëm gjysmëilegale të një bisnesmeni tëri, në bodrumin e një pallati të papërfunduar, nën dritën e tymin e qirinjve, pa saze dhe ahengje. Arsyeja është e përligjur: pas një zjarri të papritur 16 vetë humbën jetën dhe qyteti është në zi…Pasi mbaron dasma e Vasil Ollogajt me Adelën e bukur, shoqëruesi dhe njekohësisht konkurrenti më i egër në bisnes i dhëndërrit, Rudi Bodinaku, vendos të martohet përsëri. i trembur dhe nga pistoleta që i drejton dhe e ëma Shusheshaka, ai shpejton…Dhe startojnë të
vërteta e hamendësime, konkurrenca dhe hapje udhe(hapi udhën të marrit dhe të fortit), prezantohen personazhet njeri pas tjetrit, fatet e ndryshme dhe aftësite, të bjerrurat e jetës dhe ëndërrat.Krijohet mjedisi i Balbonës, njeh fiset e ndryshme dhe me digresione të shumta has fijet që mbajnë njerëzit të lidhur me njeri-tjetrin. Ndodhite e ditës, sado të çuditshme që mundet të të vijnë e gjejnë motivimin në këngët e hershme, në folklor e histori(prej ketej vjen aq e begatshme dhe magjikja e te rrefyerit ne vepren e Zija Çeles), në shpjegimet aq ironike të numërimit të këngëve popullore që përmendin ta zëmë emërin lule apo trëndafil…Personazhet kanë dukjen dhe magjinë, kanë dritën dhe hijën,kanë marrëdhenie të drejtpërdrejta dhe false, kanë kundershtinë në çdo hap. Veçohet Rudi Bodinaku nga Jari
Kaçinari dhe vihen përballë njeri-tjetrit në karaktere,por nga ana tjetër në një mjedis aq depresiv, nën një mjegull të pashqitshme nga Balbona vijnë e përplasen aq të kundërta sa që dhe në gëzime, në pije njerëzit hepohen, mëdyshen për kë ta ngrenë dollinë, “per Selmanin apo Selimin, për Frrokun e Diles…”. Vetëm nga fundi thuajse krejt të dërrmuar nga stresi tejetmundonjës fillojnë të kuptojnë se dollia duhet ngritur “ për Dritin, që u fal dritë të gjithëve”.
Kompozicioni ka si skelet kërkimin e dorës së Nertilës nga bisnesmeni i suksesshëm Bodinaku dhe vështirësitë e realizimit të kërkesës së tij nga mëtonjësit e tjerë, ku veçohet i dashuri dhe “i martuari që fëmijë me Nertilën, Jari Kaçinari. Në rravgimet për egon e tij i pari vjen e prezantohet me mënyrat, marifetet për milionat e tij në tregtinë e leshit dhe bimëve medicionale, të salcës dhe fitimet nga hotel Kalifornia. Biseda dhe kontrata e mashtrimit për tokën e djegur me rivalin e tij Ollogaraj është ndër më sinjikativët në plotërinë e portretit të tij. Se ndonëse në dukje të afërt, ata urrehen. E kur kuptohet se bisnesi dhe milionat shtohen p[ikërisht këtu, në tokën e djegur. Përballë Rudit vjen e del më i plotë Jari Kaçinari.Ai nuk ka shtëpi për të qenë, nuk dihet se ku i
janë tretur pridërit dhe fisi, nuk ka një punë të përhershmë, nuk e di si hyhet në bankë.Por atij i sjell fati nje avantazh: nga Zyra e Governatorit të Përgjithshëm në numërin e tij të celularit hapet një llogari magjike që Jari mund ta shperndajë e tu japë buzëqeshje dhe energji, t’u japë jetë njerëzve. Dhe fati kishte ditur kë të zgjidhte,;të qeshurin, të mirin, jetëdhënesin Jari Kaçinari…Por dhe kushtet nuk qenë krejt fatlume: Sa here qe Jari u falte jetë e buzëqeshje te tjerëve, shkurtonte nga jeta e tij, nga ditët e tij. Por në një qytet si Balbona, ku të folurit me vet edhe me mesazhe ishte praktikë e të gjithëve, e kujt do t’i shkonte në mend të bëhej dhe llogaria e jetëdhënësit? Madje kërkesat sa vinin e shtoheshin më shumë.Eshtë kohë e rrokopujës, e mërzisë, e kërkimit për
shpëtim.”…një popull nuk mund të vdesë më sin jë njeri,por qytetarët do të shnërrohe”, thotë njëri nga personazhet(faqe 197), sepse “ çdo njeri në kafazin e kraharorit ka një bilbil të vetin që ose e vret, ose e bën të këndojë”(faqe 184).Pikërisht në këtë lloj moti kërkesa për buzëqeshje, shpresë dhe energji është më e madhe se kurrë. Shërbimi SOS më shumë se kurrë duhet të vihet në efiçense.Dhe Jari Kaçinari merr kerkesa nga më të ndryshmet; i kerkohet “ nje kopësht, ndokush ca thasë çimento, ndokush skaf apo makinë familjare, një hallexhi i lutej për një shtëpi ku të fuste kokën, kurse nje tjetër i
kërkonte një armë të vriste Maliq Tabakun, i cili dyshohej se ia kishte therur kunatën në gjumë…”(faqe 134).
Në këtë mjedis lëvizin, veprojnë me dhjetëra personazhe, në një qytet ku sundon absurdi e kaosi, kiu modifikohen dhe këngët popullore sipas “ritmeve të reja” të zhvillimit apo ndryshimit shoqëror. Edhe kur do të flitet për burra të traditës, që me veshje popullore shfaqen në Balbonë, ca malësore nga Truli, të fortë e të ashpër, sa “s’mun t’u heqësh një ashkël”, të vjen e papritur kërkesa e tyre.Vijnë të kërkojnë një frat për kishen e tyre, ku ata të gjithë janë muslimanë, por kanë dhe vëllezer katolikë, kryetari i këshillit të kishës është musliman, meqë kasha ndodhet pranë shtëpisë së tij(!). Kështu janë fatet, fetë, njerëzit në Balbonë dhe më tej në të gjitha qytetet e tjera.Ndryshimet shoqerore sjellin transformime te psikologjise së të menduarit, përshtatje groteske si
korrigjimi i kënges së hershme. Sapo ka filluar të këndohet:”Dy dele, treqind euro…”.
Nën këtë fshikullimë ironike të duket se nuk është më me interes se si do të përfundojë skeleti kompozianal do të plotësohet “me mishin” e tregtarit e bisnesmenit Bodinaku, apo ëndërrimtarit shpresësjellësit, dhënësit të buzëqeshjeve Jari Kaçinarit. Siç thote diku Asafi, njeri nga personazhet, “kjo nuk është e pabesueshmja që bëhet realitet, por realiteti që bëhet i pabsueshëm”.Në një sentenceë tjeter të një personazhi thuhet se minorancat, jo maxhorancat janë të fituara në këtë jetë.
Epilogu i romanit, i menduar si një intervistë sikur e zhvoshk nga magjia secilin personazh, por vjen të përforcojë idetë, vjen të japë me tone më të larta Sos-in për jetë e buzëqeshje.Padyshim është fat për letersinë shqiptare të kultivuar që tashmë “inventarizon” tek vetja një buzëqeshje të plotë letrare.Dhe këtë Zja Çela e heq nga vetja për t’ia falur lexuesit.
Nuk ka komente:
Posto një koment