e shtunë, janar 31, 2009

VDEKJA E ENVER HOXHËS -r o m a n-

Kreu i dytë


VARGJE PËR GRA QË DINË TË VAJTOJNË
Kujtime të një studiuesi të ri në provincë

P ë l l u m b K u l l a

Sekretari i Parë i partisë së rrethit, i thirri të katër burrat në zyrën e tij të dielën në mëngjes. Fatosi hyri i fundit e, megjithatë, ishte dhjetë minuta para orës që kishin caktuar . Aty, veç, Namikut, drejtorit të Pallatit të Kulturës, që pat përcjellë lajmërimet ndodhej Thoma Miloja, që ish në ato vite, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për rrethin, regjisori i amatorëve, Ulvi Çiço dhe Moisi Dhëmblani, poeti më i njohur i atyre anëve. Fatosi u habit kur pa Moisiun. E paskëshin thirrur nga Shtëpia e Pushimit ku kish vajtur tok me të shoqen.
Nga të partisë, veç të parit, ish edhe sekretari që mbulonte kulturën dhe artin në rreth, Ligoraq Belica. Ky bëri prezantimin e secilit, megjithëse Sekretari i Parë dukej se i njihte mirë të gjithë. Fatosit i hodhi një sy më të vëmendshëm, kur Ligoraqi i tha, që në Pallatin e Kulturës, Fatosi mbulonte sektorin e folklorit dhe kur pa që djali u ngrit, për respekt, në këmbë.
- Ti, do të të kemi caktuar tani vonë, - i tha i pari, të cilit dialekti
krahinës i dallohej më shumë se të gjithë të tjerëve që ishin aty.
- Si urdhëron! Dy muaj më parë – iu përgjigj Fatosi dhe u ul në
kulltuk.
- Këteja të kemi, apo je i ardhur?
- Këteja, si urdhëron! – tha Fatosi duke u ngritur prapë.
- Unju, mo, unju, se mbledhje solemne nuk e kemi. I kuja je ti?
T’i thosh emrin e babait, Fatosi ish i bindur që shoku Aziz nuk do ta
njihte. I tha të dajkos, vëllait të nënës. Me atë bëhej i njohur tërë fisi.
- Si, mo, qënke nipi i Pashos, Heroit të Punës?!! Bravo. Të vaftë
mbarë puna me folklorin e na dalç faqebardhë!
E ndjeu që kish qëndruar shumë me studiuesin e folklorit dhe nxitoi të
hapte temën e thirrjes.
- E dielë sot, ëh? Ju hoqa na gratë e fëmijët. Po do t’ju lëshoj shpejt.
Se, në fakt, ju kam thirrur… Ja, që kafenë e së dielës ta pimë tok!
Si me komandë, që të katër të thirrurit, nxorën blloqet e shënimeve.
- Jo, or jo! Ohua! Vrap shënimet, ju! – ia dha të qeshurës Sekretari i Parë. - Lerini ato! As protokoll e as procesverbal nuk do të kemi këtu. Kur ndonjë mik ju thërret për kafe, i nxirrni blloqet, ju?!
Duket që ai i paskësh rënë më parë ndonjë zileje të fshehtë, se aty u shfaq menjëherë Nora, kafexheshka e Komitetit të Partisë, që mesa dukej qe thirrur dhe ajo në ditën që bënte pushim. Nora u uroi një mëngjes të mirë, i pyeti me radhë se qysh e pëlqente secili kafenë dhe iku t’i piqte.
- Mbase Moisiu do edhe ndonjë fërnet, shoku Aziz, se ia ka qefi
këtij, - nxitoi të thosh Ligoraqi. - E kemi më mysafir se këta të tjerët, poetin. Dërgova veturën dhe e mora nga Shtëpia e Pushimit.
Të dy sekretarët nuk e bindën dot poetin që të merrte nga rafti i zyrës shishen e fërnetit. Të tërë ishin të bindur që Moisiu priste t’i thoshin edhe një herë më shumë. Por sekretarët nuk e nganë më.
- Ore djema, - e hapi më tej grykën e thesit i pari, - mua më doli
gjumi natën që shkoi e thashë t’ju thërres. E bëra me dije dhe Ligoraqin, ki ma pëlqeu mendimin. I thërresim, tha dhe ki! Apo jo, mo Ligoraq?
- Ashtu tamam, shoku Aziz.
Aty ra një heshtje, nga ato të rrallat fare. Ai i qe afruar thelbit.
- E hidhur është sa nuk bëhet, po, a keni menduar ndonjëherë,
se Komandanti një ditë do të na lerë?
Heshtje, po heshtje kjo e dyta! Heshtja e parë ish lule, para kësaj! Ish
nga ato që bëjnë të të buçasin veshët nga shurdhëria. Si arriti t’ia thotë goja atë gjëmë!
- Hë mo, po ju pies: e keni menduar, që shoku Enver, një ditë, do të
na ikë?
Kush t’i përgjigjej kësaj pyetjeje?! Le që ajo nuk ish pyetje. Ish
bubullimë!
Të ftuarve ua hoqi litarin Nora, që erdh’ e solli kafetë. I ndau ajo
dhe kushedi sa do jetë habitur që ata, shtatë burra aty, nuk lëshonin asnjë pipëtimë! Tamam sikur burrat të paskëshin prerë në mes një muhabet femrash. Veç, tek tuk, dëgjohej ndonjë përplasje luge, pas filxhanëve të kafesë. Nora mbaroi punë dhe i la. Kjo kohë qe mjaft për Namikun, drejtorin e Pallatit të Kulturës, për t’ia gjetur një përgjigje të parit të partisë. E ndjente drejtori i Pallatit të Kulturës, se atij i binte barra, si më i vjetër. Kështu, që kur Aziz Dejazi e bëri pyetjen për të tretën herë, drejtori nuk priti që i zoti i zyrës, t’i vinte pikë pyetjes.
- Vetëm ai nuk vdes! – i a ktheu Namiku me zë shpelle.
- Nuk ka vdekje për Enver Hoxhën, shoku Aziz! – kish menduar një
përgjigje edhe poeti, Moisi Dhëmblani. – Për ne, ka. Për të, jo!
Sekretari i Parë pa të dytin. I dyti qeshi dhe ia mori fjalën.
- Hë, mo, lerini folklorizmat, tani! – Ligoraqi i ftoi të qetësoheshin. –
Le që ju të tërë të zanatit të folklorit jeni. Mirë e ka pyetjen shoku Aziz. Ja, i mbylli sytë! Me folklore do të mburemi?! Të papërgatitur do të na zerë gjëma?! Kurrë mos vdektë, me ju jam dhe unë! Po ja, ta zemë, vdiq?!
Asnjeri nga punonjësit e kulturës nuk e ndjente veten mirë. Lloj lloj biseda, mbledhje e konsulta patën bërë ata, po asnjë si kjo! Mendohet vdekja e njeriut, merr masa familja për babanë e për nënën, sado të dashur t’i kenë. Po për Enver Hoxhën, kjo ish si e pa ngjarë. As në shtëpi e as në pazar nuk e zinte në gojë njeri atë ndodhi. Të gjithë ia vinin re atij tatëpjetën, keqësimin e shëndetit, plakjen. Qenë mësuar për vite me radhë me këtë, pasi e shihnin në ekrane, të nesërmen të gjithë i thoshin njëri-tjetrit:
- M’u duk mirë, këtë herë, ëh?
Me demek, ndryshe nga hera më parë, këtë herë ishte mirë. Mirë, patën
thënë ata, edhe atë herën më parë! Kjo lloj gjuhe vinte nga lart. Njerëzve u urdhërohej gjuha e nuk e shpiknin dot si ua desh qejfi. E flisnin shefat dhe vartësit ishin aq të mentshëm, sa ta kuptonin, që edhe shefat diku e kishin mësuar nga shefat e tyre më sipër. Po ama, nuk dëgjohej ndonjëherë, as prej shefave dhe as prej ndonjë veterani të luftës, të shprehej ndonjë dyshim, daç që të ish pozitiv, ngaqë dëshmonte dashuri, të llojit “sa ia kam merakun, mos i ndodhë gjë!” apo “le ta shtrëngojnë, mo, të mos punojë aq shumë, se edhe mosha ia kërkon çlodhjen, tani!” Pa për vdekje, jo or jo, as që bëhej fjalë! Mbase armiqtë ia deshin fundin Enver Hoxhës, por atyre nuk u a këndoje dot këtë dëshirë, se e mbanin mbyllur me nëntë kyçe! Kështu erdhi puna, që, as ata që e donin, as ata që nuk e donin, nuk e zinin në gojë atë vdekje.
Vjen dita dhe e dëgjon këtë në zyrën e Sekretarit të Parë të rrethit!
Fatosi, falenderoi fatin, që aty u përmend se ishte i ri në detyrë dhe me një të qepur të gojës, e shtyu tërë atë kafe të hidhur të së dielës. Të mëdhenjtë e partisë i polli belaja me Moisi Dhëmblanin, që nuk desh, jo vetëm përgatitjet për vdekje, por nuk lejonte njeri as ta shkonte nëpërmend atë.

vazhdon...

Nuk ka komente: