e enjte, shkurt 12, 2009

Një kurs simpatik


SUZANA KUQI

“... Mos kujtoni se jeni të aftë të
jepni ndihmën e shpejtë... vetëm të parën... sepse nuk duam Rambo këtu,
as heronj,... prandaj dhe i është ndryshuar emri, sepse shumë nga ju
kur ndodhen në situata të tilla kujton se di shumë gjëra dhe hidhet...”
E bukur kjo mendova, mezi i pret dy ditë pushimi bashkë, e del se duhet
të bësh medoemos një kurs. Pale, kujtova se ishte i ndihmës së shpejtë,
këtë kurs e kam bërë tre vjet më parë me vullnetarët e kryqit të kuq.
Ah, po ky është doktor... Pastaj ato shkronjat në mur që dalin nga
projektori nuk i shoh fare... Nejse, duhet ti lexojë doktori. Por atij
nuk i rrihte fare se unë nuk mund ti lexoja ato rreshta, ai lexonte dy
fjalë të një fjalie apo neni e pastaj hidhej në shembuj konkretë. Një
kolegia ime, kish nxjerrë bllok e laps e mundohej të fiksonte diçka,
por me sa dëgjova, shfrynte me zë të ulët: “s'morra vesh asgjë, një
m... mora vesh”
Nuk ja vara shumë asaj, leksioni u bë simpatik,
shembujt ishin fantastikë.
“... dënoheni në se shihni në rrugë
pleq apo fëmijë të humbur që kërkojnë ndihmë dhe nuk ja jepni, as të
mos ju shkojë ndër mend se do dilni pa lagur... Më ndodhi një ditë,
unë banoj në rrugën... Deri tek porta e pallatit janë tri shkallë...
Një ditë gjeta të ulur mbi shkallë një grua të re, i kish a s'i kish
tridhjetëpesë vjeç, e veshur me fustan mbrëmje... e pyes se
ç'kërkonte... më bëri një diskutim që nuk ishte tjetër veçse një
sallatë fjalësh... Nuk mund ta merrja ashtu e ta futja brenda në
shtëpi, dikush mund të më shihte e të thonte se e kisha ftuar me
paramendim për ta... Aty kalojnë makinat si pikat e shiut... po
pikërisht edhe për këtë arësye nuk mund ta lija aty, i rashë ziles,
thirra gruan time, i thashë të merrte një pallto me vete e të zbriste,
pastaj të dy e ftuam në shtëpi, e hipëm lart e pastaj i telefonova
policisë. Erdhën dhe e morën...”
- Ishte arratisur nga
burgu, doktor? - pyeti një nga kursantët.
- “Jo, kishte një
alzheimer akut, e kish hedhur poshtë... Pastaj me fëmijët... ndën
dhjetë vjeç, përse jo tetëmbëdhjetë, as gjashtëmbëdhjetë, ata nuk
humbin, ama këtu shkruan se po të shihni një fëmijë ndën dhjetë vjeç që
kërkon e bërtet “mama” ... ndaloni. Por mos t'ju marrë koka erë ta
mirrni e ta hipni në makinë, e as ta çoni në polici ashtu... por
ndaloni dhe njerëz të tjerë, dy, tri, katër sa të mundeni, të jenë të
gjithë dëshmitarë që nuk jeni pedofilë dhe e keni violentuar... ligji
thotë ndihmoni të tjerët, pa dëmtuar veten...”
“-... Kalojmë
tek pjesa tjetër, duhet marrë aprovimi i viktimave përpara se të
ndërhyjmë, sepse të marrin më qafë, kush e ka parë atë lajmin në gazetë
vitin e shkuar, për atë gruan e moshuar që kish gangrenë në këmbë e nuk
donte të operohej... nuk u operua dhe vdiq, por mjeku edhe sot bredh
gjykatave si i pandehur... Apo për atë gruan që kish kancer në gji, në
sallën e operacionit, kur e hapën zbuluan se tumorri ishte shumë i
zhvilluar dhe i hoqën tërë gjirin, i shpëtuan jetën. Po ajo çfarë bëri?
I hodhi në gjyq se e kishin dëmtuar estetikisht e nuk e kishin pyetur
më parë. Ndaj u duhet marrë çdo gjë me shkrim... Por jo ju, se ju
përshembull duhet të nxirrni dikë nga një shtëpi ku ka rënë zjarr e kur
ta tërhiqni mund ti nxirrni krahun vendit. Mos u bëni merak, në këtë
rast nuk ju dënon ligji. Pastaj duhet të vihen maskat pritëse, një
infermiere, para një viti, gabimisht në vend të venës, shpoi një
arterie të pacientit. E dini si del gjaku nga arteria ..? Me spruco! I
sprucoi në sy e pacienti kish qëlluar sieropozitiv me HIV, infermierja
u infektua dhe u bë nami deri sa fitoi gjyqin. Pastaj mbani doreza me
vete, edhe nga ato të kuzhinës, mbajini ti keni, në xhep, në makinë,
kudo. Nuk i dihet, dikush aksidentohet, je i detyruar sipas ligjit të
ndërhysh po pa dëmtuar veten... ndryshe nuk të jep të drejtë askush...
Detyra juaj nuk është të ndërhyni për të bërë ndonjë gjë të madhe, por
të mbani qelizat e të dëmtuarit gjallë... Kur ka hemorragji... ah,
duhet të mbani llastiqe me vete... Kur dëmtohet një venë, llastiku
vihet poshtë plagës, dëmtohet një arterie, sipër plagës... e dini ju se
çdo të thotë të çahet një arterie..? Trupi zbrazet nga gjaku me
shpejtësi, një fëmijë që kishte prerë femurin me një sharrë elektrike
mbaroi brenda disa minutash...”
Kishim ngrirë të gjithë tek
përfytyronim fëmijën e shkretë...
- “Misioni juaj është
të mbani gjallë qelizat. Kush janë organet kryesore e dini..? Truri
dhe zemra. Zemra është një organ i ndërtuar në atë mënyrë që është
autonom... si është ndërtuar... ndahet në katër pjesë, por më kryesoret
janë dy anët e saj, e majta me gjak të pastër e të fuqishëm, e djathta
me gjak ... ashtu të ngordhët... Them është organ i pavarur sepse vetë
zemra ka një qendër që rregullon lëvizjet e saj, nuk pret ngacmime nga
truri... Edhe po të vdesë njeriu dhe ja heqim zemrën e ja vëmë mbi
tavolinë, ajo vazhdon e pulson... pastaj e fusim në lëngje ushqyes e
mund ta përdorim për traplantim...”
Ai tregoi me gisht tryezën e ne
shikonim syçakërritur, zemrën imagjinare të njeriut të vdekur që
pulsonte.
Impresionuese vërtet, por nuk është se më trembi shumë. Ajo
që më shtiu frikën ishte... diferenca e presionit të gjakut. “Kur është
e vogël, - tha ai,- infarkti është në rrugë e sipër...”
Papritmas
ndjeva dhimbje në krahëror, nuk e di se si më erdhi, gjatë leksionit
mendoja se gëzoja shëndet të plotë, e tani... e kam të vogël atë dreq
diference tensioni... infarkti e kish prere biletën... e shkreta unë...
E humba fillin e dëgjimit një çast e po i qaja hallin vetes, po kush të
linte...?
- “Truri, - deklaroi ai me zë të lartë,- është ai
organ që na tregon se sa afër jemi me kafshët... pjesa e sipërme është
ajo që jemi, pjesa poshtë është ajo e fillimit, e origjinës... kur
dëmtohet pjesa e sipërme... kthehemi në kafshë, hamë për të ekzistuar,
pijmë për të ekzistuar... bëjmë seks për të ekzistuar...”
E harrova
zemrën time të sëmurë, vrava mendjen se si mund të bësh seks për të
ekzistuar, mirë të hash e të pish po...
-“Edhe pedofilët
kanë tru të dëmtuar, edhe përdhunuesit... janë të sëmurë... - befas
futi dorën në xhep e nxorri celularin, siç dukej e kish vënë në vibrim.
- Duhet të jetë gruaja ime, - na u drejtua duke buzëqeshur
më ëmbëlsisht se sa gjatë leksionit. Hapi celularin :
- O,
Andrea... në shtëpi... në shtëpi jam në orën shtatë por nuk do të jem,
i kam premtuar gruas që të shkojmë në kursin e ballos latine,- ai pa
orën dhe i ra ballit me dorë. Donte dhe shtatë minuta të shkonte
shtatë. Mblodhi fletët, i futi në dosje e nga ajo nxorri një fletë
tjetër të cilën e la mbi tryezë.
- Më firmosni këtu përbri
emrit tuaj, kështu vërtetoj pjesmarrjen tuaj në kurs për datën e sotme.
Mirupafshim nesër!
-Mirupafshim! - zëri im ishte çuditërisht
i gëzuar. E përse jo, nuk më vinte aspak keq të vija ato tri orë të
nesërmen. Edhe unë që nuk e pata me qejf këtë kurs...



Imperia 2
Shkurt 2009

Nuk ka komente: