e diel, shkurt 01, 2009

Pionierja e përpunimit artistik të folklorit për fëmijë

Astrit Bishqemi

Megjithëse në Shqipëri po mbushen dy dekada vitesh të tranzicionit demokratik, ende nuk është hedhur dritë e plotë, nuk njihet e nuk është botuar vepra e disa figurave të shquara të letërsisë së gjysmës së parë të shekullit XX. Të tillë, figurë të shquar, do ta konsideronim në letërsinë tonë për fëmijë shkrimtaren e parë të letrave shqipe, Musine Kokalarin (1917- 1983). Ajo është një ndër autorët që ndikoi në fillimet e modernizimit të kësaj letërsie, në vitet '40. Jeta dhe kalvari i saj i dhimbshëm nga Diktatura Moniste tanimë dihen1. Këtu po rikujtojmë se, veç artikujve të ndyshëm në organet e kohës, shkrimtarja mundi të botonte tri vëllime: Siç më thotë nënua plakë (1939)2, Rreth vatrës (1944) dhe Sa u tund jeta... (1944). Këta libra tërhoqën vëmendjen e personaliteteve dhe intelektualëve të kohës. Autorja u bë anëtare nderi e Akademisë Italiane.
Musine Kokalari, doktoresha e parë e letrave shqipe, mund të quhet pionierja e përpunimit të përrallave popullore për fëmijë, praktikë që u ndoq shumë pas Çlirimit nga disa shkrimtarë. Ajo është krijuesja e përrallës sonë letrare moderne. Fatkeqësisht ne ende nuk kemi mundur ta ribotojmë veprën e saj të bukur Rreth vatrës, vepër që hyn në fondin e artë të letërsisë sonë për fëmijë. Po mundohemi të ravijëzojmë disa nga vlerat e kësaj vepre.
Libri Rreth vatrës (1944) është përmbledhje me përralla të përpunuara për fëmijë. Dhe përrallat e Musinesë janë mjeshtërore, fluide, të mbrujtura me një gjuhë poetike, të gjallë e tërë plasticitet. Në to ruhet ngrohtësia dhe gjenialiteti i popullit por tani krijimet marrin vlera të reja artistike, ngrihen në art, shkëlqejnë e shndrisin edhe më tepër.
Vëllimi ndahet në dymbëdhjetë pjesë. Më saktë, ai përmban nëntë përralla të mirëfillta, këngë popullore për fëmijë, lodra e gjëagjëza, të gjitha materiale folklorike për të vegjlit, mbledhur në trevat e Jugut, në qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e tij.
Veç përrallës realiste, nuk mungon edhe përralla fantastike (përmendim Vajza e mbretit). Diku vajzat martohen me zogj (Shpirti i arapit) dhe ngrohja e një pende bën që zogjtë të vinë e të të ndihmojnë. Aty-këtu bota reale gërshetohet me atë fatastike, me qenie mitologjike, si kuçedra etje. Lexuesin e vogël e mrekullojnë edhe elemente të tilla fantastike siç janë: qesja ku paratë shumohen, festja që kur e vë mbi krye bëhesh i padukshëm, fylli, të cilit kur i bie, del një arap i zi dhe zbaton çdo kërkesë të padronit; fiku i bardhë që kur e ha të dalin brirë në ball dhe tjetri, fiku i zi, që t'i heq ata brirë; foshnja e sapolindur që flet dhe qorton veprimet e të rriturve (Si e pësoi mbreti); unaza magjike që mban gjarpëri nën gjuhë dhe që të plotëson gjithashtu çdo dëshirë etj.
Mesazhet që sjellin ato janë edukative. Në krijime triumfon gjithnjë e vërteta, e mira, e drejta (E Bukura e Dheut); e keqja, sado përçude që të jetë, e pëson (Shpirti i arapit); zgjuarsia çan, ka epërsi (Kuçedra, Qerosi); bamirësia shpërblehet (Unaza e çuditshme: djali u bën mirë kafshëve - qenit, maces, madje edhe gjarpërit dhe ato ia shpërblejnë, e ndihmojnë kur bie ngushtë) etj. Dy përralla (Shandani dhe Si e pësoi mbreti ) mbartin moralin e shëndoshë popullor, ngrihen kundër inçestit (martesës babë-bijë dhe babë-e re). Ndonjë përrallë tjetër mbart si mesazh faktin që fatkeqësia e dikujt u dridhëron zemrat dhe bëhet fatkeqësi edhe për të tjerët (Plaku dhe plaka). Përralla Budallai ngrihet mbi keqkuptimet që mund të vinë nga homonimet e gjuhës sonë (vëllezërit i thonë vëllait të vogël Ne do të vemi përpara me nënën dhe ti hiq derën dhe eja pas, kurse ai e shkul atë dhe e merr në krahë) etj. etj. Krijimet shquhen për frymën optimiste, për fundin e hareshëm e të lumtur. Kësisoj këto përralla të zhvillojnë imagjinatën dhe të edukojnë nga pikëpamja morale.
Të gjitha cilësitë që përmendëm janë karakteristikë e përrallave tona në përgjithësi, e krijuesit popull. Po atëherë cila është merita e autores Musine Kokalari, veç mbledhjes e përqokjes së folklorit?
Merita e shkrimtares qëndron pikërisht në përpunimin artistik që u ka bërë përrallave. Subjektet folklorike ajo i ngriti në një nivel më të lartë, artistik. Retushoi anën edukative të tyre, theksoi moralin e shëndoshë popullor, cilësitë e mira që duhet ta karakterizojnë njeriun, siç janë dashuria ndaj punës, durimi, urtësia, sjellja e hijshme etj. Nga ana tjetër, pastroi e zbehu pasazhet që nuk i shkojnë botës psikike të të vegjëlve. Bëri që në ato krijime të ndjehet flladi i poezisë popullore, i lehtësoi, i bëri më tërheqëse, më gazmore, i shkarkoi edhe nga moralizimet në ndonjë rast.
Vlerë në vepër përbën gjuha e përdorur. Ajo është e pastër, artistike, e afërt me atë të popullit, duke e ruajtur ngjyresën gjirokastrite. Gjuhën e autores e bëjnë më të përshtatshme për lexuesin e vogël onomatopetë e gjetura që përdoren aq shpesh, po edhe metaforat e bukura. Ja një përshkrim dinamik i stilit për fëmijë:
E jashtë era frynte me të madh. Fësh... fësh... bënin degët e pemëve e kraf kërcitnin vetëtimat e bu... bu gjëmonin bubullimat. E pikat e shiut tak.... tak... goditnin nëpër xhame e mbi çatira (f. 47).
Apo një fjali e vetme (f.49): Klluk oda e dimrit! (pra, e ngrohtë si furriku i kllukës, i pulës klloçkë që ngroh vezët).
Merita e dytë, veç përpunimit të përrallave, duhet kërkuar te organizimi i tyre, te korniza artistike në të cilat i vendos autorja materialet folklorike. Vepra karakterizohet nga një unitet kompozicional artistik. I ngjan si të thuash një mozaiku, ku materialet folklorike (përrallat, gjëagjëzat, lodrat e këngët popullore për të vegjlit) kompozohen si copëza ngjyrashndritshme, që plotësojnë një figurë të tërë. Kjo arrihet nga gjetja artistike kompozicionale. Autorja nuk preferon t'i kallëzojë vetë përrallat (dhe ta botojë librin në formën e një përmbledhjeje të thjeshtë), por i vë ao si dhe gjëagjëzatt në gojën e personazheve të tjerë: të gjyshes (nënos-plakë), të teto Lalesë ose në gojën e vetë fëmijëve (Përralla Si e pësoi mbreti vihet në gojën e mbesës së vogël, Hasos, e cila ua tregon moshatarëve). Kështu ato bëhen më emocionale, madje japim mundësi për të pasqyruar reagimin e dëgjuesve. Më saktë, mund të themi se ndryshimi është ai që qëndron midis leximit të një drame dhe spektaklit të saj, i cili i jep gjallëri pjesës teatrore, bën t'i përjetosh ngjarjet në mënyrë emocionale.
Musineja krijon shtratin artistik, mjedisin, atmosferën e nevojshme për përrallën që kërkon të tregojë, mjedisin intim gjyshe-mbesë për të lozur lojën e gishtërinjve (kreu Vetëm) apo për të lozur ndërmjet tyre fëmijët, për të treguar gjëagjëza, të cilat gjithashtu vihen sa në gojën e nënos-plakë, sa në gojën e teto Lalesë, të baba-madhit apo edhe të vetë fëmijëve. Në një kapitull tregohet sesi jashtë bën ftohët, bie borë dhe fëmijët në shtëpi, nën këtë dekor, këndojnë këngën e saj; bie shi dhe këndojnë këngën e shiut; Qemali i vogël është në djep dhe, që ta zërë gjumi, nënua-plakë i këndon një ninullë etj. Madje edhe skena ku tregohen a ku luhen lojërat e fëmijëve, lëvizin e ndryshohen. Më së shumti vendosen në shtëpinë e nënos-plakë, po edhe të një kushurire tjetër - teto Lalesë. Rrethi i njerëzve herë zmadhohet e herë zvogëlohet. Koha është ajo e dimrit, e vatrës me zjarr, që i jep edhe titullin librit, titull që na kujton atë të përmbledhjes së Vëllezërve Grim, Përralla për fëmijët rreth vatrës, të botuar gati një shekull më parë se autorja jonë, më 1857, në Gjermani.. Në studimet tona është shfaqur mendimi se vatra simbolizon jo vetëm familjen, po edhe më gjerë, merr kuptimin e atdheut. Por mua nuk më duket që vetë autorja të synojë këtë aludim figurativ. Korniza artistike që përmendëm u jep më bukuri krijimeve folklorike. Dhe këtu kemi letërsi të mirëfilltë artistike. Na paraqitet një familje karakteristike gjirokastrite me gjyshe (nënua-plakë), gjysh (baba-madhi), dy djem të martuar (Hasani e Halili), gratë e tyre (nuse-madhe, nuse-vogël) dhe fëmijët çamarokë të Hasanit, të cilët e kthejnë përmbys shtëpinë me lodrat e tyre: Astriti, Hasua dhe Qemali i vogël që flë ende në djep. Kjo familje zgjerohet me një kushërirë të fëmijëve, teto-Lalen (nënë-dajkua), gjithashtu edhe me fëmijë kushërinj, si Muhtari me Azminë.
Me pak viza na skicohen e na dalin në pah disa karaktere. Së pari, nënua-plakë. Ja portreti i saj fizik: me leshra të bardha si dëbora që bie në dimër, me syze majë hundës (f.6). Ndërsa portreti shpirtëror i saj jepet dora-dorës. Ajo është prototipi i gjyshes së dashur, të dhembshur, të kujdesshme e me takt në edukimin e fëmijëve. Megjithëse është e mbytur në punët e shtëpisë, plaka gjen kohë t'i përmbledhë voglushët e mardhur, që, nga lodrat, harrojnë edhe të hanë. Gjithçka e bën me dashuri, me ëmbëlsi e përkushtim. Eja këtu të marsha të keqen, thërret ajo mbesën, ndërsa Qemalin e vogël që e ka gërvishtur macja: U...u.... mos qaj pa e vras unë "pison"... - Nënua i puthi vendin, i gëzoi leshrat dhe e uli në pëqi të saj (f.5) Atë e duan dhe e repektojnë jo vetëm fëmijët, po edhe të rriturit: ... tupur-tupur nëpër shkalla erdhi përposh. Hyri në odën e zjarrit ku qenë mbledhur nuset e djemtë. Të gjithë i lëshuan krejnë (f.15). Diku ajo u jep fëmijëve të hanë gështenja të ziera, por nuk ka harruar t'i heqë mënjanë ca grushte fshehurazi që fëmijët t'ì kenë për të nesërmen. Gjithashtu ajo sillet e afërt me fëmijët. Ja, kur voglushët nuk e gjejnë gjëagjëzën e teto Lalesë, ajo i ndihmon. Nënua-plakë bëri sikur mori një gjë prapa krahëve të mbesës dhe - mielli kur sitet - i tha nëpër dhëmbë (f.40). Përrallat e saj i dëgjojnë me ëndje edhe të rriturit.
Edhe gjyshi (baba-madhi) jepet me ngjyra të ngrohta, i dashur e i dhembshur me fëmijët, sidomos me Astritin kur është i sëmurë, po pa harruar edhe nipërit e mbesat e tjera, madje ca me humor tek përgëzon plakën që di aq përralla të bukura, apo edhe tek pi dhe e kalon ca masën nga gëzimi për nipin që u shërua.
Korniza, shtrati organizues i veprës, është me interes edhe në një kahje tjetër. Na sjell informacion të pasur: na njeh me familjen gjirokastrite, me mjediset e banesës, me mënyrën e jetesës, me ritet e zakonet e njerëzve, me besimet e mendësitë e tyre, me veshjen e ushqimin etj. Diku tregohet edhe si u bëjnë fëmijëve çallma (misra kokoshë, të pjekur me shoshë mbi zjarr).
Po kështu na jepen shumë bestytni të kohës, si në faqen 17: ...përrallat nuk thuhen ditën, se nguqen paratë; në f. 82:
- Nëno të hedh një farë të portokalles në zjarr dhe të shohim se ç'do të na bëjë nuse e dajko Eqremit? - Dhe e hodhi. Për një çikë.... puf..f..f ia bëri dhe hiri u ngre përpjetë.
- Vajzë do të bëjë - dhe tundi kokën,- do t'i bëhen pesë.
Ose, kur bie borë, në f.83, nënua-plakë i këshillon fëmijët:
-... Se mos hani gjë, se kjo është dëborë e maces. Kur bie për hërë të dytë dhe ajo nuk hahet, se është e qenit. Të tretën herë, po. Ajo është e njeriut.
Në një vend tjetër (f.91) nënua-plakë e këshillon mbesën:
- Jo me kukulla natën se s'është mirë. Bëhen xhinde dhe dalin nëpër shtëpi.
Në f. 95 ajo i tregon fëmijës si t'i heqë bazdravicat (lythet që i kanë dalë) etj.
Madje jepen edhe rite e zakone të tjera, gjithashtu të kohës, si për shembull:- Mirë se erdhe teto Lale- i thotë Halili dhe i puthi dorën (f. 120).
Në vepër gëlon bota fëminore, që përshkruhet aq bukur. Autorja sikur është futur midis voglushëve me mikrofon në dorë dhe ka regjistruar fshehurazi bisedat e zënkat e tyre për të na i sjellë në vepër. Ja një pasazh kur fëmijët lozin duke vënë duart mbi kurrizin e njërit, i cili duhet të gjejë se e kujt është dora, ndryshe dënohet:

Astriti uli kokën. Hasua, Azmiu dhe Muhtari ndenjën në gjunjë. Vunë dorën njëri mbi tjetrin.

- Cila dorë është sipër? - e pyetën.

Astriti nuk flinte. Mendohesh, po ngrinte nga pak kokën të shikonte. Më në fund tha: - e Azmiut.

- Pse gënjen... pse gënjen- e bum me grushte në kurriz.- Qe e Hasos.

E uli prapë kokën.

- Cila dorë është sipër?

- E Azmiut,- tha.

Hop përpjetë ky. E pa që do të ulesh dhe do të hante grushte, tha jo, jo, s'e zëmë këtë... se Titija ngriti kokën edhe më pa. Po... kështu... nuk e kemi... ndaç, nuk lozim fare- dhe zuri të largohesh..

- E... e...- i tha Astriti, - po unë ç'isha që hangra grushtet e tu dhe tani s'të pëlqen të ulësh kokën? Ulu, se për Zotin do ngrihem të të vras.

- Nuk e ul kokën, se më pe.

- Ta ulësh kokën se s'të pashë- dhe u ngrit në këmbë. Astriti u bë flakë i kuq në fytyrë. U zunë... jo bënesh jo s'bënesh . S'loz tha njëri, s'loz as unë tha tjetri. Po edhe unë s'loz tha i treti. (f. 55)

Veçori artistike për përrallat përbën fakti se gjithnjë në fillimet e tyre autorja e ruan hyrjen klishe të popullit Na qe, mos na qe: Na qe, mos na qe, na qenë tri motra, njera m'e bukur se tjetra; Na qe, mos na qe, na qe një nënë e një baba etj. Ose: Ishte njëherë një mbret që kishte tre djem. Ndërsa në mbyllje vetëm një herë gjejmë formulën e popullit, te përralla e fundit: As atje jeshë, as këtu jeshë dhe as një të vërtetë nuk keshë (f.143).

Përsa i përket raportit që mban autorja ndaj tragjikes, duhet thënë se në këto përralla nuk mungojnë skenat e dhunshme e pamjet ku vdekja nuk motivohet (kuçedra ha djalin qe kishte shtëpinë prej krundeje dhe atë me shtëpi prej xhami; vrasje të kota etj.) Po aty-këtu Musineja sikur është munduar t'i evitojë disa nga këto ngjarje; ajo sikur i largohet dhunës e gjakut. Kështu, për shembull, te përralla E Bukura e Dheut, ku dy motrat cmirëzeza ia punojnë së voglës, ia zhdukin djalin e vajzën më yll në ball, kur e vërteta del në shesh, ato mbeten gjallë; autorja mjaftohet vetëm me fjalët atyre u vunë drunë (f. 15) (Në variantin e popullit, mreti përniherë çon hizmeqarin ene merr maminë ene kto t'dyja motrat, u jep nji kulliç, i ban copa-copa të trija kto edhe ja hudh qenve3). Ekziston një variant tjetër folklorik edhe për përrallën Si e pësoi mbreti4 . Aty mbreti që donte ta bënte të vetën nusen e djalit, në fund gjen vdekjen nga dhuna. Plaku tripëllëmbështat ngre çekiçin dhe e godet në kokë. Te përralla e Musinesë evitohet dhuna. Mbreti i pamoralshëm vdes, por vetiu, kur dëgjon të flasë e ta qortojë rëndë foshnja e sapolindur (që këtu zëvendëson plakun tripëllëmbështat).

Ndaj njerëzve të fesë autorja mban qëndrim dashamirës. Bariun që ndeshet me ariun barbar, e ndihmojnë prifti me hoxhën, duke ia plotësuar dëshirën për të pasur një kulaç e tri shishe me verë (përralla Shpirti i arapit). Por prifin dinak, cingun e të panjerzishëm te përrallës Qerosi, që shfrytëzon kafshërisht njerëzit e tjerë, përralla e godet me armën e satirës: prifti bëhet qesharak dhe e pëson.

Një tjetër karakterisikë e librit Rreth vatrës është mënyra gazmore e të treguarit. Në këtë mënyrë Musineja përshkruan lodrat, rrëmujën dhe sjelljet e fëmijëve në çdo hap. Në mënyrë gazmore jep edhe botën e të rriturve. Ja, një pasazh. Baba-madhi ka hedhur një gjëagjëzë të vështirë. Të gjithë mendohen për ta zgjidhur, të vegjël e të mëdhenj. E gjeta unë, hidhet nënua-plakë. Po djali i madh i saj është mosbesues:

- Në e gjete moj nënë - u hodh Hasani,- mos e thuaj. Mbaje se mirë e ke. Po dije se nuk është ajo që thua zotrote.

- Mos më bën biro ta thom - hidhet nënua.

- Thuaje, nëno, - kërkuan të vegjlit.

- E ja, nuk është qiriri?- Dhe vështoi djalin në sy.

- Nuk të dija kaq kapetane, moj grua,- i thotë baba madhi.

Kjo mënyrë gazmore e ky humor përshkon më tej edhe materialet folklorike: këngët, vjershat nonsens dhe përrallat. Ja një skenë plot humot te një këngë, f. 95:

.......................................

Morri mban pishënë

Pleshti qep këmishënë

.......................................

Humori i situatës është i pranishëm në shumë përralla. Kështu, diku dhëndri ka lidhur nusen me litar që të mos i humbasë. Në të vërtetë nuse është bërë qerosi. Ky kërkon t'ia mbathë, del në kopsht, zgjidh litarin nga mezi dhe ia hedh në qafë një dhije. Kur e shikon dhëndëri, thërret i çuditur:- Nëno, moj, m'u bë nusja dhi! (f. 141). Po kemi edhe përralla të tjera, ku humori i situatës përfshin gjithë sipërfaqen e tyre.. E tillë është ajo me titull Plaka dhe plaku. Bija e tyre, Zërhaja shkon për ujë dhe thyen shtamën. Në shtëpi kris vaji. Plaka shkul leshrat, plaku mjekrrën. Helmohen edhe të tjerët kur e marrin vesh: laraska shkul pendët, druri i dardhës lëshon kokrrat, derri thyen dhëmbët, kroi shter ujin, kurse nuset e fshatit thyejnë edhe ato shtambat e tyre. Gjithçka tregohet në vargje, duke e përsëritur këngën, por çdoherë të shtuar me nga një varg të ri. Humoristike janë tërësisht përrallat Budallai, si dhe ajo tjetra, Qerosi. Budallai me derën në krahë hipën në një dru fiku. Në hijen e saj vijnë tre kusarë dhe zihen duke ndarë lirat e vjedhura. Qerosi u lëshon derën dhe i lë pa frymë. Merr paratë, ngarkon rishtazi derën në krahë dhe niset për në shtëpi. Edhe te përralla e fundit, qerosi i zgjuar ka zënë punë te prifti maskara, me të cilin ka lidhur një kontratë të çuditshme: kush të zemërohet do të rrihet me rrip nga tjetri. Bëmat e qerosit janë tërë humor, derisa ia bien priftit në majë të hundës...

Megjithatë, autoren Musine Kokalari nuk e idealizojmë. Vende-vende humori i përrallave ka shije të hidhur, johumane. E si mund të qeshim me budallain që i ngjesh thellë në gojë nënës luharen e mbushur me mëmëligë, derisa e mbyt, e vdes? Si mund të na bëjë për të qeshur veprimi i tij kur me derën në krahë vret dy gra të pafajshme vetëm sepse ato e qortojnë? A mund ta pranojmë humorin e tij për mënyrën sesi do ta varrosë nënën e vdekur? Jo, këto skena e ndonjëra me qerosin mund të ishin tëharrur e thjeshtuar në përpunimin artistik që u ka bërë përrallave shkrimtarja.



Së fundi, sa për ilustrim, le të ndalemi më gjatë te një përrallë e vëllimit, për ta shijuar më mirë estetikisht. Po marrim atë me titull Shandani. Fabula e saj është e thjeshtë. Burrit i vdes gruaja dhe kërkon të martohet me të bijën. Kur e pa që kundërshtimet nuk bënë efekt, vajza i thotë të atit t'i blinte një shandan të artë dhe fshihet brenda tij. Babai i zemëruar e shet shandanin në pazar. E blen një i ri, i cili, pas shumë peripecish, martohet me vajzën.

Kjo përrallë e bukur, siç theksuam, transmeton një moral kundër inçestit, kundër martesave brenda familjes. Autorja ia ka ngritur vlerat artistike duke e ritreguar me prozë elegante, konçize e të ndjeshme. Ja me sa gjallëri, me sa lakonizëm, me ndihmën e onomatopesë e të metaforës, e nis autorja përshkrimin: Brambër... brumbër nëpër divane. Hidhu Astriti e hidhu Hasua. Bisht nga mbrapa i ndiqte Qemali, veshur me një pallto të gjatë gjer në fund të këmbëve. Herë-herë rrëfimi ndërpritet në pika kulmore: Astriti e Hasua që dëgjonin me gojë hapët, i thanë me një zë: - Po si moj nëno e nxiti (e nxuri) shandani atë vajzë aq të madhe?

Edhe në tekstin e përrallës që rrëfen, autorja është shumë e kursyer në fjalë dhe ia arrin mrekullisht qëllimit të saj me fjalinë e shkurtër e konçize: Vajza i dëgjon këto fjalë. Hap derën dhe del. Nga dritarja zbret në udhë dhe ikën. Ecën e ecën e vete në një fshat, në shtëpinë e një plaku. Për të krijuar antipatinë e lexuesit ndaj babait që donte të martohej me të bijën, mjafton vetëm një fjalë, metarfora "ulërin": Vdes gruaja, Burri i saj me këpucë në dorë del, vete portë më portë dhe ulurin - kujt t'i bëjë kjo këpucë, do ta marr për grua.



Duke përfunduar, shtrojmë edhe një herë detyrimin moral për ta botuar, me redaktim të lehtë, librin Rreth vatrës të autores Musine Kokalari. Edhe pse me mungesë prej më tepër se një gjysmë shekulli, ai ka mundur të mbijetojë. Komunikon lirshëm me lexuesit e sotëm fëmijë, ende u fal atyre emocione e kënaqësi estetike.



-------------------------

1) Musine Kokalari u lind në Adana të Turqisë jugore, në një familje me prejardhje nga Gjirokastra. Më 1920 kthehet në Shqipëri. Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës mori mësimet e para, të cilat i vazhdoi në Tiranë, në Institutin "Kyriaz" dhe Institutin "Nana Mbretneshë", në vitet 1933-37. Që në moshë të njomë do t'u përkushtohej librave, duke përfituar nga i vëllai Vejsimi, që mbante një librari në Tiranë në mesin e viteve '30. Shkruan për të rritur me pseudonimin Muza. Në janar 1938 u pranua në Universitetin e Romës, në fakultetin "Belle lettere". Atje mbaroi studimet shkëlqyeshëm dhe në nëntorin e vititn 1941 mbron doktoraturën me temë për Naim Frashërin. Kthehet në Shqipëri dhe është e vendosur në udhën e saj si shkrimtare. Veten e gjen te puna me folklorin. Mbledh përralla e gjëagjëza dhe nis të shkruajë në një gjini të freskët, që ishte shkrirje e letërsisë artistike me folklorin.

Musineja me vëllezërit themeluan shtëpinë botuese "Mesagjeritë shqiptare", ku u botuan veprat e Gëtes, Shekspirit, Servantesit, Naim Frashërit etj. Gjithashtu kjo vajzë intelektuale është një nga themelueset e Partisë Social-Demokrate më 1943. Në janar 1944 fillon të botojë gazetën Zëri i lirisë. Por më 12 nëntor 1944 komunistët ia vrasin pa gjyq dy vëllezërit, Mumtasin e Vejsimin. Edhe atë e arrestojnë më janar 1946 dhe e dënojnë me 20 vjet burg si armike e popullit. Gjithë rininë, për 18 vjet me radhë, e kaloi në burgje si ai i Burrelit dhe pas tij e priti rishtazi internimi në Rrëshen, ku punoi fshesare rrugësh dhe punëtore ndërtimi. Edhe atje ajo nuk reshti së mbledhuri folklor nga njerëz të thjeshtë. Krijimtaria iu asgjesua nga Sigurimi i Shtetit ditën që vdiq.

2) Këtë vit botimi shënon Eglantina Mandia; R.Elsieja shënon me rezerve 1941, kurse Artemis Kokalari - 1944. I vërtetë duhet të jetë viti 1939. Këtë përfundim e nxjerrim duke u nisur nga një autograf i autores në kopjen e librit që gjendet në fondin e Bibliotekës së Elbasanit : Bibliotekës Baholli - M. Kokalari; Tiranë, 20 /IX/ 1939

3) Përralla Vajza dhe djali me hënë dhe diell në ballë, në përmbledhjen Folklori shqiptar, I, Proza popullore, vëllimi i tretë, T. 1966, f 414

4) Shih përrallën Vllaj i vol matohet me breshkën në përmbledhjen Folklori shqiptar, I, Proza popullore, vëllimi i dytë, T. 1966, f. 484

Nuk ka komente: